Menu

Kryesore

Çfarë duhet të dimë për vajin që shitet si “ekstra i virgjër”?

Vaji i ullirit mund të jetë më “i vjetër” nga sa tregon data në etiketë. Data e konsumit në një shishe vaj ulliri nuk tregon domosdoshmërisht se kur janë mbledhur ullinjtë. Afati minimal prej 18 muajsh llogaritet nga momenti i ambalazhimit dhe jo nga koha e korrjes apo e prodhimit të vajit.

Kjo do të thotë se një vaj me afat konsumi deri në prill 2027 mund të jetë ambalazhuar në vitin 2025 dhe të jetë prodhuar nga ullinj të mbledhur në vjeshtën e vitit 2024. Pra, kur blihet në supermarket, vaji mund të jetë tashmë rreth dy vjeç.

Pas përpunimit, vaji mund të qëndrojë për muaj të tërë në depozita para se të hidhet në shishe. Për këtë arsye, vetëm data e afatit të konsumit nuk mjafton për të kuptuar sa i freskët është produkti.

Një tregues më i rëndësishëm është viti i korrjes së ullinjve. Për vajrat italianë të prodhuar nga një sezon i vetëm, në etiketë mund të gjendet shënimi i fushatës së prodhimit, për shembull 2025/2026. Kjo tregon se ullinjtë janë mbledhur kryesisht gjatë atij sezoni. Ekspertët këshillojnë që vaji ekstra i virgjër të konsumohet sa më i freskët, pasi me kalimin e kohës humbet gradualisht cilësitë e tij.

Për ata që kërkojnë vaj të freskët, një nga treguesit më të mirë është të kontrollojnë etiketën dhe të kërkojnë fushatën e prodhimit 2026/2027. Megjithatë, jo të gjitha vajrat kanë të shënuar vitin e korrjes. Përzierjet e vajrave nga vite të ndryshme ose nga vende të ndryshme mund të mos e kenë këtë informacion në etiketë.

Për konsum familjar, shpjegon drejtori i Teatro Naturale, këshilla mbetet që vaji të konsumohet brenda një viti nga prodhimi, madje edhe më mirë më herët. Grimelli është veçanërisht kritik ndaj vajrave komercialë të përftuar nga përzierje vajrash, të cilët sot ofrohen edhe me çmime 4–5 euro për litër. Sipas përvojës së tij, bëhet fjalë për vajra të prodhuar posaçërisht përmes përzierjeve, me synimin për t’u shitur me çmime të ulëta. Cilësia e tyre, e cila që në fillim është e dobët, vështirë se garanton që vaji të qëndrojë pa problematika për 12 muaj nga momenti i mbushjes në shishe. (IlFattoAlimentare)

Qendra Alert/Alert.al

Ballkani Perëndimor miraton planin për ruajtjen e biodiversitetit dhe restaurimin e ekosistemeve deri në 2030

Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë miratuar një kuadër të përbashkët për mbrojtjen e biodiversitetit dhe restaurimin e ekosistemeve të degraduara, me objektiva që shtrihen deri në vitin 2030.

Dy dokumentet kryesore, Plani Strategjik për Biodiversitetin 2030 dhe Plani për Restaurimin e Peizazheve Pyjore, u miratuan në Žabljak të Malit të Zi, gjatë Takimit të Tretë Ministror për Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.

Planet synojnë që deri në vitin 2030 të mbrohet të paktën 30% e zonave tokësore, ujërave të ëmbla, detare dhe bregdetare, ndërsa të paktën 20% e ekosistemeve të degraduara të restaurohen. Objektivat përfshijnë gjithashtu ndalimin e humbjes së llojeve dhe përmirësimin e lidhshmërisë ekologjike në rajon.

Plani për Biodiversitetin 2030 synon të forcojë rrjetet e zonave të mbrojtura, të përmirësojë monitorimin dhe mbledhjen e të dhënave për biodiversitetin dhe të integrojë mbrojtjen e natyrës në sektorë si bujqësia, pylltaria, energjia, menaxhimi i ujërave dhe infrastruktura.

