Menu

Kryesore

Kujdes me solucionet zbardhuese

Solucionet zbardhuese janë ndër më të preferuarat e amvisave shqiptare, të cilat duan ta mbajnë shtëpinë sa më të pastër. Por këto solucione janë shumë të dëmshme për shëndetin, thonë ekspertët.

Shkencëtarët kanë zbuluar se tymrat e lëshuar nga këto solucione bien në kontakt me toksinat e ndryshme në ajër, dhe irritojnë sytë, hundën, fytin. Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj tyre mund të shkaktojë dhimbje koke, të përziera por edhe dëmtim të mushkërive.

Përdorimi i Solucioneve Zbardhuese në Shtëpi Nxit Alergjitë Tek Amvisat

Sipas ekspertëve, dëmtimi në mushkëri mund të bëhet shumë i rrezikshëm si pasojë e përdorimit afatgjatë të solucioneve pastruese. Amvisat janë më të rrezikuara kështu si nga azma por edhe nga alergjitë e ndryshme. Duke mos e ditur burimin e alergjisë, amvisat ekspozohen rregullisht ndaj toksinave e sëmuren më shumë. Rreziku është më i lartë në shtëpitë që nuk kanë një sistem të mirë ajrosjeje, sepse toksinat aktivizohen më shumë në ajër të ndenjur.

Ekspertët këshillojnë që njerëzit që pastrojnë shtëpitë me solucione kimike dhe industriale duhet të tregojnë shumë kujdes. Së pari, amvisat nuk duhet të përziejnë solucione të ndryshme në pastrimin e shtëpisë. Arsenali pastrues i një amvise përbëhet nga: zbardhuesit, solucionet për banjën, atë për dyshemenë, atë për banakun, për xhamat, për pluhurat por edhe aromatikët. Përzierja e tyre dhe lëshimi i substancave në ajër është mjaft i dëmshëm për rrugët e frymëmarrjes.

Për shembull, aromatizuesit e ajrit, solucionet spërkatëse për xhamat, dyshemenë e banakun vijnë rëndom me aromën e agrumeve. Kjo aromë, është padyshim një substancë tjetër kimike e cila ndërvepron negativisht me gazrat e lëshuar nga zbardhuesit. Amvisat mund të ulin ndikimin e këtyre substancave duke mbajtur dyer e dritare hapur që të hyjë sa më shumë ajër dhe dritë dielli në shtëpi. Drita e diellit ka tendencën që të pengojë në nivel lartë ndërveprimin negativ të substancave kimike në ajër. (AgroWeb)

Qendra Alert/Alert.al

 

Tekstilet e këpucët “mbyten” nga kërkesat për punë nga “Dolce Gabbana”, “Geox”..

Në këtë fillimviti, fabrikat e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve po përballen me rritje deri në 200% të porosive, si rrjedhojë zhvendosjes së prodhimit, pas problematikave që po vijnë nga zinxhirët e furnizimit nga Azia dhe çmimet e larta të transportit. Emra të njohur të industrisë së modës, si “Polo”, “Clarks”, “Geox”, “Dolce Gabbana” po rrisin porositë në Shqipëri, por fabrikat po kthejnë shumicën e tyre mbrapsht, për shkak të mungesës së punonjësve. Por kërkesa po shtyn përpara investimet në teknologji dhe në ciklin e mbyllur. Fabrikat po përzgjedhin mes kërkesave ato me çmime më të larta, si dhe po rrisin administrimin e burimeve njerëzore.

Emra të njohur të botës së modës në prodhimin e veshjeve si “Polo”, këpucët “Clarks”, “Geox”, “Dolce Gabbana”, “Gian Franco Ferre”, “Zara”, “Triumph”, “Wolf Lingerie”, për veshje të brendshme e shumë të tjera, dy vitet e fundit kanë shtuar kërkesën për të prodhuar në Shqipëri, në atë masë sa fabrikat shqiptare nuk mund t’i përballojnë.

