Menu

Kryesore

Studimet: Ngrënia e kërpurdhave ul gjasat e zhvillimit të depresionit

Sipas një analize të kryer në njerëz që konsumojnë kërpurdha u pa se ata kanë një rrezik më të ulët të zhvillimit të depresionit.

Lidhja është ende një mister dhe për momentin, autorët thonë se të dhënat duhet të interpretohen me kujdes. Gjithmonë ka një shans që rezultatet të jenë thjesht një korrelacion, veçanërisht pasi ngrënia e më shumë kërpudhave nuk dukej se ulte më tej gjasat për depresion.

Thënë kështu, ky është një nga studimet e para të mëdha vëzhguese mbi konsumin e përgjithshëm të kërpudhave dhe gjasën që ato ulin rrezikun për zhvillimin e depresionit. Ai përfshin të dhënat e dietës dhe shëndetit mendor të më shumë se 24,000 të rriturve në të gjithë Shtetet e Bashkuara nga 2005 deri në 2016.

Gjetjet nuk bëjnë dallime midis llojeve të ndryshme të kërpudhave, por ato janë në përputhje me disa prova të vogla klinike mbi kërpudhat e llojit Hericium erinaceus, të cilat zbuluan se ngrënia e llojeve të caktuara të kërpudhave mund të ndihmojë në uljen e depresionit dhe ankthit.

“Studimi i shtohet listës në rritje në lidhje me përfitimet e mundshme shëndetësore në rastin e ngrënies së kërpudhave”-thotë shkencëtari i shëndetit publik Joshua Muscat nga Universiteti Shtetëror i Pensilvanisë.

Se çka është ajo që konkretisht i bënë disa llojë të kërpudhave të mira për shëndetin tonë është ende një engimë.

Kërpudhat e bardha Agaricus bisporus janë kërpudhat më të ngrëna në SHBA dhe janë plot me kalium, i cili mendohet se ndihmon në uljen e ankthit.

Kërpudha të tjera të ngrënshme si Hericium erinaceus dihet se përmbajnë faktorë neurotrofikë të lidhur me shëndetin e trurit, si dhe agjentë anti-inflamatorë, të cilët mendohet se ndihmojnë në zbutjen e simptomave të depresionit. Megjithatë, shkenca e të ushqyerit është një biznes i ndërlikuar. Kërpudhat përmbajnë një shumëllojshmëri të vitaminave, mineraleve dhe antioksidantëve që mund të kontribuojnë në efektet e tyre të dukshme antidepresive.

Ngacmimi i faktorëve “në lojë” do të kërkojë shumë më tepër studime molekulare, klinike dhe epidemiologjike. Gjithsesi, ekziston një antioksidant i fuqishëm i njohur si ergothioneine që përmbahet në kërpudha, të cilin shkencëtarët e kanë vënë re. Njerëzit mund ta marrin atë vetëm përmes dietës, dhe kërpudhat e kanë atë në përqendrimin më të lartë se çdo ushqim tjetër i freskët që do mund ta konsumoni.

Në modelet e fundit të kafshëve, ky antioksidant është gjetur se kapërcen barrierën e qarkullimit të gjakut që ndan trurin nga pjesa tjetër e trupit, gjë që sugjeron se ergothioneina mund të ketë njëfarë efekti në shëndetin neurologjik.

Modele të tjera të kafshëve sugjerojnë se ky antioksidant luan një rol edhe në shëndetin e zorrëve, ku ka edhe neurone që gjithashtu mund të ndikojnë në disponimin e një personi. Nëse e njëjta gjë mund të thuhet për njerëzit mbetet për t’u hetuar.

“Kërpudhat janë burimi më i lartë dietik i aminoacidit ergothioneine, një anti-inflamator që nuk mund të sintetizohet nga njerëzit”- thotë epidemiologu Djibril Ba nga Penn State.

“Duke pasur nivele të larta të kësaj mund të ulë rrezikun e stresit oksidativ, i cili gjithashtu mund të zvogëlojë simptomat e depresionit.”

Megjithatë, ky është vetëm një shpjegim i mundshëm. Më shumë kërkime midis grupeve më të mëdha do të duhet të studiojnë se çfarë është e ndryshme në lidhje me kërpudhat specifike dhe se si këto dallime në fund të fundit ndikojnë në shëndetin e njeriut.