Ndërkohë, plani për restaurimin e peizazheve pyjore parashikon një qasje të integruar për rikuperimin e ekosistemeve, duke lidhur mbrojtjen e biodiversitetit me menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve, përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike, mbrojtjen e tokës dhe ujërave dhe uljen e rrezikut nga fatkeqësitë natyrore.

Sipas IUCN, këto dy kuadro janë pjesë e zbatimit të Shtyllës 5 të Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, e cila lidhet me mbrojtjen e natyrës dhe biodiversitetit. Organizata thekson se zbatimi i planeve do të kërkojë angazhim afatgjatë të qeverive, komunitetit shkencor, shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë, si dhe rritje të investimeve për mbrojtjen dhe restaurimin e natyrës. Miratimi i planeve synon të krijojë një përgjigje të koordinuar të vendeve të rajonit ndaj humbjes së biodiversitetit, degradimit të ekosistemeve dhe ndikimeve të ndryshimeve klimatike, duke vendosur objektiva të përbashkëta për veprim deri në vitin 2030.

Qendra Alert/Alert.al

Çmimet e produkteve të shportës vijojnë të rëndojnë xhepin e konsumatorit

Çmimet kanë marrë një frenim të lehtë në shtator, por presioni mbi konsumatorët mbetet i lartë. Inflacioni zbriti në 2.9%, nga 3.2% që ishte në gusht, i ndikuar kryesisht nga ulja e çmimeve të veshjeve dhe shërbimeve të komunikimit. Megjithatë, ushqimet dhe transporti vijojnë të jenë ndër faktorët kryesorë që mbajnë çmimet lart.

Sipas INSTAT, grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” dha kontributin më të madh në rritjen vjetore të çmimeve, me 0.96 pikë përqindje, ndërsa “Transporti” ndikoi me 0.81 pikë përqindje.

Pas tyre renditet grupi “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera”, me një ndikim prej 0.54 pikë përqindje. Ndërkohë, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” kontribuoi me 0.16 pikë përqindje.

Edhe grupet “Pije alkoolike dhe duhan”, “Argëtim, sport dhe kulturë” dhe “Restorante dhe shërbime akomodimi” shtuan nga 0.12 pikë përqindje secili në rritjen e çmimeve.

Në kahun e kundërt, çmimet e “Veshje dhe këpucë” ulën inflacionin me 0.12 pikë përqindje, ndërsa “Informacioni dhe komunikimi” me 0.04 pikë përqindje.

Pavarësisht frenimit në shtator, inflacioni mbetet një çështje e ndjeshme për Bankën e Shqipërisë. Pas rritjes në muajt korrik-gusht, banka vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në 2.5%, por sinjalizoi se rritja e normave në të ardhmen mbetet një mundësi.

Sipas Bankës së Shqipërisë, përshpejtimi i inflacionit gjatë verës u ndikua nga rritja e çmimeve të karburanteve dhe ushqimeve të papërpunuara, ndërsa presionet e huaja dhe rritja e çmimeve të produkteve bazë në tregjet ndërkombëtare kanë shtuar inflacionin e importuar.

Pra, edhe pse shifra e shtatorit tregon një ngadalësim, çmimet nuk janë larguar nga presioni. Ushqimet, karburantet dhe transporti vijojnë të mbajnë peshën kryesore në koston e jetesës.

Qendra Alert/Alert.al

Prokurimet publike me inteligjencë artificiale, si do të gjurmohen fondet?

Qeveria synon të ndryshojë mënyrën e kryerjes dhe monitorimit të prokurimeve publike, duke vendosur në qendër përdorimin e inteligjencës artificiale dhe një sistem më të centralizuar. Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj tha se po punohet për finalizimin e një modeli që synon rritjen e transparencës dhe gjurmueshmërisë së fondeve publike.

Gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave është diskutuar për mënyrën e organizimit të prokurimeve publike dhe nevojën për një sistem më të përqendruar. Sipas Ibrahimajt, vendosja në funksion e sistemit të ri të inteligjencës artificiale është në fazat e fundit të përgatitjes dhe pritet që brenda vjeshtës së këtij viti të nisin procedurat për përdorimin e tij në prokurimet publike.

