Menu

Konsumatori

Si duhen ruajtur vezët në frigorifer? Mënyra e duhur për të zgjatur freskinë e tyre

Në shumicën e supermarketeve në Shqipëri, bikerinat me vezë ruhen në frigorifer. Në disa vende të tjera Evropiane, vezët e ambalazhuara ruhen në temperaturë ambienti, sepse besohet se ruajtja në frigorifer konsiderohet si e panevojshme.

Përpjekja për kontrollin e cilësisë është një nga dukuritë më të përditshme me të cilën përballen konsumatorët.

Mbi të gjitha kur bëhet fjalë për produktet e konsumit të përditshëm si veza.

Frika nga salmonela

Salmonela është një lloj bakteri që jeton në sistemin tretës të shumë kafshëve. Nëse këto kafshë apo shpendë përdoren si ushqim, atëherë ky bakter mund të shkaktojë sëmundje të rrezikshme.

Një infeksion i shkaktuar nga ky bakter shoqërohet me simptoma si të vjellat apo diarea. Ky infeksion mund të jetë shumë i rrezikshëm për fëmijët apo njerëzit me imunitet të dobët.

Mënyra e përpunimit, magazinimit dhe gatimit të vezës është tepër e rëndësishme për të parandaluar infektimin nga Salmonela.

Nga ana tjetër, masat e një vendi të caktuar kundër Salmonelës janë faktor i përzgjedhjes së ruajtjes frigoriferike të vezëve.

Në frigorifer apo jo?

Sipas të dhënave të AgroWeb.org ruajtja në frigorifer garanton freskinë afatgjatë të vezëve. Nga ana tjetër, vezët mund të përthithin aromat e ushqimeve të tjera që ruhen në frigorifer.

Rrjedhimisht, duhet t’i ruani vezët në ambalazhime kartoni dhe t’i mbroni nga aromat. Shumë njerëz i ruajnë vezët në sirtarin e veçantë tek dera e frigoriferit.

Kjo konsiderohet e gabuar sepse hapja dhe mbyllja e shpeshtë e derës mund të shkaktojë luhatje temperature të vazhdueshme.

Një gjë e tillë nxit shumimin e baktereve dhe prish membranën mbrojtëse të vezëve. Rrjedhimisht, vezët duhen mbajtur sa më thellë në frigorfer.

Vezët dhe gatimi

Disa ekspertë të gatimit pretendojnë se vezët e ruajtura në temperaturë ambienti janë më të mira për gatimet e pjekura. Ata sugjerojnë që vezët të nxirren nga frigoriferi dhe të përdoren për gatim pas dy orësh./AgroWeb.org

Siguria ushqimore, produktet që duhet të shmangni për hir të shëndetit

Në shumë artikuj të ndryshëm, AgroWeb.org ka trajtuar gjerësisht çështje të sigurisë ushqimore, qoftë për produktet vendase ashtu edhe për ato të importuara.

Sipas ekspertëve të AgroWeb.org, një  qasje e shëndetshme drejt sigurisë ushqimore nis me shmangien e këtyre produkteve.

Mishi i pagatuar i pulës

Së fundmi, në botë ngrënia e mishit të pagatuar të pulës është kthyer në trend.

Ngrënia e çdo mishit ë pagatuar mund të shkaktojë helmim që në disa raste mund të kthehet në një problem serioz për shëndetin.

Mishi i pagatuar i pulës mund të shkaktojë helmim ushqimor që vjen nga bakteret:

Campylobacter,

Clostridium perfringes,

Listeria monocytogenes,

Salmonella.

Simptomat e helmimit si pasojë e këtyre baktereve mund të variojnë nga organizmi i individit.

Megjithatë, simptomat më të përhapura janë:

Të përzierat,

Shtrëngime në stomak,

Diare,

Dehidratim,

Të vjella.

Bakteret e lartpërmendura mund të shkaktojnë edhe sëmundje afatgjata.

Mishi i pulës duhet ngrënë gjithnjë i përpunuar dhe i gatuar mirë.

Temperatura minimale e gatimit të mishit të pulës duhet të jetë 80 gradë.

Lakrat e vogla

Lakrat e vogla janë përgjithësisht të sigurta por duhen ngrënë me kujdes.

Përgjatë viteve 1996 deri në vitin 2016, ato kanë qenë përgjegjëse për shumë sëmundje (2,474) dhe shtrimin në spital të mbi 187 personave.

Problemi me lakrat e vogla qëndron tek mjedisi i mbjelljes dhe kushteve të rritjes, që shpesh favorizojnë shfaqjen e shumë baktereve siç është salmonela ose E.coli.

Kësisoj, lakrat janë të ndotura me baktere që në brendësi.

Ato duhen ngrënë gjithnjë të gatuara.

 

Perimet dhe frutat që kanë rënë në kontakt me mishin e pagatuar

Gjatë procesit të gatimit, amvisat duhet të sigurohen që të mos përziejnë frutat dhe perimet me mishrat e pagatuar.

Ju nuk duhet të përdorni të njëjtat mjete gatimi dhe enë për mishin e pagatuar dhe perimet.

Enët dhe mjetet që kanë qenë në kontakt me mishin duhen larë mirë me ujë të nxehtë dhe larës.

Përpara përpunimit të perimeve dhe frutave, dhe sidomos nëse keni prekur mish, duhet të lani mirë duart me ujë dhe sapun./AgroWeb.org

Si të dalloni nëse pula që blini është e skaduar

Informaliteti në sektorin e prodhimit të mishit të pulës në vend është i lartë sipas Institutit Evropian të Statistikave, Eurostat.

Të dhënat e Eurostat të publikuara më herët këtë vit tregojnë se shqiptarët konsumojnë zyrtarisht vetëm 1.6 kg mish pule për frymë në vit.

Mesatarja e konsumit të mishit të pulës në vendet e Bashkimit Evropian është 29 kg për frymë në vit.

Sasia e prodhuar e mishit të pulës nga thertoret dhe pularitë e regjistruara përgjatë vitit 2018 ishte thuajse 5000 ton ose në rënie me 6.8 përqind në terma vjetorë.

Natyrisht në këto statistika nuk rezultojnë të dhënat e thertoreve të vogla të cilat tregëtojnë mishin e pulës në mënyrë jo formale, gjë që nxjerr në pah problemin madhor të sigurisë ushqimore. Ekspertët e Shërbimit të Sigurisë Ushqimore në Departamentin Amerikan të Bujqësisë kanë publikuar një listë këshillash për konsumatorin që të jetë në gjendje të përcaktojë nëse mishi që blen është i mirë apo i skaduar.

Mënyrat për dallimin e freskisë së mishit të pulës janë tepër të thjeshta.

Ruajtja afatgjatë në frigorifer

Ekspertët paralajmërojnë se mishi i pulës duhet konsumuar një ose dy ditë pas blerjes.

Mishi që qëndron në frigorifer për një periudhë shumë të gjatë, ose mbi një vit humbet cilësinë dhe ka tendencën të thahet.

Ndaj nëse blini mish pule përpiquni ta dalloni sa kohë ka qëndruar në ngrirje ose në frigorifer .

Tjetërsimi i aromës

Nëse pula që bleni në treg ka një lëkurë të ngjitshme, të rrëshqitshme dhe me aromë të çuditshme, atëherë më mirë hidheni në plehra.

Këto janë shenjat parësore që tregojnë cilësinë e mishit të pulës dhe jo vetëm.

Ndryshimi i ngjyrës së lëkurës së mishit të pulës.

Mishi i pulës mund të ndryshojë ngjyrë herë pas here.

Ndodh që lëkura nxihet ose zbehet si pasojë e ekspozimit të substancave të saj ndaj oksigjenit.

Ngjyra tjetërsohet edhe nga ngrirja.

Por për sa kohë ndryshimi i ngjyrës nuk shoqërohet me shenjat e përmendura më lart, atëherë mishi i pulës është i sigurt për konsum dhe nuk është i skaduar.

Kujdes me të verdhën

Ka amvisa që besojnë se nëse mishi i pulës ka nuanca të verdha sidomos tek gjymtyrët, atëherë mishi është shumë i mirë.

Megjithatë, ka ekspertë që besojnë se shumë kompani të prodhimit të mishit të pulës përdorin një tretësirë boje të verdhë ku e zhysin mishin e pulës që të marrë ngjyrë.

Një bojë e tillë është e rrezikshme për shëndetin sepse përdoret për të ngjyrosur lëkurën dhe produktet e drurit.

Ndërkohë që amvisat besojnë se pula të tilla kanë një shije më të mirë dhe se janë ushqyer me misër, e vërteta qëndron krejt ndryshe në disa raste. /AgroWeb.org

Martin Jorgaqi nga AKU: Proteinat ndikojnë në cilësi, s’kemi patur problematika në helmime

I ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Martin Jorgaqi nga Drejtoria e Përgjithshme e AKU ka folur për masat që merr ky institucion përmes kontrolleve në terren për t’i ofruar konsumatorit produkte sa më të sigurta në treg.
“Në lidhje me proteinat e ulëta në miell është një shqetësim me vend, pasi prek të gjitha kategoritë e moshave të konsumatorëve. Mielli është një produkt që shëndërrohet në produkt përfundimtar si bukë, biskota, pica, ëmbëlsira dhe të gjitha janë të konsumueshme nga të gjitha grupmoshat, veçanërisht nga fëmijët apo moshat e treta. Duke patur këtë realitet përdorimi i miellit merr një rëndësi të veçantë. AKU nëpërmjet bazës ligjore, ligjeve, Udhëzimit të Ministrave është çdo ditë në terren për të parë konformitetin e aktivitetit të kompanive të ndryshme lidhur me lëndët e para dhe produktit që ata iu ofrojnë konsumatorit. AKU funksionon me plan inspektimesh apo kontrollesh zyrtare të miratuara nga ministri në bazë të riskut për produkte ushqimore. Produktet ushqimore janë të kategorizuara në A, B dhe C, që lidhen me rrezikun e tyre në shëndetin e konsumatorit. Për miellin dhe furrat e bukës janë të kategorisë së tretë, kanë frekuencë kontrolli më të ulët, por inspektorët kryejnë kontrollet sipas bazës ligjore, duke nisur nga importi i lëndës së parë nga jashtë dhe prodhuesit e brendshëm deri në daljen e produktit përfundimtar. Numri i prodhuesve në vend shkon në 47 dhe tregtarët e miellit, ndërsa furrat e bukës shkojnë në 1110. Ky është një numër shumë i lartë krahasur me burimet apo resurset njerëzore që kemi në dispozicion, por deri tani ia kemi dalë. Nuk kemi patur problematika masive në helmimin apo moskonformitetin e aktivitetit të prodhuesve apo furrave të bukës. Proteina është element cilësor që nuk ka të bëjë me sigurinë ushqimore, por ligjvënësi është kujdesur që konsumatori përveç sigurisë ushqimore të ketë edhe cilësi”-tha Martin Jorgaqi.

