Menu

Kryesore

Shenja në lëkurë tregojnë se keni reaksion alergjik ndaj paracetamolit

Paracetamoli funksionon ndryshe në varësi të asaj që nuk shkon me trupin. Në rastin e një dëmtimi, ai bllokon sinjalet në tru që i tregojnë trupit se ka dhimbje.

Ndërkohë, gjatë temperaturës, paracetamoli synon zonat e trurit që rregullojnë temperaturën e trupit. Ilaçi kundër dhimbjeve mund të përdoret për të gjitha llojet e gjendjeve, duke përfshirë dhimbjet e shpinës, dhimbjet e kokës, migrenën dhe dhimbjet e stomakut. Megjithatë, si të gjitha barnat, ka disa efekte anësore, megjithëse të rralla, për marrjen e paracetamolit.

Disa prej tyre janë të menaxhueshme, të tjera kërkojnë praninë e menjëhershme të mjekut. Një nga këto është lëkura që kthehet në të verdhë të zbehtë; kjo njihet edhe si verdhëza. Nëse kjo ndodh, kontaktoni menjëherë një mjek. Ky nuk është i vetmi efekt anësor që duhet të rezultojë në një thirrje te një profesionist mjekësor. Nëse frymëmarrja është e vështirë, në mënyrë të parregullt e shpejtë ose e ngadaltë, ose e cekët, duhet të konsultoheni me një mjek. (Telegrafi)

Qendra Alert/Alert.al

OBSH, thirrje kundër heqjes së masave kufizuese ndaj covid-19

Ndërsa disa vende evropiane kanë filluar të reduktojnë ose heqin masat kufizuese për frenimin e përhapjes së COVID-19, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) po bën thirrje për qasje të kujdesshme pasi coronavirusi vazhdon të përhapet.

Danimarka hoqi shumicën e kufizimeve kundër COVID-19, duke përfshirë rregullat për përdorim të detyrueshëm të maskave në vende publike dhe çertifikatat e vaksinimit për të hyrë në ambiente të mbyllura publike. Zyrtarë të qeverisë daneze thanë se ata nuk e konsiderojnë më COVID-19 një “sëmundje kritike sociale”. Franca, Britania dhe vende të tjera evropiane po ndjekin shembullin e Danimarkës.

Në një konferencë shtypi  në selinë e agjencisë në Gjenevë, Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se nuk është një veprim i matur që vendet të dorëzohen tani, ose të shpallin fitoren ndaj pandemisë. Tedros tha se varianti Omicron i koronavirusit vazhdon të jetë shumë i transmetueshëm dhe vdekjeprurës. Ai tha se në 10 javët që nga identifikimi i variantit Omicron, janë raportuar pothuajse 90 milionë raste, më shumë se totali i të gjitha rasteve me Covid-19 në vitin 2020. Ai tha se OBSH-ja tani ka filluar të shohë një rritje shumë shqetësuese të vdekjeve në shumicën e rajoneve të botës. Në të njëjtën konferencë shtypi, drejtuesja e OBSH-së për pandeminë e COVID-19, Maria Van Kerkhove u bëri thirrje vendeve të botës të jenë të kujdesshme në lidhje me heqjen e kufizimeve, duke mos i hequr “të gjitha menjëherë”. Ajo sugjeroi një proces më gradual, sepse shumë vende nuk e kanë arritur ende kulmin e infeksioneve me Omicron dhe të tjerat kanë nivele të ulëta vaksinimi, veçanërisht në mesin e grupeve të pambrojtura të popullatës së tyre.

Qendra Alert/Alert.al

Konferenca ONE në YouTube

Autorët po prezantojnë punën/hulumtimin e tyre në video të shkurtra duke konkurruar në konkursin e Konferencës ONE në YouTube, që do të zhvillohet nga 1 deri më 28 shkurt. Shfletoni videot sipas listës tematike dhe votoni! Çmimi për fituesit është një udhëtim në Bruksel për të ofruar një fjalim të drejtpërdrejtë në konferencë në qershorin e ardhshëm.

Për të votuar, klikoni mbi titullin e videos suaj të preferuar dhe jepni një pëlqim në kanalin e EFSA-së në YouTube. Ju lutemi vini re se shikuesit duhet të jenë të identifikuar në llogarinë e tyre të Google për të qenë në gjendje të votojnë. (EFSA)

Qendra Alert/Alert.al

Grafiku / Sa shtrenjtë po na kushton jetesa

Rritja e çmimeve në vend nuk duket se ka të ndalur, një tendencë në fakt kjo e konstatuar në gjithë globin. Nga fillimi i shkurtit, çmimet e karburanteve u rritën sërish edhe me 8 lekë për litër, duke arritur nivele rekord, teksa po i afrohen 200 lekëve për litër.

