Menu

Siguria ushqimore

Foto / Gjigandi "Doni Foods" në Panairin Global të Berlinit. Vlerësohet si Stenda më Inovative e "Fruit Logistika 2020"

“Doni Fruits”, e cila tashmë do të njihet dhe me emrin “Doni Foods”, një kompani gjigande dhe lider shqiptar në sektorin e kultivimit, distribuimit dhe eksportit të produkteve të freskëta, mori pjesë për të tretin vit në panairin më të madh ndërkombëtar të produkteve të freskëta, të mbajtur në Berlin. Panairi “Fruit Logistica”, i cili çdo vit mbledhë mesatarisht 3,200 ekspozues dhe 78,000 vizitorë, mbahet u mbajt në datat 5-7 Shkurt në Berlin, ku u mblodhën kompani nga e gjithë bota që veprojnë në sektorin e agrobiznesit, si dhe eksportit dhe importit të produkteve të freskëta. Ky panair është një platformë ideale që krijon mundësi vendtakimi global dhe lehtëson krijimin e kontakteve të reja, zgjerimin e partneriteteve si dhe identifikimin e blerësve potencial.

Ndërkohë, stenda krejt e veçantë e “Doni Ftuits”, u vlerësua nga organizatorët dhe pjesëmarrësit, si më inovativja nga të gjitha kompanitë glubale që merrnin pjesë në Panairin “Fruit Logistica”.

Risia e këtij viti ishte fakti se, “Doni Foods” u shfaq me brendim të ri, i cila ka kaluar nga Doni Fruits në Doni Foods. “Ky ndryshim erdhi si nevojë për të përmbushur kërkesat e konsumatorëve tonë duke ofruar një gamë më të gjerë të produkteve cilësore dhe të sigurta për shëndetin e tyre. Produktet tona janë të çertifikuara me standarde ndërkombëtare nga programi i mirënjohur për sigurinë e prodhimeve bujqësore të freskëta, Global G.A.P, standard ky, i cili rritë besueshmërinë dhe sigurinë për klientët dhe konsumatorët tonë”, thanë drejtuesit e kompanisë.

Gjithashtu, risi tjetër për kompaninë “Doni Foods” është dizajni inovativ i stendës të ekspozimit në “Fruit Logistica 2020”. Të inspiruar nga slogani “Nga Natyra në Jetë”, stendë është realizuar e tëra nga druri natyral me idenë për të sjellë frymën e fermës dhe është i tëri i mbuluar me fruta dhe perime të freskëta. Bashkëpunëtor kryesor për realizimin dhe organizimin rreth panairit si dhe për ribrendimin e  kompanisë “Doni Foods” është agjencia lidere e marketingut në Kosovë “Zero Pozitive”.

Qendra ALERT / Alert.al

Eksportet shqiptare, kreu i KASH Rrapaj: Janë rritur, s’ka ngarkesa me pesticide, kompanitë të kujdesshme për vetëkontroll

I ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, kryetari i KASH Agim Rrapaj ka folur për eksportet e prodhimeve shqiptare. Rrapaj theksoi se ka rritje të eksporteve ku faktor i parë ishte heqja e TVSH dhe rritja e investimeve në sera dhe në ambientet e tjera të mbrojtura.

“Ka patur vlerësime në këtë fushë nga sektori privat, kemi patur avantazh se kemi filluar me certifikimet në këtë sektor dhe një pjesë e mirë e fermerëve janë orientuar drejt eksportit. Mbështetja me subvencione ndikon drejtpërdrejtë tek eksporti”-deklalori Rrapaj.

Përsa i përket pesticideve, Rrapaj tha se nuk ka ngarkesa të tilla pasi kompanitë janë më të kujdesshme për vetëkontrollin, kanë dyfishuar shpenzimet për emrin e kompanisë dhe për produkte cilësore.

