Menu

Konsumatori

Investigimi i ALERT / Nga tumoret, te sëmundjes e zemrës, veshkave e mëlçisë, si përdoret masivish vaji i palmës dhe në shumë raste i padeklaruar

Nga Rudina Muça*

Të pretendosh sot se në dyqanet e bulmetit mund të gjesh produkte vërtet të shëndetshme, vetëm gënjen veten, rrezikon shëndetin në shumë raste dhe thuajse në të gjitha rastet je i mashtruar. Kjo ndodh rëndom dhe me nënprodukte qumështi, të cilat konsumatorët drejtohen t’i blejnë si të zgjedhura, por në të vërtetë, në brenddësi të tyre ka vaj palme e kushedi sa shtesa tjera ushqimore, të padeklaruara në etiketa, por edhe pa afate prodhimi e përdorimi. Kjo ndodh kryesisht në tregje, por edhe hapur në markete me salcat e kosit ose nënprodukte tjera qumështi, që shiten me kilogramë e shpesh herë me mbishkrimin “bio”. Ndryshe ndodh me produktet e ambalazhuara, që kanë apo jo shtesa ushqimore, si vaj palme etj, të paktën e kanë të deklaruar dhe secili e merr vetë riskun përsipër.

Një pjesë e madhe e nënprodukteve të qumështit që tregtohen në marketet vendase  kanë në përbërje edhe vajin e palmës. Tregtarët abuzojnë, duke e fshehur një fakt të tillë, duke mos e vendosur ekzistencën e vajit të palmës në etiketën e produktit edhe pse ky është një detyrim ligjor.

Vaji i palmës gjen modifikime të shumta tek nënproduktet e qumështit, duke filluar që nga djathi, gjalpi dhe salca e kosit. Për të faktuar se çfarë hamë ne, Qendra “Alert” ka realizuar një investigim për sa i përket deklarimit të vajit të palmës tek etiketat e produktit të salcës së kosit të ambalazhuar dhe të paambalazhuar. Vendimi i Këshillit të Ministrave mr Nr/434, datë 11.7.2018, “Për Etiketimin e Ushqimeve dhe Informimin e Konsumatorit”, i cili i detyron të gjithë operatorët e biznesit ushqimor që të mos tregtojnë produkte ushqimore pa etiketa, si dhe mënyrën e etiketimit, të deklarimit të përbërësve etj, duket qartë që nuk gjen zbatim, ndërkohë që institucionet ligjzbatuese, ngjajnë të paafta për garantimin e sigurisë ushqimore.

Ndërkaq, referuar këtij vendimi, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, më 15.06.2020, iu dërgoi të gjitha shoqatave të biznesit ushqimor, një informacion të detajuar për mënyrën se si duhen etiketuar produktet ushqimore e çfarë duhet deklaruar në të. Por, duket qartë që as VKM dhe as “fushata informuese” e AKU, në shumë raste nuk merren në konidetarë, duke e lënë kështu konsumatorin në mëshirë të fatit.

Qendra “Alert”, një organizatë jofitimprurëse, po zbaton projektin “ Ushqimi, risku masiv për konsumatorët, mungesa e kontrolleve dhe e informimit nga institucionet”, si një ndihmesë për të rritur cilësinë e ushqimeve të tryezës. Gazetarët së bashku me specialistët e laboratorit të akredituar “Noval”, vendosën që të bëjnë një investigim në tregun vendas. Për të faktuar një gjë të tillë, në disa markete dhe minimarkete  të kryeqytetit u blenë 5 mostra salcë kosi të kompanive të ndryshme në markete dhe dyqane që reklamohen se kanë produkte bulemti bio.

Mostrat janë blerë të ambalazhuara dhe jo të ambalazhuara. Më pas, me frigoriferë ftohës dhe temperaturë optimale u dërguan pranë laboratorit “Noval”, ku  kërkuam që të analizonte nëse në salcën e kosit ka prani të vajit të palmës. Nga analizat rezultoi se, tri nga mostrat dolën me prezencë të vajit të palmës, përfshi këtu edhe mostrat e blera në dyqanet e ashtuquajtura “bio”. Më pas gazetarët investigativë bën një krahasim me etiketat e këtyre produkteve.

Prof. Kapllan Sulaj, Dekan i Fakultetit të Bioteknologjisë së Ushqimit në Universitetin Bujqësor të Tiranës në verifikimin dhe interpretimin e raport-analizave të vënë në dispozicion nga Qendra “Alert”, deklaroi se salcat e kosit janë përgatitur me vaj palme.

Kapllan Sulaj

“Nga raportet analitike tregohet se ka prani të vajit të palmës. Nuk ka vlerësim sasior për njësi peshe. Vaji i palmës përdoret në industrinë ushqimore dhe në industrinë e përpunimit të qumështit. Vlerësimi sasior nga laboratori duhet të tregonte sasinë që përdoret në çdo rast dhe në këtë rast këtë të dhënë nuk e kemi. Efekti që ka vaji i palmës në shëndet i refrerohet dozave të ekspozimit dhe prandaj analiza sasiore mbetet e rëndësishme”, thotë Sulaj.

Rezultatet e mostrave

Kampioni me kodin nr.11, rezulton të jetë produkt i prodhuar nga kompania “Jugu Farm”. Rezultatet e analizave treguan që ky produkt të jetë përgatitur me vaj palme. Ndërkohë që në etiketën e tij nuk shënohet asgjë përveç emrit të prodhuesit. Kjo salcë kosi është blerë e hapur, pra me peshë, në një nga supermarketet e kryeqytetit, pranë “Pazarit të Ri”. Në këtë rast kompania fsheh të dhënat kryesore të produktit, që i detyrohet me ligj konsumatorit. Këto salca nuk janë të sigurta edhe për faktin se në asnjë tabelë nuk shënohet jetëgjatësia e produktit. Në këtë rast konsumatori mbetet në duart e shitësve. Ndërkohë që Autorteti Kombëtar i Ushqimit, është ai institucion që duhet t’i garantojë siguri ushqimore konsumatorit.

Kampioni me nr. 12, i salcës së kosit Erzeni, sipas rezultatit të analizave, ka rezultuar se nuk ka prani të vajit të palmës. Megjithëse vaji i palmës është i deklaruar në etiketën e produktit të ambalazhuar, nga analizat laboratorike, në kampionin e marrë, nuk ka rezultuar prani.