Të dhënat në këtë rast erdhën nga Anketa Kombëtare e Ekzaminimit të Shëndetit dhe Ushqyerjes në SHBA, në të cilën pjesëmarrësve në mbarë vendin iu kërkua të kujtonin se sa kërpudha kishin ngrënë gjatë dy ditëve të mëparshme. Më pas, depresioni i tyre u mat duke përdorur një pyetësor të standardizuar të shëndetit të pacientit.

Lidhja e vëzhguar midis konsumit të kërpudhave dhe gjasave më të ulëta të depresionit ishte e pavarur nga faktorë të tjerë ngatërrues, si statusi social, statusi ekonomik, faktorët e rrezikut të stilit të jetesës, sëmundjet e vetë-raportuara dhe përdorimi i ilaçeve.

Sipas autorëve të studimit njerëzit më të prirur për të ngrënë kërpudha ishin gra të bardha johispanike të arsimuara. Por lidhja me depresionin ishte e qartë vetëm kur ata krahasuan ata që hanin kërpudha me ata që nuk hanin. Brenda grupit të ngrënësve të kërpudhave, ata që i hanin ato relativisht shumë, nuk dukej se shfaqnin ndonjë përfitim shtesë.

Në një analizë të mëtejshme të të dhënave, autorët krahasuan ata që hanin një racion kërpudha në ditë me ata që hanin një porcion mish të kuq ose të përpunuar. Është interesante se zëvendësimi nuk u shoqërua me shanse më të ulëta të depresionit.

Është e qartë se ka ende shumë që nuk dihet për marrëdhënien midis kërpudhave dhe shëndetit mendor. Por duke pasur parasysh se sa shpesh lidhja vazhdon të shfaqet në studime, ia vlen të eksplorohet më shumë.

“Këto gjetje nxjerrin në pah rëndësinë e mundshme klinike dhe shëndetësore publike të konsumit të kërpudhave si një mjet për reduktimin e depresionit dhe parandalimin e sëmundjeve” -përfundojnë autorët. (Journal of Affective Disorders)

Qendra Alert/Alert.al

Sokol Abazi: ISUV ka detyrë të garantojë sigurinë ushqimore, mungojnë laboratorët

I ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Sokol Abazi kimist, administrator i Tenuis ka folur për analizën e substancave të rrezikshme në vendin tonë, mungesën e laboratorëve dhe dëmin financiar të shkaktuar nga analizat që i bëjmë jashtë vendit.

“U pretendua për substanca kancerogjene, të cilat kanë pasoja në shërbimin human. Para denoncimit në SPAK, ndoshta duhet fillimisht t’i drejtoheshin Ministrisë së Bujqësisë për të hetuar për rastin. ISUV ka detyrë për të garantuar sigurinë ushqimore. Prania e antibiotikëve në mish apo qumësht, duhet të parandalohet nga ISUV, pasi është detyrë e tij. Në ISUV po bëhen përpjekje për t’i analizuar këto antibiotikë, përsa i përket principeve aktive, por ISUV nuk e ka atë kapacitet që t’i analizojë. ISUV duhet të veprojë në bazë të planit të riskut, pasi ky do ishte një sulm i parë që çdo antibiotik dhe preparat duhet të jetë sipas asaj të deklaruar në etiketë. Këtu kemi dhe shumë pesticide që futen. Ka shumë substanca që janë shumë të dëmshme dhe që t’i analizosh është një punë kolosale dhe duhet staf i kualifikuar. Janë me qindra preparate që futen në Shqipëri dhe duhet thënë se ISUV praninë e mbetjeve nuk e analizon këtu, por në Bruksel. Janë qindra milionë euro që paguhen, të cilat duhet të kishin menaxhim më të mirë, instrumentat për kimikate nuk është në gjendje t’i analizojë. Vendet e Europës kanë laboratorë, ne më shumë para na shkojnë për transportin se sa për analizën. Nuk ka patur asnjë interes nga ISUV për të pasur këto laboratorë, kemi dëm financiar shumë të madh dhe me ato lekë duhet të kishin blerë instrumentet që duhen”-deklaroi Sokol Abazi.

