Menu

Konsumatori

Bllokohet linja e akullores, analizat e nxorën prodhimin të pakonsumueshëm

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) njeofton se bllokoi dje një linjë linjë të prodhimit të akullores. Masa urgjente u vendos pas konfirmimit të raport provës nga laboratori mbi përmbajtjen e substancave të dëmshme në akullore. Gjithashtu subjektit iu vendos gjobë për shkeljen e rregullave të prodhimit të ushqimeve.

Ndërkohë Drejtoritë Rajonale të AKU- së (DRAKU) kanë ushtruar veprimtarinë e tyre në bazë të planit vjetor të inspektimit me bazë risku dhe mbi bazën e denoncimeve të ardhura në rrugët e komunikimit të institucionit ([email protected] / nr. Gjelbër 08007575).

AKU thotë ka kryer 144 kontrolle zyrtare dhe monitorime në të gjithë vendin, brenda ditës së djeshme. Gjatë kontrolleve zyrtare në operatorët e biznesit ushqimor janë dhënë 10 masa me paralajmërim. Këto masa janë dhënë për shkak se nuk është kryer rinovim i librezës shëndetësore të personelit, ambienti është i pa sistemuar, përdoret ujë i pa analizuar dhe për mosrealizim te detyrave të lëna në inspektimet e mëparshme.

“Janë lënë detyra për operatorët e biznesit ushqimor për përmbushjen e detyrimeve të tyre përkundrejt bazës ligjore dhe garantimit të sigurisë ushqimore”, njoftoi AKU.

Po ashtu, referuar Planit Vjetor të Marrjes së Mostrave me bazë risku, janë marrë 15 mostra në produkte ushqimore të natyrave të ndryshme.

Qendra Alert

alert.al/

EKSKLUZIVE/ Raporti i KLSH 2018-2020: 1.5 milionë litra pije të skaduara vetëm në një subjekt, presin me muaj dhe vite t’i asgjësojë DRAKU Tiranë

Do të habiteni kur të mësoni se sa shumë lëngje frutash, Coca Cola, pije freskuese dhe pije alkoolike arrijnë afatin e skadencës dhe vazhdojnë qëndrojnë më pas në treg.

Rreziku është se deri sa të asgjësohen, pas disa muajsh, shpesh 2-3 viteve, pijet mbeten nëpër magazina dhe supermarkete. Për më tepër, KLSH* ka zbuluar gjatë kontrollit tek DRAKU Tiranë, për tre vitet e fundit, se procesi i asgjësimit të pijeve është i dyshimtë.

Grupi i auditimit kontrolloi 11 dosje asgjësimi që i përkasin vitit 2019 në Tiranë. U konstatuan 33 inspektime për këtë viti tek subjekti X për asgjësimin e pijeve të skaduara në sasinë 733,966 litra pije joalkoolike, me vlerë 54,103,107 lekë.

Më hollësisht, në maj 2019, janë kryer 14 inspektime për asgjësimin e 208,164 litra me vlerë 18,945,441 lekë pije të skaduara, në bazë të kërkesës së subjektit më 24 prill 2019.

Ajo që zbuloi grupi i auditimit i KLSH është se inspektimet nuk janë të plota, pasi fazat e zhvillimit të procedurës së asgjësimit nuk shoqërohen me dokumente justifikuese. Mungojnë procesverbalet e asgjësimit, por është mjaftuar me procesverbalet e inspektimit, të cilat nuk janë firmosur nga përfaqësuesit e inspektoratit Mjedisor dhe Tatimeve. Nuk ka fletëdalje të subjektit, për efekt të shkarkimit nga magazina të produkteve të asgjësuara. S’ka foto të ambientit të subjektit dhe vendit ku janë asgjësuar produktet. E çuditshme! Mungon edhe nënshkrimi i drejtorit të DRAKU Tiranë në 14  vendimet përfundimtare të asgjësimit. Kjo, sipas raportit të auditimit, anashkalon miratimin e  vendimmarrjes dhe mbikëqyrjen e procedurave të asgjësimit. Grupi është mjaftuar vetëm me nënshkrimin e inspektorëve.

Më tej, tek i njëjti subjekt, në korrik 2019, janë kryer 2 inspektime nga inspektorët për asgjësimin e 46,034 arka ose 119,295 litra pije joalkoolike me vlerë 1,693,279 lekë të skaduara. Ky veprim kryhet në bazë të kërkesës më datë 5 korrik 2019 të subjektit X dhe sipas autorizimit të drejtorit të DRAKU Tiranë. Nga auditimi rezulton se inspektimet nuk janë të plota. Ashtu si edhe në rastet e tjera, fazat e zhvillimit të procedurës së asgjësimit nuk shoqërohen me dokumente justifikuese. Megjithatë, për këtë praktikë disponohen fotografimet. Nga ana tjetër, mungojnë procesverbalet e asgjësimit, fletëdalja e subjektit, për efekt të shkarkimit nga magazina të produkteve të asgjësuara. Po ashtu nuk ka firmosur drejtori.

Duket se këtë verë, konsumatorët nuk kanë blerë shumë pije freskuese, ose janë prodhuar shumë më tepër se kërkesa e tregut. Tek i njëjti subjekt, në shtator 2019, janë kryer 10 inspektime nga inspektorë për asgjësimin e 238,698 litra me vlerë 21,363,855 lekë pije joalkoolike e skaduar. Ky akt bëhej në bazë të kërkesës më datë 30 gusht 2019 të subjektit  X dhe sipas autorizimit të drejtorit. Auditimi konstaton sërish se mungojnë dokumentet që vërtetojnë dhe justifikojnë asgjësimin e këtyre produkteve. Por më e habitshmja është se mungon fletëdalja nga magazina e subjektit. Si ka mundësi, që këto produkte nuk bëhen dalje nga magazina, nëse asgjësohen?