Për herë të parë pas shumë vitesh, industria shqiptare e tekstilit po kthen mbrapsht porositë, ose ka luksin të përzgjedhë ndërmjet tyre, duke u fokusuar te markat që sjellin më shumë fitime. Ajo që nuk ka ndodhur prej tre dekadash, mund të ndodhë tani, që të krijohet klasteri për veshje dhe këpucë për produkte mbi mesataren dhe Shqipëria të dalë njëherë e mirë nga prodhimet fason me porosi të fragmentuar dhe nga klientë që kërkojnë vlerë të ulët.

Është momenti që fabrikat e veshjeve dhe këpucëve të negociojnë me partnerët e mëdhenj dhe të vendosin çmime dinjitoze, me të cilat të mund të përballojnë mirëmbajtjen e fuqisë punëtore, që është kthyer në problem dhe po pengon zgjerimin e industrisë.

Kërkesa për të prodhuar në Shqipëri nuk është e kufizuar vetëm për sektorin veshjeve dhe këpucëve. Industria ushqimore dhe ajo automjeteve janë në fokus të klientëve të huaj, të cilët po vuajnë problematikën e zinxhirëve të furnizimit nga vendet aziatike.

Porositë nga jashtë, në disa fabrika, janë rritur me 200%

Kompania SAM, që operon në sektorin e konfeksioneve dhe tekstileve, nga të parat që ka realizuar ciklin e mbyllur, do të zgjerojë me 50% prodhimin këtë vit, për të përballuar vetëm një pjesë të kërkesës, që administratorja Mimosa Vojka ka nga tregu ndërkombëtar për porosi në Shqipëri.

SAM, që prodhon produkt të gatshëm, bazuar në inovacion, ku mbizotërojnë proceset e automatizuara, ndërsa shitjet bëhen kryesisht me porosi nga interneti, tha se, kërkesa këto kohë është më e lartë se mundësitë për zgjerim. Gjergj Liqezja, i cili zotëron fabrikën e prodhimit të veshjeve “Madish”, tha se është rritur kërkesa për veshje të brendshme për markat e njohura si “Triumph”, “Wolf Lingerie”.

Në të njëjtat kushte janë pothuajse të gjitha fabrikat në industrinë tekstile, si ato me cikël të mbyllur, edhe ato që punojnë me porosi. Ato po përballen me kërkesë jo të zakontë pas pandemisë, e cila po nxitet edhe nga problematika në zinxhirët e furnizimit nga vendet e largëta të Azisë. Kostot e larta të transportit dhe në shumë raste, vonesat e dërgesave, kanë krijuar boshllëqe në tregje.

Kërkesa e lartë për mallra pas pandemisë nxori në pah logjistikën e dobët të transportit. Menjëherë u shfaq mungesa e punonjësve të transportit detar, anije të pamjaftueshme, mungesë e theksuar kontejnerësh, etj. Mungesat sollën amulli në transportet ndërkombëtare, me çmime të larta, vonesa, ngatërresa të dërgesave dhe në finale, një valë në rritje çmimesh për të gjithë artikujt.

Shumë kompani europiane tani kanë nisur diversifikimin e burimeve të prodhimit, duke sjellë një pjesë të prodhimit në “shtëpi”. Kjo situatë e paralajmërua që në fillim të pandemisë, kur bota u fut në karantinë totale dhe sistemet shëndetësore u gjendën pa furnizime të mjaftueshme maskash dhe veshjesh mjekësore. Për Europën, “Ballkani” mund të ishte “Fabrika” e kontinentit dhe Shqipëria, me përvojë të admirueshme në fushën e tekstilit, do të ishte një përfituese e madhe. Mirëpo emigrimi i lartë i fuqisë punëtore dhe sidomos të rinjve dhe deficitet në teknologji po pengojnë industrinë të rrisë përfitimet. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Orizi “Carnaroli” kujtesë për tre marka, për praninë e sojës

Ministria e Shëndetësisë së Italisë raportoi tërheqjen paraprake nga prodhuesi i dy grupe të orizit Carnaroli, të markave “Per Te” dhe “Selex”, për praninë e mundshme të sojës, të padeklaruar në etiketë. Produktet e prekura shiten në paketa prej 1 kg me kushtet minimale të ruajtjes 13/11/2022 dhe 17/11/2022 (Markat Per Te dhe Selex), që korrespondojnë me tufat e prodhimit.

