Menu

Konsumatori

Ushqimet që konsumojmë në punë, duke menduar se janë të shëndetshme

Gjatë orarit të punës, për shkak të kohës së limituar marrim për të ngrënë diçka të shpejtë dhe duke menduar që i bëjmë mirë shëndetit tonë.

Nëse dëshironi të hani shëndetshëm, shmangni këto produkte:

1. Smoothie

Vetëm për shkak që përmbajnë shumë pemë, nuk do të thotë që smoothiet janë të shëndetshme. Paketimi industrial i atyre pijeve “të shëndetshme” është plot kalori dhe sheqer.

Gjysmë litri smoothie pemësh mund të ketë edhe deri në 50 gramë sheqer, gjë që është e ngjashme me sasinë e njëjtë të pijeve me gaz, andaj do të ishte më mirë që vetë ta përgatisni pijen tuaj të pemëve.

2. Drithëra

Në 200 gramë fjolla drithërash mund të ketë dhjetëra gramë sheqer dhe deri në katër gramë yndyrë. Ushqimi i bazuar në përqendrimin e lartë të sheqerit dhe në pak albumina mund të çojë deri në rënie të energjisë dhe sulme të vrullshme të urisë.

Në vend të kësaj, zgjidhni fjolla nga drithërat integrale të cilat trupit i japin më shumë energji dhe kombinoni me burimet e mira të proteinave siç është jogurti.

3. Pijet energjike

Pijet energjike janë bërë të zakonshme si zgjedhje e parë te aktivitetet fizike dhe shkuarja në palestër. Mirëpo, ato pije janë plot sheqer, të cilat japin energji afatshkurtër pas ushtrimeve.

Studimet e reja thonë që pirja e ujit është zgjedhje shumë më e mirë për kompensimin e lëngjeve për shkak të djersitjes, ndërkaq muskujt e lodhur i ushqeni me 20 gramë proteina.

4. Ushqimi i zvogëlimit të yndyrave

Artikujt dietalë, përkatësisht ushqimi industrial, me sasinë e zvogëluar të yndyrave nuk i kontribuojnë humbjes së kilogramëve as përmirësimit të gjendjes shëndetësore të individit.

Kryesisht fjala është për trukun e marketingut. Bashkë me këtë, yndyrat janë të domosdoshme për organizmin e njeriut, ndërkaq posaçërisht ato të cilat vijnë nga burimet e mira siç janë frutat arrore, peshku dhe avokadoja.

Opinion / Ligji për ushqimin, çfarë ndryshimesh do të ishin me interes dhe si duheshin konsultuar*

Nga Jonald Agolli

Pronatyra Treg

Retaili (rrjete supermarketesh të organizuara në mënyrë moderne) ushqimor sot në vëndin tonë has në shumë problematika që vijnë nga faktorë të ndryshëm por që kryesisht kanë karakter legjislativ . Përjekjet drejt suksesit dhe njëkohësisht lufta për një pozicionim të mirë në treg e bëjnë këtë biznes nga më të vështirët kur vjen puna të flasim për Retail por aq sa edhe më të thjeshtin nëse do nënkuptojmë ‘’dyqanet e lagjes’’ ose si ndryshe quhen nëpër koferenca, raporte e deklarata të natyrës statistikore , Bizneset e Vogla .

Drejtimi i një Shoqërie Retaili për një kohë të gjatë (rreth 20 vjet) dhe kalimi i të gjitha kohëve zhvillimore që natyralisht ka përshkruar edhe ky biznes përgjatë viteve nga 90 e deri më sot , më ka bërë të kuptoj qartazi se Ne nuk duam dhe Jo nuk mundemi . Këtu analiza , pa dashur të hy shumë në të thella profesionale , kthen të gjithë treguesit e saj kryesisht drejt faktorit Shtet dhe zbatueshmërisë së ligjit.

Ndoqa me vëmëndje fjalimin e Ministritit Çuçi në foltoren e Parlamentit rreth ndryshimeve në ligjin e Ushqimit dhe të them të drejtën më erdhi mirë për vendimin dhe punën e bërë në marrjen përsipër të një nisme kaq të rëndësishme siç është ndryshimi i një Ligji, por njëkohësht edhe keq për sesi dhe ku po përpiqemi ta ndryshojmë .