Emisioni Alert

Qendra Alert/Alert.al

Dritan Laçi: Abuzimi me preparatet që importohen tek ne dhe që s’janë të regjistruara nga EMA

I ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Dritan Laçi pedagog i Mjekësisë Veterinare në UBT ka folur për abuzimin me preparatet që vijnë nga jashtë dhe nuk e kanë detyrim ligjor të jenë të regjistruar në BE ose EMA.

“Problematika në Shqipëri është shumë komplekse, pasi medikamentet e regjistruara në EMA është detyrim përsa i përket antibiotikëve dhe jo dezinfektantëve apo vitaminave. Sot në treg në Shqipëri padiskutim që qarkullojnë kjo kategori që absolutisht nuk është e regjistruar në EMA. Për t’i importuar antibiotikët është e detyruar regjistrimi në një vend të BE ose EMA. Por, mund të gjesh preparate që nuk janë antibiotikë që jo detyrimisht duhet të jenë të regjistruar në BE ose EMA. Kjo është pika që abuzohet, që duhet të hetohet për përmbajtjen e këtyre substancave që futen në Shqipëri. Ka një strukturë që merret me licencimin e preparateve të reja që importohen, është një bord me 5-6 persona, pra një komision. Gjithashtu ekzistojnë dy komisione, një për medikamente veterinare dhe një për medikamente humane, e shoh një rast të veçantë Shqipërinë në krahasim me vendet e BE. Pasi nëse molekula e antibiotikut që ekziston tek një preparat human dhe që ndryshon tek ai veterinar, nuk e kam gjetur deri më sot. Pjesa e zgjidhjes, nëse te shëndeti publik janë 40 veta që e ndjekin e certifikojnë, në pjesën veterinare janë 5 vetë, pra ka diferencë të konsiderueshme. Plani kombëtar i monitorimit të mbetjeve vjen i përcaktuar nga Brukseli. Pjesa e monitorimit të mbetjeve është pjesë e veterinarisë dhe buxheti vjen për këtë pjesë. Çohen për një konfirmim të dytë ato mostra që janë drejt një pragu të alertit. Nëse dalin të pastra nuk ka pse dalin jashtë dhe të analizohen sërish. Të dhënat duhet të jenë publike është detyrim ligjor”-tha Dritan Laçi.

Emisioni Alert

Qendra Alert/Alert.al

Telo: Problem mbetjet e antibiotikëve, veterineri të jetë në fshat për të caktuar diagnozën

I ftuar në emisionin “Alert” në New24 nga Granit Sokolaj, Altin Telo ish-drejtor i Shërbimit Veterinar në MBZHR ka folur për rastet kur përdorimi i antibiotikëve kthehet në shqetësim dhe mungesën e veterinerëve në fshat për të caktuar diagnozën dhe për të dhënë shërbimin.

“Shqetësim nuk është përdorimi i antibiotikëve, pasi do të përdoren për trajtimin e kafshëve të sëmura. Problem është kur mbetjet e tyre apo të barnave veterinare nuk duhet të kalojnë në produkte. Ndaj duhet respektuar koha e pezullimit dhe është detyra e mjekut veterinar i cili duhet t’ja bëjë të ditur fermerit, detyra e farmacistit që duhet t’ja bëjë të ditur klientit. Në këto 2 vite të pandemisë janë shitur antibiotikë pa recetë, pasi njeriu kërkonte të kuronte vetën. Ndryshe nga vitet ’90, veterinerin nuk e kemi më në fshat. Kafshët që prodhojnë ushqim janë në fshat, pjesa dërrmuese e veterinerëve ka lëvizur. Në kooperativa flinin aty. Normale është se duhet të jetë veterineri atje. E dyta, në sistemin e Shëndetit Publik funksionon receta për sa kohë është e rimbursuar nga Fondi i Sigurimeve. Ata që drejtojnë farmacitë veterinare janë mjek veterinarë, unë jam i tillë. Duhet të jetë veterineri që të caktojë diagnozën dhe të drejtojë. Në legjislacionin e BE është e përcaktuar që duhen të pranohen shërbime veterinare që janë të regjistruara në EMA. Çështja EMA dhe në legjislacionin tonë dhe ndryshimet e bëra në vitin 2020 është përcaktuar që duhen të pranohen produkte mjekësore veterinare që janë të regjistruara në një vend të BE ose në EMA. Organizmi i BE dhe në EMA ka një qarkullim të lirshëm në të gjithë vendet e BE. EMA ka tarifa më të larta, ligji jonë e ka të theksuar në një vend të BE ose me certifikatë nga EMA. Çdo produkt që miratohet ka një certifikatë tregtimi, nëse nuk përmbush këtë kriter duhet t’i lihet koha që të merren masa që të rregullohen. Kur miraton një produkt për herë të parë e bën për 5 vjet dhe rimiratimi bëhet përherë, nëse nuk ka një ankesë për dëme apo që duhet riparë’”-deklaroi Altin Telo.

