Menu

Kryesore

Habit shefi i Urgjencës, Brataj: S’mund të arrestohet mjeku për 50 mijë lekë!

Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, foli në rubrikën “Opinion”, në News24, për protestën e mjekëve, pas arrestimeve të fundit të bluzave të bardha nën akuzën e marrjes së ryshfetit, duke dalë në krah të bluzave të bardha, pasi sipas tij, mjeku ka në dorë jetën e njeriut dhe për rrjedhojë duhet t’i krijohen kushte për kryerjen e punës.

“Bluzat e bardha kanë qenë gjithmonë problem. Shumë herë institucione politike, apo kushdo qoftë, e zgjidhin duke kapur mjekun e duke e futur në burg, kur në 90% të rasteve kanë dalë të pafajshëm. Për çdo gjë, nuk e ke dokumentuar, vërtetuar. Në çdo fushë ka njerëz që janë tipik ndaj një gjëje, për dy kolegët e arrestuar nuk kam dëgjuar ndonjëherë, ndaj nuk jam dakord me mënyrën si janë trajtuar. Nuk mund të akuzosh një mjek për 50 mijë lekë, ndërkohë që për gjëra më të rënda i lë të lirë. Shqiptarët i kanë sytë dhe i shkojnë gjërat. Nuk mund t’i turremi bluzës së bardhë e ta trajtojmë si kriminelë, kur në duart e tyre jemi. Edhe nëse s’do të ketë urgjenca e pandemi, duhen krijuar kushtet që mjekët shqiptarë, jo vetëm nga ana ekonomike, por edhe nga ana profesionale, të trajtohen me të gjitha pajisjet e duhura. Nuk mendoj se ka mjek sot që presin t’i paguash, pa të dhënë ndihmën”, deklaroi Brataj.

Kreu i Urgjencës ka folur edhe për dy ngjarjet e rënda të ndodhura në Durrës, ku një nënë e re humbi jetën pak ditë pas lindjes së fëmijës, dhe një 20-vjeçar mbeti viktimë, pasi i shpërtheu goma e makinës, në gomisterinë ku punonte.

Për të dyja rastet pati akuza nga familjarët se ambulanca kishte shkuar me vonesë në vendngjarje, ndërsa mjeku Brataj tha se një gjë e tillë nuk është e vërtetë dhe se ambulanca nuk vonohet, përveç rasteve kur ka mbingarkesë.

“Nuk kam të dhëna sa i përket orës kur ka mbërritur ambulanca, megjithatë e gjej në çdo moment. Për 20-vjecarin që humbi jetën te gomisteria nuk është e vërtetë, 9-10 minuta pas thirrjes ka mbërritur ambulanca. ka qenë gomë e madhe, me presion 2.3-2.4 ballë. Varet ku të kapë, po të kapi trupin, organet e brendshme dhe fytyrën, normal që presioni është shumë i madhe dhe humbet jetën që në moment. mesatarja e mbërritjes së ambulancave ka qenë 13.8 minuta në të gjithë Shqipërinë, jemi brenda standardeve. Ambulanca mund të ndodhë të vonohet, në raste kur ka mbingarkesë. Njeriu që ka një hall i duket minuti orë, por nuk na rezulton të kemi pasur vonesa. Kushdo që ka paqartësi, mund t’i drejtohet 127, sepse ne i verifikojmë”, deklaroi Brataj..

alert.al/

Varianti Delta/ Manastirliu: Për një seri mostrash të pazakonta priten rezultatet nga Gjermania

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka ndjekur nga afër proçesin e vaksinimit në Qendrën Shëndetësore Sauk në periferi të Tiranës, duke i bërë apel qytetarëve, që të mos e neglizhojnë vaksinimin anticovid. “Jam këtu për të nxitur edhe njëherë vaksinimin, në qendrat shëndetësore, në ambulanca, në qendrat e vaksinimit të përqendruar. Tashmë, duke filluar nga fundjava dhe në vijim, edhe me njësitë lëvizëse, të cilat do të jenë në territor dhe do të ndihmojnë për vaksinimin në zonat ku kemi xhepa ende të pavaksinuar”, tha Manastirliu.

Duke theksuar se situata po monitorohet me shumë kujdes, Ministrja e Shëndetësisë bëri me dije se ka sinjale të pazakonta nga analizat e kryera në ISHP, për prezencën e variantit Delta në Shqipëri.

“Në Institutin e Shëndetit Publik janë duke u bërë analizat dhe është vlerësuar që një seri mostrash, të cilat janë identifikuar si sinjale të pazakonta, të çohen në Laboratorin e Referencës në Gjermani, për të bërë vlerësimet e mëtejshme dhe për t’u bërë sekuencimi genomik, në mënyrë që të shihet nëse ka një qarkullim të mundshëm të variantit Delta në Shqipëri”, bëri me dije Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë u shpreh nga qendra shëndetësore e Saukut, se vaksinimi do të vijojë me intensitet gjatë verës dhe foli për kalendarin e mbërritjes së vaksinave anticovid në vend.