Ajo ç’ka kuptova më shumë ishte një qasje tjetër ndaj sipërmarrësit ku në vënd të ashpërsimit të gjobave ose shpeshtimit të kontrolleve , AKU-ja do udhëhiqet nga historiku i vlersimit të biznesit në kohë (në raport me kontrollet)  duke reduktuar për rrjedhojë kontrollin dhe njëkohësisht duke ja bërë më të lehtë ankimimin subjektit nëpërmjet Komisionit të posaçëm që do marrë në shqyrtim kundështimet e masave . Ministri Çuçi nuk e la pa përmëndur mbështjen ndaj operatorit nëpërmjet këtyre ndryshimeve në ligj dhe patjetër ashtu si Ai nënvizoi kjo nismë , nëpërmjet edhe përmirsimit , specializimit të Burimeve Njerëzore , është edhe bashkëhore krahasuar me vëndet e tjera të kontinentit tonë .

Patjetër që të kesh Shtetin partner dhe Jo vetëm tagrambledhës është luks sidomos për Ne shqiptarët , patjetër që të ndjekësh eksperiencat e vëndeve si Irlanda është gjetje përveç se zgjidhje , por a Mundemi që në këtë zallamahi të madhe ushqimore ku shitet ‘’sapuni për djathë’’ e ku ndërveprimi institucional lë për të dëshiruar aq sa si pasojë portat kufitare të vëndit tonë janë krejtësisht të gjëra sa hyn ‘’derri me gjith dos’’ ,  Ne të hiqemi sikur tashmë ka ardh koha e Karrotës dhe Kërbaçi duhet flakur tutje !!

Kush mund të quhet Biznes i vogël me rrezik të minor aq sa për t’ja bërë më të thjeshtë jetën nëpërmjet heqjes nga lista e atyre bizneseve që duhet të përmbajnë sistemin e vetkontrollit . A nuk është ky biznes vogël një rrezik i madh për Klientin (Ne e quajmë Klient jo Konsumator duke ja maximizuar rëndësinë që ka) nëse jeta e tij vihet në lojë si pasojë e helmimeve që vjnë nga ushqimet .

Nga njëra anë, duke qenë vetë subjekt i këtij Ligji tashmë me ndryshimet përkatëse duhet të më vijë mirë dhe ndoshta fërkimi i duarve do të ishte gjëja e duhur për të bërë por për sa kohë Moszbatueshmëria e Ligjit, ndryshimi në funksion të përmirsimit përmes masave inteligjente , bashkuese ose lehtësuese quajeni si të doni, në vend të rritjes së kualitetit e shtimit të sigurisë Ushqimore do pjellin kaos në këtë fushë atëherë më lejoni t’ju them se nuk kemi bërë asgjë.

E di që është shumë e lehtë të bësh kritikun dhe mosbesuesin, por argumenti është i fortë, mendoj , dhe ç’ka më bën edhe ta besoj ishte pikërisht numri i deputetëve në sallën e Kuvendit (mund të numëroheshin me gishta) në kohën e fjalimit të Ministrit për një çështje kaq të rëndësishme .

A nuk do ishte më mirë nëse konsultimet, në mungesë të specialistëve të mirfilltë të fushës brënda skuadrës së AKU-së , propozimet dhe marrjen e informacionit mbi nevojën emergjente që tregu sot shfaq t’i gjenim pikërisht përmes tavolinave të përbashkëta me Ne, Retailin e organizuar. A nuk është kjo një hallkë e rëndësishme e zinxhirit të ekonomisë shqiptare sa për t’u trajtuar me shumë vëmëndje e përkushtim. Ç’na nevojitet heqja e barrierave doganore midis vëndeve fqinje, thjeshtëzimi i praktikave etj., kur nuk arrijmë dot të eksportojmë për shkak të refuzimit të vetë atij tregu që këto vënde ofrojnë. Për të blerë më shumë nga këto Ta ??

AKU-ja duhet reformuar dhe jam dakort që kryefjala duhet të jetë Specialisti i fushës si pjesë kryesore e strukturës së saj; por afrimi i këtij institucioni, me rol kaq të rëndësishëm kundrejt biznesit është e nevojshme për të qenë ende i ashpër dhe aspak tolerues .

