Menu

Konsumatori

EKSKLUZIVE/ Raporti i KLSH 2018-2020: Skandal me asgjësimin e frutave dhe perimeve të kalbura, DRAKU Tiranë s’ka dokumente, mashtron me sasitë

Frutat dhe perimet janë produkte që nuk mund të qëndrojnë gjatë nëpër magazina, sepse kalben shpejt dhe bëhen të pakonsumueshme. Boshllëku kohor dhe ligjor mes afatit të skadencës dhe momentit të asgjësimit në prani të zyrtarëve AKU, Tatimeve dhe Mjedisit, shfrytëzohet nga subjektet për të vazhduar tregtinë e produkteve të tilla.

Neglizhenca dhe abuzimi i inspektorëve të AKU u krijojnë kompanive mundësinë të bëjnë evazion fiskal, po ashtu të shmangin shpenzimet e asgjësimit të produkteve të skaduara. Raporti i auditimit të KLSH* zbulon procedurat e paplotësuara të asgjësimit, përgjithësisht të pambuluara me dokumente, të dyshimta sepse edhe sasitë nuk përputhen në dokumentet e subjektit me ato të DRAKU-së Tiranë.

Pa procesverbal asgjësimi

Sipas raportit të KLSH, nga dosja e inspektimit datë 14 prill 2020, rezulton se është bërë asgjësimi me kërkesë të subjektit X, datë 8 prill 2020, për 24,121 kg “Perime +Fruta të kalbëzuara” me vlerë 2,220,129 lekë. Asgjësimi është kryer nëpërmjet një mjeti transporti, ku janë hedhur fruta-perimet e dëmtuara dhe më tej thuhet se janë groposur në vendin Landfili Bushat Shkodër.

Nga auditimi konstatohet mungesë procesverbali i asgjësimit, i nënshkrimit të përfaqësuesve të inspektoratit Mjedisor dhe Tatimeve, i fletëdaljes së subjektit, po ashtu nuk është dokumenti i shoqërimit i kompanisë për transportin në linjën Tiranë-Bushat Shkodër. Më tej, theksohet se nuk ka foto në ambientin e subjektit dhe në vendin e asgjësimit të produkteve të dëmtuara.

Nga këto të dhëna të KLSH-së, të lindin disa dyshime. Të gjithë kemi parë se si dyqanet dhe tregtarët ambulantë furnizohen në disa raste me fruta aspak të freskëta që i mbajnë nëpër vitrina deri sa kalben. Këto më pas përfundojnë nëpër kazanët më të afërt të plehrave. Mund të jenë pikërisht këto fruta që gjoja asgjësohen nga DRAKU.

Sasitë që kompanitë nuk arrijnë t’i shpërndajnë tek tregtarët e vegjël, duke dashur të ulin kostot e humbjeve, nuk preferojnë t’i asgjësojnë sipas procedurave të ligjit. Për të shmangur shpenzimet i hedhin ku të munden. Jo rrallë herë, shohim sasi të mëdha të këtyre mbeturimave të hedhura buzë lumenjve dhe përrenjve.

Problemi tjetër, që krijohet nga “lëshimet” e inspektorëve të DRAKU-së Tiranë, është evazioni fiskal që krijohet nga qarkullimi i një malli, pas datës së skandencës, megjithëse me letra ekziston si i asgjësuar.

Mashtrim me sasitë e frutave të asgjësuara

Qershia mbi tortë vendoset më pas në një praktikë tjetër asgjësimi. Sado që janë munduar t’i rregullojnë mirë “letrat”, ka mospërputhje shifrash. “Nuk përputhet sasia e asgjësuar 6,244 ton, sipas procesverbalit të inspektimit dhe vendimit përfundimtar datë 28 janar 2020 me faturën tatimore të subjektit datë 28 janar 2020 prej 5,6  ton mbeturina produktesh, nënshkruar nga subjekti. Pra, ka një diferencë 0,6 ton për vlerën 175,000 lekë”, konstaton KLSH.

I njëjti fenomen del në dosjen e inspektimit datë 25 shkurt 2020, në subjektin tjetër me adresë: Kashar Tiranë, ku rezulton se janë asgjësuar 8,548 kg “artikuj ushqimor të skaduar” me vlerë  425,429 lekë.

Shkeljet e renditura nga KLSH janë mungesa e procesverbalit të asgjësimit, nënshkrimi i përfaqësuesve të inspektoratit Mjedisor dhe Tatimeve tek procesverba1i i inspektimit, nuk përputhet sasia e asgjësuar 8,548 kg sipas procesverbalit të inspektimit dhe vendimit përfundimtar datë 25 shkurt 2020 me faturën tatimore të subjektit prej 5,9 ton, pra diferenca 2,6 ton. Nuk disponohen fotot e produkteve dhe ambientit të subjektit.

Përse nuk firmosin inspektorët e Mjedisit dhe të Tatimeve?

Nga kontrolli në një subjekt tjetër, dosja e inspektimit datë 17 janar 2020, në adresën Autostrada Tiranë-Durrës, Kashar, rezulton se: Me kërkesë të subjektit i kërkohet DRAKU-së Tiranë asgjësimi i 39,840 kg “Perime+Fruta të skaduara” me vlerë 3,054,852 lekë.

Sipas procesverbalit të inspektimit dhe vendimit përfundimtar datë 17 janar 2020, të firmosur nga isnpektorët si dhe nga subjekti, asgjësimi është kryer nëpërmjet një makine vetshkatërruese.

