Menu

Konsumatori

Grerza kineze dëmton qindra tonë gështenja në Malsinë e Reçit dhe gjithë Shqipërinë

Gështenja e trojeve shqiptare është një ndër frutet më të preferuar nga europianët. Çdo vit qindra tonë gështënjë eksportohen në Itali dhe vende të tjera të Europës. Por ky vit ka qenë mjaft i vështirë për fermerët e Shkodrës, Tropojës dhe zonave të tjera të Shqipërisë. E njohur si “grerza kineze”, ky insekt ka dëmtuar masivisht këtë product duke ulur sasinë e eksporteve. Për Abc News Albania, Tonin Gështenja thotë se dëmi është i madh dhe kërkohet ndërhyrja e qeverisë shqiptare. Sipas tij rikuperimi nga ky insekt kërkon një proces të gjatë nga 5 në 7 vite.

“Është një sëmundje kineze e dëmton 100% gështenjën deri sa e than totalisht. Janë diku tek 10.000 hektarë që janë të infektuara totalisht në të gjithë vendin. Kam arritur të eksportoj deri në 1.100 deri në 1.300 tonë, sivjet diku tek 400 tonë. Këtë vit në zonën tonë prodhimi është shumë i dobët. Jemi duke negociuar me qeverinë shqiptare, nëse mund të bëj diçka për zonën tonë”- thotë ai.

Qendra Alert /Alert.al

Rifshaqet Covid-19 te mishi/ Autoritetet në Kinë ngren alarmin për importet nga Brazili

Autoritetet në Kinë kanë gjetur sërish përhapje të virusit Covid-19 në paketimin e viçit brazilian në Wuhan. Më 12 nëntor autoritetet thanë se kishin zbuluar praninë e një koronavirus të ri në paketimin e një sasie mish viçi të importuar nga Brazili. Në një deklaratë, Komisioni Komunal i Shëndetit në Wuhan konfirmoi se ata kishin gjetur tre mostra pozitive në paketimin e jashtëm të viçit brazilian të ngrirë, pa kocka. Kjo vjen si sfida e fundit për qytetin kinez me 11 milionë banorë, i cili më parë e kishte deklaruar veten të ‘shëruar’ nga koronavirus.

Pas një hetimi të mëtejshëm, u zbulua se mishi i lopës ishte importuar nga një fabrikë në pronësi të Marfrig Global Foods S.A., e cila është një firmë braziliane. Kina ka rritur testimin e ushqimeve të ngrira si pjesë e fushatës së saj të fundit në të gjithë vendin. Javën e kaluar, vendi raportoi një rast të ri të koronavirusit pasi një punëtor doli pozitiv në provincën e Tianjin. Sipas autoriteteve, infeksioni është gjetur në paketimin e një mostre të ngrirë të mishit të derrit të importuar nga Bremen, një qytet në Gjermaninë veriperëndimore.

Për të theksuar është fakti se edhe Shqipëria është një nga vendet që importon sasi të konsiderueshms të produkteve dhe nënprodukteve të mishit me origjinë nga Brazli si dhe Argjentina. Ndaj konsumatori duhet të jetë i vëmendshëm për çdo produkt që blen në market të cilat kanë origjinë nga vendet e Amerikës së Jugut.

Qendra Alert / Alert.al

*Marrë nga: Republic World

Shqipëria prodhon dhe humbet shumë, Kraja: 750 milionë euro bilanc negativ tregtar nga ushqimet

Shqipëria mbetet ende në kushtet e një bilanci tregtar negative. Raporti mes ekporteve dhe importeve ka diferenca të mëdha monetare. Kjo padyshim godet dhe dëmton prodhuesin shqiptar i cili është i pafuqishëm përballë konkurencës së shteteve të rajoni. Ndonëse vendi ynë është një nga vendet që prodhon shumë dhe i jep buxhetit të shtetit 20% të GDP, investimi ndaj saj është mjaft i ulët.

Kjo për faktin se ende nuk ka një mekanizëm të promovimit dhe shitjes me çmime standarte të produkteve vendase, duke ulur edhe importet nga jashtë. Sokol Kraja, kryetar bordi i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, tha për Euro News Albania se Shqipëria duhet të kthehet në një vend konkurues pasi bilanci tregtar ka shifra mjaft shqetësuese.