Të skaduara në janar, agjësohen në shtator!

Por, vini re, më e keqja vjen tani! Grupi i auditimit konstaton se 11880 litra Coca-Cola Zero dhe Cherry 33×24 (36,000 copë) u ka mbaruar skadenca më datë 4 janar 2019. Si mund të ndodhë kjo, kur tek kjo kompani janë kryer asgjësime në muajin maj dhe korrik 2019. Përse nuk iu dorëzua grupit të inspektimit për asgjësim kjo sasi pijesh? Sigurisht që këto sasi të mëdha pijesh nuk ka qenë në magazinë, por në vitrinat e tregut, në shitje. Dhe jo pak, por 9 muaj jashtë afatit të përdorimit!

Ndërkaq, në dhjetor 2019, janë kryer 7 inspektime nga inspektorët për asgjësimin e 167,154 litra me vlerë 12,100,532 lekë pije e skaduar, në bazë të kërkesës në datë 25 nëntor 2019, sërish nga subjekti X dhe sipas autorizimit të drejtorit. Vazhdojnë të njëjtat probleme pasi fazat e zhvillimit të procedurës së asgjësimit nuk shoqërohen me dokumente justifikuese.

Sa produkte asgjësohen në Tiranë?

Për vitin 2018 janë kryer asgjësime të produkteve ushqimore në sasinë 1684 ton me vlerë 654 milionë lekë. Për vitin 2019 janë asgjësuar 1518 ton produkte ushqimore me vlerë 214 milion lekë, në 94 subjekte.

Për vitin 2020 janë asgjësuar 2012 ton me vlerë 329 milion lekë, në 85 subjekte. Pra, vihet re se në vitin e fundit janë dyfishuar sasitë e asgjësuara, ndërkohë që është ulur numri i subjekteve. Këto rezultate, edhe pa i analizuar në një kuadër më të gjerë informacionesh, duket qartë se nuk tregojnë situatën e vërtetë në terren.

Shkeljet e inspektorëve gjatë procesit të asgjësimit?  

Nga auditimi i 43 praktikave dokumentare të procedurave të asgjësimit të produkteve për vitin 2019 dhe 2020, nga auditimi i KLSH u konstatuan këto shkelje në mënyrë të përmbledhur:

  1. Në shumicën e rasteve mungon procesverbali i rregullt i asgjësimit me komision të veçantë.
  2. Mungon fletëdalja c subjcktcvc, për efekt të shkarkimit nga magazina të produkteve të asgjësuara, dokument vërtetues dhe bazë që fakton daljen nga magazina të tyre.
  3. Në disa raste mungon dokumenti i shoqërimit për transportin e produkteve për në vendin kudo të kryhet asgjësimi.
  4. Mungojnë fotot e artikujve të skaduar, ambientit të subjektit dhe vendit të asgjësimit.
  5. Janë aplikuar 2 standarde në zbatimin e procedurave të asgjësimit të produkteve, pasi në disa raste disponohet dokumentacioni shoqërues i produkteve të asgjësuara, ndërsa ne disa raste nuk ekziston.
  6. Në të gjitha rastet mungon nënshkrimi i drejtorit të DRAKU Tiranë në vendimin përfundimtar për asgjësimin e produkteve të skaduara. Sipas KLSH, kjo mungesë e bën të paligjshme vendimmarrjen, pasi nuk ka vendim pa firmën dhe vulën e titullarit të institucionit.
  7. Mungon inventari i inspektorëve DRAKU për produktet e skaduara, për efekt të krahasimit dhe verifikimit të tyre me listën e subjektit, ndërsa thuhet u bë verifikimi i tyre sipas kërkesës së subjektit dhe nuk pasqyrohet në dokumente (inventari).
  8. Peshën më të madhe në asgjësimet e kryera e zënë pijet Coca Cola, ku nuk pasqyrohen fazat e procedurës së asgjësimit dhe nuk shoqërohen me dokumente justifikuese.
  9. DRAKU Tiranë, në disa raste nuk ka menaxhuar pasigurinë ushqimore, pasi nuk asgjësohen në moment produktet e skaduara, por qëndrojnë nga 5-6 muaj deri në 2-3 vite në subjekt. KLSH rekomandon që të grumbullohen në një ambient tjetër magazinimi nën menaxhimin e AKU për asgjesimin e menjëhershëm të këtyre produkteve.
  10. Nuk është përcaktuar saktë afati gjysmë dite në disa autorizime asgjësimi, pasi është e pamjaftueshme koha për inspektorët, për evidentimin, inventarizimin, asgjësimin, transportin, depozitimin, fotografimin dhe përgatitjen e dokumentacionit përkatës, për sasi të mëdha të produkteve të skaduara si: Coca Cola, lëng frutash, pije etj. Vetë inspektorët nuk kanë kërkuar kohë shtesë, çka ka ndikuar në cilësinë, sigurinë dhe mangësinë e inspektimit. Nëse është e pamundur të bëhet asgjësim i rregullt për gjysmë dite, kjo të lë të dyshosh nëse ka ndodhur apo jo ky proces? (vijon)

*KLSH ka kryer një konktroll në Drejtorinë Rajonale të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit Tiranë (DRAKU) për periudhën nga data 1 janar 2018 deri 30 dhjetor 2020. Nga kontrolli rezultojnë shkelje të rënda financiare, të Ligjit për ushqimin dhe vendimeve të qeverisë për kontrollin e cilësisë së produkteve ushqimore, duke mos mbrojtur interesin e konsumatorit.