Orizi Carnaroli u prodhua nga kompania Grandi Riso Spa, në provincën Ferrara.

Si masë parandaluese, njerëzit alergjikë ndaj sojës këshillohen të mos e konsumojnë produktin me shenjat e shënuara dhe kushtet minimale të ruajtjes të treguara. Konsumi i orizit Carnaroli në është i sigurt për ata që nuk janë alergjikë ndaj sojës. (IlFattoAlimentare)

Qendra Alert/Alert.al

Çfarë ndodh nëse merrni grupin e gabuar të gjakut?

Transfuzioni i gjakut është procedurë e thjeshtë mjekësore, të cilën mjekët e përdorin pas humbjes së gjakut për shkak të lëndimeve dhe gjakrrjedhjeve e për të plotësuar qelizat e gjakut në rast se për ndonjë shkak qelizat nuk krijohen apo jo mjaft mbijetojnë në qarkullim të gjakut. Si edhe të gjitha format e shërimit, edhe transfuzioni i gjakut duhet të aplikohet vetëm atëherë kur vërtet është e domosdoshme, përkatësisht kur nuk ekziston mundësia e shërimit të mundshëm alternativ njësoj efikas.

Grupi i gjakut është i përcaktuar në gjenet tona. Ai trashëgohet nga prindërit me ndikim të barabartë të nënës dhe babait. Rruazat e kuqe të gjakut – eritrocitet nga jashtë janë të mbështjella me krijesa të ndryshme (proteine, hidrokarbure, glukoproteina) të cilat quhen antigjene.

Ekzistojnë tri antigjene kryesore, A, B dhe O, mirëpo është i mundshëm edhe kombinimi i grupeve të gjakut varësisht nga ajo janë A, B, AB dhe O.

Personat të cilët kanë grupin e gjakut “zero” janë “dhurues universalë”, sepse këtë grup të gjakut mund ta marrin të gjithë. Grupin A të gjakut mund ta marrin personat të cilët kanë grupin A dhe AB, grupin B personat të cilët kanë grupin B dhe AB të gjakut.

Mirëpo, grupin AB të gjakut mund ta marrin vetëm personat të cilët e kanë këtë grup gjaku, kështu që grupi AB është “marrës universal”.

Është me rëndësi të themi edhe që personat me faktorin Rh negativ mund të marrin vetëm grupin përkatës të gjakut me faktorin Rh negativ, ndërsa personat të cilët janë Rh pozitiv mund të marrin grupin përkatës të gjakut me faktorin Rh negativ dhe pozitiv.

Kjo do të thotë që:

– nëse personi i cili ka grupin AB të gjakut merr gjakun nga cilido grup i gjakut, nuk do ketë probleme.

– nëse personi i cili ka grupin 0 të gjakut merr cilindo, pos atij vetjak, probabiliteti i madh është që do të ndodhë reaksioni hemolitik i transfuzionit.

Nëse ndodh ndonjë gabim dhe shfaqet reaksioni hemolitik i transfuzionit, sistemi imun i marrësit sulmon qelizat e dhuruara të gjakut, ato shkëputen dhe shpartallohen, duke liruar bashkime shumë të rrezikshme dhe personi sëmuret seriozisht. Mund të ndodhë dështimi i veshkave, një herë urina bëhet e kuqe, pastaj veshkat pushojnë së punuari. Bashkë me komplikime të shumta, personi bie në gjendje shoku dhe vdes.