Në dokument thuhet se morën pjesë inspektorët e Tatimeve dhe Mjedisit. Nga shkeljet e konstatuara, veçohen: Mungon procesverbali i asgjësimit, por është mjaftuar me procesverbalin e inspektimit 17 janar 2020, i cili është i pjesshëm. Ky dokument nuk është firmosur nga përfaqësuesit e inspektoratit Mjedisor dhe Tatimeve.

Mungon fletëdalja e subjektit, për efekt të shkarkimit nga magazina, dokument bazë që fakton daljen nga magazina të produkteve të asgjësuara; nuk ka dokument të shoqërimit për transportin e produkteve të skaduara; mungon përcaktimi i vendit se ku janë asgjësuar produktet e dëmtuara; nuk disponohen fotot e produkteve, ambientit të subjektit dhe vendit ku janë asgjësuar produktet.

Katër muaj më vonë, më 17 prill 2020, në dosjen e inspektimit të asgjësimit të 47,731 kg “Perime+Fruta  të skaduara”, ka gjetje të shkeljeve të ligjit. Kjo sasi frutash dhe perimesh kap vlerën 3,763,393 lekë (sipas listës të fruta+perime).

Asgjësimi është kryer nëpërmjet makinës vetshkatërruese në prezencë të inspektorëve Tatimeve dhe Mjedisit. Shkeljet  e konstatuara nga auditimi janë mungesa e procesverbalit të asgjësimit, po ashtu nuk është firmosur nga përfaqësuesit të inspektoratit Mjedisor dhe të Tatimeve.

Dy standarde asgjësimi në të njëjtën kompani

Shkelje dallohen edhe tek dosja e inspektimit datë 21 gusht 2020, në një kompani tjetër tregtare. Nga subjekti i kërkohet DRAKU-së Tiranë asgjësimi i 47,281 kg “Perime+Fruta të skaduar” me vlerë 5,331,789 lekë. Sipas dokumenteve, asgjësimi është kryer nëpërmjet makinës vetshkatërruese, në prezencë të inspektorëve të Tatimeve dhe Mjedisit. Ndër shkeljet e konstatuara nga auditimi është mungesa e procesverbalit të asgjësimit.

Vihet re se inspektorët ndjekin standarde të dyfishta, edhe në kontrollet brenda të njëjtit subjekt. Inspektorët janë kthyer në datën 30 tetor 2020 tek kompania e mësipërme. Ndryshe nga radha e kaluar, është mbajtur procesverbali i asgjësimit datë 30 tetor 2020 me nënshkrimin e 2 përfaqësuesve të Mjedisit, të përfaqësuesit të Tatimeve dhe inspektoreve të DRAKU-së Tiranë, si dhe nga subjekti. Gjithsesi mungon fletedalja e subjektit për daljen e mallit nga magazina.

Duket sikur ky subjekt nuk shet, por vetëm asgjëson frutat, aq shumë letra ka DRAKU në emër të tij. Kërkesa e re e kompanisë për asgjësim u bë në datë 26 tetor 2020 i për 42,857 kg “Perime+Fruta te skaduar” me vlerën 4,331,013 lekë.

Si ta besosh se janë asgjësuar këto ushqime?

Në një subjekt tjetër më 21 janar 2020,  Autostrada Tirane-Durrës, km 11, rezulton se nga DRAKU është bërë asgjësimi i 2,232 kg “Artikuj të ndryshëm të skaduar” me vlerë 2,658,835 lekë.

Nga shkeljet e konstatuara renditen mungesa e procesverbalit të asgjësimit, nuk ka nënshkrim nga përfaqësuesit e inspektoratit Mjedisor dhe Tatimet mungon dokumenti i shoqërimit për transportin e produkteve të skaduar, nuk përcaktohet vendi se ku janë asgjësuar produktet e dëmtuara, nuk disponohen fotot e ambientit të subjektit dhe vendit ku janë asgjësuar produktet, po ashtu mungon fletëdalja e subjektit për efekt të shkarkimit nga magazina dhe justifikimit të detyrimeve fiskale.

Tre muaj më pas, më 24 prill 2020, nga i njëjti subjekt, DRAKU-t iu kërkua asgjësimi i 4,469 kg “produkte ushqimore të skaduar” me vlerë 1,840,369 lekë.

Praktikës i mungon procesverbali i asgjësimit, dokument bazë ligjor që justifikon asgjësimin e produkteve, mungon nënshkrimi i përfaqësuesit të inspektoratit Mjedisor dhe Tatimeve, për efekt të mbrojtjes së mjedisit dhe shmangies së detyrimeve fiskale.

Një sasi e madhe ushqimesh raportohet të jetë asgjësuar më 17 shkurt 2020, por dokumentet nuk ekzistojnë. Subjekti ndodhet tek Rruga e Kavajës, Tiranë. Procedura ka nisur pasi i është kërkuar DRAKU-së asgjësimi i 7 088 kg “produkte ushqimore të dëmtuara” me vlerë 2,163,085  lekë. Sipas raportit të KLSH, mungon procesverbali asgjësimit, nënshkrimi i përfaqësuesve të inspektoratit Mjedisor tek procesverbali i inspektimit 27 shkurt 2020, fotot e produkteve të dëmtuara.

Ndërkohë në dosjen e inspektimit datë 4 mars 2020,  në një subjekt tjetër në Kashar, Tiranë, rezulton se: DRAKU ka asgjësuar 12,1 ton “produkte  ushqimore të skaduara” me vlerë 5,534,597 lekë.