Qendra Alert

Alert.al/

Oksidi i etilenit në akullore: mbi 100 marka të përfshira në Francë

Alarmi i oksidit të etilenit filloi në vjeshtën e vitit 2020 me farat e kontaminuara të susamit, që atëherë, shumë produkte – xhinxheri dhe erëzash të tjera, si dhe disa shtesa apo ngjyrues ushqimorë – janë tërhequr nga tregu si potencialisht të rrezikshëm. Edhe gjatë verës së këtij viti, në Francë, disa akullore të markave të ndryshme janë raportuar po ashtu për shkak të nivelit të lartë të këtij pesticidi.

Këto produkte nuk përmbajnë susam, xhinxher apo erëza të tjera të ndotura, por ato janë në rrezik pasi ka dy stabilizues në përbërjen e tyre. E para është mielli i farës së karobit (E410) për të cilin Drejtoria Franceze për Zbulimin e Mashtrimit (DGCCRF) ka lëshuar një paralajmërim i cili thotë: “Analiza e një stabilizuesi të përdorur në përbërjen e disa akulloreve, miellit të karobit [E410], zbuloi përmbajtje të oksidit të etilenit mbi kufirin maksimal rregullator ”. Substanca e dytë është një lloj çamçakëzi guar (E412).

Këto aditivë nuk përdoren vetëm në akullore. Në të vërtetë, javët e fundit në Francë, produkte të tjera që kanë përmbajnë të tillë janë tërhequr nga tregu.

Burimi: Affidia Journal of Food Diagnostics

Qendra Alert

alert.al

Si lodrat e lira për fëmijë po rrezikojnë rëndë shëndetin e tyre?

Tashmë lodrat për fëmijë gjenden kudo, në dyqane të posaçme për to, në shitës të vegjël ambulantë në rrugë, në qendra tregtare dhe madje kohët e fundit po shiten dhe në supermarkete. Çmimet variojnë, nga më të lirat dhe deri tek më të shtrenjtat, dhe prindërit jo gjithmonë janë të ndërgjegjshëm për rreziqet që ato mund të përbëjnë për shëndetin e fëmijëve. Më poshtë do të paraqesim disa raste të cilat janë denoncuar si raste rreziku në portalin e Komisionit Evropian, Safety Gate.

Top plastik për fëmijë

Topa plastikë të vegjël më ngjyra të ndryshme që shiten kudo nëpër Shqipëri, me motive ose shkronja shumëngjyrëshe të frutave. Topat kanë zgjatime të buta dhe një mekanizëm bilbil, një kordon elastik fleksibël dhe një mekanizëm ndezës brenda topit.

Këtij produkti i shkëputen pjesët përbërëse të tij. Si pasojë, një fëmijë mund ti gëlltisë apo të mbytet me to. Produkti nuk është në përputhje me kërkesat e Direktivës Europiane për Sigurinë e Lodrave EN 71 -1.

Autoritetet europiane kanë vendosur tërheqjen e këtij produkti nga tregu që nga qershori i këtij viti.

Lodër Kukulll

Rreziku kryesor nga kukullat me çmim të lirë që shiten shpesh në rrugë, është rreziku kimik që ato paraqesin, dhe që shpeshherë mund të arrijë deri në 35% të masës së kukullës. Këto kimikate, që i përkasin kryesisht ftalateve mund të dëmtojnë shëndetin e fëmijëve, duke shkaktuar dëmtime të mundshme në sistemin e tyre riprodhues.

Zakonisht produkti përmban një kukull, një çantë, një kapele dhe çizme. Koka e kukullës është prej plastike të butë, trupi – prej plastike më të fortë. Flokët e fibrave sintetike të kukullës janë të lidhura me një brez gome, dhe kukulla është e veshur me një fustan. Edhe ky produkt që mban emërtimin ‘Glam Girl’ Nr. 695 dhe është tërhequr nga tregu europian.

Kostumi i zjarrfikësit

Kompleti i kostumeve të zjarrfikësve  për fëmijë zakonisht përbëhen nga një kapelë sintetike, xhaketë dhe pajisje plastike për lodra (zjarrfikës, zorrë për ujin, radio CB, sëpatë, shufër dhe simbol). Kostumi i veshjes së zbukuruar është lehtësisht i ndezshëm dhe përhapja e flakës është shumë e lartë. Nëse merr flakë, fëmija mund të pësojë djegie. Produkti nuk përputhet me kërkesat e Direktivës për Sigurinë e Lodrave dhe standardin përkatës Evropian.

 

Bluza për fëmije të vegjël

Një tjetër rast i rrezikut që mund të vijë nga gëlltitja e dekorit të veshjeve për fëmijë dhe alarmi vjen nga një vend i integruar së fundmi në BE, Rumania. Bluza ka ngjyrë të kuqe me zemra vjollce, e destinuar për fëmijët 2 vjeç. Ka mbishkrimin “So Sweet” dhe një shtypje me zebër dhe me guralecë të ngjitur argjendi. Elementet e vogla dekorative në produkt (guralecët e ngjitur) mund të shkëputen lehtësisht. Një fëmijë i vogël mund t’i gëlltisë dhe të mbytet prej tyre. Produkti nuk përputhet me kërkesat e Direktivës së Përgjithshme të Sigurisë së Produktit dhe standardit Evropian. Në fund të qershorit të këtij viti, edhe ky produkt është tërhequr nga tregu europian.