“Kemi 20% të kontributit në GDP vetëm nga bujqësia, më e larta në Rajon. Bilancin tregtar e kemi me humbje çdo vit 3 miliardë dollar. Importojmë 6.5 miliardë dollar dhe eksportojmë 3 miliardë dollar. Ku humbim më shumë? Humbim te ushqimet. 750 milionë euro është bilanci negative tregtar që ka Shqipëria ka çdo vit. Jemi vend që prodhojmë shumë por humbasim shumë. Humbim nga nafta dhe energjia elektrike 290 milionë euro në vit. Që është absurdhe dhe kjo, duke prodhuar naftë dhe dalim bilanc tregtar negative. Kemi 160 mijë biznese aktive në vendin tonë dhe jo rastësisht kemi 500 prodhuese me mbi 50 punëtorë secili. Kemi mbi 40 mijë bujqësore dhe 100 mijë biznese shërbimi. Këto biznese nuk prodhojnë ekonomi. Sot e vështirë është të gjesh treg. Po pate treg, gjen dhe punëtorë. Duhet të konkurosh me çmimet për të qenë konkurues në treget e BE”- tha Kraja.

Qendra Alert / Alert.al

Fshirja e datës së skadencës dhe ligji për etiketat, Skënderi: Punë shqiptarësh, etiketa me gdhëndje kushton

Vendimi nr. 434, i datës 11.7.2018 “Për etiketimin dhe informimin e konsumatorit” synonte vendosjen e një rregulli dhe sensibilizimi të veçantë për operatorët e biznesit për t’i kushtuar rendësi etiketimit të saktë të produkteve. Por ky ligj edhe sot nuk gjen zbatueshmëri të plotë pasi shpesh konsumatori haset me produkte të cilat e kanë të fshirë datën e skadencës, mund t’ju fshihet lehtë ose që nuk kanë informacionin e duhur për përmbajtjen e produktit. Megjithatë, ky ligj vonoi të hynte në fuqi, pikërisht më 19.7.2020, një javë më vonë se parashikimi i lejuar për një periudhë kohore 2 vjeçare.

Këto vonesa drejtori i sapozgjedhur i AKU-së, Bledar Skënderi, i justifikoi me faktin se operatorët e biznesit nuk kanë qenë gati me dorëzimin e dokumentacioneve. Sipas kodit penal falsifikimi i etiketave të produkteve ushqimore dënohet nga 3 deri në 10 vjet burg. Skënderi tha për Euro News Albania se ky është nj ëproces I gjatë që kërkon kohë dhe se synohet sensibilizimi i bizneseve por pa folur gjatë për rrezikun që i kanoset konsumatorit.

“Procesi i etiketimit është proces me vetëdeklarim. Ne si AKU bëjmë miratimin e etiketës. Produkti analizohet dhe fleta e analizës kontrollohet nga ne. Përse u zgjat ky proces? Për çdo product duhet nga një etiketë, t’i çertifikojnë në AKU, dhe kjo kërkoi kohë më të gjerë. Ligji la afat 2 vite. Përgjithësisht, shqiptarët e kanë zakon që të bëjnë detyrat e shtëpisë në moment të fundit. Përshkak të pandemisë jo të gjithë subjektet arritën të kryenin këtë proces. AKU po ushtron kontrolle me masa këshëllimore ndaj bizneseve. Ne nuk kemi produkte pa etiketë në treg. Mund të ketë me etiketa të vjetra por pa etiketë jo. Datat skadence që fshihen? Çdo amballazh është marketing. Detyrimi për t’i bërë datat e skadencës me gëdhëndje rëndon ekonomikisht bizneset sepse janë seri të tërë etiketash. Një biznes që del i rregullt në 3 kontrolle apo më shumë, nuk kemi përse t’i shkojmë në të njejtin hark kohor që i kemi shkuar. Pra t’i japim besim dhe liri biznesit të operojnë. Ai biznes që del i parregullt apo me disa mangësi, duhet të shtojmë kontrollet dhe këshillimin”- tha drejtori i AKU.