Kampioni me numër 13, është prodhim i Lufrës dhe rezulton se është përgatitur me vaj palme. Në etiketën e këtij produkti kemi të shënuar përqindjen dhe praninë e vajit të palmës.

Kampioni me nr. 14, korrespondon të jetë ai i kompanisë Gjirofarma. Salca “Perfetto”, në etiketën e këtij produkti në listën e përbërjeve shënohet që ka vaj vegjetal, por nuk ka të saktësuar llojin dhe sasinë në të. Nga analizat laboratorike rezultoi që ky produkt rezulton të jetë i përgatitur me vaj palme.

Ndërsa kamioni me kodin numër 15, është  blerë në një dyqan bulmeti, e cila si të  dhënë kishte vetëm origjinën e produktit. “Salcë Kosi Gjirokastre”, nuk rezultoi me vaj palme. Por edhe këtu shfaqen probleme, sepse kompania në fjalë nuk kishte të shënuar asnjë të dhënë për datën e prodhimit, datën e skadencës  apo përbërësit e tjerë  që ka ky produkt.

Po përse vaji i palmës përdoret në punishtet e bulmetit?

Eksperti i Bujqësisë, Ervin Resuli thotë se vaji i palmës ul kostot e prodhimit të këtij produkti. “Ky përbërës është i njohur për koston e tij relativisht të ulët, përmban nivel të lartë yndyre dhe shërben për t’i zgjatur jetën produkteve të ndryshme ushqimore, si dhe rrit rrezen e produktit. Përdorimi i vajit të palmës është duke vënë në rrezik fermerin shqiptar”, thotë Resuli.

Ervin Resuli

Eksperti i bujqësisë shprehet gjithashtu se numri i baxhove në vend nuk i plotëson kërkesat e tregut për qumësht të freskët. “Përballë kësaj situate, industria e përpunimit të qumështit detyrohet të përdorë shtesa të ndryshme proteinike. Qumështi pluhur, si dhe abuzimet me vajin e palmës ulin interesin për qumështin e freskët. Vaji i palmës kushton shumë lirë në tregun botëror, ndërsa litri i qumështit tek fermeri vendas është i kushtueshëm, pasi kostot e prodhimit janë tepër të larta. Fermeri shqiptar nuk subvencionohet mjaftueshëm që qumështi i freskët të jetë konkurues. Edhe në ato raste kur baxhot kërkojnë qumësht të freskët tërheqin qumështin nga vendet e rajonit si Serbia dhe Maqedonia, element ky që tregon se edhe në këtë rast qumështi i baxhove tona përsëi nuk preferohet”, shton Resuli.

Urdheri i Ministrise se Industrise dhe Tregtise se Kosoves qe ndalon importin e perkohshem te vajit te palmes

Por çfarë rreziku sjell kjo? Në vitin 2019-2020 industria e përpunimit në Kosovë, braktisi qumështin e freskët të baxhove duke preferuar që zgjidhjen ta gjente tek vaji i palmës. Përballë kësaj situate qumështi i fermerëvë përunfoi në kanal. Më pas ishte protesta e fermerëve në Kosovë që vuri në lëvizje qeverinë vendase, duke ndaluar kështu kategorikisht importin e vajit të palmës dhe përdorimin e tij tek induastria e bulmetit. Me këtë vendim qeveria i siguroi konsumatorit një produkt cilësor dhe shpëtoi nga falimentimi baxhot e vendit.

Ndërkohë në Shqipëri vaji i palmës gjen përdorim të gjerë në industrinë ushqimore dhe atë kozmetike, duke qëndruar i fshehur, pasi në etiketën e produkteve nuk shënohen të dhënat kryesore që i bën të ditur konsumatorit se çfarë produkti ka në dorë.

Po përse nuk deklarohet vaji i palmës, kur është i ndaluar të përdoret në industrinë ushqimore?

Përse hezitojnë fabrikat e mëdha dhe baxhot e vogla ta vënë konsumatorin përballë faktit që produkti i tyre ka edhe vaj palme? A është i rrezikshëm për shëndetin e njeriut vaji i pamlmës? Përgjigjen e gjetëm tek mjekja Blerta Brati Kika, e cila është mjeke mikrobiologe.

Dr.Blerta Brati Kika

E pyetur, se a a vihet në rrezik jeta e konsumatorit nga vaji i palmës, apo nëse i shkaktohen probleme shëndetësore, Kika thotë se, “një arsye për rrezikun që vjen nga vaji i palmës janë problemet shëndetësore që shfaqen nëse konsumohet vazhdimisht dhe në sasi të mëdha.Vaji i palmës përmban 45% të acideve yndyrore të ngopura, të cilat shkaktojnë probleme vaskulare. Sidoqoftë, në këtë pikë ekzistojnë mosmarrëveshje midis specialistëve. Vaji i palmës ka përfitime të caktuara ushqyese, veçanërisht mbi acidet yndyrore të përpunuara, që gjenden në vajrat bimorë të hidrogjenizuar”. Sipas mjekes, problemi qendron se, është shumë e vështirë të kontrollosh sasinë që konsumon, sepse vaji përdoret në një numër shumë të madh të produkteve ushqimore dhe shumë pak vaj është i mjaftueshëm për një konsum vjetor familjar”.

“Vaji i palmës është edhe më i rrëzikshëm kur përdoret në sasi të mëdha. Konsumatori e ka të vështirë të masë sasinë ditore, se sa vaj palme mund të përballojë organizmi i tij në ditë, pasi shumë produkte nuk e deklarojnë fare prezencën e tij. Por edhe në ato pak raste kur deklarohet, mungon një tjetër e dhënë e rëndësishme, që është sasia. aq më keq, kur konsumatori nuk është aspak i informuar për praninë e këtij produkti në salcat e kosit apo ushqime të tjera”, theksoi mjekja, duke shtuar se, “vaji i palmës është plot me yndyrna të ngopura, të cilat rrisin nivelin e kolesterolit dhe ndihmojnë në bllokimin e enëve të gjakut. Vaji i palmës përmban acid palmitik që është një yndyrë krejt e ngopur. Me kalimin e kohës, përdorimi i vajit të palmës të çon drejt goditjeve në zemër dhe infarkteve dhe sëmundjeve të tjera të sistemit kardiovaskular”.

