Menu

Konsumatori

Antoneta Ndreka nga Lufra: Mos blini produkte në rrugë, por në kompani që kanë përgjegjësi për ju

E ftuar në emisionin “Alert”në News24 nga Granit Sokolaj, Antoneta Ndreka nga kompania “Lufra” ka folur për ushqimet “vrasëse” për konsumatorin. Ndreka deklaroi se tregtimi i produkteve si qumësht apo i nënprodukteve të tij dhe vezëve në trotuare dhe jashtë çdo kriteri higjeno-sanitar është një risk i lartë për konsumatorin. Sipan Ndrekës, kompania “Lufra” është e ndërtuar me standarde dhe i jep siguri konsumatorit për atë që konsumon.

“Kompania ‘Lufra’ është investim bashkëkohor europian, ku produkti nuk manipulohet. Qumështi që marrim në treg është me risk të lartë, mund të ketë baktere dhe si konsumator nuk e dimë nëse është me brucelozë. Kompania jonë punon që nga fermeri, për higjenën e mjeljes dhe deri në fabrikë. Konsumatori është i rrezikuar kur blen produkte në vende të pakontrolluara, kur kalon shumë orë në trotuarë dhe në temperatura të larta, ngarkesa bakteriale është në mbi 5 milion. Po ashtu, mosndalimi i tregtimit të qumështit asnjë ditë, i bie që lopa s’ka bërë vaksina, apo nuk është sëmurur asnjëherë. Në kompani kemi të punësuar 2 fermerë që merren me trajnimin e fermerëve të tjerë”-tha Antoneta Ndreka.

Ndreka tha se problem është fakti së fermerët nuk e dinë rëndësinë e antibiotikut te kafshët, e cila ndikon drejtpërdrejtë në qumështin e konsumuar nga qytetarët.

“Ka patur raste kur edhe vetë fermeri nuk e di rëndësinë e antibiotikut, madje deklaron se qumështi që shet është ai që e konsumon edhe vetë. Kishim një rast kur qumështi doli me antibiotik, fermeri i kishte mjekuar lopës thumbrat se i kishte me infeksion, gjë që reflektohet në qumësht. Sot, mund të themi se ka më pak fenomen të shitjes së qumështit në rrugë. Konsumatori duhet të jetë i përgjegjshëm për të blerë mall të kontrolluar. Në fabrikën tonë kemi mjetet për largimin e 95% të baktereve të qumështit. Një këshillë kisha për të gjithë konsumatorët që të mos blejnë produkte në rrugë, por në kompani që kanë përgjegjësi për ju”-deklaroi Ndreka.

Qendra Alert/Alert.al

“Dosja” e sigurisë ushqimore që e mban Shqipërinë larg BE-së

Nga Granit Sokolaj

Granit Sokolaj

Pas afro tri dekadash demokraci dhe ëndërr shqiptare për t’u bërë pjesë e Europës, më 24 mars 2020, Komisioni Europian ka dhënë rekomandimin e tij pozitiv për çeljen e negociatave me Shqipërinë. Kolegji miratoi paketën e zgjerimit për 7 vendet e Ballkanit Perëndimor. Por, rrugëtimi i Shqipërisë drejt familjes europiane është i gjatë, ka qënë shumë i vështirë dhe plot pengesa.

Në prillin e vitit 2005, në Luksemburg, u nënshkrua Marrëveshja e Ripranimit Shqipëri – Bashkimi Europian dhe një vit më vonë, në shtator të 2006-ës, Parlamenti Europian votoi rezolutën për ratifikimin e “Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit”, e cila i hapi rrugë ratifikimit të MSA-së nga 27 vendet anëtare të BE-së, e hyri në fuqi në prill të vitit 2009. Në vitin 2006, u krijua edhe një instrument i ri për ndihmën e para-anëtarësimit (IPA). Ky instrument i vetëm financiar thjeshtëzon dhe projekton ndihmën e jashtme të BE-së gjatë periudhës së para-anëtarësimit. Që prej 1 janar-it 2007, Shqipëria përfiton prej Instrumentit të Para-Anëtarësimit, që mbështet vendet kandidate dhe kandidate potenciale të përfshira në Procesin e Stabilizim Asociimit që të përmbushin kriteret e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Për të ardhur te 24 marsi 2020, Shqipërisë iu vendosën shumë kushte nga Bashkimi Europian dhe një “mal” me dokumentacion që duhej plotësuar. Bëhej fjalë për kapitujt që duhet të plotësonte Shqipëria, pjesa kryesore e të cilëve ishin përafrimi i legjislacionit me atë të Bashkimit Europian. Mes tyre ishte dhe Kapitulli XII, “Siguria e ushqimit, politikat veterinare dhe fitosanitare”. Ky mendohet se është dhe kapitulli që në raport me anëtarësimin në BE, do të realizohet i fundit, për arsye të vështirësive që paraqet. Vështirësi jo vetëm në raport me përafrimin e legjislacionit, i cili thuajse është drejt fundit, por kryesisht për shkak të vështirësisë së zbatimit të tij dhe akteve nënligjore. Siguria ushqimore në Shqipëri vazhdon të mbetet një sfidë, për të cilën ka shumë për t’u bërë.