Plastelinë

Plastelinat në përgjithësi janë të rrezikshme për fëmijët, por një lloj plasteline e re, më e lëngshme që qarkullon në treg, shquhet për përmbajtjen e lartë të elementit kimik të borit. Migrimi i borit nga plastelina është shumë i lartë (vlera e matur deri në 1953 mg/kg). Gëlltitja ose kontakti me një sasi të tepërt të borit mund të dëmtojë shëndetin e fëmijëve duke dëmtuar sistemin riprodhues të tyre.

Produkti nuk përputhet me Rregulloren REACH dhe kërkesat e Direktivës për Sigurinë e Lodrave dhe standardin përkatës Evropian, dhe për këtë arsye ai gjithashtu është tërhequr nga tregu.

Burimi: Safety Gate, Komisioni Europian

Qendra Alert

alert.al

 

EKSKLUZIVE/ Raporti i KLSH 2018-2020: Pronari subjekt i OFL, fshehu 2.5 ton produkte deti “të bllokuara”, AKU nuk bashkëpunoi me Policinë

Duke renditur shkeljet e kryera nga DRAKU Tiranë në inspektimet e kryera në tre vitet e fundit, KLSH* veçon zbulimin e një sasie të madhe produktesh deti të prishura, që dyshohet se përfunduan në treg.

Nga  inspektimi i kryer në subjektin X me autorizimin e datës 8 tetor 2018, sipas procesverbalit dhe vendimit perfundimtar më 19 tetor 2018, konstatohet se ishin 2530 kg karkaleca dhe peshk Merluc. Këto ishin produkte të ngrira, por u kishte ikur ngjyra. Inspektorët vlerësuan se nuk ka pasur drita elektrike për një farë kohe, ose duhet të ketë ndodhur ndonjë defekt në frigorifer.

Po ashtu u zbuluan defekte në ambalazhim dhe manipulim në ruajtjen e mallit. Në këto kushte vendos të bllokohej dhe të azgjësohej nga AKU kjo sasi porduktesh deti.

Gjoba nuk u pagua kurrë

Për shkeljet e konstatuara u muar masa administrative me gjobë 500 mijë lekë.

Nga të dhënat nga zyra e financës dhe zyra juridike konstatohet se në dosje nuk është shkresa e nisur subjektit për likujdimin vullnetar te detyrimit.

Pas kontrollit, DRAKU e harron peshkun dhe karkalecat dhe kujtohet për pronarin shumë kohë më vonë. Në kërkesën drejtuar Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë të drejtuar nga DRAKU më 12 nëntor 2019 ishte si lëndë kjo gjobë ndaj subjektit X.

Në vendimin e datës 19 nëntor 2019, Gjykata e Shkallës Parë Tiranë e ka lënë  në fuqi aktin administrativ dhe lëshimin e urdhrit ekzekutiv.

Pra, konstatojmë se nuk ka ndjekje të mëtejshme për fatin e karkalecëve dhe merlucëve të prishur. Por as për gjobën e vendosur nuk u kujtuan më. Kjo bëhet e qartë nga fakti se nuk është njoftuar zyra e përbaruesit privat, nuk ka shkresë të nisur në drejtim të subjektit të gjobitur. Sipas KLSH, me veprime e mosveprime i janë krijuar të ardhura të munguara shtetit me efekt negativ financiar në vlerën 500 mijë lekë.

Çfarë u bë me peshkun dhe karkalecat e bllokuar?

Në Procesverbal Inspektimin e datës 19 tetor 2018 në pikën 5 shkruhet se:

“U kostatuan sasia prej 2530 kg karkaleca dhe peshk  merluc, kjo e ndarë në 830 kg karkaleca dhe 1700  kg  merluc, produkte  jane te ngrira. Produktet janë mbajtur  në frigorifer ku ka munguar energjia elektrike, si pasojë shkrirja dhe ngrirja përsëri e produktit ka ndryshuar   vetitë organoleptike, ngjyrës dhe erës. Si i tillë, produkti është i pakosumueshëm. Për këtë arsye u bllokua produkti”.

Vërehet se sasia e bllokuar nuk ka as një foto dhe nuk shprehen në proces verbal, si kanë vepruar në bllokim të produktit, me shirit, me dyllosje, apo me kyç? Po ashtu, isnpektorët e DRAKU Tiranë nuk kanë caktuar afat kohor për asgjësimin e produktit.

Në dokumentacionin e kërkuar nga grupi auditues i KLSH, nuk ka ndjekje në kohë të produktit të pakonsumushëm. Sipas dosjes së praktikës, të paraqitur nga DRAKU, konstatohet se më vonë, në 30 prill 2019 është kryer një inspektim tjetër tek subjekti X.

Ne përshkrimin e objektit të inspektimit thuhet “Zbatimi i legjislacionit në fuqi”. Nga inspektimi i kryer është konstatuar se objekti është i mbyllur. Në inspektimin e dytë nuk ka as foto të bashkagjitur për mbylljen  e objektit  ose dokument nga QKL ku të vërtetohet statusi i subjektit.

