Menu

Siguria ushqimore

OIE dhe WVA: Aktivitetet veterinare janë thelbesore për sigurinë e ushqimit

Organizata Botërore për Shëndetin e Kafshëve (OIE) dhe Shoqata Botërore e Veterinarisë (WVA), kanë dalë në një deklaratë të përbashkët sa i takon pandemisë globale COVID-19. Ato kanë tërhequr vëmendjen për rolet dhe përgjegjësitë e profesionit të veterinarisë për shëndetin publik. Ku nënvizojnë se aktivitetet specifike veterinare janë thelbësore për të siguruar një vazhdimësi në sigurinë e ushqimit, parandalimin e sëmundjeve dhe menaxhimin e urgjencës.

Për të trajtuar në mënyrë efektive sfidat e paraqitura nga pandemia COVID-19, shumë qeveri në mbarë botën kanë ndërmarrë masa kufizuese për të mbyllur bizneset jo thelbësore. Këto vendime shtrojnë pyetje në lidhje me përshtatjet e mundshme që duhet të zbatohen nga profesioni i veterinarisë.

Në këtë kontekst, Organizata Botërore për Shëndetin e Kafshëve (OIE) dhe Shoqata Botërore e Veterinarisë (WVA) mbeshtesin aktivitetet specifike të Shërbimeve Veterinare qe të konsiderohen si biznes thelbësor.

Mbajtja e aktiviteteve që janë thelbësore për shëndetin publik

Veterinerët janë një pjesë integrale e bashkësisë globale të shëndetit. Përtej aktiviteteve të lidhura me shëndetin dhe mirëqenien e kafshëve, ato kanë një rol kryesor në parandalimin dhe menaxhimin e sëmundjeve, përfshirë ato të transmetueshme për njerëzit, dhe për të siguruar sigurinë ushqimore për popullsinë.

Në situatën aktuale, është e rëndësishme që, në mesin e aktiviteteve të tyre të shumta, ata të mund t’i mbajnë ato të nevojshme për të siguruar që:

  • Shërbimet e rregullimit dhe inspektimit veterinar kombëtar dhe rajonal mund të mbikëqyrin integritetin e shëndetit publik
  • vetëm kafshët e shëndetshme dhe nënproduktet e tyre hyjnë në furnizimin me ushqim për të garantuar sigurinë ushqimore për popullsinë,
  • situatat emergjente mund të adresohen,
  • masat parandaluese, siç është vaksinimi kundër sëmundjeve me një ndikim të rëndësishëm shëndetësor publik ose ekonomik, mirëmbahen.
  • aktivitetet prioritare kërkimore vazhdojnë.

Gjatë kryerjes së punës së tyre, veterinerët kanë përgjegjësi të ruajnë shëndetin e tyre, shëndetin e atyre me të cilët punojnë dhe shëndetin e klientëve të tyre. Prandaj, ata duhet të sigurojnë që zbatohen nivele të përshtatshme të biosigurisë, që personeli i tyre të mbrohet me pajisjet e nevojshme dhe që pronarët e kafshëve të informohen për masat paraprake të vendosura. Theshtë përgjegjësi e secilit individ të sigurojë që sjelljet e duhura respektohen në kuadrin e këtyre veprimtarive, për të shmangur përhapjen e mëtejshme të COVID-19.

Qendra Alert/Alert.al

Produkte të huaja apo vendi? Eksperti Ervin Resuli: Te konsumatori ndikojnë mungesa e laboratorëve dhe puna e dobët e institucioneve

Sipas anketes se fundit “Barometri i Ballkanit 2020”, vetem 65 shqiptareve zgjedhin qe te konsumoje prodhime vendase, kundrejt 32 per qind qe deshirojne te konsumojne prodhime nga Evropa Perendimore.
Eksperti Ervin Resuli i ftuar ne Ton Channel, ka deklaruar se kjo mosbesueshmeria e konsumatorit shqiptar vjen si pasoje e punes se dobet se institucioneve dhe e mungeses se laboratoreve bujqesore. ” Nese kemi nje produkt Gjerman dhe nje Kinez te gjithe do zgjidhnin ate gjerman sepse shteti ka nje besueshmeri institucionale e cila garanton edhe cilesine”- u shpreh eksperti Resuli, njofton Agrnews.al.

Sipas tij fakti qe ne prodhojme dhe eksportojme ne te gjitha vendet e botes do te thote se produktet tona jane cilesore ne te kundert do te bllokoheshin kamionet tane qe ne dogane, por problemi me konsumatorin vendas ka dhe nje ndikim mediatik ku bujqesia ka pesuar nje konotacion negativ.