Edhe Raporti i Komisionit Europian, i publikuar në vitin 2019, për vitin 2018 (i 2020-ës ende nuk është publikuar), e paraqet situatën e sigurisë ushqimore në vendin tonë, larg objektivave.

“Për sigurinë e përgjithshme të ushqimit, për të tretin vit radhazi, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka operuar jashtë kontrolleve zyrtare, sipas një plani mbi bazë risku, të aprovuar në fillim të 2017-ës. Standardi, procedurat operative të nevojshme për të siguruar përputhjen me legjislacionin, nuk kanë qenë ende të miratuara, përfshirë ato të auditimeve të brendshme. Nuk është arritur asnjë përparim në vlerësimin e riskut”, thuhet ndër të tjera në raport, sipas të cilit, “personeli i kontrollit nuk është i trajnuar në mënyrë adekuate për vlerësimin dhe zbatimin e tij”.

Këtë vlerësim e ilustron më së miri edhe fakti që produktet shqiptare me origjinë shtazore nuk lejohet të eksportohen jashtë kufinjve të Shqipërisë. Kjo, pasi thuajse i gjithë zinxhiri, veçanërisht i kontrollit të kafshëve është jashtë funksionit. Por, edhe produktet të tjera, si frutat apo perimet, në shumë raste rezultojnë me ngarkesa pesticidësh.

Ndërsa pritshmëria e KE për vitin 2019 duket se ishte e madhe. “Mirëmbajtja e programeve të vaksinimit deri në çrrënjosjen e tërbimit; zbatimi i rregullave të sigurisë ushqimore përmes kontrolleve të përmirësuara zyrtare, përfshirë kushtet e importit”, ishin disa nga detyrat apo rekomandimet e lëna.

Burime zyrtare nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bënë të ditur se Shqipërisë iu dorëzuan 192 faqe me tituj, bazë ligjore, akte, rregullore etj, në lidhje me kapitujt që kanë lidhje me sigurinë ushqimore, veterinarinë, fitosanitaret, peshkimin , etj., ndërkohë që një pjesë e vogël e tyre nuk janë të detyrueshme për Shqipërinë.

Këto janë vetëm një pjesë nga Kapitulli i 12-të, i cili kur iu kërkua Shqipërisë ta realizonte ka qenë tërësisht i panjohur për publikun. Megjithatë, publiku sot ka informacione për çfarë kërkon Kapitulli XII ndërkohë janë shtuar treguesit që dëshmojnë se publiku nuk është i sigurt për ushqimin që konsumon.

Por, si rrodhën ngjarjet dhe çfarë nënkuptohet me Kapitullin XII?

Me atë që quhet “Libri i Bardhë”, kuptohet legjislacioni i BE. Në vitin 2002, doli Rregullorja për Ushqimin, që u quajt “Ligji Europian i Ushqimit”. Ky ligj bëri që përgjegjësia për garantimin e sigurisë ushqimore t’ju kalonte Operatorëve të Biznesit Ushqimor (OBU), ndërsa shteti, institucionet shtetërore ishin garanci për kontrollin e zbatimit të praktikave të sigurisë ushqimore nga OBU-të dhe monitorimin sistematik të tyre.