Abuzimi , që me shumë të drejtë Ministri e përmëndi si një gangrenë e këtij institucioni , duhet të minimizohet por jo vetëm nëpërmjet vetëripërtëritjes së burimeve njërëzore por edhe njëkohësisht gjetjes së skemave të vlersimit për secilin prej këtyre burimieve dhe jo tolerancës në emër të mbështetjes ndaj biznesit duke ju kërkuar kështu maximumin në ushtrimin e detyrës .

Revolucion , është ç’ka besoj fort se ka nevojë e gjitha fusha e Tregtimit dhe Prodhimit të ushqimeve në Vënd  JO përmirsim të Ligjit, Revolucion në gjithëpërfshirje të atyre institucioneve që kanë për detyrë të garantojnë zhvillimin e Biznesit përmes këtij sektori kaq delikat dhe kyç për ekonominë , Revolucion në dobi të shfrytëzimit të pasurisë që kemi si një vënd mesdhetar me klimë të mrekullueshme , Revolucion në dobi të mirëqënies së gjithsecilit që padiskutim fillon nga çfarë vendosim në tryezë.

*Titulli është redaksional

EFSA: Vlerësimi i rrezikut të ndotësve kimik në ushqim

EFSA ka kërkuar të propozojë një metodologji të vlerësimit të rrezikut të shpejtë dhe të vazhdueshëm të rreziqeve shëndetësore kur një ndotës kimik është i pranishëm në ushqim. Metodologjia u zhvillua në mbështetje të RASFF (Sistemi i Alarmit të Shpejtë për Ushqimet dhe Ushqimet për Kafshë) për vlerësimin e ndotësve që lidhen me materialet e kontaktit me ushqimin, substancat farmaceutikisht aktive dhe ndotësit e tjerë të ushqimit. Vlerësimi i rrezikut bazohet në vlerësimin e vetive toksikologjike dhe ekspozimit dietik. Mjeti i Vlerësimit të Shpejtë të Ekspozimit të Ndotjes (RACE) u zhvillua për të lehtësuar vlerësimin. Mjeti RACE siguron vlerësime të grupeve të ndryshme të popullsisë, si dhe ekspozimin akut dhe kronik ndaj ndotësve kimikë. Pjesëmarrësit mund të paraqesin pyetje të cilave EFSA do t’i përgjigjet drejtpërdrejtë dhe me shkrim pas prezantimit. Një regjistrim i webinar do të publikohet në faqen e internetit të EFSA.

Alarmi për produktet me qumësht të padeklaruar, kërkohet tërheqja e tyre nga tregu

Alarmi është ngritur mbi produkte të “TYJ Spring Pasty Products”, në pastiçeri në Singapor, për shkak të qumështit të padeklaruar në etiketë. Është kërkuar për prodhuesit, shitësit me shumicë, shpërndarësit dhe shitësit me pakicë tërheqja e produkteve nga tregu.

Proteina e qumështit është një përbërës i produkteve pastë “TYJ Spring Pasty Products”, të listuara më poshtë, megjithatë qumështi nuk deklarohet në listën e përbërësve. Produktet u shitën tek tregtarët me shumicë dhe furnitorët në të gjithë vendin.

Si rrezikohet konsumatori?

Produktet mund të jenë të pasigurta për konsumatorët të cilët janë alergjikë ose intolerantë ndaj qumështit ose përbërësve të tij.

Kërkohet veprim:

Prodhuesit, tregtarët me shumicë, shpërndarësit, furnizuesit dhe shitësit me pakicë:

Shitësit me pakicë u kërkohet të largojnë produktet nga shitja dhe të shfaqin një njoftim tërheqje të pikës së shitjes në dyqanet ku ishin shitur.

Tregtarëve me shumicë / shpërndarësve u kërkohet të kontaktojnë klientët e tyre dhe të kërkojnë tërheqjen e produkteve dhe të japin një njoftim për pikën e shitjes për klientët e tyre me pakicë.

Ndryshimet në ligjin për ushqimin, cenimi i sigurisë ushimore dhe pavarësisë së punonjësve

Prej disa kohësh, kanë nisur ndryshimet në Ligjin 9863 për Ushqimin, I ndryshuar. Ndërsa ditën e hënë në mbrëmje, Komisioni i Veprimtarive Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit, e kaloi atë, duke mos marrë parasysush shumë kërkesa apo opinione të Shoqërisë Civile, të organizatave të Biznesit, si dhe duke reflektuar për disa të tjera.

Projekligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin Nr 9863, datë 28.01.2008 ‘Për Ushqimin”, i ndryshuar, u shoqërua me jo pak debate në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, tregtisë dhe Mjedisit.

Qendra ALERT, Organizatë Jofitimprurëse, e cila ka në qendër të  objektit të saj Mbrojtjen dhe Ndërgjegjësimin e Konsumatorit; Albanian Food Industry, Bashkimi i Prodhuesve të Shqipërisë dhe Bashkimi Tregtar i Shqipërisë, në opinionet e tyre dhe dëgjesat në komision parlamentar, ishin kundër disa ndryshimeve dhe shtesave në draftin e ti. Për Qendrën ALERT, shqetësues ishte fakti se, në projektligj, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, së bashku me 120 inspektorë që do t’i bashkohen nga Insektoriati Shtetëror Shëndetësor, do të dalin nga Shërbimi Civil dhe do të funksionojnë me Kod Pune.

Qendra ALERT kërkoi që, kjo të mos miratohet në ligjin e ri, pasi, së pasi, bie ndesh me reformën e inspektorateve, do të vinte në rrezik cilësinë e inspektimeve dhe që cenon automatikisht sigurinë ushqimore të konsumatorit. Nëse ky institucion do të funksionojë me Kodin e Punës, siç dhe u miratua, atëherë çdo drejtor i AKU, do të largonte nga puna cilindo që do të donte, duke dëmtuar rëndë dhe cilësinë e institucionit.

Nuk duhet harruar se që në vitin 2010 kur AKU ka nisur funksionimin zyrtarisht e deri sot, ky institucion ka ndërruar 8 Drejtorë të Përgjithshëm, të cilët kanë ndryshuar shumë njerëz, megjithëse me Status Nëpunësi Civil. Ndërkohë që, Bashkimi Evropian ka financuar rreth 6 milionë euro për Autoritetin Kombëtar të Ushqimit deri sot, ndërkohë që qindra milionë lekë janë shpenzuar nga Buxheti i Shtetit për trajnimet e Administratës Publike. Por, këto sugjerime nuk u morën parasysh.

 

ALERT, si dhe organizatat e Biznesit kërkuan ndër të tjera edhe që, vendimet e Komisionit të Ankimimit, të cilat tashmë do të jenë me 3 përfaqësues nga Ministria e Bujqësisë dhe 2 nga AKU për gjoba mbi 300.000 lekë, të mos konsideroheshin Titull Ekzekutiv. Kjo, pasi do t’i hiqnin të drejtën subjekteve të penalizuara për t’a ankimuar vendimin në gjykatë, duke rëndë ndesh dhe me Kodin e Procedurave Administrative. Kjo kërkesë u reflektua, bashkë me disa të tjera që kishin të bënin me analizimin e marrjes së mostrave në laboratorë jashtë vendit, kur ka kontestime për rezultatet e ISUV.

Ndërsa biznesi nuk do të jetë i përfaqësuar në Komisionin e Ankimimit të Masave Administrative.

Në relacionet e Ministrisë së Bujqësisë apo Këshillit të Ministrave, në mënyrë të çuditshme dhe të pashpjegueshme thuhet se, “Ky projektligj nuk synon përafrimin me ‘acquis’ të BE-së, si dhe “Nuk ka përafrim me legjislacionin e BE”.

EFSA: Sondazh mbi perceptimet e sigurisë ushqimore në vendet e para-pranimit në BE

Eurobarometri i EFSA-së për sigurinë e ushqimit vazhdon të krijojë njohuri të vlefshme për qëndrimet e konsumatorit, me rezultate të reja në dispozicion nga pesë vendet e para-anëtarësimit në BE si Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Turqia dhe nga disa nga vende anëtare të BE-së.

“Jam shumë i kënaqur që për herë të parë ne ishim në gjendje të gjeneronim këtë provë shtesë,” tha Barbara Gallani, Shefe e Departamentit të Komunikimit, Angazhimit dhe Bashkëpunimit të EFSA.

“Bashkëpunimi ynë me vendet e para të anëtarësimit ka ardhur duke u rritur me kalimin e viteve dhe përfundimi i këtij studimi shënon një tjetër moment historik të rëndësishëm. Është vlerë të madhe të kesh njohuri mbi perceptimet e sigurisë ushqimore nga pesë vende të tjera.”

