Menu

Siguria ushqimore

Disa vende të BE shfaqin infektime nga Salmonela në nënproduktet e susamit dhe të hallvës të importuar nga Siria

Pesë vende evropiane kanë raportuar raste të infektimit me salmonela, disa prej të cilave janë të lidhura me kremin e susamit dhe hallvën e importuar nga Siria.

Mbi 80 njerëz mund të jenë prekur që nga viti 2019 në Gjermani, Suedi, Norvegji, Danimarkë dhe Holandë, me disa lloje dhe variante të Salmonelës.

Bazuar në informacionin epidemiologjik dhe të gjithë analizën e sekuencave të gjenomeve, ekspertët gjermanë të Institutit Robert Koch janë shprehur që po marrin në shqyrtim disa variante të Salmonelës të tilla si Mbandaka, Havana, Amsterdam dhe Orion, të cilat kanë qenë pjesë e shpërthimit të infektimeve. Gjermania ka rreth 51 pacientë, ku përfshihen 21 raste gjatë vitit 2019, 12 në vitin 2020 dhe 18 në vitin 2021.

Zyrtarët e Institutit Robert Koch u shprehën që fillimisht ato panë një rritje të rasteve me Salmonelën Havana gjatë vitit 2019, por aktualisht nuk kanë qenë në gjendje që të identifikojnë burimin e infeksionit. Rastet e raportuara i përkasin periudhës janar 2019 deri në maj 2021. Mosha e rasteve varion nga 6 muaj në 69 vjeç dhe 53% prej tyre janë gra. Ata jetojnë në të gjithë Gjermaninë dhe janë të shpërndarë në 15 nga 16 shtete federale gjithsej.

 

Rastet në Norvegji

Norvegjia ka dy pacientë me Salmonela Mbandaka, të cilët kanë raportuar ngrënien e produkteve dhe farave të susamit. Ata janë të moshës 5 dhe 45 vjeç, të dyja të seksit femër, dhe të vendosura në rajone të ndryshme të vendit. Datat e infektimit të tyre i përkasin muajit mars të vitit 2020 dhe qershorit të vitit 2021.

 

Ndalimi i produkteve në Norvegji

Nënproduktet e farave të susamit Al Burj Tahini dhe Al Burj Hallvë të prodhuara në Siri, dhe të importuara në Norvegji, janë ndaluar në fillim të korrikut të këtij viti.

Ndalimi është bazuar në zbulimin e Salmonelës në testimin në Suedi dhe rezultateve paraprake nga laboratori Mattilsynet në kryeqytetin e Norvegjisë, Oslo. Ekzaminimet janë duke u zhvilluar për të kuptuar nëse produktet e ndaluara në Norvegji janë të ndotura me Salmonela Mbandaka.

Edhe Suedia po heton për dy variantet e Salmonelës Mbandaka dhe Salmonela Havana, të cilat kanë shkaktuar 11 raste secila.

Në total, janë 22 pacientë, të shpërndarë në 10 rajone të ndryshme me rastin e parë të raportuar në Maj 2019 dhe rasti më i fundit qershor 2021. Mosha e tyre varion nga 0 deri në 77 vjeç, por 12 raste janë fëmijë nën 5 vjeç.

 

Produktet e ndaluara në Norvegji

Hetimi i shkaqeve të mundshme

Shpërndarja e informacioneve dhe të dhënave të rasteve të izoluara me Salmonela në sistemin shëndetësor evropian ka bërë të mundur që të bëhet një lidhje midis këtyre rasteve dhe rasteve të mëparshme si dhe lidhjen e tyre me nënproduktet e susamit.

Mikrobiologu në Agjencinë e Shëndetit Publik të Suedisë Rikard Dryselius shprehet që: ‘Testet dhe analizat e zhvilluara nga Autoriteti Suedez i Ushqimit, kanë zbuluar infektimin me Salmonela të shumë nënprodukteve të tahinit dhe hallvës. Rastet tashmë janë të izoluara dhe po hetohen për lidhjet e tyre me variantet e Salmonelës si dhe mendohet që mund të ketë dhe lloje të tjera të Salmonelës të përfshira përveç Salmonelës Havana dhe Salmonelës Mbandaka.

Danimarka ka dy raste me Salmonela Mbandaka që kanë të bëjnë me shpërthimin e infektimeve në këtë vend. Ato i përkasin shkurtit të vitit 2021 dhe kanë infektuar një fëmijë dhe një të rritur.

Holanda ka identifikuar një rast me Salmonela Mbandaka në bazë të analizës së sekuencave të gjenomit. Personi i prekur është 1 vjeç e gjysëm dhe ai është infektuar në 21 mars të këtij viti.

 

Burimi: Food Safety News

Një studim i ri francez thekson rritjen e ekspozimit ndaj metaleve për të rriturit dhe fëmijët

Gjatë muajit korrik, Agjencia Kombëtare Franceze e Shëndetit Publik ka kryer një studim epidemiologjik mbi prezencën e metaleve tek të rriturit dhe tek fëmijët. Sipas këtij studimi, këto grupe të popullsisë janë të ekspozuara ndaj 27 metaleve të rënda, ndërmjet të cilave arsenikut, kromit, bakrit dhe mërkurit.

Dokumenti vlerëson potencialin kancerogjen dhe neurotoksik të këtyre metaleve, si dhe lidhjen e tyre tashmë të provuar me sëmundjet e kockave, veshkave dhe sëmundjeve kardiovaskulare.

Studimi është kryer tek mbi 1100 fëmijë dhe 2500 të rritur dhe duke studiuar përbërësin në gjakun, urinën dhe flokët e tyre. Gjithashtu janë vëzhguar dhe mënyra e tyre e jetesës dhe e të ngrënit.

Përveçse studimi tregon që rreth 97 deri në 100% e fëmijëve dhe e të rriturve janë të ekspozuar nga këto metale, studimi arrin dhe në përfundimin shqetësues që nivelet e arsenikut dhe të mërkurit janë rritur duke e krahasuar me studimin e fundit të bërë në vitet 2006 -2007.

Rritja e niveleve të ekspozimit është e lidhur me shkaqe të ndryshme. Për shembull, konsumimi i peshkut është i lidhur me një rritje të ekspozimit ndaj arsenikut, kromit dhe mërkurit, ndërsa konsumimi i drithrave dhe perimeve nga fermat organike është i lidhur me një rritje të metalit të bakrit. Konsumi i duhanit apo I pajisjeve të ndryshme mjekësore të tilla si impiantet apo fillat dentarë janë të lidhura gjithashtu me një ekspozim më të madh ndaj bakrit apo mërkurit.

Nivele të tjera të ekspozimit ndaj metaleve të rrezikshme kanë të bëjnë me praktikat që përdorin fermerët si dhe me përdorimin e pesticideve. Megjithëse grupe të ndryshme interesi, po bëjnë thirrje për një ndalim të përdorimit të bakrit në bujqësi, veçanërisht për shkak të ndikimit të tij në mjedis. Kështu, Komisioni Evropian, ka ulur dozën e përdorimit të tij nga 6 kg në 4 kg për hektar.

Studimi konkludon që ka një nevojë urgjente për të bërë studime bio-monitoruese dhe për të adaptuar masat që kanë si qëllim identifikimin dhe veprimin ndaj burimeve të ekspozimit në mënyrë që të reduktohen rreziqet ndaj këtyre metaleve.

Gjithashtu, studimi rekomandon për publikun edhe mënyra sesi të ulin ekspozimin e tyre ndaj këtyre metaleve. Kështu, për shembull, ai sugjeron që konsumimi i peshkut dhe i frutave të detit duhet kufizuar në 2 herë në javë, dhe bën thirrje për të pasur një dietë të ekuilibruar ushqimore.