Rezulton se nuk ka procesverbal të asgjësimit, nuk ka firma të përfaqësuesve të inspektoratit Mjedisor dhe Tatimeve tek procesverbali i inspektimit, mungojnë fotot e produkteve të dëmtuara, madje s’ka listë të produkteve. Vinin re, nuk ka dokumentacion të gjurmueshmërisë për efekt të argumentimit të skadencës. Nuk ka fletëdalje nga subjekti për efekt të shkarkimit nga magazina, mungon dokumenti i shoqërimit për transportin e produkteve. “Përfundimisht, praktika e asgjësimit nuk ka asnjë dokument shoqërues dhe argumentues për të justifikuar asgjësimin 12,1 ton produkte ushqimore të skaduara”, konkludon KLSH.

A u asgjësuan këto banane të prishura?

Dosja e inspektimit datë 20 shkurt 2020, tek një subjekt me adresë në Vaqarr, Tiranë përshkruan se nga DRAKU u bë asgjësimi i 14,600 kg  “Banane të dëmtuara” me vlerë  2,7641,365 lekë. Por shkeljet e konstatuara nga KLSH të bëjnë të dyshosh se ky veprim nuk ka ndodhur. Kështu, mungon procesverba1i asgjësimit, pjesëmarrja dhe nënshkrimi i përfaqësuesve të inspektoratit Mjedisor dhe Tatimeve, gjithashtu nuk ka fletëdalje të mallit nga subjekti. Në bazë të dokumenteve, kja sasi babanesh nuk ka lëvizur nga magazina!

*KLSH ka kryer një  konktroll në Drejtorinë Rajonale të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit Tiranë (DRAKU) për periudhën nga data 1 janar 2018 deri 30 dhjetor 2020. Nga kontrolli rezultojnë shkelje të rënda financiare, të Ligjit për ushqimin dhe vendimeve të qeverisë për kontrollin e cilësisë së produkteve ushqimore, duke mos mbrojtur interesin e konsumatorit.

Qendra Alert

alert.al/

Tajlanda ndalon kremrat kundër diellit për shkak se dëmtojnë koralet

Tajlanda ka ndaluar kremrat kundër diellit në të gjitha parqet e saj detare kombëtare për shkak se përmbajnë kimikate dhe dëmtojnë koralet, të cilat janë një pasuri e çmuar e detit të saj.

Shqetësimet kanë qenë në rritje, në lidhje me kremrat që turistët përdorin për mbrojtjen nga dielli, të cilat po dëmtojnë koralet dhe rritjen e ngadaltë të tyre.

Departamenti tajlandez i ruajtes të trashëgimisë kulturore u shpreh se katër përbërës që gjenden zakonisht në kremrat e diellit është provuar se shkatërrojnë larvat e koraleve, pengojnë riprodhimin e tyre dhe shkaktojnë zbardhjen e ngjyrës së ndezur.

Çdokush që shkel këtë urdhër mund të gjobitet deri në rreth 2500 euro.

Sidoqoftë, zyrtarët nuk kanë thënë se si planifikojnë të zbatojnë vendimin e ri.

Kremrat e ndaluar janë ato që përmbajnë oksibenzon, oktinoksat, kamfor 4-metilbenziliden ose butilparaben.

Ndalime të tilla ngjashme janë bërë dhe nga ishulli i Oqeanit Paqësor Palau si dhe shteti amerikan i Hawaiit.

Kjo është përpjekja më e fundit e qeverisë tajlandeze për të mbrojtur koralin e saj nga industria e turizmit.

Maya Bay, një ishulli në arqipelagun Phi Phi Leh – i cili u bë i famshëm me prezantimin e tij në filmin me Leonardo Di Caprio ‘The Beach’- është mbyllur që nga viti 2018 pasi shumica e koraleve të tij u shkatërruan.

Burimi: BBC World

Qendra Alert

alert.al

Lënda e parë për ëmbëlsira: E ndotur me bakterin e E.coli?

Zyrtarët federalë amerikanë megjithëse nuk kanë përcaktuar në mënyrë të saktë ndonjë përbërës të lëndëve të para për ëmbëlsira si shkaktarë të përhapjes së infektimeve me bakterin E.coli, kanë vijuar testimet dhe analizat e këtyre produkteve.

Sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, rreth 16 njerëz të shpërndarë në 12 shtete amerikane janë konfirmuar si të infektuar me bakterin E.coli, të cilët janë shtruar në spitale për të marrë ndihmën e parë. Infektimet kanë nisur në shkurt të këtij viti dhe rasti më i fundit i përket 21 qershorit.

Më shumë raste të tjera do të identifikohen, sipas zyrtarëve federalë amerikanë për shkak të jetëgjatësisë së lëndëve të para për përgatitjen e ëmbëlsirave dhe kohës gjithashtu të gjatë të shfaqjes së simptomave të infektimit.

Agjencia Amerikane e Ushqimit dhe e Medikamenteve po punon ngushtësisht me Qendrën për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve dhe ka nisur hetimin për analizimin e rasteve të raportuara. Megjithatë, akoma nuk është identifikuar si një shkaktar i mundshëm ndonjë produkt specifik i lëndëve të para për kek apo ëmbëlsira.

Individët e sëmurë i përkasin moshave nga 2 deri në 73 vjeç, me një moshë mesatare rreth 13 vjeç. Rreth 75% prej tyre janë fëmijë ose i përkasin moshës nën 18 vjeç. Fëmijët janë ata që mund të infektohen më rëndë nga bakteri i E.colit.

Ndër 8 pacientë të intervistuar, gjashtë prej tyre kanë raportuar që kanë konsumuar brumë të pagatuar mirë,  të përgatitur me një lëndë të parë për torta apo për ëmbëlsira.