Me rregulloren 178/2002 u krijua dhe EFSA, Autoriteti Europian për Sigurinë Ushqimore, një institucion i dedikuar studimeve, shkencës së ushqimit dhe vlerësimit e komunikimit të riskut. Menjëherë më pas u hartuan edhe një sërë aktesh nënligjore, që u quajtën Paketa Higjenike, e që ishin përcaktuese për standardet e sigurisë ushqimore.

Një hap mjaft i rëndësishëm për Shqipërinë ishte krijimi i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, një institucion që do të garantonte sigurinë ushqimore dhe zbatimin e politikave të sigurisë. Në atë kohë, sipas burimeve nga Ministria e Bujqësisë, autoritetet ishin të paqarta se si do ta quanin, Autoritet apo Agjenci, gjithësesi, i rëndësishëm ishte fakti që ky institucion u ngrit. Vetë Bashkimi Europian, nëpërmjet instrumentit IPA, ka financuar rreth 5.5 milionë euro për fuqizimin e këtij institucioni, si në asete infrastrukturore, godina etj., ashtu edhe në laboratorë apo dhe trajnime.

Sot ka afërsisht 400 akte të përafruara, që ndikojnë direkt në rregulloret e import-eksportit të produkteve ushqimore, prodhimit e përpunimit dhe deri te tregtimi. Të gjitha janë përshtatur me legjislacionin e BE, me përjashtimin e atyre për OMGJ, bëhet e ditur nga Ministria e Bujqësisë. Madje, në vitin 2018, sipas të njëjtave burime, pati nota pozitive nga BE për përafrimin.

Tregu i Rrogozhines

Siguria Ushqimore, sa larg Europës?

Megjithë punën e bërë, Kapitulli XII mund të jetë i fundit që do të plotësohet nga Shqipëria, krahasuar me tjerët. Kjo për shkak të vështirësive në zbatimin e atyre çfarë kërkohen.

Një nga problematikat që has sot Shqipëria është çështja e luftimit në zoonozave. Bëhet fjalë për sëmundjet zoonotike, që transmetohen nga kafsha te njeriu.

Megjithëse në këto kohë po bëhen ndryshimet në “Ligjin Për Shërbimin Veterinar”, reforma në këtë shërbim nuk është e kompletuar.

Për luftimin e zoonozave, në 2016, masat profilaktike iu kaluan Klinikave Veterinare, të cilat ishin të pafuqishme për menazhimin e gjithë territorit. Megjithëse një vit më pas u rrit numri i tyre, në vitin 2017 shërbimi ishte i pafuqishëm që të përmbushte nevojat për të gjithë numrin e krerëve të bagëtive në vend, ndërkohë që nuk funskiononte i gjithë zinxhiri. Madje, burimet nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural thanë se, në raste profilaktike, për të cilat do të zhvilloheshin tendera, pjesëmarrja e këtyre klinikave ishte vullnetare. Kjo do të thotë që shumë prej tyre, nëse nuk dëshironin të merrnin pjesë, nuk ishin të detyruara me ligj. Kësisoj, shërbimi veterinar apo në veçanti luftimi i zoonozave do të ishte i pamundur. Megjithatë, Ministria nisi përpjekjet për përmirësimin e shërbimit shtetëror veterinar, i cili ishte thuajse i dërrmuar. 174 mjekë veteriner u punësuan me kontrata, ndërkohë që numri pritet të shkojë në 400, veçanërisht me ndryshimet e Ligjit për Shërbimin Veterinar.

Ndërkohë, për Ministrinë e Bujqësisë lind një problem që në fillimin e negociatave. Për shkak të kushteve dhe kritereve, në vendin tonë do të ulej numri i fermave, pasi disa do të mbylleshin për shkak të mosplotësimit të standareve, gjë që do të shkaktonte dhe ulje të numrit të kafshëve. Për të mos ndodhur kjo, Ministria e Bujqësisë vendosi që t’i kthente fuqinë sërish Shërbimit Veterinar Shtetëror, që të kishte mjekë veteriner në të gjitha zonat e kështu të kontrolloheshin më mirë edhe fermat e vogla, me pak krerë dhe të detyroheshin të zbatonin standardet.

Megjithatë, “thembra e Akilit” në zinxhirin e sigurisë ushqimore sot mbetet pikërisht situata e kafshëve të gjalla, duke shkaktuar si pasojë edhe pasiguri në produktet fundore.