Burimi: Safe Food Advocacy Europe

Temperaturat 42 gradë celsius, në Berat shitet mish brenda një furgoni jo-frigoriferik. Denoncimi vjen nga një qytetar që ka fimuar edhe momentet e tregtimit, derisa është pikasur nga tregtari

Edhe pse prej me shumë se dy javësh temperaturat në Berat janë shumë të larta,ku në ditë e orë të caktuara kanë arritur deri në 42 gradë celsius,ka dhe nga ata persona që nuk shqetësohen aspak për shëndetin dhe jetën e qytetarëve.

Njëri prej tyre është edhe ky tregtar, që në temperatura ekstreme të nxehta,shet e tregton mish të therrur brenda ambjenteve të një furgoni në qendër të qytetit të Beratit.Videoja është regjistruar nga një qytetar,që duke parë sesi mishi ishte i hedhur brenda një furgoni dhe po tregtohej në kushte mizerabël dhe jo-frigorifierike,ka realizuar edhe videon me celularin e tij.

Siç duket edhe nga pamjet filmike,mishi është i hedhur e i shpërndarë në disa arka frutash, higjena brenda këtij furgoni të viteve ’70 është skandaloze dhe mishi në kushte jo-frigoferike.Sipas denoncuesit, kushtet e vështira ekonomike kanë bërë që qytetarët të prisnin në radhë për të blerë mish,pasi çmimi i tij ishte 150 lekë (të reja) më pak për kg sesa është realisht çmimi i mishit në çdo dyqan.

Siç edhe duket qartë nga pamjet filmike,furgoni ishte vendosur në qendër të qytetit dhe tregtari po shiste mish i pashqetësuar nga askush,deri në momentin kur ka parë se po filmohej nga qytetari.Menjëherë pas kësaj,ai ka mbyllur menjëherë tregtimin dhe është larguar me furgonin e tij në drejtim të daljes së qytetit.

Alert.al

Miliona euro nga BE dhe buxheti, Laboratorët e AKU jashtë funksionit; pa akreditime, pa investime dhe me stafe të patrajnuara. Ja kërkesat e vetë sektorit drejtuar Ministrisë së Bujqësisë

Nga Mariglen Mertiri*

Laboratorët e Autoritetit Kombëtarë të Ushqimit që kontrollojnë sigurinë ushqimore në vend janë të amortizuar, të pa akredituar, me stafe të patrajnuar dhe nuk ofrojnë analiza të sakta shkencore në numrin e limituar të analizave që kryejnë.

Bashkimi Europian ka investuar mbi 2 milionë euro për pajisjet laboratorike dhe ato ndihmëse në 3 laboratorë deri në vitin 2019, por pajisjet ose ishin të pa kalibruara, ose nuk vendoseshin në funksion edhe pse ishin marrë në dorëzim, ndërsa trajnimi i stafeve ishte i pamjaftueshëm për pajisjet e reja. Gjatë vitit 2020, për shkak të mungesës së kiteve laboratorike, por edhe stafeve dhe kushteve të punës nuk u realizua numri i mostarve të planifikuara.

Për vitin 2021 nuk parashikohet asnjë investim në laboratorë nga buxheti i shtetit, ndërsa ekspertët e laboratorëve vijojnë të bëjë thirrje për akreditim dhe mbështetje financiare për përmirësimin e situatës në “zemrën” e sigurisë ushqimore, për identifikimin dhe kapjen në kohë të problematikave me ushqimin dhe publikimin e raport-analizave të sakta dhe ligjore.

Përmirësimi i sigurisë ushqimore duhet të kthehet në një prioritet kombëtar, pasi është thelbësor për shëndetin publik dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Siguria ushqimore e cenuar dhe mungesa e përmirësimit të saj, përbën jo vetëm një burim të mundshëm për përhapjen e më shumë se 200 sëmundjeve, por ushqimet e ndotura shkaktojnë vdekje çdo vit.

Vendi ynë konsiderohet me incidencë të lartë në këtë fushë referuar të dhënave jo zyrtarë të rasteve të helmimeve nga ushqimi në një vit. Sëmundjet që vijnë nga ushqimi shkaktojnë probleme ekonomike dhe financiare për familjet shqiptare, pasi jovetëm që rrisin shpenzimet për shëndetin, por në të njëjtën kohë, rrisin shpenzimet për ushqim dhe pije joalkolike, duke marrë në konsideratë që shpenzimet për to zënë mesatarisht mbi 50 % në strukturën e buxhetit të familjeve sipas grupeve kryesore të konsumit.

Foto dhe foto kryesore, Laboratori i AKU Tiranë

Fuqizimi i institucioneve shtetërore që veprojnë në fushën e sigurisë ushqimore bën të mundur parandalimin dhe zvogëlimin e sëmundshmërisë që vjen nga ushqimi, për më tepër që në mënyrë të vazhdueshme kërkohet zbatimi i politikave evropiane për një nivel të lartë të sigurisë ushqimore për tju afruar kushteve të unionit.

Aktualisht, siguria ushqimore në vend duhet të garantohet në nivel qendror nga Ministria e Bujqësisë dhe Ministria e Shëndetësisë dhe në nivel vendor nga njësitë e pushtetit lokal. Ministria e Bujqësisë ka në strukturë Drejtorinë e Politikave të Sigurisë Ushqimore dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Institutin e Sigurisë së Ushqimit dhe Veterinare (ISUV), dhe Autoritetin Kombëtar të Ushqimit (AKU).

Ky i fundit ka një rol parësor në parandalimin e shumë problematikave që ndodhin sot me ushqimin në raport me konsumatorët. Që një institucion të ketë besueshmëri dhe integritet duhet ta demonstrojë atë nëpërmjet burimeve njerëzore dhe investimeve të pandalshme për ngritjen e kapaciteteve infrastrukturore.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është një institucion 10-vjeçar i krijuar për të garantuar shëndetin e popullatës nga ushqimi. Por, ai përballet me mungesë fondesh dhe pajisjesh, mungojnë trajnimet e vazhdueshme të burimeve njerëzore dhe dëmtohet nga ndërhyrjet e politikës duke shkëputur zinxhirin e nevojshëm kontrollues të sigurisë ushqimore.

AKU sot ka një rrjet laboratorësh në 7 qarqe të vendit nga ku kryhen analiza të kufizuara për të gjetur problematikat dhe parandaluar kontaminimin. Ky rrjet laboratorësh, edhe pse i investuar vitet e fundit nga Bashkimi Europian dhe qeveria shqiptare nuk arrin të jetë produktiv dhe i besueshëm pasi herë mungojnë reagentët, herë intepretuesit e analizave dhe herë kitet laboratorike. Mungojnë kushtet e punës dhe nuk ka mirëmbajtje dhe kalibrime të pajisjeve laboratorike. Ekzistojnë një sërë analizash laboratorike që nuk kryhen në laboratorë duke përfshirë aditivët, alergenet, disa ndotës dhe patogjenë.

Bazuar në Strategjinë Ndërsektoriale për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural për periudhën 2014-2020 nisi edhe investimi “Ristrukturimi dhe forcimi i rrjetit të laboratorëve të sigurisë ushqimore dhe veterinarisë në Shqipëri”. Prej vitit 2013, Bashkimi Europian nëpërmjet projektit “IPA” ka investuar mbi 2 milionë euro vetëm në pajisje laboratorike të shtrirë në disa vite për të plotësuar nevojat e këtij rrjeti dhe rritur sigurinë ushqimore. Pjesë e kësaj mbështetje me një shumë rreth 300 mijë euro ka qenë edhe buxheti i shtetit.

Laboratorët e AKU që morrën mbështetje ishin ato në Korçë, Gjirokatsër dhe Shkodër. Përzgjedhje e këtyre 3 laboratorëve për t’u investuar nuk pati një strategji apo analizë se kush ishin arsyet konkrete që investimi të ishte sa më përfitues për qytetarët.