Qendra Alert / Alert.al

Planet HACCP, specialistja Flonja Allgjata: Nëse bizneset nuk e implemetojnë, produktet s’janë të sigurta për konsumim

E ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Flonja Allgjata specialiste për planet HACCP ka folur për rëndësinë e zbatimit të HACCP nga operatorët e biznesit që prodhojnë, transportojnë, ruajnë dhe shesin produktet tek konsumatori përfundimtar. Allgjata deklaroi se duhet inspektime në bizneset ushqimore, të cilat duhet t’i ofrojnë produkte të sigurta konsumatorit.

“Protokolli HACCP përfshin nga lënda e parë deri tek tregtimi, ku edhe konsumatori me blerjen e tij është pjesë e zinxhirit. Çdo operator biznesi drejtohet për në planin HACCP, për të marrë informacion përmes punonjësve të AKU, por për detajet nevojitet një person i specifikuar për pikat e kontrollit. Bizneset fillimisht nuk e kanë konceptin se çfarë është një plan HACCP, ndaj duhet trajnime për të kuptuar rëndësinë e implementimit të tij. Ndërsa bizneset e vogla e konsiderojnë atë të parëndësishme. Ndoshta ne zgjedhim një cilësi të caktuar, por produkti duhet të jetë i sigurt në zinxhirin e tij deri te konsumatori. HACCP është koncept teorik, por nëse nuk implementohet siç duhet sjell probleme të mëdha si për operatorin e biznesit dhe për konsumatorin. Inspektorët e AKU kanë një protokoll për kontrollet që ushtrojnë tek operatorët e biznesit, por duke gjetur procese përgjysëm, kanë hapësira të mëdha për të bërë vërejtje dhe mund të gjejnë problematika që operatorët mund të mos kenë informacionin e duhur. Duhet inspektim, caktohen pikat kritika, kompanitë e licencuara nisen sipas direktivave të BE që ia ka adresuar AKU për operatorët e biznesit. AKU nuk ka strukturë të veçantë ekspertësh për të trajnuar këto kompani. Një strukturë e veçantë e AKU duhet të jetë e licencuar për të kryer këtë kontroll, certifikatë që e merr nga Ministria e Bujësisë. Bizneset me kapacitet më të ulët prodhimi nuk implementojnë HACCP edhe pse është detyrim ligjor. Porn ë rastet kur kryehet, a implementohet saktësisht? Ka dyshime. Ndërsa për vërtetësia e certifikatës shihet gjatë punës”-deklaroi Flonja Allgjata.

Qendra Alert/Alert.al

Ekspertja Bernarda Hadëri: Bizneset ushqimore të zbatojnë planet HACCP, inspektorët e AKU abuzojnë pasi janë të painformuar

Në një lidhje Skype në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, ekspertja e sigurisë ushqimore Bernarda Hadëri foli për fillimet e implementimit të planeve HACCP në Shqipëri, rëndësinë e zbatimit të standardeve të përcaktuara nga BE dhe abuzimet që bëhen nga inspektorët të cilët shpeshherë janë të painformuar.

“HACCP është një standard i implementuar prej vitesh dhe një nga normat kryesore përsa i përket sigurisë ushqimore, nga marrja e lëndës së parë nga operatori i biznesit, ruajtja, shpërndarja e tregtimi. Siguria ushqimore është e rëndësishme për t’u bërë pjesë e Unionit Doga, pasi çdo produkt duhet të jetë i sigurt në të gjitha hallkat e saj. Në Shqipëri, plani HACCP kanë hyrë pas viteve 2000 dhe është bërë një normë ligjore për operatorët e biznesit që operojnë, pasi të gjithë duhet ta kenë këtë normë të implementuar. Është rregull i përgjithshëm, është standard shumë unik, duke patur parasysh llojin e produktit që do implementohet, çdo operator biznesi i ka të ndryshme normat. Për operatorët e biznesit që përpunojnë, ruajnë, shpërndajnë dhe tregtojnë produktet e tyre, zinxhiri duhet të monitorohet edhe nga mbajtja e mirë e praktikave të punës dhe higjenës. Organet inspektuese duhet të jenë njohës të mirë të sistemit. Çdo operator duhet të mbajë të dhëna të përdishme, në momentin kur e impelmenton planin HACCP. Kërkohet me ngulm që ky plan të jetë i certifikuar, që është jashtë ligjit. Ligji e kërkon të implementuar, jo detyrimisht duhet të jetë një standard i licencuar. Në momentin që inspektorët trokasin në dyert e biznesit dhe kërkojnë që të jetë i licencuar, është detyrë e biznesit ta hedh poshtë pasi është jashtë ligjit. Kjo kërkohet rëndomë nga inspektorët, pasi nuk kanë informacion. Një operator biznesi që merret nga lënda e parë deri te tregtimi i produktit nuk ka rëndësi se sa ka xhiron vjetore, por duhet të zbatojë standardet që t’i sigurojë ushqimet konsumatorit. Produktet ushqimore duhet të jenë të sigurta, si vend jashtë BE e kemi detyrim këto rregulla t’i implementojmë, që të bëhemi dhe pjesë e BE. Përsa i përket ISO 22000 është normë që ka në brendësi dy standarde për cilësinë dhe sigurinë e produktit ushqimor”-tha Bernarda Hadëri.

