Menu

Kryesore

Gara për kreun e PD/ Përcaktohet fleta e votimit, ja si renditen kandidatët

Komisioni Zgjedhor në Partinë Demokratike u mblodh pasditen e së enjtes dhe hodhi një short për renditjen e kandidatëve për kryetar në fletën e votimit për zgjedhjet e 13 qershorit.

Në praninë edhe të përfaqësuesve të kandidateve, që u bënë pjesë e shortit, renditja në fletën e votimit do të jetë:

  1. Fatbardh Kadilli
  2. Edith Harxhi
  3. Agron Shehaj
  4. Lulzim Basha

Të katër kandidatët vazhdojnë fushatën në degët e vendit ndërsa nuk pritet që mes tyre të ketë ballafaqim.

Adoleshenti bie nga lartësia, sillet me urgjencë në Tiranë! Emri

Një 17-vjeçar nga fshati Shelegar, bashkia Sarandë, është transportuar në gjendje kritike në urgjencën e “Stefan Mekshi”.  Adoleshenti i identifikuar si Klajdi Kalemi është rrëzuar nga një lartësi afërsisht 2 metra dhe ka pësuar fraktura të rënda në kokë dhe në trup.

Sipas bluzave të bardha të Sarandës pas ndihmës së parë është transportuar me helikopter në Spitalin e Traumës në Tiranë për trajtim mjekësor më të specializuar.

Gjendja shëndetësore e tij paraqitet kritike.

 

Vrasjet mafioze, RENEA zbarkon në Vlorë

Vlora është tronditur nga disa krime të njëpasnjëshme javët e fundit. Jo më larg se një natë më parë u vra Shkëlzen Velaj, nga persona ende të paidentifikuar.

Në fakt në të gjitha vrasjet e kohëve të fundit nuk ka asnjë të arrestuar, pasi kriminelët janë kujdesur që të mos lënë asnjë gjurmë.

Për këtë, forcat RENEA kanë zbarkuar në qytetin bregdetar për disa kontrolle.

Sa i përket ngjarjes së të mërkurës, policia tha se gjeti një makinë të djegur në zonën e Babicës, si edhe armën e krimit.

Shihni si e qëlloi pas shpine Klodian Rashën polici Nevaldo Hajdaraj

8 dhjetori i kaluar ishte një ditë që tronditi të gjithë. I riu Klodian Rasha u ekzekutua nga policia në vendin ku unë po qëndroj tani për fajin e vetëm se shkeli orën policore gjatë pandemisë. Në ditën e pretencës nga prokuroria, që kërkoi 20 vite burg për Nevaldo Hajdaraj, TCH ka arritur të sigurojë pamjet e momentit të vrasjes së Klodianit.

Këto nuk janë momente për klikimet që shuajnë kuriozitetin, por momente reflektimi për të vlerësuar se sa afër është jeta me vdekjen, liria dhe të drejtat e njeriut me shtetin policor. Gjithçka ndodh për pak sekonda, mbasi dy oficerë i kërkuan Klodianit të ndalojë. Ky është polici nën akuzë që në orën 2. 2 minuta të mesnatës kalon rrugën. Klodiani është në trotuar.

Polici tenton ta kapë por Klodiani vrapon. Polici rrezohet, aty ulet në gjunjë dhe e qëllon mbas shpine Klodianin. Mbas të shtënave Klodiani vrapon dhe tre hapa dhe rrëzohet. Polici i afrohet dhe mbas tij dhe kolegu , ndërsa shfaqen në radio. Për pak sekonda Klodiani jep shpirt. Mbas vrasjes së Klodian Rashës vendi u përfshi në protesta , që kërkonin drejtësi për Klodianin dhe që u mbyllën me dorëheqjen e ministrit të brendshëm Sandër Lleshaj.

Basha me demokratët e Kavajës: Duhet platformë përballë vjedhjes industriale të votave

 “Vjedhjes më të madhe industriale të votave në histori do t’i përgatisim bashkë shumë shpejt një platformë për t’i rikthyer legjitimitetin dhe demokracinë vendit”, deklaroi në Kavajë kreu i PD-së, Lulzim Basha. Ai vazhdoi turin e takimeve sot në Kavajë, Rrogozhinë dhe njësitë administrative 15-16, ku ka takuar nga afër demokratët. Gjatë fjalës së tij, Basha tha se PD-ja do t’i bindë aleatët për atë çka e cilësojnë masakrën zgjedhore.