Emisioni Alert

Qendra Alert/Alert.al

Antibiotikët, Prof.Dr. Kristaq Berxholi: Abuzimi në dhënien e tyre pa analizë dhe pa kriter

I ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Prof.Dr. Kristaq Berxholi ka folur për antibiotikët, abuzimin me përdorimin e tyre, lëshimin pa bërë analiza dhe marrjen e tyre pa recetë.

“Çështja e antibiotikëve është shqetësuese në shumë vende të botës, për shkak të atibiotikëve të rezistencës. Shqetësuese është fakti se po përparon dhe ka krijuar probleme të mëdha në botë, ku janë shkaktuar edhe raste vdekjesh. Ka edhe probleme të tjera nga përdorimi i antibiotikëve. Kemi dy shërbime në Shqipëri që përdorin gjerësisht antibiotikët, shërbimi human dhe veterinar. Jam për ta mbrojtur shërbimin veterinar atëherë kur hidhet e gjithë balta mbi ta, pasi përgjegjësia nuk është vetëm e tyre. Sot përdoret në botë një sasi e lartë e antibiotikëve nga shërbimi veterinar, por specifika ia lejon. Problemi i madh me shërbimin veternar është çështja e dhënies së antibiotikëve, ku në shumicën e rasteve jepen antibiotikë pa kriter, pa analizë të sëmundjes, i cili përcakton antibiotikun më specifik. Mosdhënia sipas kritereve krijon shance për krijimin e antibiotikëve të rezistencës. Veterineri nuk ka asgjë në dorë, analizën e paguan pronari. Ai nuk e kupton domosdoshmërinë se përse duhet bërë kjo. Meqenëse nuk bëhet analiza, veterineri është i detyruar ta shesë produktin. Kjo ndodh edhe në shërbimin human, ku merren antibiotikë pa recetë. Ndoshta nuk është në nivelin veterinar, ka specie më shumë, ka nevojë për sasira më të mëdha një kafshë se sa një njeri”-tha Prof.Dr. Kristaq Berxholi.

Emisioni Alert

Qendra Alert/Alert.al

Pfizer hyn në industrinë fitimprurëse të kanabisit

Pfizer do të hyjë në industrinë e kanabisit mjekësor. Hapi i parë është një trajtim premtues të sëmundjes së zorrëve me bazë kanabinoidin. Korporata amerikane shumëkombëshe farmaceutike dhe bioteknologjike Pfizer nënshkroi një marrëveshje me vlerë 6.7 miliardë lekë me kompaninë Arena Pharmaceuticals. Arena Pharmaceuticals është një kompani bioteknike e specializuar në terapitë me bazë kanabinoidin. Olorinab është një medikamenti që Arena ka zhvilluar mbi bazën e kanabinoidit për zorrët, por ende nuk është miratuar për përdorim nga asnjë autoritet shëndetësor.

“Blerja e Arena plotëson aftësitë dhe ekspertizën tonë në inflamacion dhe imunologji, një motor inovativ Pfizer që zhvillon terapi të mundshme për pacientët me sëmundje të dobëta imuno-inflamatore me nevojën për opsione më efektive trajtimi,” citohet nga Forbes Mike Gladstone, drejtues i Departamentit të Inflamacionit dhe Imunologjisë në Pfizer.

Me blerjen e Arena, Pfizer hyn në industrinë e kanabisit mjekësor dhe i bashkohet kompanive të tjera Big Pharma në hapësirën e kanabisit. Kompanitë e mëdha farmaceutike kanë hyrë në treg përmes disa operacioneve vitet e fundit.