“Për pesticidet problemi më i madh është ngritur nga media. Kompanitë e grumbullimit kanë bërë marrëveshje me fermerët për kontrollin e tyre. Korça, Lushnja, Saranda po implementojnë modelet më të mira nga jashtë. Në Ministrinë e Bujqësisë vazhdohet me të njëjtat nivele si para 6 vitesh, me të njëjtat fonde. Politikisht ministria e ka thënë se mbështet fermerin për informimin, i cili është i domosdoshëm, por nuk ndodh. Kontrolli duhet të bëhet tek toka, tek uji, tek fermeri, kontrabanda ka rënë, por nuk është zhdukur, ka ende pesticideve të paregjistruara”-tha Rrapaj.

Rrapaj theksoi se problem mbetet ende çështja e laboratorëve të pacertifikuar dhe largimi i njerëzve të kualifikuar.

“Ndër çështjet problematike mbetet edhe ajo e laboratorëve,  përsa i përket eficencës, kemi investime në godina, por po na ikin njerëzit e kualifikuar. Është periudha më e mirë për t’u angazhuar për të kapur tregun. Kemi 224 qendra grumbullimi që bashkëpunojnë më 50 mijë fermerë. Ka fermerë të pacertifikuar që prodhojnë produkte të pacertifikuara dhe prishin tregun, konkurrencë e pandershme. Duhet të të ketë treg, nuk mund ta ndalosh fermerin të shesë prodhimet e tij”-u shpreh Agim Rrapaj.

Qendra ALERT / Alert.al

EFSA: Studim mbi sigurinë e ushqimeve të reja, rasti i pluhurit të farave chia

EFSA ka kryer një studim mbi sigurinë e pluhurit të farave chia (Salvia hispanica L.) si ushqim i ri, në përputhje me Rregulloren (BE) 2015/2283. Në vijim të një kërkese nga Komisioni Evropian, Panelit të EFSA për Ushqyerjen, Ushqimet e Reja dhe Alergenet Ushqimore iu kërkua një opinion shkencor mbi pluhurin e farave chia (Salvia hispanica L.) Konkluzionet e panelit janë që pluhurat e farave chia janë pjesërisht të sigurta, nën kushtet e vlerësuara të përdorimit.

Burimi i ushqimit të ri (fara chia) është vlerësuar se nuk ngre çështje sigurie ushqimore. Gjithashtu, nuk ka të dhëna për alergenet mbi ushqimin e ri. Ushqimet e reja, të quajtur ‘Pluhur Xia 125’ është një pluhur i imët me një përmbajtje proteinike me të paktën 40% dhe ‘Pluhur Xia 435’ është një pluhur i imët me një përmbajtje fibrash me të paktën 50%. Të dy pluhurat përftohen nga farat e chias.

Marrë nga EFSA

Qendra ALERT / Alert.al

EFSA/ konsultim: Rreziqet nga prania e substacave kimike (perfluoroalkyl) në ushqim

Paneli EFSA për Ndotësit në Zinxhirin e Ushqimit (Paneli CONTAM) miratoi projekt-opinionin e tij shkencor mbi rreziqet për shëndetin e njeriut në lidhje me praninë e substancave perfluoroalkyl (PFAS) në ushqim. Drafti i opinionit përfshin një rivlerësim të PFOA dhe PFOS pas mendimit të mëparshëm të publikuar në 2018. Konsultimi publik tetë javor do të nisë deri më 24 shkurt. Substancat perfluoroalkil mbeten të qëndrueshme në prani të acideve, bazave, oksiduesve dhe reduktuesve.

Si pjesë e procesit të konsultimit publik, EFSA do të zhvillojë një takim me palët e interesuara dhe palët e tjera përkatëse për të mbledhur reagime mbi projekt-opinionin. Kjo ngjarje do të zhvillohet në Bruksel në 12 Mars 2020.