Ja intervista e plotë:

Qendra ALERT / Alert.al

Risi Albania dhe MBZHR mbështesin trajnimin për Global G.A.P, ja përfitimet e produkteve shqiptare nga ky certifikim dhe hapja në tregjet evropiane

Të certifikosh prodhimin me standardin ndërkombëtar Globat G.A.P në Shqipëri, tashmë nuk është një risi. Kompani të ndryshme të grumbullojnë apo kultivojnë fruta e perime, të cilat e kanë realizuar një standard të tillë, gjenden sot me prodhimet e tyre jo më në tregjet rajonale apo lindore, por në zemër të Evropës e deri në vendet skandinave. Perime të ndryshme “Made in Albania” dhe logot e kompanive eksportuese shqiptare, mund të gjenden lehtësisht në Gjermani, Suedi, Itali e gjetkë. Kjo, jo se këto vende kishin mungesa në tregjet e tyre apo nuk kishin kontarata me kompani nga shtete tjera. Por, për faktin se, disa eksportues, por edhe ferma të ndryshme nga Shqipëria, janë certifikuar në grup me standardin ndërkombëtar Global G.A.P. Ky certifikim ka bërë që produktet shqiptare të jenë më të kërkuara në tregjet evropiane, pasi garantojnë siguri dhe cilësi për konsumatorin perëndimor. Paralel me këtë, rritet dhe prodhimi venas i Shqipërisë, eksportet, shtohet numri i fermave që certifikohen, rritet dhe numri i të punësuarve në bujqësi.

Për këto arsye, vazhdon Programi i Trajnimit (Farm Assurance) per Certifikimin GlobalG.A.P per Fruta Perimet, linkun e të cilit mund ta gjeni këtu: https://www.facebook.com/agroquality.al/

Ky program vjen direkt per here te pare ne Shqiperi me ekspertet me te mire te kompanise GlobalG.A.P per:

Stafin e Eksportuesve te cilet synojne te bashkepunojne me fermeret e tyre dhe te certifikohen ne Grup me GlobalG.A.P.

Konsulentet private / kompani konsulente te cilet synojne certifikohen nga GlobalG.A.P si konsulent profesionist qe do te asistojne Eksportuesit, SHBB-te, Fermeret ne implementimine sukses te standartit GLobalG.A.P

Per here te pare ne Shqiperi, Konsulentet do te kene njohuri me te thelluara per Global G.A.P, per certifikimin ne Grup dhe do te certifkohen direkt nga GlobalG.A.P

Certifikimi GLOBALG.A.P standart i domosdoshem per te hyre ne tregje te reja ,drejt rrjeteve te supermarketeve ne Europe e me gjere, drejt tregjeve ku fruta perimet mund te shiten me shtrenjte.

Shtimi i njesive prodhuesve fermereve te Certifikuar me GlobalG.A.P do te thote me shume siguri ushqimore, me pak risqe per Eksportuesit, imazh me i mire e vendit tone ne tregjet e medha dhe me shume te ardhura per eksportuesit dhe fermeret.

Certifikimi GlobalG.A.P ne Grup tashme do te jete me i njohur ne Shqiperi dhe do te krijoje me shume qendrueshmeri ne Eksportet e Fruta Perimeve mbi kontrata perpara sezonit.

Ky program do mundesohet nga bashkepunimi me Albinspekt, platformen Agroquality (http://agroquality.al) dhe mbeshtetjen e RisiAlbania dhe Ministria e Bujqesise dhe Zhvillimit Rural.

RisiAlbania është një projekt inovativ, i mbështetur nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC dhe që zbatohet nga Helvetas dhe Partnerët Shqipëri në bashkëpunim me Ministria e Financave dhe Ekonomisë.

Qendra ALERT / Alert.al

Ndryshimi i klimës dhe siguria e ushqimit

Ndryshimi i klimës paraqet sfida të rëndësishme për sigurinë globale të ushqimit. Ndryshimet afatgjata në temperaturë, lagështirë, reshje, ndryshimet ekstreme të motit po ndikojnë në praktikat e bujqësisë, prodhimin e bimëve dhe cilësinë ushqyese të kulturave ushqimore. Ndjeshmëria e mikrobeve, mikroorganizmave që prodhojnë potencialisht toksina dhe e dëmtuesve të tjerë ndaj faktorëve klimatikë ndikon në lindjen e disa sëmundjeve nga ushqimi. Gjithashtu, ndryshimi i kushteve mund të favorizojë krijimin e specieve pushtuese të huaja të dëmshme për shëndetin e bimëve dhe kafshëve. Ngrohja çon në përhapjen e algave të detit të cilat prodhojnë toksina duke shkaktuar shpërthime të kontaminimit të ushqimit të detit.

Përpjekjet globale për të zvogëluar emetimet e serës dhe masat rajonale për të zbutur dhe përshtatur me ndryshimin e kushteve klimatike do të ndikojnë në vlerësimet e EFSA-së për sigurinë e ushqimit në lidhje me shëndetin dhe ushqimin e njeriut, shëndetin e kafshëve dhe bimëve dhe mjedisin.

Qendra Alert/Alert.al

Hyrida Basha: Konsumatorët të ndërgjegjësohen, të mos rendim pas gjithçkaje që gjendet në market apo rrugë

Në një lidhje Skype për emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, nutricioniste Hyrida Basha ka folur për ushqyerjen e fëmijëve me qumështin e lopës, tregtimin e akulloreve nga shitës ambulantë dhe të peshkut e frutave të detit. Ajo deklaroi se mungesa e kushteve higjeno-sanitare dhe tregtimi në temperatura të larta kthehet në burim infeksioni dhe rreziku për konsumatorët.

