Menu

Kryesore

Luhatjet e energjisë elektrike, rrezikojnë jetën e banorëve në Ishëm

Banorët e fshatit Bizë, të cilët bëjnë pjesë në njësinë administrative Ishëm në Durrës kanë përjetuar dy ditë luhatje të energjisë si pasojë e riparimit të kabinës së vjetër elektrike, e cila furnizon fshatin. Banorë të kësaj zone janë shprehur për median lokale që luhatjet e energjisë kanë filluar gjatë ditës së djeshme, duke u përkeqësuar deri në djegien e elektroshtëpiakeve gjatë mëngjesit të sotshëm.

Sipas tyre kjo gjë ka ndodhur për shkak të tensionit të lartë, i cili ju ka rrezikuar dhe jetën, duke bërë që korenti ti dridhte dhe ti përplaste.

Nga ajo që konstantohet deri tani është se më të dëmtuarat janë familjet që jetojnë akoma në kontenierë si pasojë e tërmetit të fuqishëm që goditi vendin në  nëntor të vitit 2019.

Banorët e fshatit Bizë kanë fajësuar Operatorin e shpërndarjes së energjisë elektrike dhe përvecse kërkojnë marrjen e masave dhe riparimin e rrjetit elektrik kërkojnë dhe dëmshpërblim për pajisjet e dëmtuara.

 

alert.al/

Trafikantët ngritën restorant në Tiranë, hotele dhe pishinë në Sarandë, SPAK u merr pronat e Armand dhe Gerti Markut

SPAK ka kërkuar nga Gjykata e Posaçme të konfiskojë pasuritë e Armand Marku dhe Gerti Marku, të cilët janë të shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik droge në Itali. Sipas SPAK këto pasuri janë vënë nga aktiviteti kriminal që ata kanë ushtruar në shtetin fqinj dhe se burimet e të ardhurave të tyre nuk justifikojnë pasuritë e vëna.

Armand Marku dhe Gerti Marku, (Ledio Hallkokondi) janë të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma  për veprën penale “Pjesëmarrje në Organizatë Kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”. Gjykata e Milanos më herët ka dënuar Armand Marku  me 6 vjet e dy muaj heqje lirie për trafik narkotikësh dhe bashkëpunim në krim.

Njoftimi i SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, ka perfunduar verifikimet ne lidhje me procedimin pasuror nr.1/2021, në kuadër të zbatimit të ligjit Nr.10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, (ligji antimafia).

Nga ana e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë është kryer hetim pasuror në lidhje me pasuritë e zotëruara nga shtetasit Armand Marku dhe Gerti Marku, si dhe familjarët e afërt të tyre. Nga hetimet e kryera është provuar se :

Shtetasi Armand Marku, rezulton të jetë i shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga Interpol Tiranë, pasi gjykata e Milanos me vendim nr. 1731, viti 2017 e ka dënuar me gjashtë vjet e dy muaj heqje lirie për veprat penale “Trafikim narkotikësh” dhe “bashkëpunim në krim”, parashikuar nga Kodi Penal Italian.

Po ashtu shtetasit Armand Marku dhe Gerti Marku, (Ledio Hallkokondi) janë shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma/Itali, me datë 09.10.2020, pasi autoritetet Gjyqësore të Firences, Itali me vendimin penal nr.9065/15 RGNR-5609/19 RG GIP, datë 25.11.2019, kanë lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar, për veprën penale “Pjesmarrje në Organizatë Kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal Italian.

Pas verifikimeve të kryera, sipas kërkesës së prokurorisë fillimisht me vendimin nr.1, datë 09.01.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Tiranë, është vendosur sekuestrimi i disa pasurive në zotërim nga familjarë të afërm të shtetasve Gerti Marku dhe Armand Marku. Në përfundim të hetimeve pasurore të zhvilluara është arritur të provohet se plotësohen kushtet e parashikuara në ligj për konfiskimin e pasurive të sekuestruara sepse:

a) ka dyshime të arsyeshme, të bazuara në indicie, për pjesëmarrje të personit në veprimtari kriminale, të parashikuara në nenin 3, pika 1, të ligjit nr.10192/2009;

b) rezulton se pasuria është, drejtpërdrejt ose tërthorazi, në zotërim të plotë ose të pjesshëm të personave të përmendur në nenin 3, pika 1, të ligjit;

c) nuk provohet se pasuria ka prejardhje të ligjshme apo personat e përmendur në nenin 3, të ligjit, nuk arrijnë të përligjin zotërimin e pasurive ose të ardhurave, të cilat janë shpërpjesëtimore me nivelin e të ardhurave apo fitimeve të realizuara nga burime të ligjshme të deklaruara prej tyre.

Prokuroria e Posaçme me datë 13.07.2021 ka dorëzuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin kërkesën për konfiskimin e pasurive si më poshtë:

1. Pasuria e paluajtshme e llojit truall, me sipërfaqe totale 688 m2, si dhe objektin e ndërtuar mbi të, hotel “Harbour”, e ndodhur në zonën “Turizëm Kanali i Çukës” Sarandë, në pronësi të shtetasit Petro Branko.

2. Pasuria e paluajtshme e llojit truall, me sipërfaqe 688 m2, së bashku me objektin përkatës të ndërtuar mbi të një pishinë, e ndodhur në zonën “Turizëm Kanali i Çukës” Sarandë, në pronësi të shtetasit Petro Branko.

