Menu

Kryesore

Ushqimet e Krishtlindjeve!

Janë disa ushqime që konsiderohen fatsjellëse për Krishtlindje.
Soja
Prej kohësh soja është konsideruar si simbol i pasurisë dhe prosperitetit. Legjenda i ka fillesat në librin e Gjenezës.
Mishi i derrit
I shërbyer në formë proshute ka shije të mirë dhe simbolizon bollëkun
Rrushi
Prej shumë kohës simbol i bollëkut, rrushi është konsideruar dhe si një metaforë e të mirave që kemi dhe e dëshirave të realizuara.
Shega
Në antikitet ishte simbol i fekondimit dhe përveçse për ëmbëlsirat, përdorej dhe si uthull.
Arrat
Janë ushqim tipik i periudhës së Krishtlindjeve dhe e darkave familjare. Sipas një tradite antike janë me fat për ata që duan të martohen, por nëse hahen duhen të shoqëruara me një fetë bukë.
Qendra Alert/Alert.al

Kantinat e verës shënuan një vit të artë prodhimi

Kantinat e verës shënuan rimëkëmbje gjatë vitit 2021, duke e lidhur ngushtë këtë me ecurinë pozitive të sektorit të turizmit. Përfaqësuesit e disa prej kantinave kryesore në vend pohojnë se janë rritur kërkesat dhe shitjet në raport me 2020, por ajo mbeten të ngadalta.
Viti 2021, gjithsesi, cilësohet “i artë” në prodhim, ku sasia e rrushit dhe cilësia e tij vlerësohen mjaft të mira, diçka që ka rritur pritshmërinë për verën e re. Gjithsesi kantinat po hasin probleme të reja që lidhen me zhvillimet e post-pandemisë siç është rritja e kostove të qelqit, etiketave, filtrave e transportit, por edhe me probleme “të vjetra” si paragjykimi i verës shqiptare nga vendasit dhe orientimi drejt importit.

Prodhimi i kënaqshëm, rritet kërkesa për verë, turizmi oksigjen për sektorin

Dy vitet e fundit, prodhimi i rrushit në vend vlerësohet në nivele të kënaqshme, të paktën sipas prodhuesve të verës. “Si vit, prodhimi ka qenë vit shumë i mbarë sepse rrallë herë ndodh që bashkohen cilësia e rrushit me sasinë dhe mund ta quaj me bindje si një vit i artë për sektorin tonë.

Këtë vit, krahasuar me vitet e kaluara, Kantina Arbëri e ka shtuar kapacitetin e prodhimit deri në 2-3%” – pohoi Rigers Kaçorri, nga “Kantina Arbëri”. Shumica e kantinave e bazojnë prodhimin te vreshtat e tyre, sipërfaqet e të cilave janë rritur nga viti në vit. Një shembull të tillë ka ndjekur edhe “Kantina Çobo”, që këtë vit e siguroi shumicën e rrushit nga vreshtat e veta.

“Ne kemi nisur në fillim prodhimin e verës me rrushin e vreshtit tonë dhe duke u zgjeruar arritëm në një pikë ku 90% të rrushit e merrnim nga të tjerë. Kurse 5-6 vite më parë morëm me qira 37 hektarë toka, ish-vreshta që ishin bërë pyje dhe kemi mbjellë vreshtat tona. Në vitin 2021, rreth 60-70% e rrushit ka qenë nga vreshti ynë” – tha Muharrem Çobo.

Përfaqësuesit e kantinave raportojnë për një rritje të kërkesës në treg për verë, diçka që vjen më e theksuar në fundvit, sikurse ndodh tradicionalisht me festat, por oksigjeni i vërtetë i këtij viti ishte turizmi.

“Viti 2021 ka qenë pozitiv dhe rol kyç në këtë aspekt luajti turizmi. I lidhur ngushtë me sektorin tonë, turizmi nxiti konsumin, si në bare e restorante, por edhe në kantinat tona ku ofrohen paketa degustimi. Në tërësi, sektori shënoi rimëkëmbje dhe këtë e tregon më së miri rritja e porosive në kantina, rritja e likuiditetit. Mund të them se kemi hyrë në rrugën e normalitetit para pandemisë” – theksoi Levent Nurellari nga “Kantina Nurellari”.