Qendra Alert/Alert.al

Dhjetëra arsyet 30-vjeçare përse nuk eksporton Shqipëria produkte me origjinë shtazore në BE. Hallkat e këputura të zinxhirit "Nga ferma në tavolinë"

Nga Mariglen Mërtiri*

Shqipëria prej vitit 1992, kur miratoi me Bashkimin Europian Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë, mund të eksportonte produkte me origjinë shtazore lirshëm në vendet e unionin. Por, përse edhe pas thuajse 29 vitesh fermerët shqiptarë dhe bizneset e medha nuk mund të eksportojnë kafshët e gjalla dhe mish në këto vende, duke e dëmtuar joipak ekonominë e fermave, si dhe të vendit?

Ky frenim dhe kjo pamundësi për të realizuar këtë objektiv lidhet me shumë arsye të dukshme dhe mjaft të padukshme në realitetin politik dhe ekonomik të Shqipërisë. Ky problem kërkon vëmendje në disa aspekte siç janë ato ligjore, organizative dhe profesionale.

Në thuajse 3 dekada Shqipëria nuk ka mundur të sigurojë produktet me origjinë shtazore që nga lindja e kafshës e deri në tryezën e konsumatorit, pasi këto hallka të zinxhirit kanë qenë ose jo funksionale, ose të shkëputura dhe nuk ndërvepronin me njëra-tjetrën. Duke mos plotësuar kështu kushtet që rrjedhin nga nje kuader rregullativ ligjor shume strikt, siç është “Direktiva 2002/99/EC e 16 Dhjetorit 2002”, që përcakton rregullat e shëndetit të kafshëve që rregullojnë prodhimin, përpunimin, shpërndarjen dhe prezantimin e produkteve me origjinë shtazore për konsum njerëzor.

Për të arritur objektivat e kërkuara Shqipërisë i duhet realizimi i standardeve teknike  e profesionale nga fermerët, indurtria e përpunimit, si dhe infrastruktura mbështetëse në të gjithë zinxhirin e prodhimit, përpunimit, magazinimit, transportit, e deri tek konsumatori fundor duke përmbushur objektivin final, “nga ferma në tavolinë”.

Ekspertët e fushës të pyetur mbi këtë kufizim që blektorisë shqiptare i bëhet në vite, si dhe i produkteve blegtorale, duke i frenuar në rritjen e kapaciteteve të tyre dhe shtuar informalitetin dhe rrjedhimisht ulur edhe fitimet, thonë se procesi ka qenë dhe mbetet shumë kompleks, madje akuzojnë edhe drejtuesit e Ministrisë së Bujqësisë në vite që nuk e kanë pasur prioritet këtë çështje në punën e tyre.

“Sot nuk ka një sistem i cili garanton sigurinë ushqimore të konsumatorëve vendas, sepse ka një destabilitet të instituciononeve kompetente, ndryshimi i strukturave drejtuse, shkrirja e istitucioneve, stafi i cili nuk njeh legjislacjonin edhe nuk është i trajnuar për të kryer detyra specifike”,  deklaron Edi Fero, mjek veteriner dhe ish-Drejtor i Shërbimit Veterinar në Ministrinë e Bujqësisë.

Edi Fero

Ish-kreu i Veterinarisë, Edi Fero, e sheh me shqetësim edhe mostrajtimin në mënyrën e duhur të kafshëve, si dhe mungesën e një strategjie të rreptë të lëvizjes së kafshëve nga ferma në fermë, duke shkaktuar një transmetueshmëri të sëmundjeve dhe rrezikuar më pas edhe konumatorët.

“Shqipëria nuk ka status “free” për sëmundjet zoonotike (të trasmetueshme nga kafsha tek njeriu) si bruceloza, tuberkulozi dhe antraksi; nuk ka nën kontroll lëvizjen e kafshëve në territor, hallkë kjo që është kryesore pasi ndalon trasmetimin e semundjeve nga ferma ne fermë. Nuk ka një strategji të qartë për luftimin e falsifikimit ushqimor, fenomen që është vrastar në aspektin shëndetësor, por edhe ekonomik për fermerin, sepse konkuron në mënyrë të padrejtë produktet origjinale”, deklaron ish-kreu i Shërbimit Veterinar, Edi Fero.

Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar evidenton një sërë arsyesh se, përse egziston ky hendek dhe përse për produktet me origjinë shtazore nuk po tejkalohet pengesa. Ata kostatojnë se, më së shumti fragmentarizimi dhe informaliteti, janë pengesat kryesore në këtë proces, por dhe konkurrenca e pandershme dhe mungesa e mbështetjes me buxhet nga strukturat shtetërore. Kreu i Këshillit të Agrobiznesit, Agrim Rrapaj detajon arsyet e mungesës së eksporteve me BE.

“Forma joefiçente e organizimit të fermave blegtorale, shoqëruar me një nivel të ulët të kooperimit dhe koordinimit të subjekteve që prodhojnë ushqim dhe atyre që mbarshtojnë kafshë për prodhim produktesh me origjinë shtazore. Fragmentarizimi shumë i madh i tyre dhe informaliteti i lartë. Kostoja e lartë e prodhimit, konkurenca e pandershme në tregun vendas e disa produkteve me origjinë shtazore të importuara; mungesa e mbështetjes me prioritet e subjekteve bujqësore që prodhojnë ushqime për blegtorinë, mos vlerësimi deri në neglizhencë totale e mbështetjes për sektorin dhe veprimtarinë e zooteknikëve në prodhimin e ushqimeve për blegtorinë, janë disa prej arsyeve kryesore”, shprehet Rrapaj.

Për Këshillin e Agrobiznesit si grup interesi në këtë sektor, në vend janë ndjekur politika fiskale të gabuara per rimbursimin e TVSH-së, për prodhimet e fermerëve vendas, ku rimbursimi i TVSH-së u ul nga 20% në 6%. Sipas Rrpajt, ka mangësi të theksuara për mbeshtetje me financime për hartimin e standarteve shqiptare të produkteve me origjinë shtazore dhe përafrimin e tyre me ato të BE-së. “Mangësi shumë e theksuar është dhe mosprogramimi buxhetor për funksionimin dhe mirëmbajtjen e laboratorëve dhe Sistemit të Identifikim-Rregjistrimit të Blegtorisë ose si quhet shkurt, sistemi elektronik ‘RUDA’, do ta mbajnë ende Shqipërinë larg eksporteve të këtyre produkteve në BE”, vijon më tej Rrapaj.

Megjithëse gjatë viteve janë bërë përpjekje për realizmin e disa prej kërkesave për të arritur këtë proces, Bashkimi Europian në progres raportet vijon ta konstatojë problem mosplotësimin e rekomandimeve dhe çdo vit ka qenë konkret në pikat e fokusuara, ku Shqipëria duhet të orintojë energjitë për të realizuar këtë proces.

Në raportin e fundit të 2020 thjuhet se, “Shqipëria ka bërë ca progres lidhur me zbatimin e masave përkatëse në sektorin e sigurisë ushqimore dhe veterinare, si dhe në regjistrin e kafshëve. Megjithatë, deri tani, ristrukturimi i sektorit veterinar mbetet ende për t’u zbatuar. Shqipëria duhet të hartojë një udhërrëfyes koherent për të siguruar harmonizimin, ndërtimin e kapaciteteve dhe zbatimin e acquis-it të BE-së mbi kontrollet zyrtare, shëndetin e kafshëve dhe shëndetin e bimëve në kuadrin e një politike të konsoliduar të sigurisë ushqimore”.

Ky vlerësim i pjeshëm ka ardhur pasi Shqipëria është duke realizuar një reformë në sektorin veterinar, duke u munduar t’i japë zgjidhje shumë shqetësimeve të fermerëve por edhe bizneseve të këtij sektori. Qendra Alert, në korespodencën që pati me Ministrinë e Bujqësisë mori si përgjigje se kjo çështje është prioritet dhe po punohet në këtë drejtim por mbetet komplekse si çështje.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

“Shqipëria është e listuar në në listën e vendeve të treta që mund të eksportojnë në BE produkte me origjinë shtazore për konsum human të tilla si peshk, produkte peshku, vezë për industrinë, produkte vezësh, qumësht të trajtuar dy herë termikisht, këmbë bretkosash, kërmij dhe zorrë, si dhe produkte për konsum jo human të Kategorisë 3. Aktualisht jemi duke punuar për rihapjen e eksportit të molusqeve bivalve dhe vezë të klasit A dhe presim të auditohemi nga shërbimet e Komisionit Evropian. Sigurisht, eksporti i produkteve me origjinë shtazore në BE është ndër prioritetet e MBZHR, por ky është një proces kompleks dhe jo vetëm i Shqipërisë”, mbyllet reagimi i Ministrisë së Bujqësisë.

Ekspertët e pavarur nga shoqëria civile në Dhjetor të 2020, në takimin me deputetët e Kuvendit të Shqipërisë mbi Kapitullin 12 dhe Sigurinë Ushqimore konstatuan dhe dhanë sygjerimet e tyre për nxitjen e këtij procesi.

“Shqipëria tregton vetëm disa produkte të certifikuara në nivel industrie, ndërsa produktet me origjinë shtazore nuk nxirren jashtë Shqipërisë. Për këtë arsye është i nevojshëm një kontroll i vetëm autoritar veterinar, ngjashëm me atë që është sot në BE. Vetëm në këtë mënyrë prodhimet me origjinë shtazore shqiptare mund të arrijnë të gjitha kriteret dhe të lëvizin lirshëm në tregun europian”, propozuan ekspertët në Kuvend, kur diskutohej përafrimi i legjislacionit të Shqiperisë me BE-në në kudrin e integrimit.

Ndërtimi i Sistemit të Gjurmueshmërisë mbetet pika ku më së shumti problematika duket se nuk po merr zgjidhje, pasi është ky sisteim, i cili ndjek kafshën që në lindje, rritje, therje, tregtim dhe deri sa mishi dhe produktet e tjera shtazore shkojnë per konsum human. Pra, kafsha nuk gjurmohet nëpërmjet matrikullimit, e cila është pasaporta e saj, ku mund të evidentohen shërbimet, mejkimet, vaksinimet, analizat, të gjitha këto të dokumentuara. Më pas, kur kafsha shkon në thertore, veterineri që vendos vulën mbi mishin duhet të sigurohet që ta ç’regjistrojë nga sistemi këtë kafshë dhe të shkruaj ne regjistër që kafsha ishte e shëndetshme apo e sëmurë.

Mundësitë e Shqipërisë janë që ky sektor premtues të zhvillohet edhe më shumë dhe me potencialet që ka të bëhet konkurruese në rajon.

“Ashtu sikurse Shqipëria prodhon 1 milionë vezë në ditë mund të prodhojë edhe 30 milionë krerë “broiler” (pula mishi) aq sa është kërkesa vjetore, pasi realisht prodhon 7 milionë”, deklaron Edi Fero, i cili kapacitetet e vendit tonë i sheh me shumë optimizëm, pasi sipas tij, në 28 mijë km2, Shqipëria ka 36 % të  territorit me kullota nga ku mund të mbajë rreth 6 milionë krerë të imta, dele dhe dhi në regjim kullotor, shifër kjo e cila ka qenë prezente në vendit tonë që prej vitit 1928. Por që të arrihen këto, Ferro thotë se, duhet të shmanget ndikimi i lobingjeve të importuesve në vendimmarrjet legjislative të Ministrisë së Bujqësisë, plotësimi i nevojave të vendit me mish pule, derri dhe gjedhi, si dhe ngritja e një strukture të posaçme për thithjen e fondeve nga Brukseli për bujqësinë shqiptare.