Mes të tjerash ai tha se bashkë me aleatët do të përgatisin një platformë për t’i rikthyer legjitimitetin dhe demokracinë Shqipërisë. Mes të tjerash Basha tha se PD-ja do të vijojë misionin që peshon më shumë se partia, që sipas tij është pesha e fateve të Shqipërisë dhe të shqiptarëve.

Fjala e plotë e Bashës

“Faleminderit zoti kryetar! Zonja drejtuese politike, kandidat, drejtues të strukturave të Partisë Demokratike në degën e Kavajës. Veteran, themelues, qëndrestarë, drejtuese të Forumit të Lidhjes Demokatike të Gruas, të rinj e të reja të Forumit Rinor të Partisë Demokratike, më lejoni së pari të shpreh kënaqësinë më të thellë nga zemra që jam sot në mesin tuaj e t’ju falënderoj për këtë mikpritje të jashtëzakonshme!

Më keni qëndruar në krah në sfidat e betejave të mëparshme atëherë dhe më pas në sfidat e qeverisjes të Partisë Demokratike, të cilat i kthyem në realitet, i kthyem në mirësi për njerëzit, e më keni qëndruar në krah në beteja e pareshtura dhe sakrificat e jashtëzakonshme të përballjes me Edi Ramën dhe regjimin e tij duke bërë kështu të mundur, pra, që jo vetëm të rrisnim e të projektonim projektin tonë politik të ndryshimit, por duke e konsideruar veten time në këtë mënyrë një investim tuajin duke ju patur në krah prej ditës së parë e në vazhdim në të gjitha betejat dhe në të gjitha sfidat.

Ndaj, siç më keni pritur me zemër të hapur, ashtu e kam zemrën e hapur për t’ju thënë sot faleminderit dhe mirënjohje të thellë për gjithçka që keni bërë! Fjalët dhe qëndrimet që kam mbajtur gjatë këtij turi nuk janë thjesht ndjenja që burojnë nga zemra, por janë mbi të gjitha frymëzimi që marr kur shoh, kur ju takoj demokratëve anembanë vendit, sfiduar nga makineria më e madhe dhe më e përbindshme e korrupsionit dhe e krimit elektoral që ka njohur Shqipëria në 30 vite, por në të njëjtën kohë ballëlartë sepse nuk i ikët betejës, zgjodhët të qëndronit, zgjodhët të përballeshit anembanë vendit, zgjodhët të përballeshit me dinjitetin më të madh dhe me trimërinë që e keni trashëgim nga orët e para të përmbysjes së diktaturës, nga orët e para të demokracisë, që janë orët e Kavajës dhe të rinisë së Kavajës.

Këtë e dinë të gjithë, e di dhe kundërshtari, i cili njësoj si në ato vite, edhe kësaj radhe u përpoq ta përgjakte qëndresën tonë. Me sulmin barbar ndaj Bled Okshtunit, po asgjë dhe askush nuk mund ta thotë më mirë sesa Vullneti, i ati i tij, kur e pyetën sa kohë ka që është aktivizuar Bledi me Partinë Demokratike, tha që kur ka lindur. Që kur ka lindur dhe që do të vazhdojë sa të ketë frymë. I kam dëgjuar, lexuar, e rilexuar disaherë shprehjet e tij pas sulmit barbar në zyrat tona. Sepse nga njëra anë, padiskutim më shkaktonin një emocion të thellë, siç ma shkaktojnë edhe sot, po nga ana tjetër janë një frymëzim i jashtëzakonshëm për mua dhe për këdo ku ndodhemi këtu, në këtë tokë të demokracisë, ku kurrë, asnjëherë pishtari i ndezur nga rinia e Kavajës për liri dhe demokraci nuk është shuajtur.

As në ditët më të errëta ku qyteti, bashkia dhe komunat ranë në dorë të llumit dhe të kriminelëve. Ndaj më vjen mirë që ndodhem mes jush dhe ju shoh, ashtu siç shoh anembanë Shqipërisë që në shpirtrat tuaj, në zemrat tuaja dhe në sytë tuaj, mërzia, dëshpërimi, zhgënjimi i orëve të para, i kanë lënë vend zemërimit për padrejtësinë e 25 prillit, por po kështu vendosmërisë për të vazhduar misionin tonë, mision i cili peshon me gjithë peshën e tij mbi supet e demokratëve, peshë e cila është shumë më e madhe se Partia Demokratike. Sepse është pesha e fateve të Shqipërisë dhe të shqiptarëve.