Dhe jo vetëm karburantet. Në muajt e fundit të vitit 2021 dhe fillim të 2022, familjet shqiptare pothuajse çdo produkt po e blejnë më shtrenjtë. Në dhjetor, inflacioni, që mat ndryshimin e çmimeve të një shporte bazë mallrash, arriti në nivelin më të lartë të dekadës prej 3.7%, që do të thotë që çmimet e produkteve që konsumon një familje në një muaj janë mesatarisht 3.7% më shtrenjtë. Grafiku i ndryshimeve vjetore të Indeksit të Çmimeve të Konsumit, sipas grupeve e nëngrupeve kryesore (shiko në fund) tregon se shtrenjtimi i çmimeve për pjesën më të madhe të produkteve në dhjetor 2021 ishte shumë më i lartë sesa e njëjta periudhë e një viti më parë.

P.sh., buka dhe drithërat kushtojnë 6.3% më shtrenjtë, pasi çmimi i një buke nga 80 lekë u bë 90 lekë.

Mishi kushton 3.3% më shtrenjtë. Një kg mish kushton 900 lekë, nga 800-850 lekë që shitej m ëparë.

Frutat i blejmë 11.3% më shumë, zarzavatet dhe patatet janë 11.7% më të shtrenjta. 3.8% m♪ të shtrenjta ishin dhe Qumështi, djathi dhe veza.

Edhe në kafe e restorante paguajmë 3.5% më shumë.

Shtrenjtim të ndjeshëm kanë shënuar “Shërbime ndaj mjeteve personale të transportit” (+13.6%), “Transporti” (+9%), “Vajra dhe yndyra” (+9.4%), “Sheqer, reçel, mjaltë, shurup, çokollata, dhe ëmbëlsira” (+5.6%). Më shumë duhet të paguash edhe për komunikimin (+3.3%). Edhe për argëtim e kulturë duhet të paguajmë 4.2% më shumë.

Më lirë se një vit më parë janë vetëm “Këpucët për burra” (-0.9%), “Pajisje gatimi” (-1.9%), “Blerje mjetesh transporti” (-2.3%), “Ngrohës dhe kondicionerë” (-1.8%).

Nga 63 grupe dhe nëngrupe që raporton INSTAT, vetëm për 6 prej tyre është shënuar rënie çmimesh, për dy nuk ka ndryshuar, ndërsa 87% e tyre janë bërë më të shtrenjta.

Shpenzimet mujore të një familjeje rriten me rreth 3 mijë lekë në muaj, vetëm nga inflacioni

Sipas anketës së buxhetit të familjes të INSTAT, një familje mesatare në vend me 3.6 persona shpenzonte në muaj 83.5 mijë lekë (e dhëna për vitin 2020), nga të cilat rreth 42% shkojnë për ushqime e pije joalkoolike.

Vetëm në dhjetor 2021, kur inflacioni u rrit me 3.7%, një familje ka shpenzuar rreth 3 mijë lekë më shumë për të blerë produktet dhe siguruar shpenzimet e nevojshme të muajit. Në fund të tremujorit të tretë, sipas INSTAT, paga mesatare mujore për një të punësuar ishte 56.4 mijë lekë, me një rritje prej 2.7% në krahasim me fundin e 2020-s. Me inflacionin mesatar që në 2021 ishte rreth 2% (rritja e fortë e çmimeve filloi në gjysmën e dytë të vitit), paga reale është rritur vetëm me 0.7%. Nëse shtrenjtimi i çmimeve vazhdon me këto ritme, rritja e pagës reale mund të rezultojë negative, duke çuar në frenimin e konsumit.