Ministrja theksoi se paralelisht me teknologjinë e re po rishikohet edhe mënyra se si zhvillohen procedurat, me synimin që informacioni mbi përdorimin e parave publike të jetë më i aksesueshëm dhe më i kuptueshëm për qytetarët.

Një pjesë e rëndësishme e modelit të ri lidhet me platformën “PasqyraAlbania”. Sipas Ibrahimajt, synimi është që qytetarët të mos kenë akses vetëm te informacioni mbi prokurimet e zhvilluara dhe rezultatet e tyre, por edhe te mënyra se si zbatohen kontratat pas përfundimit të procedurës së prokurimit.

Në këtë kuadër, Operatori i Blerjeve të Përqendruara pritet të ketë një rol më të madh në proceset e prokurimit publik. Modeli i prezantuar parashikon gjithashtu sinkronizimin e sistemeve të Ministrisë së Financave, Agjencisë së Prokurimit Publik dhe Operatorit të Blerjeve të Përqendruara me sistemet që lidhen me zbatimin e kontratave.

Sipas ministres, ky integrim do të shtrihet deri te sistemet e fiskalizimit, duke krijuar një zinxhir të lidhur informacioni nga momenti i prokurimit deri në zbatimin dhe pagesat që lidhen me kontratat.

Qendra Alert/Alert.al

Lavazhet nën kontroll, AKUK: Deri më 31 tetor të ndërpritet përdorimi i ujit të pijshëm

Lavazhet që përdorin ujin e rrjetit publik për aktivitetin e tyre do të kenë afat deri më 31 tetor për të ndërprerë këtë praktikë. Pas kësaj date, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve paralajmëron nisjen e kontrolleve në të gjithë vendin dhe marrjen e masave ndaj subjekteve që shkelin rregullat e furnizimit me ujë.

Sipas AKUK, përdorimi i rrjetit publik nga bizneset e larjes së automjeteve është në kundërshtim me rregullat e përcaktuara në Kodin e Furnizimit me Ujë. Subjektet duhet të sigurojnë burime alternative dhe të ligjshme për zhvillimin e aktivitetit të tyre.

“Lavazhet janë ndër bizneset me impaktin më të madh negativ në rrjetin e ujësjellësit dhe për këtë arsye është e domosdoshme që këto lavazhe të gjejnë metoda të tjera alternative për zhvillimin e aktivitetit të tyre” deklaroi drejtori i AKUK, Fludian Çuka.

Agjencia e konsideron rrjetin publik të ujit të pijshëm një pasuri të përbashkët dhe paralajmëron se ndërhyrjet e paligjshme apo përdorimi i tij për qëllime biznesi do të kontrollohen.

Pas përfundimit të afatit më 31 tetor, AKUK pritet të nisë kontrollet në të gjithë territorin. Për subjektet që do të konstatohet se vijojnë të përdorin në mënyrë të paligjshme ujin e rrjetit publik, do të zbatohen procedurat dhe masat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi.

Qendra Alert/Alert.al

Familjet pa arsim, me shpenzime më të larta mujore

Familjet ku kryefamiljari nuk ka përfunduar asnjë nivel arsimor shënuan rritjen më të lartë të shpenzimeve mujore për konsum gjatë vitit 2025. Sipas të dhënave të INSTAT, këto familje shpenzuan mesatarisht 66,112 lekë në muaj, 3.28% më shumë se në vitin 2024, duke regjistruar ritmin më të lartë të rritjes ndër të gjitha kategoritë sipas nivelit arsimor.

Rritja ishte edhe mbi mesataren e familjeve shqiptare në tërësi, të cilat shpenzuan 95,227 lekë në muaj gjatë vitit 2025, rreth 2.3% më shumë se një vit më parë.

Kjo ecuri mund të lidhet edhe me ndryshimet në tregun e punës, ku kërkesa për punonjës në profesione elementare është rritur, veçanërisht në sektorët e turizmit dhe shërbimeve. Profesione si pastrues, shitës dhe punonjës të tjerë që nuk kërkojnë nivele të larta arsimimi janë përfshirë në një treg pune me kërkesë të lartë për fuqi punëtore.

Mungesa e punonjësve në këto profesione ka ndikuar në rritjen e pagave në disa prej kategorive me kualifikim më të ulët. Kjo tendencë ka vijuar edhe gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026.