Janë kryer edhe dy inspektime të tjera në këtë objekt nga inspektorët. Më 26 qershor 2020, në përshkrimin e inspektimit thuhet: “Zbatimi i legjislacionit në fuqi”.  Nga  inspektimi i kryer është konstatuar se objekti është i mbyllur. Po ashtu edhe me tre muaj me vonë, në inspektimin e radhës, në procesverbalin e mbajtur deklarohet se objekti është i mbyllur.

Ndërkaq, mësohet arsyeja pse u bënë papritur të zellshëm dhe nisën ta inspektojnë këtë subjekt inspektorët e DRAKU Tiranë. Pronari ishte subjekt i OFL dhe policia i kërkonte me ngulm DRAKU-t të dhëna mbi aktivitetin e subjektit me qëllim  që t’i bllokonte dhe sekuestronte pronat dhe aktivitetet.

Pra, ndërkohë që policisë i rezultonte se ky subjekt ekzistonte, ishte me status aktiv, për DRAKU-n ishte “i mbyllur”.

KLSH: Nuk u bashkëpunua me organet e tjera ligjzbatuese

Në dosje është një shkresë me  nr.245111 prot datë  18 dhjetor 2020 nga DRAKU, ku është kthyer përgjigje nga Drejtori i DRAKU për një infonnacion të kërkuar për subjektin X. Policia i kishte kërkuar të dhënat e këtij subjekti. Shkresa kishte ardhur nga Drejtoria e  Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Departamenti i Policisë Kriminale, “Operacioni Forca e Ligjit” (OFL).

Si përfundim, KLSH konstaton se sasia prej 2530 kg karkaleca dhe peshk merluc, kjo e ndarë në 830 kg karkaleca dhe 1700 kg merluc produkt i pakonsumueshëm, nuk është asgjësuar, por inspektorët janë mjaftuar vetëm me një bllokim dhe nuk kanë ndjekur procedurat e tjera ligjore.

Nga koha e bllokimit datë 18 tetor 2018 deri në inspektimin  e dytë në datën 30 prill 2019 periudhë 6 mujore nuk është vepruar nga DRAKU-Tiranë për ndjekjen e procedurave. Po ashtu konstatohet një mos bashkëpunim me organet e tjera ligj zbatuse, në këtë rast Policinë e Shtetit, konkretisht OFL-në.

Rekomandimi: DRAKU të ketë frigoriferin e vet

Justifikimi i përsëritur i inspektorëve të DRAKU-së Tiranë për mos marrjen në kontroll të ushqimeve të bllokuara është mungesa e ambjenteve nga AKU për mbajtjen e këtyre produkteve.

Pasi KLSH shprehet se përgjegjësia e lënies pa asgjësuar të produktit u takon 4 grupeve të inspektorëve të DRAKU Tiranë, lihet një rekomandim për drejtuesit e AKU.

Rekomandimi i KLSH për këtë fakt është që DRAKU dhe DPAKU të marrin masat e nevojshme, “duke analizuar dhe vlerësuar mundësitë e investimit në blerjen e dhomave frigoriferike ose marrjes me qira të tyre, me qëllim që produktet, të cilat bllokohen gjatë inspektimit dhe që do të asgjësohen, të ruhen në këto ambjente. Nëse ky proces finalizohet, vazhdon rekomandimi,-të sigurohen mimalisht 4 dhoma frigoriferike, pra 1 dhomë në dispozicion të 3 Qarqeve. Më konkretisht, dhoma frigoriferike për DRAKU Tiranë, të shërbeje edhe për DRAKU Elbasan dhe DRAKU Durrës, si dhe shërbimi i ruajtjes së produkteve të bllokuara në subjektet e inspektuara, t’u tarifohet atyre, deri në momentin e asgjësimit. Në këtë mënyrë çdo produkt, i cili bllokohet sipas përcaktimeve të Ligjit të ushqimit, nuk do t’i lihet në ruajtje subjektit, duke shmangur në këtë mënyrë edhe mundësitë, që produktit të futet përsëri në treg”. KLSH ka vendosur si afat kryerjen e këtij rekomandimi brenda  6 mujorit të dytë të vitit 2021. (vijon)

* * KLSH ka kryer një  konktroll në Drejtorinë Rajonale të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit Tiranë (DRAKU) për periudhën nga data 1 janar 2018 deri 30 dhjetor 2020. Nga kontrolli rezultojnë shkelje të rënda financiare, të Ligjit për ushqimin dhe vendimeve të qeverisë për kontrollin e cilësisë së produkteve ushqimore, duke mos mbrojtur interesin e konsumatorit.

Qendra Alert

alert.al

Pse qeset plastike janë të rrezikshme për të ruajtur ushqimin?

Ruajtja e duhur e ushqimit është e rëndësishme për ta mbajtur atë të sigurt për t’u ngrënë. Ngrënia e ushqimit, i cili nuk është ruajtur në mënyrën e duhur, potencialisht përmban rrezikun e sëmundjes së individit, veçanërisht nëse ena e magazinimit është një plastikë që përmban kimikate të rrezikshme. Universiteti Shtetëror i Pensilvanisë rekomandon ruajtjen e ushqimit në qese plastike – të dizajnuara vetëm për këtë qëllim – si jetike për mbajtjen e ushqimit të sigurt. Sidoqoftë, ruajtja e ushqimit në çdo lloj të plastikës, qese për ruajtjen e ushqimit ose qese të tjera plastike, mund të paraqesë rreziqe të caktuara për njerëzit.