“Ne duam të vijojmë vaksinimin me ritëm dhe po sigurojmë edhe disponibilitetin e vaksinave për këtë. Brenda korrik-gushtit ne presim edhe 500 mijë doza të tjera vaksinash, për të vijuar këtë proces jetik, që është arma më e mirë për të shmangur pasojat e varianteve të reja të mundshme, siç është varianti Delta”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë bëri me dije se grupmosha më mirë e mbuluar sa i takon vaksinimit është ajo 70-79 vjeç, ndërsa bëri apel për qytetarët për ta shfrytëzuar sa më parë mundësinë për t’u vaksinuar. Sipas Ministres së Shëndetësisë, plani kombëtar i vaksinimit parashikon vijimin e vaksinimit të kombinuar por edhe ditët e hapura të vaksinimit +18 vjeç, të cilat do të rikthehen sërish në muajt korrik dhe gusht.

Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 1,011,297 doza të vaksinës ndaj COVID19. Prej tyre 429,191 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës antiCOVID.

alert.al/

Mbledhja me kryebashkiakët/ "T'i vini mirë gishtin kokës, mos u pëzieni me tenderat", porositë e Ramës pas arrestimit të Tushes

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar disa herë kryebashkiakët gjatë takimit të sotëm në kryeministri, të mos përzihen me tenderat.Pak ditë pas arrestimit të kryebashkiakut të Lushnjës Fatos Tushe, i cili u përjashtua edhe nga PS, Rama iu kërkoi krerëve vendorë t’i vënë gishtin kokës.

“Të gjithë pa përjashtim, troç, t’i vini mirë gishtin kokës, të kuptoni në mish e në shpirt se mandati i tretë kërkon një përkushtim të trefishtë ndaj popullit, seriozitet të trefishtë dhe ndërgjegjësim të trefishtë për nivelin e performancës së bashkive, agjencive e drejtorive.
Në mbrojtjen e territorit nga ndërtimet pa leje dhe korrupsionit në polici që e shoqëron si hije atë veprimtari kriminale si dhe luftën kundër ryshfetit të policëve në rrugë. Por, kjo nuk është aspak e vërtetë, as unë nuk jam kujtuar vonë, as gjërat nuk janë njësoj siç ishin kur nisi ngritja e pol së shtetit nga gërmadhat.
Po të shohim majën ku duam të ngjitemi është absolutisht i pamjaftueshëm. Duke e mbyllur këtë parantezë, po kthehem tek arsyeja e parë, prokurimet publike. Kërkoj vëmendjen tuaj të plotë në këtë aspekt dhe uroj në reagimi ne tuaj të menjëhershëm dhe të pandërprerë deri në fund të mandatit për të garantuar, cilësi, transparencë. Nuk po i hyj fakteve e shifrave se sa është përmirësuar sistemit të prokurimeve publike, por duke qenë se pakënaqësia është një konstante e punës së përditshme me veten, me ju, me qeverinë, me të gjitha institucionet dhe për prokurimet publike kam kërkuar përmirësim.
Sapo ka hyrë në fuqi paketa e re ligjore në fushën e prokurimet publike. Përmirëson ndjeshëm kuadrin rregullator. Paketa e re synon të rrisë integritetin dhe përgjegjshmërinë e të gjitha palëve të përfshira në këtë proces, qoftë autoriteteve kontraktore, qoftë operatorë ekonomikë. Ju ftoj të merrni sa më shpejt në laps ta studioni këtë paketë dhe të kërkoni nga strukturat tuaja për prokurimin të bëjnë të njëjtën gjë. Ju sugjeroj shumë dashamirësisht të mos përziheni me procesin e prokurimeve publik, të mos luani me një zjarr që do të bëhet gjithnjë e më përvëlues në kushtet kur drejtësia e re do ketë gjithë mbështetjen time dhe të PS kundër kujto prej jush ose kujtdo qoftë që do luajë me zjarrin”, deklaroi Rama.

Fatos Tushe përjashtohet nga partia, Rama: S’jemi avokatë të të pandehurve

Kryeministri Edi Rama ka përjashtuar nga Partia Socialiste ish-kryebashkiakun e Lushnjës, Fatos Tushe, pas shkarkimit nga detyra, për shkak të arrestimit të tij me urdhër të SPAK për korrupsion me tenderat publikë.

Gjatë fjalës së tij para kryebashkiakëve, kryeministri Rama deklaroi se PS nuk do të bëhet zyrë avokatie e të pandehurve dhe të akuzuarve nga drejtësia, por do t’i shërbejë Shqipërisë dhe popullit shqiptar.

“Ju kam thirrur për një shkak dhe për 2 arsye themelore në lidhje me punën tuaj. Shkaku që e afroi në kohë këtë takim është arrestimi i kreut të Bashkisë Lushnje dhe disa bashkëpunëtorëve të tij, i akuzuar nga SPAK për korrupsion.

Ky është rasti për t’iu përsëritur juve dhe gjithë të tjerëve, që kanë marrë apo do të marrin besimin e shumicës sonë të mandatuar për të tretën herë rresht nga populli si forcë qeverisëse, se PS nuk është zyrë avokatie e të pandehurve dhe të akuzuarve nga drejtësia, por është fuqia e votuar nga populli për t’i shërbyer Shqipërisë dhe qytetarëve, jo të pandehurve, as të akuzuarve në radhët e veta.

 

 

Korrupsioni, ryshfeti, bakshishi nuk kanë ngjyrë politike, janë e zeza, errësira, llumi me të cilin ne duhet dhe do të përballemi, për të ndërtuar shtetin e të drejtës, të refuzojmë çdo lloj mbrojtjeje dhe të udhëheqim popullin drejt majës, ku duhet ta ngjisim dhe do ta ngjisim Shqipërinë.