3. Pasuria e paluajtshme e llojit njësi shërbimi, me sipërfaqe 51 m2, e ndodhur në rrugën Don Bosco, Tiranë, e blerë në vitin 2017 me çmim 105 000 euro.

alert.al/

Edmond Panariti: Ndotësit më të zakonshëm kimikë të ujit të rrjetit janë nitratet dhe metalet e rënda kryesisht arseniku, por edhe zhiva dhe kromi gjashtë valent

Ish-Ministri Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Edmond Panariti ka reaguar gjatë mbrëmjes së djeshme për ngjarjen e rëndë të helmimit të banorëve në Deçan. Ai me anë të një statusi të gjatë në llogarinë e tij Facebook ka kërkuar krijimin e një këshilli shkencor kombëtar, të përbërë nga mikrobiologë, kimistë, toksikologë dhe epidemiologë nga të dy anët e kufirit, si një domosdoshmëri urgjente. Bazuar në përvojën e tij të gjatë si toksikolog ai mendon që ndotësit më të zakonshëm kimikë të ujit të rrjetit janë nitratet dhe metalet e rënda kryesisht arseniku, por edhe zhiva dhe kromi gjashtë valent. Prandaj sipas Z. Panariti duhet që të kryhen në mënyrë urgjente analiza spektrometrike për zbulimin e tyre me cross- check nga laboratorët e Tiranës dhe të Prishtinës dhe njëkohësisht një mostër të dërgohet në një qendër Evropiane të referencës.

Më poshtë statusi i tij i plotë në Facebook:

Çfarë mund të ketë shkaktuar helmimin masiv të banorëve të Deçanit në Kosovë?

Përse kërkohet të zbulohet sa më parë shkaku?

Përse një këshill shkencor kombëtar me mikrobiologë, kimistë, toksikologë dhe epidemiologë nga të dy anët e kufirit, është një domosdoshmëri urgjente!

Përse rasti është serioz dhe a mund të jetë edhe i qëllimshëm?

Trishtim por edhe shqetësim i madh për helmimet e banorëve të Deçanit në Kosovë.

Ngushëllime për familjet e viktimave dhe shërim te shpejte te prekurve!

Kërkohet zbulimi sa më parë i burimit dhe i shkakut të infeksionit.

Burimi hipotetik më bindës duket se është uji i rrjetit.

Shkaku i helmimit është biologjik ose kimik, ose që ka shumë pak të ngjarë, një shkak i përzjerë (hibrid) kimik dhe biologjik.

Përvoja e gjatë si toksikolog më bën të mendoj se ndotësit më të zakonshëm kimikë të ujit të rrjetit janë nitratet dhe metalet e rënda kryesisht arseniku por edhe zhiva dhe kromi gjashtë valent.

Prandaj kërkohen urgjent analiza spektrometrike për zbulimin e tyre me cross- check nga laboratorët e Tiranës dhe të Prishtinës dhe njëkohësisht një mostër të dërgohet në një qendër Evropiane të referencës.

E njëjta procedurë edhe nga laboratorët mikrobiologjikë të dy vendeve për të zbuluar virusin, bakterin apo biotoksinën nëse bëhet fjalë për ndotje biologjike.

Sëbashku më treguesit e tjerë klinikë dhe bio kimikë këto të dhëna do të zbulojnë shkakun, që do të bëjë të mundur nderprerjen e burimit dhe marrjen e masave mbrojtëse dhe parandaluese.

Kjo është prova e zjarrit për institucionet e fushës dhe ekspertizën kombëtare.

 

alert.al/

Sot mbledhja për Statutin e PD-së, Harxhi dhe Kadilli kërkojnë kufizimin e mandatit të Bashës me 4 vjet

Fatbardh Kadilli dhe Edit Harxhi do të jenë sot përballë Lulzim Bashës ku do të kërkojnë ndryshimin e statutit të PD-së. Grupi i ngritur në Partinë Demokratike, do të zgjedhë mes propozimeve të tyre për ndryshimet statutore. Janë tre propozime që kanë në thelb hapjen e partisë. Ndërkaq, Kadilli dhe Harxhi propozojnë sanksionimin në statut të kufizim të mandatit të kryetarit të partisë në 4 vjet në rast të humbjes së zgjedhjeve.

Kryetari i Partisë zgjidhet për një mandat katër vjeçar, i cili mbaron ose rinovohet automatikisht me shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve; Kryetari i Partisë ose bëhet Kryeministër, ose largohet nga drejtimi i partisë pa pasur të drejtë të marrë pjesë në garën e radhës”, ka deklaruar më herët Kadilli.

E të njëjtit mendim është edhe Harxhi. “Sot, kur ne kemi tre zgjedhje të humbura dhe jemi jashtë pushtetit qendror dhe vendor për arsye të vendimmarrjes së gabuar politike të Kryetarit dhe disa mbështetësve të tij, do të duhej që ne ta kufizojmë mandatin e Kryetarit të Partisë vetëm në një palë zgjedhje të humbura, sepse përfundimisht dikush duhet të mbajë përgjegjësi për humbjet e njëpasnjëshme të partisë sonë”, ka deklaruar Harxhi.

Por Basha nuk mendon kështu. Ai propozon që kreu i PD të zgjidhet me votim të të gjithë anëtarëve të PDSH dhe modalitetet e procesit të përcaktohen nga Rregullorja e Brendshme e PDSH.

“Kryetari i Partisë zgjidhet me votim të të gjithë anëtarëve të PDSH, sipas parimit “Një anëtar, Një votë”. Modalitetet e procesit përcaktohen nga Rregullorja e Brendshme e PDSH”, ka deklaruar Basha.

Basha e Kadilli bashkohen në një pikë, në hartimin e listave të kandidatëve për deputetë, dhe kandidatët për kryebashkiakë, për të cilën vulën duhet ta japë kryetari i partisë, ndërsa Harxhi kërkon që zgjedhja e kandidatëve për deputetë, anëtarë të këshillave bashkiake, kryetarë bashkish, duhet të jetë e lidhur drejtpërdrejtë me anëtarin e Partisë Demokratike dhe jo të emërohen nga Kryetari i Partisë.

Edith Harxhi i bëri propozimet për ditën e djeshme, një ditë para se grupi i ngritur në PD të vendosë për ndryshimet statutore.

Propozimet e Lulzim Bashës për ndryshime në statutin e PD

1. Janë përfshirë si vlera që mbrohen, promovohen dhe nxiten nga Partia Demokratike, meritokracia dhe shanset e barabrata ne punësim dhe karriere, duke nxitur nje administratë publike te qendrueshme dhe profesionale; lufta ndaj korrupsionit dhe dhenia fund e fenomenit të pandëshkueshëmrisë; shkeputja e lidhjeve midis politikes dhe krimit te organizuar, permes dekriminalizimit të plotë të jetës politike dhe publike, si dhe nxitja e një sistemi drejtesie të pavarur dhe të paanshëm, që i sherben vetem qytetarëve dhe interesit publik.