Referuar një auditimi të bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit rezultoi se, nga 4 lote prokurimesh të shtrira në disa vite, që do duhet të merrnin laboratorët, u realizuan vetëm 3, pasi një nga tenderat dështoi edhe pse financimi ishte gati. Në faqen zyrtare të Komisionit Evropian u dha ky koment për arsyen e anulimit: “Mungesë fondesh për shkak të skadimit të afatit të kontratës për Programin Kombëtar IPA 2013 gjatë procesit të vlerësimit të Lotit 2 “Testimi Mikrobiologjik”. 

Referuar raportit të KLSH, në korrik të 2019 rezulton se, tre pajisjet e Lotit1: Near Infra Red Food multiparamentric analyzer; Near Infra Red Grain Multiparametric Analyser; dhe Near Infra Red Wine and Spirits multiparametric analyser, janë të pakalibruara, për rrjedhojë të papërdorshme për të dhënë një rezultat të saktë laboratorik. Ndërsa dy pajisjet e përfituara nga loti 4, nuk përmbushin ndonjë qëllim për përmirësimin e cilësisë laboratorike në AKU lidhur me mbetjet e pesticideve në DRAKU Shkodër.

 “Pajisjet kanë një periudhë të gjatë kohe në DRAKU përfituese, por dhe nga akti i marrjes së përkohshme në dorëzim, nuk janë kalibruar apo axhustuar për t’u kthyer në aparatura që prodhojnë analiza të sakta dhe të besueshme ligjore”, thuhet në raportin e KLSH në vitin 2019.

Mbi dy milionë eurot e investuara nuk e ndryshuan situatën e laboratorëve dhe nuk prodhuan më shumë siguri për qytetarët. Gama e analizave të kryera me cilësi nuk u rrit për shkak të investimit.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, i pyetur mbi investimin e Bashkimit Europian dhe mundësitë e reja të ofruara për shkak të pajisjeve të investuara, deklaroi se nga ky financim, AKU rajonale perfituan pajisje ku disa prej tyre janë pajisje “screening” që lehtësojnë punën e stafit të laboratorëve. Ndërkohë, puna vazhdon përmes metodikave zyrtare të analizimit dhe metodave të konfirmuara.

Bazuar në gjetjet e raportit auditues të KLSH-së, ekspertët dolën në përfundimin se, nga ky proces i shtrirë në disa vite ka dështuar edhe trajnimi i stafeve të laboratorëve, pasi ato kanë qenë të pakta dhe të përgjithshme.

“Asnjë DRAKU përfituese nuk ka përfituar trajnim nga projekti për pajisjet e testeve të shpejta NIR Analyzer, Milk and Milk Product Analyzer, Florescent microscopic Somatic Cell Counter edhe pse ky ka qenë qëllimi i projektit për Lotin 1. AKU nuk ka qenë pëfitues i asnjë trajnimi për lotin 4 “Mbetjet e Pesticideve”, pasi rolin kryesor për këtë lot e merr ISUV. Temat trajnuese te realizuara deri në momentin e përfundimit të këtij auditi, kanë plotësuar pjesërisht objektivat dhe qëllimin e projektit”, nënvizon raporti.

Raporti i KLSH edhe pse publik me gjetje dhe me rekomandime konkrete. kundërshtohet nga AKU. pasi në përgjigjë të kërkesës për trajtimin e stafeve. ajo deklaron se trajnimet kanë qenë të vazhdueshme.

“Stafi i laboratorëve rajonale ka marrë trajnime në lidhje me funksionimin e pajisjeve gjatë implementimit të kontratave të furnizimit dhe të shërbimit të financuara nga BE.”

Problematikat e theksuara në 7 laboratorët që AKU ka në varësi edhe pse zyrtarisht nuk pranohen, ato konfirmohen nga analiza vjetore e punës bërë për vitin 2020. Sektori i koordinimit dhe mbështetje së laboratorëve në raport evidenton problematikat, që nga pajisja me apartura të reja e deri tek mungesa e stafeve dhe kushteve më minimale të punës. Në analizën vjetore kërkohet akreditimi i laboratorëve dhe mbështetje më e madhe buxhetore për shkak të fokusit të punës që ky sektor ka, garantimin e sigurisë ushqimore.

“Është e domosdoshme pajisja me aparatura të reja dhe duhet të kryhet dalja jashtë përdorimit të aparaturave, të cilat janë në inventar, por nuk janë në gjëndje pune. Alokim i fondeve me qellim rritjen e kapaciteteve të rrjetit laboratorik dhe zgjerim të gamës së analizave për të kryer monitorime dhe analiza të produkteve ushqimore dhe ushqimit për kafshë, me referencë specifike në fushat e monitorimit të mbetjeve të pesticideve, diagnozës mikrobiologjike në ushqim dhe ushqim për kafshë, standarteve të cilesisë, sëmundjeve të kafshëve, në përputhje me standarte të përmirësuara. Investime në përmirësimin e infrastrukturës së laboratorëve.

Zbatimin e sistemit LIMS (Laboratory Information Management Systems) në laboratorët e AKU. Mbështetje me buxhet të veçantë për nisjen e proçedurave me qëllim akreditimin e laboratorëve të AKU. Trajnime të vazhdueshme stafit laboratorik. Nuk ka mjedis të veçantë të përshtatshëm për asgjësimin e mbetejve të laboratorit te shëndetit të kafsheve;  Nuk ka dhoma të posaçme për ruajtjen e reagenteve, si dhe nuk ka dhome të veçantë për grumbullimin e mbetjeve laboratorike”,  janë disa nga kërkesat bërë nga ky sektor drejtuar Ministrisë së Bujqësisë.

Vështirësitë e hasura nga stafet e laboratorëve, por edhe nga gjithë zinxhiri ndërlidhës nga marrja e mostrave e deri në analizmin final për vitin 2020, ka sjellë mosrealizmin e mostrave të planifikuara.

“Numri i mostrave të marra nga Inspektorët e Sektorit të Kontrollit në Pikat e Inspektimit Kufitar për vitin 2020 është 2065 mostra, ndërsa numri i mostrave të planifikuara për vitin 2020 ka qenë 3090 mostra. Pra, numri i mostrave të analizuara është 1025 mostra më pak se numri i mostrave të planifikuara.”

Në argumentet e pretenduara për mosrealizmin e planit, përveç ndikimit të vitit pandemik, nga muaji Maj dhe deri muajin Gusht, laboratori i DRAKU Korçë ka pasur mungesë reagentesh dhe mungesë stafi për kryerjen e analizave laboratorike, si dhe mugonin kushtet e mbajtjes së produkteve shtazore në temperaturë pas orës 14:00 në të cilën mbyllet laboratori. Por AKU, këto vështirësi ja atribuon vetëm situatës së Covid-19.

“Viti 2020 ka qenë një vit pandemie dhe ka pasur vështirësi jo për mungesa, por për shkak të fokusimit në planin e punës, sa lidhet me respektimin e masave anti-covid. Sektori i Shërbimeve Laboratorike ka pasur një zhvillim normal të aktivitetit”, deklaron AKU.

Laboratorët edhe pse janë një investim i domosdoshëm dhe emergjent dhe me ndikim direkt tek konsumatorët, për të qenë të besueshëm dhe  mbrojtur jetën e tyre, Ministria e Bujqësisë edhe për vitin 2021 nuk parashikon asnjë fond për investime në këtë sektor.

“Në planin e buxhetitte vitit 2021 (në zbatim të ligjit nr.137/2020, datë 16.11.2020 “Për buxhetin e vitit 2021”), nuk ka fond investimesh për laboratorët. Po bashkëpunohet ngushtësisht me organizma ndërkombëtare, diskutime ne proces, për te përditësuar statusin aktual te laboratorëve rajonale te AKU dhe plotësimin e tyre me pajisje”, vijon më tej AKU në përgjigjen e saj.