“Në rastet e transfuzionit të grupit të gabuar të gjakut, vdekshmëria është jashtëzakonisht e lartë nëse mungon shërimi urgjent” -shkruan “Mental Flos”. (Telegrafi)

Qendra Alert/Alert.al

Ushqimet që nuk duhet të ruhen në raftin e sipërm të frigoriferit

Për një shëndet të mirë është e rëndësishme të hani një shumëllojshmëri ushqimesh të stinës, fruta, perime, drithëra, mish, qumësht, vezë.

Është gjithashtu e rëndësishme të ndani ushqimet në mënyrë të sigurt, në mënyrë që të mos kontaminoni bakteret potencialisht të dëmshme.

Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), ju rrezikoni sa herë që vendosni një lloj ushqimi në raftin e sipërm të frigoriferit. Ky gabim ndikon në përhapjen e baktereve dhe zhvillimin e sëmundjeve ushqimore.

Asnjëherë nuk duhet të ruani mishin e kuq të papërpunuar, mishin e shpendëve, peshkut dhe ushqimet e detit në raftin e sipërm të frigoriferit.

“Mbani frutat dhe perimet larg mishit të papërpunuar, shpendëve dhe ushqimeve të detit, jo pranë apo poshtë tyre. Mishi i papërpunuar mund të lëshojë lëngje që mund të përmbajnë mikrobe”, paralajmërojnë ekspertët.

Paketat ushqimore të pahapura duhet të gjenden në raftin e sipërm, produktet e qumështit duhet të mbahen të ndara nga frutat dhe perimet dhe mishi, shpendët dhe frutat duhet të ruhen në raftin e poshtëm.

Qendra Alert/Alert.al

WhatsApp nën presion për të sqaruar praktikat pas ankesave të konsumatorëve

Komisioni Evropian dhe CPC-Network (rrjeti evropian i autoriteteve të konsumatorit) njoftuan nisjen e një dialogu me WhatsApp, kompania Facebook/Meta ka afat deri në mars për të dhënë sqarime në lidhje me praktikat e saj që dyshohet se janë në shkelje të konsumatorit, pët rregullat e mbrojtjes. Kjo vjen pas një ankese që BEUC dhe tetë nga organizatat e saj anëtare i paraqitën Komisionit Evropian dhe Rrjetit CPC në korrik 2021.

BEUC mirëpret vendimin e Komisionit Evropian dhe rrjetit CPC për të hetuar praktikat e WhatsApp. Për disa muaj, mijëra përdorues të WhatsApp në të gjithë Evropën u shtynë në mënyrë të padrejtë për të pranuar kushtet e reja të shërbimit të WhatsApp dhe një politikë të ndryshuar të privatësisë, me frikën e humbjes së aksesit në shërbim (ose në disa prej funksioneve të tij) nëse nuk pranonin. Megjithatë, ndryshimet e politikave ishin të paqarta për përdoruesit dhe mund t’i ekspozonin ata ndaj pasojave të mëdha në lidhje me mbrojtjen e privatësisë së tyre dhe përdorimin e të dhënave të tyre nga palët e treta.

Zëvendësdrejtoresha e përgjithshme e BEUC Ursula Pachl tha: “WhatsApp bombardoi përdoruesit për muaj me radhë me mesazhe të vazhdueshme. Për më tepër, konsumatorët nuk e dinin se çfarë po shtyheshin të pranonin. WhatsApp ka qenë qëllimisht i paqartë në lidhje me këtë, duke krijuar terrenin për përpunim të gjerë të të dhënave pa pëlqimin e vlefshëm nga konsumatorët. Ne mirëpresim vendimin e CPC-Network për të hetuar WhatsApp. Ne presim që WhatsApp të sqarojë dhe të ndryshojë politikat e saj në respekt të plotë të të drejtave të konsumatorëve, përfshirë për ata konsumatorë që ranë dakord me kushtet e reja për shkak të praktikave të padrejta të kompanisë.”