Kryetari i bashkisë së Lushnjës do të shkarkohet nga detyra dhe do të përjashtohet nga PS, masa që do të vijojnë deri në fund të procesit të tij ligjor. Kush luan me taksat, kush fut duart në xhepat e shqiptarëve, është thjesht i vetëm me avokatin e vet personal përballë drejtësisë.

alert.al/

Marrëveshja e dëbimit të shqiptarëve/ Ministrja britanike përshpejton procedurat: Nuk kërkoj falje, do mbroj popullin tim!

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, priti ditën e sotme në një vizitë zyrtare në Shqipëri, Ministren e Brendshme të Britanisë së Madhe, Priti Patel. Dy homologët kanë firmosur Marrëveshjen e Ripranimit, propozuar nga qeveria britanike pas daljes së saj nga Bashkimi Europian. Në kuadër të detyrimeve për përafrimin e legjislacionit për Kapitullin 24 “Drejtësia, Liria dhe Siguria” nënshkrimi i marrëveshjes vjen në përputhje me angazhimet e Shqipërisë për të luftuar migracionin e paligjshëm, si një prej nën-çështjeve thelbësore ku kërkohet progres i vazhdueshëm.

Kjo marrëveshje prek dhe shumë shqiptarë të cilët tentojnë që të shkojnë në Angli për një jetë më të mirë.

Marrëveshja e re do të lejojë Britaninë të dëbojë kriminelët e huaj dhe emigrantët e paligjshëm më lehtë.

“Unë nuk kërkoj falje për heqjen e kriminelëve të huaj të rrezikshëm për të mbrojtur popullin britanik dhe deri më tani, më shumë se 1.000 kriminelë të huaj janë deportuar, me më shumë që janë larguar çdo javë.” -shtoi ajo.

Sipas mediave britanike, kriminelët shqiptarë kanë qenë të lidhur me tregtinë e drogës në MB dhe thuhet se kanë marrë kontrollin e shumë tregjeve të kokainës.

“Unë jam e vendosur të rregulloj sistemin tonë të imigracionit, të ndaloj hyrjen e paligjshme dhe të heq ato që nuk kanë të drejtë të jenë në MB sa më shpejt të jetë e mundur. Plani ynë i Ri për Imigracionin, së bashku me këtë marrëveshje të re, do të përshpejtojë largimin e shtetasve shqiptarë të cilët kanë kryer krime në Mbretërinë e Bashkuar dhe tejkaluan mirëpritjen e tyre.’‘-tha ajo.

Marrëveshja

Marrëveshja është hartuar duke u bazuar në modelin komunitar, si edhe duke respektuar parimet e shkëmbimit të informacionit mbi të dhënat personale. Qëllimi, janë procedurat e ripranimit dhe tranzitit në rastet e dëbimit të personave, hyrja ose qëndrimi i të cilëve është i paligjshëm në territoret e shteteve të tyre. Palët do të forcojnë bashkëpunimin në lidhje me luftën kundër migracionit të parregullt, duke zgjeruar bashkëpunim teknik dhe operacional në fushën e menaxhimit të migracionit të parregullt dhe sigurisë së brendshme.

Bashkëpunimi

Ministri Çuçi njohu homologen britanike me prioritetet e Ministrisë së Brendshme, ristrukturimin e nisur në Policinë e Shtetit, si dhe progresin e arritur në luftën kundër krimit të organizuar në tërësi. Më tej, gjatë bashkëbisedimit ai u ndal tek nevoja për thellimin e hetimeve të përbashkëta përmes shkëmbimit intensiv të informacionit, për grupe kriminale që operojnë në dy vendet, apo elementë që përpiqen t’i fshihen drejtësisë.

Ministri u shpreh i gatshëm për të zgjeruar bashkëpunimin në fushën policore, konkretizuar kjo me grupe të përbashkëta hetimore, si dhe e njohu me punën për reformimin e vazhdueshëm të Policisë së Shtetit, për të ndërtuar një marrëdhënie të fortë besimi me qytetarët, për ta qasur atë si shërbim e jo si forcë.

Ministrja e Brendshme e Britanisë së Madhe riafirmoi marrëdhënien e fortë mes dy vendeve dhe vëmendjen e Mbretërisë së Bashkuar për Shqipërinë, në fusha të interesit të përbashkët, si dekurajimi i migracionit të paligjshëm, bashkëpunimi policor në funksion të luftës kundër krimit të organizuar. Po kështu shprehu gatishmërinë për të asistuar Policinë Shqiptare në ngritjen e kapaciteteve, sidomos në fusha që lidhen me teknologjinë dhe inovacionin, që ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen cilësore dhe efikasitetit të punës së saj.

alert.al/

Miliona euro nga BE dhe buxheti, Laboratorët e AKU jashtë funksionit; pa akreditime, pa investime dhe me stafe të patrajnuara. Ja kërkesat e vetë sektorit drejtuar Ministrisë së Bujqësisë

Nga Mariglen Mertiri*

Laboratorët e Autoritetit Kombëtarë të Ushqimit që kontrollojnë sigurinë ushqimore në vend janë të amortizuar, të pa akredituar, me stafe të patrajnuar dhe nuk ofrojnë analiza të sakta shkencore në numrin e limituar të analizave që kryejnë.