“Nga brezat kemi marrë këshilla se qumështi i lopës është më i shëndetshëm se ai që marrim nga fabrikat. Në fakt është koncept i gabuar, pasi ne nuk dimë mbi antibiotikët që është trajtuar kafsha, apo sëmundjet që ka kaluar. Nëse duam që fëmijët tanë t’i rrisim me qumësht lope po harrojmë se po iu reduktojmë nivelin e hekurit, plus ka edhe yndyrë, heqja e ajkës nuk largon ajkën apo bën pasterizimin.Nuk dimë kushtet higjeno-sanitare, nëse nuk ka certifikim të saktë e bën të rrezikshëm për konsum. Qumështi dhe produktet e tij mund të jenë bartës të brucelozës, e cila transmetohet nga kafsha te njeriu dhe e bën të vështirë e të pasigurt përdorimin. Po ashtu kaushat e akulloreve janë jashtëzakonisht të papërdorshme, për të cilat instancat përkatëse duhet të ndërhyjnë. Përpos dyqaneve të licencuara, ka nga ata shitës ambulant që zënë peshkun dhe duan ta shesin brenda ditës. Peshkun që e marrin nëpër arka dhe duke qenë se është produkt proteinik ka gjasa të ketë salmonelë. Ne nuk e dimë sa ditë qëndron në rrugë dhe a ngrihet në temperaturën e duhur, sidomos tani që është edhe verë. Janë kushte skandaloze mënyrat si tregtohet peshku dhe frutat e detit. Ndërsa për vezën e fshatit, me idene se është më natyrale, edhe kjo është në varësi të vendit ku pula është rritur, vitamina që duhet të marrë, ushqimi dhe vendi ku ushqehen. Nuk e dimë në çfarë kanalesh pijnë ujë pulat apo si ushqehen. Veza e paketuar është më e kontrolluar, pasi në pulari ka ushqime të përshtatura dhe regjime të caktuara. Të dëmshme janë edhe zgarat ku ka mish apo qofte, jo vetëm për kushtet ku shiten, por temperaturat e larta transformojnë vlerat ushqimore dhe në kontakt me flakët kthehen edhe në lëndë kancerogjene. Konsumatorët duhet të ndërgjegjësohen dhe të mbrojnë shëndetin, të mos rendim pas gjithçkaje që gjendet në market apo rrugë”-tha Hyrida Basha.

Qendra Alert/Alert.al

Ledio Ilollari nga AKU: Produkte të tregtuara si “fshati” risk për konsumatorin, të marrë fund ky fenomen

I ftuar në emisionin “Alert”në News24 nga Granit Sokolaj, Ledio Ilollari përgjegjës sektori në  AKU ka folur për riskun e konsumatorit nga ushqimet që blejnë në trotuare, jashtë çdo kriteri dhe roli i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit për parandalimin e këtij fenomeni. Sipas Ilollarit këto produkte të tregtuara si “fshati” po rrezikojnë konsumatorin dhe shkelje të tilla janë të patolerueshme e duhet të marrin fund.

“Nuk duhet anashkaluar tregtimi i produkteve informale, që nuk kanë prejardhje, nuk dimë se çfarë janë, të shitura si fshati, që ofrojnë një familjaritet me konsumatorin, duke fshehur një risk të madh të tregtimit të produkteve të sigurta. Duhet të luftohet ky fenomen si një risk i madh i sigurisë ushqimore. AKU nuk është vetëm, por krah autorëve të tjerë institucional, por inspektori më i mirë eshte vetë konsumatori. Përballja e çdo qytetari me këtë fenomen, nuk duhet të jemi indiferentë dhe të bëhemi aleatë të fshehtë të saj. Policia Bashkiake është një nga aktorët më të rëndësishëm pasi rreziku është i jashtëzakonshëm dhe pesha e AKU me informacione, këshillime apo bashkëbisedime. Të gjitha produktet e tregtuara pa një histori mbeten të rrezikshme, pasi nuk di origjinën, prejardhjen e asaj që konsumon. Jemi në terr informativ, kemi të bëjmë me shkelje. Produktet e pulës duhet të tregtohen në ambientet e frigoriferit dhe në gjendje të ngrirë. Është e patolerueshme tregtimi i këtij produkti jashtë frigoriferit, pa ambalazh, përdhe dhe jashtë kushteve higjeno-sanitare. Produktet e pulës duhet të ambalazhohen, mbi të cilin shënohet temperatura dhe të vendoset në frigorifer. Është përgjegjësi e operatorit të biznesit, produkti minimalisht duhet të jetë i etiketuar, pasi është detyrim ligjor nga prodhuesi i vendit dhe importit, ku duhet të jetë në gjuhën shqipe. Dinamika e shkeljeve është nga më të ndryshmet dhe ky fenomen duhet luftuar, duhet të garantojmë siguri dhe për këtë po këmbëngulim. Etiketoni produktet në mënyrë të rregullt, nuk ka rëndësi çfarë produkti është por risku është shumë i lartë kur është në kushte të papërshtatshme. Ka rëndësi ndërgjegjësimi i konsumatorit”-tha Ledio Ilollari.