Palëve të interesit do t’u sigurohet një përmbledhje e detajuar e qasjes së marrë në vlerësim dhe përfundimeve kryesore të projekt-opinionit mbi PFAS në ushqim. Takimi do të lejojë një shkëmbim mendimesh midis pjesëmarrësve të takimit dhe shkencëtarëve nga grupi i punës i EFSA për PFAS në ushqim dhe Paneli CONTAM.

Përzgjedhja përfundimtare do të synojë një përfaqësim të ekuilibruar të ekspertizës dhe palëve të interesuara.

Marrë nga EFSA

Qendra ALERT / Alert.al

Opinion / Ligji për ushqimin, çfarë ndryshimesh do të ishin me interes dhe si duheshin konsultuar*

Nga Jonald Agolli

Pronatyra Treg

Retaili (rrjete supermarketesh të organizuara në mënyrë moderne) ushqimor sot në vëndin tonë has në shumë problematika që vijnë nga faktorë të ndryshëm por që kryesisht kanë karakter legjislativ . Përjekjet drejt suksesit dhe njëkohësisht lufta për një pozicionim të mirë në treg e bëjnë këtë biznes nga më të vështirët kur vjen puna të flasim për Retail por aq sa edhe më të thjeshtin nëse do nënkuptojmë ‘’dyqanet e lagjes’’ ose si ndryshe quhen nëpër koferenca, raporte e deklarata të natyrës statistikore , Bizneset e Vogla .

Drejtimi i një Shoqërie Retaili për një kohë të gjatë (rreth 20 vjet) dhe kalimi i të gjitha kohëve zhvillimore që natyralisht ka përshkruar edhe ky biznes përgjatë viteve nga 90 e deri më sot , më ka bërë të kuptoj qartazi se Ne nuk duam dhe Jo nuk mundemi . Këtu analiza , pa dashur të hy shumë në të thella profesionale , kthen të gjithë treguesit e saj kryesisht drejt faktorit Shtet dhe zbatueshmërisë së ligjit.

Ndoqa me vëmëndje fjalimin e Ministritit Çuçi në foltoren e Parlamentit rreth ndryshimeve në ligjin e Ushqimit dhe të them të drejtën më erdhi mirë për vendimin dhe punën e bërë në marrjen përsipër të një nisme kaq të rëndësishme siç është ndryshimi i një Ligji, por njëkohësht edhe keq për sesi dhe ku po përpiqemi ta ndryshojmë .

Ajo ç’ka kuptova më shumë ishte një qasje tjetër ndaj sipërmarrësit ku në vënd të ashpërsimit të gjobave ose shpeshtimit të kontrolleve , AKU-ja do udhëhiqet nga historiku i vlersimit të biznesit në kohë (në raport me kontrollet)  duke reduktuar për rrjedhojë kontrollin dhe njëkohësisht duke ja bërë më të lehtë ankimimin subjektit nëpërmjet Komisionit të posaçëm që do marrë në shqyrtim kundështimet e masave . Ministri Çuçi nuk e la pa përmëndur mbështjen ndaj operatorit nëpërmjet këtyre ndryshimeve në ligj dhe patjetër ashtu si Ai nënvizoi kjo nismë , nëpërmjet edhe përmirsimit , specializimit të Burimeve Njerëzore , është edhe bashkëhore krahasuar me vëndet e tjera të kontinentit tonë .

Patjetër që të kesh Shtetin partner dhe Jo vetëm tagrambledhës është luks sidomos për Ne shqiptarët , patjetër që të ndjekësh eksperiencat e vëndeve si Irlanda është gjetje përveç se zgjidhje , por a Mundemi që në këtë zallamahi të madhe ushqimore ku shitet ‘’sapuni për djathë’’ e ku ndërveprimi institucional lë për të dëshiruar aq sa si pasojë portat kufitare të vëndit tonë janë krejtësisht të gjëra sa hyn ‘’derri me gjith dos’’ ,  Ne të hiqemi sikur tashmë ka ardh koha e Karrotës dhe Kërbaçi duhet flakur tutje !!