Bashkimi Europian ka investuar mbi 2 milionë euro për pajisjet laboratorike dhe ato ndihmëse në 3 laboratorë deri në vitin 2019, por pajisjet ose ishin të pa kalibruara, ose nuk vendoseshin në funksion edhe pse ishin marrë në dorëzim, ndërsa trajnimi i stafeve ishte i pamjaftueshëm për pajisjet e reja. Gjatë vitit 2020, për shkak të mungesës së kiteve laboratorike, por edhe stafeve dhe kushteve të punës nuk u realizua numri i mostarve të planifikuara.

Për vitin 2021 nuk parashikohet asnjë investim në laboratorë nga buxheti i shtetit, ndërsa ekspertët e laboratorëve vijojnë të bëjë thirrje për akreditim dhe mbështetje financiare për përmirësimin e situatës në “zemrën” e sigurisë ushqimore, për identifikimin dhe kapjen në kohë të problematikave me ushqimin dhe publikimin e raport-analizave të sakta dhe ligjore.

Përmirësimi i sigurisë ushqimore duhet të kthehet në një prioritet kombëtar, pasi është thelbësor për shëndetin publik dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Siguria ushqimore e cenuar dhe mungesa e përmirësimit të saj, përbën jo vetëm një burim të mundshëm për përhapjen e më shumë se 200 sëmundjeve, por ushqimet e ndotura shkaktojnë vdekje çdo vit.

Vendi ynë konsiderohet me incidencë të lartë në këtë fushë referuar të dhënave jo zyrtarë të rasteve të helmimeve nga ushqimi në një vit. Sëmundjet që vijnë nga ushqimi shkaktojnë probleme ekonomike dhe financiare për familjet shqiptare, pasi jovetëm që rrisin shpenzimet për shëndetin, por në të njëjtën kohë, rrisin shpenzimet për ushqim dhe pije joalkolike, duke marrë në konsideratë që shpenzimet për to zënë mesatarisht mbi 50 % në strukturën e buxhetit të familjeve sipas grupeve kryesore të konsumit.

Foto dhe foto kryesore, Laboratori i AKU Tiranë

Fuqizimi i institucioneve shtetërore që veprojnë në fushën e sigurisë ushqimore bën të mundur parandalimin dhe zvogëlimin e sëmundshmërisë që vjen nga ushqimi, për më tepër që në mënyrë të vazhdueshme kërkohet zbatimi i politikave evropiane për një nivel të lartë të sigurisë ushqimore për tju afruar kushteve të unionit.

Aktualisht, siguria ushqimore në vend duhet të garantohet në nivel qendror nga Ministria e Bujqësisë dhe Ministria e Shëndetësisë dhe në nivel vendor nga njësitë e pushtetit lokal. Ministria e Bujqësisë ka në strukturë Drejtorinë e Politikave të Sigurisë Ushqimore dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Institutin e Sigurisë së Ushqimit dhe Veterinare (ISUV), dhe Autoritetin Kombëtar të Ushqimit (AKU).

Ky i fundit ka një rol parësor në parandalimin e shumë problematikave që ndodhin sot me ushqimin në raport me konsumatorët. Që një institucion të ketë besueshmëri dhe integritet duhet ta demonstrojë atë nëpërmjet burimeve njerëzore dhe investimeve të pandalshme për ngritjen e kapaciteteve infrastrukturore.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është një institucion 10-vjeçar i krijuar për të garantuar shëndetin e popullatës nga ushqimi. Por, ai përballet me mungesë fondesh dhe pajisjesh, mungojnë trajnimet e vazhdueshme të burimeve njerëzore dhe dëmtohet nga ndërhyrjet e politikës duke shkëputur zinxhirin e nevojshëm kontrollues të sigurisë ushqimore.

AKU sot ka një rrjet laboratorësh në 7 qarqe të vendit nga ku kryhen analiza të kufizuara për të gjetur problematikat dhe parandaluar kontaminimin. Ky rrjet laboratorësh, edhe pse i investuar vitet e fundit nga Bashkimi Europian dhe qeveria shqiptare nuk arrin të jetë produktiv dhe i besueshëm pasi herë mungojnë reagentët, herë intepretuesit e analizave dhe herë kitet laboratorike. Mungojnë kushtet e punës dhe nuk ka mirëmbajtje dhe kalibrime të pajisjeve laboratorike. Ekzistojnë një sërë analizash laboratorike që nuk kryhen në laboratorë duke përfshirë aditivët, alergenet, disa ndotës dhe patogjenë.

Bazuar në Strategjinë Ndërsektoriale për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural për periudhën 2014-2020 nisi edhe investimi “Ristrukturimi dhe forcimi i rrjetit të laboratorëve të sigurisë ushqimore dhe veterinarisë në Shqipëri”. Prej vitit 2013, Bashkimi Europian nëpërmjet projektit “IPA” ka investuar mbi 2 milionë euro vetëm në pajisje laboratorike të shtrirë në disa vite për të plotësuar nevojat e këtij rrjeti dhe rritur sigurinë ushqimore. Pjesë e kësaj mbështetje me një shumë rreth 300 mijë euro ka qenë edhe buxheti i shtetit.