 

 

Rritja e çmimeve nuk po ndalet as në Europë, transmetim edhe në Shqipëri

Inflacioni në zonën euro vlerësohet të ketë arritur në 5.1% në janar 2022, nga 5% që ishte në dhjetor 2021, sipas vlerësimeve paraprake që ka bërë Eurostat, (Instituti i Statistikave të Europës), i ndikuar nga çmimet e energjisë. Sipas Bankës së Shqipërisë, gati gjysma e inflacionit ndikohet nga çmimet e importuara, ndaj një rritje e tyre në Eurozonë, ku bëjnë pjesë partnerët kryesorë të vendit pritet të vijojë ta ndikojë negativisht edhe Shqipërinë. Edhe faktorë të brendshëm pritet të vijojnë të ndikojnë negativisht, si rritja e kostove të prodhimeve bujqësore nga ngricat dhe ndryshimet fiskale. Në peshën e shpenzimeve, ushqimet dhe pijet në vend zënë rreth 42% të totalit (më e larta në Europë, që e ka mesataren rreth 13%), ndaj shtrenjtimi i ushqimeve ka ndikim të lartë në inflacion. Ndonëse çmimet e energjisë për konsumatorin final nuk janë rritur, shtrenjtimi i energjisë për rreth 7400 biznese që duhet të dalin në tregun e liberalizuar ka filluar që në janar, kur këto subjekte do e blejnë energjinë pothuajse dyfish, çka mund të transmetohet te kosto e produkteve të tyre. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Skema e TVSH-së dëmtoi prodhuesit vendas të qumështit

Tkurrja e blegtorisë, rënia e numrit të krerëve dhe ndryshimet e vazhdueshme të skemës së kompensimit të TVSH-së kanë rritur nevojën për importe të bulmetit nga jashtë vendit. Të dhënat e INSTAT mbi tregtinë e jashtme, gjatë vitit 2021, tregojnë se importet e bulmetit, vezëve dhe mjaltit u rritën me 27% vitin e kaluar, duke arritur vlerën totale prej 4,7 miliardë lekësh (38,8 milionë euro).

Të dhëna më të detajuara tregojnë se, importet në këtë grup udhëhiqen nga bulmeti dhe se rritja gjatë vitit 2021 është krijuar nga shtimi i importeve të qumështit nga Serbia, e cila ka ndikuar në 25% të totalit të rritjes totale. Importet e bulmetit nga ky vend arritën në 327 milionë lekë në vitin 2021, me një rritje 251% në raport me vitin 2020.

Importuesit kryesorë janë fabrikat e qumështit, disa prej të cilave furnizohen me lëndë të parë nga Serbia, për shkak se kostot shpesh janë më të ulëta se ato nga tregu vendas. Serbia ishte partneri i tretë tregtar pas Italisë dhe Gjermanisë në importet e bulmetit dhe vezëve. Rritja e importeve të qumështit u favorizua më së shumti nga një skemë fiskale e pafavorshme që u ndoq pas vitit 2019. Para këtij viti, në skemën e vjetër, vlera e kompensimit të TVSh-së ishte 20%, ndërsa nga 1 janari 2019 është 6%, për rrjedhojë pagesa e TVSH-së nga blerësit është së paku trefish më e lartë. Nga 1 janari 2022, TVSH e kompensuar është zero, ndërsa fermerët do të kompensohen, sipas një skeme që ende nuk është bërë e ditur nga Ministria e Bujqësisë. Heqja e kompensimit të TVSH-së u kundërtshtua fort nga prodhuesit e qumështit, me argumentin se do të rriste më tej kostot e prodhimit dhe do të reflektohet në shtrenjtimin e çmimeve.

Ndryshimet e shpeshta në skemën e TVSH-së rritën varësinë nga importet. Administratorët e fabrikave të përpunimit të qumështit kishin pohuar se, importi i qumështit bruto nga Ballkani është më me leverdi se blerja nga fermerët në tregun vendas. Fabrikat gjithnjë e më shumë po preferojnë të importojnë lëndën e parë, por kjo tendencë do të thotë faliment për blegtorët shqiptarë dhe rënie drastike e fitimeve të tyre.

Pesha e Serbisë në produktet e bulmetit është rritur ndjeshëm në pesë vitet e fundit. Në Shqipëri ka mbi investime në linjat e përpunimit të qumështit në një kohë që lënda e parë sa po e vjen e po tkurret nga rënia e numrit të bagëtive. Për të mbajtur normat e prodhimit, disa fabrika marrin lëndë të parë jashtë vendit, por vitet e fundit furnizimet me bulmet nga Serbia dhe Ukraina janë rritur ndjeshëm. Në krahasim me para-pandeminë, importet e bulmetit nga Serbia u rritën me 36%. Të dhënat e INSTAT tregojnë se deri në vitin 2018, importet e bulmetit nga Serbia ishin zero dhe blerjet nga kompanitë shqiptare të këtij produkti nga Serbia filluan vetëm në vitin 2019.