Qendra Alert/Alert.al

Antoneta Ndreka nga Lufra: Mos blini produkte në rrugë, por në kompani që kanë përgjegjësi për ju

E ftuar në emisionin “Alert”në News24 nga Granit Sokolaj, Antoneta Ndreka nga kompania “Lufra” ka folur për ushqimet “vrasëse” për konsumatorin. Ndreka deklaroi se tregtimi i produkteve si qumësht apo i nënprodukteve të tij dhe vezëve në trotuare dhe jashtë çdo kriteri higjeno-sanitar është një risk i lartë për konsumatorin. Sipan Ndrekës, kompania “Lufra” është e ndërtuar me standarde dhe i jep siguri konsumatorit për atë që konsumon.

“Kompania ‘Lufra’ është investim bashkëkohor europian, ku produkti nuk manipulohet. Qumështi që marrim në treg është me risk të lartë, mund të ketë baktere dhe si konsumator nuk e dimë nëse është me brucelozë. Kompania jonë punon që nga fermeri, për higjenën e mjeljes dhe deri në fabrikë. Konsumatori është i rrezikuar kur blen produkte në vende të pakontrolluara, kur kalon shumë orë në trotuarë dhe në temperatura të larta, ngarkesa bakteriale është në mbi 5 milion. Po ashtu, mosndalimi i tregtimit të qumështit asnjë ditë, i bie që lopa s’ka bërë vaksina, apo nuk është sëmurur asnjëherë. Në kompani kemi të punësuar 2 fermerë që merren me trajnimin e fermerëve të tjerë”-tha Antoneta Ndreka.

Ndreka tha se problem është fakti së fermerët nuk e dinë rëndësinë e antibiotikut te kafshët, e cila ndikon drejtpërdrejtë në qumështin e konsumuar nga qytetarët.

“Ka patur raste kur edhe vetë fermeri nuk e di rëndësinë e antibiotikut, madje deklaron se qumështi që shet është ai që e konsumon edhe vetë. Kishim një rast kur qumështi doli me antibiotik, fermeri i kishte mjekuar lopës thumbrat se i kishte me infeksion, gjë që reflektohet në qumësht. Sot, mund të themi se ka më pak fenomen të shitjes së qumështit në rrugë. Konsumatori duhet të jetë i përgjegjshëm për të blerë mall të kontrolluar. Në fabrikën tonë kemi mjetet për largimin e 95% të baktereve të qumështit. Një këshillë kisha për të gjithë konsumatorët që të mos blejnë produkte në rrugë, por në kompani që kanë përgjegjësi për ju”-deklaroi Ndreka.

Qendra Alert/Alert.al

“Dosja” e sigurisë ushqimore që e mban Shqipërinë larg BE-së

Nga Granit Sokolaj

Granit Sokolaj

Pas afro tri dekadash demokraci dhe ëndërr shqiptare për t’u bërë pjesë e Europës, më 24 mars 2020, Komisioni Europian ka dhënë rekomandimin e tij pozitiv për çeljen e negociatave me Shqipërinë. Kolegji miratoi paketën e zgjerimit për 7 vendet e Ballkanit Perëndimor. Por, rrugëtimi i Shqipërisë drejt familjes europiane është i gjatë, ka qënë shumë i vështirë dhe plot pengesa.

Në prillin e vitit 2005, në Luksemburg, u nënshkrua Marrëveshja e Ripranimit Shqipëri – Bashkimi Europian dhe një vit më vonë, në shtator të 2006-ës, Parlamenti Europian votoi rezolutën për ratifikimin e “Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit”, e cila i hapi rrugë ratifikimit të MSA-së nga 27 vendet anëtare të BE-së, e hyri në fuqi në prill të vitit 2009. Në vitin 2006, u krijua edhe një instrument i ri për ndihmën e para-anëtarësimit (IPA). Ky instrument i vetëm financiar thjeshtëzon dhe projekton ndihmën e jashtme të BE-së gjatë periudhës së para-anëtarësimit. Që prej 1 janar-it 2007, Shqipëria përfiton prej Instrumentit të Para-Anëtarësimit, që mbështet vendet kandidate dhe kandidate potenciale të përfshira në Procesin e Stabilizim Asociimit që të përmbushin kriteret e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Për të ardhur te 24 marsi 2020, Shqipërisë iu vendosën shumë kushte nga Bashkimi Europian dhe një “mal” me dokumentacion që duhej plotësuar. Bëhej fjalë për kapitujt që duhet të plotësonte Shqipëria, pjesa kryesore e të cilëve ishin përafrimi i legjislacionit me atë të Bashkimit Europian. Mes tyre ishte dhe Kapitulli XII, “Siguria e ushqimit, politikat veterinare dhe fitosanitare”. Ky mendohet se është dhe kapitulli që në raport me anëtarësimin në BE, do të realizohet i fundit, për arsye të vështirësive që paraqet. Vështirësi jo vetëm në raport me përafrimin e legjislacionit, i cili thuajse është drejt fundit, por kryesisht për shkak të vështirësisë së zbatimit të tij dhe akteve nënligjore. Siguria ushqimore në Shqipëri vazhdon të mbetet një sfidë, për të cilën ka shumë për t’u bërë.

Edhe Raporti i Komisionit Europian, i publikuar në vitin 2019, për vitin 2018 (i 2020-ës ende nuk është publikuar), e paraqet situatën e sigurisë ushqimore në vendin tonë, larg objektivave.