Vera shqiptare, e paragjykuar nga vendasit, e preferuar nga të huajt

Kantinat shqiptare të verës, të cilat janë rritur në numër vit pas viti janë në luftë të vazhdueshme me imazhin e krijuar përgjithësisht për gjithçka që është shqiptare. Paragjykimi për markat shqiptare nga vendasit ekziston në masë. Kjo nuk do të thotë se nuk ka konsumatorë besnikë vendas, por një pjesë e mirë do të preferonin më shumë një markë të huaj pa u thelluar shumë te cilësia e saj, por thjesht nga mendimi se është verë e huaj.

Në 2020-n kemi pasur gjysmën e xhiros që kemi zakonisht. Me keqardhje kuptova sesa konsumohet produkti im nga shqiptarët dhe më rezultoi vetëm gjysma e tij. Gjysmën tjetër e pinë të huajt. Shqiptarët, në pjesën më të madhe, parapëlqejnë produktin e huaj.

Ne si kantinë, por edhe të tjerët po vazhdojmë të bëjmë punën tonë dhe prej 22 vitesh po mundohemi të informojmë mbi verën shqiptare dhe avantazhet që kemi në raport me ato jashtë. Por sigurisht thënë nga ne si palë interesi, ka edhe një lloj mosbesimi” – pohon z. Çobo.

Në të njëjtën linjë është edhe z. Nurellari, i cili nënvizon se, pavarësisht se cilësia e disa verërave shqiptare është më e mirë se e atyre që merren nga jashtë, konsumatori shqiptar u beson më shumë etiketave të huaja. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Zgjerohet skandali/ Pas pagave publikohen targat

Pas publikimit të të dhënave personale, sot qarkullon në të njëjtin format në excel, një database me targat e mjeteve personale të mbi 6 mijë qytetarëve.

Pas hedhjes në publik të të dhënave si identiteti, numri i ID, numri i telefonit, paga dhe nipti i institucion që paguan, sot janë shpërndarë targat.

Qendra Alert/Alert.al

Nuk është Google, aplikacioni më i shikuar për vitin 2021

Aplikacioni TikTok, i njohur për videot e tij të kërcimit, ishte faqja më e vizituar në botë në internet për vitin 2021, duke tejkaluar liderin e vitit të kaluar Google, sipas Cloudflare Inc. NET, një kompani e infrastrukturës që merret me trafikun e internetit.

Aplikacioni, në pronësi të ByteDance Ltd., me bazë në Pekin, ka pasur një rritje të shpejtë, duke tërhequr njerëzit me algoritmin e tij me video të shkurtra interesante që mendon se do t’ju pëlqejnë. Falë këtij aplikacioni shumë njerëz kanë marrë famë botërore duke përmendur këtu Addison Rae apo Charlie D’Amelio. Në fillim të këtij viti, TikTok tha se kishte më shumë se një miliard përdorues në muaj. (Scan)

Qendra Alert/Alert.al

Toksina natyrale në ushqim

Cilat janë toksinat natyrale?

Toksinat natyrore janë komponime toksike që prodhohen natyrshëm nga organizmat e gjallë. Këto toksina nuk janë të dëmshme për vetë organizmat, por ato mund të jenë toksike për krijesat e tjera, duke përfshirë njerëzit. Këto komponime kimike kanë struktura të ndryshme dhe ndryshojnë në funksion biologjik dhe toksicitet. Disa toksina prodhohen nga bimët si një mekanizëm mbrojtës natyror kundër grabitqarëve, insekteve ose mikroorganizmave, ose si pasojë e infektimit me mikroorganizma, si myku, në përgjigje të stresit klimatik (si thatësira ose lagështia ekstreme).

Burime të tjera të toksinave natyrore janë algat mikroskopike dhe planktonet në oqeane ose ndonjëherë në liqene që prodhojnë komponime kimike që janë toksike për njerëzit, por jo për peshqit ose butakët që hanë këto organizma që prodhojnë toksina. Kur njerëzit hanë peshk ose butak që përmbajnë këto toksina, sëmundja mund të pasojë me shpejtësi.