Kush mund të quhet Biznes i vogël me rrezik të minor aq sa për t’ja bërë më të thjeshtë jetën nëpërmjet heqjes nga lista e atyre bizneseve që duhet të përmbajnë sistemin e vetkontrollit . A nuk është ky biznes vogël një rrezik i madh për Klientin (Ne e quajmë Klient jo Konsumator duke ja maximizuar rëndësinë që ka) nëse jeta e tij vihet në lojë si pasojë e helmimeve që vjnë nga ushqimet .

Nga njëra anë, duke qenë vetë subjekt i këtij Ligji tashmë me ndryshimet përkatëse duhet të më vijë mirë dhe ndoshta fërkimi i duarve do të ishte gjëja e duhur për të bërë por për sa kohë Moszbatueshmëria e Ligjit, ndryshimi në funksion të përmirsimit përmes masave inteligjente , bashkuese ose lehtësuese quajeni si të doni, në vend të rritjes së kualitetit e shtimit të sigurisë Ushqimore do pjellin kaos në këtë fushë atëherë më lejoni t’ju them se nuk kemi bërë asgjë.

E di që është shumë e lehtë të bësh kritikun dhe mosbesuesin, por argumenti është i fortë, mendoj , dhe ç’ka më bën edhe ta besoj ishte pikërisht numri i deputetëve në sallën e Kuvendit (mund të numëroheshin me gishta) në kohën e fjalimit të Ministrit për një çështje kaq të rëndësishme .

A nuk do ishte më mirë nëse konsultimet, në mungesë të specialistëve të mirfilltë të fushës brënda skuadrës së AKU-së , propozimet dhe marrjen e informacionit mbi nevojën emergjente që tregu sot shfaq t’i gjenim pikërisht përmes tavolinave të përbashkëta me Ne, Retailin e organizuar. A nuk është kjo një hallkë e rëndësishme e zinxhirit të ekonomisë shqiptare sa për t’u trajtuar me shumë vëmëndje e përkushtim. Ç’na nevojitet heqja e barrierave doganore midis vëndeve fqinje, thjeshtëzimi i praktikave etj., kur nuk arrijmë dot të eksportojmë për shkak të refuzimit të vetë atij tregu që këto vënde ofrojnë. Për të blerë më shumë nga këto Ta ??

AKU-ja duhet reformuar dhe jam dakort që kryefjala duhet të jetë Specialisti i fushës si pjesë kryesore e strukturës së saj; por afrimi i këtij institucioni, me rol kaq të rëndësishëm kundrejt biznesit është e nevojshme për të qenë ende i ashpër dhe aspak tolerues .

Abuzimi , që me shumë të drejtë Ministri e përmëndi si një gangrenë e këtij institucioni , duhet të minimizohet por jo vetëm nëpërmjet vetëripërtëritjes së burimeve njërëzore por edhe njëkohësisht gjetjes së skemave të vlersimit për secilin prej këtyre burimieve dhe jo tolerancës në emër të mbështetjes ndaj biznesit duke ju kërkuar kështu maximumin në ushtrimin e detyrës .

Revolucion , është ç’ka besoj fort se ka nevojë e gjitha fusha e Tregtimit dhe Prodhimit të ushqimeve në Vënd  JO përmirsim të Ligjit, Revolucion në gjithëpërfshirje të atyre institucioneve që kanë për detyrë të garantojnë zhvillimin e Biznesit përmes këtij sektori kaq delikat dhe kyç për ekonominë , Revolucion në dobi të shfrytëzimit të pasurisë që kemi si një vënd mesdhetar me klimë të mrekullueshme , Revolucion në dobi të mirëqënies së gjithsecilit që padiskutim fillon nga çfarë vendosim në tryezë.