Kimikatet

E gjithë plastika është bërë nga kimikate që kanë mundësi të dëmtojnë shëndetin e një personi. Kimikatet që përbëjnë plastikën janë BPA dhe DEHA. Sipas Institutit Amerikan për Politikën e Bujqësisë dhe Tregtisë, qeset ushqimore janë të përbëra nga polietileni me densitet të lartë ose polietileni me densitet të ulët dhe zakonisht kodohen për riciklim si 2 ose 4. Kur ushqimi ruhet në qese plastike, këto kimikate mund të depërtojnë në ushqim dhe më pas të gëlltiten nga individët. Kjo gjithashtu përfshin mbështjellësin plastik, i cili përbëhet nga përbërës të ngjashëm. Me kalimin e kohës këto kimikate janë lidhur me ndryshimet e indeve, dëmtimet gjenetike, gabimet kromozomale, abortin, defektet e lindjes, fillimin e hershëm të pubertetit dhe ndryshimet hormonale. Tek fëmijët, depërtimi kimik i qeseve mund të shkaktojë dëm në zhvillimin e sistemit imunitar të tyre dhe mund të rezultojë në prishje të hormoneve dhe probleme të sjelljes.

Dëmtuesit

Sipas studimeve të ndryshme, ushqimi i konservuar duhet të ruhet në enë hermetike për të parandaluar që dëmtuesit të hyjnë në to, përfshirë insektet dhe brejtësit. Qeset plastike ushqimore nuk janë hermetike dhe nuk duhen përdorur. Qeset e ruajtjes së ushqimit mund të thyhen ose të hapen nga dëmtuesit. Përdorimi i kavanozëve të qelqit është metoda e rekomanduar për ruajtjen e ushqimit të konservuar pasi mund të ketë transmetim kimik kur ushqimi ruhet në enë plastike.

Bakteret

Kur ushqimi nuk ruhet siç duhet, ai mund të krijojë baktere të dëmshme që mund ti sëmurin njerëzit. Këshillohet që ushqimi të ruhet në enë hermetike në frigorifer për të parandaluar kontaminimin bakterial. Një ushqim që nuk është mbështjellë siç duhet mund të infektohet me baktere nga ushqime të tjera në frigorifer që tashmë janë prishur, dhe mund ta përhapen gjithashtu. Për më tepër, mishrat që nuk janë të mbështjellë në mënyrë hermetike mund të pikojnë në ushqime të tjera, duke i kontaminuar ato me patogjenë ushqimorë, si E.coli ose salmonella. Qeset plastike ushqimore dhe qeset e ruajtjes së ushqimit mund të grisen ose të prishen kur zhvendosni ushqimin në frigorifer, gjë që krijon kushte që mund të rriten dhe përhapin bakteret.

alert.al

Franca i jep çdo adoleshenti 350 dollarë për ti shpenzuar për kulturën, por ata blejnë libra komikë

Qeveria franceze ka nisur një iniciativë me anë të një aplikacioni në telefon, në të cilën çdo 18 vjeçar në vend, mund të blejë shërbime apo produkte kulturore, të tilla si libra apo muzikë, bileta për ekspozita apo për performanca artistike të ndryshme. Por në vend që të zgjidhnin veprat më të mëdha artistike, shumë prej tyre kanë zgjedhur produkte të masmedias që i dëshironin dhe i pëlqenin edhe më përpara.

Instikti më i madh i të rinjve nuk ishte që të blinin veprat e Prustit apo që të rreshtoheshin për të parë Molierin.

Deri tani, librat përfaqësojnë 75% të blerjeve të bëra me anë të aplikacionit, që kur ai u aktivizua gjatë muajit maj të këtij viti, dhe shumica prej tyre janë libra komikë.

Adoleshentët mund të blejnë produkte fizike nga libraritë, dyqanet muzikore ose instrumente të muzikës. Mund të marrin bileta për shfaqje, teatro, koncerte ose ekspozita të ndryshme në muze. Gjtihashtu ato mund të regjistrohen për kërcim, pikturë apo klasa vizatimi.

Në fjalimin e inagurimit të këtij projekti, presidenti Emmanuel Macron, i cili e kishte premtuar këtë iniciativë gjatë fushatës së tij, tha që Franca do të korrte një fitore të paharrueshme sepse të rinjtë nuk do të thonin më që ‘kjo vepër arti nuk është për mua, ky film nuk është për mua’.

Ndërkohë që kritikët argumentojnë që t’iu japësh para 825 000 adoleshentëve dhe ti lësh afër qendrës më të afërt tregtare është një humbje naive e lekëve të taksapaguesve francezë.

Marrë me shkurtime nga: New York Times

alert.al

EKSKLUZIVE, Raporti i KLSH 2018-2020: Misër me aflatoksinë dhe hime nga Serbia pa etiketë, AKU u fali gjobat, nuk i asgjësoi ushqimet

Aflatoksina është një substancë e rrezikshme për shëndetin e njeriut, që mund të merret nga drithrat ose nga qumështi. Inspektorët e DRAKU Tiranë kanë zbuluar dhjetëra ton ushqim për blegtorinë, që rezulton ta kishte mbi normë këtë substancë, por nuk i kanë asgjësuar. KLSH* në raportin e auditimit, të cilin Qendra Alert e diponon,  konstaton se, jo vetëm që nuk janë ndjekur procedurat për këto ushqime të rrezikshme, por kompanive u janë falur edhe gjobat nga eprorët.