Laboratorët e AKU që morrën mbështetje ishin ato në Korçë, Gjirokatsër dhe Shkodër. Përzgjedhje e këtyre 3 laboratorëve për t’u investuar nuk pati një strategji apo analizë se kush ishin arsyet konkrete që investimi të ishte sa më përfitues për qytetarët.

Referuar një auditimi të bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit rezultoi se, nga 4 lote prokurimesh të shtrira në disa vite, që do duhet të merrnin laboratorët, u realizuan vetëm 3, pasi një nga tenderat dështoi edhe pse financimi ishte gati. Në faqen zyrtare të Komisionit Evropian u dha ky koment për arsyen e anulimit: “Mungesë fondesh për shkak të skadimit të afatit të kontratës për Programin Kombëtar IPA 2013 gjatë procesit të vlerësimit të Lotit 2 “Testimi Mikrobiologjik”. 

Referuar raportit të KLSH, në korrik të 2019 rezulton se, tre pajisjet e Lotit1: Near Infra Red Food multiparamentric analyzer; Near Infra Red Grain Multiparametric Analyser; dhe Near Infra Red Wine and Spirits multiparametric analyser, janë të pakalibruara, për rrjedhojë të papërdorshme për të dhënë një rezultat të saktë laboratorik. Ndërsa dy pajisjet e përfituara nga loti 4, nuk përmbushin ndonjë qëllim për përmirësimin e cilësisë laboratorike në AKU lidhur me mbetjet e pesticideve në DRAKU Shkodër.

 “Pajisjet kanë një periudhë të gjatë kohe në DRAKU përfituese, por dhe nga akti i marrjes së përkohshme në dorëzim, nuk janë kalibruar apo axhustuar për t’u kthyer në aparatura që prodhojnë analiza të sakta dhe të besueshme ligjore”, thuhet në raportin e KLSH në vitin 2019.

Mbi dy milionë eurot e investuara nuk e ndryshuan situatën e laboratorëve dhe nuk prodhuan më shumë siguri për qytetarët. Gama e analizave të kryera me cilësi nuk u rrit për shkak të investimit.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, i pyetur mbi investimin e Bashkimit Europian dhe mundësitë e reja të ofruara për shkak të pajisjeve të investuara, deklaroi se nga ky financim, AKU rajonale perfituan pajisje ku disa prej tyre janë pajisje “screening” që lehtësojnë punën e stafit të laboratorëve. Ndërkohë, puna vazhdon përmes metodikave zyrtare të analizimit dhe metodave të konfirmuara.

Bazuar në gjetjet e raportit auditues të KLSH-së, ekspertët dolën në përfundimin se, nga ky proces i shtrirë në disa vite ka dështuar edhe trajnimi i stafeve të laboratorëve, pasi ato kanë qenë të pakta dhe të përgjithshme.

“Asnjë DRAKU përfituese nuk ka përfituar trajnim nga projekti për pajisjet e testeve të shpejta NIR Analyzer, Milk and Milk Product Analyzer, Florescent microscopic Somatic Cell Counter edhe pse ky ka qenë qëllimi i projektit për Lotin 1. AKU nuk ka qenë pëfitues i asnjë trajnimi për lotin 4 “Mbetjet e Pesticideve”, pasi rolin kryesor për këtë lot e merr ISUV. Temat trajnuese te realizuara deri në momentin e përfundimit të këtij auditi, kanë plotësuar pjesërisht objektivat dhe qëllimin e projektit”, nënvizon raporti.

Raporti i KLSH edhe pse publik me gjetje dhe me rekomandime konkrete. kundërshtohet nga AKU. pasi në përgjigjë të kërkesës për trajtimin e stafeve. ajo deklaron se trajnimet kanë qenë të vazhdueshme.

“Stafi i laboratorëve rajonale ka marrë trajnime në lidhje me funksionimin e pajisjeve gjatë implementimit të kontratave të furnizimit dhe të shërbimit të financuara nga BE.”

Problematikat e theksuara në 7 laboratorët që AKU ka në varësi edhe pse zyrtarisht nuk pranohen, ato konfirmohen nga analiza vjetore e punës bërë për vitin 2020. Sektori i koordinimit dhe mbështetje së laboratorëve në raport evidenton problematikat, që nga pajisja me apartura të reja e deri tek mungesa e stafeve dhe kushteve më minimale të punës. Në analizën vjetore kërkohet akreditimi i laboratorëve dhe mbështetje më e madhe buxhetore për shkak të fokusit të punës që ky sektor ka, garantimin e sigurisë ushqimore.

“Është e domosdoshme pajisja me aparatura të reja dhe duhet të kryhet dalja jashtë përdorimit të aparaturave, të cilat janë në inventar, por nuk janë në gjëndje pune. Alokim i fondeve me qellim rritjen e kapaciteteve të rrjetit laboratorik dhe zgjerim të gamës së analizave për të kryer monitorime dhe analiza të produkteve ushqimore dhe ushqimit për kafshë, me referencë specifike në fushat e monitorimit të mbetjeve të pesticideve, diagnozës mikrobiologjike në ushqim dhe ushqim për kafshë, standarteve të cilesisë, sëmundjeve të kafshëve, në përputhje me standarte të përmirësuara. Investime në përmirësimin e infrastrukturës së laboratorëve.