Për familjet me të ardhura më të kufizuara, çdo rritje e të ardhurave priret të reflektohet më drejtpërdrejt në konsum, pasi një pjesë më e madhe e buxhetit familjar përdoret për nevojat e përditshme. Megjithatë, rritja e shpenzimeve nuk nënkupton domosdoshmërisht një përmirësim të të njëjtit ritëm të standardit të jetesës.

Një pjesë e kësaj rritjeje lidhet edhe me çmimet. Inflacioni mesatar në Shqipëri ishte 2.2% gjatë vitit 2025. Për rrjedhojë, rritja nominale prej 3.28% e shpenzimeve të familjeve ku kryefamiljari nuk kishte përfunduar asnjë nivel arsimor ishte vetëm rreth një pikë përqindjeje mbi rritjen mesatare të çmimeve.

Ndërkohë, familjet me kryefamiljar që kishte përfunduar arsimin 8/9-vjeçar shpenzuan mesatarisht 85,333 lekë në muaj, vetëm 0.4% më shumë se në vitin 2024. Ky ishte ritmi më i ulët i rritjes mes kategorive të analizuara.

Te familjet ku kryefamiljari kishte arsim të mesëm të përgjithshëm ose profesional, shpenzimet mujore arritën në 99,442 lekë, nga 96,790 lekë një vit më parë. Rritja ishte 2.74%.

Në nivelin më të lartë të arsimit, shpenzimet mbeten dukshëm më të larta. Familjet ku kryefamiljari kishte arsim të lartë ose pasuniversitar shpenzuan mesatarisht 116,312 lekë në muaj gjatë vitit 2025. Megjithatë, edhe në këtë kategori ritmi i rritjes ishte më i moderuar, në 2.13%.

Të dhënat tregojnë kështu një lidhje të dukshme mes nivelit arsimor dhe nivelit të konsumit. Edhe pse familjet ku kryefamiljari nuk ka përfunduar asnjë nivel arsimor regjistruan rritjen më të shpejtë të shpenzimeve në vitin 2025, niveli i konsumit të tyre mbetet shumë më i ulët.

Diferenca mes dy skajeve është rreth 50 mijë lekë në muaj: nga 66,112 lekë për familjet me kryefamiljar pa arsim të përfunduar, në 116,312 lekë për ato me kryefamiljar me arsim të lartë ose pasuniversitar.

Pra, rritja e shpenzimeve është më e shpejtë te familjet me nivelin më të ulët arsimor, por hendeku në nivelin e konsumit sipas arsimit vijon të mbetet i konsiderueshëm.

Qendra Alert/Alert.al

Industria e qumështit në lupë, standarde të reja për përpunuesit

Cilësia e qumështit do të jetë në fokus të një programi kombëtar që Ministria e Bujqësisë synon ta përgatisë deri në dhjetor 2026. Programi synon përmirësimin e stabilimenteve të produkteve me origjinë shtazore dhe ushqimit për kafshë, me qëllim përcaktimin e qartë të mangësive dhe afateve për korrigjim.

Ministri i Bujqësisë, Andis Salla tha se një vëmendje e veçantë po i kushtohet industrisë së qumështit dhe veçanërisht cilësisë së qumështit në burim. Sipas tij, monitorimi i fermave me mbi 10 krerë gjedh ka evidentuar se përmirësimi i cilësisë kërkon ndërhyrje të vazhdueshme.

“Monitorimi në fermat me mbi dhjetë krerë gjedh ka treguar se cilësia në burim kërkon punë të qëndrueshme: shëndet të tufës, higjienë në mjelje, ftohje dhe transport të duhur, analiza të përsëritura dhe masa korrigjuese.”

Kjo problematikë prek drejtpërdrejt edhe industrinë e përpunimit të qumështit, pasi cilësia e produktit final nis që në fazën e grumbullimit të qumështit të papërpunuar. Përpunuesit duhet të sigurojnë kontrollin e lëndës së parë, ruajtjen e kushteve higjienike dhe gjurmueshmërinë e qumështit që hyn në procesin e prodhimit.