Me qindra mijëra kafshë në të gjithë vendin, sot, janë të pamatrikuluara dhe pa certifikata veterinare, gjë që përbën hallkën e parë të zinxhirit të sigurisë ushqimore. Ndërkohë, në Shqipëri eksiztojnë 30 tregje kafshësh të gjalla, që nuk plotësojnë asnjë standard. Në to hyjnë e dalin kafshë që nuk kanë certifikata veterinare, ndërkohë që ende mungon Sistemi i Regjistrimit të Kafshëve të Gjalla. Këto dy fakte përbëjnë rrezikun më të madh për përhapjen e sëmundjeve të kafshëve nga ferma në fermë, përfshirë këtu edhe ato zoonotike, të cilat rrezikojnë njerëzit. Mjekët veterinerë në këto tregje, në shumicën e rasteve, mungojnë, por edhe kur ndodhen, nuk marrin asnjë masë për moslejimin e futjes së kafshëve që nuk kanë matrikuj në këto tregje. Nga ana tjetër vetë tregjet nuk plotësojnë standardet e higjienës. Mjetet e transportit nuk janë aspak të përshtatshme dhe të gjitha këto kanë bërë që, produktet me origjinë shtazore të mos jenë gjithmonë të sigurta. Ndërkaq, eksporti i tyre jashtë territorit të Shqipërisë mbetet ende vetëm një ëndërr.

Disa nga kërkesat tjera të Kapitullit XII, mangësitë e paplotësuara, të kërkuara nga BE, janë edhe: përmirësimi i kontrolleve zyrtare në tërësi, si dhe i produkteve të importit në PIK (Pikat e Inspektimit Kufitar); përputhja e procedurave standarde të operimit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit me legjislacionin, progres në vlerësimin, komunikimin dhe manaxhimin e riskut, trajnimi i stafit për HACCP (Praktikat e mira të higjienës), avancimi me ligje dhe akte nënligjore për ushqimin për kafshë, raportimi i saktë dhe i numrit real të numrit të bagëtive që shkojnë në thertore, si dhe planifikimi e monitorimi rigoroz për mbetjen e pesticideve.

Një nga problematikat më të mëdha mbetet trajnimi i stafeve dhe ngritja e kapaciteteve të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Madje, kjo situatë është përkeqësuar, kur në muaji në shkurt 2020 u ndryshua Ligji “Për Ushqimin”. Një ndër ndryshimet e bëra ishte për rekrutimin e mbajtjen në punë të stafeve, përfshirë dhe inspektorët, që kaloi nga Shërbimi Civil në atë me Kod Pune. Kjo ka krijuar një pasiguri të madh tek punonjësit, të cilët menjëherë dolën nga Shërbimi Civil dhe secili prej tyre, pavarësisht karrierës, eksperiencës në punë apo nivelit të formimit arsimor, është në periudhë prove 3-mujore. Më pas, të gjithë do të kalojë në testim, rezultatet e të cilit nuk varen gjithmonë nga përgjigjet, gjë që ka shkaktuar një pasiguri mjaft të madhe tek ata.

Shqipëria është ende i vetmi vend në Europë që nuk ka një ligj të veçantë “Për Ushqimin për Kafshë”, por për këtë është folur vetëm në Ligjin “Për Ushqimin”. Ushqimi për kafshë, standardet e tij dhe kontrolli, janë po kaq të rëndësishme për sigurinë ushqimore, pasi reflektohet menjëherë në produktin fundor, atë që shkon te konsumatori.

Shqipëria ka ende shumë për të bërë dhe duket se Kapitulli XII do të jetë i fundit që do të realizohet. Këtë e pranojnë dhe zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë. Një punë mjaft të madhe, por edhe sistematike, kërkon identifikimi dhe regjistrimi i të gjitha kafshëve, nga fermat më të mëdha e deri tek ato që mban çdo familje. Ndërkohë, Ligji “Për Ushqimin” dhe ai “Për Shërbimin Veterinar” do të bëhen nga e para, ndërsa lind nevoja urgjente, sipas Ministrisë së Bujqësisë, për një zinxhir vertikal kontrolli kompetencash.