Ndaj më vjen mirë që ju gjej ballëlartë dhe krenar për betejën e kryer përball një mekanizmi, një makinerie të paparë të masakrës zgjedhore që kombinonte në vetvete dogmatizmin dhe urrejtjen patologjike për kundërshtarin politik të regjimit komunist, me harbutërinë dhe poshtërsinë dhe terrorin e regjimit të korruptuar të 2001, dhe bandat, shoqëruesit e pandarë të pushtetit të Edi Ramës si në 2017 dhe akoma më shumë në 2021.

E pra përkundër zmadhimit të kësaj makinerie, agresionit të drejtpërdrejtë ndaj gjithsecilit prej jush, demokratët e Kavajës jo vetëm qëndruan, por i ofruan betejë shtëpi më shtëpi, lagje më lagje, fshat më fshat, nuk u tundën për asnjë çast dhe arritët përkundër këtij presioni jo vetëm të mbeteshim në këmbë e të qëndronim, por të rriteshim, të bëheshim më të fortë dhe më të mëdhenj. Ishte angazhimi juaj dhe shpirti i vetmohimit që pash atë natë kur u godit zyra jonë, ishte vendosmëria për t’i shkuar deri në fund betejës këtu në Kavajë sikundër anembanë Shqipërisë. Faktori kryesor se pse me gjithë angazhimin e kundërshtarit në këtë masakër zgjedhore, ne dolëm nga beteja më të mëdhenj dhe më të fortë seç hymë.

Më të mëdhenj jo thjesht në kuptimin numerik të shqiptarëve që zgjodhën të na besonin e të na ndiqnin, ku në fakt në duart tona s’kishte asgjë, asnjë pushtet njësoj si në 91-shin. Por zemrat i kishim ploë me shpresë, me besim, me qëllime të mira për të zgjidhur problemet e panumërta që ky regjim j’ua ka ngarkuar kapicë mbi shpinë, që ky regjim j’ua ka zbrazur tavolinat dhe xhepat. Dhe nga ana tjetër, erdhëm në këtë betejë pas disa betejave të tjera të cilat kanë faktuar se Partia Demokratike është e vetmja forcë në Ballkan dhe në Europën Lindore që i ka mbijetuar fatit dhe historisë për një arsye të vetme: sepse kurrë nuk e ka parë pushtetin si asgjë tjetër, përveçse një mjet për t’i shërbyer qytetarëve.

Ky ishte dhe elementi kryesor i besimit që u ngjall në zemrat e kavajasve dhe të gjithë shqiptarëve. Ata e kuptuan se beteja nuk bëhej për karrigen time dhe karriget tuaja, ata e besuan dhe e besojnë se përballë një pakice harbutësh të korruptuar të cilët kishin dhe kanë për qëllim ta mbajnë vendin peng për xhepat e tyre kishte vetëm një alternativë: familja jonë politike. E vetmja familje vlerash. Ata me kriminelë e analfabete si Aqif Rakipi me shokë e ne me njerëz të vlerave, kulturës, intelektualë .

Ata me dhunë, shantazh, terror shtetëror banditësh me një polici në rastin më të mirë në gjunjë para krimit dhe në shumicën e rasteve shoqëruese e mbrojtëse e krimit, ne me program, me ide, me vizion, me zgjidhje për hallet e panumërta të shqiptarëve të cilat për katër vjet i prekëm derë më derë e shtëpi më shtëpi.

daj dua t’ju shpreh mirënjohjen time më të thellë sepse nuk ka qenë thjesht një betejë e pabarabartë. Por ka qenë një masakër kapilare zgjedhore ku ditë për ditë dalin e zbulohen fakte, prova e dimensione të reja të kësaj masakre.

Jeta e gjithsecilit prej nesh, e gjithsecilit prej atyre që përfaqësonin këtu demokratët e Kavajës, e qytetarëve, bashkëqytetarëve tuaj shënohet nga momente të veçanta dhe unë besoj se ky është një nga ato momente të veçanta kur na duhet të marrim vendime të mëdha. Padiskutim këto kanë qenë vite të vështira, nuk kanë qenë vite as privilegjesh e as përkëdhelje, as për mua dhe lidershipin tim, por as për ju dhe ju jeni vetë dëshmitarë e kësaj që po them sepse keni qenë bashkëshoqëruesit e bashkëluftëtarët e këtyre sakrificave.