Burimi: BEUC.EU

Qendra Alert/Alert.al

Bima medicinale që forcon imunitetin dhe ka fuqi të mëdha shëruese

Barbaroza është një bimë e bukur mjaft popullore, e njohur si Mbretëresha e Kopshteve.

Ajo është një lule që rritet në krahinat e jug perëndimit të Ballkanit dhe veçanërisht Shqipërisë. Në Shqipëri gjendet edhe me emra të tjerë si hidërsha ose idrasha. Ajo është përdorur shumë edhe si erëz për t’i shtuar shije reçelërave dhe ëmbëlsirave. Barbaroza është pjesë e familjes botanike Geranium që përmban 200 varietete bimësh dhe lulesh. Megjithatë, AgroWeb.org ju tregon se vetëm Barbaroza (Pelargonium graveolens) mund të konsumohet nga të gjitha simotrat e saj.

Barbaroza arrin të luftojë inflamacionin, përmirësojë shëndetin e veshkave, çlirojë nga dhimbjet, ulë nivelin e stresit, forcojë sistemin imunitar dhe të lehtësojë tretjen.

Gjethet e bimës janë përdorur gjithashtu me tepricë në mjekësinë popullore. AgroWeb.org ju tregon se gjethet e dhe lulet e thara të bimës ngjyrë rozë përdoren për një çaj që ka një aromë të veçantë.

Vlerat shëndetësore që ka Barbaroza

Largon stresin: Barbaroza ka ndikim në sistemin nervor dhe reputacioni i këtyre aftësive ka kapërcyer breza të tërë. Çaji që mund të prodhoni nga gjethet e barbarozës është i shijshëm por edhe qetësues. Vlerat e çajit shumëfishohen falë përbërësve dhe substancave organike që kanë një ndikim në sistemin endokrinal dhe ulin faktorët që shkaktojnë ankth dhe stress.

Pini një çaj barbaroze kur jeni të stresuar dhe shpejt do t’ju përmirësohet humori.

Lufton inflamacionin: Një nga përdorimet më të shpeshta të barbarozës është ai kundër inflamacionit në organizëm.

Nëse ju dhembin gjymtyrët, muskujt ose keni inflamacion të brendshëm në stomak ose në sistemin kardiovaskular, një gotë çaj barbaroze largon barrën e rëndë të inflamacionit nga trupi juaj.

Heq dhembjet: Barbaroza është përdorur prej vitesh kundër dhembjeve të kokës dhe atyre të tjera.

Nëse vuani nga dhembjet kronike ose migrenat, çaji i barbarozës arrin të çlirojë endorfinën dhe të heqë dhembjen shumë shpejt.

Mbron shëndetin e veshkave: Shkencëtarët akoma janë duke studiuar mbi efektin kimik të përbërësve të barbarozës dhe ndikimin e tyre në shëndetin e veshkave.

Por ata nuk kanë dyshim, që çaji i barbarozës stimulon nxjerrjen e lëngjeve. Ai ndihmon në largimin e kripërave të tepërta, yndyrnave dhe ujit nga trupi.

Si rrjedhojë, veshkat janë më të çliruara dhe funksionojnë më mirë

Ndihmon sistemin imunitar: Barbaroza lufton bakteret dhe mykun. Rrjedhimisht është e mrekullueshme kundër ftohjeve, virozave dhe gripit.

Përgatisni çaj me gjethet dhe do të arrini të largoni nga trupi bakteret, forconi imunitetin dhe shëroheni më shpejt.