Të gjitha sekuencat e gjenomeve të analizuara tregojnë që bakteret me të cilat janë infektuar këta individë janë të ngjashme nga ana gjenetike, gjë e cila do të thotë që janë infektuar nga i njëjti ushqim.

Burimi: Food Safety News

Qendra Alert

alert.al

Bllokohet produkti i kompanisë ITALIAMO, për shkak të Pranisë së Paautorizuar të Pesticidit Oksid Etileni

Supermarketet Lidl po bllokojnë produktin e kompanisë Italiamo –  Pesto alla Genovese –  për shkak të pranisë së pesticidit të paautorizuar të oksidit të etilenit, që ka ardhur si rezultat i shtesave apo aditivëve (E410) të përdorur në prodhimin e tij.

E410 është një shtesë ushqimore e aprovuar në vendet e BE dhe përdoret si një përbërës për të trashur dhe stabilizuar në një gamë të gjerë të produkteve ushqimore.

Oksidi i etilenit është një pesticid që nuk lejohet të përdoret në ushqimet e shitura në BE, por është miratuar për përdorim nga vendet e tjera jashtë BE -së.

Megjithëse konsumi i produktit të kontaminuar nuk paraqet një rrezik akut apo të menjëhershëm për shëndetin, ekziston një rrezik në rritje nëse vazhdon konsumi i oksidit të etilenit në ushqimin e kontaminuar për një periudhë të gjatë kohore. Prandaj, ekspozimi ndaj oksidit të etilenit duhet të minimizohet.

Për këtë arsye shumë agjenci ndërkombëtare të kontrollit ndaj ushqimeve kanë njoftuar konsumatorët për tërheqjen e këtij produkti nga pikat e shitjes, e sidomos në supermarketet Lidl.

Burimi: Food Safety Authory of Ireland

Qendra Alert

alert.al

Kompanitë e mëdha Pepsi dhe Coca Cola po lënë industrinë e lëngjeve

Kompanitë e mëdha të pijeve më famë ndërkombëtare, Pepsi dhe Coca Cola po ndryshojnë mënyrën e tyre të prodhimit, duke u fokusuar tek produktet e tyre bazike, dhe nuk po provojnë më që të testojnë shijet e klientëve përsa i përket industrisë së lëngjeve.

Një ditë më parë, kompania PepsiCo Inc njoftoi që do të shesë markën e saj Tropicana dhe kompani të tjera më të vogla të prodhimit të lëngjeve te agjencia me kapital privat PAI Companions. Në shkurt, kompania Nestle ra dakort të shiste ujin e saj me shishe Spring tek blerës të ndryshëm me kapital po ashtu privat. Gjatë 12 muajve të fundit, Coca – Cola ndërpreu një mori markash së bashku me Tab, ujin e arrave të kokosit Zico dhe lëngjet e frutave Odwalla.

Grevat dhe ri-formatimi i tyre i brendshëm kanë ndikuar vetëm pjesërisht tek teknika e tyre kryesore e biznesit së fundmi. Për vite me radhë këto firma kanë rritur ofertën e tyre për klientët, duke prodhuar që nga pijet me gaz tek uji i arrave të kokosit, tek smuthis, çaji i fermentuar, opsione të ndryshme të qumështit, dhe fusha të tjera të ndryshme interesi, të cilat ishin një territor i ri premtues.

Por tani, biznesi po përqendrohet tek një numër më i vogël kategorish, dhe duke u fokusuar tek pijet që japin gjallëri, tek kafeja ekspres si dhe tek pijet e buta të gazuara konvecionale, shprehet Howard Telford, kreu i pijeve të buta në Euromonitor Worldwide.

Ndryshimi më i fundit, si teknika e mëparshme e zgjerimit, shfaq një mënyrë të bërit biznes e cila kërkon të përmbushë shijet e klientëve të cilat ndryshojnë shumë shpejt. Konsumimi i lëngjeve të frutave dhe pijeve me gaz ka rënë ndjeshëm tek individët që kërkojnë të ulin konsumin e tyre të sheqerit, në favor të opsioneve të barasvlershme të tilla si salca me shije dhe ujë në shishe. Ndërkohë po rritet kërkesa për pije praktike – pijet që i ndihmojnë individët që të rrinë zgjuar ose që të përqendrohen, për shembull, ose të sigurojnë një përfitim nga ana e mirëqenies, të tilla si pijet e pasura me antioksidantë. Si pasojë, kafet ekspres dhe pijet gjallëruese janë në rritje.

Burimi: Washington Post 

Qendra Alert

alert.al

Ushqimet që duhen shmangur gjatë shtatzanisë

Një dietë ushqyese dhe e ekuilibruar është një pjesë e rëndësishme e një shtatzanie të shëndetshme. Sidoqoftë, ushqime dhe pije të caktuara, mund të rrisin rrezikun e dëmtimit të foshnjës të palindur. Njohja e ushqimeve që duhet të shmangni dhe zgjedhja e alternativave të sigurta do të sigurojë shëndetin tuaj dhe të foshnjës tuaj. Sidoqoftë, nëse keni ngrënë aksidentalisht diçka potencialisht të rrezikshme, shanset janë të vogla që ajo të shkaktojë një dëm të menjëhershëm. Nëse shfaqni simptoma të helmimit nga ushqimi, gjithmonë kontaktoni mjekun tuaj, i cili mund t’ju këshillojë më tej.

Pse gratë shtatzëna duhet të shmangin ushqime të caktuara?