Disa nga problemet tjera të vajit të palmës, sipas mjekes, “është shumë e vështirë të tretet për shkak se është më i trashë se vajrat e tjerë. Procesi i rafinimit largon lëndët ushqyese dhe gjithashtu e bën vajin shumë më të vështirë të tretet. Për këto arsye, rekomandohet që vaji i palmës të shmanget nga përdorimi”.

Ndërkohë, nutricioniste dhe biologe molekulare, Hyrida Basha thotë se, “vaji i palmës, në gjendje oksidimi mund të kërcënojë funksionet fiziologjike dhe biokimike të trupit”. Sips saj, “prodhuesit e ushqimeve të përpunuara oksidojnë vaj palme në produktet e tyre për qëllime gatimi, që do të thotë se shumica e konsumatorëve të vajit të palmës e konsumojnë në gjendje të oksiduar. Rreziqet e vajit të palmës të oksiduar përfshijnë organotoksicitetin e zemrës, veshkave, mëlçisë dhe mushkërive si dhe dëmtim të organeve riprodhuese, të cilat çojnë deri në sëmundjen e kancerit”.

“Vaji i palmës është i dëmshëm për shëndetin e konsumatorëve, aq më tepër të atyre që nuk e dinë që e marrin apo dhe më keq kur nuk njohin sasinë, për shkak të nivelit të lartë të acideve yndyrore të ngopura, të cilat rrisin kolesterolin e keq. Lidhur me ndikimet në shëndet, problemi është përmbajtja e lartë e yndyrës së ngopur, e cila mund të arrijë 50% në rastin e vajit të palmës që rrjedh nga fruti dhe 80% për vajin e nxjerrë nga fara e palmës. Kjo vlerë e lartë kontribuon në rritjen e nivelit të kolesterolit të keq në gjak. Ky vaj është i përdorshëm nga industritë, në një gjendje të oksiduar me një qëndrueshmëri gjysmë të ngurt, në temperaturën e dhomës. Pikërisht oksidimi i tij mund të shkaktojë disa lloje helmimesh për trupin”, thekson nutricionistja Basha.

*Autorja e shkrimit është gazetare me ekseriencë disavjeçare në media të shkruara dhe elektronike, si dhe ka qenë pjesë e emisioneve televizive investigative. Aktualisht, është pjesë e departamentit të informacionit në televizionin Top Channel.

Materiali është realizuar nga Qendra ALERT, si pjesë e projektit “Ushqimi, risku masiv për konsumatorët, mungesa e kontrolleve dhe e informimit nga institucionet”, të mbështetur financiarisht nga Programi i Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci të Ambasadës së SHBA në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.

Qendra ALERT / Alert.al

Porti i Durrësit, Dogana dhe Policia rrezikojnë sigurinë ushqimore, skaneri "çmendet" dhe nxjerr akullin për drogë / Foto-Video

Një skandal i vërtetë me sigurinë ushqimore ka ndodhur një ditë më parë në Portin e Durrësit, ku autoritetet portuale dhe doganore kanë hapur një kontenier me mish pule, në kushtet që cënohet rëndë siguria ushqimore e konsumatorëve. Dhe, shkak për këtë është bërë prania e një cope akulli që ka rezultuar në kontenierin që vinte nga Argjentina.

Pak ditë më parë, në Portin e Durrësit, për logari të një kompanie shqiptare ka mbërritur një kontenier me 26 tonë mish pule me origjinë nga Argjentina. Kjo ngarkesë, siç ndodh dhe me të tjerat, i është nënshtruar kontrollit në skanerat e instaluar prej vitesh në këtë port. Gjatë kontrollit, skaneri e ka nxjerrë këtë kontenier me “dritë të kuqe”, që do të thotë se, dyshohej që brenda tij kishte diçka të paligjshme. Në këto kushte, autoritetet doganore kanë njoftuar policinë dhe është kërkuar hapja e kontenierit për kontroll të imtësishëm. Kështu ka ndodhur dhe duhet të ndodhte, por jo me ngarkesa të tilla mishi, që duhet të ruhen ne minus 18 gradë. Kompania importuese e ngarkesës, iu ka kërkuar autoriteteve doganore dhe policore, që kontenieri të dërgohej në magazinat e tyre, i shoqëruar nga të gjitha institucionet kompetente, me qëllim që sasia e mishit të pulës që ndodhej në të, të futej menjëherë në ngritje, nën monitorimin e institucioneve dhe kontenieri të kontrollohej me imtësi. Kjo, pasi për të hapur një ngarkesë të tillë, sheshi i kontenierëve në Portin e Durrësit nuk ka kapacitetet dhe kushtet për të siguruar produktin mish dhe temperaturën e duhur të tij, por edhe ruajtjen nga ndotjet, siç e parashikon legjislacioni shqiptar për sigurinë ushqimore.

Neni 17, pika 2 i Ligjit Nr. 9863, “Për Ushqimin” (i ndryshuar) thotë: “Kontrolli në doganë i ushqimeve të importuara”. “Ngarkesa e ushqimeve, për të cilën ka dyshime, duhet të mbahet në ruajtje, brenda standardeve të lejuara, në magazinat doganore derisa të kryhen procedura e përcaktimit të sigurisë së tyre dhe procedura doganore”. Gjithashtu, Urdhëri Nr.482, datë 31.12.2007, “Për ushqimet me ngrirje të shpejtë për konsum  njerëzor” bën të qartë se, “kjo rregullore  zbatohet për ushqimet me ngrirje të shpejtë të destinuara për përdorim njerëzor, që emërtohen si “ushqime me ngrirje të shpejtë”. Dhe, sipas legjislacionit shqiptar, termi “Ushqime me ngrirje të shpejtë” do të thotë: Ushqime që kanë kaluar një proçes ngrirje e njohur si “ngrirje e shpejtë”, i cili zbatohet në paisje të përshtatshme në mënyrë të tillë që intervali i temperaturës së kristalizimit maksimal të kalojë sa më shpejt të jetë e mundur dhe pa pasoja për produktin. Temperatura në të gjitha pikat e produktit (pas stabilizimit termik) mbahet vazhdimisht në nivelin -18 0 C ose më e ulët”.