Ish-Ministri i Bujqësisë, gjatë diskutimeve të buxhetit për vitin 2021, më 28 tetor 2020 në Komisionin Parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese, ndryshe nga sa ndodhi në të vërtetë, shpalli si prioritet investimin në Autoritetin Kombëtar të Ushqimir dhe konkretisht në mbështetje laboratorike.

“Në fokusin tonë qëndron ristrukturimi i AKU-së për të krijuar mundësinë që ky institucion të përmbushë me sukses misionin që i ka dhënë ligji dhe të fitojë vitalitetin e institucioneve simotra në vendet europiane. Gjithashtu, do të investohet për blerjen e 5 pajisjeve laboratorike, pajisjeve për trupat e inspektimit si dhe rikonstruksionin ndërtesës së Drejtorisë së Përgjithshme të AKU-së, e cila u dëmtua nga tërmeti i vitit 2019”, deklaroi Bedi Çuçi, ish-Ministër i Bujqësisë para deputetëve.

Bizneset dhe fermerët në kushtet kur laboratorët e AKU nuk janë të akredituar përballen probleme në lidhje me analizat e produkteve. Ndërsa shqetësimi më i madh mbetet analizimi i produkteve ushqimore nga vetë AKU, pasi çdo vit, ky institucion ka për detyrë hartimin dhe me pas analizimin e një plani marrje mostrash në produkte ushqimore, ushqimi për kafshë, produkte të mbrojtjes së bimëve etj.

Ekspertët kërkojnë që investimi në këto laboratorë të bëhet jo vetëm për infrastrukturën por dhe kapacitetet njerëzore dhe ekspertët e tyre. Vetëm në këtë mënyrë do të bëhet i mundur që të respektohen të gjitha hallkat dhe produktet shqiptare të kenë mundësi të certifikohen dhe të ekspertohen në BE. Ata sygjerojnë të studiohet e analizohet situata e laboratorëve në sektorin publik dhe atë privat dhe të propozohen masa për të mundësuar akreditimin e të paktën një laboratori që ti njihen të vlefshme analizat në vendet e BE.

*Autori i shkrimit ushtron profesionin e gazetarit prej 12 vitesh. Ka mbaruar studimet për Gazetari në Universitetin e Tiranës. Ai ka ushtruar profesionin e gazetarit në disa media të shkruara dhe vizive, duke qenë dhe gazetar investigativ. Aktualisht, është redaktor i lajmeve ne Televizionin Klan News dhe bashkëpuntor në projektin e Qendrës ALERT.

 

Ky botim u prodhua me mbështetjen financiare të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe Partnereve. Permbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e autorit të shkrimit dhe e Qendrës Alert, si dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe Partnerëve.

 

QENDRA ALERT – Alert.al

Studimi: Sëmundjet e rënda që shkaktojnë pesticidet, nga kanceri, parkinsoni e deri te rreziku për fëmijët edhe kur ndodhen në barkun e nënës

Në një ekspertizë të Inserm, i cili sapo është botuar, konfirmohet dëmi i  pesticideve për sa i përket shëndetit, me një “prezumim të fortë” të ndikimit të tyre në gjashtë sëmundje të rënda, kanceroze (prostatë, limfoma jo-Hodgkin, mieloma e shumëfishtë), neurologjike (Sëmundja e Parkinsonit, turbullime të njohjes) dhe të sistemit respirator (BPCO).

Për katër patologjitë e para, një lidhje me ekspozimin profesional ndaj pesticideve të caktuara ishte demonstruar tashmë gjatë ekspertizës së mëparshme të Inserm, në 2013. Në dritën e njohurive më të fundit shkencore, kjo listë shkon nga katër sëmundje në gjashtë.

Termi “pesticide” përfshin të gjitha produktet që përdoren për të luftuar kundër specieve të padëshirueshme të bimëve (herbicide) dhe dëmtuesve (insekticide dhe fungicide). Ato përdoren kryesisht në bujqësi, por gjenden kudo në mjedis (tek ajri, pluhuri, produktet ushqimore …).

Nga 17 pesticide të analizuara në vlerësimin e ekspertëve, 11 shoqërohen me të paktën dy efekte toksikologjike midis tre studimeve: stresi oksidativ, toksiciteti për mitokondritë (mitotoksiciteti) dhe veprimi në sistemin imunitar.

Përveç kësaj, Inserm konfirmon se “shtatzënia dhe fëmijëria e hershme janë më të prekshme nga prania e një ngjarjeje ose agjenti toksik”. Tek fëmijët, Inserm i referohet një “supozimi të fortë” të një lidhje midis “leuçemisë akute” dhe ekspozimit të nënës ndaj pesticideve gjatë shtatëzënësisë. Edhe ekspozimi i babait ndonjëherë duket se mund të luajë: ekziston një “supozim mesatar” për “leuceminë akute limfoblastike” të fëmijës “në rast të ekspozimit në punë” të babait” në periudhën e parangjizjes”.

Për tumoret e trurit dhe palcës kurrizore, mendimi i ekspertit përfundon me një “prezumim të fortë të një lidhjeje” me ekspozimin profesional të prindërve para lindjes. I njëjti nivel i supozimit ekziston për lidhjen midis ekspozimit të nënës ndaj pesticideve gjatë shtatëzënësisë dhe “çrregullimeve të zhvillimit neuropsikologjik dhe motorik të fëmijës”, ose “çrregullimeve të sjelljes të tilla si ankthi”.

Si përfundim;

Ekspertiza thekson rëndësinë e rivlerësimit periodik të njohurive në këtë fushë. Konfirmimi dhe nënvizimi i supozimeve të forta të lidhjeve midis patologjive të caktuara dhe ekspozimit ndaj pesticideve duhet të drejtojë veprimet publike drejt mbrojtjes më të mirë të popullatave. Këto pyetje për me lidhjet midis ekspozimit ndaj pesticideve dhe shfaqjes së patologjive të caktuara po bëhen gjithnjë e më komplekse, literatura tregon shqetësim në lidhje me efektet indirekte të pesticideve të caktuara në shëndetin e njeriut përmes efekteve në ekosisteme. Ndërvarësia në fjalë meriton të studiohet dhe integrohet më tej, së bashku me aspektet sociale dhe ekonomike, në mënyrë që të informohet vendimmarrja gjatë zhvillimit të politikave publike.

Pergatiti Dr.Blerta Brati, Mjeke Mikrobiologe

Linku i studimit:

https://www.inserm.fr/information-en-sante/expertises-collectives/pesticides-et-sante-nouvelles-donnees-2021

Plas gripi i shpëndëve në Fier, asgjësohen pula, rosa, pata dhe zogj deti

Shfaqet gripi i shpendëve në Fier, në fshatin Adë të njësisë administrative Frakull. “Janë konstatuar dhe asgjësuar 120 krerë të prekura me grip shpendësh, nga këto pula fushe 70 kokë, zogj deti 14, rosa 16, pata 20.  30 krerë kishin ngordhur më parë. U bë dezinfektimi dy herë i fermës, shpendët janë groposur.

Eshtë miratuar një varrezë për groposjen e shpendëve në fshatin Adë, larg qendrave të banuara.

Jane marre edhe 82 kampione gjaku në shpendët e familjes. Pjesë e kontrolleve janë edhe pularitë”, njoftoi një burim zyrtar në Ministrinë Bujqësisë.

Deri tani, sipas burimit, nuk janë shfaqur shenja tek njerëzit.

Një muaj më parë, ministrja e Bujqësisë Milva Ekonomi urdhëroi marrjen e masave në kuadër të të përhapjes në gripit të shpëendëve për fshirë edhe ndalimin e importit të shopendëve dhe vezëve nga vendet e prekura.

alert.al/

FAO paralajmëron sëmundje nga peshqit e papërpunuar të ujërave të ëmbla

Konsumi i peshkut të papërpunuar të ujërave të ëmbla, një dietë kryesore për miliona njerëz në shumë pjesë të Azisë Juglindore, po vihet nën vëzhgim më të afërt pas zbulimit të një rreziku ushqimor në disa vende të rajonit, duke shkaktuar një paralajmërim nga ekspertët e sigurisë ushqimore tw Organizatës Botërore të Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO) e Kombeve të Bashkuara dhe të tjerë.