Ashtu si kompanitë e Big Tobacco, interesi i Big Pharma në industrinë e kanabisit mjekësor rritet me industrinë e kanabinoideve. Kërkimi dhe zhvillimi mbi kanabinoidet po arrin rezultate premtuese në aplikimin e trajtimit. Për këtë arsye, pritet të shihet përfshirja e mëtejshme e kompanive farmaceutike në industrinë e kanabisit mjekësor në vitet në vijim. Vetëm nga vaksina anti-Covid, Pfizer ka gjeneruar në dy vjet rreth 65 miliardë dollarë.

Qendra Alert/Alert.al

Cilat janë profesionet që do të kërkohen dhe paguhen më shumë në 2022

Emigracioni që vitet e fundit ka përfshirë dhe forcën e kualifikuar, shoqëruar me plakjen graduale të popullsisë po ushtrojnë gjithnjë e më shumë presion në tregun e brendshëm të punës. Sektorët që po vuajnë më shumë mungesën e fuqisë punëtore janë shërbimet, sidomos turizmi, i cili pritet të udhëheqë dhe rritjen e pagave këtë vit, i ndjekur nga teknologjia e informacionit, sidomos programuesit.

Erald Pashaj, drejtor i EPPC Albania & Kosovo, një kompani e specializuar për punësimin, pohon se  si rezultat, në të ardhmen e afërt, punëdhënësit do të konkurrojnë për punonjës!

Kjo konkurencë, sipas Pashaj, do të sjellë zhvillime pozitive në treg. “Ata do te ngrenë pagat, përmirësojnë ndjeshëm kushtet e punës, rregullojnë orët e punës, zbatojnë kodin e punës, etj. Të gjitha këto do të vijnë si presion i tregut, i cili filloi të ndihet që në fillim të vitit 2019, duke u frenuar në 2020, por që erdhi në rritje në 2021 dhe pritet që të ndryshojë ndjeshëm ekuilibrat në 2022”.

Pritshmëritë janë që rritja e pagave të jetë më e lartë për sektorët që sot paguajnë pak, ku paga minimale sipas Pashaj nuk do të jetë më e ulët se 40 mijë lekë, nga 30 mijë lekë që është sot. Ndërsa për pagat e larta rritja pritet të jetë më e ulët. Pozitive janë pritshmëritë dhe për teknologjinë e informacionit, punonjësit e të cilës po kërkohen gjithnjë e më shumë.

Nga analiza e prirjeve gjatë vitit që shkoi, kërkesat që EPPC Albania ka pasur nga klientët tanë për kërkim dhe seleksionim stafi për ta, por edhe nga vëzhgimi i punësimit në tregjet e partnerëve në Maqedoninë e Veriut, Serbi, Bullgari, Mal i Zi dhe Kosovë, Shqipëria në vitin 2022 do të përjetojë rritjen më të lartë të pagave, kryesisht nga 6% në 15%.

“Kjo rritje page do të jetë e përgjithshme në çdo sektor dhe çdo pozicion. Ajo do t’i prekë të gjithë. Rritjen më të lartë pritet që ta ketë sektori i shërbimeve dhe për pozicione të caktuara ajo mund të arrijë në 20-30%. Sektori i shërbimeve në hotele, restorante, bare, apo shërbim ndaj klientëve dhe deri tek shërbimet e mirëmbajtjes hidraulike, elektrike, etj do të rriten ndjeshëm. Natyrisht që edhe shërbimet e tjera të kujdesit personal, apo punëve në familje, kujdesit shëndetësor, etj do të njohin rritje të lart gjithashtu. Rritja dyshifrore do të prek edhe shërbimet profesionale si ato ligjore, kontabël, projektime, trajnime, etj. Të gjithë profesionet në sferën e shërbimeve do të rriten”, thotë Pashaj..