Gjatë shtatzënisë është e rëndësishme të shmangni disa ushqime që mund të dëmtojnë foshnjën tuaj të palindur. Disa përbërës të ushqimit ose shtesave të ushqimeve, si dhe agjentë infektues të tillë si, bakteret dhe toksinat e tyre, viruset ose parazitët, mund të shkaktojnë sëmundje, i cili njihet edhe si helmim nga ushqimi.

Helmimi nga ushqimi është zakonisht i ngadaltë dhe do të shfaqë vetëm simptoma të lehta të ngjashme me gripin dhe problemet e tjera gastro-intestinale si ethe, të vjella ose diarre. Megjithatë, me ndryshimin e sistemit imunitar gjatë shtatzënisë,gratë  shtatzëna janë në rrezik më të madh të sëmuren nga agjentë të caktuar infektivë si listeria në ushqime sesa popullata e përgjithshme. Për më tepër, disa mikrobe që shkaktojnë sëmundje mund të jenë të dëmshme për fetusin. Megjithatë, rreziqet e përgjithshme të marrjes së sëmundjeve të shkaktuara nga ushqimi janë të ulëta. Duke zgjedhur dhe përgatitur me kujdes ushqimin tuaj mund ta ulni rrezikun edhe më tej.

Ushqimet e mëposhtme duhen kufizuar ose shmangur gjatë shtatzanisë:

Djathëra dhe qumësht të papërpunuar/ pasterizuar

Pasterizimi është një proces ku nxehtësia aplikohet për të vrarë bakteret potencialisht të dëmshme. Gjatë shtatzënisë, këshillohet që të qëndroni larg qumështit dhe kremit të papasterizuar, si dhe të gjithë djathrave të butë me myk ose me një lëkurë të bardhë të bërë nga qumështi i papasterizuar (i papërpunuar), duke përfshirë djathërat brie, camembert, chèvre (një lloj djathi dhie), rokfort, gorgonzola dhe djathrat blu danezë. Këto djathëra mund të përmbajnë Listeri, një bakter që mund të shkaktojë një sëmundje të quajtur listeriozë.

Të gjithë djathërat e tjerë janë të sigurtë për tu ngrënë! Mund të ushqeheni me djathëra të butë të prodhuar me qumësht të pasterizuar, të tilla si djathi feta, djathërat kremozë, moxarela etj.

Të gjithë djathërat e fortë janë të këshillueshëm të konsumohen gjatë shtatzanisë, edhe pse mund të jenë të gatuar me qumësht që nuk është pasterizuar. Djathi parmexhan për shembull përmban shumë pak ujë, kështu që bakteret e kanë më të vështirë që të mbijetojnë dhe të rriten aty.

Mish i pagatuar mirë

Mishi i papërpunuar ose i pagatuar, duke përfshirë dhe sallamet, proshurat etj., mund të përmbajnë parazitë të dëmshëm si Toxoplasma gondi ose baktere si Salmonella ose Listeria. Mishi duhet gatuar gjithmonë mirë edhe në brendësi të tij.

Vezët e pagatuara mirë

Vezët gjithashtu mund të kontaminohen me bakteret e salmonelës dhe mund të shkaktojnë helmim nga ushqimi. Salmonela nuk mund të mbijetojë në temperatura të larta. Prandaj vezët duhen gatuar mirë. Shmangni ushqimet që janë gatuar në shtëpi dhe që kanë në përmbajtjen e tyre vezë, të tilla si majoneza dhe ëmbëlsira. Por iu mund të ushqeheni me majonezë dhe akullore të blera në supermarket sepse ato janë të gatuara me vezë të pasterizuara dhe në këtë mënyrë janë të sigurta për tu konsumuar.

Produkte deti të pagatuara mirë dhe peshq që kanë përmbajtje të lartë të mërkurit

Mund të ushqeheni me peshk ose produkte të tjera deti përsa kohë ata janë të gatuara mirë, në mënyrë që të shmangni helmimin nga ushqimi. Ushqimet që përmbajnë produkte të pagatuara mirë të peshkut në brendësi të tyre, të tilla si sushi, si dhe të githa llojet e gaforreve dhe karkalecëve duhet që të shmangen.

Produktet e peshkut inkurajohen gjatë shtatzënisë sepse janë një burim i madh i acideve yndyrore të shëndetshme. Sidoqoftë, disa lloje peshqish që janë të pasur me mërkur duhet të shmangen sepse mërkuri përtej normave mund të dëmtojë fetusin. Kjo përfshin edhe konsumimin e shumicës së peshqve grabitqarë të tillë si peshkaqenët, peshkun shpatë etj.

Ngrënia e dy porcioneve të peshkut me mërkur të ulët në javë nuk paraqet rrezik në rritje për foshnjën e palindur. Ju mund të kufizoni marrjen tuaj të mërkurit duke zgjedhur peshk me nivele të ulëta të mërkurit si salmoni, merluci ose karkaleca deti. Kufizoni gjithashtu konsumimin e peshkut ton në një racion të freskët ose 4 racione ton të konservuar në javë.

Lakër të papërpunuar, sallata të gatshme për të ngrënë

Ushqimi i lakrave të papërpunuara mund të jetë i rrezikshëm gjatë shtatzënisë. Lakrat e papërpunuara, për shembull lakrat e fasuleve, jonxhës dhe rrepkës, si dhe sallatat e gatshme për të ngrënë mund të përmbajnë baktere të dëmshme si Listeria, Salmonella dhe E.coli. Larja e tyre nuk është e mjaftueshme për t’u siguruar që ato janë të sigurta prandaj mos i konsumoni  të papërpunuara. Për të vrarë bakteret e dëmshme, ato duhet të gatuhen tërësisht.