Por ajo që kemi arritur së bashku nuk mund të hidhet përtokë, as të bëjmë sikur s’e shikojmë për interesa apo mërira të çastit. Ne kemi arritur bashkimin më të madh të zemrave për shkak të vlerave tona, për shkak të synimeve tona, për shkak të programit tonë. Ne kemi arritur frontin më të madh opozitar në 30 vjet pluralizëm dhe bashkimin më të madh shoqëror me të gjithë grupet e interesit dhe të gjithë qytetarët që është edhe arsyeja sepse regjimi kreu masakrën më të madhe zgjedhore.

Ajo që ka ndodhur me 25 prill nuk është një proces tjetër zgjedhor me disa probleme. Me 25 prill ka rënë perdja e hekurt dhe është asgjësuar instrumenti i vetëm i ndryshimit që kishte mbetur që janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Ka rënë demokracia.

Demokraci do të thotë vullnet i shumicës dhe kur vullneti i shumicës tjetërsohet dhe pakica i mbivendoset me të gjithë mekanizmat, atëherë nuk kemi të bëjmë më me demokraci, atëherë kemi të bëjmë me një regjim. Sepse njësoj si në 91-shin , 25 prilli njësoj si me 31 mars kishte zgjedhje pa zgjidhje.

Pa zgjidhje sepse vullnetit të shumicës për ndryshim, për rotacion, aspiratës dhe shpresës së shumicës së shqiptarëve për të larguar regjimin e 8 viteve dhe për t’i hapur rrugë ndryshimit, iu mbivendos me dhunë dhe me mekanizmat e shtetit të krimit pakica.

Pra, beteja sot nuk është më një përballje midis dy kampeve politike dhe nuk është një përballje thjesht dhe vetëm për të rritur e shtuar mbështetjen elektorale. Beteja sot është ekzistenciale, do të kemi apo s’do të kemi demokraci në këtë vend. Detyra jonë është që në këtë betejë të organizojmë dhe të marrim me vete pikërisht atë shumicë të dhunuar të 25 prillit e cila sot pikëpyetjet e para 25 prillit i ka edhe më të mëdha. Atë shumicë që votoi për ndryshim dhe që dhunshëm iu mohua përkohësisht ndryshimi, e cila sot jo vetëm nuk është e kënaqur, por është e shokuar, e tronditur, e zhgënjyer nga njëra anë, dhe nga na tjetër akoma më e dëshiruar për ndryshimin.

Kjo është gjendja që ju e njihni. Tani çështja është kush do ta bëjë këtë punë. Kush përveç nesh e ka forcën për ta bërë këtë punë? Kush përveç nesh e ka moralin për ta bërë këtë punë? Kush përveç nesh e ruajti besimin e shqiptarëve për ta çuar deri në fund misionin dhe kërkesat e vullnetin e tyre për ndryshim? Ndaj kemi një detyrim të dyfishtë jo vetëm përpara sakrificës së demokratëve të cilët ju pritë në këtë betejë, por mbi të gjithë para fateve të Shqipërisë, para fateve të shqiptarëve dhe familjeve tyre për ta çuar betejën deri në fund.

Dhe ne e kemi matur veten tonë këto 30 vite jo me sa herë na ka rrëzuar fati apo tekat e historisë, por me sa herë kemi ditur të ringrihemi dhe me çfarë fuqie kemi ditur të ringrihemi dhe si e kemi projektuar këtë fuqi tek individët, tek qytetarët për t’i marrë me vete në këtë betejë.

Pra, njësoj si në zemrat e shqiptarëve, zemëratës së ligjshme për padrejtësinë e 25 prillit, po i lë vend pikëpyetjet për hapat që do të hedhim, ne na lind detyra që pas zemëratës t’i japim përgjigje këtyre pikëpyetjeve.