Qendra Alert/Alert.al

Ministria pranon dështimin në mbështetjen e fermerëve, miliona lekë po hidhen edhe për studimin e projektit “Nafta pa akcizë”

Ministria e Bujqësisë është e gatshme të rishikojë skemën e rimbursimit të TVSH-së për grumbulluesit e qumështit. Ministri Bledar Çuçi ka deklaruar në Komisionin e Ekonomisë pak ditë më parë se kjo skemë i ka dëmtuar prodhuesit e qumështit. Në vitin 2019 qeveria vendosi të ulë rimbursimin e TVSH-së për fermerët nga 20% në 6%, duke shkaktuar një valë protestash nga fermerët dhe grumbulluesit. Një ndryshim i tillë bëri që pikat e grumbullimit të ulnin çmimin me të cilën i blinin qumështin fermerit, madje preferuan ti drejtoheshin tregut të huaj dhe për pasojë fermerët e derdhnin qumështin e tyre në shenjë proteste. Pra grumbulluesit rimbursoheshin për çdo litër 14 lekë më pak. Por pas kaq shumë kohësh, ministri Çuçi ka pranuar për herë të parë në Komisionin e Ekonomisë se skema e rimbursimit të qumështit ka dëmtuar dhe vijon të dëmtojë fermerët në vend.

“Kjo ishte një masë e domosdoshme dhe që në fakt korrektonte disa gjëra që po ecnin keq, në kuptimin e abuzimit, por për prodhuesit ishte një masë që i penalizoi ata dhe vijon ti penalizojë. Skema për rimbursimit 20% po kthehej në abuzive, dhe sidomos tek sektori i fruta perimeve. Sektori i qumështit është më i ndjeshmi dhe kërkon me të drejtë që të rivendoset e dhe një herë jo domosdoshmërish TVSH e rimbursueshme 20% por të jetë e barabartë me atë që e shesin pra të jetë 6% në blerje dhe po aq edhe në shitje. Është një instrument i diskutuar edhe në qeveri, dhe për pjesën e qumështit ne duhet ta rishikojmë”- tha ai në Komisionin e Ekonomisë.

Një tjetër projekt/nismë e qeverisë në mbështetje të fermerëve e cila në pamje të parë ka shance të dështojë ekonomikisht është edhe rimbursimi i naftës. Kryeministri Rama prezantoi pak javë më parë këtë projekt që nis në vitin 2021, nga i cili do të përfitojnë vetëm fermerët me NIPT, pra afro 47 mijë fermerë nga mbi 450 mijë që janë në total. Për këtë projekt, Ministria e Bujqësisë ka hapur një tender me vlerë 67 milionë lekë të rinjë pa TVSH, për të kryer studimin e fizibilitetit. Pra, paketa e “naftës pa taksa” u prezantua si një arritje e qeverisë për vitin e ardhshëm por për zbatimin e tij nuk ka ende një draft dhe skemë sesi do të funksionojë kjo shpërndarje e lëndës djegëse.

Po përse duhet të hapet një tender ku do të shpenzohen miliona lekë thjesht për një studim? Detyrimisht studime të tilla duhet të kryeshin nga Drejtoritë e Bujqësisë në Bashkitë e vendit. AZHBR ka njoftuar se në terren ka inspektorë dhe profesionistë për të ndihmuar fermerët por duket se për shpërndarjen e naftës pa akcizë u dashka që të dalin në terren grupe të tjera apo të njejtat grupe por me disa lekë të përshtatura në tender. Çfarë ndodh nëse ky studim del negativ? Atëherë nga buxheti i taksapaguesve humbasin 67 milionë lekë të reja, ndërsa fermeri do të vijojë ta blejë naftën për traktorin sa nafta për makinat luksoze.