Shqiperia, për nevojat e tregut vendas ka importuar dhe vijon të importojë produkte me origjinë shtazore, mesatarisht mbi 200 milionë euro në vit, ku ne %, vendin e parë e zë importi i mishit dhe nënproduktet e tij.

Shqipëria në vitin ‘91 e në vazhdim bëri reformën për ndarjen e tokës dhe të blegtorisë, ku përfituan tokë bujqësore, referuar të dhënave nga Këshilli i Agrobiznesit, 460 mijë familje dhe u regjistruan fillimisht 354 mijë ferma bujqësore dhe blegtorale, nga të cilat 292 mijë familje përfituan kafshë dhe filluan të merren edhe me blegtori. Kjo reformë u shoqërua me një formë organizimi jo efiçente, që krijoi një terren të përshtatshëm per informalitet. Aktualisht edhe pas 30 viteve, vëtëm 17 % e fermerëve janë të formalizuar.

Pamje nga Tregu i Kafsheve, Milot

Po kështu, është edhe situata e tregjeve agro-blektorale në vend. Ata cilësohen si hallka më e dobët e zinxhirit të këtij sektori. Ekspertët e bujqësisë në dhjetor 2020 raportuan dhe rekomanduan zgjidhje para deputetëve në Kuvend, por konstatuan se nga 33 tregje blegtorale, vetëm 2 i plotësojnë kriteret e kërkuara.

Tregjet agro-blegtorale në Shqipëri mbeten një problem shumë i madh për funksionimin e tyre me standartet minimale të kërkuara. Ndaj, ata janë një pengesë serioze për realizmin e qëllimit të eksportit të produkteve me origjinë shtazore.

“Edhe ato pak tregje që plotësojnë standartet minimale, konkurohen në mënyrë të pandershme nga shitësit informal ambulant. Gjithashtu, kemi një mangësi serioze lidhur me inventarin e mjeteve të specializuara për transportin e kafshëve të gjalla nga stalla në tregjet agro-blegtorale dhe thertore”, deklaroi Agim Rrapaj

Këshilli i Agrobiznesit thotë se, mungon koordinimi mes subjekteve prodhuese, transportuesve, tregjeve agro-blegtorale, thertoreve, pikave të therjes, njësive të shitjes dhe subjekteve të ushqimit social. Dhe, kjo sipas tyre ndodh në radhë të parë për shkak të informalitetit të lartë, programimit të pasaktë dhe të pamjaftueshëm të mjeteve financiare nga buxheti i shtetit për të gjitha hallkat e zinxhirit.

Reforma veterinare në proces

Ministria e Bujqësisë kërkon të adresojë shumë nga shqetësimet që po e mbajnë larg bujqësinë shqiptare nga hapja e tregjeve dhe mundësive të reja për shkak të mungesës së kontrolleve dhe pamundësisë për ta bërë të besueshëm produktin “Made in Albania”. Ndaj prej vitit 2020 është duke u zbatuar reforma veterinare me anë të “Ligji nr. 70/2020: Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr 10465, date 29.09.2011,“Për Shërbimin Veterinar në  Republikën  e Shqipërisë”,.

Disa nga risitë e kësaj reforme janë Krijimi i Autoritetit Kombëtar Veterinar të Mbrojtjes së Bimëve, ndarja e politikbërjes nga inspektimi dhe ndarja e detyrave të mjekëve veterinarë, në veterinerë kontrolli dhe veterinerë shërbimi, që në total do të shtrihen në të gjithe vendin  në mënyrë kapilare dhe janë mbi 580 të tillë, për të pasur më shumë monitorim mbi sigurinë e produkteve me origjinë shtazore.

Kreu i Urdhrit të Mjekut Veteriner, Dr.Ymer Elezi i sheh përparësitë e kësaj reforme në 3 nivele, shtrirja gjeografike në bashki dhe njësi bashkiake, ndarja e shërbimit veterinar shtetëror në trupë kontrolli dhe veprimtari shërbimi, si dhe rritja e kapaciteteve njerëzore në 12 drejtoritë rajonale të vendit.

“Mbulohet i gjithë territoi i vendit dhe ofrimi i shërbimit nga mjeku veteriner sa më afër fermës, bazuar edhe në tipin e mbareshtimit të blektorisë, në rregjim stallor dhe në regjim kullosor. Përfshihen të gjitha shërbimet veterinare dhe merr përparësi sistemi i gjurmueshmërisë, përmes sistemeve aktuale të I&R të kafshëve, zbatimi praktik i programeve të profilaksisë shtetërore dhe zbatimin e masave për kontrollin dhe çrrënjosjen e sëmundjeve infektive”, – deklaroi Ymer Elezi, President i Urdhrit Profesional të Mjekut Veterinar Shqiptar.

Por reforma e veterinarisë është e vonuar dhe ende e pakompeltuar në mënyrën se si është konceptuar ndaj mjaft grupe interesi e shohin edhe si eksperimentin e radhës të bërë nga politika shqiptare.

“Zvarritja për shumë kohë dhe eksperimente të shumta jo efiçente po bëhen me reformën e veterinarise”, theksoi Agim Rrapaj

Gjithsesi, edhe pse e papërfunduar reforma e veterinarisë është mbështetur dhe përshëndetur edhe nga raporti i fundit i Komisionit Europian dhe shihet si një mundësi për ta shtyrë para procesin e mbetur në vendnumëro të eksportit të produkteve me origjinë shtazore drejt vendeve të BE-së.

Qendra ALERT / Alert.al

*Autori i shkrimit ushtron profesionin e gazetarit prej 12 vitesh. Ka mbaruar studimet për Gazetari në Universitetin e Tiranës. Ai ka ushtruar profesionin e gazetarit në disa media të shkruara dhe vizive, duke qenë dhe gazetar investigativ. Aktualisht, është redaktor i lajmeve ne Televizionin Neës24 dhe bashkëpuntor në projektin e Qendrës ALERT.

Ky botim u prodhua me mbështetjen financiare të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe Partnereve. Permbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e autorit të shkrimit dhe e Qendrës Alert, si dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe Partnerëve.

Miell me mykotoksina në kufirin e lejuar, proteina të ulëta dhe asnjë kontroll, nëse shkon për bukë apo prodhime industriale. Risku më i madh nga mielli i Serbisë dhe Kosovës

Pikat e shitjes së miellit në Shqipëri gjenden plot me produkte që nivelin e proteinave nuk e kanë të lejuar për prodhim buke, picash, etj. Bien në sy miellra nga Serbia e Kosova, me proteina të ulëta, pavarësisht brenda limiteve të deklaruara në ambalazh. Por. kushdo, mund të marrë sasi të ndryshme mielli, që mund ta përdorë atë për furra puke, piceri, makarona e kudo, pa asnjë kontroll. Ndërkohë AKU, institucioni që e ka për detyrë, nuk është në gjëndje të garantojë gjurmueshmërinë e produkteve që prodhohen në Shqipëri apo importohen, për destinacionin final dhe “topin” ia lë konsumatorit. Ndërkaq, nga analizat dhe interpretimi i ekspertëve, mykotoksinat në miell janë në nivelet maksimale të lejuara.

Nga Mariglen Mertiri*

Konsumatorët ekspozohen çdo ditë ndaj rrisqeve të shtuara për shkak të produkteve që konsumojnë. Mes këtyre sfidave, qytetarët zgjedhin ose të informohen dhe të marrin vendime ose të jenë në dorë të subjekteve prodhuese duke ju besuar shëndetin e tyre. Përballë një morie produktesh që konsumohen, qytetarët perceptojnë si ekspozim më të madh ndaj padrejtësive dhe abuzivizmit produktet e shportës, sepse janë produkte që kanë një frekuencë konsumimi shumë të lartë, thuajse çdo ditë.

Produktet me bazë mielli janë pjesë e tryezave në çdo familje dhe kërkesa e shtuar për një bukë, kroasan, picë apo biskotë mund të sjellë rrezikun për të abuzuar nga tregtarët me limitet e përqëndrimit të proteinave dhe për të rritur sado pak fitimet, qoftë edhe në kohët e vështira ekonomike që po jetojmë.

Ndërkohë, produkti më masiv, buka, është ai me të cilin mund të abuzohet më shpesh për shkak të cilësisë së miëllit apo nivelit të proteinave. Kjo, pasi nmë tregje të ndryshme, në pika shitje, gjenden tonelata me miell me proteina të ulëta, i cili është importuar apo prodhuar në vend medestinacion industrinë, si pastiçeri, fabrika prodhimi produktesh brumi, biskota etj. Dhe, pikërisht për këtë, konsumatori nuk mund ta dijë asnjëherë, sepse ai sheh produktin final, bukën dhe nuk është në gjëndje të dijë as nivelin e proteinës në të e as miellin me të cilin është prodhuar. Gjithashtu, i njëjti abuzim mund të ndodhë dhe me picat, petët etj, produkte që konsumatori fundot nuk është kurrë në gjëndje të dijë se sa proteina po merr nga sasia e bukës apo produkteve tjera.

Pikërisht në këto pika shitjeje, kushdo mund të blejë lehtësisht sasi të mëdha mielli, me proteina më të ulëta sesa norma e lejuar për prodhim buke dhe t’i dërgojë në furrën apo picerinë e tij, etj.

Qendra ALERT, një Organizatë Jofitimprurëse, po zbaton projektin “Ushqimi, risku masiv për konsumatorët, mungesa e kontrolleve dhe e informimit nga institucionet”, si një ndihmesë për të rritur cilësinë e ushqimeve të tryezës, nisur edhe nga shqetësimet e konsumatorëve por edhe interesi i shtuar mbi sigurinë ushqimore. Për këtë arsye vendosëm të investigojmë cilësine e miellit që përdoret në tregjet e shumicës dhe pakicës dhe përdorimi korrekt i cilësisë së tyre për produktet e pastiçerive dhe brumrave në furrat e bukës apo byrektoret. Qendra ALERT bleu në disa qytete të ndryshme miellin që tregtohet në pikat e shumicës, por edhe pakicës për të analizuar nëse të dhënat e etiketës së deklaruar janë realisht edhe pjesë e produktit në brendësi. Dhe, lehtësisht mund të merrnim sasinë që donim, për ta përdorur në furrat tona të bukës, nëse do të kishim.

Në bashkëpunim me laboratorin e akredituar “Noval” analizuam përqindjen e proteinës në 5 lloje të ndryshme mielli që blemë në mënyrë të rastësishme në Elbasan, Tiranë dhe Kamëz, por edhe të mykotoksinave në përmbajten e tyre dhe më pas kërkuam intepretimet nga ekspertët e fushës se si rezultat e përftuara a janë në raport të drejtë me urdhrat dhe udhëzimet në fuqi të Ministrisë së Bujqësisë. Mykotoksinat në miell janë më të rrezikshme për shëndetin e konsumatorit, ndërsa çështja e proteinave është kryesisht mashtrim, që nuk lidhet me sigurinë ushqimore, por me vlerat ushqyese që duhet apo mund të marrë çdokush.