 

Bie numri i krerëve në blegtori dhe qumështit të grumbulluar

Sipas të dhënave të INSTAT, numri i krerëve në blegtori ka rënë dukshëm vitet e fundit. Numri i gjedhëve në vitin 2020 është 362.583 krerë, duke shënuar rënie me 12,76%, në krahasim me vitin 2019. Numri i të leshtave është 1,55 milionë krerë, duke shënuar rënie me 11,40%, krahasuar me vitin 2019. Gjithashtu numri i dhive në vitin 2020 ishte 774.332 krerë, duke pësuar rënie vjetore me 10,26%, në krahasim me vitin 2019. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2020, sasia gjithsej e qumështit të grumbulluar rezulton rreth 119 mijë tonë, duke pësuar rënie me 14,80 %, krahasuar me vitin 2019. Gjatë kësaj periudhe, sasia e qumështit të grumbulluar të lopës është rreth 101 mijë tonë, duke pësuar rënie me 18,45%, krahasuar me 2019.

Aktualisht Serbia e subvencionon tërësisht ciklin e prodhimit në bujqësi dhe agropërpunim. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Rritja e karburanteve rëndon xhepat e fermerëve

Rritja e çmimit të bazës ushqimore për bagëtitë, karburantit, ulja e çmimit të qumështit, mungesa e kullotave kanë bërë që fermerët dhe blegtorët e zonës së Sektor Semanit në Fier të kalojnë një periudhë pasigurie dhe frike për të ardhmen. Sipas tyre, politikat mbështetëse kanë munguar edhe pse shpeshherë apelojnë që të tregohet vëmendje për këtë sektor. Fermerët shprehen se po harxhojnë më shumë se sa po fitojnë, ndërsa i bëjnë thirrje shtetit që të ndërhyjë për të ulur çmimet e shpenzimeve. “Jemi zero. Nafta ka shkuar 2 mijë lekë litri. Shteti e ka në dorë sepse me këto mbahen të gjitha punët. Çmimet janë në stratosferë, sidomos nafta. Toka nuk po punohet”-shprehen fermerët.

Qendra Alert/Alert.al

Sallatë e sigurt, si ta ruajmë nga kontaminimi, në uljen e ngarkesës mikrobike

Larja e sallatës para se ta sillni në tavolinë është një rregull i thjeshtë, por i rëndësishëm i higjenës në kuzhinë që të gjithë e dinë. Por, mund të mos mjaftojë në shmangien e infeksioneve të rrezikshme ushqimore, siç dëshmohet nga shpërthimet e shpeshta të shkaktuara nga sallatat e kontaminuara me Escherichia coli , Salmonella dhe Listeria monocytogenes. Për këtë mund të jetë një ide e mirë të shtoni një substancë dezinfektuese në ujin e rubinetit. Po, por cila? Studiuesit nga Universiteti i Teramos u përpoqën ta kuptonin këtë, me një studim të sapo publikuar në Journal of Food Safety .

“Ne krahasuam larjen vetëm me ujë dhe trajtimin me tre solucione dezinfektuese (hipoklorit natriumi, bikarbonat natriumi dhe vaj esencial kanelle) për të eliminuar Salmonellën nga sallata, – shpjegon Antonello Paparella, profesor i mikrobiologjisë ushqimore dhe autor i studimit.

Duke vlerësuar gjithashtu nëse dezinfektuesi i mbetur në gjethe mund të parandalojë rikontaminimin nga vetë mikroorganizmi, siç mund të ndodhë kur sallata tashmë e larë bie në kontakt me sipërfaqet e kontaminuara, në një pjatë ose në frigorifer.

Studiuesit zbuluan se edhe pse larja vetëm me ujë mund të zvogëlojë ndjeshëm sasinë e mikroorganizmave të pranishëm në gjethet e marules (larmia e zgjedhur për testim), shtimi i substancave dezinfektuese mund të shpërbëjë më tej ndotjen. Në mënyrë të veçantë, 2% hipoklorit natriumi (i njohur për shumicën si zbardhues ose me emrin tregtar Amuchina) dhe 0,5% vaj esencial kanelle janë provuar të jenë veçanërisht efektive. Të dy substancat jo vetëm që funksionuan për të dekontaminuar sallatën, por gjithashtu parandaluan rikontaminimin e mëvonshëm të gjetheve nga Salmonella. Një efekt që mbetet edhe pas 48 orësh ruajtje në frigorifer në 8°C (temperatura që gjendet më shpesh në pajisjet elektroshtëpiake).