2. Eshtë zgjeruar koncepti i demokracisë së brendshme në parti edhe për përzgjedhjen e kandidatëve për pushtetin lokal, duke ngushtuar kompetencën qe kishte Kryetari i Partisë në këtë drejtim. Ne kete menyrë, detyrimi për konsultimin e anetaresise eshte perfshire edhe per kandidatet per pushtetin vendor, të cilët pas konsultimit me anetaresine do te propozohen nga: Kryetari i Partise, caktohen nga Kryesia e PDSH-se dhe lista e plote do të miratohet nga Keshilli. Kombëtar. Ne kete menyre eshte perfshire në vendimmarrje, si organ ratifikues i listes, edhe Keshilli Kombetar.

3. Eshtë rikonceptuar Kryesia e Seksionit, e cila do të përbëhet nga Kryetari, Sekretari dhe Nenkryetari i Seksionit Kryetari i Seksionit zgjidhet nga anëtarët e seksionit sipas parimit “Nje anetar, Nje vote Sekretari i Seksionit emërohet nga Kryetari i Degés. Nenkryetari i Seksionit emerohet nga Kryetari i Grupseksionit.

4. Eshte shtuar si strukture vendore e partisë edhe Këshilli Koordinues i Qarkut, që drejtohet nga Drejtues Politik i Qarkut, që emerohet nga Kryetari i Partisë. Kjo do të jetë një strukture e perhershme me pergjegjesi në organizimin elektoral dhe aksionet e veprimtaritë politike të PDSH ne nivel qarku.

5. Eshtë zgjeruar Kryesia e Degës së Partisë, ku do të përfshihen edhe anëtarët e Këshillit Kombetar të PDSH që kanë vendbanimin në Degë apo janë caktuar të mbulojne Degën; si dhe vetëm për Degët qendër qarku, 7 (shtate) anëtarë të zgjedhur nga Kuvendi i Deges

6. Eshtë rikonceptuar mënyra e funksionimit të Këshillit Kombëtar, duke parashikuar që anëtaret e zgjedhur të Këshillit Kombëtar të organizohen në Departamente te Keshillit Kombëtar, që funksionojnë si strukture këshillimore e Kryesisë dhe kryetarit të PDSH-se, për çeshtje tematike. Departamentet e Këshillit Kombëtar janë përgjegjëse për përgatitjen e platformave, opinioneve, strategjive dhe programeve sektoriale, të cilat sherbejne për formulimin e programit elektoral, programit të qeverisjes dhe veprimtarinë politike të PDSH-së

7. Eshtë zgjeruar Kryesia e Partisë, duke përfshirë si anetare të saj per shkak të funksionit edhe Kryetarin e Keshillit Kombëtar, Kryetarin e Bordit Financiar, Kryetarin e Komisionit Zgjedhor dhe Kryetarin e Komisionit të Apelimit. Integritetit dhe Etikes. Gjithashtu është shtuar rregulli që jo me pak se 30% e anetarë të zgjedhur te Kryesise t’i perkasi gjinise me pak te përfaqësuar.

8. Eshtë rikonceptuar Sekretariati Ekzekutiv i Partise, duke hequr numrin limit të sekretareve funksional ne perberje të tij Ky rregull eshte shtrire edhe per Degët e Partise

9. Eshtë bashkuar ne nje komision të vetëm Komisioni i Apelimit dhe Komisioni i Integritetit dhe Etikes, duke njohur kompetencen per vleresimin e kandidatëve dhe zbatimit te rregullave per dekriminalizimin dhe integritetin vetem Komisionit te Vleresimit të Kandidatéve

10. Eshte riformatuar Komisioni i Përhershëm i Statutit, i cili eshte pergjegjes edhe per interpretimin e dispozitave të Statutit, Komisioni i Perhershëm i Statutit do te perbehet nga 7 anetare titullare dhe dy anetare ndihmes, ge caktohen nga Kryesia e Partise

11. Eshtë harmonizuar dhe thjeshtuar përmbajtja e Statutit aktual, duke rregulluar pasaktesite apo duke hequr parashikimet qe perseriten ne teksin e tij, por pa prekur thelbin e parashikimeve statutore

 

Propozimet e Fatbardh Kadillit për ndryshime në statutin e PD

1- Vendosja e primareve, parimit “një anëtar një vote”, si mekanizëm i vetëm për zgjedhjen e drejtuesve partiak në çdo nivel, si dhe për zgjedhjen e kandidaturave për parlament dhe bashki, është një nga ndryshimet kryesore që propozohet.

Ky ndryshim e heq peshën e vendimmarrjes nga Vula e Kryetarit dhe e çon tek Vota e Anëtarit.

2- Garantimi i karierës është një ndryshim po aq thelbësor që demokratizon partinë. Çdo anëtari i garantohet e drejta absolute që të garojë për çdo funksion. Nuk do të jetë më Kryetari që seleksionon kush mund të kandidojë dhe kush jo.

3- Ndarja e rolit të Kryetarit të Partisë nga Administrimi i Partisë. Kryetari Udhëheq vetëm një projekt politik. Partia ka vazhdimësi. Njerëzit ikin partia mbetet.

Administrimi i partisë i kalon Këshillit të të Urtëve. Ky këshill është përgjegjës për organizimin, për burimet njerëzore, për zgjedhjet në parti, për financat partiake dhe për demokracinë e brendshme, statutin dhe etikën.

Propozime për ndryshime Statutore

1- Kryetari i Partisë

Kryetari i Partisë zgjidhet për një mandat katër vjeçar, i cili mbaron ose rinovohet automatikisht me shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve;

Kryetari i Partisë ose bëhet Kryeministër, ose largohet nga drejtimi i partisë pa pasur të drejtë të marrë pjesë në garën e radhës.