Qenda Alert/Alert.al

Raporti: Shqipëria, shërbime të dobëta shëndetësore

Shqipëria u rendit e fundit  në rajon si për indeksin e shërbimeve dhe atë të shpenzimeve buxhetore krahasuar me Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjën (shiko Grafikun bashkëngjitur), Kosova dhe Mali i Zi nuk ishin të përfshira në këtë indeks. Shqipëria u rendit e parafundit në Europë, duke lënë pas vetëm Maltën për shërbimet e dobëta në kujdesin shëndetësor sipas indeksit që ndërtoi databaza e të dhënave mbi kualitetin e jetës “Numbeo” për vitin 2022.

Shqipëria u vlerësua me vetëm 50.5 pikë për cilësinë e shërbimeve dhe 87.9 pikë për shpenzimet me të cilat përballen qytetarët.

Kualiteti i shërbimeve në shëndetësi vlerësohet me një sistemin vlerësimi ku niveli i ulët tregon rezultatet të dobëta dhe vlerat e të larta cilësi më të mirë të shërbimeve shëndetësore. Në rajon Shqipëria u rendit e fundit si për indeksin e shërbimeve dhe atë të shpenzimeve buxhetore krahasuar me Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjën (shiko Grafikun bashkëngjitur), Kosova dhe Mali i Zi nuk ishin të përfshira në këtë indeks.

Në botë, Tajvani, Koreja e Jugut, Japonia, Franca, Danimarka u renditën në krye të listës për vlera të larta të cilësisë së shërbimeve dhe shpenzimeve për shëndetësinë, ndërsa renditjen më të dobët e kishin, Venezuela, Bangladeshi (në fund të listës) dhe më tej Iraku, Azerbajxhani, Malta, Bjellorusia, Maroku, Egjipti, Nigeria, Kamboxhi. “Numbeo” sqaroi se Indeksi i Kujdesit Shëndetësor është një vlerësim i cilësisë së përgjithshme të sistemit të kujdesit shëndetësor, profesionistëve të kujdesit shëndetësor, pajisjeve, stafit, mjekëve, kostos, etj.

Nga të dhëna më të detajuara të indeksit në Shqipëri rezultoi se vlerësimin më të e lartë e kanë marrë afërsia gjeografike e shërbimeve shëndetësore me 66 pikë dhe aftësitë e doktorëve me 54,3 pikë, ndërkohë që pikët më të ulëta kanë marrë cilësia e dobët e pajisjeve mjekësore, koha e pritjes dhe kosto e shërbimeve. Raporte dhe indekse të tjera të profilizuara gjithashtu kanë dhënë vlerësime të dobëta për sistemin shëndetësor shqiptar. Për të kuptuar gatishmërinë e sistemeve shëndetësore në Europë dhe në rajon gjatë pandemisë Covid-19, Banka Botërore bëri një vlerësim për të qartësuar kapacitetet për të përballuar situatën.

Banka Botërore vërejti se shpenzimet kombëtare për frymë për shëndetësinë në Ballkanin Perëndimor; në mbarë rajonin janë shumë më të ulëta se mesatarja e Bashkimit Europian (BE). Në rajon, mungesën e fondeve për sistemet shëndetësore shpesh e vuajnë familjet, shpenzimet e drejtpërdrejta (nga xhepi) të të cilave janë të larta. Për shembull, për rajonin në tërësi kjo shkon nga 37 për qind në Serbi dhe në Malin e Zi, deri në 50 për qind në Shqipëri, në krahasim me 14,9 për qind në BE. Shqipëria është një nga vendet që ka pasur rritjen më të lartë të jetëve të humbura si rrjedhojë e pandemisë së Covid-19. Të dhënat krahasuese të Eurostat dhe statistikave kombëtare rajonale tregojnë Shqipëria, së bashku me dy vendet e tjera të rajonit, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut janë tre shtetet që kanë shënuar rritjen më të lartë të vdekshmërisë shtesë që nga marsi i vitit 2020, kur pandemia “pushtoi” gradualisht Europën deri në shtator 2021. Të dhënat e tjera kombëtare të INSTAT bëjnë të ditur se në vend. që nga prilli 2020, kur vala e pandemisë filloi të jepte pasojat e para në Shqipëri deri në fund të shtatorit 2021, janë shënuar rreth 11 mijë vdekje shtesë në krahasim me mesataren e periudhave përkatëse 2016-2019. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Moderna fillon provat klinike me një vaksinë të posaçme për variantin Omicron