Salla tha se synimi nuk është vetëm rritja e kontrolleve, por krijimi i një mekanizmi që t’u tregojë fermerëve dhe operatorëve të industrisë se çfarë duhet të përmirësojnë dhe brenda cilit afat.

“Fermeri duhet ta njohë standardin, por duhet të ketë edhe një rrugë të qartë për ta arritur atë.”

Në këtë kuadër, Ministria synon që Programi Kombëtar për Përmirësimin e Stabilimenteve të produkteve me origjinë shtazore të përcaktojë për çdo operator problematikat që duhet të korrigjohen, afatet dhe mënyrën e verifikimit të progresit.

“Për çdo operator duhet të jetë e qartë çfarë duhet të korrigjojë, brenda çfarë afati dhe si do të verifikohet progresi.”

Ndryshimet lidhen edhe me procesin e përafrimit të legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian. Miratimi i Ligjit nr. 61/2026 “Për kontrollet zyrtare”, që përafron Rregulloren (BE) 2017/625, është cilësuar nga ministri si një prej hapave kryesorë të këtij viti.

Sipas tij, janë përfunduar draftet e 14 akteve në këtë fushë, gjashtë prej të cilave janë miratuar, ndërsa tetë të tjera janë në konsultim dhe vlerësim me Komisionin Evropian. Paralelisht po punohet për ligjin e ri për ushqimin, kriteret mikrobiologjike, higjienën dhe rregullat e gjurmueshmërisë për ushqimet me origjinë shtazore.

Për industrinë e përpunimit të qumështit, sfida mbetet që standardet e reja të mos përfundojnë vetëm në dokumente dhe kontrolle, por të përkthehen në investime, kushte më të mira higjienike, kontroll të lëndës së parë dhe një zinxhir më të sigurt nga ferma deri te produkti që përfundon te konsumatori.

“Për ne, Kapitulli 12 nuk është një ushtrim dokumentesh. Ai është një proces për ta bërë sistemin shqiptar të kontrollit ushqimor të funksionojë sipas standardit evropian” nënvizoi ministri Salla.

Qendra Alert/Alert.al

Produktet pa etiketë, Zusi: Dalin në treg pa garanci për konsumatorin!

Një produkt mishi pa etiketë nuk është thjesht një produkt që i mungon informacioni. Është një produkt për të cilin konsumatori nuk mund të dijë nga vjen, ku është rritur kafsha, ku është therur dhe në çfarë kushtesh ka përfunduar në banakun e dyqanit. Për Alban Zusin, drejtor ekzekutiv i Albanian Food Industry (AFI), mungesa e etiketimit kthehet në një problem serioz të sigurisë ushqimore dhe të gjurmueshmërisë.

I ftuar në emisionin “Alert” në News24, Zusi ngriti shqetësimin se produktet e mishit po tregtohen pa informacionin bazë që do t’i lejojë konsumatorit të di se çfarë po blen.

“Nëse sheh produkt pa etiketë, aty nuk ke siguri” u shpreh Zusi, duke sjellë si shembull edhe mishin e kafshëve që mund të kenë probleme shëndetësore apo që janë parashikuar për asgjësim.

Sipas tij, problematika shfaqet edhe te tregtimi i pulave. Një nga rastet më të raportuara është shitja e pulave të ngrira, pasi shkrihen, si produkte të freskëta. Nëse produkti është i etiketuar si i ngrirë, konsumatori mund ta identifikojë dhe të vendosë nëse dëshiron ta blejë. Por, kur etiketa mungon, gjurmueshmëria humbet.

“Kur nuk kam etiketë, si ta marr? Pula është një industri e mirë dhe ne duhet t’i japim shans, por kur nuk kam etiketë, si ta di se çfarë po blej” tha Zusi.

Një tjetër problem i ngritur lidhet me pulat që dalin nga cikli i prodhimit të vezëve. Sipas ekspertit, pula të tilla mund të përfundojnë në treg si mish, madje edhe të shiten si “pulë fshati”, pa informacionin që i tregon konsumatorit origjinën reale të produktit.

“Gjurmueshmëria fillon nga etiketa” theksoi Zusi, duke argumentuar se mungesa e saj i hap rrugë abuzimeve dhe e lë konsumatorin të pa mbrojtur nga ajo që konsumon.