*Titulli është redaksional

EFSA: Vlerësimi i rrezikut të ndotësve kimik në ushqim

EFSA ka kërkuar të propozojë një metodologji të vlerësimit të rrezikut të shpejtë dhe të vazhdueshëm të rreziqeve shëndetësore kur një ndotës kimik është i pranishëm në ushqim. Metodologjia u zhvillua në mbështetje të RASFF (Sistemi i Alarmit të Shpejtë për Ushqimet dhe Ushqimet për Kafshë) për vlerësimin e ndotësve që lidhen me materialet e kontaktit me ushqimin, substancat farmaceutikisht aktive dhe ndotësit e tjerë të ushqimit. Vlerësimi i rrezikut bazohet në vlerësimin e vetive toksikologjike dhe ekspozimit dietik. Mjeti i Vlerësimit të Shpejtë të Ekspozimit të Ndotjes (RACE) u zhvillua për të lehtësuar vlerësimin. Mjeti RACE siguron vlerësime të grupeve të ndryshme të popullsisë, si dhe ekspozimin akut dhe kronik ndaj ndotësve kimikë. Pjesëmarrësit mund të paraqesin pyetje të cilave EFSA do t’i përgjigjet drejtpërdrejtë dhe me shkrim pas prezantimit. Një regjistrim i webinar do të publikohet në faqen e internetit të EFSA.

Alarmi për produktet me qumësht të padeklaruar, kërkohet tërheqja e tyre nga tregu

Alarmi është ngritur mbi produkte të “TYJ Spring Pasty Products”, në pastiçeri në Singapor, për shkak të qumështit të padeklaruar në etiketë. Është kërkuar për prodhuesit, shitësit me shumicë, shpërndarësit dhe shitësit me pakicë tërheqja e produkteve nga tregu.

Proteina e qumështit është një përbërës i produkteve pastë “TYJ Spring Pasty Products”, të listuara më poshtë, megjithatë qumështi nuk deklarohet në listën e përbërësve. Produktet u shitën tek tregtarët me shumicë dhe furnitorët në të gjithë vendin.

Si rrezikohet konsumatori?

Produktet mund të jenë të pasigurta për konsumatorët të cilët janë alergjikë ose intolerantë ndaj qumështit ose përbërësve të tij.

Kërkohet veprim:

Prodhuesit, tregtarët me shumicë, shpërndarësit, furnizuesit dhe shitësit me pakicë:

Shitësit me pakicë u kërkohet të largojnë produktet nga shitja dhe të shfaqin një njoftim tërheqje të pikës së shitjes në dyqanet ku ishin shitur.

Tregtarëve me shumicë / shpërndarësve u kërkohet të kontaktojnë klientët e tyre dhe të kërkojnë tërheqjen e produkteve dhe të japin një njoftim për pikën e shitjes për klientët e tyre me pakicë.

Ndryshimet në ligjin për ushqimin, cenimi i sigurisë ushimore dhe pavarësisë së punonjësve

Prej disa kohësh, kanë nisur ndryshimet në Ligjin 9863 për Ushqimin, I ndryshuar. Ndërsa ditën e hënë në mbrëmje, Komisioni i Veprimtarive Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit, e kaloi atë, duke mos marrë parasysush shumë kërkesa apo opinione të Shoqërisë Civile, të organizatave të Biznesit, si dhe duke reflektuar për disa të tjera.

Projekligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin Nr 9863, datë 28.01.2008 ‘Për Ushqimin”, i ndryshuar, u shoqërua me jo pak debate në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, tregtisë dhe Mjedisit.

Qendra ALERT, Organizatë Jofitimprurëse, e cila ka në qendër të  objektit të saj Mbrojtjen dhe Ndërgjegjësimin e Konsumatorit; Albanian Food Industry, Bashkimi i Prodhuesve të Shqipërisë dhe Bashkimi Tregtar i Shqipërisë, në opinionet e tyre dhe dëgjesat në komision parlamentar, ishin kundër disa ndryshimeve dhe shtesave në draftin e ti. Për Qendrën ALERT, shqetësues ishte fakti se, në projektligj, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, së bashku me 120 inspektorë që do t’i bashkohen nga Insektoriati Shtetëror Shëndetësor, do të dalin nga Shërbimi Civil dhe do të funksionojnë me Kod Pune.