Ju ende mund të konsumoni marule dhe perime të paketuara dhe të lara paraprakisht, për sa kohë që i ruani në frigorifer dhe u jepni një larje tjetër para se t’i konsumoni.

Në përgjithësi, perimet dhe frutat janë të sigurta për t’u ngrënë dhe janë pjesë e rëndësishme e një diete të shëndetshme gjatë shtatzënisë. Sidoqoftë, mos harroni t’i lani gjithmonë mirë para se t’i konsumoni ose t’i përgatitni për të hequr çdo gjurmë të dherave në to. Ekziston një shans i vogël që frutat dhe perimet e palara mund të kontaminohen me baktere të dëmshme ose parazitë si Toxoplasma gondii.

Të brendshme të gjedhëve të tilla si mëlçia dhe suplementet e vitaminës A

Shmangni ngrënien e mëlçisë, pasi mëlçia është e pasur me vitaminë A. Disa studime kanë lidhur sasitë e mëdha të vitaminës A me defekte të lindura dhe dëmtime të mëlçisë. Prandaj nuk rekomandohet të merrni ndonjë shtesë dietike që përmban një dozë të lartë të Vitamina A gjatë shtatzënisë. Gjithashtu, ajo duhet shmangur pasi mund të përmbajë bakteret Listeria dhe virusin e hepatitit.

Alkooli

Pirja e alkoolit nuk është e sigurt në asnjë fazë gjatë shtatzënisë dhe nuk ka një nivel të sigurt të konsumimit të alkoolit gjatë shtatzënisë. Alkooli mund të kalojë nëpër placentë dhe fëmija do të ekspozohet ndaj alkoolit në gjak. Meqenëse mëlçia e foshnjës nuk është zhvilluar ende plotësisht, alkooli nuk do të prishet shpejt dhe nga ana tjetër mund të ndikojë në zhvillimin e foshnjës.

Sidoqoftë, nëse keni pirë herë pas here para se të kuptoni se jeni shtatzënë, duhet të ndaloni pirjen pasi të zbuloni se jeni shtatzënë.

Sa më shumë që pini gjatë shtatzënisë, aq më të mëdha janë rreziqet. Pirja gjatë shtatzënisë mund të shkaktojë sindromën e alkoolit të fetusit (FAS), një gjendje serioze ku foshnja ka probleme të rënda mendore dhe fizike gjatë gjithë jetës.

 

Kafeina

Gjatë shtatzënisë, rekomandohet të kufizoni marrjen e kafeinës në 200 mg në ditë nga të gjitha burimet. Një filxhan kafe filtër (200 ml) përmban rreth 90 mg kafeinë. Kafeina gjithashtu mund të gjendet natyrshëm në çaj, çokollatë dhe disa pije të buta dhe energjike. Edhe pse rreziqet janë të vogla, marrja e madhe e kafeinës (> 300 mg në ditë) gjatë shtatëzanisë është shoqëruar me një rrezik në rritje të peshës së ulët të lindjes. Më tej, disa dëshmi sugjerojnë që nivelet e larta të kafeinës mund të lidhen me rritjen e rrezikut të abortit dhe lindje të vdekur të foshnjës, kështu që është mirë të qëndroni nën kufirin e rekomanduar të sigurt të sigurt prej 200 mg në ditë.

Nëse jeni një person që konsumoni shumë kafe, përpiquni të ulni gradualisht konsumin tuaj ose ta zëvendësoni kafen me çajra pa kafeinë.

Ushqehuni me qetësi gjatë gjithë shtatzënisë

Edhe pse ka disa ushqime të cilave duhet t’u kushtoni vëmendje gjatë shtatzënisë, kanë mbetur ende shumë ushqime për tu shijuar! Mos u shqetësoni nëse keni ngrënë aksidentalisht diçka potencialisht të rrezikshme. Shanset që të shkaktojë dëm janë shumë të vogla. Sidoqoftë, gjithmonë kontaktoni mjekun tuaj nëse jeni të shqetësuar ose nëse përjetoni simptoma që mund të tregojnë helmim nga ushqimi, të tilla si të vjella, ethe ose diarre.

Burimi: EUFIC

Qendra Alert

alert.al

EKSKLUZIVE/ Raporti i KLSH 2018-2020: Suzami me oksid etileni, erdhi nga India, Greqia dërgoi “alert”, Shqipëria nuk e asgjëson

Buka me fara të zeza susami mund t’ju dëmtojë shëndetin në ndonjë rast, sepse AKU nuk i kontrollon as tregtarët, as importuesit. Susami bëhet shumë i rrezikshëm për t’u konsumuar, kur ka mbi normë oksid etileni. Të paktën tre raste janë të konfirmuara zyrtarisht nga kontrolli i KLSH* tek DRAKU Tiranë, pasi janë konstatuar sasi të produktit fara të zeza susami me këtë përmbajtje të rrezikshme. Shqetësimi i ardhur nga indiciet nuk i detyroi inspektorët të asgjësonin rreth 5 ton susam të ardhur nga India përmes Greqisë, por e lanë produktin në dorë të importuesve.