Një sëmundje invazive, e njohur si Streptococcus Group B (GBS) e lidhur me konsumin e peshqve të papërpunuar të ujërave të ëmbla, ka bërë që Zyra Rajonale e FAO-s për Azinë dhe Paqësorin të publikojë një profil rreziku për të rritur ndërgjegjësimin për kërcënimin.

Shumë njerëz nuk janë të vetëdijshëm për rreziqet që lidhen me konsumimin e peshkut të papërpunuar të ujërave të ëmbla dhe kjo është një praktikë shumë e zakonshme në Azinë Juglindore dhe vende tw tjera tw botws. Por, sëmundjet që kjo praktikë mund të shkaktojë, mund të jenë serioze, megjithëse jo gjithmonë të dukshme, as të menjëhershme, dhe në disa raste që mund ta bëjnë të vështirë diagnostikimin dhe trajtimin në kohë.”

Kuptimi i rrezikut, duke mësuar më shumë rreth tij

Problemet e shkaktuara nga ngrënia e peshkut të papërpunuar u zbuluan për herë të parë në 2015, kur të paktën 146 njerëz u sëmurën në Singapor, disa përjetuan pasoja të rënda të shkaktuara nga helmimi i rëndë i gjakut. Rasti u lidh më vonë me Streptokokun e Grupit B (GBS) dhe lloji specifik përgjegjës për shpërthimin ishte lloji i sekuencës 283 (ST283).

Rastet e sëmundjes invazive GBS ST283 janë dokumentuar në Singapor, Kinë, Hongkong SAR, Republikën Popullore Demokratike të Lao-s, Tajlandë dhe Vietnam. Sidoqoftë, siç dihet pak, dhe lista e pasigurive dhe boshllëqeve të identifikuara të të dhënave është e gjerë, një vlerësim i plotë i rrezikut nuk është ende i mundur. Pa grupe të dhëna të mjaftueshme dhe të vërtetuara, kërkohet një fushë gjeografike shumë më e gjerë e kërkimit, thonë ekspertët, për të përcaktuar nëse sëmundja është vetëm autoktone në Azinë Juglindore ose nëse shtrihet përtej.

Çfarë mund të bëjnë vendet

Do të ishte më mirë për autoritetet kompetente të sigurisë ushqimore që të kishin në dispozicion rezultate të plota të vlerësimit të rrezikut për të shqyrtuar opsionet e menaxhimit të rrezikut, por me të gjitha pasiguritë dhe mungesën e të dhënave, vetëm rekomandime praktike të kufizuara mund të ofrohen tani.

Planifikimi i një fushate të përgjithshme dhe të synuar të sigurisë ushqimore, që synon konsumatorët, popullatat lokale ose fshatarët për t’i informuar ata për rreziqet e mundshme të konsumit të peshkut të papërpunuar të ujërave të ëmbla mund të funksionojë si një masë parandaluese efektive, veçanërisht në vendet ku konsumimi i peshkut të papërpunuar të ujit të ëmbël dihet se është e zakonshme.

Burimi: http://www.fao.org/

Qendra ALERT / Alert.al

Tërhiqen nga tregu disa marka të karkalecave për shkak të Salmonelës. Ja cilat janë...

Ushqime të ngrira Avanti Pvt. Ltd. po tërheq nga tregu karkalecat që lidhen me një epidemi të shkaktuar nga Salmonella Weltevreden. Karkalecat paketohen nga disa marka të ndryshme si: Censea, Hannaford, Open Acres, Waterfront Bistro, Honest Catch, COS, 365 dhe Meijer.

Administrata e Ushqimit dhe Barnave po heton epideminë me ndihmën e Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. FDA, së pari u bë e vetëdijshme për një problem me karkalecat e Avanti në janar të këtij viti, kur një mostër importi rezultoi pozitive për Salmonella Weltervreden. Testi ishte pjesë e programit rutinë të pajtueshmërisë së FDA për prodhimet e detit të importuara.

Në mars, një dërgesë karkalecash nga kompania u refuzua në kufi dhe u shkatërrua. Kompania importuese u shtua në listën e Alert-it të importit të FDA, që do të thotë se, agjencia mund të bllokojë produktin në kufi pa qenë e nevojshme ta inspektojë atë.

Vetëm në Prill, pacientët e infektuar nga kjo epidemi u konfirmuan përmes kontrolleve klinike. Disa pacientë u shtruan në spital. Që nga 25 qershori 2021, ka 6 izolime klinike për shkak të kontaktit më Salmonelën e mbledhur nga mostra e importit. Pacientë shtesë pritet të identifikohen, sepse mund të duhet deri në një muaj ose më shumë që infeksionet të konfirmohen dhe informacioni të arrihet tek zyrtarët federalë.

Produktet e implikuara janë të paketuara në madhësi të ndryshme dhe janë të ngrira, karkaleca të gatuara, të qëruara, të deveinuara. Karkalecat shiten me emrat e markave të Censea, Hannaford, Open Acres, Waterfront Bistro, Honest Catch, COS, 365 dhe Meijer.

Burimi: Food Safety News

Qendra ALERT / Alert.al

Investigimi - Skandal me perimet, në tregje, produkte me pesticide mbi normat, të ndaluara në BE, por edhe me shumë lloje ngarkesash

Nga Mariglen Mertiri*

Perimet janë produktet më të konsumuara, por edhe më të rekomanduarat për një shëndet të mirë. Por, nga ana tjetër, konsumatorët shqiptarë blejnë dhe konsumojnë çdo ditë domate dhe kastravecë me pesticide deri në 6 herë mbi normat e lejuara, duke rrezikuar rëndë shëndetin e tyre. Ndërsa luleshtrudhet dhe shalqini kanë prezencë të lartë të pesticideve për njësi produkti, duke shtuar përqëndrimin e pesticideve dhe ekspozuar ato në një rrezik potencial për shëndetin dhe jetën e qytetarëve. Ndërkaq, Instituciont nuk marrin masa, jo vetëm të parandalojnë shitjen e produkteve të kontaminuara, por edhe të ndëshkojnë përgjegjësit. Ato shiten si produkte normale në tregje anormale, por edhe tregje të licencuara me blerës të pandërgjëgjësuar dhe të nxitur nga çmimi i favorshëm. Porl edhe me blerës që për shumë arsye, nuk ka si ta dinë se brenda këtyre perimeve ka norma të larta pesticidesh, por edhe në disa kur ndodhen brenda limiteve, prezenca e 5 apo 6 pestidiceve të ndryshme përbën rrezik serioz për shëndetin.

Fermërët shtojnë pesticidet për të nxjerr sa më shpejt nga sera në treg produktin, për të rritur fitimit, pasi nëse zbatojnë rekomandimet e agronomeve për afatet e përdorimit të pesticideve (karenca), ndoshta nuk do të marrin fitimin e kërkuar dhe do t’i shesin prodhimet e tyre madje edhe nën kosto. Shtrëngimi i masava ligjore  në Kodin Penal i bërë dy vite më parë për “Sigurinë Ushqimore” nuk ka sjellë asnjë ndërgjegjësim, ndryshim të realitetit dhe masa ndëshkuese për të mbrojtur jetën e qytetarëve.