Ministria e Bujqësisë për produktin “Miell Gruri”, referuar Udhëzimit të Ministrit Nr.207, datë 31.3.2015 “Për përcaktimin e treguesve të sigurisë dhe cilësisë së miellit të grurit të parapaketuar, për t’u shitur tek konsumatori i fundit ose për prodhimin e produkteve të tjera ushqimore”, ka vendosur se niveli minimal i proteinës që duhet të ketë mielli që importohet në vendin tonë, për prodhimin e produkteve ushqimore është:

  1. Për prodhimin e produktit ushqimor “Bukë (masive popullore)” niveli minimal i proteinës është 12% (ndaj lëndës së thatë).
  2. Për prodhimin e produktit ushqimor “Bazë picash, krusan, petë” niveli minimal i proteinës është 12.5% (ndaj lëndës së thatë).
  3. Për prodhimin e produktit ushqimor “Ëmbëlsira, kek, biskota, petulla” niveli minimal i proteinës është 9% (ndaj lëndës së thatë).
  4. Për prodhimin e produktit ushqimor “Makarona” niveli minimal i proteinës është 11% (ndaj lëndës së thatë).

Pjese nga Udhezimi i Ministrit te Bujqesise, ku saktesohet niveli i proteinave ne miell dhe perdorimi, si dhe autoritetet pergjegjese per zbatimin e tij

Eksperti Kapllan Sulaj, i cili është edhe Dekan i Bioteknologjisë Ushqimore në Universitetin Bujqësor të Tiranës, analizoi përgjigjet e laboratorit “Noval”, bazuar mbi kriteret e vendosura nga Ministria e Bujqësisë për miellin dhe përbërësit e tij.

Kapllan Sulaj

Në qytetin e Kamzës në një subjekt të shitjes me shumicë të miellit blemë një thes miell 25 kg të markës “Elledi”, e cila prodhohet në Serbi dhe ofrohej si mundësi për tregun shqiptar.

Nga analizat e laboratorit “Noval” rezultoi se mielli “Elledi” pavarësisht se në paketim thoshte proteina mbi 9% dhe është i destinuar për ëmbëlsira dhe biskota, rezultoi se ka përmbajtje të proteinave 12.11%. E krahasuar me limitin e përcaktuar nga legjislacioni, rezulton brenda normës. Mostra është analizuar gjithashtu edhe për praninë e mykotoksinave dhe tregon se është brenda limitit të përcaktuar në aktet nënligjore. Që në fabrikën e prodhimit, ky miell është destinuar për industri dhe jo për bukë apo pica.

Po në qytetin e Kamzës në pikën e shumicës blemë miell “M.Sillosi Finesa, Tip 500” me amblazh letre dhe i prodhuar ne Kosovë. Ne e analizuam në laboratorin “Noval” për përqindjen e proteinave dhe mykotoksinave në përbërje të tij. Nga analiza e kryer tregohet se, përmbajtja e proteinave rezulton 11.25%. Vlera e raportuar rezulton brenda normës së deklaruar në ambalash, ku thuhet se minimumi i proteinës është 10 %. Rezultati për praninë e aflatoksina është brenda limitit të përcaktuar në aktet nënligjor. Siç e deklaron dhe prodhuesi në etiketë, mielli është i destinuar për indusrinë ku lejohet ky nivel proteine.

Në qytetin e Elbasanit në një market blemë miell gruri, “Euromill Erina”, miell gruri Tip 500 i prodhuar në qytetin e Elbasanit. Edhe për këtë mostër, analiza e kryer nga laboratori “Noval” tregohet se përmbajatja e proteinave rezulton 12.45 % dhe jo 13.5% sic është deklaruar në paketim, por gjithesesi referuar limit në legjislacion, ky miell rezulton brenda normës për përdorimim edhe për prodhim buke apo picash. Brenda normave rezultoi edhe përqëndrimi i mykotoksinave në monstrën e analizuar.

Në qytetin e Elbasanit u ble edhe një tjetër paketim mielli nga fabrika “Skraqi”. Analiza e kryer nga laboratori “Noval” tregohet se përmbajtja e proteinave rezulton 12.56 %, e  krahasuar me limitin e përcaktuar nga legjislacioni, rezulton brenda normës. Tregues të tjerë analitik kanë qënë edhe provat për praninë e mykotoksinave dhe rezultoi se është brenda limitit të përcaktuar.

Në një market në Tiranë blemë një miell të importuar nga Italia me emrin “Amoruso, tip 00”, nga kampioni i marrë rezultoi se përmbajatja e proteinave ishte 10.85 % e  krahasuar me limitin e përcaktuar nga legjislacioni. Edhe ky miell është i destinuar për industri apo prodhim ëmbëlsirash në shtëpi, ndërkohë që në etiuketë, proteina është e shënuar 10 g. Ndaj ky lloj mielli mund të përdoret vetëm për ëmbëlsira dhe për asnjë produkt tjetër. Tregues të tjerë analitik kanë qënë edhe  provat për praninë e mykotoksinave dhe rezultoi se është brenda limitit të përcaktuar.

Eksperti i teknologjisë ushqimore, Profesor Abdyl Sinani, pasi u njoh me rezultatet e monstrave të analizuara në 5 lloje të ndryshme mielli deklaroi se gruri i përdorur për përftimin e këtyre 5 lloje miellrash duhet të pastrohen plotesisht edhe me makineritë me abrazive dhe me furça, pasi sipas tij, kjo menyre pastrimi siguron largimin e mykotoksinave dhe te elementëve të tjerë që kanë ngarkesë deri në kufijtë maksimal.

Abdyl Sinani

“Nga analizat rezulton se, mykotoksina dhe përbërësit e tjerë janë në kufijtë maksimal të lejuar. Prandaj, fabrikat e miellit duhet të zbatojnë gjithë diagramën e pastrimit, duke vënë në punë edhe makineri që pastrojnë edhe brazdën e kokrrës së grurit nga mykotoksinat”, deklaroi Sinani.

Pas analizimit të detajuara të këtyre monstrave, edhe pse shumica e miellit të blerë rezultoi brenda normave, shqetësimi mbetet prezent për qytetarët pasi ata nuk kanë një matës të sasisë të proteinave për miellin e përdorur për prodhimin e një ëmbëlsire, buke apo pice në subjektet e vogla tregtare.

Kjo, pasi një tregëtar miellin me 9% proteinë që është i destinuar sipas udhëzimit vetëm për ëmbëlsira, mund t’a përdorë në prodhimin e bukës masive që sipas kërkesës ligjore kërkohet përqëndrimi i proteinës mbi 12%. Ky lloj abuzimi mund të ndodh për shkak të fitimit që mund t’i sjell një çmim më i favorshëm për tregtarin e miellit që ka destinacion të ndryshëm nga sa shkruhet në etiketë.

Në këtë kontekst për të mbrojtur konsumatorin një rol vendimtar merr procesi i gjurmueshmërisë që ushtrohet nga Autoriteti Kombëtarë i Ushqimit dhe sensibilizimi me kontrolle të shpeshta e bizneseve që ushtrojnë aktivietin në këtë fushë.

Të pyetur mbi sistemin e gjurmueshemërisë dhe ndërgjegjësimin që duhet të ketë konsumatori, AKU deklaroi çdo subjekt është përgjegjës për plotësimin e kushteve ligjore për hedhjen e cdo produkti në treg dhe marrjen e masave për sigurinë e tyre.

“Theksojmë rolin e konsumatorit si “inspektori më i mire”, në lidhje me ndërgjegjësimin e tij për përdorimin e produkteve ushqimore, (përfshirë bukën si një nga produktet me masive), dhe blerjen e tyre vetëm në subjekte të cilat ofrojnë kushte ku siguria dhe cilësia e ushqimeve është sa me e garantuar. Shumë e rëndësishme mbetet përqasja qytetare dhe qëndrimi ndaj shkeljeve të ndryshme të cilat duhen denoncuar pranë AKU-së”, deklaroi zyra e shtypit e AKU-së.

Por, megjithëse përgjigjia e AKU është tejet zyrtare dhe diplomatike, konsumatori nuk është asnjëherë të gjëndje të indentifikojë nivelin e proteinës në bukë, pica apo produkte të tjera brumi. Dhe, është pikërisht detyrë e Autorititetit Kombëtar të Ushqimit, që ndjekë gjurmueshmërinë e produkteve ushqimore. Në rastin konkret, edhe të miellit, i cili nëse është me proteina të ulëta duhet të shkojë vetëm për industrinë e prodhimit dhe jo të qëndrojë në shitje ku mund ta blejë kushdo e ta përdorë për çfarëdo.

Abuzimin që mund të shkaktohet ndaj konsumatorit, sipas AKU, duhet vetë ky i fundit të jetë vigjilentë për të kuptuar nëse mielli që është prodhuar produkti që duhet të konsumojnë është prodhuar me miellin me proteinën 9, 11 apo mbi 12%. Gjë e cila është absurde dhe nuk mund të evidentohet në asnjë rrethanë nga qytetarët. Me këtë kalim përgjegjësie AKU shmang kështu detyrimin e kontrollit rigoroz dhe fsheh mungesën e fushatave ndërgjegjësuese masive për bizneset dhe konsumatorët.

Faktet flasin. Në pikat e shumicës dhe pakicës ku shitej mielli, punonjësit nuk kishin asnjë kriter se për çfarë do të përdorej mielli që ata shisnin. Kur kërkohej një këshillë prej tyre për përdorimin e një lloj mielli apo një lloji tjetër, ata nuk benin diferencime sipas standardit të proteinave për destinacionin final të produktit, por të sygjeronin se nëse ishe një furrë e re buke apo byrektore, të zgjidhje miellin më të mirë të tregut dhe pas 2 apo 3 muajve të merrje një cilësi më të dobët, duke mashtruar konsumatorin dhe rritur fitimin e biznesit të ri, pasi mielli me proteinë më të ulët bënte diferencë në çmimin e blerë.

Inspektorët e AKU-së, ushtrojnë kontrolle të vazhdueshme sipas këtij institucioni, dhe në përgjigje të kërkesës tonë nëse kanë hasur shkelje në përmbajtjen proteinike të millit që hyn në Shqipëri përgjatë dy viteve të fundit, AKU deklaroi se nuk ka konstatuar asnjë parregullsi.

“Sa lidhet me analizimin e mostrave te miellit për treguesin proteine informojmë se nga sektori PIK për periudhën 2019-2021 janë analizuar ne total  31 mostra, nga këto 8 ne laboratorin e AKU dhe 23 ne laboratorin e ISUV, të cilat kanë rezultuar konform deklarimit për përdorimin e miellit sipas nivelit te proteinës”, shprehet AKU

Gjurmueshmëria, ndërgjegjësimi i konsumatorit dhe biznesit mbeten hallka të dobëta të një sistemi, ku konsumatori mashtrohen çdo ditë dhe në shumë raste edhe rrezikojne shëndetin e tyre.