Disa nga toksinat natyrore më të zakonshme që mund të përbëjnë rrezik për shëndetin tonë janë përshkruar më poshtë.

Biotoksina ujore

Toksinat e formuara nga algat në oqean dhe ujë të freskët quhen toksina algash. Toksinat e algave krijohen gjatë lulëzimit të llojeve të veçanta të algave natyrale. Butakët si midhjet, guaskat kanë më shumë gjasa t’i përmbajnë këto toksina sesa peshqit. Toksinat e algave mund të shkaktojnë diarre, të vjella, ndjesi shpimi gjilpërash, paralizë dhe efekte të tjera te njerëzit, gjitarët e tjerë ose peshqit. Toksinat e algave mund të mbahen në butak dhe peshq ose të ndotin ujin e pijshëm. Nuk kanë shije apo erë dhe nuk eliminohen nga zierja apo ngrirja.

Një shembull tjetër është helmimi i peshkut (CFP) i cili shkaktohet nga konsumimi i peshkut të kontaminuar që prodhojnë ciguatoksinë. Disa peshq të njohur se përmbajnë ciguatoksina përfshijnë barracuda, grupi i zi, snapper dhe skumbri. Simptomat e helmimit nga ciguatera përfshijnë të vjella dhe simptoma neurologjike, të tilla si ndjesi shpimi gjilpërash në gishta dhe këmbë. Aktualisht nuk ka një trajtim specifik për helmimin nga ciguatera. (Food Safety)

Qendra Alert/Alert.al

Studimet: Omicron më i lehtë, por më ngjitës sesa Delta

Të dhënat fillestare të dy studimeve të reja në Birtani tregojnë se infektimi me variantin Omicron të koronavirusit mund të kalohet më lehtë sesa infektimi me variantin Delta. Por gjetjet gjithashtu tregojnë se Omicron është variant shumë më ngjitës krahasuar me atë Delta. Kryesuesi i një studimi mbi variantin Omicron të koronavirusit në Britani, paralajmëron se sistemi i kujdesit shëndetësor mund të përballet me mbingarkesë, ndonëse gjetjet tregojnë se infektimi me variantin e ri nuk shkakton sëmundje të rëndë.

Studiuesit nga Kolegji Imperial në Londër thonë se të infektuarit me Omicron kanë 20 për qind më pak shanse që të shkojnë në spital krahasuar me të infektuarit me variantin Delta, dhe 40 për qind më pak që të shtrohen në spital për një ose disa netë. Gjetjet erdhën pas analizimit të të gjitha rasteve të konfirmuara nga testimet e kryera në Angli në gjysmën e parë të dhjetorit, periudhë kjo kur u identifikuan 56 mijë raste me Omicron dhe 269 mijë me Delta. Një studim tjetër në Skoci, nga shkencëtarët e Universitetit të Edinburgut dhe ekspertë të tjerë, thotë se rreziku i shtrimit në spital pas infektimit me Omicron është për dy të tretat më i vogël sesa krahasuar me variantin Delta.

Por studimi tregon se gati 24 mijë rastet me Omicron në Skoci ishin kryesisht të rinj të moshës 20 deri 39 vjeç, dhe se shanset që të rinjtë të sëmuren rëndë nga COVID-19 janë më të vogla. Ekspertët vazhdojnë të theksojnë se vaksinimi dhe respektimi i masave është arma më e fortë kundër COVID.

“Po shohim shtim të numrit të njerëzve që vaksinohen me dozën e parë. Mendoj se shumë njerëz që besonin tek imuniteti i tufës ose që vetëm prisnin dhe shpresonin, e kanë kuptuar se COVIDI është larg fundit”, thotë doktori Zakir Bukhari.

Gjetjet e këtyre dy studimeve ende nuk janë analizuar nga ekspertë të tjerë.

Qendra Alert/Alert.al

Covid-19, lajm i mirë për pensionistët, ja çfarë do të përfitojnë

Bullgari do të ofrojë pension shtesë për çdo të moshuar që do të vaksinohet kundër COVID-19. Bëhet me dije se pensioni shtesë do të jetë për 6 muaj.