Specialistët e komunikimit nga autoritetet kombëtare të vendeve para-anëtarësimit marrin pjesë si vëzhgues në Rrjetin e Ekspertëve të Komunikimit në EFSA. Anëtarët e rrjetit ndajnë informacion dhe njohuri mbi perceptimin e publikut mbi sigurinë e ushqimit për të informuar strategjitë e komunikimit të rrezikut, midis aktiviteteve të tjera.

Në korrik 2019, EFSA porositi studimin e Eurobarometrit në të gjitha Shtetet Anëtare të BE-së (përfshirë Mbretërinë e Bashkuar), duke shqyrtuar çështje të tilla si interesi për sigurinë ushqimore, vetëdijen dhe perceptimet e rrezikut si dhe besimin në burime të ndryshme të informacionit. I njëjti studim u përsërit në pesë nga shtatë vendet e para-anëtarësimit në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Komunikimit të Komisionit Evropian.

Ndryshimi në ligjin për ushqimin, ministri Çuçi: Ja si do të jetë AKU-ja e re

Në Kuvend u miratuan ndryshimet në ligjin “Për Ushqimin”, i cili i hap rrugë një ristrukturimi të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, institucionit më të rëndësishëm në vend kur është fjala tek kontrolli i produkteve në tregje. Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi gjatë fjalës së tij në seancën e sotme dha më tepër detaje rreth projektligjit.

“AKU nuk mund të vazhdojë më të identifikohet si një institucion i masave represive, që vetëm vendos gjoba e aplikon ndëshkime ndaj operatorëve të biznesit ushqimor. AKU-ja e re duhet të ketë një rol tjetër karshi biznesit dhe konsumatorëve.  Sfida jonë është ta shndërrojmë në një strukturë inteligjente, me burime njerëzore të kualifikuara. Do të ndërmarrim një fushatë rekrutimi dhe trajnimi të punonjësve të rinj së bashku me Autoritetin e Kontrollit të Ushqimit në Irlandë, i cili është ‘binjakëzuar’ me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit tek ne, kuadër të projektit të financuar nga Bashkimi Europian për sigurinë ushqimore”, tha ministri Çuçi.

Me ndryshimet ligjore, do të forcohet roli i Drejtorisë së Vlerësimit të Riskut bazuar në vlerësime shkencore dhe të dhëna historike, për praktika të ndjekura nga operatorët e biznesit ushqimor.

“Do të kemi një strukturë të re brenda AKU-së që analizon të dhënat e inspektimeve ndër vite, në mënyrë që plani i monitorimit kombëtar të mos jetë një plan, le të themi mekanik, por të jetë i bazuar në analizë dhe statistika disa vjeçare. Në këtë mënyrë do të jemi në gjendje të ndërmarrim kontrollet e duhura ndaj operatorëve të biznesit ushqimor, pa abuzuar dhe pa u bërë pengesë për zhvillimin e biznesit”, tha ministri Çuçi.

Një tjetër aspekt shumë i rëndësishëm i ndryshimeve ligjore është shmangia e kontrolleve të dyfishta për operatorët e biznesit ushqimor edhe nga inspektorët e AKU-së edhe nga inspektorët e Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor. Rreth 15 mijë OBU lehtësohen nga ky kontroll i dyfishtë, që shpesh linte vend edhe për abuzim. Ulja e barrës së inspektimit nga dy institucione për të njëjtin subjekt apo çështje, shmang mundësinë për abuzim.

Për herë të parë do të aplikohet një lehtësim në sistemin e vetëkontrollit, ku subjektet me risk të vogël do të përjashtohen nga kontrollet me të njëjtat kritere si bizneset e mëdha. Kjo i jep frymëmarrje prodhuesve të vegjël. Natyrisht duke mos cënuar këtu parimet bazë të kushteve higjeno-sanitare dhe standardeve të sigurisë ushqimore.

“AKU-biznes-konsumator është një trekëndësh shumë i rëndësishëm, dhe ndërveprimi sa më i mirë mes tyre na garanton produkte të sigurta në tregjet tona. AKU-ja e re do të jetë një insitucion më dinamik, më inteligjent, më transparent dhe do të adresojë siç duhet sfidat e kohës, duke patur më së shumti në fokus fenomenet që shqetësojnë sot konsumatorët dhe operatorët e biznesit ushqimor”, tha në Kuvend ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Eliminoni parazitët e zorrëve, katër metoda me bazë qepën e kuqe

Komponimet e squfurit që përmban qepa, të kombinuar me përbërës të tjerë, janë efektive kundra parazitëve të zorrëve dhe përshpejtojnë kurimin e problemeve të lidhura me to

Trupi ynë mund të sëmuret edhe përmes ushqimit. Ky është rasti i parazitëve që jetojnë brenda zorrëve tona dhe që shkaktojnë dhimbje të forta të barkut.