Qendra ALERT / Alert.al

*Autori i shkrimit ushtron profesionin e gazetarit prej 12 vitesh. Ka mbaruar studimet për Gazetari në Universitetin e Tiranës. Ai ka ushtruar profesionin e gazetarit në disa media të shkruara dhe vizive, duke qenë dhe gazetar investigativ. Aktualisht, është redaktor i lajmeve ne Televizionin Neës24 dhe bashkëpuntor në projektin e Qendrës ALERT.

Materiali është realizuar nga Qendra ALERT, si pjesë e projektit “Ushqimi, risku masiv për konsumatorët, mungesa e kontrolleve dhe e informimit nga institucionet”, të mbështetur financiarisht nga Programi i Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci të Ambasadës së SHBA në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.

Qendra ALERT / Alert.al

Rezarta Rajta: Si të mbrojmë pronësinë industriale dhe të drejtën e autorit. Gjobat e majme në raste abuzimesh

E ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Rezarta Rajta përgjegjëse e Sektorit të Pronësisë Industriale në ISHMT ka folur për rolin që luan ky institucion në mbrojtjen e pronësisë industriale dhe të drejtën e autorit. Rajta foli edhe për ankesat që i adresohen këtij institucioni dhe masat administrative ndaj subjekteve abuzuese.
“Pronësia intelekuale është mbrojtja e krijimeve të mendjes së njeriu. Mbështetet në një sërë ligjesh kombëtare dhe Konventash, ku Shqipëria ka aderuar në pjesën më të madhe të tyre. Ndahet në dy degë, e drejta e pronësisë së industrisë dhe e drejta e autorit, që mbron krijimet artistike, programet kompjuterike dhe veprat arkitekturore. Funksioni kryesor është t’i sigurohet pronarit të një objekti të pronësisë industriale e drejta ekskluzive për përfitimin ekonomik nga krijimi i tij. Është një shërbim përfitimi mes mbrojtësve të drejtave dhe të publikut ku ndërmjetës është shteti, për të siguruar këto të drejta të pronareve të objekteve të pronësisë industrial, si pasurimi shpirtëror i publikut nga veprat letrare, nga arti dhe kultura. Edhe për inovacionin është e rëndësishme. Një shpikës që të sigurojë të drejtën e patentës, për të përfituar ekonomikisht është i detyruar që zbulimin e tij ta bëj publik. Shoqëria mori njohuri për arritjet e reja në teknologji, të cilat u zhvilluan më tej. Aspekt tjetër është orientimi në treg përmes markave tregtare. Konsumatori i nisur nga marka orientohet për cilësinë dhe origjinën e produktit. Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale ka si funksion të japë certifikatë regjistrimi për objektet e pronësisë industriale, për markat, patentën, dizenjon dhe treguesit gjeografik. Pa këtë certifikatë nuk je i legjitimuar t’i drejtohesh organeve për cenim të drejtave të tua. ISHMT ndërhyn për të ndaluar personat që cenojnë të drejtat mbi një markë apo dizenjo. Ne jemi organi ligjzbatues, por janë një seri institucionesh që bashkëveprojnë. Është shumë i rëndësishëm regjistrimi, ata që shpikin, ndërsa publiku dhe palët e treta duhet t’i respektojnë dhe të mos jenë shkelës të të drejtave të tyre, pasi përballesh me pasoja në kohë dhe financiare. Nga raporti i sektorit të së drejtës së autorit, shkeljet janë evidentuar tek përdoruesit e programeve kompjuterike, inspektimet janë kryer tek ankesat e autorëve të këtyre programeve. Ndërsa për pronësinë industriale, ankesat kanë ardhur nga pronarë markash. Nuk kemi patur asnjë ankesë për dizenjo apo për shpikje. Masat administrative variojnë nga 100-500 mijë lekë. Në rast të ripërsëritjeve të shkeljeve, masa maksimale dyfishohet nëse kjo përsëritje kryhet në një periudhë brenda 5 viteve. Për pronësinë industrial, ISHMT ndërhyn edhe me bllokimin e mallrave dhe kjo zgjat 20 ditë. Dhe brenda këtyre 20 ditëve, ankuesi duhet ta dërgojë çështjen në gjykatë, por nëse ka gjetur nje zgjidhje tjetër, ISHMT tërhiqet nga aksioni”-deklaroi Rezarta Rajta.

Qendra Alert/Alert.al

Ushqim i sigurt? EFSA këshillon konsumatorët dhe prodhuesit e ushqimit për informacionin në etiketa

Udhëzime të reja janë në dispozicion për të ndihmuar furnizuesit e ushqimit të vendosin se çfarë informacioni t’u japin konsumatorëve në lidhje me ruajtjen e ushqimit dhe afatet kohore për konsum.

Pasi të jetë hapur paketimi i ushqimit, bakteret mund të transferohen në ushqim nga duart, sipërfaqet ose pajisjet e ndotura. Vendosja e një afati kohor për konsum është kompleks, por instrumenti i zhvilluar nga ekspertët e EFSA ndihmon furnizuesit e ushqimit në vendosjen, nëse është e përshtatshme t’u jepen konsumatorëve udhëzime të tjera përveç datave të “përdorim nga” ose “të përdoret përpara”.

Për ato produkte ku hapja e paketimit mund të çojë në një rritje të baktereve të dëmshme, instrumenti tregon se afati për konsum është më i shkurtër se data fillestare e “përdorimit nga” ose “të përdoret përpara”.

Opinioni përfshin gjithashtu këshilla për praktikat e mira për shkrirjen e ushqimit në mënyrë të sigurt. Ngrirja parandalon rritjen e baktereve. Sidoqoftë, këto mikrobe mund të rishfaqen gjatë shkrirjes dhe më pas të rriten në ushqim në nivele që mund të shkaktojnë sëmundje. Ekspertët identifikuan praktika të mira që minimizojnë rritjen e mikrobeve të dëmshme gjatë shkrirjes.

Për shembull, shkrirja duhet të bëhet në temperatura të ulëta, p.sh në frigorifer; ushqimet e shkrira duhet të mbahen në paketimin origjinal ose në një enë të pastër për të shmangur ndotjen; konsumatorët gjithmonë duhet të ndjekin udhëzimet e prodhuesit për ruajtjen dhe përgatitjen për t’u siguruar që ushqimi të mbetet i sigurt; dhe ushqimi i shkrirë nuk duhet të ngrihet pas shkrirjes.

Shënimi i datës jep një udhëzime të dobishëme për sa kohë mund të mbahet ushqimi para se të fillojë  të prishet ose të bëhet i pasigurt për t’u ngrënë. Informacioni i qartë mbi paketimin, gjithashtu mund të ndihmojë në zvogëlimin e mbetjeve të ushqimit në BE.

Shkrirja e ushqimit në mënyrë të sigurt

Ushqimet e ngrira mund të përmbajnë baktere që mund të rriten pas shkrirjes dhe të shkaktojnë helmim nga ushqimi. Praktikat e mira të shkrirjes zvogëlojnë mundësinë e sëmundjeve që shkaktohen nga ushqimi dhe të zvogëlojnë mbetjet e ushqimit. Ndiqni këto këshilla se si të shkrijmë ushqimet e ngrira në mënyrë të sigurt.

Ndani copat e mëdha të peshkut të ngrirë, karkalecave ose manaferrave brenda paketimit përpara se t’i shkrini. Shkrini vetëm sasinë e nevojshme të ushqimit dhe pjesën tjetër mbajeni të ngrirë.

Shkrini mishin, peshkun dhe prodhimet e detit në një tabaka në frigorifer për të shmangur kontaminimin e ushqimeve të tjera.

Shkrini perimet dhe frutat në ujë të rrjedhshëm të ftohtë, mundësisht në paketimin origjinal.

Sigurohuni që duart dhe enët tuaja të jenë të pastra kur prekni ushqimin, për shembull kur ndani copa më të mëdha të ushqimit në copa më të vogla.

MOS HARRONI!

Mbajini ushqimet e shkrira në paketimin origjinal, ose në një enë të përshtatshme për të shmangur kontaminimin.

Shkrini ushqimin në temperatura të ulëta për të parandaluar rritjen e bakterieve.

Gatuani ushqimin e shkrirë përpara konsumit për të eliminuar bakteriet.

Mos e ngrini ushqimin pasi është shkrirë.

Gjithmonë ndiqni udhëzimet e prodhuesve për t’u siguruar që ushqimi të qëndrojë i sigurt.

Marrw nga efsa.eu

Siguria ushqimore, pamundësitë e zbatimit në terren për Kapitullin XII dhe sa larg BE-së është Shqipëria

Nga Rudina Muça*

Siguria ushqimore është një ndër prioritetet që vendet e Bashkimit Europian kanë kur diskutohet për shëndetin e qytetarëve të tyre. Të njëjtin standart këto shtete duan t’a eksportojnë edhe në vendet, të cilat aspirojnë të jenë pjesë e unionit, duke kërkuar prej tyre forcim të legjislacionit dhe përafrimit me “Acquis” e BE, por edhe duke i asistuar me fonde dhe trajnime.

Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian po kalon në një proces të gjatë që konsiston në përputhjen e 31 kapitujve që përfshijnë që nga demokracia dhe institucionet e saj deri tek kriteret ekonomike dhe sociale.

Shqipëria prej disa vitesh ka marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian dhe një ndër rekomandimet që mbetet i paplotësuar është Kapitulli 12, që njihet si “Politikat e Sigurisë Ushqimore, Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve”.

Permbajtja e Kapitullit XII

Ky kapitull përbëhet nga një numër shumë i madh rregulloresh, direktivash dhe vendimesh ku përfshihen rregullat e detajuara në fushën e veterinarisë, të cilat janë thelbësore për ruajtjen e shëndetit dhe mirëqenies së kafshëve, si edhe sigurinë e ushqimeve me origjinë shtazore në tregun e brendshëm. Kapitulli 12 është një ndër kapitujt më kompleks përsa i përket volumit të legjislacionit që duhet përafruar dhe forcimit të kapaciteteve institucionale.

Në Prillin e vitit 2005, në Luksemburg, u nënshkrua Marrëveshja e Ripranimit Shqipëri – Bashkimi Europian dhe një vit më vonë, në Shtator të 2006-ës, Parlamenti Europian votoi rezolutën për ratifikimin e “Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit”, e cila i hapi rrugë ratifikimit të MSA-së nga 27 vendet anëtare të BE-së, e hyri në fuqi në Prill të vitit 2009. Në vitin 2006, u krijua edhe një instrument i ri për ndihmën e para-anëtarësimit (IPA). Ky instrument i vetëm financiar thjeshtëzon dhe projekton ndihmën e jashtme të BE-së gjatë periudhës së para-anëtarësimit. Që prej 1 Janar-it 2007, Shqipëria përfiton prej Instrumentit të Para-Anëtarësimit, që mbështet vendet kandidate dhe kandidate potenciale të përfshira në Procesin e Stabilizim Asociimit që të përmbushin kriteret e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Sistemi i sigurisë ushqimore ne Europë mbështetet në parimet e përgjegjësisë së prodhuesit, gjurmueshmërisë së ushqimit, si edhe masat parandaluese për mbrojtjen e shëndetit të konsumatorit dhe kafshëve.