Zhduket misri që doli me aflatoksinë

Rasti më i çuditshëm që konstatohet nga inspektorët e DRAKU Tiranë është zhdukja e një sasie misri që analizat e nxjerrin me aflatoksinë.

Nga inspektimi datë 22 janar 2018 te subjekti X me aktivitet “Import ushqim për kafshët”, në Tiranë, rezulton se janë bllokuar 12,5 ton misër për blegtorinë me nga 50 kg/secili thes, pa etiketa, pa dokumentacion shoqërues dhe në mungesë të kushteve higjeno-sanitare të ambienteve ruajtjes.

Inspektorët vendosën 450,000 lekë për 3 gjoba sipas faturës datë 22.01.2018. Po ashtu, u mos masa “bllokim i pjesshëm i aktivitetit” deri në krijimin e kushteve higjeno-sanitare të ambienteve dhe 12,5 ton misër pa etiketim dhe dokumentacion.

Tre muaj më pas, kryhet një ri-impektim, më datë 16 prill 2018, lidhur me zbalimin e detyrave të lëna, ku është vendosur përsëri gjobë 50,000 lekë. Këtë radhë, gjoba është për prishje të shenjave dalluese të bllokimit, pasi nga subjekti misri është zhvendosur në ambiente me “kushte të përshtatshme higjeno-sanitare”, por nuk ka etiketim dhe dokumentacion.

Ndërkaq, në datën 24 janar 2018 është marrë mostër ushqim për kafshë, në stabilimentin, magazinë, pikë tregtimi te subjektit. Rezultoi: Mostra është marrë nga sasia 12,5 ton misër, disponohet analiza laboratorike dhe misri është brenda standardeve.

Por, ky subjekt ka marrë një mostër misri në Lushnjë për analiza me qëllim blerje, sipas deklaratës së subjektit më 17 prill 2018 dhe procesverbalit “ala marrje mostre” nr. 0001672,  datë 24 janar 2018.

Ndërkaq, analiza laboratorike datë 30 prill 2018 ka rezultuar mbi normë e Aflatoksinës B1, për rrjedhojë subjekti nuk ka lidhur kontratë me prodhuesin në Lushnjë.

DRAKU Tiranë ka verifikuar në vend subjektin në Lushnjë, datë 2 maj 2018, ku çuditërisht nuk ka rezultuar asnjë sasi e këtij misri. Sipas dokumenteve është njoftuar drejtorin përgjithshëm i AKU, i cili me shkresën 381, datë 30 prill 2018 ka njoftuar Ministrinë e Bujqësisë.

Komisioni i AKU u fal gjobat

Siç del nga raporti i KLSH, roli i drejtuesve të AKU është negativ dhe dekurajues ndaj inspektorëve duke shfuqizuasr gjobat që ata u vendosin subjekteve të gjetura me shkelje të rënda.

Mësohet se me vendimin nr. 899/1, datë 14 shtator 2020, ky komision ka fshirë të tria gjobat për këtë subjekt. Ky vendim, argumenton KLSH, është jashtë afatit ligjor dhe nuk qëndron, pra është i paligjshëm.

Sipas raportit të auditimit të KLSH, edhe DRAKU Tiranë ka përgjegjësinë e tij pasi nuk ka ekzekutuar 3 gjobat për vlerën 450,000 lekë, pavarësisht se komisioni AKU i ka shfuqizuar 3 gjobat e vendosura.

U gjet me ushqime me aflatoksinë, gjobat nuk i pagoi

Një praktikë tjetër për ushqimin për blegtorinë është kryer në një fabrikë prodhim, përpunim, shpërndarje të ushqimit për kafshë në Tiranë, në janar 2018. Ky është rasti kur gjobat nuk paguhen, edhe pse mbanin në magazina ushqime me aflatoksinë.

Nga kontrolli rezultojnë probleme, konkretisht: kushte higjeno-sanitare të papërshtatshme, dokumentacion i pjesshëm, mungon raport analiza e produkteve etj. Për këto u vendosën 5 gjoba në vlerën 900,000 lekë.

Nga verifikimi gjoba rezulton e paarkëtuar nga subjekti.

Inspektorët kanë marrë mostra të ushqimeve të ndryshme për kafshë, ku qumështi i lopëve ka rezultuar me mbi normë të Alfatoksinës B1, sipas raport analizës 31 janar 2018. Për pasojë ushqimi në magazinë është bllokuar, ndërsa për atë të tregut është tërhequr nga subjekti dhe aktiviteti është ndërprerë. Nuk ka dokumentacion për asgjësimin e produktit.

Himet nga Serbia pa etiketë

Inspektorët e kanë bërë rrugë që marrin masën e bllokimit, por nuk ndjekin më se çfarë bëhet me produktin. Dosja e inspektimit e DRAKU Tiranë, datë 18 janar 2018 të një subjekt me aktivitet  “Magazina importi për ushqimin e kafshëve”, pasqyron se janë bllokuar 4 ton hime të ardhura nga Serbia pa etiketë.

Për këtë është vendosur gjobë 400,000 lekë, nga kjo: 300,000 lekë për mungesë të kushteve të higjienës dhe 100,000 lekë për etiketimin.

Sipas auditimit të KLSH, grupi i inspektimit në fund të procedurës i ka lënë detyra subjektit për korrigjimin e shkeljeve, por nuk ka përcaktuar afatin kohor.