Përgjigja e parë që keni marrë nga kryetari i Partisë Demokratike që në ditët e para që duhet të kumbojë fort nga Kavaja e kudo në Shqipëri edhe njëherë, është që ne as i njohim dhe as nuk do ta pranojmë kurrë masakrën zgjedhore të 25 prillit. Ne do t’i bindim aleatët tanë për masakrën zgjedhore, për vjedhjen më të madhe industriale të votave në histori dhe do të përgatisim bashkë me ta shumë shpejt një platformë për t’i rikthyer legjitimitetin dhe demokracinë vendin. Ne jemi shpresa e vetme për demokraci dhe arsyeja se pse jemi të tillë është aleanca që kemi krijuar me njerëzit, ndaj duhet ta thellojmë këtë aleancë me shoqërinë, me të gjithë shtresat dhe me të gjithë njerëzit e ndershëm të këtij vendi që janë shumica absolute përballë një pakice të pakicës.”, tha Basha.

alert.al/

Vrasja e Klodian Rashës, prokurori jep pretencën, ja sa mund të dënohet ish-polici

Është dhënë sot pretenca për ish-policin Nevaldo Hajdaraj. Prokuroria e Tiranës ka kërkuar 20 vjet burgim, por me gjykimk të shkurtuar mbeten 13 vite e 4 muaj. Gjykata ka pranuar kërkesën e avokatit mbrojtës të Nevaldo Hajdarajt për gjykim të shkurtuar. Evektivi Hajdaraj akuzohet për “vrasje me dashje”. Seanca u ndoq edhe nga babai i viktimës, Qazim Rasha.

Vrasja e Klodian Rashës ka sjellë reagim shoqëror, sidomos në Tiranë. Qytetarë të shumtë kanë dalë në protestë, në lidhje me ekzekutimin e të riut në mesnatë. Banesën e familjes Rasha e vizitoi kryeministri Rama, si dhe presidenti Meta. Edhe kryedemokrati Basha reagoi për ngjarjen, ndërsa ministri i Brendshëm në detyrë Lleshaj dha dorëheqjen.

alert.al/

Seanca për Teatrin/ Kushtetuesja i dha kohë Presidencës për provat, juristja e Aleancës: Fitore e momentit, u plotësuan 2 nga 3 kërkesat

Gjykata Kushtetuese i jep kohë për provat shtesë Presidencës deri më 8 qershor Juristja e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, Adriana Kalaja në një prononcim për mediat tha se Gjykata Kushtetuese pranoi 2 prej 3 kërkesave të parashtruara nga ata.

Brenda datës 8 qershor ora 12:00 duhet që të sillen dokumentet e listuara nga kërkuesi, ndërsa la afat datën 10 qershor për shpjegimet shtesë pasi të paraqiten dokumentet e reja.

Teksa e cilësoi si një fitore të momentit, juristja Kalaja tha se është kërkuar që në seancë të paraqitet edhe një ekspert për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, ku do të vërtetohet sipas saj se teatri Kombëtar ka qenë një vepër arti.

“Ne parashtruam disa kërkesa paraprake. Nga këto kërkesa dy nga 3 u pranuan. Kjo është fitore e momentin. Sot e çmojmë se nisi çështja në Gjykatën Kushtetuese. Ato që kemi kërkuar ne, mënyrën se si e kemi ngritur çështjen në Kushtetuese, do ta detyrojmë që të jetë pro teatrit. Krkuam marrjen e provave që daton që në 1937 që kanë të bëjmë me blerjen e votës. Ne kemi parashtruar në kërkesat paraprake se jo vetëm që jemi bashkuar me palën e presidentit, si palë e trete, po kemi kërkuar përveç dëshmitarëve pe të na lënë të paraqesim ekspertë. Eksperti do të jetë në fushën e trashëgimisë kulturore, një ekspert që ka dijeni të posaçme. Ngërçi është se palët e interesuara, duke nisur nga Kuvendi, Kryeministria, ministria e Kulturës dhe asaj të Financave dhe bashkia Tiranë sjellin argumentin se Teatri nuk ka qenë monument kulture. Ne do të vërtetojmë se teatri jo vetëm që ka qenë pjesë e zonës historike, monument kulture, por heqja është bërë për t’ju hapur rrugë prishjes së Teatrit.”, tha Kalaja.

Nga ana tjetër Gjykata Kushtetuese nuk ka vlerësuar thirrjen e dëshmitarëve në këtë proces.
Sipas Kushtetueses, secila palë duhet të paraqitet me nga një ekspert që kanë njohuri të posaçme për çështjen. Seanca e radhës u vendos më 15 qershor 2021.