Shqipëria në përpjekjet për përafrimin e këtij legjislacioni po përballet me shumë vështirësi në drejtime të ndryshme. Ekspertët e fushës rekomandojnë dhe konstatojnë mangësitë që Ministria e Bujqësisë, si drejtuese e plotësimit të këtij kapitulli duhet të ketë prioritet, teksa ende shumë pika kyçe nuk janë plotësuar.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, e pyetur se në çfarë faze ndodhet plotësimi i rekomandimeve të Kapitullit 12, tha se: “Aktualisht jemi duke punuar intensivisht, mbështetur dhe nga projekti “Support to food safety, veterinary and phytosantiary standards” – IPA 2016”, për përgatitjen e dokumentit të Analizës së Mangësive Ligjore, i cili është një dokument që skanon të gjithë bazën ligjore të BE dhe atë të përafruar ndër vite nga MBZHR dhe mbështetur në një analizë të thelluar do të përcaktojë edhe afatet kohore të akteve, të cilat ende nuk janë përafruar.”

Ministria e Bujqesise dhe Zhvillimit Rural

Sipas ekspertëve, miratimi i legjislacionit shqiptar në harmonizim me atë të BE, është vlerësuar që ka ecur mirë, por problematika kryesore është mënyra se si ky legjislacion zbatohet në vend pas miratimit të tij.

Evidentohet se, një problem në lidhje me ligjin kryesor të sigurisë ushqimore në Shqipëri, i cili harmonizohet me Rregulloren e Higjienës së BE, konsiderohet fakti që Shqipëria nuk ka një autoritet të vetëm përgjegjës për kontrollin e sigurisë ushqimore. Ky kontroll në Shqipëri kryhet nga tre autoritete, të  cilat janë sa të  pavarura aq dhe të ndërlidhura me njëri-tjetrin. Në këtë mënyrë, përgjegjësitë dhe procesi ndahet dhe copëtohet, duke e bërë më të vështirë, më të ngadaltë dhe jo mirë të koordinuar.

Ky shqetësim nuk ndahet nga Ministria e Bujqësisë e cila deklaron se janë marrë masat e nevojshme që dy autoritet më me rëndësi për kontrollin  e sigurisë ushqimore të plotësohen dhe të funksionojë zinxhiri kontrollues.

“Siguria ushqimore dhe veterinaria janë dy autoritete të ndryshme, por që kanë të njëjtën mënyrë organizimi në autoritet kompetent qëndror, përgjegjës për politikbërjen, legjislacionin, strategjitë dhe monitorimit të zbatimit të tyre dhe autoritetin kompetent, përgjegjës për zbatimin e politikave, legjislacionin dhe strategjitë. Këto autoritete organizohen në mënyrë të tillë që të funksionojë zinxhiri vertikal i komandës dhe raportimit. Së fundmi, me miratimin e amendimeve të Ligjit të Veterinarisë dhe organizimin e Agjencisë Kombëtare të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve u bë i mundur unifikimi i zinxhirit të komandës në linjë vertikale edhe për veterinarinë, duke plotësuar në këtë mënyrë rekomandimin e vazhdueshëm të dhënë në Raportin e Progresit të Komisionit Europian si dhe të misionit të OIE-së në vitin  2014  në Shqipëri. -deklaroi Ministria e Bujqësisë.

Sa i përket analizës së riskut, e cila është edhe parimi i dytë i rregullores së higjienës, Shqipëria paraqet probleme pasi edhe sot ende nuk ka një plan analitik të  sigurisë ushqimore. Shqipëria ka miratuar Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë, ku produktet me origjinë shtazore mund të tregtohen lirshëm në BE që në 1992, por edhe pas gati 30 vitesh nuk po mund të eksportojmë këto produkte në vendet e BE, sepse ende nuk janë plotësuar disa prej rekomandimeve. Edhe për Ministrinë e Bujqësisë, edhe pse eksportojmë disa produkte, ky proces mbetet kompleks dhe shihet si prioritet i këtij institucioni, ku po punohet intensivisht.

“Shqipëria është e listuar në listën e vendeve të treta që mund të eksportojnë në BE  produkte me origjinë shtazore për konsum human të tilla si peshk, produkte peshku, vezë, produkte vezësh, qumësht të trajtuar dy herë termikisht, këmbë bretkosash, kërminj dhe zorrë, si dhe produkte për konsum jo human të Kategorisë 3. Aktualisht jemi duke punuar për rihapjen e eksportit të molusqeve bivalve dhe vezë të klasit A dhe presim të auditohemi nga shërbimet e Komisionit Evropian. Sigurisht, eksporti i produkteve me origjinë shtazore në BE është ndër prioritetet e MBZHR, por ky është një proces kompleks dhe jo vetëm i Shqipërisë”, u shprehën zyrtarët e Ministrisë së Bujqësisë.

Treg kafshesh te gjalla ne Shqiperi

Specialistët e fushës sygjerojnë se, duhet të hartohet një program pune specifik për përmirësimin e situatës së sigurisë ushqimore në sektorin e blegtorisë dhe atë të akuakulturës, me synim hapjen e eksportit të kafshëve të gjalla dhe atë të midhjeve brenda vitit 2021.

Një skanim real të situatës së ecurisë së procesit për plotësimin e Kapitullit 12 është edhe Progres-Raporti i Bashkimit Europian, i cili çdo vit jep rekomandimet dhe konstaton mangësitë se ku duhet të fokusohen energjitë e ministrive dhe grupeve të punës. Progres-Raporti i BE-së për Shqipërinë gjatë muajit Tetor 2020 ka dhënë vlerësimet përkatëse, por ka lënë edhe mjaft rekomandime që duhen plotësuar.

“Ristrukturimi i sektorit veterinar mbetet ende për t’u zbatuar. Shqipëria duhet të hartojë një udhërrëfyes koherent për të siguruar harmonizimin, ndërtimin e kapaciteteve dhe zbatimin e acquis-it të BE-së mbi kontrollet zyrtare, shëndetin e kafshëve dhe shëndetin e bimëve në kuadrin e një politike të konsoliduar të sigurisë ushqimore. Rekomandimet e Komisionit të vitit 2019 nuk janë zbatuar plotësisht dhe janë ende të vlefshme”, u shpreh Komisioni Europian në raportin më të fundit në Tetor 2020. Ndër të tjera në progres raport theksohet se, Shqipëria duhet të përfundojë riorganizimin e shërbimit veterinar për të rritur efikasitetin dhe për të siguruar një nivel të përshtatshëm të kapaciteteve administrative. Duhet të vazhdojë të zbatojë me efikasitet programin e ri të vaksinimit kundër tërbimit (2020-2021). Duhet të miratojë një metodologji të re të bazuar në rrezikun për planifikimin e kontrolleve zyrtare të sigurisë ushqimore. Duhet të zbatojnë kontrolle zyrtare sipas planeve vjetore të përditësuara të inspektimit mbështetur në një metodologji të përmirësuar të bazuar te rreziku për planifikimin e kontrolleve zyrtare të sigurisë ushqimore. Duhet të përmirësojë kontrollin e produkteve për mbrojtjen e bimëve dhe të konsolidojë kapacitetet e monitorimit të mbetjeve të pesticideve në produktet ushqimore.

Informaliteti mbetet një problem madhor i bizneseve bujqësore. Ekspertët thonë se, ligji ‘Për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor’ nuk është amenduar asnjëherë dhe vlerësohet si i pazbatueshëm ndaj sugjerohet zëvendësimi i tij më një ligj tjetër të zbatueshëm dhe të përditësuar. Përsa i përket informalitetit, ai vlerësohet se pengon të gjitha hallkat e tjera të zinxhirit dhe të sigurisë ushqimore. Ndryshe nga sa ekspertët rekomandojnë dhe konstatojnë, Ministria e Bujqësisë ka një tjetër qëndrim duke deklaruar se formalizmi i fermave ka ndodhur.

“Të gjitha fermat blegtorale në territorin e Shqipërisë janë të formalizuara nëpërmjet regjistrimit të çdo ferme. Çdo lloj kafshe mbarështimi është identifikuar me një kod unik (të dhënë nga INSTAT), të cilat janë të regjistruara dhe identifikuara në sistemin elektronik RUDA mbajtur në MBZHR. Identifikimi dhe regjistrimi i fermave është pjesë e gjurmueshmërisë të shëndetit të kafshëve që mbarështohen në këto ferma. MBZHR po zbaton një politikë të re duke bërë matrikullim, identifikim falas dhe duke rritur numrin e veterinerëve të terrenit”, u shprehën zyrtarë të kësaj ministrie

Ky qëndrim i Ministrisë së Bujqësisë kundërshtohet nga raporti i fundit i BE-së për Shqipërinë i cili pohon se numrat e kafshëve u verifikuan dhe u regjistruan në të gjithë vendin, por regjistri i kafshëve ende kërkon përditësim. “Të dhënat e reja pritet të përmirësojnë informacionin mbi numrin real të kafshëve dhe të ndihmojnë shërbimin veterinar për të planifikuar masat dhe buxhetin për regjistrimin dhe kontrollin e sëmundjeve të kafshëve”, thuhet në raport.

Nga ana tjetër edhe tregjet agro-blegtorale janë një hallkë e dobët në zinxhirin e sigurisë ushqimore. Gjatë takimit që grupi i punës së Konventës Europianë mbajti për Kapitullin 12 në dhjetor 2020 në Tiranë, u diskutua se nga një vlerësim i bërë, nga 33 tregje blegtorale, vetëm 2 i plotësojnë kriteret. Ndaj u kërkua në këtë tryeze që më shumë punë duhet bërë që këto tregje të arrijnë standartet e kërkuara, dhe kjo realizohet duke shtuar investimet dhe mbështetjen financiare dhe strukturore ndaj tyre.

Hartimi i një ligji gjithëpërfshirës që të lidhë mes tyre hallkat e ndryshme të sigurisë ushqimore: bujqësia, blegtoria, peshkimi, industria ushqimore, mjedisi dhe tregjet agro-blegtorale shihet si  mënyra e duhur për t’u afruar në standardet e kërkuara. Me rëndësi vlerësohet mbështetja financiare e këtyre hallkave, fuqizimi i agrobizneseve dhe rregullimi i procedurave të gjurmueshmërisë, pasi rregullorja e BE e vitit 2002 ka një ndër 5 parimet e përgjithshme, gjurmueshmërinë. Sipas nenit 18, ushqimi duhet të gjurmohet në të gjithë zinxhirin ushqimor dhe në çdo kohë.

Ndërkohë që gjatë vitit 2019 shtimi i 3 veprave penale sa i përket sigurisë ushqimore në Kodin Penal u vlerësuan nga BE si një hap pozitiv dhe një përpjekje serioze në plotësimin e rekomandimeve të lëna.