Dosja e inspektimit ka mangësi, pasi nuk disponohet njoftimi  i subjektit për korrigjimin e mangesive dhe po ashtu nuk ka ri-inspektim për bllokimin e 4 ton himeve.

Çfarë është aflatoksina?

Aflaktoksina, që nga vetë përbërja e emrit është një toksinë e përbërë nga myku që rritet tek drithrat: misri, gruri; tek arroret: arrat, pistaku, qiqrat..

Aflatoksina prezente në qumësht, në nënproduktet e qumshtit apo edhe në drithrat që janë për konsum njerëzor dhe për arroret, kur bëhet akumulative është përgjegjëse për kancerët në mëlçi, prish funksionin e veshkave, domethënë ka dëme njerëzore.

Aflaktoksina shkakton:

  1. helmime akute ose kronike
  2. kancer të mëlçisë
  3. çrregullime metabolike
  4. çregullime kronike të imunitetit
  5. efekte helmuese
  6. dhimbje barku
  7. të vjella
  8. hemoragji të brendshme
  9. vështirësi në frymëmarrje
  10. dëmtime të sistemit nervor
  11. gjendje komatoze ose vdekje të sëmurit

KLSH ka kryer një  konktroll në Drejtorinë Rajonale të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit Tiranë (DRAKU) për periudhën nga data 1 janar 2018 deri 30 dhjetor 2020. Nga kontrolli rezultojnë shkelje të rënda financiare, të Ligjit për ushqimin dhe vendimeve të qeverisë për kontrollin e cilësisë së produkteve ushqimore, duke mos mbrojtur interesin e konsumatorit.

Qendra Alert

alert.al/

Zgjerohet skandali i stikave me aflatoksinë me origjinë nga Irani

Pas Greqisë, edhe dy vende të tjera europiane, Italia dhe Gjermania, kanë denoncuar raste të kontaminimit me aflatoksinë të produktit të stikave (fistikëve) me origjinë nga Irani. Ashtu si në Greqi, edhe në Itali dhe në Gjermani, këto produkte janë verifikuar dhe ndaluar në kufi, pa mundur që të futen në tregun ushqimor italian, gjerman apo grek. Duke qenë se Irani është një ndër eksportuesit më të mëdhenj të stikave sot në botë, dhe këto produkte janë ndaluar në dy vende të rëndësishme kufitare me Shqipërinë, autoritetet shqiptare duhet që të tregojnë kujdes që të mos lejojnë futjen e tyre në tregun shqiptar, apo kontrollin e tregut ekzistues nëse një gjë e tillë tashmë ka ndodhur.

Aflatoksinat janë mikotoksina natyrale që janë të prodhuara nga një lloj kërpudhe që i përket familjes Aspergillus. Ato janë toksike dhe ndër substancat më të njohura kancerogjene. Pas hyrjes në trup, aflatoksinat mund të metabolizohen nga mëlçia ose të kthehen në një formë më pak të dëmshme: aflatoksinë M1.

Burimi: RASFF

Qendra Alert

alert.al/

Hardhuca e ngordhur në sallatë, tronditet klientja e një restoranti

Mediat lokale në qytetin Siatëll të Shteteve të Bashkuara kanë raportuar për një grua, e cila ka gjetur një hardhucë të ngordhur në sallatën e saj në një restorant të këtij qyteti. Maniza Qureshi madje e ka raportuar incidentin e saj në një nga qendrat e shëndetit publik, si një eksperiencë tronditëse, gjatë kohës që po drekonte në një restorant të rrjetit Evergreens.

Inspektori i shëndetit publik mësohet se është shprehur që nuk janë raportuar raste të tjera të ngjashme për këtë lloj restoranti. Sipas tij, bazuar nga perimet që gjendeshin në pjatë, është e mundur që hardhuca të ketë qenë në ndonjë nga paketimet e perimeve.

Bill Marler, një ekspert në fushën e sigurisë së ushqimit, u shpreh për një televizion lokal që të gjesh krijesa në ushqim nuk është diçka e rrallë.

‘Gjarpërinj, minj, merimanga, ndonjëherë të gjalla, ndonjëherë të ngordhura’, u shpreh Marler. Por gjëja pozitive është që të gjitha këto kafshë, sado groteske të duken, nuk shkaktojnë sëmundje të individëve’, tha ai.

Zonja Quresha u shpreh për mediat që një pjesë e këmbës dhe e bishtit të hardhucës nuk ishin aty, duke e bërë atë që të mendonte që ajo mund ti kishte ngrënë këto pjesë, ose mund të ishin në ushqimin e dikujt tjetër.

Mediat kanë deklaruar që menaxherët e restorantit ishin po aq të shokuar sa vetë klientët.

CEO i restorantti Evergreens, u shpreh për mediat që kompania që ai zotëron paguan një çmim për furnizuesit e tyre që të sigurohet që sallata të jetë e sigurtë.

Ndërkohë, klientja e tronditur nga sallata, tha per mediat që situata u bë publike sepse ajo mendon që punonjësit e restorantit duhej që ta kishin pikasur kafshëzën ndërkohë që po përgatisnin sallatën.

Sipas raportit të inspektorëve të shëndetit publik, stafi duhej që të shikonte sallatën përpara se t’ia servirin klientëve.

Gjithashtu raporti nënvizion që sallata është nga Kalifornia por nuk e tregon prejardhjen e perimeve të tjera, të tilla si Kale.

Burimi: Food Safety News

Qendra Alert

alert.al