“Për sigurinë e përgjithshme të ushqimit, për të tretin vit radhazi, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka operuar jashtë kontrolleve zyrtare, sipas një plani mbi bazë risku, të aprovuar në fillim të 2017-ës. Standardi, procedurat operative të nevojshme për të siguruar përputhjen me legjislacionin, nuk kanë qenë ende të miratuara, përfshirë ato të auditimeve të brendshme. Nuk është arritur asnjë përparim në vlerësimin e riskut”, thuhet ndër të tjera në raport, sipas të cilit, “personeli i kontrollit nuk është i trajnuar në mënyrë adekuate për vlerësimin dhe zbatimin e tij”.

Këtë vlerësim e ilustron më së miri edhe fakti që produktet shqiptare me origjinë shtazore nuk lejohet të eksportohen jashtë kufinjve të Shqipërisë. Kjo, pasi thuajse i gjithë zinxhiri, veçanërisht i kontrollit të kafshëve është jashtë funksionit. Por, edhe produktet të tjera, si frutat apo perimet, në shumë raste rezultojnë me ngarkesa pesticidësh.

Ndërsa pritshmëria e KE për vitin 2019 duket se ishte e madhe. “Mirëmbajtja e programeve të vaksinimit deri në çrrënjosjen e tërbimit; zbatimi i rregullave të sigurisë ushqimore përmes kontrolleve të përmirësuara zyrtare, përfshirë kushtet e importit”, ishin disa nga detyrat apo rekomandimet e lëna.

Burime zyrtare nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bënë të ditur se Shqipërisë iu dorëzuan 192 faqe me tituj, bazë ligjore, akte, rregullore etj, në lidhje me kapitujt që kanë lidhje me sigurinë ushqimore, veterinarinë, fitosanitaret, peshkimin , etj., ndërkohë që një pjesë e vogël e tyre nuk janë të detyrueshme për Shqipërinë.

Këto janë vetëm një pjesë nga Kapitulli i 12-të, i cili kur iu kërkua Shqipërisë ta realizonte ka qenë tërësisht i panjohur për publikun. Megjithatë, publiku sot ka informacione për çfarë kërkon Kapitulli XII ndërkohë janë shtuar treguesit që dëshmojnë se publiku nuk është i sigurt për ushqimin që konsumon.

Por, si rrodhën ngjarjet dhe çfarë nënkuptohet me Kapitullin XII?

Me atë që quhet “Libri i Bardhë”, kuptohet legjislacioni i BE. Në vitin 2002, doli Rregullorja për Ushqimin, që u quajt “Ligji Europian i Ushqimit”. Ky ligj bëri që përgjegjësia për garantimin e sigurisë ushqimore t’ju kalonte Operatorëve të Biznesit Ushqimor (OBU), ndërsa shteti, institucionet shtetërore ishin garanci për kontrollin e zbatimit të praktikave të sigurisë ushqimore nga OBU-të dhe monitorimin sistematik të tyre.

Me rregulloren 178/2002 u krijua dhe EFSA, Autoriteti Europian për Sigurinë Ushqimore, një institucion i dedikuar studimeve, shkencës së ushqimit dhe vlerësimit e komunikimit të riskut. Menjëherë më pas u hartuan edhe një sërë aktesh nënligjore, që u quajtën Paketa Higjenike, e që ishin përcaktuese për standardet e sigurisë ushqimore.

Një hap mjaft i rëndësishëm për Shqipërinë ishte krijimi i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, një institucion që do të garantonte sigurinë ushqimore dhe zbatimin e politikave të sigurisë. Në atë kohë, sipas burimeve nga Ministria e Bujqësisë, autoritetet ishin të paqarta se si do ta quanin, Autoritet apo Agjenci, gjithësesi, i rëndësishëm ishte fakti që ky institucion u ngrit. Vetë Bashkimi Europian, nëpërmjet instrumentit IPA, ka financuar rreth 5.5 milionë euro për fuqizimin e këtij institucioni, si në asete infrastrukturore, godina etj., ashtu edhe në laboratorë apo dhe trajnime.

Sot ka afërsisht 400 akte të përafruara, që ndikojnë direkt në rregulloret e import-eksportit të produkteve ushqimore, prodhimit e përpunimit dhe deri te tregtimi. Të gjitha janë përshtatur me legjislacionin e BE, me përjashtimin e atyre për OMGJ, bëhet e ditur nga Ministria e Bujqësisë. Madje, në vitin 2018, sipas të njëjtave burime, pati nota pozitive nga BE për përafrimin.

Tregu i Rrogozhines

Siguria Ushqimore, sa larg Europës?

Megjithë punën e bërë, Kapitulli XII mund të jetë i fundit që do të plotësohet nga Shqipëria, krahasuar me tjerët. Kjo për shkak të vështirësive në zbatimin e atyre çfarë kërkohen.

Një nga problematikat që has sot Shqipëria është çështja e luftimit në zoonozave. Bëhet fjalë për sëmundjet zoonotike, që transmetohen nga kafsha te njeriu.

Megjithëse në këto kohë po bëhen ndryshimet në “Ligjin Për Shërbimin Veterinar”, reforma në këtë shërbim nuk është e kompletuar.