2- Drejtimi i Partisë

2.1- Drejtimi Politik i Partisë

Kryetari është drejtuesi Politik i Partisë;

Kryetari krijon Kabinetin Qeveritar / në opozitë Kabinetin në hije;

Kryetari emëron drejtuesit / përfaqësuesit e Partisë në Komisionet Parlamentare;

Kryetari emëron drejtuesit e Grupit Parlamentar;

Kryetari emëron kabinetin e këshilltarëve të tij, si dhe ngre zyra politike që ndihmojnë atë në kryerjen e funksioneve të drejtimit të partisë;

2.2- Kryesia e Partisë

Kryesia e Partisë përbëhet nga: Kabineti Qeveritar hije, nga Kryesia e Grupit Parlamentar dhe nga Drejtuesit / Përfaqësuesit në Komisionet e përhershme parlamentare; (e gjithë kryesia është e zgjedhur automatikisht nga Kryetari dhe secili kryen funksionet që i janë caktuar).

Kryetari mund të shkarkojë për shkak të performancës politike anëtarët e Kryesisë (njëherësh nga funksioni individual);

Çdo Ministër Hije (Zëdhënës) ngre departamentet e nevojshme për të mbuluar fushën që ka në kompetencë dhe emëron ekipet politike qendrore dhe lokale të fushës së tij të kompetencës / veprimit politik;

Drejtuesit e Grupit Parlamentar dhe Drejtuesit e Komisioneve të Përhershme parlamentare krijojnë ekipet e nevojshme të këshilltarëve për të ndihmuar dhe asistuar me ekspertizë deputetët;

2.3- Drejtimi Administrativ i Partisë

Drejtimi Administrativ i Partisë bëhet nga Këshilli i të Urtëve.

Këshilli i të Urtëve përbëhet nga tre anëtarë që zgjidhen nga Këshilli Kombëtar

Anëtarët e Këshillit të të Urtëve nuk duhet të kenë jetë aktive politike dhe nuk mund të kandidojnë për asnjë funksion tjetër në parti dhe as të zgjidhen si përfaqësues të partisë në asnjë funksion tjetër publik.

Anëtarët e Këshillit të të Urtëve duhet të zgjidhen si rregull nga senioriteti i partisë që është tërhequr nga aktivizmi politik.

Anëtarët e Këshillit të të Urtëve kanë mandat 6 vjeçar me mundësi rizgjedhje;

Ata janë garant të administrimit të partisë dhe të respektimit të të drejtave statutore të anëtarësisë

Këshilli i të Urtëve është përgjegjës:

– për regjistrimin dhe administrimin e regjistrit të anëtarësisë;

– për regjistrimin e strukturave partiake në përputhje me statutin;

– për respektimin e të drejtës për tu zgjedhur të çdo anëtari që plotëson kriteret ligjore dhe standardet etike të shpallura;

– për organizimin e primareve për zgjedhjet e çdo drejtuesi të çdo forumi partiak (Kryetar Seksioni, Kryetar Grupseksioni, Kryetar Forumi, Kryetar Dege, Kryetar/kandidat për deputet në ZAZ, Kandidat për Kryetar Bashkie)

Këshilli i të Urtëve emëron dhe mbikëqyr funksionimin e trupës administrative të partisë.

Këshilli i të Urtëve emëron:

– Administratorin e Përgjithshëm, me funksionet e Sekretarit të Përgjithshëm;

– Sekretariatin për Etikën;

– Sekretariatin për Zgjedhjet në Parti;

– Sekretarin për Organizim dhe Burime Njerëzore;

– Sekretariatin për Çështjet e Statutit;

– Sekretariatin për Administrimin e financave të partisë;

Funksionarët kanë mandat 6 vjeçar me të drejtë rizgjedhje. Këta funksionarë janë të përjashtuar nga gara për funksione të tjera partiake dhe nga kandidimet për përfaqësim të partisë në çdo nivel;

3- Organizimi i strukturës së partisë

3.1- Drejtuesit / Kandidatët

Drejtuesit e seksioneve, grupseksioneve dhe forumeve zgjidhen me parimin “një anëtar-një vote”, ose me vetëdeklarim të konfirmuar të mbështetjes nga anëtarët në përbërje të seksionit, grupseksionit, forumit.

Kryetari/kandidati për deputet i ZAZ, Kryetari i Degës, Kandidati për Kryetar Bashkie zgjidhen me primare nga vota e gjithë anëtarësisë. Modalitetet e primareve rregullohen në statut; ato i mundësojnë garuesve kushte të njëjta dhe anëtarësisë mundësi të barabartë njohje.

Anëtarësia që ftohet të votojë regjistrohet brenda një afati të arsyeshëm. Lista konfirmohet nga Këshilli i të Urtëve / Sekretariati për Organizimin dhe Burimet Njerëzore në një periudhë kohe që parashikohet në statut;

Askujt nuk i pengohet e drejta e kandidimit. Çdo kandidat regjistrohet nga KU / Sekretariati për Zgjedhje në Parti;

Për çdo ZAZ zgjidhet një kandidat nga vota e anëtarësisë që ndodhet në juridiksionin territorial të ZAZ-së;

Për çdo bashki zgjidhet një kandidat nga anëtarësia e strukturës që ndodhet në juridiksionin territorial të bashkisë;

Kandidaturat e tjera për deputetë që nevojiten për të plotësuar numrin e vendeve në parlament të një Qarku zgjidhen nga anëtarësia e degëve të gjithë Qarkut;

Kandidaturat në nivel Qarku propozohen nga Kryetari i Partisë;

Renditja e kandidaturave për deputet është tagër ekskluziv i Kryetarit të Partisë;

3.2- Organizimi i seksioneve dhe organeve të tjera të partisë

Seksionet ngrihen në nivel territorial me një numër minimal prej 5 anëtarësh

Çdo anëtar partie që siguron mbështetjen e të paktën 5 personave mund të ngrejë seksionin e tij. Seksionet regjistrohen në administratën e partisë (Sekretariat për Organizimin dhe Burimet Njerëzore). Seksionet dhe grupseksionet kanë vetëm Kryetar.

Kushdo brenda ose jashtë organizimit të seksionit ose grupseksionit mund të krijojë organizime strukturore / forume me natyrë përkatësie (profesioni, aktiviteti ekonomik, krahine, gjinie, moshe, gjuhe, kauze, interesi, si dhe çdo elementi tjetër përbashkues); rregulli është i njëjtë, minimum 5 anëtarë.