Ai shton se në vitin 2022 punëdhënësit do të fillojnë të pranojnë tashmë realitetin e ri të tregut të punës. “Koha e ankesave që nuk ka punonjës apo kaq mundësi kemi të paguajmë, etj., i përkasin së shkuarës. Këto pakënaqësi dhe ankesa nuk e zgjidhin problemin. Tashmë gara ka filluar, e kush do të dijë ta bëjë më mirë punësimin, zhvillimin dhe mbajtjen e punonjësve, do të jetë i suksesshëm nesër. Ky trinom, gjeje-zhvilloje-mbaje, do të përcaktojë tashmë e tutje se cili biznes do të jetë i suksesshëm dhe cili do të fillojë tkurrjen dhe humbjen graduale të pjesës së tij të tregut”.

Sot në Shqiperi nuk konkurrohet më vetëm për shitje, apo financim më të lirë, sot konkurrohet për njerëz. Dhe njerëzit nuk bëhen profesionistë vetvetiu. Punë ka dhe do të ketë edhe më shumë, edhe profesionistët bëhen. Ata Gjehen, Zhvillohen dhe Mbahen.

Natyrisht që sa më lart nuk do të ndodhë sa hap e mbyll sytë, sepse zhvendosja e tregut në ekuilibra të rinj është një proces, dhe asnjë proces nuk ndodh sot me nesër, por gradualisht. Oferta dhe kërkesa për punë do të takohen në vitin 2022 në një pikë tjetër, më të lartë se sot.

Pashaj shton se duke u nisur nga faktorët që kemi marrë në konsideratë, pagat e ulëta do të kenë rritjen më të lartë. Punonjësit që punojnë në fasoneri, punëtori të ndryshme në ndërtim, punë të ndryshme në hotele, etj., të cilët sot paguhen neto nga 26,000 Lekë në 30,000 Lekë, do të paguhen neto nga 35,000 Lekë ne 40,000 Lekë, por edhe më shumë sipas rasteve. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Historia e sallatës së famshme ruse

Ky vit shënon 159 vjetorin e recetës popullore të Olivierit, e cila festohet në të gjithë botën si “sallatë ruse”. Të kesh këtë pjatë të shijshme dhe të përzemërt në darkën e Vitit të Ri është një simbol për traditën shekullore ruse.

Ndoshta asnjë nga festat ruse nuk mund të kalojë pa këtë recetë kombëtare, pavarësisht se kjo sallatë u bë e njohur në mbarë vendin jo përpara viteve 1960-70! Ndryshe nga opinioni i përhapur, sallata moderne ruse (e quajtur “Olivier” në Rusi) ka pak të përbashkëta me recetën origjinale të kësaj pjate të shpikur nga kuzhinieri francez Lucien Olivier.

Megjithatë, shumë shpejt Lucien Olivier pa se shija e tij e dekoruar në mënyrë të ndërlikuar e “Majonezës nga shpendët” u përzije menjëherë me një lugë nga shumë injorantë rusë sipas tij, që kënaqeshin duke ngrënë këtë përzierje. Shefi francez u tmerrua, por të nesërmen ai në mënyrë demonstrative i përzjeu të gjithë përbërësit së bashku dhe i aromatizoi me shumë majonezë.

Receta origjinale e sallatës ruse “Olivier” në kontekstin modern është:

1) fileto pule te ziera,

2) një gjuhë viçi e zier,

3) 100 gram havjar i zi,

4) 200 gram marule e freskët,

5) 25 karavidhe të ziera ose 1 gaforre e zier

6) gjysmë kavanoz turshi të vogël kastraveci,

7) gjysmë kanaçe soje me salcë soje,

8) dy kastraveca të papërpunuara,

9) 100 gram kaperi,

10) 5 vezë të mëdha të ziera, të grira hollë.

Salcë për sallatë: majonezë provansale e bërë në shtëpi nga 400 gram vaj ulliri të rafinuar, 3-4 të verdha veze, pak uthull dhe mustardë, sheqer dhe kripë për shije.

Sallata sovjetike Olivier

Pas Revolucionit të Tetorit të vitit 1917 dhe Luftës Civile me urinë dhe shkatërrimin e mëvonshëm, kuzhina ruse u bë histori e lashtë në Rusinë Sovjetike. Megjithatë, një recetë e thjeshtuar e sallatës Olivier u krijua midis emigrantëve të varfër rusë që kishin ikur jashtë vendit pas Revolucionit të 1917. Kjo sallatë ruse e thjeshtë “emigrante” u kthye në BRSS nga Franca pas Luftës së Dytë Botërore në rrjedhën e zgjerimit të kontakteve diplomatike me Europën.