Për të vërtetuar abuzimet dhe riskun e lartë që përballen qytetarët përballë këtyre helmeve të paabsorbuara nga bimët, analiza e mbetjeve të pesticideve në perime është shumë e rëndësishme, pas këto produkte konsumohen në mënyrë të vijueshme, në sasira të konsiderueshme dhe janë pjesë e dietës ushqimore për të gjithë konsumatorët. Për më tepër, konsumi i tyre të “freskta” mbart nje rrezik të shtuar të mbetjeve të pesticideve, pasi koha që ndan perdorimin e një pesticidi në serë nga koha e konsumit shpesh nuk është e gjatë dhe është e pamjaftueshme për degradimin e tyre. Ndaj, në rastin e perimeve që konsumohen të freskëta rekomandohet përdorimi i pesticideve lehtësisht të degradueshme, ose me një karencë të shkurtër për të shmangur mbetjet e tyre në produkt. Porl sido që të jetë afti i karencës, sipas llojit të persicidit apo insekticidit, fermerët duhet ta zbatojnë atë.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, frutat dhe perimet janë kryesisht grupi i ushqimeve më të konsumuara në botë, me një mesatare rreth 30%. Ky konsum, vjen më tepër për arsyen se ky grup ushqimesh konsumohet i pagatuar ose gjysmë i gatuar.

Nutricionistja Hyrida Basha, domaten dhe kastravecin i renditë si pjesë me rëndësi të dietës tonë ushqimore për shkak të përbërësve ushqimore që mbartin.

“Kastraveci dhe domatja na furnizojnë me sasi të larta të ujit, antioksidantëve, mineraleve dhe fibrave. Domatja na ofron një mbrojtje edhe prej rrezatimit diellor me gati 20%. Megjithatë, ky është grupi i ushqimeve me të cilat abuzohet më shumë. Nëpërmjet konsumit të këtyre ushqimeve, ne marrim edhe këto pesticide që lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me sëmundje edhe gati vdekjeprurëse. Ndikim më të madh, këto kanë në zhvillimin e kancerit, defektet në lindje, çrregullime neurologjike, çrregullime endokrine dhe efekte ne riprodhim”, deklaroi nutricionistja Hyrida Basha

Qendra “Alert” hulumtoi mbi tregtimin e produkteve të kërkuara nga qytetarët në këtë sezon, siç janë domatet, kastravecët, specat, luleshtrydhet dhe shalqiu. Në mënyrë rastësore, u blenë 5 kultura të ndryshme bujqësore në tregun Agro-Ushqimor të Tiranës, vend nga ku tregtarët apo fermerët e shumë rajoneve furnizojnë masivisht tregun e kryeqyetit me pakicë, por edhe nga ku shpërndahen në pjesën më të madhe te gjysmës së Shqipërisë. Kur blihen me kilogramë dhe jo me shumicë, tregtarët nuk japin kupon tatimor dhe si provë përveç videove, kemi biletën e parkimit.

Në bashkëpunim me laboratorin e akredituar “Noval”, analizuam mbetjet e pesticideve ne produktet që tregëtohen në raport me kuadrin ligjor në vend, por i krahasuam edhe me atë të Bashkimit Europian.

Ekspertët që interpretuan analizat deklaruan se, normat e kontaminimit janë disa fish më të larta se rregulloret e Ministrisë së Bujqësisë, por edhe direktivat e BE-së, duke ngritur alarmin se, disa prej produkteve të analizuar duhet të asgjesoheshin dhe të niste gjurmueshmëria e produktit në zinxhirin prodhim-konsumator nga institucionet përgjegjëse.

Por, t’i analizojmë produktet me radhë dhe teknikisht se, cilat janë gjetjet e laboratorit mbi mostrat e dhëna. Ndërkohë, kontaktuam dy ekspertë të fushës për zbërthyer të dhënat për çdo mostër të analizuar.

Ferdi Brahushi

Eksperti Fredi Brahushi, pedagog në Universitetin Bujqësor të Tiranës, bazuar tek përgjigjet e laboratorit “Noval” deklaron se, gjendja është kritike dhe kërkohet ndërhyrje e menjëhershme, pasi nga 5 monstrat e marra për analizim, 4 prej tyre ose 80% rezultojnë me ngarkesa pesticidesh, duke rrezikuar shëndetin e konsumatorëve.

Eksperti i inputeve bujqësore dhe bujqësisë organike, Arben Shytaj deklaron se, në domate janë gjetur 7 mbetje pesticidesh, në specat e analizuar nuk është gjetuar asnjë lloj ngarkese pesticidi, në kastravecë u gjetën 3 lloje pesticidesh, në shalqi 2 lloje dhe në luleshtrydhe 6 lloje pesticidesh.

Per interpretimin e mbetjeve, iu referuam normave kombetare, te deklaruara në udhëzimin Nr.11 dt.10.05.2021 “Per nivelin maksimal të mbetjeve të pesticideve në fruta, perime…” dhe rregullores së BE-së, “Regulation(EC) No 396/2005” dhe “Regulation (EC) No1107/2009”.

Fillimisht u bë krahasimi me listën e PMB-ve të regjistruara, të cilat janë të gjitha brenda listes së miratuar, por pjesa me e madhe janë tek lista Nr.2, ku janë PMB-të që lejohen të tregetohen, por nuk lejohen të importohen. Një praktikë e gabuara e institucioneve tona të cilat rrezikojnë shëndetin e konsumatrëve për të “pastruar” magazinat e farmacive bujqësore dhe plotësuar kërkesat e lobeve të importuesve të mëdhenj me kosto për shëndetin e qytetarëve.

Konkretisht nga domatja e analizuar rezultoi se, ka 7 lloje mbetjesh, nga të cilat, dy, përkatësisht Chlorpyrifos-Ethyl dhe Fenbuconazole, janë mbi normat e lejuara. Rezultati i analizës është 0.073 mg/kg, norma kombëtare është 0.05 mg/kg, norma e BE-së 0.01 mg/kg. Prania e Fenbuconazole, rezultati i analizës është 0.016 mg/kg peshë, norma kombëtare është 0.05 mg/kg, norma e BE-së 0.01 mg/kg, kjo lëndë aktive është në normë me normat kombëtare dhe mbi normë me ato të BE-së.

“Në bazë të legjislacionit, ky prodhim nuk lejohet të konsumohet, është i kontaminuar me pesticide mbi normat e lejuara, si i tillë duhet asgjësuar duke ndjekur gjurmueshmërineë derisa të shkohet tek prodhuesi. Është për t’u theksuar se normat kombëtare të deklaruara në udhëzimin e ministrit të Bujqësisë, duhet t’i referoheshin normave të BE-së, jo të vendosen norma në pamundësi studimesh”, – deklaroi Arben Shytaj.

Tek kastraveci janë gjetur tre lloje mbetjesh, nga të cilat Chlorpyrifos-ethyl është në masë 0.054 mg/kg peshë, normat kombëtare është 0.01 mg/kg, normat e BE-së 0.01 mg/kg peshë. Edhe ky lot prodhimi i analizuar është i pakonsumueshëm dhe duhet asgjesuar.

Kulturat e tjera, i kanë mbetjet e pesticideve të dedektuara brenda normave të lejuara, si ato kombëtare, si ato te BE-së dhe janë të konsumueshme, edhe pse disa janë shumë afër me kufirin maksimal. Vlen për t’u theksuar se, për specin nuk u gjetën fare mbetje, gjë që do të thotë se është e mundur të realizohet siguria ushqimore, duke ju referuar rastit konkret.

Pedagogu i Universitetit Bujqësor të Tiranës Ferdi Brahushi bazuar në rezultatet e analizave të marra si dhe ne gjykimin si specialist i fushës doli në konkluzionin se, bimët e analizuara (përveç specit) rezultojnë me një ngarkesë të mbetjeve të pesticideve me më shumë se një lendë aktive, duke përbërë në këtë mënyrë një rrezik potencial për shëndetin e konsumatorëvë.

Mbetjet e gjetura të pesticidit Chlorpyrifos-ethyl janë katër deri në gjashtë herë më të larta se normat e lejuara në domate dhe kastravec, duke e bërë me evidente dhe reale rrezikun për shëndetin e konsumatorëve, për më tepër ky pesticid është ndaluar të tregetohet dhe përdoret në BE, si një pesticid shumë i rrezikshëm për shëndetin e njeriut, ndërsa në vendin tonë lejohet akoma të tregëtohet dhe përdoret, por jo të importohet.”- deklaroi Brahushi.