Për luftimin e zoonozave, në 2016, masat profilaktike iu kaluan Klinikave Veterinare, të cilat ishin të pafuqishme për menazhimin e gjithë territorit. Megjithëse një vit më pas u rrit numri i tyre, në vitin 2017 shërbimi ishte i pafuqishëm që të përmbushte nevojat për të gjithë numrin e krerëve të bagëtive në vend, ndërkohë që nuk funskiononte i gjithë zinxhiri. Madje, burimet nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural thanë se, në raste profilaktike, për të cilat do të zhvilloheshin tendera, pjesëmarrja e këtyre klinikave ishte vullnetare. Kjo do të thotë që shumë prej tyre, nëse nuk dëshironin të merrnin pjesë, nuk ishin të detyruara me ligj. Kësisoj, shërbimi veterinar apo në veçanti luftimi i zoonozave do të ishte i pamundur. Megjithatë, Ministria nisi përpjekjet për përmirësimin e shërbimit shtetëror veterinar, i cili ishte thuajse i dërrmuar. 174 mjekë veteriner u punësuan me kontrata, ndërkohë që numri pritet të shkojë në 400, veçanërisht me ndryshimet e Ligjit për Shërbimin Veterinar.

Ndërkohë, për Ministrinë e Bujqësisë lind një problem që në fillimin e negociatave. Për shkak të kushteve dhe kritereve, në vendin tonë do të ulej numri i fermave, pasi disa do të mbylleshin për shkak të mosplotësimit të standareve, gjë që do të shkaktonte dhe ulje të numrit të kafshëve. Për të mos ndodhur kjo, Ministria e Bujqësisë vendosi që t’i kthente fuqinë sërish Shërbimit Veterinar Shtetëror, që të kishte mjekë veteriner në të gjitha zonat e kështu të kontrolloheshin më mirë edhe fermat e vogla, me pak krerë dhe të detyroheshin të zbatonin standardet.

Megjithatë, “thembra e Akilit” në zinxhirin e sigurisë ushqimore sot mbetet pikërisht situata e kafshëve të gjalla, duke shkaktuar si pasojë edhe pasiguri në produktet fundore.

Me qindra mijëra kafshë në të gjithë vendin, sot, janë të pamatrikuluara dhe pa certifikata veterinare, gjë që përbën hallkën e parë të zinxhirit të sigurisë ushqimore. Ndërkohë, në Shqipëri eksiztojnë 30 tregje kafshësh të gjalla, që nuk plotësojnë asnjë standard. Në to hyjnë e dalin kafshë që nuk kanë certifikata veterinare, ndërkohë që ende mungon Sistemi i Regjistrimit të Kafshëve të Gjalla. Këto dy fakte përbëjnë rrezikun më të madh për përhapjen e sëmundjeve të kafshëve nga ferma në fermë, përfshirë këtu edhe ato zoonotike, të cilat rrezikojnë njerëzit. Mjekët veterinerë në këto tregje, në shumicën e rasteve, mungojnë, por edhe kur ndodhen, nuk marrin asnjë masë për moslejimin e futjes së kafshëve që nuk kanë matrikuj në këto tregje. Nga ana tjetër vetë tregjet nuk plotësojnë standardet e higjienës. Mjetet e transportit nuk janë aspak të përshtatshme dhe të gjitha këto kanë bërë që, produktet me origjinë shtazore të mos jenë gjithmonë të sigurta. Ndërkaq, eksporti i tyre jashtë territorit të Shqipërisë mbetet ende vetëm një ëndërr.

Disa nga kërkesat tjera të Kapitullit XII, mangësitë e paplotësuara, të kërkuara nga BE, janë edhe: përmirësimi i kontrolleve zyrtare në tërësi, si dhe i produkteve të importit në PIK (Pikat e Inspektimit Kufitar); përputhja e procedurave standarde të operimit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit me legjislacionin, progres në vlerësimin, komunikimin dhe manaxhimin e riskut, trajnimi i stafit për HACCP (Praktikat e mira të higjienës), avancimi me ligje dhe akte nënligjore për ushqimin për kafshë, raportimi i saktë dhe i numrit real të numrit të bagëtive që shkojnë në thertore, si dhe planifikimi e monitorimi rigoroz për mbetjen e pesticideve.

Një nga problematikat më të mëdha mbetet trajnimi i stafeve dhe ngritja e kapaciteteve të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Madje, kjo situatë është përkeqësuar, kur në muaji në shkurt 2020 u ndryshua Ligji “Për Ushqimin”. Një ndër ndryshimet e bëra ishte për rekrutimin e mbajtjen në punë të stafeve, përfshirë dhe inspektorët, që kaloi nga Shërbimi Civil në atë me Kod Pune. Kjo ka krijuar një pasiguri të madh tek punonjësit, të cilët menjëherë dolën nga Shërbimi Civil dhe secili prej tyre, pavarësisht karrierës, eksperiencës në punë apo nivelit të formimit arsimor, është në periudhë prove 3-mujore. Më pas, të gjithë do të kalojë në testim, rezultatet e të cilit nuk varen gjithmonë nga përgjigjet, gjë që ka shkaktuar një pasiguri mjaft të madhe tek ata.