Pika 6 e këtij urdhëri sqaron se, “temperatura e produkteve me ngrirje të shpejtë duhet të jetë e qëndrueshme dhe e kontrollueshme në të gjitha pikat e produktit, në vlere -18 0 C ose më e ulët, me luhatje të mundshme të shpejta jo më shumë se 3 0 C gjatë transportit.

Pra, referuar bazës ligjore për garantimin e sigurisë ushqimore, Porti i Durrësit, Dogana dhe Policia e Shtetit, nuk mund të garantonin ne sheshin e kontenierëve, kushte për hapjen e kësaj ngarkese aty dhe ku ndodhi. Autoritetet vendosën që kontenieri të hapej aty, duke çaur drejt pikës kritike të rrezikut sasinë prej 26 tonësh mish pule.

Pikërisht për këto arsye, kompania porositëse e ngarkesës nga Argjentina kërkoi që kontenieri të transportohej për në magazinat e tyre dhe të hapej aty për kontroll, procedurë kjo që mund të mbikqyrej nga autoritetet policore e doganore. Por, kjo nuk ndodhi dhe për disa orë me radhë, punonjësit e shkarkuan kontenierin duke e futur sasinë e mishit në një tjetër kontenier, por që ishte në temperaturë ambienti.

Ky është problemi i parë, që për shkak edhe të papërgjegjshmërisë së institucioneve shtetërore, 26 tonë mish pule që do të vijnë në pikën fundore, te ne konsumatorët, në çfarëdo mënyre, mund të na cënojnë rëndë sigurinë ushqimore dhe shëndetin, pa llogaritur kostot financiare që i shkaktohen kompanisë shqiptare.

Problemi i dytë që evidentohet në këtë rast, është cilësia e skanerave që përdoren në Portin e Durrësit për kontrollin e kontenierëve apo mjeteve tjera të transportit. Në rasin kur në skaner, një ngarkesë rezulton me “të kuqe”, menjëherë dyshimet janë se brenda ngarkesës ka droga të ndryshme, armë e municione apo lëndë të tjera të rrezikshme dhe të paligjshme. Ndërsa rasti konkret që i ngriti në këmbë autoritetet portuale të Durrësit, bashkë me politinë, sektorët antidrogë etj, ishte pikërisht një copë akulli, e krijuar nga temperaturat shumë të ulëta në kontenierin ngrirës që vinte nga Argjentina.

Në situata të tilla që mund të përseriten, autoritetet duhet të krijojnë kushte optimale për sigurinë e produkteve ushqimore, ndërkohë që ndoshta duhet parë me imtësi dhe cilësia e skanerave që përdoren në Portin e Durrësit.

Qendra ALERT / Alert.al

Projekti për sigurinë ushqimore, Qendra Alert i prezanton Zv.Ministrit të Bujqësisë gjetjet: Emergjente, cilësia e inspektimeve dhe komunikimi i riskut

Gjetjet e Qendrës ALERT dhe problematikat që po hasen me produktet ushqimore gjatë analizimit të tyre, iu prezantuan sot Zëvendësministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Z.Roland Kristo.

Qendra ALERT po zbaton projektin “Ushqimi, risku masiv për konsumatorët, mungesa e kontrolleve dhe e informimit nga institucionet”, si një ndihmesë për konsumatorin në gjetjen dhe denoncimin e rasteve abuzive me sigurinë ushqimore, veçanërisht për produkte të shportës. Projekti në fjalë mbështetet financiarisht nga Programi i Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci të Ambasadës së SHBA në Tiranë.

Qendra ALERT e njohu Zëvendësministrin Kristo me objektivat e projektit dhe problematikat që hasen me sigurinë ushqimore, të cilat kanë rezultuar deri tani nga analizat dhe pjesa më e madhe e tyre presin publikimet në ditët në vijim.

Objektivat e projektit që iu prezantuan dhe Z.Kristo, kanë të bëjnë me përmirësimin e sigurisë ushqimore, por edhe me masat që duhet të ndërmarrin institucionet që kanë për detyrë garantimin e saj. Konkretisht, pas panoramës së prezantuar, Zëvendësministrit të Bujqësisë iu kërkua marrja e masave dhe ndikimi ndaj AKU, si institucion varësie dhe ligjzbatues, për vlerësimin e riskut mbi baza të forta analizash dhe risqesh, si dhe opioniesh shkencore; rritja e numrit dhe e cilësisë së inspektimeve në të gjithë zinxhirin e ushqimit dhe më kryesorja, komunikimi i riskut për konsumatorët, gjë që nuk bëhet në asnjë rast nga Autoriteti. Komunikimi i Riskut është detyrë ligjore e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, e përcaktuar në Ligjin Nr.9863 “Për Ushqimin” (i ndryshuar), si dhe nga VKM Nr.708 “Për Organizimin dhe Funksionimin e AKU”, por është dhe një nga masat më të mira për mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve nga produktet ushqimore jo konform standardeve të sigurisë.

Zv.Ministrit Kristo, të cilit iu vunë në dispozicion dhe raport-analizat e deritanishme të produkteve, shprehu gatishmërinë e tij dhe të institucionit që përfaqëson, që ekspertët e Ministrisë së Bujqësisë, por edhe ata të AKU-së, të marrin masa për përmirësimin e problematikave për ndërhyrje të menjëhershme në evidentimin e probleve, referuar dhe analizave të produkteve ushqimore, si dhe një bashkëpunim më të ngushtë me AKU-në për vlerësimin e riskut, shtimin e numrit të inspektimeve mbi bazë risku, si dhe për komunikimin e rregullt të riqeve për konsumatorët.

Ministria e Bujqësisë do të vazhdojë të mbajë të informuar, sipas Kristos, Qendrën Alert, do të bashkëpunojë me të për ecurinë e këtyre masave në favor të mbrojtjes së konsumatorit dhe rritjes së sigurisë ushqimore.

Materiali është realizuar nga Qendra ALERT, si pjesë e projektit “Ushqimi, risku masiv për konsumatorët, mungesa e kontrolleve dhe e informimit nga institucionet”, të mbështetur financiarisht nga Programi i Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci të Ambasadës së SHBA në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.