3.3- Kuvendi Kombëtar

Kuvendi Kombëtar përbëhet nga tërësia e kryetarëve të seksioneve, grupseksioneve, forumeve të regjistruara, nga Kryetarët e degëve, si dhe nga kandidatët për Deputet, për Bashki dhe kabineti qeveritar hije.

3.4- Këshilli Kombëtar

Këshilli Kombëtar përbëhet nga:

– Kryetarët e Degëve;

– Deputetët e zgjedhur dhe kandidatët për deputet të çdo ZAZ;

– Kryetarët e Bashkive dhe Kandidatët për Kryetar të çdo bashkie;

– Anëtarët e Kabineti Qeveritar / ose në Hije;

– Këshilli i të Urtëve dhe Sekretariati i emëruar prej tyre;

– Drejtuesit e Organizatave partnere;

Këshilli Kombëtar mblidhet të paktën një herë në tre muaj dhe vendos për çështje të rëndësishme politike të partisë.

4- Financimi i Partisë

Financimi publik i përfituar nga partia ndahet në këtë mënyrë:

– ½ (gjysma) e masës i shpërndahet degëve proporcionalisht me numrin e votave sipas rezultatit elektoral të arritur në zgjedhjet e fundit;

– ¼ (një çerek) për funksionimin e administratës së partisë;

– ¼ (një çerek) për funksionimin e ekipit të kryetarit të partisë;

Degët nxiten të rrisin të ardhurat nga kuotat e anëtarësisë.

Propozimet e Edith Harxhit për ndryshime në statutin e PD

1. Sot, kur ne kemi tre zgjedhje të humbura dhe jemi jashtë pushtetit qëndror dhe vendor për arsye të vendimarrjes së gabuar politike të Kryetarit dhe disa mbështetësve të tij, do të duhej që ne ta kufizojmë mandatin e Kryetarit të Partisë vetëm në një palë zgjedhje të humbura, sepse përfundimisht dikush duhet të mbajë përgjegjësi për humbjet e njëpasnjëshme të partisë sonë. Si është e mundur që prej vitit 2013, janë larguar nga strukturat drejtuese të partisë me qindra kryetarë degësh, qindra anëtarë të Këshillit Kombëtar, dhjetra anëtarë të Kryesisë së PDSH-së dhe disa Sekretarë të Përgjithshëm, e ndërkohë që Kryetari i Partisë nuk ka mbajtur asnjë përgjegjësi për dështimet e PDSH-së dhe për premtimet e pambajtura?

2. Ne duhet ti kthejmë Partinë anëtarëve të saj, pasi sot kjo parti ka vetëm një vendimarrje dhe kjo është e Kryetarit dhe në pak raste e Kryesisë së zgjedhur prej tij. Për këtë arsye ne duhet të sanksionojmë në Statut se vendimarrja për çdo marrëveshje politike, koalicion para apo pas zgjedhor dhe nismë të rëndësishme politike duhet të jetë atribut vetëm i Këshillit Kombëtar të PDSH-së, si përfaqësues i drejtpërdrejtë i vullnetit të anëtarësisë së Partisë Demokratike. Megjithëse kjo pikë u arrit të vendosej në Statutin e vitit 2017, përsëri nuk u zbatua asnjëherë, pasi disa marrëveshje të rëndësishme politike dhe koalicione para dhe pas zgjedhore u vendosën pa miratimin e Këshillit Kombëtar të PDSH-së dhe madje edhe të Kryesisë së Partisë.

3. Zgjedhja e kandidatëve për deputetë, anëtarë të këshillave bashkiake, kryetarë bashkish, duhet të jetë e lidhur drejtpërdrejtë me anëtarin e Partisë Demokratike dhe jo të emërohen nga Kryetari i Partisë. Në zgjedhjet e 25 prillit 2021, ishin të panumërta rastet kur u shkel në mënyrë flagrante statuti i partisë, madje edhe premtimet e bëra më parë nga vetë Kryetari i Partisë për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë. Lista e përgatitur nga Komisioni i Vlerësimit të Kandidaturave, megjithëse me një proçes të anatemuar pasi ishtë proçes denigrues dhe përjashtues dhe jo vlerësues, nuk u morr parasysh. Madje në shumë raste edhe vota e demokratëve për vlerësimin e kandidaturave u shpërfill dhe u tjetërsua nga vendimarrja e Kryetarit të Partisë. Zëri i demokratëve të thjeshtë, punëtorëve të partisë prej vitesh duhet të dëgjohet dhe ai duhet të jetë i vetmi pushtet në Partinë tonë, pasi anëtarësia e Partisë, dega, grup seksioni dhe seksioni janë ata që njohin më mirë problemet reale të Partisë dhe të qeverisjes sot dhe pikërisht duhet të jenë ata që duhet të vendosin për kandidaturat që vlerësohen nga anëtarësia dhe shoqëria. Kryetarët e degëve dhe strukturat lokale të partisë nuk mund të neglizhohen në asnjë mënyrë në procesin e vendimarrjes dhe nuk mund të sfidohen nga besnikë të kryetarit të partisë, që emërohen në periudha parazgjedhore si koordinatorë politik në qarqe.

4. Këshilli Kombëtar duhet të jetë forumi më i lartë vendimarrës i partisë sonë. Ai duhet të jetë përfaqësues, i kufizuar në numër, dhe i përbërë nga 120 anëtarë në përgjithësi, nga të cilët 90 prej tyre të zgjidhen me votim të drejtpërdrejtë dhe të fshehtë nga Kuvendi Kombëtar, me propozim të degëve të PDSH-së dhe jo të Kryetarit. Çdo degë e PDSH-së duhet të ketë peshën e saj reale, në vartësi të arritjeve zgjedhore, në Këshill Kombëtar dhe në Kryesinë e Partisë dhe të përfaqësohet në këto dy forume me personalitete të përzgjedhura nga degët, pasi vetëm në këtë mënyrë do të mund të dëgjohet zëri i vërtetë i anëtarëve të saj. Aktualisht Kryesia e Partisë dhe Këshilli Kombëtar nuk përfaqësojnë në mënyrë të vërtetë degët e saj. Çdo propozim për të bërë anëtarë të përhershëm të Këshillit Kombëtar deputetët e zgjedhur të listës së Kryetarit, dhe kolegjin e kryetarëve, e zhbën zërin e vërtetë të anëtarësisë dhe vazhdon ta mbajë Partinë në forum të Kryetarit të saj.