Kompania amerikane e bioteknologjisë Moderna njoftoi se ka filluar provat klinike për dozë përforcuese të vaksinës, e krijuar posaçërisht për të luftuar variantin omikron të koronavirusit.

Provat do të përfshijnë gjithsej 600 të rritur, gjysma e të cilëve kanë marrë dy doza të vaksinës së kompanisë Moderna kundër COVID-19 të paktën gjashtë muaj më parë, dhe gjysma tjetër që ka marrë tre doza të vaksinës.

Prandaj, doza përforcuese e krijuar posaçërisht për variantin Omicron do të vlerësohet për përdorim si një dozë e tretë dhe e katërt. Kompania raportoi gjithashtu rezultatet mbi efikasitetin kundër variantit Omicron të dozës përforcuese tashmë në përdorim.

Kompania tha se gjashtë muaj pas injektimit me dozën përforcuese, niveli i antitrupave neutralizues kundër Omicron-it u zvogëluan me nivel 600 për qind krahasuar me nivelin e vërejtur 29 ditë pas vaksinimit, por mbeti i diktueshëm tek të gjithë pjesëmarrësit në studim. Këto të dhëna janë marrë nga studimi i gjakut të 20 personave që kishin marrë dozën përforcuese prej 50 mikrogramësh, sa gjysma e sasisë së dy dozave të para.

“Ne jemi të inkurajuar nga qëndrueshmëria e antitrupave kundër Omicron-it gjashtë muaj pas marrjes së dozës përforcuese të vaksinës kundër COVID-19″, tha përmes një deklarate, Stephane Bancel, shef ekzekutiv i kompanisë Moderna. Megjithatë, duke patur parasysh kërcënimin afatgjatë të demonstruar nga Omicroni përmes shmangies së imunitetit (e krijuar nga dozat e mëparshme të vaksinës), ne po vazhdojmë me fazën e dytë të provave klinike për vaksinën kundër këtij varianti ngjitës të COVID-19”, shtoi zoti Bancel.

Deklarata e kompanisë Moderna erdhi një ditë pasi rivalët Pfizer dhe BioNTech thanë se kishin filluar regjistrimin e pjesëmarrësve për një provë klinike me një vaksinë specifike kundër variantit Omicron. Të dyja vaksinat bazohen në teknologjinë RNA, duke e bërë relativisht të lehtë modifikimin e tyre, duke krijuar mundësinë për të mbajtur hapin me mutacionet specifike të varianteve të reja të COVID-19. Disa vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara, kanë filluar të shohin një rënie të rasteve të lidhura me valën e infeksioneve të shkaktuara nga Omicron, varianti më i transmetueshëm i zbuluar deri më tani, por numri i infeksioneve në mbarë botën vazhdon të rritet. (VOA)

Qendra Alert/Alert.al

Qumështi dhe kosi, përfitimet në ushqimin e përditshëm

Konsumi i qumështit të përditshëm dhe kosi shoqërohen me mbajtjen e një gjendje të mirë shëndetësore. Kjo konfirmohet edhe nga botimi i fundit i Udhëzimeve për një dietë të shëndetshme të Kreas, në të cilën rekomandohen tre racione në ditë të këtyre ushqimeve, të barabarta me një sasi prej 375 ml. Megjithatë konsumi i përditshëm në Itali është larg optimales dhe vitet e fundit ka regjistruar një reduktim progresiv. Kjo çështje u trajtua nga Tryeza Teknike mbi Sigurinë Ushqyese (TaSiN) e cila përfshin ekspertë nga Ministria e Shëndetësisë, Krea, shoqëritë shkencore dhe bota akademike.