“300 inspektorë të AKU-së nuk vënë re këto problematika. Është e rëndë për shëndetin publik” tha Zusi, duke paralajmëruar se në treg mund të përfundojnë edhe produkte me përmbajtje toksike.

Në një treg ku konsumatori shpesh vendos vetëm mbi bazën e çmimit dhe pamjes së produktit, mungesa e etiketës heq edhe mundësinë për të verifikuar origjinën e ushqimit.  Dhe kur gjurmueshmëria mungon, konsumatori nuk ka më se si ta dijë nëse produkti që vendos në tryezë është realisht ai që i është premtuar në banak.

Qendra Alert/Alert.al

Mishi i derrit nga Brazili përmes Kosovës në Shqipëri, alarmi për sigurinë ushqimore

Importet e mishit përmes vendeve të treta, diferencat e pazakonta në çmime dhe mospërputhjet e mundshme në sasitë e deklaruara kanë ngritur pikëpyetje për sigurinë ushqimore dhe konkurrencën në tregun shqiptar.

I ftuar në emisionin “Alert” në News24, Alban Zusi, drejtor ekzekutiv i Albanian Food Industry (AFI), kërkoi që autoritetet të verifikojnë origjinën, gjurmueshmërinë dhe mënyrën e hyrjes në Shqipëri të produkteve të mishit që kalojnë përmes Kosovës.

Sipas Zusit, shqetësimi nuk lidhet domosdoshmërisht me faktin që një produkt ka origjinë nga Brazili, por me mundësinë që ai të qarkullojë përmes kanaleve që nuk janë të gjurmueshme.

“Fenomeni është i njohur për të futur në BE produkte nga vende që nuk janë të lejuara, por i fusin nga vende të treta. Marrim mish derri me origjinë nga Brazili, përmes një vendi me shumicë myslimane si Kosova dhe kjo lë vend për të hetuar. Mund të kemi problematika në sigurinë ushqimore” tha Zusi.

Ai theksoi se një produkt i importuar nga Brazili nuk mund të konsiderohet automatikisht i pasigurt, por problem mbetet mënyra se si ai mund të kalojë nga një vend në tjetrin dhe nëse ruhet gjurmueshmëria gjatë gjithë zinxhirit.

“Jo gjithmonë mund të themi që mishi nga Brazili është i pasigurt. Shqetësimi është se edhe kur produkti kalon përmes kanaleve joformale, ky është problem i madh” u shpreh ai.

Një tjetër pikë shqetësimi lidhet me çmimet. Sipas Zusit, prodhues dhe importues vendas kanë ngritur pretendime se disa produkte që hyjnë nga Kosova shiten në Shqipëri me çmime më të ulëta se ato që merren nga kostot e importit.

“Prodhuesit ankohen se nga Kosova vijnë produkte shumë të ulëta, më të ulëta se normalja. Diçka ndodh që ky produkt hyn nga Kosova. Vihemi përballë një dëmtimi ekonomik dhe konsumatori përballet me një situatë të pasigurt. Operatorët kosovarë nuk janë më të fuqishëm se shqiptarët. Ne kemi port, ata kanë kosto shtesë. Këtu ka anomali dhe duhet analizuar nga strukturat” deklaroi Zusi.

Sipas tij, pikërisht këto diferenca duhet të shërbejnë si sinjal për autoritetet që të kontrollojnë origjinën e produkteve, dokumentacionin dhe rrugën që ndjek mishi përpara se të mbërrijë në tregun shqiptar. Zusi ngriti gjithashtu shqetësimin për konkurrencën mes operatorëve vendas dhe atyre që furnizojnë tregun përmes vendeve të treta.

“Europa bllokoi Brazilin, pasi prodhuesit vendas thanë që nuk po trajtohemi në mënyrë të barabartë. Brazili përdor medikamente që Europa nuk i përdor dot. E kemi detyrë t’i ndërpresim këto lloj kanalesh, pasi operatorët kosovarë krijojnë avantazhe të pandershme ndaj operatorëve tanë” tha ai.

Ai argumentoi se marrëveshjet e tregtisë së lirë nuk duhet të shndërrohen në mekanizma që krijojnë avantazhe të padrejta, veçanërisht kur bëhet fjalë për produkte me origjinë nga vende të treta.