Për të luftuar këta parazitë, ju rekomandojmë 4 metoda me bazë qepën e kuqe.

Çfarë janë parazitët e zorrëve?

Me ‘parazitë të zorrëve’ i referoheni në mënyrë të përgjithshme një infeksioni të zorrëve të shkaktuar nga parazitët, më i zakonshmi prej të cilit është Enterobius virmicularis i cili shkakton dhe infeksionet parazitare shumë të zakonshme tek fëmijët.

Cilat janë simptomat?

▪ Dhimbje të vazhdueshme të barkut

▪ Fryrje ose gazra

▪ Lodhje e shpeshtë pa arsye

▪ Kruarje në zonën perianale

▪ Periudha të diarresë të pasuara me periudha kapsllëku

▪ Prania e pikave të bardha në jashtëqitje

▪ Jashtëqitje e errët

▪ Humbje peshe

▪ Ndryshime të oreksit; pak ose shumë uri

Katër kombinime me qepë për të luftuar krimbat e zorrëve

Kur shfaqet një nga këto simptoma, është e rëndësishme të filloni trajtimin e duhur. Qepët kanë shumë përdorime kurative.

Kombinimet tradicionale me bazë qepën e kuqe, në veçanti janë një mënyrë e mirë natyrale për të trajtuar këtë problem.

  1. Sallatë me qepë, hudhër dhe avokado

Komponimet e squfurit dhe flavonidet e qepës së kuqe lejojnë eliminimin e agjentëve të ndryshëm të dëmshëm brenda trupit.

Duke i kombinuar ato me hudhrën dhe avokadon, krijoni një përzierje të mrekullueshme kundër parazitëve të zorrëve.

Përbërësit:

– 1 qepë e kuqe

– 1 avokado

– 3 thelpinj hudhër

– arra (sipas dëshirës)

– 10 fara kungulli

Përgatitja:

▫ Qëroni dhe grini qepën.

▫ Prisni në copa tulin e avokados.

▫ Grini hudhrat.

▫ Piqni pak farat e kungullit.

▫ Përzieni gjithë përbërësit, në fund shtoni arrat sipas dëshirës.

 

  1. Lëng qepe

Lëngu i qepës së kuqe është shumë i efektshëm për përshpejtimin e transitit të zorrëve, prandaj i ‘dëbon’ shpejt parazitët e zorrëve.

Përbërësit:

– 6 qepë të kuqe

– pak ujë

Përgatitja:

 

▫ Grini 6 qepët dhe vendosini në një enë të madhe. Hidhni ujë aq sa të mbulohen.

▫ Lërini të qëndrojnë për një natë.

▫ Në mëngjes, pini një filxhan me lëngun e qepëve me stomak bosh.

 

  1. Qumësht i aromatizuar me mente dhe qepë

Qumështi i aromatizuar me mente dhe qepë të kuqe është një ilaç i shkëlqyer kundra parazitëve, pasi i eliminon ato shpejt falë veprimit natyral anti-helm.

Përbërësit:

– 4 kërcej dhe 10 gjethe mesteje

– 1/2 gote qumësht i skremuar

– 1 lugë gjelle mjaltë

– 1 qepë e kuqe

 

Përgatitja:

▫ Shtoni qumështin dhe mentën në një tenxhere. Vendoseni të ziejë.

▫ Ndërkohë grini imët qepën dhe shtojeni tek qumështi.

▫ Në fund, ëmbëlsojeni me pak mjaltë.

▫ Konsumojeni të vakët një orë para mëngjesit. Përsëriteni trajtimin për një javë.

 

  1. Çaj me artemisia dhe qepë

Artemisja njihet për vetitë e saj antiparazitare. Nëse kombinohet me kompozimet e squfurit që përmban qepa dhe flavonoidet e saj, krijon një trajtim të fuqishëm kundra krimbave të zorrëve.

Për të përgatitur këtë ilaç, duhet të përgatisim një çaj me këto bimë.