Qendra Alert / Alert.al

Shtrenjtohen me rreth 15% frutat dhe perimet, inflacioni në vend dëmton xhepat e konsumatorëve

Çmimet e zarzavateve dhe të frutave kanë pësuar një shtrenjtim të ndjeshëm në muajin tetor. Sipas raportit të INSTAT qytetarët në muajin e kaluar i kanë blerë zarzavatet përfshirë edhe patatet 18,5 %, më shtrenjtë se një vit më parë, dhe frutat 11.5% më shtrenjtë. Rritje kanë shënuar edhe çmimet e produkteve të tjera si vajra dhe yndyra” me 4,7 %, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata, ëmbëlsira” me 2,6 %, dhe produktet e peshkut me 2,3 %. Referuar të dhënave në total grupi i ushqimeve dhe pijeve joalkoolike ka pësuar një rritje prej 4.9%.

Ky shtrenjtim ka dhënë edhe impaktin më të madh në rritjen e inflacionit në tetor, i cili arriti në 2%, duke u përmirësuar për herë të parë pas karantinës në muajin maj, ku inflacioni u luhat në nivelin e 2.1%. Në muajin shtator inflacioni ishte 1.5%, pra çmimet janë shtrenjtuar më shumë muajin që lamë pas. Inflacioni në vitin e kaluar në të njëjtin muaj ishte 1.3%, kohë kur vendi nuk po përjetonte një krizë të tillë, dhe as nuk kishte ndodhur goditja e tërmetit të nëntorit.

Qendra Alert / Alert.al

Lexoni raportin e plotë të INSTAT: http://www.instat.gov.al/media/7679/ick_tetor_2020.pdf

Konsumatori në rrezik/ Në shitje ushqime të mykura dhe datë skadence më 30 shkurt

Skadimi i një produkti ushqimor më 30 shkurt është padyshim një tregues se sa funksionon etiketimi në vendin tonë. Siguria ushqimore nis pikërisht në mbarvajtjen e një etikete të saktw dhe me informacion të bollshëm. Shpesh herë kemi parë se ky standard nuk zbatohet nga prodhuesit dhe tregtuesit, të cilët i servirin konsumatorit ushqime me rrezikshmëri të lartë. Më së shumti ushqimet që abuzohet më tepër janë produktet e fëmijëve, biskotat e ndryshme, apo dhe prodhimet me origjinë shtazore si dhe prodhimet e brumit.

Së fundmi në rrjete sociale qarkullojnë foto ku qytetarët kanë blerë djath bebe të mykur dhe jashtë çdo kushti higjenosanitar për tu konsumuar. Ky produkt mbart baktere të shumta dhe ngrënia e tij rrezikon seriozisht shëndetin e konsumatorit. Për këto raste duket se AKU nuk shqetësohet aspak, përderisa zbatimi i rregulltë i etiketave mbetet një mision i vështirë për këtë autoritet.

Një tjetër mashtrim është edhe data e etiketës. Një tjetër qytetar ka blerë një produkt brumi me datë skadence 30 shkurtin e viti të ardhshëm. Dukshëm prodhuesi nuk është kujdesur për afatin e konsumimit por thjesht e ka vendosur atë si një numër të zakontë. Produkti i brumit mund të jetë edhe i skaduar dhe rihidhet sërish në treg, jashtë çdo lloj standardi për sigurinë ushqimore.

Foto të marra nga: JOQ Albania

Qendra Alert / Alert.al

Task Force e përbashkët për COVID, inspektorëve të ISHSH iu paguan 200 orë pune shtesë, kolegët e AKU në "gisht në gojë". Askush nuk u kujtua t'ju japë çfarë u takon

E gjithë bota është fokusur në sigurinë e shëndetit dhe mbrojtjen e popullatës nga COVID-19. Në këtë “rresht” është dhe Shqipëria, e cila rast pas rasti ka shtërnguar apo liruar masat, në varësi të situatës epidemiologjike. Por, anjë vend si Shqipëria, nuk ka lënë pas dore sigurinë ushqimore dhe shumë shërbime të tjera për shkak të pandemisë.