Tjetërsimi dhe përshtatja e legjislacionit është një nga çështjet më të rëndësishme, ndërsa sfidë më vete është zbatimi i tij, që kërkon dhe investime të mëdha. Në negociatat me Bashkimin Europian, pjesa më e vështirë e tyre do të jetë respektimi i standardit të BE-së për prodhimet shqiptare. Veçanërisht ato me origjinë shtazore, të cilat duket se shumë vonë do ta shohin dritën jeshile të eksporteve, për pasojë të një sërë problemesh, që u përmendën më lartë.

Një provë komplekse mbetet dhe ajo e konsumatorit shqiptar, ndërgjegjësimi i të cilit për sigurinë ushqimore gjendet në nivele shumë të ulëta. Edukimi i tij për sigurinë ushqimore do të dojë një kohë të gjatë, ndërkohë që Ministria e Bujqësisë dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, deri tani nuk kanë bërë asgjë në këtë drejtim.

Në këto kushte, Shqipërisë do t’i duhet ende dhe shumë punë. Kapitulli XII, “Siguria e ushqimit, politikat veterinare dhe fitosanitare” ka të ngjarë që do të jetë ndër pengesat për ta bërë Shqipërinë vendin ku zë vend slogani i Autoritetit Europian për Sigurinë Ushqimore, “Nga ferma në tavolinë”.

Botuar në http://www.eupolicyhub.eu/

7 qershori, Dita Botërore e Sigurisë Ushqimore

Rregullat se si ushqimi prodhohet, ruhet, trajtohet dhe konsumohet ndikon në sigurinë e ushqimit tonë.

Përmbushja e standardeve ushqimore globale, vendosja e sistemeve efektive të kontrollit të ushqimit, duke përfshirë gatishmërinë dhe reagimin ndaj emergjencave, sigurimin e qasjes në ujë të pastër, aplikimin e praktikave të mira bujqësore (tokësore, ujore, bagëti, hortikulturë), forcimin e përdorimit të sistemeve të menaxhimit të sigurisë ushqimore nga operatorët e biznesit të ushqimit dhe ndërgjegjësimi i konsumatorëve për të bërë zgjedhje të shëndetshme të ushqimit janë disa mënyra në të cilat qeveritë, organizatat ndërkombëtare, shkencëtarët, sektori privat dhe shoqëria civile punojnë për të siguruar sigurinë e ushqimit.

Lani duart përpara trajtimit të ushqimit dhe shpesh gjatë përgatitjes së ushqimit;
Lani duart pas përdorimit të tualetit;
Lani dhe dezinfektoni të gjitha sipërfaqet dhe pajisjet e përdorurar për përgatitjen e ushqimit;
Mbroni zonat e kuzhinës dhe ushqimet nga insektet, dëmtuesit dhe kafshë të tjera.

Ndërkohë që shumica e mikroorganizmave nuk shkaktojnë sëmunjde, mikroorganizmat e rrezikshëm gjehen më së shumti në tokë, ujë, kafshë dhe njerëz. Këto mikroorganizma mbarten nga duart, copat e pastrimit dhe enët, veçanërisht banaqet e prerjes pasi kontakti sa më i vogël mund ti transferojë ato në ushqim dhe mund të shkaktojë sëmundje që derivojnë nga ushqimi.

Ndajeni ushqimin e pagatuar nga ai i gatuar:
Ndani mishin e pagatuar, shpendët dhe frutat e detit nga ushqimet e tjera;
Përdorni pajisje dhe enë të vecanta, si thikat dhe banaqet e prerjes për përpunimin e ushqimeve të pagatuara dhe lëndëve të para;
Ruajeni ushqimin në enë për të shmangur kontaktin ndërmjet ushqimeve të pagatuara dhe atyre të gatuara.

Ushqimi i pagatuar, veçanërisht mishi, shpendët dhe frutat e detit dhe lëngjet e tyre, mund të përmbajnë mikroorganizma të rrezikshme që mund të transefrohen në ushqim gjatë përgatitjes dhe ruajtjes.

Gatuani me kujdes
Gatuani ushqimin me kujdes, veçanërisht mishi, shpendët dhe frutat e detit;
Suprat dhe lëngjet e mishrave duhet të arrijnë zierjen në mënyrë që të garantohet se kianë arritur temperaturën 70°C. Për mishin e shpendëve, sigurohuni qe lëngu i tyre është i qartë dhe jo rozë. Në mënyrë ideale, përdorni një termometër;
Ringroheni me kujdes ushqimin e gatuar.