Qendra ALERT / Alert.al

"Hetimi" nga ALERT për nitrite në sallame? Ja si rezultojnë analizat dhe përballjet e ekspertëve për rrezikun e mundshëm - Foto/Video/Dokumente

Nga Granit SOKOLAJ*

Mishi dhe nenproduktet e tij zënë një vend të konsiderueshëm në dietën ushqimore të familjeve shqiptare. Nisur nga një konsum gjithnjë e në rritje i sallameve dhe proshutave, të cilat vitet e fundit preferohen jo pak edhe nga fëmijët, Qendra Alert nisi një investigim përsa i përket aditivëve që përdorin në këto produkte dhe si janë normat e treguesit finale bazuar në udhëzimet e Ministrisë së Bujqësisë dhe legjislacionin shqiptar në fuqi për sigurinë ushqimore. Kjo, edhe për faktin se perseptimi i konsumatorit për rreziqet nga nënproduktet e mishit, apo dyshimet për përmbajtjen e tyre, janë përhesë shqetësim.

Qendra ALERT, një Organizatë Jofitimprurëse, po zbaton projektin “Ushqimi, risku masiv për konsumatorët, mungesa e kontrolleve dhe e informimit nga institucionet”, si një ndihmesë për konsumatorin në gjetjen dhe denoncimin e rasteve abuzive me sigurinë ushqimore, veçanërisht për produkte të shportës.

Gazetarët së bashku me specialistë të laboratorit të akredituar “Noval”, duke pasur si qëllim parësor mbrojtjen dhe informimin e konsumatorit, konform rregulloreve strikte dhe procedurës së marrjes së mostrave, blenë në disa subjekte tregtare produkte mishi dhe i dërguan me frigorifere ftohës në temperature optimale për t’i analizuar dhe krahasuar më pas të dhënat e përftuara.

Pesë monstrat e nënprodukteve të mishit u blenë në Tiranë, si konsumatorë fundorë duke pasur parasysh çmimin e produktit dhe sasinë e përftuar. Kjo, pasi qytetarët për shkak të vështirësive financiare zakonisht janë të prirur të sigurojnë ushqimet me bazike, duke u nisur edhe nga çmimet më të lira që u ofrohen në treg.

Katër sallame të njohur në vend gjerësisht si lloji “popullor” dhe një lloj salçiçe e preferuar më së shumti, ju nënshtruan analizave për të parë përmbajtjen e nitriteve, të cilat janë aditivë të lejuar në përdorimin e industrisë ushqimore, por gjithnjë duke respektuar normat e përcaktuara, pasi një sasi më shumë se sa norma mund të kthehet në një shqetësim madhor shëndetësor për konsumatorët dhe rrezik potencial.

Kampionët janë marrë nga kompanitë më të mëdha në treg, por edhe me shtrirje gjeografike jashtë Tiranës, referuar stabilimenteve të prodhimit.

Por, përse i përdorin konservantët dhe aditivët teknologët dhe kompanitë e prodhimit të sallamerisë në vend?

Analizat e 5 kampioneve nga Noval Laboratory

Përgjigjen e marrim nga specialistët, të cilët thonë se këto konservantë shërbejnë për të rritur jetëgjatësinë e produktit dhe luftimin e mikroorganizmave që mbartin nga përpunimi i mishit, si lëndë e parë deri në shndërrimin e tij në sallam, i cili shpërndahet më pas në treg. Por, abuzimi mund të ndodh në rast se synohet që një sallam të ruhet më gjatë se një afat i përcaktuar në treg. Pasi për të arritur këtë qëllim, i hidhet më shumë aditivë sesa duhet që mikroorganizmat të mos zhvillohen dhe të sjellin më pas edhe prishjen e produktit.

Udhëzimi i Ministrit të Bujqësisë, Nr.16, datë 29.8.2011 “Për Aditivët Ushqimorë të tjera nga ngjyruesit dhe ëmbëlsuesit”, parashikon një normë maksimale të nitriteve në produktet e sallameve të trajtuara me nxehtësi, deri në 100 mg/kg, çdo tejaklim nga kjo normë cilësohet një shkelje ligjore që ekspozon konsumatorët përballë rreziqeve të shtuara shëndetësore.

Udhezimi i MInistrit te Bujqesise, qe percakton nivelet e lejuara te nitriteve ne nenproduktet ne nenproduktet e mishit

Nga analizmi i 5 monstrave të sallemeve, referuar laboratorit “Noval”, rezulton se, kampioni i parë i sallamit “popullor’ ishte brenda normave të lejuara duke regjistruar 41.24 mg/kg nitrite të përqëndruara në këtë produktm që sipas specialsitëve nuk paraqet asnjë shqetësim për konsumatorët.

Kampioni i dytë i analizuar i sallamit “popullor” nga laboratori “Noval” rezulton 44.76 mg/kg nitrite, çka referuar udhëzimit të Ministrisë së Bujqësisë nuk ka asnjë tejaklim të normës së parashikuar.

Në të njejtat kushte paraqitet edhe kampioni i tretë i sallamit “popullor” i cili reulton me përqëndrim edhe më të ulët të nitriteve se dy të parët, vetëm 34 mg/kg.

Kampioni i katërt i sallamit “popullor” që tregtohet në vend ka një përqëndrim të lartë krahasuar me 3 monstrat e para duke ju afruar limit të lejuar. Sipas laboratorit ai paraqet rreth 92 mg/kg nitrite, shifër kjo që është shumë pranë nivelit maksimal prej 100 mg/kg, por brenda limiteve të lejuara.

Ndërkohë që kampioni i pestë rezultoi në shifrat 34.6 mg/kg nitrite, monstër kjo që i përket salçiçeve të analizuara.

Por pavarësisht rezultateve të përftuara dhe nitriteve brenda normave, ekspertët kanë këndvështrime të ndryshme për përdorimin e aditivëve në veçanti dhe konservantëve në përgjithësi në industrinë ushqimore.

Prof.Kapllan Sulaj

Prof. Kapllan Sulaj, Dekan i Fakultetit të Bioteknologjisë së Ushqimit në Universitetin Bujqësor të Tiranë, në verifikimin dhe interpretimin e raport-analizave të vëna në dispozicion nga Qendra ALERT, për 5 produktet e mishit, deklaroi se, “përbërësit sipas etiketës janë analiza konfirmuese për përbërjen e produktit. Matjet e nivelit të aditivëve mbeten i rëndësishëm në aspektin e sigurisë.