5. Këshilli Kombëtar duhet të ketë në përbërjen e tij edhe anëtarë të diasporës shqiptare në botë të cilët mund ti propozohen Kuvendit Kombëtar me një numër të kufizuar nga degët e PDSH-së në Diasporë. Kjo siguron hapjen e partisë dhe konsultimin me personalitete të diasporës shqiptare të cilët në mënyrë të drejtpërdrejtë ndihmojnë në shpalosjen e programit të PDSH-së dhe politikave të saj në botë.

6. Forumet drejtuese të Këshillit Kombëtar, duhet të kenë mandat katër vjeçar dhe të jenë të pavarura nga Kryesia e Partisë dhe Kryetari i Partisë, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të sigurojmë atë që quhet kontroll dhe balancim të pushtetit dhe do të sigurojmë vendimarrje të pavarur dhe kolegjiale. Këshilli Kombëtar nuk mund të jetë organ këshillmor i Kryetarit dhe Kryesisë së Partisë, por autoriteti më i lartë vendimarrës në PDSH. Pavarësia e organeve drejtuese të Këshillit Kombëtar dhe thirrja e mbledhjeve të Këshillit duhet të jetë e drejtë e Kryetarit të Këshillit Kombëtar.

7. Partia jonë duhet të kalojë në një proçes të menjëhershëm të verifikimit të anëtarësisë së saj pasi ne ndryshojmë listat e anëtarësisë në zgjedhjet për Kryetar Partie, apo zgjedhje të tjera të brendëshme në parti, duke shkelur parimin bazë të demokracisë, të Kushtetutës së vendit dhe Statutit të Partisë sonë, “e drejta për të zgjedhur dhe për tu zgjedhur”. Vetëm në procesin e fundit zgjedhor për Kryetar të Partisë Demokratike janë hequr nga listat e anëtarësisë së PDSH-së me mijra demokratë dhe anëtarë të hershëm, më shumë se 28 mijë anëtarë të anëtarësisë së saj reale që prej vitit 1990, kur edhe është themeluar partia. Anëtarë të hershëm dhe të tashëm të Partisë Demokratike, themelues e qëndrestarë, janë hequr nga listat e anëtarësisë jo pa qëllim dhe kjo ka deformuar partinë tonë në strukturë, përmbajtje, thelb dhe formë.

8. Mosbërja publike e listave të Partisë Demokratike është një shkelje tjetër e parimeve themelore të së djathtës dhe demokracisë në parti. Kjo duhet të sanksionohet me një nen të posaçëm në Statutin e partisë dhe jo të fshihemi pas Ligjit për të Dhënat Personale, pasi ne nuk jemi parti të dhënash por parti individësh të lirë, të cilët kanë vendosur me dëshirën e tyre të lirë të jenë pjesë e kësaj organizate politike dhe kjo divizë është e sanksionuar që në statutin e parë të PDSH-së në vitin 1991.

9. Komisioni i Apelimit në Partinë Demokratike duhet të jetë një organ më vete dhe plotësisht funksional. Me anë të këtij komisioni duhet ti garantohet e drejta çdo anëtari të PDSH-së që të apelojë vendimet në rast shkeljesh. Ky Komision duhet të jetë funksional gjatë çdo mandati të Kuvendit Kombëtar dhe të propozohet nga Këshilli Kombëtari PDSH-së.

10. Partia Demokratike duhet të ketë një Rregullore të Brendëshme për funksionalizimin e Statutit të saj dhe kjo rregullore duhet të miratohet në mbledhjen e parë të Këshillit Kombëtar, pas konstituimit të tij. Përvoja e deritanishme ka treguar se PDSH-ja, në kundërshtim me Statutin e saj, është drejtuar pa rregullore të brendëshme dhe me rregullore ad-hoc të përgatitura nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë, apo Kryesia e Partisë, sa here që Kryetari apo Kryesia është vendosur para përgjegjësisë së mos kryerjes së funksioneve të tyre.

alert.al/

 

Kreu i Prokurorisë së Apelit Gjirokastër përjashtohet nga Drejtësia, KPA lë në fuqi vendimin e KPK-së për shkarkim

Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) lë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) për shkarkimin nga detyra të drejtuesit të Prokurorisë së Apelit Gjirokastër, Alfred Agolli.

“Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Rezarta Schuetz relatore, Ardian Hajdari, Ina Rama, Natasha Mulaj anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr.54/2019, datë 28.10.2019, që lidhet me ankimin e subjektit të rivlerësimit Alfred Agolli, kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 177, datë 08.07.2019.

Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, germa “a” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, me shumicë votash, vendosi: 1. Lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 177, datë 08.07.2019, që i përket subjektit të rivlerësimit Alfred Agolli. 2. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm”, thuhet në njoftim.

Trupa gjykuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK e përbërë nga kryesuesja Etleda Çiftja, Roland Ilia dhe Olsi Komici vendosën më 8 korrik 2019 që të shkarkojnë nga detyra drejtuesin e Prokurorisë së Apelit Gjirokastër, Alfred Agolli. Sipas vendimit të arsyetuar të KPK-së, shkaku kryesor i shkarkimit ishte një hua e padeklaruar prej 3 milionë lekësh për blerjen e një apartamenti në Gjirokastër si dhe “deklarimet kontradiktore” të subjektit në lidhje me këtë hua.