Zbatimin e sistemit LIMS (Laboratory Information Management Systems) në laboratorët e AKU. Mbështetje me buxhet të veçantë për nisjen e proçedurave me qëllim akreditimin e laboratorëve të AKU. Trajnime të vazhdueshme stafit laboratorik. Nuk ka mjedis të veçantë të përshtatshëm për asgjësimin e mbetejve të laboratorit te shëndetit të kafsheve;  Nuk ka dhoma të posaçme për ruajtjen e reagenteve, si dhe nuk ka dhome të veçantë për grumbullimin e mbetjeve laboratorike”,  janë disa nga kërkesat bërë nga ky sektor drejtuar Ministrisë së Bujqësisë.

Vështirësitë e hasura nga stafet e laboratorëve, por edhe nga gjithë zinxhiri ndërlidhës nga marrja e mostrave e deri në analizmin final për vitin 2020, ka sjellë mosrealizmin e mostrave të planifikuara.

“Numri i mostrave të marra nga Inspektorët e Sektorit të Kontrollit në Pikat e Inspektimit Kufitar për vitin 2020 është 2065 mostra, ndërsa numri i mostrave të planifikuara për vitin 2020 ka qenë 3090 mostra. Pra, numri i mostrave të analizuara është 1025 mostra më pak se numri i mostrave të planifikuara.”

Në argumentet e pretenduara për mosrealizmin e planit, përveç ndikimit të vitit pandemik, nga muaji Maj dhe deri muajin Gusht, laboratori i DRAKU Korçë ka pasur mungesë reagentesh dhe mungesë stafi për kryerjen e analizave laboratorike, si dhe mugonin kushtet e mbajtjes së produkteve shtazore në temperaturë pas orës 14:00 në të cilën mbyllet laboratori. Por AKU, këto vështirësi ja atribuon vetëm situatës së Covid-19.

“Viti 2020 ka qenë një vit pandemie dhe ka pasur vështirësi jo për mungesa, por për shkak të fokusimit në planin e punës, sa lidhet me respektimin e masave anti-covid. Sektori i Shërbimeve Laboratorike ka pasur një zhvillim normal të aktivitetit”, deklaron AKU.

Laboratorët edhe pse janë një investim i domosdoshëm dhe emergjent dhe me ndikim direkt tek konsumatorët, për të qenë të besueshëm dhe  mbrojtur jetën e tyre, Ministria e Bujqësisë edhe për vitin 2021 nuk parashikon asnjë fond për investime në këtë sektor.

“Në planin e buxhetitte vitit 2021 (në zbatim të ligjit nr.137/2020, datë 16.11.2020 “Për buxhetin e vitit 2021”), nuk ka fond investimesh për laboratorët. Po bashkëpunohet ngushtësisht me organizma ndërkombëtare, diskutime ne proces, për te përditësuar statusin aktual te laboratorëve rajonale te AKU dhe plotësimin e tyre me pajisje”, vijon më tej AKU në përgjigjen e saj.

Ish-Ministri i Bujqësisë, gjatë diskutimeve të buxhetit për vitin 2021, më 28 tetor 2020 në Komisionin Parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese, ndryshe nga sa ndodhi në të vërtetë, shpalli si prioritet investimin në Autoritetin Kombëtar të Ushqimir dhe konkretisht në mbështetje laboratorike.

“Në fokusin tonë qëndron ristrukturimi i AKU-së për të krijuar mundësinë që ky institucion të përmbushë me sukses misionin që i ka dhënë ligji dhe të fitojë vitalitetin e institucioneve simotra në vendet europiane. Gjithashtu, do të investohet për blerjen e 5 pajisjeve laboratorike, pajisjeve për trupat e inspektimit si dhe rikonstruksionin ndërtesës së Drejtorisë së Përgjithshme të AKU-së, e cila u dëmtua nga tërmeti i vitit 2019”, deklaroi Bedi Çuçi, ish-Ministër i Bujqësisë para deputetëve.

Bizneset dhe fermerët në kushtet kur laboratorët e AKU nuk janë të akredituar përballen probleme në lidhje me analizat e produkteve. Ndërsa shqetësimi më i madh mbetet analizimi i produkteve ushqimore nga vetë AKU, pasi çdo vit, ky institucion ka për detyrë hartimin dhe me pas analizimin e një plani marrje mostrash në produkte ushqimore, ushqimi për kafshë, produkte të mbrojtjes së bimëve etj.

Ekspertët kërkojnë që investimi në këto laboratorë të bëhet jo vetëm për infrastrukturën por dhe kapacitetet njerëzore dhe ekspertët e tyre. Vetëm në këtë mënyrë do të bëhet i mundur që të respektohen të gjitha hallkat dhe produktet shqiptare të kenë mundësi të certifikohen dhe të ekspertohen në BE. Ata sygjerojnë të studiohet e analizohet situata e laboratorëve në sektorin publik dhe atë privat dhe të propozohen masa për të mundësuar akreditimin e të paktën një laboratori që ti njihen të vlefshme analizat në vendet e BE.

*Autori i shkrimit ushtron profesionin e gazetarit prej 12 vitesh. Ka mbaruar studimet për Gazetari në Universitetin e Tiranës. Ai ka ushtruar profesionin e gazetarit në disa media të shkruara dhe vizive, duke qenë dhe gazetar investigativ. Aktualisht, është redaktor i lajmeve ne Televizionin Klan News dhe bashkëpuntor në projektin e Qendrës ALERT.