Referuar limit të lejuar për nitrite që është 150mg/kg ssi e hedhur, mostrat e analizuar paraqet vlerë të rritur të nitriteve (Regulation 1333/2008 EU, Regulation (EU) No. 1129/2011, Regulation (EU) No. 601/2014).  Në produktet e mishit të patrajtura termikisht përmbajtja e nitriteve nuk duhet të kalojë vlerën 150 mg/kg. Duhet të theksojmë se, në produktet e trajtuara termikisht nuk duhet të kemi përmbajtje të nitrateve, ndërsa përmbajtja e nitriteve nuk duhet të jetë më e lartë se 100 mg/kg produkt në përfundim, pra kur mbërrin te konsumatori”.

Kristaq Jorgo, kimist dhe specialit i sigurisë ushqimore, thotë se, nitritet duhet të përdoren për të luftuar bakteret. “Nitritet duhet të perdoren në mishrat për përpunim kundër një bakteri me emrin “Clostridium Botulinum”, që në industrinë ushqimore shumë pak e dinë qe cilësohet nivel sigurie”.

Kristaq Jorgo

Sipas Jorgos, nitritet janë të preferuara, sepse i jep këtyre produkteve një ngjyrë rozë, ngjyrë kjo që është shumë tërheqëse për konsumatorin. Perdorimi korrekt i tij si aditiv çon në një produkt të sigurt dhe me shije e ngjyrë shumë të pëlqyeshme, si dhe nuk e lejon që produkti të prishet. Por, thekson ai, nivelet e përdorimit të nitriteve për të përmirësuar ngjyrën janë në rendin deri në 10 ppm, ndërsa si nivel ideal perdorimi në sallameri është deri në 50 ppm.

Por, ndryshe mendon doktoresha Blerta Brati, Mjeke Mikrobiologe, e cila sa i përket nitriteve të shtuara në industrinë ushqimore bën thirrje që të ndalen. “Ne duam të hamë pa u ekspozuar ndaj rreziqeve shëndetësore nga aditivët e diskutueshëm. Thjeshtë, është përgjegjësi e autoriteteve publike shqiptare dhe autoriteteve ne Evropë të shtrëngojnë rregullat, duke ndaluar të gjitha aditivët potencialisht të rrezikshëm. Po ashtu,  është përgjegjësi e industrisë ushqimore të zbatoje normat e lejuara të shtesave në industrinë e saj”, deklaroi mjekja Brati. Ndërsa sygjeron konsumatorin që është i ekspozuar përballë rreziqeve të tilla, të mbrohen duke shtuar vitaminën C, e cila kufizon formimin e nitrosaminave që janë shumë të dëmshme në trupin e njeriut.

Eksperti Jorgo zbulon një tjetër mënyrë se si mund të rritet artificialisht, ndoshta dhe pa dijeninë e produesve, prania e nitriteve në nënproduktet e mishit. “Mishi që për sallameri është kryesisht importi, është i ruajtur për një kohë të gjatë. Nitratet e shtuara në mish, në vendin e origjinës, dhe kur ky destinohet për t’u përdorur në sallameri, një pjesë e vogël e tij zbërthehet në nitrit, duke bërë të mundur shtimin e sasisë së nitriteve në produktin përfundimtar dhe kjo shkon në dëm të sigurisë ushqimore”, deklaroi ai, duke shtuar se, “ne marrim një sasi shumë të madhe nitratesh edhe nga bimet dhe efekti kumulativ në këtë rast është shumë më i madh. Por duke qenë se nga nitratet e bimeve jemi me te mbrojtur nga fibrat dhe antioksidantët që kanë bimët, tek mishi problemet janë shumë më të mëdha, sepse në mungesë të tyre dhe të gatimeve me temperaturë të lartë, nënprodukt janë nitrozaminat që shkatërrojnë edhe ADN e qënieve njerëzore, duke çuar në kancere të ndryshme.

Dr.Blerta Brati Kika

Sipas mjekes Blerta Brati, nitritet në trupin e njeriut janë një rrezik për shëndetin e tyre. “Sipas një raporti nga Autoriteti Evropian i Sigurisë Ushqimore (EFSA). i cili daton nga viti 2017, nitritet paraqesin 4 rreziqe të mëdha për njerëzit. Duke oksiduar hemoglobinën, ato zvogëlojnë aftësinë e qelizave të kuqe të gjakut për të transportuar oksigjen në trup.

Nga ana tjetër, nitritet gjithashtu mund të kontribuojnë në formimin e kimikateve kancerogjene, nitrosaminat. Deri në moshën 6 muajshe, shumë nitrite i ekspozojnë foshnjat ndaj Methemoglobinemisë ose “sëmundjes blu”, duke bashkëvepruar me hemoglobinën në qelizat e kuqe të gjakut, ato parandalojnë që këto të fundit të sjellin oksigjen në organe. Kjo është një nga arsyet që mjeket pediater rekomandojnë ujëra minerale për foshnjat”, perfundoi mjekja Brati.

Hyrida Basha

Nutricionistja dhe Biologe Molekulare, Hyrida Basha deklaron se, nëse trupi i njeriut konsumon nitrite mbi normë, mund të ketë probleme në tru, duke shkaktuar dëmtim të funksionit motorik, neurodegjenerimi dhe një rritje e niveleve të proteinave të caktuara në trup që zhvillohen dhe formojnë pllaka, të cilat kontribuojnë edhe në sëmundjen e Alzheimer. Gjithashtu thotë ajo, marrja e një sasie të madhe të nitritit është e lidhur me rrezikun e lartë të zhvillimit të tipit 1 të diabetit te fëmijët.

Ndërkohë, dy institucionet që duhet të përfshiheshin detyrimisht në këtë investigim, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, si autoriteti politikëbërës dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, nuk janë bërë pjesë., MBZHR, megjithëse i është dërguar shkresë nga Qendra ALERT që nga data 7 janar 2021, ende nuk ka kthyer përgjigje për standardet dhe gazën ligjore që ky institucion bazohet kur harton politika për sigurinë ushqimore, si për nënproduktet e mishit, ashtu dhe për disa produkte tjera të analizuara.