Një aspekt tjetër pozitiv është se trajtimi me këto dy substanca nuk ka një efekt veçanërisht të dëmshëm në pamjen, strukturën dhe shijen e sallatës. Nuk u vunë re ndryshime në ngjyrë, por një ndryshim në shije (i quajtur më “pikante”) u raportua menjëherë pas trajtimit me vaj esencial kanelle. Megjithatë, pas dy ditësh qëndrimi në frigorifer, me shpërndarjen e substancave aromatike të avullueshme, karakteristikat shqisore të marules bëhen sërish të pranueshme.

Po soda e bukës? Edhe pse është një zgjidhje popullore për larjen e sallatave nuk është treguar të jetë efektive as për reduktimin e ngarkesës mikrobike të pranishme në marule, as për të shmangur rrezikun e rindotjes në frigorifer. Pra, për një sallatë më të sigurt është më mirë të lini të qetë sodën e bukës dhe në vend të kësaj të preferoni hipokloritin e natriumit ose për një alternativë natyrale, vajin esencial të kanellës. (Journal of Food Safety)

Qendra Alert/Alert.al

Oreksi dhe humori shkaktojnë furtunë në AKU, rrokadë drejtorësh brenda Drejtorisë së Përgjithshme, institucioni drejt shkatërrimit. Ja emrat që ndërrojnë karriget

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit duket se nuk gjen paqe. Megjithë ngarkesën e punës së përditshme dhe rëndësinë e misionit, ndryshimi i përvitshëm i drejtorëve, bën që secili prej tyre të vijë me idetë e tij, dëshirat e tij, bën që stafet të përballen me humore dhe orekse të ndryshme. Veç asaj, edhe me lëvizje sipas dëshirave, falë dhe faktit që ky emërimet, lëvizjet e gjithçka tjetër në AKU funksionin me Kodin e Punës.

Jeta Deda

Lajmi më i fundit që vjen në AKU ka të bëjë me një rrokadë drejtorësh brenda institucionit. Prej disa ditësh përflitej në korridoret e AKU se tre prej drejtorëve më të rëndësishëm do t’ë shkëmbehen me njëri-tjetrin, gjë që pritet të ndodhe ditën e premte ose javën e ardhshme. Por, gjasat janë të premten, pasi lëvizje që shkaktojnë dhe merzitje apo reagime ndodhin në ditën e fundit të punës dhe fundjava i ul tensionet. Megjithëse pa ndonjë motiv të fortë dhe gjë që nuk do të përmirësojë aspak performancen e këtij institucioni, Drejtoresha e Përgjithshme ka vendosur që, Drejtorin e Menaxhimit të Riskut, Z.Azbi Arapi ta emërojë Drejtor të Komunikimit të Riskut dhe Monitorimit, në vend të Z.Manush Kullolli. Ky i fundit pritet të emërohet Drejtor iu Vlerësimit të Riskut në vend të Dashmir Qelit. Drejtori i Vlerësimit do të zërë vendin e Z.Arapi, në krye të Menaxhimit të Riskut. Qeli ka kryer studimet për dhe më pas për Kontabilitet-Financë, diku mes viteve 1995-2010 dhe të të njëjtën kohë ushtronte detyra publike si Drejtor i Ndërmarrtes së Ujësjellësit në Gjirokastër.

Megjithëse në krye të menaxhimit të emërohet një person që s’ka lidhje me sigurinë ushqimore, siç ishte fatkeqësi të ishte të Vlerësimi, apo edhe disa ndryshime tjera, nuk e pengojnë aspak Drejtoreshën e Përgjithshme Jeta Deda t’a shndërrojë këtë institucion në “stan me lepuj”. Kjo, për faktin se AKU mund të jetë ndër të vetmet institucione shqiptare që u nxorr qëllimisht nga Shërbimi Civil, ndër të vetmet që funksionon pa një rregullore të brendshme, pa përshkrime pune të sakta etj. dhe ndoshta i vetmi institucion që gjeneron pará për drejtuesin madhor dhe për ata me të cilët duhet të dijë t’i ndajë.