Komisioni ka identifikuar edhe problemet në kriterin e profesionalizmit për ish-kreun e Prokurorisë së Apelit të Gjirokastrës, ndërkohë që një raport i DSIK-së për papërshtatshmëri u rrëzua si e paprovuar nga trupa gjyqësore.

alert.al/

Vula e zgjedhjeve/ Komisioni Rregullator i KQZ certifikon rezultatin e 25 prillit, jepen mandatet për 140 deputetët e rinj

Komisioni Rregullator në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve i ka vënë kapak përfundimisht procesit zgjedhor të 25 prillit, duke certifikuar rezultatin.  Komisioni ka miratuar në parim rezultatin e saktë dhe shpërndarjen e mandateve për 140 deputetët e ardhshëm. Aktualisht është duke u miratuar nen për nen i gjithë akti.

Në parim projekt- vendimi është miratuar me 3 vota pro dhe 2 kundër.

Në 25 prill, Partia Socialiste ka marrë 74 mandate, PD-AN 59 mandate, LSI 4 mandate dhe PSD 3 mandate. Opozita ka kërkuar që këto zgjedhje të shpallen të pavlefshme dhe ripërsëritjen e tyre, por Kolegji Zgjedhor hodhi poshtë pretendimet e tyre. Tani më  lista e 140 deputetëve që do të hyjnë në parlamentin e ardhshëm është e plotë, me emra të rinj dhe të vjetër.

alert.al/

Përplasja për tregun e lojërave të fatit, SPAK mbyll hetimin e vrasjes së ish-policit Santiago Malko

SPAK mbyll hetimet per vrasjen e Santiago Malkos, ngjarje e ndodhur më 27 gusht 2019, në rrugen Xhanfize Keko. Ngjarja ka ndodhur është pasojë e perplasjes për zotërimin e tregut të lojërave të fatit.

Hetimi

Ne dosjen e prokurorisë thuhet se grupi  kriminal i Dukëve, nga muaj maj 2019 deri në gusht të atij viti kishin paguar para për të marrë informacion se ku gjendej Martini për ta vrarë. Ata kanë marrë informacion në Spanjë, Turqi dhe Kosovë, por duke qenë se nuk ranë në gjurmët e tij, vranë Santiago Malkon qe ishte praktikisht një nga njerëzit më të afërt me biznesmenin e lojërave të fatit Martini.

Ne dosje thuhet se Blendi Teta, pak orë para se të kryente vrasjen ka zhvilluar një takim në ambjentet e paraburgimit me Dritan Dajtin. Ai e ka zhvilluar takimin duke u prezantuar si kushëri i Dajtit. Ne dy makinat që u përdoren në vrasje prokuroria ka gjetur profile gjentetike dhe më pas i ka krahasuar ato me prindërit e personave të përfshirë në këtë ngjarje. Ato kanë rezultuar të përputhshme.

Të dyshuar janë Fatmir Hyseni ( i njohur me pseudonimin Doqja) , Erlis dhe Leonard Duka, Oltion Loga, Dritan Agaj, Ervis Metani që janë akoma në kërkim. Ndërkaq, të arrestuar janë Blendi Teta dhe Ilir Selmani.

Ngjarja

Ekzekutimi me eskortë të hapur dhe në mes të njerëzve në Tiranë, i ish-efektivit të policisë së Tiranës Santiago Malko nga klani “Duka”, dyshohet se është kryer nga një killer me pagesë nga Vlora. Për të hedhur dritë mbi biografinë e Fatmir Hysenit, policia e kryeqytetit ka kërkuar të shkëmbejë informacione me policinë e Vlorës. Fatmir Hyseni ose “Doqja”, që dyshohet nga policia dhe prokuroria e Tiranës se ka qëlluar me kallashnikov drejt Malkos, besohet se është kontraktuar nga vëllezërit Erlis dhe Leonard Duka, duke u mbështetur më pas nga anëtarët e tjerë të skuadrës Oltion Loga, Dritan Agaj, Ervis Metani, Ilir Selmani dhe Bledar Teta. Ky i fundit ka qënë pjesë e vëzhgimit të Santiago Malkos. Pas krimit në ikje e sipër Teta, sipas prokurorisë ka thyer telefonin dhe kartën SIM, duke asgjësuar të dhënat dhe bisedat brendat tij. Ndërkohë nga operacioni policor për kapjen e këtyre personave është sekuestruar dhe një mjet i blinduar që përllogaritet me vlerë 700 mijë euro.Nga informacionet operative që policia e Tiranës ka mbledhur lidhur me vrasjen e Santiago Malkos ka rezulton se klani “Duka”, ose siç njihet ndryshe në Tiranë si “banda e Romëve”, ka kontraktuar Fatmir Hysenin nga Vlora pjesë e “grupit të Çamëve” për të eleminuar fizikisht, Santiago Malkon, ky i fundit shok i biznesmenit të lojrave të fatit Ervis Martinaj. Hyseni dhe Elvis Gaçaj ose “Gabeli”, ky i fundit pjesë e klanit “Duka” dyshohet se janë qitësit me automatik në drejtim të Santiago Malkos, i cili pasi është rrethuar është qëlluar për vdekje me 9 plumba në trup.

alert.al/

(Video dhe foto ekskluzive) Ja kontenieri ku u gjet kokaina, kishte dy ditë që gjurmohej

15 kilogramë kokainë është kapur në Portin e Durrësit mesditën e sotme, në një kontejner të ngarkuar me banane që vinte nga Ekuadori.  Kjo është pamje e kontenierit e siguruar nga alert.al. Theksojmë se Policia u kujdes që ta mbante median larg vendit ku u bë kontrolli i kamionit.

Ngarkesa vinte për llogari të një kompanie shqiptare, ndërsa kontejneri kishte mbërritur në Portin e Durrësit që dy ditë më parë dhe ishte nënë vëzhgimin e autoriteteve për të kapur personin që do të shkonte për të marrë ngarkesën.

Ky person, identiteti i të cilit nuk bëhet ende me dije, është shoqëruar nga Policia, ndërsa po ashtu autoritetet kanë shoqëruar edhe një të dyshuar tjetër.

alert.al./

Zbulohet 15 kg kokainë në kamionin me banane, policia në operacion në Portin e Durrësit

Në portin e Durrësit po kontrollohet një kamion me banane, ku deri më tani është sekuestruar një sasi pre 15 kg kokainë. Droga u zbulua nga gjurmët e skanerit të kontenierit.