“Pati një rrëzim të kërkesës për dëshmitarë. Por nga ana tjetër gjykata vlerësoi dhe i dha mundësi palëve në proces të paraqiten me ekspertë të tyre të profesionalizuar për çështje të trashëgimisë kulturore. Kjo është një risi në këtë proces në Gjykatën Kushtetuese, i cili besojmë fort se do të risjellë drejtësinë kushtetuese në Shqipëri, në mbrojtje të vlerave të trashëgimisë kulturore kombëtare, të identitetit tonë kombëtar që për fat të keq u cenuar, por që mundet të rikuperohet dhe ka kohë tani”, deklaroi Bledar Dervishaj, përfaqësues ligjor i Presidentit.

alert.al/

Mina me telekomandë të lidhura me celular, në shitje për 3 mijë euro

Në Durrës janë kapur nga Policia e Shtetit tri mina me telekomandë të lidhura me celular, gati për t’u shitur. Sipas njoftimit, tre të arrestuarit janë nga Sukthi dhe po shkonin për t’i çuar mjetet shpërthyese tek klientët e tyre.

Njoftimi i Policisë

Finalizohet operacioni policor i koduar “Muzeu”.

Operacioni i zhvilluar nga  strukturat e DVP Durrës, për goditjen e veprimtarisë kriminale të prodhimit dhe shitjes së minave me telekomandë.

Kapen dhe arrestohen në flagrancë 3 shtetas.

Sekuestrohen tri mina me telekomandë.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Durrës, në bashkëpunim me Sektorin e Trafiqeve të Paligjshme dhe te Krimeve Kundër Personit në DVP Durrës në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative se disa persona me tendencë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së minave me telekomande po tentonin të shisnin disa mina me telekomandë, kanë organizuar punën dhe në bashkëpunim me patrullat e përgjithshme kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Muzeu”.

Në kuadër të këtij operacioni, në vendin e quajtur “Muzeu”, në lagjen nr. 9 në Durrës, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetaseve:

 – I. A., 47 vjeç, B. Ç., 31 vjeç dhe E. B ., 37 vjeç, të tre lindur në Dibër dhe banues në Sukth, Durrës.

Këta shtetas u kapën duke udhëtuar me një automjet tip “Volvo” me drejtues shtetasin I. A.  dhe pasagjerë shtetasit B. Ç. dhe E. B. Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet nga shërbimet e Policisë u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale tri mina të montuara dhe të lidhura me telefon.

Nga hetimet paraprake rezultoi se  këta shtetas do të shisnin disa mina me telekomandë në qytetin e Durrësit, kundrejt shumës 2500-3000 euro copa.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

alert.al/

Ambasadorja Yuri Kim: Të funksionojë Gjykata e Lartë, pavarësisht shkëmbinjve që bllokojnë rrugën

Ambasadorja e SHBA ka kërkuar që Reforma në Drejtësi të vazhdojë me vënien në funksion të Gjykatës së Lartë, pavarësisht pengesave që mund të dalin. Apeli i saj u bë gjatë fjalës së mbajtur para gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe përfaqësuesve të tjerë të drejtësisë.

Fjala e plotë e Ambasadores Yuri Kim

Të nderuar Kryetar dhe gjyqtarë të Gjykatës së Lartë, përfaqësues të nderuar të institucioneve shqiptare të drejtësisë, partnerë, të dashur të ftuar. Është kënaqësi për mua të marr pjesë në këtë aktivitet. E vlerësoj ftesën dhe mundësinë.

Në vitin 2016, Qeveria e SHBA mbështeti ndryshimet kushtetuese dhe ligjore, të cilat krijuan një kornizë për reformën gjithëpërfshirëse të drejtësisë në Shqipëri. Jam krenare që jam këtu sot për të ripohuar mbështetjen tonë të vazhdueshme për reformën në drejtësi dhe miratimin e kësaj pakete të fundit të ndryshimeve ligjore. Këto ndryshime të fundit përbëjnë një moment të rëndësishëm historik në përpjekjet e Shqipërisë për reformën në drejtësi dhe do të lehtësojnë shqyrtimin e çështjeve nga Gjykata e Lartë.

Gjatë qëndrimit tim këtu në Shqipëri, më kanë treguar shumë herë për rëndësinë e maleve për historinë e Shqipërisë. Historia e reformës në drejtësi nuk është e ndryshme nga kjo.