Përbërësit:

– 1/4 qepë e kuqe

– 4 filxhanë ujë (1 l)

– 2 lugë artemisia (30 gr)

 

Përgatitja:

Vendosni ujin të ziejë, ndërkohë grini imët qepën. Pasi të ketë marrë uji valë, shtoni qepën e grirë dhe gjethet e artemisias. Lërini të pushojnë për 5 minuta. Kulloni çajin dhe pijeni ende të ngrohtë. Përsëriteni këtë trajtim tre herë në ditë. Pavarësisht se është një infeksion i zakonshëm, ai nuk duhet të nënvlerësohet sepse nëse lihet pa trajtuar, shkakton pasoja të rënda shëndetësore.

AKU bashkohet me ISSH, Qendra ALERT ngre disa shqetësime: Problem për inspektimet

Qendra Alert e ftuar në komisionin e veprimtarisë prodhuese për disa ndryshime në ligjin e ushqimit ngre shqetësimin për cënimin e sigurisë ushqimore dhe dëmtimin e cilësisë së inspektimeve të cilat sipas kreut të shoqatës Granit Sokolaj me daljen e AKU nga shërbimi civil do të krijojë problematikë në cilësinë e inspektimeve.

“Nëse ky institucion që do të krijohet, do të dalë nga Shërbimi Civil dhe stafet do të rekrutohen me Kod Pune, së pari, do ta shkatërronte nivelin e inspektimeve, gjë që është mjaft e rëndësishme për garantimin e sigurisë ushqimore. Duke ditur se drejtuesit e këtij institucioni varen nga politika, së pari largimi nga Shërbimi Civil, do të bënte që çdo drejtor i këtij institucioni, do të largonte nga puna e do të emëronte të tjerë persona, sipas ngjyrimeve dhe ndarjes politike të personave të ndryshëm, duke bërë kështu dhe largimin e specialistëve të vërtetë, si dhe më e rëndësishmja, do të shmangej në mënyrë abuzive domosdoshmëria e çdo specialisti për sektorin përkatës, duke e kthyer këtë institucion, që duhet të jetë i rëndësisë së veçantë, në një vend punësimi militantësh partie.”, tha Sokolaj.

Marrë nga Balkanweb.com

Qendra ALERT / Alert.al

Shqiptarët, të parët në rajon për kultivimin e fasuleve

Bishtajoret kanë qenë pjesë e dietës ushqimore në mbarë botën për mijëra vite, duke shërbyer si burim proteinash. Pjesë e bishtajoreve janë bizelet, llojet e ndryshme të fasuleve, qiqra dhe thjerrëza. Bishtajoret shërbejnë si një burim i rëndësishëm i proteinave dhe të tjera vlerave ushqyese, të cilat mund të zëvendësojnë produktet e mishit apo të bulmetit. Gjithashtu kultivimi i tyre redukton përdorimin e plehrave kimike dhe bën pasurimin e tokës. Në Shqipëri prodhimi i tyre në vitin 2018 arriti në 24.5 mijë tonë, duke u rritur me 15% në krahasim me një vit më parë, pas tre vitesh që shënoi rënie të njëpasnjëshme, referuar të dhënave të Eurostat. Për nga sasia e prodhimit, Shqipëria prodhon sa dyfishi i vendeve të rajonit si Serbia apo Maqedonia. Prej vitit 2010 prodhimi më i lartë u arrit në vitin 2014 me 30 mijë tonë, ndërsa prej atëherë ka shënuar rënie. Prodhimi i bishtajoreve në Serbi ishte 12.9 mijë tonë në vitin 2018, ndjekur nga Maqedonia e Veriut me 12.4 mijë tonë, Bosnje dhe Hercegovina me 11.8 mijë tonë dhe Kosova me 6.1 mijë tonë. Prodhuesi më i madh i tyre ndër vendet e Bashkimit Europian dhe vendeve kandidate për t’u anëtarësuar është Turqia, ku në 2018-n arriti një prodhim prej 1.2 milionë tonë.

Të dhënat më të fundit të Eurostat tregojnë se prodhimi i përgjithshëm i bishtajoreve në BE ishte 4.1 milionë tonë në vitin 2018. Ndërsa sipërfaqja e përgjithshme kushtuar kultivimit të bishtajoreve në BE ishte 2.1 milionë hektarë.