“Asgjësoje vetë ose ktheje në Indi”

Në inspektimin e datës 14 dhjetor 2020, tek subjekti X, adresa Njësia 2 rruga e Elbasanit, me objekt “sipas indicieve të veçanta nga konsumatorët, rrjetet, autoritet publik etj.”, inspektorët kanë bllokuar produktin 100 kg fara të zeza susam me oksid etileni mbi normë. Ky produkt përshkruhet me risk të lartë në shëndetin e njeriut. Suzami ka ardhur nga India nëpërmjet pikës kufitare greke. Inspektorët i kanë bërë foto dhe kanë bashkëngjitur dokumentacionin shoqërues, si dhe lënë detyrë pa afat subjektit për asgjësim ose kthimin në origjinë. Sipas auditimit, DRAKU nuk disponon dokumente për asgjësimin e tyre. Pra, malli i është lënë dorë tregtarëve, që dyshohet se mund ta kenë shpërndarë tek prodhuesit e bukës dhe pastiçeritë.

S’ka dokumnet asgjësimi për suzamin e futur nga Greqia

Inspektimi i datës 11 dhjetor 2020, në një subjekt tjetër me adresë në Kashar, ka të shënuar si objekt “me indice të veçanta nga konsumatorët, rrjetet, autoritet publik etj.”

Inspektorët kanë kryer verifikim të plotë, ku kanë trajtuar shkeljen e ankimuar, kanë bllokuar produktin 50 kg (fara të zeza susam me oksid etileni mbi normë, me risk të lartë në shëndetin e njeriut. Ky produkt ka ardhur nga India nëpërmjet pikës kufitare greke. Inspektorët kanë  bashkëngjitur dokumentacionin shoqërues, madje dhe deklaratën doganore, akt-kontrollin e Pikës së kalimit Kufitar, faturat, dokumentin e origjinës Greqi, etj. Ata kanë lënë detyrë për asgjësimin e produktit, me risk të lartë në shëndetin e njeriut, me një firmë të specializuar, duke lajmëruar AKU-në për asgjësimin. Nga kontrolli rezultoi se nuk është kryer pasi nuk ka dokument asgjësimi.

Pse nuk u asgjësua brenda 2 javësh suzami?

Në inspektimin datë 11 dhjetor 2020, në subjektin e tretë, që ndodhet me adresë në Njësinë 6 Tiranë, me objekt “me indicie të veçanta nga konsumatorët, rrjetet, autoritet publik etj.” janë gjetur gjendje 4,1 ton fara të zeza susami me oksid etileni mbi normë me risk të lartë në shëndetin e njeriut, ardhur nga India nëpërmjet pikës kufitare greke.   Sipas  procesverbalit të inspektimit dhe vendimit përfundimtar  11 dhjetor 2020  thuhet se “bllokohet në subjekt sasia 4,1 ton” duke i bërë foto dhe i lihet subjektit detyrë 2 javore për asgjësim.       [

Por, sipas auditimit të KLSH, nuk disponohen dokumente që argumentojnë bllokimin dhe asgjësimin (proces verbal bllokimi, procesverbal asgjësimi me komision).

Në 3 subjektet paraqitet pasiguri ushqimore, konkludon grupi i auditimit i KLSH.  Fara e zezë susam me oksid etileni mbi normë e ardhur nga India nëpërmjet pikës kufitare greke, duhej të asgjësohej në vend me komision.

Kjo nuk është bërë. Mungon përgjigjja e subjektit brenda 2 javësh për asgjësimin e produktit, detyrë e lënë nga inspektorët, po ashtu nuk ka dokument për kthimin e produktit tek furnitori në Indi.

Përfundimisht, inspektimi ka mbetur në evidentim faktesh nga informacioni i të tretëve, duke mos eliminuar produktin e pasigurt  ushqimor.

Kjo sasi e bllokuar e produktit fara susami përmendet edhe në raportin vjetor të AKU, me detyrën që të asgjesohet. “Në momentin e kontrollit, sasia e produktit të importuar për Shqiperinë në sasinë 4.1

ton dhe datë skadence 31.07.2022 u gjend në ambientet e subjektit. OBU ishte njoftuar paraprakisht nga ana a subjektit eksportues grek se ky produkt me origjinë nga India duhet bllokuar. Ky produkt do të mbetet i bllokuar ne ambientet e subjektit deri ne asgjesimin përfundimtar të tij” nënvizohet në raportin e AKU.

Ajo që të bie në sy nga ky paragraf i raportit vjetor të AKU është se OBU  (Operatori i biznesit ushqimor) ishte njoftuar për rrezikun e produktit nga partneri i tij në Greqi, por nuk lajmëronte AKU-në, siç është ligji, që të bënte asgjësimin e produktit. Nëse do të kishte në plan ta asgjësonte ose ta rikthente në vendin e origjinës, këtë do ta kishte bërë me kohë. Fakt është se kontrolli i KLSH nuk gjen asnjë gjurmë, dokument në dosjen e praktikës së DRAKU Tiranë, që të vërtetojë fatin e susamit të rrezikshëm për shëndetin. Po ashtu, si në raste të tjera, në Pikën e Kalimit Kufitar ky produkt i rrezikshëm, i bllokuar nga Greqia, ka kaluar në Shqipëri pa problem.

*KLSH ka kryer një  konktroll në Drejtorinë Rajonale të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit Tiranë (DRAKU) për periudhën nga data 1 janar 2018 deri 30 dhjetor 2020. Nga kontrolli rezultojnë shkelje të rënda financiare, të Ligjit për ushqimin dhe vendimeve të qeverisë për kontrollin e cilësisë së produkteve ushqimore, duke mos mbrojtur interesin e konsumatorit.

Qendra Alert

alert.al/

Në trupin tonë jetojnë rreth 5 mijë lloje të ndryshme bakteresh

Një grup studiuesish italianë ka identifikuar rreth 5 mijë lloje të bakterieve që jetojnë në trupin e njeriut, kombinimet e të cilëve mund të krijojnë kushte të ndryshme përsa i përket alergjive, obezitetit, si dhe sëmundjeve autoimune.