Nr. Specia bimore Lenda aktive

(l.a.) e pesticidit

Lejohet perdorimi ne BE/Vendin tone[1] Permbajtja e l.a. ne bime

(mg/kg)

Norma e lejuar (MML) (mg/kg) Diferenca

Absolute

(mg/kg)

Diferenca relative (%)
1 Domate Trifloxystrobin Po/Po 0.023 0.7 -0.68 -96.71
Thiacloprid Jo/Tregetot perdoret 0.013 0.5 -0.49 -97.40
Pyrimethanil Po/Po 0.053 1 -0.95 -94.70
Chlorpyrifos-ethyl Jo/Tregetot perdoret 0.073 0.01 +0.06 +630.00
Cyprodinil Po/Po 0.046 1.5 -1.45 -96.93
Difenoconazole Po/Po 0.052 2 -1.95 -97.40
Fenbuconazole Jo/Po 0.016 0.01 +0.01 +60.00
2 Spec ND
3 Kastravec Metalaxyl Po/Po 0.024 0.5 -0.48 -95.20
Azoxystrobin Po/Po 0.011 1 -0.99 -98.90
Chlorpyrifos-ethyl Jo/Tregetot perdoret 0.054 0.01 +0.04 +440.00
4 Luleshtrydhe Thiacloprid Jo/Tregetot perdoret 0.013 1 -0.99 -98.70
Boscalid Po/Po 0.018 6 -5.98 -99.70
Bupirimate Po/Po 0.052 1.5 -1.45 -96.53
Difenoconazole Po/Po 0.53 20 -19.47 -97.35
Dimethomorph Po/Po 0.034 0.7 -0.67 -95.14
Fluopyram Po/Po 0.009 0.1 -0.09 -91.00
5 Shalqi Pyriproxyfen Po/Po 0.015 0.05 -0.04 -70.00
Fluopyram Po/Po 0.052 0.4 -0.35 -87.00

[1]Bazuar ne listen e PMB-ve të regjistruara për t’u importuar dhe tregtuar në Republikën e Shqipërisë/Janar 2021 dhe Qershor 2021

Në analizën e tij, eksperti Brahushi konfirmoi se, mbetjet e pesticidit Fenbuconazole në domate rezultojnë të jenë 60% më të larta se norma e lejuar, për më tëpër ky pesticid është ndaluar të tregëtohet në BE, si një pesticid shumë i rrezikshëm për shendetin e njeriut, ndërsa në vendin tonë lejohet akoma të tregëtohet, përdoret dhe të importohet.

Arben Shytaj

“Duhen marrë në konsideratë këto rezultate, duhet intensifikuar analizimi i mbetjeve të pesticideve nga AKU dhe ISUV, e më pas të bëhen trasparente rezulatet, pasi ndihmojnë më shumë problemin sesa të mbahen sekret në mënyrë të panevojshme. Të shikohet ndarja e pergjegjësive, nga fermeri tek institucionet, magazinat e grumbullimit dhe deri te supermarketet, duke parë mangësitë ligjore, dhe ato të përgjëgjesive për moszbatim të kuadrit ligjor ekzistues.”- tha Arben Shytaj

Përqëndrimi i shumë pesticideve brenda një produkti të vetëm pavarësisht se mund të jena normat e veçuara për secilin pesticide brenda normave të lejuara, sasia e shumë pesticideve është e papranueshme për organizmin e konsumatorëve pasi shkakton probleme të shumta.

“Është i patolerueshëm tregëtimi i perimeve ku përmbajtja e mbetjeve te pesticideve eshtë mbi normat e lejuara, por edhe kur këto nuk e kalojnë kufirin për një pesticid të vetëm ato përmbajnë më shumë se një pesticid dhe shuma e mbetjeve të pesticideve është e konsiderueshme për të gjitha perimet e analizuara”, u shpreh Fredi Brahushi.

Përdorimi i pesticideve të ndaluara në BE

Në analizën e mbetjeve të pesticideve janë gjetur lëndë aktive të pesticideve, të cilat janë të ndaluara në BE, si Thiacloprid dhe Chlorpyrifos-ethyl, të cilat fatkeqësisht tregëtohen dhe përdoren akoma në vendin tonë, sasitë e importuara duke përbërë një rrezik të shtuar për konsumatorët, kështu këto pesticide duhet të ndalohen përdorimi i metejshem i tyre dhe asgjësimi i gjendjeve të mundshme fizike në vendin tonë pasi janë pesticide vrastare për mjedisin dhe njerzit.

Për ekspertin Ferdi Brahushi, ky fakt përbën një shqetësim serioz pasi kompanitë importuese të pesticideve mund të importojnë sasira të konsiderueshme të lëndeve aktive për të cilat fillon ndalimi i tyre në BE dhe kërkojnë që përdorin sasitë e importuara. Kështu, duhet që kur miratohet lista e PMB-ve që nuk lejohen të importohen, por vetëm të tregtohen dhe përdoren në Republikën e Shqipërisë duhet të jetë me afat kohor përdorimi i mëtejshëm i tyre, dhe sasisë që mbetet tej këtij afati duhen asgjësuar dhe në mënyrë absolute nuk duhet të përdoren.

Për një tjetër lëndë aktive të gjetur tek produktete e analizuara si “Fenbuconazole”, Brahushi thotë se, për këtë pesticid është ndaluar përdorimi i mëtejshëm në BE, ndërsa në vendin tonë ky pesticid është akoma tek “Lista e PMB-ve të regjistruara për t’u importuar dhe tregtuar në Republikën e Shqipërisë / Qershor 2021”. Ndaj, thotë ai, se ky fakt përbën një shqetësim të shtuar, pasi akoma miratohen pesticide që nuk aprovohen në BE.

Eksperti tjetër Arben Shytaj thotë se, duhet parë mundësia e largimit nga tregu të të gjithë PMB-ve me përmbajtje Chlorpyrifos, pasi ai është i ndaluar në BE, në Shqipëri vazhdon dhe shitet, mbetjet e tij janë problem si në prodhimet konvencionale si në ato organike.

Si të mbrohen konsumatorët nga perimet me pesticide

Hyrida Basha

Në sy të lirë, sasia e pesticideve nuk duket, por ajo që do këshilloja është që konsumatori të jetë më i kujdeshmm në blerje. Pra nëse një frut apo perim nuk i përket stinës, atëherë le të shmanget blerja e tij. Sygjerohet përdorimi i metodës së ngrirjes së produkteve në mënyrë që të konsumosh ushqimin e preferuar edhe jashtë stinës.

Por, edhe kur ndoshta ke blerë produkte dhe në një moment ke pasur dyshime mbi vertetësinë e tyre, nutricionistrja Hyrida Basha këshillon trajtimin e tyre në kushte shtëpie për të shmangur aq sa mundet sasinë e pesticideve.

“Nuk duhet absolutisht shmangur larja me ujë të bollshëm e fruta-perimeve. Këshillohet lënia në ujë me uthull për të paktën 40 minuta. Përdorimi i detergjentëve për ushqime, fruta perime, të cilat ndihmojnë deri diku këtë proces. Të përoret një furçë enkas për pastrimin e perimeve. Dhe, të thahen para se të futen në frigorifer”, deklaroi nutricionistrja.

Efektet që pesticidet japin janë akute ose kronike. Mikrobiologët dhe mjekët thonë se efektet akute manifestohen me problem dermatologjike, kruajtje, skuqje, me diarre, humbje të përqëndrimit, trubullim të shikimit ndërsa efektet kronike, përfshijnë sëmundje të tilla si; parkinson, kanceri, riprodhimi, tiroidja e të tjera problem endokrine. Sipas disa studimeve të fundit, disa organofosfate si malathion, terbufos, dhe chlorpyrifos, janë të lidhura ngushtë me zhvillimin e kancerit të gjirit dhe ovareve. Ndërkohë lloje të tjera të pesticideve mund të zhvillojnë tumore në organe si mushkëria, pankreasi, zorra e trashë etj. Ky dëm nuk është vetëm në organizëm, por kalon edhe në mjedis nëpërmjet mbeturinave të këtyre produkteve.