Për të pasur një siguri ushqimore të standartizuar duhen ngritur kapacitetet njerëzore dhe infrastrukturore të shoqëruara këto edhe me buxhetimet përkatëse, gjë e cila në shumicën e rastëve është e pamjaftueshme dhe e kushtueshme për buxhetin që i akordohet këtij sektori jetik në vendin tonë. Ministria e Bujqësisë konfirmoi se, ngritja e kapaciteteve njerëzore është në vëmëndjen e vazhdueshme, si dhe është investuar për ngritjen e këtyre kapaciteteve si nga ana e ministrisë, ashtu edhe nga projekte të ndryshme ndër vite. Për të konkretizuar angazhimin e tyre në këtë proces ata sollën një model. “Shëmbulli i fundit është reforma më e re që po zbatohet, ajo në sektorin e veterinarisë, pjesë e të cilës është edhe forcimi i kapaciteteve dhe që është shoqëruar me buxhetin përkatës fillestar dhe në vazhdimësi”.

Bazuar në përkthimin e shumë urdhrave dhe rekomandimeve, ekspertët ngrenë edhe një tjetër shqetësim. Në Shqipëri, sipas tyre, udhëzimet e organizmave ndërkombëtarë për sigurinë ushqimore nuk miratohen si ligje, por adoptohen vetëm në urdhëra dhe udhëzime ministri, akte këto të cilat janë në kundërshtim me atë çfarë aspirojmë të arrijmë, pasi një urdhër ministri nuk ka të drejtë të kontrollojë bizneset për sigurinë ushqimore dhe më pas edhe mund t’i penalizojë ato, pasi juridikisht kanë efekte vetëm administrative. Për këtë arsye, njohësit e Kapitullit 12 rekomandojnë kthimin në ligj të shumë vendimarrjeve që autoritetet europiane të sigurisë ushqimore ndërmarrin për qytetarët e tyre. Në këtë mënyrë do të hidhej edhe një hap më shumë drejt përafrimit të legjilacionit dhe plotësimi i këtij kapitulli me rëndësi për integrimin e vendit.

*Autorja e shkrimit është gazetare me ekseriencë disavjeçare në media të shkruara dhe elektronike, si dhe ka qenë pjesë e emisioneve televizive investigative. Aktualisht, është pjesë e departamentit të informacionit në televizionin Top Channel.

Ky botim u prodhua me mbështetjen financiare të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe Partnereve. Permbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e autorit të shkrimit dhe e Qendrës Alert, si dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe Partnerëve.

QENDRA ALERT / ALERT.AL

Investigimi / Si mashtrohen fermerët me cilësinë e plehrave kimike dhe rreziku i shëndetit nga prania e tyre në produktet ushqimore / Foto - Video

Nga Rudina MUÇA*

Toka e punuar çdo vit gradualisht bëhet jo pjellore. Për këtë arsye fermerëve u lind nevoja që tokat bujqësore t’i ushqejnë me pleh. Plehu organik nuk i përmbush nevojat që ka fermeri për tokën e tij, për këtë arsye bima e mbjellë në këtë tokë ushqehet me plehra kimike. Plehrat
kimike përdoren nga fermerët me qëllim që prodhimi bujqësore të ketë rendimet të lartë, në kohë dhe sasi. Por si është cilësia e plehra kimike që importohen në Shqipëri? Fermeri vendas jo rrallë herë ankohen për cilësinë e tyre.
Franc Kaloshi është 31 vjeç. Ai zotëron një fermë të madhe në fshatin Ferras të Divjakës. Në 250 hektarë fushë, Franci kultivon kultura të ndryshme bujqësore duke filluar që nga drithërat, si gruri, perimet: domate, spec, presh, qepë hudhër, lakra e duke vazhduar deri te frutat si shalqini. Më pas ky prodhim Made in Albania, eksportohet drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Prodhimet bujqësore që fermeri, Franc Koleshi kultivon në parcelën e tij i mbjell të gjitha në fushë, në 250 hektarë tokë në një periudhë 1 vjeçare atij i duhet 400 ton plehra kimike. Duke filluar që nga dapi, ure, nitrat dhe formula kristalore. Çmimi për 1 ton plehra kimike afërsisht kap vlerën e 45 mijë lekëve të reja, në total Franci për plehra kimike shpenzon 18 milion lekë të reja.
“Importuesit fusin dorën në xhepat e fermerëve”, thotë Franci, sipas të cilit, konkretisht kur bujqësia nuk ka nevoja për nitrat çmimi për ton është 20 mijë lekë të reja, por kur ky pleh kimik përdoret gjerësisht në fusha dhe sera çmimi i tij dyfishohet, për pasojë çmimi shkon në 40 mijë lekë reja për ton.

Madje, pak ditë më parë, Autoriteti i Konkurecës njoftoi se, nisur nga shqetësime të ngritura në media mbi rritjen e çmimit të plehrave kimike, bazuar në nenin 28, germa a), të ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, i ndryshuar, Autoriteti i Konkurrencës në datën 11 Mars 2021 realizoi një monitorim të tregut të importit dhe shitjes me shumicë të plehrave kimike dhe imputeve bujqësore, për evidentimin e kushteve të tregëtimit të këtyre produkteve, me qëllim vlerësimin e konkurrencës në këtë treg. Konkurenca vijon me njoftimin e saj, duke sqaruar se, “nga vlerësimi i informacionit të mbledhur gjatë monitoritmit të kryer pranë ndërmarrjeve kryesore në tregun e importit dhe shitjes me shumicë të plehrave kimike dhe imputeve bujqësore, si dhe në ambientet e Shoqatës Shqiptare të Plehrave Kimike dhe Inputeve Bujqësore “AFADA”, rezultoi:

Disa ndërmarrje gëzojnë të drejta ekskluzive në tregtimin e produkteve të mbrojtjes së bimëve;
Ndërmarrjet kanë realizuar importe të përbashkëta dhe kanë siguruar gjendje të produkteve në magazine duke i shitur ato me çmime shumë më të larta se kostot e blerjes së tyre;
Në treg operojnë ndërmarrje të konsoliduara dhe me pjesë të konsiderueshme të tregut.

Për sa më sipër, ngrihen dyshime të arsyeshme se mes ndërmarrjeve që ushtrojnë veprimtari në tregun e importit dhe shitjes me shumicë të plehrave kimike dhe inputeve bujqësore, ka element të një sjelljeje të bashkërenduar, e cila mund të përbëjë kufizim, shtrembërim apo pengim të konkurrencës në kuptim të nenit 4, pika 1 dhe nenit 9 të ligjit nr 9121, datë 27.08.2003 “Për mbrojten e konkurrencës”, i ndryshuar. Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës vendosi “Hapjen e procedurës së hetimit paraprak në tregun e importit dhe shitjes me shumicë të plehrave kimike dhe inputeve bujqësore”.

Po, shqetësim tjetër mbetet cilësia e këtyre produkteve plehëruese, përbërja e të cilave rezulton, sipas një investigimi, ndryshe nga deklarimet në etiketë.
Qendra ALERT, një Organizatë Jofitimprurëse, po zbaton projektin “Ushqimi, risku masiv për konsumatorët, mungesa e kontrolleve dhe e informimit nga institucionet”, si një ndihmesë për fermerët dhe për të rritur cilësinë e ushqimeve të tryezës. Gazetarët investigativë duke pasur si qellim të vetëm mbrojtjen dhe informimin e konsumatorit, në disa subjekte të ndryshme tregtare si farmaci bujqësorë blenë plehra të ndryshme kimike. Më pas me temperaturë ambienti ato u depozituan pranë laboratorit “Noval” për të analizuar ato elemente kimike që janë paraqitur në etiketën e produktit. Konkretisht u analizuan produktet:
Agriful (biostimulant naral me veprim të shpejtë), Nitrat Amoni (substanca kimike të ngurta), Olifer (substanca kimike të ngurta), Urea (substanca kimike të ngurta), Zenith Orange (substanca kimike të ngurta). Ambalazhimi i plehrave kimike ka qenë në thasë dhe plehrat kimike në laborator janë dorëzuar sipas një protokolli, pra të pahapura.
Konkretisht u kryen analizat kimike në laborator të akredituar, konkretisht Noval, me të cilin Qendra ka një kontratë bashkëpunimi në kuadër të realizimit të projektit në fjalë, për përmbajtjen e elementeve ushqyese si azot, fosfor, kalium, bor në përbërjen e tyre. Këto analiza u realizuan për të krahasuar të dhënat që deklarohen në etiketë për përmbajtjen e produktit, me ato reale të nxjerra nga laboratori.

Dy ekspertë të kësaj fushe, analizuan rezultatet e analizave. Konkretisht, Ferdi Brahushi, pedagog në Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe Arben Shytaj, ish-Përgjegjës i Sektorit të Mbrojtjes së Bimëve dhe ish-Inspektor në Autoritetin Kombëtar të Ushqimit.

Sipas Prof. Brahushit, disa nga plehrat kimike që tregtohen në vendin tonë nuk janë brenda standardeve që kërkohen.

Brahushi deklaron se, prezenca e nitrateve në produkte është mjaft e dëmshme për shëndetin e njeriut, gjë për të cilën flitet pak sot. “Ne sot marrim në treg perime më prezencë të nitrateve e nitriteve. Për të shtuar prodhimin dhe aq më tepër kur produktet plehëruese janë me lëndët kimike më të ulëta sesa normalja e deklaruar në etiketë, fermeri hedh sasi të mëdha plehu kimik që të rrisë rendimentin. Por, për pasojë kemi nitrate e nitrite në bimë, duke shkaktuar dhe sëmundje të pashërueshme”, theksoi Profesor Brahushi.

Ndërsa eksperti Srben Shytaj deklaron se, “kemi patur raste të problemeve të ushqimeve të plehrave kimike, të mangësisë së lëndëve aktive, të përzierjeve të ndryshme dhe kemi marrë masat përkatëse”.

Prof.Ferdi Brahushi

Interpretimi i Z.Ferdi Brahushi:
” Bazuar në VKM Nr. 774, datë 7.11.2012, Për rregullat, kërkesat e prodhimit, etiketimit e të paketimit për vendosjen në treg e tolerancat dhe listën e tipave të plehrave kimike Ec Fertilizers”, për normat e lejueshme të devijimit të lejuar nga normat minimale e maksimale të elementit ushqyes, të përcaktuar në Shtojcën 2 të këtij vendimi, dhe rezultatet e marra si dhe ne gjykimin si specialist i fushes dalim në konkluzionet si vijon:
Analiza e plehut të Nitrat Amoni me përmbajtje në etiket 34.4% azot rezulton me një diferencë -1.99% në vlerë absolute krahasuar me etiketën dhe + 1.19% më shumë nga norma e lejueshme e devijimit.

Analiza e plehut Urea me përmbajtje në etiket 46.2% azot rezulton me një diferencë +1.4% në vlerë absolute krahasuar me etiketën dhe + 1.0% më shumë nga norma e lejueshme e devijimit.