Qendra ALERT kërkoi që, kjo të mos miratohet në ligjin e ri, pasi, së pasi, bie ndesh me reformën e inspektorateve, do të vinte në rrezik cilësinë e inspektimeve dhe që cenon automatikisht sigurinë ushqimore të konsumatorit. Nëse ky institucion do të funksionojë me Kodin e Punës, siç dhe u miratua, atëherë çdo drejtor i AKU, do të largonte nga puna cilindo që do të donte, duke dëmtuar rëndë dhe cilësinë e institucionit.

Nuk duhet harruar se që në vitin 2010 kur AKU ka nisur funksionimin zyrtarisht e deri sot, ky institucion ka ndërruar 8 Drejtorë të Përgjithshëm, të cilët kanë ndryshuar shumë njerëz, megjithëse me Status Nëpunësi Civil. Ndërkohë që, Bashkimi Evropian ka financuar rreth 6 milionë euro për Autoritetin Kombëtar të Ushqimit deri sot, ndërkohë që qindra milionë lekë janë shpenzuar nga Buxheti i Shtetit për trajnimet e Administratës Publike. Por, këto sugjerime nuk u morën parasysh.

 

ALERT, si dhe organizatat e Biznesit kërkuan ndër të tjera edhe që, vendimet e Komisionit të Ankimimit, të cilat tashmë do të jenë me 3 përfaqësues nga Ministria e Bujqësisë dhe 2 nga AKU për gjoba mbi 300.000 lekë, të mos konsideroheshin Titull Ekzekutiv. Kjo, pasi do t’i hiqnin të drejtën subjekteve të penalizuara për t’a ankimuar vendimin në gjykatë, duke rëndë ndesh dhe me Kodin e Procedurave Administrative. Kjo kërkesë u reflektua, bashkë me disa të tjera që kishin të bënin me analizimin e marrjes së mostrave në laboratorë jashtë vendit, kur ka kontestime për rezultatet e ISUV.

Ndërsa biznesi nuk do të jetë i përfaqësuar në Komisionin e Ankimimit të Masave Administrative.

Në relacionet e Ministrisë së Bujqësisë apo Këshillit të Ministrave, në mënyrë të çuditshme dhe të pashpjegueshme thuhet se, “Ky projektligj nuk synon përafrimin me ‘acquis’ të BE-së, si dhe “Nuk ka përafrim me legjislacionin e BE”.

EFSA: Sondazh mbi perceptimet e sigurisë ushqimore në vendet e para-pranimit në BE

Eurobarometri i EFSA-së për sigurinë e ushqimit vazhdon të krijojë njohuri të vlefshme për qëndrimet e konsumatorit, me rezultate të reja në dispozicion nga pesë vendet e para-anëtarësimit në BE si Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Turqia dhe nga disa nga vende anëtare të BE-së.

“Jam shumë i kënaqur që për herë të parë ne ishim në gjendje të gjeneronim këtë provë shtesë,” tha Barbara Gallani, Shefe e Departamentit të Komunikimit, Angazhimit dhe Bashkëpunimit të EFSA.

“Bashkëpunimi ynë me vendet e para të anëtarësimit ka ardhur duke u rritur me kalimin e viteve dhe përfundimi i këtij studimi shënon një tjetër moment historik të rëndësishëm. Është vlerë të madhe të kesh njohuri mbi perceptimet e sigurisë ushqimore nga pesë vende të tjera.”

Specialistët e komunikimit nga autoritetet kombëtare të vendeve para-anëtarësimit marrin pjesë si vëzhgues në Rrjetin e Ekspertëve të Komunikimit në EFSA. Anëtarët e rrjetit ndajnë informacion dhe njohuri mbi perceptimin e publikut mbi sigurinë e ushqimit për të informuar strategjitë e komunikimit të rrezikut, midis aktiviteteve të tjera.