Gatimi i duhur vret pothuaj të gjithë mikroorganizmat e rrezikshëm. Studimet kanë treguar se gatimi i ushqimeve në temperaturën 70°C mund të ndihmojë të siguroheni që është i sigurtë për konsum.
Ushqimet që kërkojnë një vëmendje të vecantë përfshirë mishin e grirë, rosto role, pjesë të mëdha mishi dhe shpendë të tërë.

Mbajeni ushqimin në temperatura të sigurta

Mos e lini ushqimin e gatuar në temperaturë dhome për më shumë se 2 orë;
Mbajini në frigorifer të gjitha ushqimet e gatuara dhe ato artikuj që prishen shpejt (e preferueshme nën 5°C)
Ushqimin e gatuar mbajeni të nxehtë (më shumë se 60°C) përpara servirjes;
Mos e ruani gjatë ushqimin as në frigorifer;
Mos e shkrini ushqimin e ngrirë në temperaturë ambienti.

Mikroorganizmat mund të shumohen shumë shpejt nëse ushqimi ruhet në temperaturë dhome. Duke e mbajtur në temperaturë nën 5°C ose mbi 60°C, rritja e mikroorganizmave ngadalësohet ose stopohet. Disa mikroorganizma të rrezikshme rriten edhe nën 5°C.

Përdorni ujë dhe lëndë të para të sigurta

Përdorni ujë të sigurtë ose trajtojeni atë që të jetë i sigurtë;
Përzgjidhni ushqime të freskëta dhe të plota;
Zgjidhni ushqime të përpunuara për siguri, siç është qumështi i pasterizuar;
Lani frutat dhe perimet, veçanërisht nëse konsumohen të gjalla;
Mos përdorni ushqime përtej datës së skadencës.

Lëndët e para, duke përfshirë ujin dhe akullin, mund të jenë të kontaminuara me mikroorganizma të rrezikshme dhe kimikate. Kimikatet toksike mund të formohen në ushqime të dëmtuara ose të mykura. Tregoni kujdes në përzgjedhjen e lëndëve të para dhe masa të thjeshta si larja apo qërimi i tyre mund të reduktojnë riskun. (Agronews)

Qendra Alert/Alert.al

EFSA: Siguria e ushqimit është biznesi i të gjithëve, tani dhe në të ardhmen

“Siguria e ushqimit është puna e përditshme e EFSA-s, por është biznesi i gjithkujt që të marrin në konsideratë sigurinë e ushqimit tani dhe në të ardhmen nëse duam të kufizojmë ndikimin e ndryshimit të klimës dhe të ndërtojmë sisteme të qëndrueshme ushqimore globale në dobi të konsumatorëve, prodhuesve dhe botës tonë natyrore. “- tha Bernhard Url, Drejtori Ekzekutiv i EFSA.

Siguria e ushqimit është një përgjegjësi e përbashkët dhe EFSA do festojë Ditën Botërore të Sigurisë së Ushqimit më 7 qershor 2020, së bashku me partnerët kombëtarë, evropianë dhe ndërkombëtarë, duke përfshirë sponsorët e veprimtarisë së KB Codex Alimentarius, Organizatën e Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO), dhe Organizatën Botërore të Shëndetit (OBSH).

Ne jemi të bashkuar në punën për të rritur ndërgjegjësimin për këtë çështje jetike dhe të frymëzojmë veprime që ndihmojnë në parandalimin, zbulimin dhe menaxhimin e rreziqeve nga ushqimi, duke kontribuar në sigurinë ushqimore, shëndetin e njeriut, prosperitetin ekonomik, bujqësinë, hyrjen në treg, turizmin dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Siguria ushqimore shpesh merret si e mirëqenë. Ndërsa 2 në 5 evropianë janë të interesuar për sigurinë e ushqimit, vetëm 1 në 5 thonë se është shqetësimi i tyre kryesor kur zgjedhin ushqim. Ushqimi i pasigurt që përmban baktere të dëmshme, viruse, parazitë ose substanca kimike shkakton më shumë se 200 sëmundje, duke filluar nga diarreja deri te kanceri.