Linja e drogës së fshehur në banane është nga më të njëhurat në portin e Durrësit. Kujtojmë këtu sasinë e madhe të drogës së kapur në kontenier në adresë të biznesmenit Arbër Çepani, e më pas ishte babai i tij në rolin e pritësit në një ngarkesë të dytë. Këtë vit u zhvillua një tjetër operacion që zbuloi drogë e ardhur nga vendet e Amerikës Latine.

​Bëhet fjalë për operacionin e zhvilluar nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës dhe Drejtoria Vendore e Kufirit​, më 10 prill të këtij viti.

Atu do të sekuestroheshin rreth 143 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë.

Arrestohen në flagrancë 2 administratorët e kompanisë pritëse të ngarkesës me banane. Bazuar në informacionet e marra në rrugë operative dhe hetimet e kryera doli se në një kontenier fshihej një sasi e konsiderueshme lënde narkotike kokainë.

​Si rezultat i operacionit, gjatë kontrollit të imtësishëm të ushtruar në një kontenier të ngarkuar me banane, i cili ishte nisur nga porti i GUAYAQUIL në Ekuador dhe kishte kaluar tranzit në portin “GIOIA TAURO”, Itali​, me destinacion Shqipërinë, për llogari të një firme me qendër në Tiranë, me administratorë shtetasit E. P. dhe K. X., shërbimet policore dhe ato doganore gjetën të fshehura në tavanin e kontenierit​, pako të mbushura me lëndë narkotike të dyshuar kokainë me peshë totale 143 kilogramë.

alert.al/

“Nëse nuk reagoni, do t’ju çoj në SPAK!”, Rama: Ministrat po aq përgjegjës për tenderat sa kryebashkiakët

Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se 70% e tenderëve të bërë kanë pasur probleme, ku pjesa më e madhe lidhet me hartimin e kritereve. Atë që sheh me problematikë, Rama tha se është mosreagimi i institucioneve pas rekomandimeve nga ana e Agjencia e Prokurimet

“Paketa e re adreson domosdoshmërinë për të rritur integritetin dhe përgjegjshmërinë e të gjitha palëve në këtë proces, për të forcuar mekanizmat monitorues dhe ndëshkues për shkeljet e konstatuara, prandaj dua që të bëj me shumë pak fjalë në mënyrë të përmbledhur një bilanc të cilin do t’ju inkurajoja që ta shikoni në mënyrë të specifikuar sipas fushave sepse ka të dhëna të rëndësishme. Janë asistuar 936 procedura të publikuara nga këto institucione, ndër to 70% e procedurave kanë rezultuar problematike në hartimin e kritereve dhe për këtë arsye institucioneve përkatëse janë dërguar rekomandime nga Agjencia e Prokurimet. 20% e institucioneve nuk janë reaguar dhe ose nuk kanë reflektuar ndaj rekomandimeve. Rekomandimet nuk janë të shkruara në gur, nuk janë të padiskutueshme, por është e padiskutueshme që mos reagimi ndaj tyre me shkrim për të vënë në diskutim me argumente është cënim flagrant i etikës shtetërore”, tha Rama.

Nisur nga kjo neglizhencë dhe mospërfillje, siç kreu i qeverisë i cilësoi, Rama u kërkoi ministrave, drejtorëve të institucioneve, por edhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu që të reflektojnë, që të mos kenë të njëjtin fat si Fatos Tushe, kryebashkiakut të Lushnjes tashmë të arrestuar nga SPAK.

Me paketën e re ligjore, Rama tha se ministrat, janë po njësoj përgjegjës si titullarët e Bashkisë për procedurat e tenderit, ku përfshihet numri i pjesëmarrjeve, vlera e kursyer në paratë e buxhetit të shtetit, nënshkrimi i kontratave, realizimi i tyre në terren si edhe kufizimi i tenderëve me negocim pa shpallje, që janë edhe 5 prioritetet e paketës së re të Prokurimeve. Nëse do të ketë abuzimeve në këto pika, Rama ua bëri të qartë se nuk do të ketë asnjë tolerim dhe se partia nuk do të jetë një mburojë për ta.

“Me ligjin e ri, titullarët e autoriteteve kontraktore janë përgjegjës direkt për menazhimin e fondeve dhe numri i pjesëmarrësve për procedurë, vlera e kursyer, numri i procedurave për negocim dhe këtu ministritë kanë shembullin më domethënës të procesit, kjo tregon se ku ka vullnet, ka rezultat, edhe aty ku duket sikur janë të gjitha argumentet ku të duket që rezultati mos kërkohet sepse nuk arrihet”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama u ka bërë të qartë ministrave se nëse nuk ka asnjë reagim nga ana e tyre pas rekomandimeve të Agjencisë së Prokurimeve Publike për tendera me probleme, do i çojë në SPAK.

“Në një kohë të shkurtër, jo të gjatë, ky shtet të kalojë në një nivel tjetër të nivelit të Prokurimeve Publike, në radhë të parë duke garantuar që çdo institucion funksionon si hallkë, jo si bajrak, dhe duke funksionuar kështu, funksionon si pjesë e një zinxhiri ku komunikim duhet të jetë 100% i garantuar. Rekomandimet e APP nuk janë as në Bibël e as në Kuran, edhe pse këto përsëri hanë diskutimet e tyre mes besimtarëve, por ama sikur në një rast të vetëm rekomandimet të bien në një vesh aq të shurdhët sa të mos ketë fare përgjigje, a thua se kjo APP mbyll letra në shishe dhe i hedh në det, çdo rast i tillë do të shkojë në SPAK nga kryeministria, pastaj a është i qëllimshëm apo injorancë këtë çështje pastaj hane hetimet. Janë disa objektiva të realizueshëm, që afatet janë të padiskutueshme. Shmangia e kritereve të qepurave me dorë që kufizojnë konkurrencën me paketën ligjore është mundësuar që të adresohet me efikasitet, tërheqjet nga gara, rrotacionet në ofertim, ofertimet fiktive duhen marrë masa që të merren hetime administrative”, tha Rama.

alert.al/