Në korrik 2019, EFSA porositi studimin e Eurobarometrit në të gjitha Shtetet Anëtare të BE-së (përfshirë Mbretërinë e Bashkuar), duke shqyrtuar çështje të tilla si interesi për sigurinë ushqimore, vetëdijen dhe perceptimet e rrezikut si dhe besimin në burime të ndryshme të informacionit. I njëjti studim u përsërit në pesë nga shtatë vendet e para-anëtarësimit në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Komunikimit të Komisionit Evropian.

Ndryshimi në ligjin për ushqimin, ministri Çuçi: Ja si do të jetë AKU-ja e re

Në Kuvend u miratuan ndryshimet në ligjin “Për Ushqimin”, i cili i hap rrugë një ristrukturimi të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, institucionit më të rëndësishëm në vend kur është fjala tek kontrolli i produkteve në tregje. Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi gjatë fjalës së tij në seancën e sotme dha më tepër detaje rreth projektligjit.

“AKU nuk mund të vazhdojë më të identifikohet si një institucion i masave represive, që vetëm vendos gjoba e aplikon ndëshkime ndaj operatorëve të biznesit ushqimor. AKU-ja e re duhet të ketë një rol tjetër karshi biznesit dhe konsumatorëve.  Sfida jonë është ta shndërrojmë në një strukturë inteligjente, me burime njerëzore të kualifikuara. Do të ndërmarrim një fushatë rekrutimi dhe trajnimi të punonjësve të rinj së bashku me Autoritetin e Kontrollit të Ushqimit në Irlandë, i cili është ‘binjakëzuar’ me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit tek ne, kuadër të projektit të financuar nga Bashkimi Europian për sigurinë ushqimore”, tha ministri Çuçi.

Me ndryshimet ligjore, do të forcohet roli i Drejtorisë së Vlerësimit të Riskut bazuar në vlerësime shkencore dhe të dhëna historike, për praktika të ndjekura nga operatorët e biznesit ushqimor.

“Do të kemi një strukturë të re brenda AKU-së që analizon të dhënat e inspektimeve ndër vite, në mënyrë që plani i monitorimit kombëtar të mos jetë një plan, le të themi mekanik, por të jetë i bazuar në analizë dhe statistika disa vjeçare. Në këtë mënyrë do të jemi në gjendje të ndërmarrim kontrollet e duhura ndaj operatorëve të biznesit ushqimor, pa abuzuar dhe pa u bërë pengesë për zhvillimin e biznesit”, tha ministri Çuçi.

Një tjetër aspekt shumë i rëndësishëm i ndryshimeve ligjore është shmangia e kontrolleve të dyfishta për operatorët e biznesit ushqimor edhe nga inspektorët e AKU-së edhe nga inspektorët e Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor. Rreth 15 mijë OBU lehtësohen nga ky kontroll i dyfishtë, që shpesh linte vend edhe për abuzim. Ulja e barrës së inspektimit nga dy institucione për të njëjtin subjekt apo çështje, shmang mundësinë për abuzim.

Për herë të parë do të aplikohet një lehtësim në sistemin e vetëkontrollit, ku subjektet me risk të vogël do të përjashtohen nga kontrollet me të njëjtat kritere si bizneset e mëdha. Kjo i jep frymëmarrje prodhuesve të vegjël. Natyrisht duke mos cënuar këtu parimet bazë të kushteve higjeno-sanitare dhe standardeve të sigurisë ushqimore.

“AKU-biznes-konsumator është një trekëndësh shumë i rëndësishëm, dhe ndërveprimi sa më i mirë mes tyre na garanton produkte të sigurta në tregjet tona. AKU-ja e re do të jetë një insitucion më dinamik, më inteligjent, më transparent dhe do të adresojë siç duhet sfidat e kohës, duke patur më së shumti në fokus fenomenet që shqetësojnë sot konsumatorët dhe operatorët e biznesit ushqimor”, tha në Kuvend ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.