Shqipëria është ende i vetmi vend në Europë që nuk ka një ligj të veçantë “Për Ushqimin për Kafshë”, por për këtë është folur vetëm në Ligjin “Për Ushqimin”. Ushqimi për kafshë, standardet e tij dhe kontrolli, janë po kaq të rëndësishme për sigurinë ushqimore, pasi reflektohet menjëherë në produktin fundor, atë që shkon te konsumatori.

Shqipëria ka ende shumë për të bërë dhe duket se Kapitulli XII do të jetë i fundit që do të realizohet. Këtë e pranojnë dhe zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë. Një punë mjaft të madhe, por edhe sistematike, kërkon identifikimi dhe regjistrimi i të gjitha kafshëve, nga fermat më të mëdha e deri tek ato që mban çdo familje. Ndërkohë, Ligji “Për Ushqimin” dhe ai “Për Shërbimin Veterinar” do të bëhen nga e para, ndërsa lind nevoja urgjente, sipas Ministrisë së Bujqësisë, për një zinxhir vertikal kontrolli kompetencash.

Tjetërsimi dhe përshtatja e legjislacionit është një nga çështjet më të rëndësishme, ndërsa sfidë më vete është zbatimi i tij, që kërkon dhe investime të mëdha. Në negociatat me Bashkimin Europian, pjesa më e vështirë e tyre do të jetë respektimi i standardit të BE-së për prodhimet shqiptare. Veçanërisht ato me origjinë shtazore, të cilat duket se shumë vonë do ta shohin dritën jeshile të eksporteve, për pasojë të një sërë problemesh, që u përmendën më lartë.

Një provë komplekse mbetet dhe ajo e konsumatorit shqiptar, ndërgjegjësimi i të cilit për sigurinë ushqimore gjendet në nivele shumë të ulëta. Edukimi i tij për sigurinë ushqimore do të dojë një kohë të gjatë, ndërkohë që Ministria e Bujqësisë dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, deri tani nuk kanë bërë asgjë në këtë drejtim.

Në këto kushte, Shqipërisë do t’i duhet ende dhe shumë punë. Kapitulli XII, “Siguria e ushqimit, politikat veterinare dhe fitosanitare” ka të ngjarë që do të jetë ndër pengesat për ta bërë Shqipërinë vendin ku zë vend slogani i Autoritetit Europian për Sigurinë Ushqimore, “Nga ferma në tavolinë”.

Botuar në http://www.eupolicyhub.eu/

7 qershori, Dita Botërore e Sigurisë Ushqimore

Rregullat se si ushqimi prodhohet, ruhet, trajtohet dhe konsumohet ndikon në sigurinë e ushqimit tonë.

Përmbushja e standardeve ushqimore globale, vendosja e sistemeve efektive të kontrollit të ushqimit, duke përfshirë gatishmërinë dhe reagimin ndaj emergjencave, sigurimin e qasjes në ujë të pastër, aplikimin e praktikave të mira bujqësore (tokësore, ujore, bagëti, hortikulturë), forcimin e përdorimit të sistemeve të menaxhimit të sigurisë ushqimore nga operatorët e biznesit të ushqimit dhe ndërgjegjësimi i konsumatorëve për të bërë zgjedhje të shëndetshme të ushqimit janë disa mënyra në të cilat qeveritë, organizatat ndërkombëtare, shkencëtarët, sektori privat dhe shoqëria civile punojnë për të siguruar sigurinë e ushqimit.

Lani duart përpara trajtimit të ushqimit dhe shpesh gjatë përgatitjes së ushqimit;
Lani duart pas përdorimit të tualetit;
Lani dhe dezinfektoni të gjitha sipërfaqet dhe pajisjet e përdorurar për përgatitjen e ushqimit;
Mbroni zonat e kuzhinës dhe ushqimet nga insektet, dëmtuesit dhe kafshë të tjera.

Ndërkohë që shumica e mikroorganizmave nuk shkaktojnë sëmunjde, mikroorganizmat e rrezikshëm gjehen më së shumti në tokë, ujë, kafshë dhe njerëz. Këto mikroorganizma mbarten nga duart, copat e pastrimit dhe enët, veçanërisht banaqet e prerjes pasi kontakti sa më i vogël mund ti transferojë ato në ushqim dhe mund të shkaktojë sëmundje që derivojnë nga ushqimi.

Ndajeni ushqimin e pagatuar nga ai i gatuar:
Ndani mishin e pagatuar, shpendët dhe frutat e detit nga ushqimet e tjera;
Përdorni pajisje dhe enë të vecanta, si thikat dhe banaqet e prerjes për përpunimin e ushqimeve të pagatuara dhe lëndëve të para;
Ruajeni ushqimin në enë për të shmangur kontaktin ndërmjet ushqimeve të pagatuara dhe atyre të gatuara.

Ushqimi i pagatuar, veçanërisht mishi, shpendët dhe frutat e detit dhe lëngjet e tyre, mund të përmbajnë mikroorganizma të rrezikshme që mund të transefrohen në ushqim gjatë përgatitjes dhe ruajtjes.