Analiza e plehut Olifert me përmbajtje në etiket 22% azot, 6% fosfor (P2O5); 12% potas (K2O) dhe 0.5% bor rezulton me
diferencat -0.26%, +0.52%, -0.22% dhe -0.18% respektivisht, dhe me një total devijimi (1.18%) në vlerë absolute krahasuar me etiketën është më i vogël nga norma e lejueshme e devijimit (1.9%). Pra, ky pleh rezulton me përmbajtje të elementeve ushqyes sipas etiketës.

Analiza e plehut Zenith Orange me permbajtje në etiket 15% azot, 15% fosfor (P2O5); 15% potas (K2O), 0.5% mikroelement ushqyes (Fe, Zn, B, Cu, Mg)dhe 15% squfur (SO3) rezulton me diferencat -1.21%,-0.8%, -1.15%, +0.4 dhe -0.96% respektivisht dhe me një total devijimi 4.52% në vlerë absolute, krahasuar me etiketën është më i madh nga norma e lejueshme e devijimit (1.9%).
Në gjykimin tim, kjo vlerë devijimi vjen kryesisht nga përmbajtja më e ulet e azotit dhe kaliumit (K2O) që rezulton në mostrën e marrë, duke e konsideruar këtë pleh jashtë standardit të përdorimit.

Analiza e Biostimulantit natyral me veprim të shpejtë AGRIFUL me përmbajtje në etiket 4.5% azot, 1.0% fosfor (P2O5); 1.0% potas (K2O), rezulton nga analizat e bëra me një përmbajtje më të lartë të tre elementeve kryesor ushqyes azot, fosfor dhe kalium.

Por, çfarë ndodh kur vlerat plehrave kimike janë nën normë?
Në rastet kur plehu ka përmbajtje më të ulët se vlera e përcaktuar në etiketë është një mashtrim ekonomik për fermerët, pasi ata paguajnë për këtë pleh dhe sasia që marrin për përdorim është në bazë të përmbajtjes së elementëve ushqyes mbi bazën e së cilës përcaktohet doza e përdorimit të tyre. Kështu, kur fermerët përdorin këtë pleh nuk çon në rritjen e redimentit të bimëve bujqësore për shkak të përmbajtjes më të ulët të elementëve ushqyes duke shaktuar mungesë të tyre në bimë.”
Po ne rastet kur vlerat e plehrave kimike rezultojnë të jenë mbi vlerën e reflektuar në etiketë cfarë ndodh? Brahushi thekson se, vlerat e larta të këtyre elemnteve kimike do të kristalizonin tokën dhe do të shkaktonin ndotje të lartë mjedisore. “Në rastet kur plehu ka përmbajtje më të lartë se vlera e përcaktuar në etiketë, që mund të jetë rast i rrallë mund të çoj në probleme mjedisore si përmbajtje të lartë të tyre në bimë sidomos për shembull në rastin e plehrave azotike përmbajtja e lartë e azotit do të shoqërohet me përmbajtje të lartë të nitrateve në bimë dhe kalimin e tyre në ujërat sipërfaqësor dhe nëntokësor”. Një kohësisht, Brahushi ngre alarmin edhe për sigurinë ushqimore. Sipas tij, kur fermeri përdor në tokat e tij produkte plehëruese, përmbajtja e të cilave është jashte normes së deklaruar në etiketë, shkakton dhe dëme edhe përbën një potensial serioz për konsumatorin, pasi hedh më shumë dhe këto reflektohen në produktin përfundimtar, ku rreziku më i madh është prania e nitrateve në perime.

Ndërkohë, Arben Shytaj, ish-Inspektor dhe ish-Përgjegjës i Sektorit të Mbrojtjes së Bimëve në AKU, por dhe njohës i mirë i ligjeve mbi etiketimin e plehrave kimike, deklaron se disa nga mostrat e analizuara, referuar fletëanalizave të “Noval”, kanë në mungesë të lëndës aktive dhe në disa raste, kthehen në rrezik për sigurinë ushqimore.

Interpretimi i plotë i Z.Shytaj:

Nëse i referohemi dispozitave ligjore, një gjë e tillë dënohet me gjobë.

Arben Shytaj

Produkti Olifert

Etiketa 22-6-12(NPK)+0.5Bor.
Analiza: N( azoti) 21.71 %
P2O5(fosfori) 6.52%
K2O(kaliumi) 9.76%
Bori 0.32%
Toleranca e lejueshme është 1.1% e deklarimit. Azoti është në normë, po ashtu edhe Fosfori.

Oksidi i Kaliumit është me mungesë, nga 12% i deklaruar, lejohet 11.862%, i mungon 2.1%.
Bori: Toleranca e lejueshme për mikroelementet me përmbajtje nën 2% është 0.4% e deklarimit. Pas përllogaritjeve, norma e lejueshme për deklarimin 0.5% , është 0.425%, në analize ka dale 0.3%.
Zenith orange

Etiketa: 15-15-15 (NPK)+15% So3+0.15%( Fe, Zn,
B, Cu, Mg)
Analiza: 13.79(N)-14.2(P2O5)-13.85(K2O)+14.04 SO3
Toleranca e lejueshme për makro elementët është 1.1% e
deklarimit.
Nga përllogaritjet del: Për te tre treguesit norma e lejueshme është 14.8, kështu qe te tre elementet ushqyes janë me mungesë përkatësisht 1%, 0.6%, 0.95%.
Analiza e mikroelementeve: hekuri dhe magnezi janë përkatësisht
0.28% dhe 0.20%, mbi deklarim 0.15%.
Bori 0.05%, Zinku 0.02%, Bakri 0.002%. Në bazë të përllogaritjeve, toleranca e lejueshme është 0.00225%, ku sipas etiketës lejohen deri 0.14775%. Siç shihet rezultatet janë shumë te ulëta nga toleranca e lejueshme dhe deklarimi në etiketë.

Nitrat Amoni

Treguesi në etiketë N(azoti) 34.4%, rezultati në fletë analize 32.4%.

Toleranca e lejueshme 0.8%.

34.4×0.8÷100=0.275 % është shifra e lejueshme, e cila i zbritet 34.4% që është deklarimi. 34.1% është lenda aktive N(azot) e lejueshme per këtë deklarim, këtij loti i mungon 1.7%.

Ure

Treguesi në etiketë N(azoti) 46.2% rezultati  N(azoti) 47.6%.

Agriful

Etiketa: Azoti 4.5%, Fosfori 1%, Oksidi i Kaliumit 1.49%.

Rezultati:

N(azot) 5.7%, P2O5(Fosfori) 2.4%, K20 (kaliumi) 1.49%

Te tre treguesit me tepricë, mbi normat e lejueshme.

Treguesit për produktet me mungesë të lendës aktive, siç u permendën me lart, jane ne shkelje të Nenit 27 të ligjit Nr 17/2020 “Për Produktet Plehruese”, pasi jane produkte të tjetersuara, ku subjekti përkatës dënohet me gjobë. Ndërsa demi që i shkaktohet fermerit është së pari ekonomik, pasi ai blen një produkt me mungese në lendë aktive për bimët e tij.

Kur të dhënat e etiketës janë të tjetërsuara, një gjë e tillë prodhuesin apo importuesin e dënon me gjobë ose deri në asgjësimin e atij produkti. Saktësisht kjo masë administrative shënohet në “Ligjim për produktet plehëruese”, Neni 28, Ligji 17/2020, pasi janë produkte te tjetërsuara, subjekti përkatës dënohet me
gjobë e në rast përsëritjeje ka dënim plotësues, bllokim dhe asgjësim produkti.
Fermeri Frac Kaloshi thotë se, shumë herë fermerët duke parë që fruti i bimës së tyre deformohet, humbet ngjyrën apo bie rendimenti, detyrohen që analizat e plehrave kimike t’i bëjnë në rrugë private. Në këtë mënyrë, ata kërkojnë të shpëtojnë të mbjellat e tyre. Saktësisht, urea duhet të ketë në përbërje 46% azot, ndërkohë që analizat e kryera dolën në rezultatin që ky produkt kishte vetëm 20% ure. Fermerëve, shumë kultura bujqësore u mbetën të pashitura, një domate, spec dhe kastravec, të deformuar nuk është i pëlqyer nga konsumatori, për këtë arsye tregjet evropiane tërheqin porosinë. Ish Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, propozoi përjashtimin e inputeve bujqësore nga TVSH. Ky vendim kishte për qellim uljen e kostove të prodhimit dhe të rriste fitimin.
“Me ndryshimet ligjore të Paketës Fiskale që kanë hyrë në fuqi në janar 2019, kategorizohet si furnizim i përjashtuar nga TVSH-ja, furnizimi i inputeve bujqësore, siç janë: plehrat kimike, pesticidet, farat dhe fidanët. Ky përjashtim përcaktohet në nenin 51, gërma “nj)”, të ligjit nr. 92/2014, datë 24.07.2014 “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në RSH”, i ndryshuar. Përjashtimi nga TVSH-ja e inputeve bujqësore iu krijon mundësi shoqërive të importit dhe tregtimit të tyre, të ulin me të njëjtin masë çmimet e shitjes tek fermerët.”
Fermerët thonë, që ky ligj nuk është reflektuar në rënien e çmimit të imputeve bujqësorë. Sipas Kalosiht, “ky ligj nuk i ndihmoi ata, por i ka siguruar me tepër fitim importuesve të inputeve bujqësore. Çmimi plehrave kimike nuk është ulur, ndërkohë që përjashtimi nga faturat e TVSH i ka sjellë atij dëm ekonomik, pasi 20% TVSH që ai përfitonte nga këto fatura është një
mungesë investimi në fermën e tij”.

Shoqëritë tregtar abuzojnë me cilësinë dhe çmimet e inputeve bujqësorë, një gjë e tillë e fakton edhe hetimi i bërë nga Autoriteti i Konkurrencës.

Ky investigim ka për qellim mbrojtjen e fermerit, konsumatorit dhe prodhimit vendas. Kur etiketa e produktit nuk respektohet atëherë fermeri përballet me mashtrimin, vepër penale kjo që kryhet nga prodhuesi dhe importuesit e inputeve bujqësore. Edhe pse fermerët shqiptarë e ngrënë zërin në media dhe para ministrisë së bujqësisë për pakënaqësitë e tyre mbi cilësinë dhe përmbajtën e lëndëve aktive në inputet bujqësore, deri më tani asnjë abuzues nuk është dënuar. Janë fermerët dhe konsumatorët ata që paguajnë shtrenjtë abuzimin e tyre.

*Autorja e shkrimit është gazetare me ekseriencë disavjeçare në media të shkruara dhe elektronike, si dhe ka qenë pjesë e emisioneve televizive investigative. Aktualisht, është pjesë e departamentit të informacionit në televizionin Top Channel.

Materiali është realizuar nga Qendra ALERT, si pjesë e projektit “Ushqimi, risku masiv për konsumatorët, mungesa e kontrolleve dhe e informimit nga institucionet”, të mbështetur financiarisht nga Programi i Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci të Ambasadës së SHBA në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.

Qendra ALERT / Alert.al