Receta e sallatës ruse sovjetike për 6 deri në 7 persona është:

  • 1 fileto gjoksi pule të zier ose 200 gram mish viçi të zier,
  • 400 gr patate të ziera me lëkurë,
  • 2 kastraveca të mesme turshi ose të kripura,
  • 1 filxhan bizele të gjelbra të konservuara,
  • 1 qepë mesatare, e grirë hollë,
  • 2 vezë të ziera fort,
  • 6 ullinj të zinj të mëdhenj,
  • 8 degë majdanoz.

Pritini të gjithë përbërësit dhe përzieni së bashku me 200 g majonezë. (Scan)

Qendra Alert/Alert.al

Çfarë konsumuan shqiptarët për festat e fundvitit

Trendi i blerjeve për festa ndryshoi në vitin që sapo lame pas. Sezoni i blerjeve filloi tre muaj para, duke shmangur blerjet spekulative në ditët e fundit të dhjetorit. Operatorët e mëdhenj të shitjeve me pakicë thanë se sezoni i blerjeve për fundvit është zgjatur. Blerjet e mobilieve dhe dhuratave të kushtueshme nisën që në fund të tetorit. Shitjet në linjat e lodrave për fëmijë, produktet në supermarkete dhe mobilieri janë rritur me ritme dyshifrore. Trendet e reja të blerjeve festive dhe nga u gjeneruan të ardhurat për blerjet.

Entuziazmi i blerjeve festive nuk është penguar as nga çmimet e larta dhe as pandemia, teksa të gjitha linjat e tregtisë me pakicë, që nga artikujt e përdorur deri te blerjet e sofistikuara teknologjike raportuan shitje jo të zakontë në dy muajt para festave.

Kufizimet në lëvizje që nga fillimi i pandemisë dhe përqendrimi i aktivitetit jetësor në gjëra të thjeshta, kryesisht kujdesi për veten dhe shtëpinë, e kanalizuan konsumin në ushqime dhe pajisje që kishin të bënin me përmirësimin e infrastrukturës në ambientet e brendshme.

Ky trend, i cili nisi që gjatë pandemisë, kur njerëzit u mbyllën për një kohë të gjatë në shtëpi dhe vunë re nevojat e paplotësuara në banesa, vijoi edhe në festat e fundvitit. Distributorët e pohuan rritje të shitjeve në volum, pavarësisht se çmimet ishin më të larta.

Shpenzimet e konsumit po ushqehen kryesisht nga kursimet, remitancat që ishin me rritje këtë vit dhe nga kanalizimi i shpenzimeve të udhëtimeve dhe argëtimit në pajisje për shtëpinë. Udhëtimet jashtë vendit dhe festat e fundvitit në bare dhe restorante ishin shndërruar në traditë në Shqipëri, por kufizimet në lëvizje dhe shtrëngimi i masave nga disa vende europiane i kanë ndryshuar planet. Kalimi i ditëve të pushimeve në shtëpi po shton nevojat për pajisje të reja.

“Best Seller”, operatori më i madh i mobilieve në vend, tha se, kërkesa në prag të festave ishte e lartë këtë vit.Burimet zyrtare nga kompania shpjeguan se kërkesa ishte më e lartë se vitet e zakonshme si për eksportin, edhe për tregun vendas. Rritja ka qenë mbi 25-30%, në varësi të produkteve gjatë dhjetorit, pohoi kompania.

Grupi “Balfin”, operatori më i madh i tregtisë me pakicë në rrjetin e dyqaneve “Jumbo”, “Neptun”, “Spar Albania”, “Fashion Group Albania”, raportoi rritje të shitjeve gjatë gjithë vitit 2021 dhe në fundvit. Për sa u përket volumeve, “Neptun” ka shënuar rritje prej 23%, FGA 30%, “Spar Albania” 25% dhe “Jumbo”, 21%, duke përfshirë edhe shitjet që rrjetet kanë në dyqanet e tjera jashtë vendit.