Gjithashtu, edhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në të njëjtën datë është pyetur për shqetësimin e konsumatorit për përqëndrimet e nitriteve tek nënproduktet e mishit, por edhe të produkteve tjera, si dhe për normat, bazën lidhore, si merren vendimet nga inspektimet në terren etj, është mjaftuar vetëm me një kthim përgjigjie duke referuar bazën lidhore, si urdhëra, udhëzime etj. Eshtë pikërisht ky institucion, që në bazë të Planit Vjetor të Marrjes së Mostrave dhe të Vlerësimit të Riskut, saherë merr kampione dhe i analizon, në rastet se paraqesin probleme, përveçse duhet të marrë masa, duhet patjetër të informojë dhe konsumatorit. Kjo është detyrë e AKU, e cila përcaktohet nga Neni 5, pika “ç” i Ligjit Nr.9863 “Për Ushqimin” (i ndryshuar), sipas të cilit, “komunikimi i riskut bëhet nga AKU-ja, pёr t’i siguruar njё informacion të shpejtë,  në kohë, objektiv dhe të kuptueshëm, për ushqimin, dëmtuesit dhe risqet: ç) konsumatorëve”.

AKU detyrohet gjithashtu të komunikojë risk për konsumatorët, edhe referuar Vendimit të Këshillit të Ministrave, Nr. 708, datë 9.9.2020, Paragrafi 2 për “Përgjegjësitë Funskionale”. Në pikën “c” thuhet se AKU duhet “të organizojë punën për analizimin, vlerësimin dhe komunikimin e riskut për ushqimin dhe
ushqimin për kafshë”.

Gjithësesi, pavarësisht këtyre rezultateve, kompanitë e prodhimit të nënprodukteve të mishit, ashtu si dhe tjerave, do të jenë nën monitorimin e Qendrës ALERT, ku do të vazhdohet me analiza tjera për produktet e tyre, për lëndët e para etj.

P.S: Emrave të kompanive të përpunimit të mishit, nuk u është përmendur emri për efekt reklame, duke qenë se analizat kanë rezultuar brenda standardeve.

*Autori është Drejtor Ekzekutiv i Qendrës ALERT, si dhe autor e moderator i emisionit me të njëjtin emër. Gjithashtu, me një ekseriencë rreth 22-vjeçare punë në median e shkruar, televizive dhe online, si dhe në Administratë Publike.

 

Materiali është realizuar nga Qendra ALERT, si pjesë e projektit “Ushqimi, risku masiv për konsumatorët, mungesa e kontrolleve dhe e informimit nga institucionet”, të mbështetur financiarisht nga Programi i Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci të Ambasadës së SHBA në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.

Qendra ALERT – Alert.al

Datat e skadencave/Rëndësia dhe llojet e tyre

Rëndësia e datë së skadencës përbën një interes tepër të lartë për pjesën më të madhe të njerëzve si në vendin tonë, ashtu edhe në mbarë botën.Agjencia e Standardeve të Ushqimit (FSA) ka sqaruar dallimin midis datave “të përdorura nga” dhe “më të mira para”. Data për përdorim është aty për një arsye. Të konsumosh ushqim që ka kaluar datën e përdorimit të tij mund të të sëmurë. Ju nuk mund t’i besoni testit të nuhatjes me ushqim pas datës së përdorimit të tij. Pse? Sepse nuk mund të nuhasësh ose të shijosh gjithmonë bakteret që shkaktojnë helmim nga ushqimi, ”shtoi agjencia.

Autoriteti Evropian i Sigurisë Ushqimore (EFSA) kohët e fundit nxori njoftim informues për stafin e ndërmarrjes ushqimore për t’i ndihmuar ata të vendosin nëse duhet përdorur një datë “përdorimi nga” ose “më e mira para”. Përdorimi sipas datës ka të bëjë me sigurinë e ushqimeve. Një datë “e përdorur nga” në ushqim ka të bëjë me sigurinë dhe shpesh mund të gjendet në ushqim që ka një afat të shkurtër, të tilla si produktet e mishit ose sallatat e gatshme për të ngrënë. Pas kësaj date, mos e konsumoni, gatuani ose mos e ngrini. Data “më e mira para” lidhet me cilësinë. Ushqimi do të jetë i sigurt për t’u ngrënë pas kësaj date, por aroma ose struktura mund të ndikohen.Ushqimi me një datë ‘përdorim sipas’ kurrë nuk duhet të konsumohet pas kësaj date, kështu që ne duhet të përpiqemi t’i përdorim këto artikuj para se të skadojnë.

Marrë nga Foodsafetynews.com

Qendra ALERT / Alert.al

 

Këshilla/ Si të kemi siguri në blerjen e ushqimeve përgjatë pandemisë

Edhe pse blerja e produkteve ushqimore mbetet një domosdoshmëri gjatë kësaj pandemie, shumë njerëz kanë pyetje se si të blejnë në mënyrë të sigurt. Por aktualisht nuk ka prova  se ushqimet ose paketimet e tyre  shoqërohen me transmetimin e coronavirusit.  Përgjatë pandemisë, konsumatorët po marrin shumicën e ushqimit nga marketet, dhe këto kanë modifikuar oraret  e tyre të funksionimit për të lejuar më shumë kohë për të mbushur raftet dhe pastruar. Por për të  të mbrojtur veten, punëtorët e marketeve dhe blerësit e tjerë, është e rëndësishme të mbani mend disa gjëra

1. Vishni një mbulesë fytyre ose maskë ndërsa jeni në dyqan. Disa dyqane dhe lokalitete mund ta kërkojnë atë. Kontrolloni udhëzimet e shtetit, qarkut ose qytetit për ndonjë kërkesë tjetër.

2. Mbani pecetat tuaja, ose përdorni një të siguruar nga dyqani për të fshirë dorezat e karrocës ose shportës. Nëse përdorni çanta pazar që mund të përdoren përsëri, sigurohuni që ato të pastrohen ose lahen para çdo përdorimi.

3. Edhe përse nuk  ka asnjë dëshmi të paketimit të ushqimit që shoqërohet me transmetimin e COVID-19, nëse dëshironi, mund ta pastroni paketimin e produktit dhe ta lejoni të thahet në ajër, si një masë paraprake shtesë.

4. Para se të hani, shpëlani frutat dhe perimet e freskëta nën ujin e rrjedhshëm të rubinetit, përfshirë ato me lëkura dhe lëvore që nuk hahen. Pastroni produktet e forta me një furçë të pastër.