 

Ky botim u prodhua me mbështetjen financiare të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe Partnereve. Permbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e autorit të shkrimit dhe e Qendrës Alert, si dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe Partnerëve.

 

QENDRA ALERT – Alert.al

Arrestimi për falsifikimin e tamponëve të Covid/ Mjekët në protestë: Të mos bëhet gjyq popullor

Mjekët e Spitalit të Traumës në Tiranë sërish protestë në mbrojtje të kolegëve të tyre të arrestuar, këtë radhë për falsifikim tamponësh të COVID-19.

Ata pretendojnë se arrestimi i tyre është i paligjshëm dhe i pabazuar në prova, teksa deklaruan se drejtësia po kalon cakun e të drejtave qytetare.

Mjekët kërkuan të mos bëhet gjyq popullor, por të gjenden prova dhe më pas të mbahen në burg.
“Drejtësia po kalon cakun e të drejtave qytetare. Të mos bëhet gjyq popullor për mjekët. Të gjenden prova dhe pastaj të mbahen në burg”, deklaroi mjeku Gent Stroni.

‘Ne e konsiderojmë këtë veprim të drejtësisë të pajustifikuar. Deri në momentin kur drejtësia të vërtetojë provat këta persona nuk duhet të rrinë në burg. Ne po shohim se drejtësia po kalon cakun. Kjo është dhe arsyeja se përse ne kemi dalë sot, nuk jemi dakord. Sindikata e dënon këtë akt si një akt korruptiv. Deri në momentin që jepen provat ata nuk duhet të rrinë në burg. Është bërë një akt për show’-thonë mjekët.

alert.al/

E shpërndante me shiringë, ua hidhte të rinjve në pije! 24-vjeçarja shiste drogë sintetike në lokalet me muzikë

Operacioni ‘Kimistja 2’ ka vënë në pranga një 24-vjeçare e cila ishte shpërndarëse e drogës në disa zona në Tiranë. E reja iu shiste drogë sintetike të llojeve të ndryshme në qytetin e Tiranës, kryesisht në lokalet me muzikë në zonën e Porcelanit, Pazarit të Ri dhe Bllokut, personave të ndryshëm, kundrejt çmimeve që varionin nga 1.000 lekë të rinj deri në 10.000 lekë të rinj për një dozë (kokërr).

24-vjeçares iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale doza me lëndë të dyshuar heroinë, ekstazi, metadon dhe një aparat celular. Gjithashtu, policia ka sekuestruar edhe një lloj droge në formë të lëngët, të cilën e shpërndante me shiringë, që zakonisht përdoret nga moshat e reja duke e tretur në pije.

Njoftimi i Policisë

Finalizohet operacioni policor i koduar “Kimistja 2”. Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes të drogave sintetike. Sekuestrohen doza me heroinë, ekstazi, metadon dhe lëndë narkotike në formë të lëngët. Në pranga poseduesja, njëkohësisht dhe shpërndarësja e lëndës narkotike. Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë zhvilloi dhe finalizoi me sukses operacionin e koduar “Kimistja 2”, si rezultat i të cilit u bë i mundur arrestimi në flagrancë i shtetases: – D. Z., 24 vjeçe, banuese në Tiranë. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dispononin informacion se kjo shtetase iu shiste drogë sintetike të llojeve të ndryshme në qytetin e Tiranës, kryesisht në lokalet me muzikë në zonën e Porcelanit, Pazarit të Ri dhe Bllokut, personave të ndryshëm, kundrejt çmimeve që varionin nga 1.000 lekë të rinj deri në 10.000 lekë të rinj për një dozë (kokërr). Gjatë kontrollit fizik dhe në banesë, 24-vjeçares iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale doza me lëndë të dyshuar heroinë, ekstazi, metadon dhe një aparat celular. Gjithashtu, kësaj shtetaseje i është sekuestruar edhe një lloj droge në formë të lëngët, të cilën e shpërndante me shiringë, që zakonisht përdoret nga moshat e reja duke e tretur në pije. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.

alert.al/

Në kulmin e Reformës për Drejtësi, Shqipëria humb 4 vende në renditjen për gjyqësorin

Në Indeksin Global të Drejtësisë për vitit 2020 që përfshiu 128 vende, Shqipëria u rendit në vendin e 78. Me kwtw cilësi tw funksionimit të drejtësisë vendi ynw u përkeqësua në renditje me 4 vende në raport me vitin 2019. Ky studim publikohet nga “World Justice Project”, një institut ndërkombëtar me bazw në Shtetet e Bashkuara.

Ndwrsa në vlerësimin total Shqipëria mori 0.5 pike me një rënie 0,01 në krahasim me vitin 2019. Vlerësimi është bërë nga 0 tek 1, ku më afër zeros nënkupton vlerësim të dobët dhe afër 1 vlerësim të lartë.

Shqipëria kishte renditjen më të keqe në Rajon dhe gjithashtu kishte përkeqësimin më të lartë të indeksit nga vendet e tjera në raport me vitin 2019.

Serbia u rendit në vendin 75 dhe u përmirësua me 5 vende në raport me vitin 2019.

Bosnja u rendit në vendin e 64 me një përkeqësim dy vende në krahasim me vitin 2019.