 

Institucioni që ka për detyrë garantimin e sigurisë ushqimore, është Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, i cili bën vlerësimin e riskut, menaxhimin e riskut, por edhe komunikimin e riskut. Në faqet zyrtare të këtij institucioni ka çdo ditë njoftimë për punën e përditshme, ku ndër të tjera thuhet se, janë marrë X mostra produktesh të ndryshme ushqimore. Por, njoftimi mbetet me kaq. Në snjë rast të vetëm, AKU nuk ka publikuar rezultatet e analizave të produkteve që mund të kenë rezultuar pozitive, apo të njoftojë konsumatorët për raste të ndryshme problematike.

Pak ditë më parë, Qendra ALERT publikoi dhe një material investigues për cilësinë e pesticideve, ku në disa raste, lëndët aktive rezultojnë ndryshe nga deklarimi në etiketën e tyre. Ndërsa më pas publikuam dhe një “Memo” të brendshme, ku thuhej qartë që, ISUV (Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë), laborator reference, nuk bënte analizat e pesticideve për llogari të AKU.

Në këto kushte, duket që prodhimet me standarde janë ato që ekspoetohen jashtë Shqipërisë. Kjo për shkak të çmimit të mirë, por edhe të kontrolleve rigoroze që iu bëhen nga autoritetet në vendet pritëse. Për këto arsye, prodhuesit, të detyruar dhe nga kontraktuesit e tyre (pikat dhe kompanitë e grumbullimit dhe eksportimit) nuk luajnë me sigurinë ushqimore. Ana tjetër e medaljes duket se serviret për konsumatorët në Shqipëri: Perime me persicide shumë herë më të larta se norma, por edhe ku janë brenda limiteve, në një produkt dedektohen 6-7 lloje pesticidesh, që në totalin e tyre, përbëjnë sasi shumë të mëdha që futen në organizimin tonë. Në të dy rastet, me prezencë mbi apo brenda norme, nga analizat kanë rezultuar lëndë aktive, pesticide, të ndaluara për përdorim në vendet e Bashkimit Evropian.

*Autori i shkrimit ushtron profesionin e gazetarit prej 12 vitesh. Ka mbaruar studimet për Gazetari në Universitetin e Tiranës. Ai ka ushtruar profesionin e gazetarit në disa media të shkruara dhe vizive, duke qenë dhe gazetar investigativ. Aktualisht, është redaktor i lajmeve ne Televizionin Klan News dhe bashkëpuntor në projektin e Qendrës ALERT.

 

Shënim: Ky publikim është ekzkluzivitet i Qendrës ALERT, e cila gëzon të drejtën e autorësisë, bazuar në Ligjin Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Materiali mund të ripublikohet në mediat tjera, vetëm duke cituar burimin në fund dhe të vendoset linku i burimit. Në rast ndryshimi titulli nga mediat, në fund të shkrimit duhet të saktësohet, se cili ka qenë titulli i tij. Në të kundërt, çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi, sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

© Qendra ALERT – Alert.al

Qumështi me ngarkesë mikrobiale, AKU reagon pas publikimit të Qendrës "Alert", por nuk publikon raport-analizat

Analizat e produkteve ushqimore, te cilat i kryen Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, duket se dalin gjithmonë brenda standardeve. Disa javë më parë, konkretisht më 26 maj 2021, Qendra ALERT publikoi gjetjet për produktin “qumësht”, ku disa produkte rezultuan me ngarkesë mikrobiale. Investigimi dhe publikimi u bënë për qumësht të pasterizuar, të blerë në markete në ambalazhe plastike, gati për konsum, në kuadër të projektit “Ushqimi, risku masiv për konsumatorët, mungesa e kontrolleve dhe e informimit nga institucionet”. Linku: https://alert.al/denonco/investigimi-qumesht-gati-per-konsum-me-ngarkesa-mikrobiale-abuzimi-me-sigurine-ushqimore-arsyet-e-kontaminimit-dhe-risku-serioz-per-konsumatorin/

Pak ditë më pas, AKU, të cilën Qendra ALERT gjen rastin ta falenderoi, njoftoi se në bazë të këtij denoncimi, do të nisë një “hetim”, duke i vënë në dispozicion ato foto e video, shoqëruar me kuponat tatimor, si dhe raportanalizat që ishin në material.

Më 18 qershor 2021, AKU njofton nëpërmjet e-mailit se, të njëjtat mostra qumështi i kishin marrë dhe ata për analizë dhe kanë rezultuar brenda standardeve.

“Referuar denoncimit të  ardhur nga Qendra “Alert” për produktin qumësht i pasterizuar, ERZENILUFRAMIRELIZEPA NATYRALGJIROFARMA, të kampionuar me datë 19.12.2020, Ju informojmë se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit me marrjen e këtij informacioni ka kryer ndjekjen e rastit. Mostrat për analizim të qumështit të pasterizuar janë marrë zyrtarisht nga grupet e autorizuara të DRAKU-ve përkatëse, në fabrikat e përpunimet të qumështit….referuar informacionit të ardhur nga Qendra “ALERT”.

Këto mostra janë marrë  në lote të ndryshme, të cilat janë analizuar për “ENTEROBAKTERE”, referuar Urdhrit Nr.645 datë 23.12.2016 “Për Zëvendësimin e Aneksit I, të Urdhrit Nr.234, datë 20.05.2014 Për Miratimin e Rregullores “Mbi Kriteret Mikrobiologjike për Produktet Ushqimore”, shtojca, kapitulli II pika 2.2 qumështi dhe produktet e qumështit 2.2,1, si dhe referuar Udhëzimit Nr. 3, datë 18.01.2021 “Për Miratimin e Planit Kombëtar të Kontrolleve me bazë Risku dhe të Marrjes së Mostrave për Ushqimin, Ushqimin për Kafshë, për Mbrojtjen e Bimëve dhe Inputeve Bujqësore, si dhe Planin e Marrjes së Mostrave në PIK”. Referuar përgjigjeve të analizave të marra në këto stabilimente të përpunimit të qumështit, mostrat kanë rezultuar brenda normave të lejuara”, thuhet në e-mailin e AKU.

Por, ndryshe nga Qendra ALERT, institucioni që ka për detyrë garantimin e sigurisë ushqimore, nuk bëri të ditur laboratorin ku u analizuan produktet dhe nuk publikoi as raport-analizat, ku duhet të quken qartë rezultatet laboratorike. Për këtë arsye, po në të njëjtën ditë, AKU-së iu kërkuan raport-analizat me rezultatet, gjë që deri sot më 28 qershor 2021, nuk janë bërë prezente.

“Përshëndetje! Së pari, ju falenderojme sinqerisht për angazhimin dhe përgjigjen! Së dyti, a e keni të mundur që, siç publikuam ne raport-analizat nga laboratori, të na vendosni dhe ju në dispozicion fletë-analizat për secilen mostër, me qellim publikimin e tyre? Kjo do të tregonte padyshim edhe seriozitetin e punës e angazhimit tuaj, duke treguar dhe laboratorin ku janë analizuar, duke hequr dhe dyshimet e mundshme për rezultatet e analizave.

Faleminderit per mirekuptimin!”. Këtë kërkesë ia drejtuam AKU-së po më 28 qershor.

Qendra ALERT do të vazhdojë me publikime të tjera të produkteve ushqimore, të cilat kanë rezultuar jokonform normave e limiteve që përcakton legjislacioni shqiptar për sigurinë ushqimore.

Qendra ALERT – Alert.al