Një dokument i përgatitur nga e njëjta Tabelë Teknike merr në shqyrtim dëshmitë shkencore të kohëve të fundit lidhur me efektet shëndetësore të konsumimit të këtyre ushqimeve. Artikulli më i fundit i botuar vetëm vitin e kaluar nga një ekip kërkuesish kinezë, thekson se një rritje prej 200 ml qumësht në ditë shoqërohet me një rrezik më të ulët të sëmundjeve kardiovaskulare, hipertensionit, kancerit kolorektal, sindromës metabolike, dhjamosjes dhe osteoporozës.

Sipas InstitutitAmerikan për Kërkimin e Kancerit, konsumimi i qumështit dhe i produkteve të bulmetit ka një lidhje të kufizuar me zvogëlimin e rrezikut të kancerit të gjirit te gratë. Ndërsa, nga ana tjetër, theksoni edhe se marrja e qumështit mund të shoqërohet me një rrezik më të lartë të kancerit të prostatës, sëmundjes së Parkinsonit, anemisë së akneve dhe mangësisë së hekurit në fëmijëri.

Tabela Teknike mbi Sigurinë Ushqyese ka dalë me 10 pika mbi konsumin e saktë të qumështit dhe kosit në dietën e përditshme:

1- Konsumoni tre racione qumësht dhe kos çdo ditë. Një shërbim korrespondon me 125 g, domethënë një gotë të vogël ose gjysmë filxhani ose një enë kosi.

 

2- Qumështi dhe kosi janë ushqime për ta filluar mirë ditën. Me një filxhan qumësht (dy racione) në mëngjes dhe një kos si një vakt, ju arrini tri racionet e rekomanduara.

3- Qumështi dhe kosi janë burime kalciumi, përmbajnë vitamina A, vitamina B dhe kripëra minerale si fosfor, magnez, zink dhe selenium.

 

4- Qumështi dhe kosi i thjeshtë, pa sheqer të shtuar janë të ngjashme nga pikëpamja ushqyese. Kosi, falë baktereve të acidit laktik nxit ekuilibrin e florës intestinale.

 

5- Ju mund të zgjidhni midis qumështit të freskët të pasterizuar, cilësisë së lartë të pasterizuar të freskët dhe jetëgjatë (Uht). Nëse preferon të papërpunuarin, mos harro se duhet ta vlosh para se ta konsumosh.

 

6- Kosi përftohet nga fermentimi i qumështit nga mikroorganizmat specifikë. Kur fermentimi nuk është për shkak të mikroorganizmave të kosit, përftohen qumësht të fermentuar, pije tipike e Evropës Lindore.

 

7- Qumështi dhe kosi mund të jenë të plotë ose sipas përqindjes së yndyrës, pa zvogëlim të kalciumit dhe proteinave.

 

8- Qumështi mund të pihet në çdo moshë. Në zorrën e njeriut ka laktazë, një enzimë e nevojshme për tretjen e laktozës (sheqerit të qumështit). Kjo e bën qumështin një ushqim të përshtatshëm për fëmijët, të rriturit dhe të moshuarit, me përjashtim të njerëzve intolerantë të laktozës, të cilët kanë një mangësi në laktazë.

 

9- Kosi tolerohet mirë nga shumica e atyre që vuajnë nga intoleranca e laktozës. Përveç kësaj, shumë produkte me përmbajtje të reduktuar ose pa laktozë janë në dispozicion, të tilla si qumështi i trajtuar me laktozë.

10- Kalciumi dhe fosfori i pranishëm në qumësht dhe kos absorbohen lehtësisht nga trupi. Konsumimi i tyre ndihmon për të ulur rrezikun e fillimit të osteoporozës. (IlFattoAlimentare)

Qendra Alert/Alert.al