Gatuani me kujdes
Gatuani ushqimin me kujdes, veçanërisht mishi, shpendët dhe frutat e detit;
Suprat dhe lëngjet e mishrave duhet të arrijnë zierjen në mënyrë që të garantohet se kianë arritur temperaturën 70°C. Për mishin e shpendëve, sigurohuni qe lëngu i tyre është i qartë dhe jo rozë. Në mënyrë ideale, përdorni një termometër;
Ringroheni me kujdes ushqimin e gatuar.

Gatimi i duhur vret pothuaj të gjithë mikroorganizmat e rrezikshëm. Studimet kanë treguar se gatimi i ushqimeve në temperaturën 70°C mund të ndihmojë të siguroheni që është i sigurtë për konsum.
Ushqimet që kërkojnë një vëmendje të vecantë përfshirë mishin e grirë, rosto role, pjesë të mëdha mishi dhe shpendë të tërë.

Mbajeni ushqimin në temperatura të sigurta

Mos e lini ushqimin e gatuar në temperaturë dhome për më shumë se 2 orë;
Mbajini në frigorifer të gjitha ushqimet e gatuara dhe ato artikuj që prishen shpejt (e preferueshme nën 5°C)
Ushqimin e gatuar mbajeni të nxehtë (më shumë se 60°C) përpara servirjes;
Mos e ruani gjatë ushqimin as në frigorifer;
Mos e shkrini ushqimin e ngrirë në temperaturë ambienti.

Mikroorganizmat mund të shumohen shumë shpejt nëse ushqimi ruhet në temperaturë dhome. Duke e mbajtur në temperaturë nën 5°C ose mbi 60°C, rritja e mikroorganizmave ngadalësohet ose stopohet. Disa mikroorganizma të rrezikshme rriten edhe nën 5°C.

Përdorni ujë dhe lëndë të para të sigurta

Përdorni ujë të sigurtë ose trajtojeni atë që të jetë i sigurtë;
Përzgjidhni ushqime të freskëta dhe të plota;
Zgjidhni ushqime të përpunuara për siguri, siç është qumështi i pasterizuar;
Lani frutat dhe perimet, veçanërisht nëse konsumohen të gjalla;
Mos përdorni ushqime përtej datës së skadencës.

Lëndët e para, duke përfshirë ujin dhe akullin, mund të jenë të kontaminuara me mikroorganizma të rrezikshme dhe kimikate. Kimikatet toksike mund të formohen në ushqime të dëmtuara ose të mykura. Tregoni kujdes në përzgjedhjen e lëndëve të para dhe masa të thjeshta si larja apo qërimi i tyre mund të reduktojnë riskun. (Agronews)

Qendra Alert/Alert.al

EFSA: Siguria e ushqimit është biznesi i të gjithëve, tani dhe në të ardhmen

“Siguria e ushqimit është puna e përditshme e EFSA-s, por është biznesi i gjithkujt që të marrin në konsideratë sigurinë e ushqimit tani dhe në të ardhmen nëse duam të kufizojmë ndikimin e ndryshimit të klimës dhe të ndërtojmë sisteme të qëndrueshme ushqimore globale në dobi të konsumatorëve, prodhuesve dhe botës tonë natyrore. “- tha Bernhard Url, Drejtori Ekzekutiv i EFSA.

Siguria e ushqimit është një përgjegjësi e përbashkët dhe EFSA do festojë Ditën Botërore të Sigurisë së Ushqimit më 7 qershor 2020, së bashku me partnerët kombëtarë, evropianë dhe ndërkombëtarë, duke përfshirë sponsorët e veprimtarisë së KB Codex Alimentarius, Organizatën e Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO), dhe Organizatën Botërore të Shëndetit (OBSH).

Ne jemi të bashkuar në punën për të rritur ndërgjegjësimin për këtë çështje jetike dhe të frymëzojmë veprime që ndihmojnë në parandalimin, zbulimin dhe menaxhimin e rreziqeve nga ushqimi, duke kontribuar në sigurinë ushqimore, shëndetin e njeriut, prosperitetin ekonomik, bujqësinë, hyrjen në treg, turizmin dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Siguria ushqimore shpesh merret si e mirëqenë. Ndërsa 2 në 5 evropianë janë të interesuar për sigurinë e ushqimit, vetëm 1 në 5 thonë se është shqetësimi i tyre kryesor kur zgjedhin ushqim. Ushqimi i pasigurt që përmban baktere të dëmshme, viruse, parazitë ose substanca kimike shkakton më shumë se 200 sëmundje, duke filluar nga diarreja deri te kanceri.

Drejtori Ekzekutiv i EFSA-së, Bernhard Url, tha: “Për Ditën Botërore të Sigurisë së Ushqimit 2020, ne duam të përqëndrohemi në tre tipare të rëndësishme të sistemit të BE-së për sigurinë e ushqimit, duke zbatuar një qasje, shëndeti, sisteme të qëndrueshme ushqimore dhe përgjegjësinë e përbashkët të sigurisë ushqimore.

“Këto janë karakteristika të rëndësishme të sistemit të sigurisë së ushqimit në BE, ku organizatat evropiane dhe kombëtare së bashku me shumë palë të interesuara ndihmojnë për të bërë standardet e Evropës për sigurinë e ushqimit, shëndetin dhe mirëqenien e kafshëve, dhe mbrojtjen e mjedisit ndër më të lartat në botë.”

Qendra Alert/Alert.al