Që nga viti 2016, ju, aktorët kryesorë në sistemin e drejtësisë së Shqipërisë, së bashku me popullin e Shqipërisë, keni qenë duke iu ngjitur një mali. Ky ka qenë një shteg i kthesave të papritura, sfidave dhe pengesave të paparashikuara. Jam këtu sot për t’ju kujtuar se po i afroheni majës. Ju them se pamja nga lart është e një të ardhmeje më të ndritur dhe me mundësi më të mira. Vizioni se ku mund të shkoni nga atje është i qartë. Ne do të arrijmë atje së bashku, hap pas hapi.

Një Gjykatë Kushtetuese plotësisht funksionale është një hap që duhet ta ndërmerrni për të vazhduar ngjitjen e malit. Ju po lëvizni në drejtimin e duhur, por unë e nxis Këshillin e Lartë Gjyqësor që të përfundojë procedurat për vlerësimin dhe të rendisë e caktojë kandidatët më të mirë të verifikuar që kanë aplikuar për ngritje në detyrë në Gjykatën e Lartë. Sapo Këshilli ta bëjë këtë, kjo do të hapë rrugën për udhëtimin e Gjykatës së Lartë drejt majës së malit. Majën mund ta arrini vetëm nëse punoni së bashku.

Në opinionin e tij të qershorit 2020, Komisioni i Venecias nënvizoi se funksionimi i Gjykatës së Lartë mund të jetë edhe më vendimtar për stabilitetin e Shqipërisë, sesa prania e Gjykatës Kushtetuese. Për këtë qëllim, jam krenare për punën që po bëjmë për të zvogëluar numrin e çështjeve të prapambetura të Gjykatës së Lartë dhe për të vendosur politika që parandalojnë përsëritjen e tyre. Përmes punës së Nëpunësve për Uljen e Numrit të Çështjeve të Prapambetura, të mbështetur nga SHBA, ne po bëjmë pjesën tonë që të përmirësojmë efikasitetin në Gjykatën e Lartë dhe për të siguruar që një Gjykatë e Lartë funksionale të ndihmojë për t’u siguruar qytetarëve shqiptarë qasje në drejtësi, një pikë thelbësore për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.

Institucionet e drejtësisë, përfshirë Gjykatën e Lartë, janë tashmë funksionale dhe reforma në drejtësi po sjell zhvillime dhe rezultate pozitive. Publiku shqiptar meriton të shohë se çfarë janë

të afta të bëjnë këto institucione me të pasur kapacitet të plotë! Të gjithë jemi duke iu ngjitur së bashku majës së atij mali. Shqipëria është tani në kulmin e reformës reale në drejtësi.

Shtetet e Bashkuara ju nxisin të ruani ritmin dhe punën e mirë, pavarësisht nga pengesat që hasni, dhe pavarësisht nga shkëmbinjtë që bllokojnë rrugën tuaj. Të japësh drejtësi është një sipërmarrje e rëndësishme dhe sfiduese. Mbështetja jonë për ju dhe sistemin do të vazhdojë! Do të takohemi në majë!

Faleminderit!

alert.al/

Edhe ministrja Evis Kushi në Turqi me Ramën: “Së shpejti Universiteti Teknik i Stambollit në Shqipëri”

Në Tiranë do të hapet një filial i Universitetit Teknik të Stambollit. Lajmin e njoftoi ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi, e cila gjendet në Turqi me delegacionin e kryeministrit Rama.

Në kuadër të vizitës dyditore të delegacionit shqiptar në Turqi për shtimin e bashkëpunimeve dypalëshe mes dy vendeve tona, ministrja ka zhvilluar sot në Ankara një takim me Presidentin e Këshillit të Arsimit të Lartë të Republikës së Turqisë, Prof. Dr. M. A. Yekta Saraç.

Në lidhje me takimin, Ministrja Kushi nënvizon përmes publikimit në rrjet social se takimi ka qenë shumë i frytshëm dhe se palët kanë dakordësuar mbi planin e veprimit për hapjen së shpejti të filialit të Universitetit Teknik të Stambollit (ITÜ) në Shqipëri.

Ndër të tjera, Znj. Kushi përmend faktin se kanë diskutuar gjerësisht gjithashtu për për intensifikimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Turqisë nëpërmjet projekteve konkrete në fusha me interes të përbashkët për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor.

alert.al/