Drejtori Ekzekutiv i EFSA-së, Bernhard Url, tha: “Për Ditën Botërore të Sigurisë së Ushqimit 2020, ne duam të përqëndrohemi në tre tipare të rëndësishme të sistemit të BE-së për sigurinë e ushqimit, duke zbatuar një qasje, shëndeti, sisteme të qëndrueshme ushqimore dhe përgjegjësinë e përbashkët të sigurisë ushqimore.

“Këto janë karakteristika të rëndësishme të sistemit të sigurisë së ushqimit në BE, ku organizatat evropiane dhe kombëtare së bashku me shumë palë të interesuara ndihmojnë për të bërë standardet e Evropës për sigurinë e ushqimit, shëndetin dhe mirëqenien e kafshëve, dhe mbrojtjen e mjedisit ndër më të lartat në botë.”

Qendra Alert/Alert.al

RAPEX: Lodra, syzet, kozmetikë dhe markat më të njohura të makinave. Ja problemet serioze që "denoncon" Komisioni Evropian dhe kërkon tërheqjen nga tregu

Nga lodrat e fëmijëve, kukullat e deri te skeletet e syzeve, maskat, produktet kozmetike, urat e automjeteve per serviset dhe deri te autoveturat, disa prej tyre kanë probleme me sigurinë e konsumatorëve apo përdoruesve.

Sistemi i alarmit të shpejtë të Komisionit Evropian, RAPEX në raportin e tij të fundit, ka renditur një sërë produktesh që nuk garantojnë sigurinë e përdoruesve, apo nuk kanë efektin e duhur, siç janë maskat.

Rapex rendit një sërë produktesh si të parregullta dhe që prodhuesit apo distributorët e tyre janë urdhëruar t’i tërheqin nga tregjet.

Mes tyre ka kukulla për fëmijë, jokonform standardeve të BE për produktet joushqimore, maska që nuk kanë nivelin e duhur të mbrojtjes, syze, skeleti i të cilave ka nivele të larta të nikelit.

Më interesante janë problemet e konstatuara në disa automjete, prodhim i vendeve të fundit, ti Mazda, Hyundai, Peugeot, Honda, Toyota Rav4 dhe Mercedes, problemet e të cilave janë nga siguria e ndenjëses së pasagjerit, sisemet elektrike te makinat hibride, transmesioni e deri shkëputja e pjesëve që shkakton aksident. Të gjitha rastet kanë konsideruar nga Komisioni Evropian si rrezik serioz.

Detajet e produkteve dhe problematikat për secilin prej tyre mund t’i gjeni në linkun e mëposhtëm.

https://ec.europa.eu/consumers/consumers_safety/safety_products/rapex/alerts/?event=personalisedSubscription.view&web_report_id=24&id=0CC27B3CB8ED7F52BDB2CCE7AB8026B8FBDD0B3E12414D2CD7A26D758D376812173F146631B2D603285CA6AA4F2946D5A1845F93019723BD9AAC3FEC3BFC5F44&lng=en

Qendra ALERT – Alert.al

Inspektime në kopshte e çerdhe, merren mostra qumështi për analizë

AKU kryen 274 inspektime dhe monitorime, ku gjatë ditës së sotme, një vend të rëndësishëm kanë zënë kopshtet dhe çerdhet të cilat kanë rifilluar aktivitetin. Është vërejtuar se këto institucione kanë respektuar me rigorozitet të gjitha masat e marra, që nga kushtet higjieno-sanitare, dokumentacioni i duhur dhe të gjitha masat e tjera që i përkasin protokolleve të sigurisë kundër përhapjes së Covid-19. Bazuar në Planin e Marjes së Mostrave, janë marë 42 mostra për monitorimin e qumështit, për analizimin e përmbajtjes së ngarkesës mikrobike dhe qelizave somatike.

Qendra Alert/Alert.al

Si të paketojmë mishin dhe ta ngrijmë në frigorifer

Nëse tashmë keni blerë sasi të mëdha mishi për rezervë është e nevojshme të dini si ta vendosni drejt atë mish në frigorifer me ngrirje të thellë në mënyrë që të jetë i sigurt më gjatë për konsumim.