Për produktet e konservuara, mos harroni të pastroni kapakët përpara se të hapni. Gjithmonë mbani në mend 4 hapat themelorë të sigurisë ushqimore – ti pastrosh, ndash, gatuash dhe shijosh.

Marrë nga: foodsafety.gov

Qendra ALERT / Alert.al

Shoqata Ndërkombëtare e Mbrojtjes së Ushqimit hap rregjistrimet pёr simpoziumin Evropian

Kanё filluar kёshtu rregjistrimet pёr mbledhjen e organizuar nga IAFP nё lidhje me Sigurinё e Ushqimit, e cila ёshtё planifikuar nё 27 dhe 28 Prill tё kёtij viti. Qёllimi kryesor ёshtё mbledhja dhe diskutimi i profesionistёve nga e gjithё Evropa qё punojnё nё industri, qeveri, akademi. Temat kryesore qё do tё diskutohen janё zhvillimet dhe teknikat mё tё fundit nё shkencёn dhe sigurinё e ushqimit.

 Aplikimet pёr tё qenё pjesmarrёs janё tё hapura  deri mё 6 Prill. Kёtё vit ky takim do tё zhvillohet nёpёrmjet platformave online pёr shkak tё kushteve tё pandemisё. Ndёrkohё, kujtojmё se kjo shoqatё vitin qё shkoi e anulloi kёtё takim si pasojё e pёrhapjes sё coronavirusit.

Marrë nga Foodsafetynews.com

Qendra ALERT / Alert.al

Evropianët ndahen në dy grupe. Disa besojnë se produktet ushqimore nuk janë të sigurta

Çdo ditë, secili prej nesh pyet veten se sa të sigurta janë produktet ushqimore që konsumojmë. Disa mendojnë se ushqimet që përdorim janë të një standarti të besueshëm, por disa të tjerë  jo dhe aq.

Raporti i Mirëbesimit Ushqimor “EIT” kreu një studim në lidhje me besimin që kanë  evropianët në produktet ushqimore dhe sigurinë e tyre bazuar në 5 karakteristika: shije, siguri, shëndet, vërtetësi dhe qëndrueshmëri.

Në sondazhin e “EIT Food”, 40% e të anketuarve kishin besim se produktet ushqimore që ata blejnë janë zakonisht autentike – reale, origjinale, jo të rreme ose artificiale – përkundrejt 34% që nuk pajtohen.

Dy të tretat e evropianëve janë shprehur se, një  grup  që u besojnë për vërtetësinë e produkteve janë fermerët. Ndërsa një e katërta e tyre nuk i beson autoriteteve qeveritare dhe prodhuese.

Por, ajo që vërehet më së shumti është se në krahasim me vitet e mëparshme, besimi i konsumatorëve është rritur më shumë edhe përse jemi në periudhë pandemie. Faktor kyç ka qenë edhe rritja e masave të higjenës kudo ku tregëtohen produkte ushqimore.

Marrë nga Foodsafetynews.com

Qendra ALERT / Alert.al

Fermerët e Frakullës në vështirësi, luleshtrydhja greke konkuron atë vendase

Ditët e festave përfunduan dhe menjëherë fermerët e Frakullës në Fier po hasin vështirësi në shitjen e prodhimit të luleshtrydhes. Konkurenca nga vendi fqinj, Greqia, ka nisur dhe kjo është reflektuar menjëherë në çmim. Për ndërrimin e viteve një kg luleshtrydhe u shit me 400 lekë të reja, ndërsa sot ky çmim është përgjysmuar. Importi nga jashtë po dëmton fermerët të cilët kërkojnë zgjidhje për rregullimin e tregut.

“Sa erdhi luleshtrydhja nga Greqia në Tiranë, bllokoi menjëherë tregun tonë. Për vit të ri e shitëm me 4 mijë lekë, tani as me 2 mijë lekë të vjetra nuk po e heqim dot. Kemi bërë dhe investimeve sepse kushtet atmosferike nuk na favorizuan. Kështu që kërkojmë zgjidhje”- thotë një prej fermerëve.

Lumi Vjosë ka kërcënuar herë pas here fermerët duke shkaktuar dëme të mëdha. Megjithatë problemi më i madh i tyre mbetet tregu. Në këtë pikë është edhe konsumatori i cili duhet të zgjedhë për të blerë produktin vendas apo atë të importit.

Qendra Alert / Alert.al

Përmbytjet nga Vjosa/ Në disa fshatra rrezikohet bujqësia dhe bagëtia, paralajmëron edhe Presidenti Meta

Rreshjet e rrëmbyeshme që kanë rënë gjatë këtyre ditëve i kanë dhënë Lumit Vjosa një densitet të lartë të prurjeve. Rrjedha e ujit rrezikon të dal nga shtrati dhe të parat që dëmtohen janë shtëpitë dhe pronat e banorëve të fshatrave përreth. Konkretisht, lidhur edha nga eksperienca e viteve të kaluara, fshatrat Bocovë, Bashkim, Pish-Poro, Ferras, Zhukë, Poro, Bishan, Novoselë janë në hartën e kuqe të përmbytjeve. Në këto kushte marrja e masave është domosdoshmëri për shmangien e humbjeve ekonomike në bujqësi dhe blegtori.

Edhe fermerët e zonës së Frakullës janë të rriskuar. Parcelat e tyre që kultivojnë luleshtrydhe mund të përfshihen nga përmbytjet nëse nuk merren masa. Prodhimi i fermerëve është në një fazë përgatitje për treg dhe dëmi ekonomik do të ishte i lartë. Rreshjet e vazhdueshme kërkojnë një rritje të reagimit nga ana e instancave vendore dhe qendrore për parandalimin e ndonjë fatkeqësie të mundshme.

Në tone paralajmëruese ishte edhe deklarata e Presidentit Ilir Meta, i cili nëpërmjet rrjeteve sociale kërkonte që mbështetja e fermerëve dhe sigurimi i pronës së tyre të ishte pjesë një nga detyrat kryesore të emergjencave civile. Sipas kreut të shtetit duhet të sigurohen hambarët e fermerëve si dhe bagëtit e tyre.

Postimi i Presidentit Meta në facebook:

Fotot dhe videot në vijim na sjellin një panoramë të asaj çfarë po ndodh në zonën e jugut.

Qendra Alert / Alert.al