I njëjti trend ka vijuar edhe për produktet ushqimore në njësitë e specializuara të shitjes së tyre. “Big Market”, një nga operatorët më të mëdhenj të shitjes me pakicë në vend, pohoi se shitjet gjatë dhjetorit ishin të larta në raport me vitet e tjera të zakonshme për të gjithë llojet e produkteve. Rritja e konsumit në prag të festave u mbështet edhe nga disa tregues indirektë, si importet, tregtia me pakicë në volum, të cilat ishin me rritje mbi mesataren historike në gjysmën e dytë të vitit. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Si t'i heqim kilet pas festave

Ajo çfarë na mundon pas teprimit me ushqim gjatë festave është se si të heqim kilet e tepërta. Megjithëse një shprehje e njohur thotë që mëngjesin haje si perandor, drekën si mbret dhe darkën si lypsar, gjatë ditëve të festave askush nuk e mbajti parasysh këtë gjë.

Kjo nuk do të thotë t’i nënshtroheni sakrificave të mëdha, por të ndiqni disa këshilla të thjeshta.

Menjëherë pas festave vihen re disa kilogram më tepër, peshë më e rëndë dhe bark i fryrë. Mos u shqetësoni nëse do të gjendeni me 2 – 3 kg më shumë, mjafton të ndjekësh rregullat e drejta ushqimore për të detoksikuar organizmin, për rregullimin e funksioneve të aparatit tretës dhe për pak kohë do t’i ktheheni formave tuaja të mëparshme.

Kjo dietë është një dietë 3 ditore detoksikuese dhe që pastron organizmin, dhe mund të ndiqet nga një person i rritur që gëzon shëndet të mirë për një periudhë jo më të gjatë se 3 ditë.

Dita 1

Mëngjes: 1 filxhan çaj jeshil me 1 lugë të vogël mjaltë dhe 10 kokrra bajame

Paradite: 1 filxhan kos me kanellë dhe 1/2 mollë

Drekë: Supë me thjerrëza dhe sallatë me spinaq të freskët, portokall, finok dhe vaj ulliri dhe limon, bukë integrale.

Pasdite:1 filxhan çaj hibiskus me 1 kivi dhe 10 kokrra bajame.

Darkë: Brokoli dhe karrotë të zier me vaji ulliri, limon, bukë integrale, 1 vezë të zier dhe djathë dhie.

Dita 2

Mëngjes: 1 filxhan çaji mali dhe 1 kivi dhe 10 kokrra bajame.

Paradite: 1 filxhan dhallë dhe bukë integrale të lyer me avokado, gjizë dhe 1 mandarinë.

Drekë: Supë me perime (karrotë, presh, selino, brokoli dhe pak patate), sallatë jeshile, peshk ton, qiqra të ziera, karrotë me vaj ulliri dhe bukë integrale.

Pasdite: 1 filxhan çaji mali, 1 karrotë dhe 10 kokrra bajame.

Darkë: Panxhar të zier me vaji ulliri, uthull dhe 1 kupë kos me arra, kopër, bukë integrale dhe 1 frut

Dita 3

Mëngjes: 1 vezë të zier me pak rigon, bukë integrale me gjizë ose rigota dhe 1 mandarinë.

Paradite: 1 gotë dhallë dhe 1 frut.

Drekë: sardele të pjekura me vaj ulliri dhe supë me perime.

Pasdite: 1 filxhan kakao ose 30 gram çokollatë të zezë dhe 1 frut.

Darkë: sallatë jeshile me limon dhe vaji ulliri, bukë integrale të lyer me hummus (qiqra dhe vaj ulliri , karrotë të grira) dhe 1 frut.

1. Mos harroni përdorimin e erëzave si rigon, kurkuma, piper, rozmarinë, kanellë dhe konsumin e reduktuar të kripës.

2. Personat që vuajnë nga kostipacioni (jashtëqitja jo e rregullt) do të këshilloheshin të përdornin kefirin ose probiotikët.

3. Sa më pak yndyrë shtazore këto ditë duke zëvendësuar me yndyrë bimore si frutat e thata dhe vaji i ullirit.

4. Mirë është të ulni konsumin e mishit të kuq, sidomos atë që kanë yndyrat e larta në gjak.

5. Mos harroni aktivitetin fizik.

Qendra Alert/Alert.al