“Marrëveshjet e tregtisë së lirë kanë kuptim sa kohë janë të ndershme. Në momentin që ka anomali, Kosova me pak kultivim të derrit ta furnizojë Shqipërinë nuk është normale” tha Zusi.

Një tjetër element që kërkoi të verifikohet është përputhja mes sasive të produkteve që importohen në një vend dhe sasive që më pas rezultojnë të hyjnë në tregun shqiptar.

Si shembull, u mor mishi me origjinë nga Tajlanda, duke ngritur pikëpyetje mbi rastet kur shifrat e deklaruara në vende të ndryshme nuk përputhen.

“Nëse kanë hyrë 190 ton në Kosovë dhe janë bërë 284 ton në Shqipëri, do të thotë se ka problem. Nga kanë ardhur, cila është origjina e tyre? Dhe nuk e dimë nëse 190 ton janë nga Tajlanda. Në momentin që shifrat nuk rakordohen, ka një problem që kërkon vëmendje dhe gjurmim”, deklaroi ai.

Për Zusin, çdo mospërputhje në origjinë, sasi apo çmim duhet të jetë objekt kontrolli nga institucionet përgjegjëse.

“Duhet të mbyllet çdo lloj kanali që është i pakontrollueshëm nga kanalet publike. Ai nuk është i mirë. Në radhë të parë është siguria ushqimore. Transferimi në mënyrë ilegale dëmton” u shpreh ai.

Në një treg ku produktet e mishit kalojnë nëpër disa vende përpara se të mbërrijnë te konsumatori shqiptar, pyetja që mbetet është nëse origjina, sasia dhe gjurmueshmëria e tyre kontrollohen në çdo hallkë të zinxhirit. Pikërisht këtu, sipas Zusit, autoritetet duhet të përqendrojnë verifikimet: Nga vjen mishi, nëpër cilat kanale kalon dhe si shpjegohen diferencat e pazakonta në çmim dhe sasi.

Qendra Alert/Alert.al

Misri me aflatoksinë, Salla: Ngarkesat do t'i nënshtrohen analizave në doganë

Pas misrit me aflatoksinë, Ministria e Bujqësisë ka nxjerrë një urdhër që çdo ngarkesë me misër të importuar t’i nënshtrohet analizave në doganë.

“Kemi vendosur që çdo sasi që vjen nga importi të kalojë në analizë në mënyrë që ne të kontrollojmë standarde. Çdo ngarkesë importi kalon në analizë në doganë më pas nëse ka probleme merren masa nga AKU, si asgjësimi apo kthimi në vendin e origjinës” tha Salla.

Drejtoresha e AKU, Blerina Gjylameti tha se 13 ngarkesa misri të importuara nuk kanë rezultuar konform standardeve. Gjylameti sjellë rastin e një subjekti ushqimor në Shkodër i cili kishte importuar 130 tonë misër me aflatoksinë dhe pavarësisht se kishte detyrim bllokimin e sasisë, deri në përgjigjen e analizave, ai e kishte përdorur për ushqim për pulat.

“Në rastin e misrit me aflatoksinë kemi patur për 398 ton misër të importuar nga Serbia, nga Kroacia dhe nga Greqia, nga të cilët vetëm 13 raste kanë rezultuar të jenë jo konform, pra kanë rezultuar me aflatoksinë, nga të cilët në rastin e Shkodrës ka patur 130 ton misër të importuar nga ky operator i biznesit ushqimor dhe ka patur një bllokim të tij, derisa të dilte përgjigja e analizave të marra për të parë me çfarë përbërje kishte misri. Ndërkohë nga operatori i biznesit ushqimor kishte cenuar të gjitha shenjat e bllokimit dhe ishte dhënë për konsum pulave ky misër. Në këtë aspekt përsëri nga ana e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit ka patur një kallëzim në prokurori për operatorin e biznesit ushqimor dhe përfaqësuesit e tyre dhe ndërkohë ka patur masa të largimit nga detyra të shtatë inspektorëve dhe largimin e drejtorit të drejtorisë rajonale të Shkodrës” tha Gjylameti.

Qendra Alert/Alert.al