Maqedonia u rendit në vendin e 58 me përkeqësim 1 vend në raport me vitin paraardhës.

Renditen më të mirë në Rajon e kishte sistemi i drejtësie në Kosovë, duke u renditur në vendin e 54 nga 128 vendet në studim duke ruajtur të njëjtin pozicion si në vitin 2019. Nga vendet e Europës Lindore dhe Azisë Qendrore Shqipëria kishte përkeqësimin më të madh në cilësinë e sistemit të drejtësisë në vend gjatë vitit 2020.

Shqipëria mori pikë shumë të ulëta në luftën ndaj korrupsionit, në të cilën u rendit në vendin e 100 në 128 vende dhe gjithashtu vlerësim të ulët mori shërbimet qeveritare në fushën e drejtësisë. Drejtësia dhe zbatimi i ligjit nga ana e qeverisë mori 0.45 dhe në këtë drejtim Shqipëria u rendit në vendin 96 në 128 vende.

Vlerësimet më të larta Shqipëria i mori në fushën e rendit dhe sigurisë publike, ku vendi ynë u rendit i 36-ti, dhe të drejtat e njeriut ku i rendit i 54-ti.

alert.al/

Dosja e plotë/ Ja si u përgjuan zyrtarët e Bashkisë Lushnjë dhe biznesmenët

Dosja e plotë/ Ja si u përgjuan zyrtarët e Bashkisë Lushnjë dhe biznesmenët

 

Dosja e hetimit të kryebashkiakut të Lushnjës Fatos Tushe dhe zyrtarëve të tjerë tregon nepoztizëm dhe korrupsion me tenderat publikë.

Në dosjen, të cilën alert.al e disponon, thuhet se Fatos Tushe dhe shtetasi Flamur Peqini me detyrë drejtor i Ndërmarrjes së Pasurisë Publike në bashkëpunim edhe me zyrtarë e persona të tjerë kanë favorizuar kompaninë “Euro Alb shpk” me administrator shtetasin Bujar Murati në prokurimin për rehabilitimin e kanalit ujitës të fshatit Bishqethëm dhe Bitaj, Njësia Administrative Kolonjë, me fond 28.5 milionë lekë.

Hetimi ka evidentuar se edhe pse kjo firmë është shpallur fituese dhe me të është lidhur kontrata më datë 11 nëntor 2020, ndërkohë që përfitimin dhe punimet në fakt i ka kryer biznesmeni Ibrahim Lami i “Loti SHPK”, i cili është lidhje e ngushtë e kryebashkiakut Fatos Tushe dhe Flamur Peqini.

Në dosje sqarohet se hetimi për kryebashkiakun e Lushnjes ka nisur që në datën 22 korrik 2020 pas një referimi të policisë së shtetit.

Në kallëzim policia shpjegonte fillimisht se shtetasi Flamur Peqini, drejtor në Bashkinë e Lushnjes, kryente procedura fiktive dhe korruptive me tenderat, duke përmendur si rast konkret vendosjen e shtyllave të elektrikut para zhvillimit të tenderit. Policia e ka denoncuar këtë shtetas edhe për shpërdorimin e karburantit në sektorin që drejtonte.

Ndërkaq, në një bisedë të zhvilluar mes admnistratorit të kompanisë “Avduli”, e skualifikuar padrejtësisht nga tenderi, dhe drejtorit Peqini, ai i thotë se do ta denoncojë rastin.

“Përgjegjësia bie tek ty, jo tek ata që urdhërojnë. Këtë po ta them si mik” i thotë administratori, duke nënkuptuar se urdhrat i jepte kryebashkiaku i Lushnjës.

Nënkontraktori që kryen punimet është një person i afërt me drejtorin Peqini. Ibrahim Lami i drejtohet: “O kushe ç’a bane?”. Ai e pyet se si do ta bëjnë bisedën me ëhatsapp apo si zakonisht, për t’u ruajtur nga përgjimet. Drejtori e porosit që të vazhdojë punën dhe i premton që kontratën e punimeve t’ia bëjë ashtu siç kanë rënë dakord.

Kryebashkiaku Tushe është strumbullari i të gjitha aferave dhe biznesmenët kujdesen që atij t’i rregullohet gjithçka.

Madje, në një rast del se biznesmeni-pronar i komapnisë “Loti SHPK” ka ndërhyrë në Fakultetin e Mjekësisë që vajza e kryebashkiakut Fatos Tushe të merrte një provim.

Përgjimet që vërtetojnë njohjen mes Tushes dhe Lamit

Fatos Tushe: Si u gdhive, ça po bën

Ibrahim Lami: Hë si u gdhive ti, ça bën

Fatos Tushe: Unë nuk erdha dot se fola dhe me atë dhe  e lashë javës tjetër, por unë nesër do jem në Tiranë se ka goca provimin dhe do jem atje, se më morën që në mjes këta

Ibrahim Lami: E ngjova, e ngjova, në Lushnje ishte ajo

Fatos Tushe: Ti ça bën

Ibrahim Lami: Hic o hoc ja piva një kafe me B…dhe tha bëjeni mbledhjen vetë se do flasë dhe me Fatosin

Fatos Tushe: E mirë të jetë mirë, a vajti në parlament

….Ibrahim Lajmi për provimin e vajzës së Fatos Tushes: Unë do i them bëjë dhe kafen do ta jap pastaj.