Sipas asaj që kanë deklaruar shkencëtarët, rreth 77% e këtyre baktereve deri tani janë të panjohura për studiuesit.

Vëzhgimet shkencore deri tani kanë treguar që popullsitë që nuk i përkasin perëndimit, të tilla si ajo afrikane dhe Amerikës së Jugut, mbartnin një numër më të madh llojesh bakteriale sesa popullsitë perëndimore. Sipas studiuesve, një gjë e tillë vjen si pasojë e faktit që popullsitë jo perëndimore ishin më pak të studiuara më parë dhe sepse stili i tyre i jetesës promovon një diversitet më të madh të mikroorganizmave në sistemin tretës në krahasim me popullsitë e industrializuara.

Hipoteza e shkencëtarëve është që mikro-organizmat kanë bashkë-evoluar me njerëzimin për miliona vite, por stili i jetës i botës së modernizuar perëndimore, rritja e kushteve higjienike, dhe një akses më i madh ndaj antibiotikëve dhe medikamenteve të tjera, si dhe dieta me shumë yndyrë, mund të ketë pasur një ndikim në uljen e mikroorganizmave në sistemin tretës.

Burimi: Wired.it

Qendra Alert

alert.al

Botanistët: Specat janë fruta

Jemi duke iu paraqitur pyetjen tonë të ditës: A janë specat fruta, apo bëjnë pjesë në familjen e perimeve? Nëse thoni, ‘Të dyja!’, Urime – jeni fitues të këtij raundi. Nëse jeni thjesht të hutuar, na lejoni të japim disa shpjegime.

Me siguri keni dëgjuar se domatet dhe avokadot – janë teknikisht fruta. Në fakt, çdo botanist do t’iu tregojë se ajo që e dallon një frut nga një perime është se e para sipas përkufizimit shkencor është një pjesë e prodhimit që mbart farën. Domatet kanë një tufë farash të vogla, avokadot kanë një të madhe dhe si të tilla, të dyja janë teknikisht fruta. Me këtë në mendje, është e qartë se specat, djegës apo jo, i përshtaten gjithashtu profilit të frutave. Nëse nuk na besoni, mund të konsultoheni me përkufizimin e enciklopedisë britanike për specat për të konfirmuar këtë fakt argëtues: Specat, janë një lloj fruti, që na jepet nga një bimë me lule.

Por, çfarë thonë botanistët për përkufizimin e perimeve? Nuk është se thonë shumë gjëra në fakt. Mesa duket fjala ‘perime’ është një term i përgjithshëm për bimësinë – ose për një pjesë të bimësisë- qoftë ai frut apo jo. Thënë kjo, njerëzit e zakonshëm që nuk janë botanistë, janë më shumë të interesuar për përkufizimin funksional sesa atë teknik. Kështu që në këtë mënyrë, nuk ka asgjë të keqe që nga ana funksionale specat të vazhdojnë të quhen sërish perime.

Të njëjtin problem kanë dhe bimë të tjera si ulliri, patëllxhanët, kungujt, misri dhe bizelet – duke shtuar dhe domatet dhe avokadot – të cilat teknikisht janë të gjitha fruta, por që njerëzit kanë dëshirë ti mendojnë si perime. Me fjalë të tjera, specat nuk janë vetëm.

Burimi: Yahoo Life

Qendra Alert

alert.al

Rastet e infektimit me Salmonelë në rritje, çfarë duhet të kemi parasysh për tu mbrojtur?

Gjatë muajve të fundit, rastet e infektimit të ushqimeve me Salmonelë kanë qenë në rritje, veçanërisht në Kanada, Gjermani dhe Britaninë e Madhe. Situata në Shqipëri paraqitet e stabilizuar dhe rastet nuk kanë qenë më të shumta sesa zakonisht.

Më poshtë do të japim disa këshilla sesi ta ruajmë dhe ta përgatisim mishin, veçanërisht atë të pulës që është dhe më i ndjeshëm ndaj këtij kontaminimi:

  1. Mishi i pulës të përgatitet në mënyrë të veçantë nga produktet e tjera.
  2. Mishi i pulës të ruhet në një temperaturë maksimale prej 4°C, dhe të gatuhet dhe të konsumohet brenda datës së skadencës.
  3. Pula e blerë të hiqet nga paketimi dhe të ruhet në një kuti, që të mund të mbajë ujin që mund të vijë si pasojë e shkrirjes.
  4. Materialet e paketimit të hiqen me kujdes dhe të hidhet menjëherë uji i përfituar nga shkrirja e pulës.
  5. Pula të mos lahet me ujë të rrjedhshëm sepse pikat e ujit mund të shpërndajnë baktere; është më mirë që të fshihet me kujdes me anë të një letre që thith ujin, e cila duhet që të hidhet menjëherë.
  6. Enët të cilat kanë mbajtur pulën e freskët apo sipërfaqet e tjera që kanë rënë në kontakt me të duhet që të lahen me ujë të nxehtë dhe me detergjent, përpara se ato të përdoren për diçka tjetër.
  7. Duart të lahen vazhdimisht me ujë të nxehtë dhe sapun pas çdo faze të përgatitjes së mishit të pulës.
  8. Pula të gatuhet mjaftueshëm, derisa të arrijë së paku +70°C në brendësi të saj dhe të qëndrojë të paktën për 2 minuta në këtë temperaturë.

Burimi: Corriere della Sera

Qendra Alert

Alert.al