Pak ditë më parë, Drejtoresha e Përgjithshme e AKU iu dha vërejtje me paralajmërim për largim nga puna 15 inspektorëve të Drejtorisë Rajonale Tiranë. Ndërsa “detyroi” Drejtorin e Shërbimeve të Brendshme të jeptë dorëhqjen, vetëm se ky i fundit nuk pranoi dhe nuk mund të bënte largime njerëzish nga puna apo lëvizje pa kriter, pa asnjë arsye dhe bazë ligjore. Në këto kushte pune e presioni, ai dha dorëheqjen nga detyra që e mbante që në vitin 2013.

Qendra ALERT – Alert.al

Oksidi i etilenit në suplementin ushqimor me bambu

Ministria e Shëndetësisë së Italisë raportoi tërheqjen nga prodhuesi të dy tufave të suplementit ushqimor Bamboo të markës Kos për praninë e oksidit të etilenit. Produkti në fjalë shitet në pako me 60 kapsula (27 gram) me numra loti 6698 e 7533 dhe afate minimale të ruajtjes 12/2023 dhe 07/2024. Suplementi  i përmendur i bambusë është prodhuar nga kompania Kos Srl, në provincën e Prato.

Si masë paraprake, kompania rekomandon të mos konsumohet suplementi ushqimor me numrat e sasisë dhe kushtet minimale të ruajtjes të treguara dhe t’ia kthejë prodhuesit. (IlFattoAlimentare)

Qendra Alert/Alert.al

Perimet që duhet të blejmë në treg gjatë kësaj kohe

Nëse ka një sezon kur fermerët shqiptarë ulin ritmin e shfrenuar të punëve të vitit, ky është pikërisht sezoni i dimrit.

Por ka disa produkte që i gjejmë sot në treg e që janë të stinës; karota, sallata jeshile, lakra, lulelakra, brokoli, spinaqi apo ndonjë rrepë apo rrepka të vogla.

Stina e dimrit mund të jetë e ashpër, por me ushqimin e duhur përballohet gjithçka.

Ja se cilat janë perimet më të mira të këtij muaji:

Karrotat

Karrota njihet për vetitë e saj të dobishme kundër plakjes, kancerit, infeksioneve, sëmundjeve të zemrës e shumë të tjera. Shtoni karotat në ushqimin dimëror duke i konsumuar ato me supa, sallata dhe gatime të ndryshme e shumë të shijshme. Përveç cilësisë, çmimi është më i mirë.

Panxhari i kuq

Është i ëmbël, i shijshëm dhe ajo ngjyra e kuqe kthehet në domosdoshmëri për çdo tryezë. Një pjatë me panxhar të rikthen energjinë dhe ul tensionin. Panxharët e kuq janë të dobishëm dhe të shëndetshëm, madje njihen si afrodiziakë dhe i japin trurit mjaft energji.

Lakra

Lakra është një perime mjaft e shëndetshme për njeriun. Ajo është plot me vitamina, minerale, fibra, antioksidantë që sipas studimeve reduktojnë rreziqet nga kanceri.

Lulelakra

Lulelakra është e pasur në fibra dhe ujë. Për këtë arsye ajo lufton sëmundjet e lidhura me aparatin tretës. Ajo ndihmon dhe në parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare, diabetit dhe obezitetit.

Një tjetër përbërës i lulelakrës, kolina, ndihmon në forcimin e memories, të muskujve si dhe ndihmon me problemet e gjumit.

Brokoli

Vitamina K që brokoli përmban është thelbësore për funksionimin e proteinave që ndikojnë në koagulimin e gjakut. Vitamina C ndikon në krijimin e kolagjenit, lëndës që formon indet trupore, kockat dhe ndihmon në shërimin e shpejtë të të prerave apo plagëve, shkruan AgroWeb.

Brokoli përmban edhe fibra, të cilat ndihmojnë sistemin tretës dhe ndikojnë në uljen e sasisë së kolesterolit në gjak. Ndërkohë që acidi folik që brokoli përmban është i nevojshëm për prodhimin e qelizave të reja në trup.

Spinaqi

Spinaqi njihet për vlerat e tij ushqyese dhe është parë gjithnjë si një bimë me aftësi të jashtëzakonshme për të të kthyer energjinë, që rrit vitalitetin dhe përmirëson cilësinë e gjakut.

Por, ka disa arsye pse spinaqi arrin të prodhojë rezultate të tilla. E para është se është i pasur me hekur, i cili luan një rol kryesor në funksionimin e qelizave të kuqe të gjakut, që ndihmojnë në transportin e oksigjenit në trup, në prodhimin e energjisë dhe në sintezën e ADN-së. (Telegrafi)

Qendra Alert/Alert.al