Temperatura ideale në frigorifer me ngrirje të thellë është minus 18 gradë celcius, sepse kështu pengon rritjen e mikroorganizmave dhe çaktivizohen të gjitha mikrobet siç janë bakteret, tharmi dhe myku, i cili gjendet në ushqim.

Edhe pse ekspertët thonë që është e sigurt që mishi të jetë i ngrirë në paketimin origjinal, për ngrirje më shumë se dy muaj rekomandojnë mbështjelljen e mishit në folie plastike apo ndarje në qese plastike për ngrirje, por thjesht mundeni ta lini në qese plastike bashkë me paketimin origjinal.

Sipas Agjencisë Amerikane të Ushqimit dhe Barnave, FDA, pulat dhe gjelat e detit të pacopëzuar në frigorifer me ngrirje të thellë mund të mbahen deri në një vit.

Nëse vendosni në frigorifer me ngrirje të thellë copa, si p.sh. gjoks pule, kofshë dhe krahë, do të duhej t’i konsumoni në afatin prej nëntë muajsh. Të brendshmet megjithatë nuk do të duhej t’i ruani më shumë se tre apo katër muaj. Kur është fjala për mishin e freskët, si p.sh. mishi i gjedhit, i viçit dhe i qengjit, mund të qëndrojnë edhe për disa muaj në frigorifer, varësisht nga lloji i mishit.

FDA-ja rekomandon që copat e freskëta në frigorifer ruhen prej gjashtë deri në nëntë muaj, ndërkaq mishi me brinjë mund të qëndrojë diç më pak, nga katër deri në gjashtë muaj. Mishi i pjekur mund të ruhet prej katër muajsh deri në një vit.

Pavarësisht për cilin lloj mishi të bluar është fjala, nuk do të duhej ta ruani në frigorifer me ngrirje të thellë më shumë se tre apo katër muaj.

Qendra Alert/Alert.al

Asgjësohen produkte të pasigurta dhe gjobiten biznese për tregtim të lëndëve të ndaluara

AKU kryen 299 inspektime dhe monitorime në të gjithë vendin. Gjatë inspektimit janë vendosur 2 masa administrative për tregëtim të produkteve plehruese dhe PMB të palejuara për tregëtim, si dhe është bërë bllokimi I tyre.

Janë bërë dy asgjësime prej 22.434 ton produkte ushqimore të konstatuara të pasigurta për konsum human me kërkesë të vetë subjekteve.

Bazuar Planit të Marrjes së Mostrave janë marrë 24 mostra për monitorimin e qumështit, si dhe në perime për monitorim pesticidesh.

Qendra Alert/Alert.al

Asgjësohen 156 ton ushqime, gjobitet një subjekt

AKU kryen 300 inspektime dhe monitorime. Trupat inspektuese të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit kanë vijuar punën me inspektime dhe monitorime në kuadër të Task-Forcës kundër përhapjes së Covid-19. Këshillohen dhe orientohen bizneset ushqimore që të vazhdojnë të respektojnë protokollin e sigurisë, në zbatimin e tij dhe sidomos në mbajtjen e distancimit fizik gjatë blerjeve.

Bazuar në Planin e Marrjes së Mostrave janë marrë 55 mostra për monitorimin e qumështit, si dhe në perime për monitorim pesticidesh.

Është vendosur një masë administrative ndaj një subjekti, pasi nga analizimi i farës së misrit, rezultoi me fuqi mbirëse 78%, nën normën e lejuar.

Është asgjësuar një sasi prej 156 ton produkte ushqimore të konstatuara të pasigurta për konsum human me kërkesë të vetë biznesit.

Gjobë dy bizneseve për mungesë të implementimit të vetëkontrollit dhe mosetiketim të produkteve

AKU kryeu 484 inspektime dhe monitorime gjatë ditës së sotme. Gjatë inspektimeve janë vendosur 2 masa administrative për mungesë të implementimit të sistemit të vetkontrollit (HACCP) dhe etiketim të produktit në kundërshtim me kërkesat ligjore, si dhe janë këshilluar dhe orientuar disa subjekte të tjera për zbatimin e përpiktë të Protokollit të Sigurisë kundër përhapjes së Covid-19

Bazuar Planit të Marrjes së Mostrave, janë marrë 28 mostra për analizim në të gjithë vendin, kryesisht mostra për monitorimin e qumështit dhe mbetjet pesticide.