Që në muajin mars, për shkak të situatës së virusit, u ngrit Task Force për luftën ndaj COVID-19 ku në trupat inspektuese u përfshinë inspektoriate të ndryshme, si ISHSH dhe AKU. Grupet e punës, sidomos të AKU lanë menjanë sigurinë ushqimore dhe inspektimet për të gjithë zinxhirin dhe u fokusuan te masat anti-covoid. në këtë mënyrë, inspektorët dilnin në terren me turne, paradite e pasdite, edhe të shtunave e të djelave në shumë raste, duke kontrolluar subjekte të ndryshme, edhe që nuk kanë lidhje me ushqimin, për masat anticovid, distancimet e madje AKU “dhuroi” për Operatorët e Biznesit Ushqimor edhe dezinfektues duarsh e stickera adezivi me mbishkrimin “mbani distancën” që vendosen në dysheme. (Zëra të ndryshëm tregojnë se shumë prej inspektorëve i kanë shitur me cmime më të lira sesa mund të gjendeshin në markete apo farmaci).

Inspektore te AKU dhe ISHSH gjate inspektimeve te perbashketa ne kuader te Task Force anticovid

Situata e inspektimeve në terren vazhdon pa orare, ndërkohë që së fundmi, përfshirë edhe inspektorët e AKU, të gjitha inspektiatet kanë nxjerrë forcat në terren për t’i detyruar njerëzit që të mbajnë maskat. Madje, të gjitha inspekoriatet janë pajisur me të njëjtin jelek dhe logo, sa secili ka humbur autonominë apo identitetin e tij e shihen rrugëve edhe në mbrëmje vonë.

Vetëm në Drejtorinë e AKU Tiranë, janë vetëm 12 inspektorë që “na ruajnë” nga Covid, ata me më shumë eksperiencë në sigurinë ushqimore. Por edhe në qarqet tjera, në terren ndodh e njëjta gjë.

Megjithatë, në raste epidemish, gjithçka mund të tolerohet e pranohet, kur mundi e djersa, apo edhe orët e pafundme shtesë në punë, paguhen. Ndërkohë që në trupa të përbashkëta inspektimi ishin inspektorët e ISHSH dhe të AKU, këta të fundit duket se janë të “njerkës”. Përveçse të keqtrajtuar, të akuzuar e madje me dinjitetin që nuk ua jep më as logo e përbashkët e inspektimeve, deri sot nuk kanë marrë as edhe një dinqarkë shtesë për të gjitha orët e punës shtesë. Ndërsa kolegët e tyre të ISHSH janë paguar, ose më e pakta, urdhëri për 200 orë pune shtesë në vit u është miratuar.

Korresponcendat e Ministrise se Shendetesise dhe asaj te Ekonomise, per miratimin e oreve shtese te inspektoreve te ISHSH

Në fakt, nuk ka asnjë pengesë ligjore për t’ju dhënë hakun, por thjesht neglizhencë e eprorëve të tyre, apo mungesë vëmendjeje totale. Kjo, pasi kolegët e tyre të ISHSH janë paguar falë vullnetit të eprorëve. Më 29.06.2020, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë i ka kërkuar Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë miratimin e pagesës për orët shtesë të këtyre inspektorëve, duke qenë se zëvendësimi i tyre me ditë pushimi ishte e pamundur. Ndërsa më 8 korrik, Ministria e Financave ka kthyer përgjigjen e miratimit për pagesën e 200 orëve pune shtesë në vit për inspektorët e ISHSH.

Kjo mund të kishte ndodhur lehtësisht edhe për inspektorët e AKU, nëse do të mendohej për mirëqënjen e tyre apo fundja detyrimet ligjore të institucineve ndaj tyre. Por, duket se askush “nuk e ka vënë ujin në zjarr”. Në këtë situatë, inspektorët që duhet të na garantojnë sigurinë ushqimore, “bredhin” rrugëve të qyteteve tona për të na thënë “vendosni maskën”. Të njëjtën gjë bëjnë dhe kolegët e tyre të ISHSH, por këta të fundit, të vlerësuar e paguar për çka iu takon ligjërisht.

Qendra ALERT / Alert.al