Ky vendim është marrë në kuadër të masave të qeverisë për të shtyrë përpara fushatën e vaksinimit tek e gjithë popullsia përfshi këtu edhe grupet e riskut qe janë të moshuarit.

Petkov i cili mori detyrën si kryeministër këtë muaj, deklaroi se çdo shtetas bullgar në moshën e pensionimit, do marrë 38.39 euro në muaj përveç pensionit të rij, gjashtë muaj pas marrjes së dozës parë ose të dytë të vaksinës.

Mësohet nga raportimet e deritanishme të autoriteteve se në Bullgari vetëm 27% e të rriturve janë imunizuar plotësisht, krahasuar me mesataren me 68% në shtetet e Bashkimit Europian.

Qendra Alert/Alert.al

Zgjerohet skandali, publikohet lista e dytë me pagat e shqiptarëve

Thellohet skandali i publikimit të pagave të qytetarëve, ku ditën e sotme është publikuar një tjetër listë.  Bëhet fjalë për listën e pagave të shqiptarëve për muajin prill 2021, ndërsa dy ditë më parë u publikua lista për muajin janar. Edhe lista e muajit prill duket të jetë në format e ngjashme me atë të parën, e eksportuar në programin “Exel”. Ajo përmban të dhëna si numri ID, Nipt-i i biznesit, emër mbiemër dhe paga. Ajo që bie në sy është se kjo databazë ka disa ndryshime si në pagë, por edhe në të dhëna të tjera. Në listë këtë herë janë 694 473 qytetarë shqiptarë, rreth 60 mijë më shumë se lista e parë.

Qendra Alert/Alert.al

CoSolve-19 në mbështetje të Ndërmarrjeve Mikro, të Vogla dhe të Mesme dhe fermerëve të prekur nga Covid-19

Çdo Ndërmarrje Mikro, e Vogël dhe e Mesme si dhe fermerët e regjistruar që janë prekur nga pasojat e Covid-19, mund të aplikojnë për mbështetje këshillimore dhe grante në CoSolve-19. Programi i financuar nga Qeveria Gjermane dhe i zbatuar nga GIZ në bashkëpunim me Qeverinë Shqiptare ka çelur thirrjen e dytë në mbështetje të këtyre bizneseve, që përbëjnë shtyllën e ekonomisë shqiptare në nivel të punësuarish, por që prej dy vitesh po përballen me efektet e krizës së shkaktuar nga pandemia.

Kjo iniciativë e përbashkët e dy qeverive, do t’u ofrojë fillimisht Ndërmarrjeve Mikro, të Vogla dhe të Mesme, si dhe fermerëve të regjistruar këshillim dhe trajnime, të përshtatura sipas nevojave të tyre individuale, përfshirë informacion mbi mundësitë e financimit të aktivitetit të tyre.

Sektorët që mund të aplikojnë për tu bërë pjesë e CoSolve-19 janë turizmi, bujqësia dhe sektorët e tjerë të prekur nga pandemia.

Ndërmarrjet Mikro, të Vogla dhe të Mesme dhe fermerët individual të cilët duan të përfitojnë nga kjo iniciativë duhet të jenë të regjistruar në Shqipëri para datës 1 Tetor 2019, me xhiro maksimale deri në 14.000.000 Lekë në vit. Secili fermer individual, pronar i një biznesi bujqësor, biznesi akomodues (hotel, bujtinë, kamp), operatorë turistik, prodhues të tekstileve dhe veshjeve, lëkurës dhe këpucëve, bizneseve të artizanatit, si dhe biznese të tjera që janë dëmtuar si pasojë e Covid-19 mund të aplikojnë në CoSolve-19.

Thirrja e parë e CoSolve-19 u çel në Mars 2021 dhe prej saj kanë përfituar rreth 200 Ndërmarrje Mikro, të Vogla dhe të Mesme dhe fermerë të regjistruar, të cilët kanë kaluar nëpër cikle të ndryshme këshillimore, duke filluar nga analiza e situatës së biznesit, përcaktimi i masave për ndryshim, zbatimi i planit të ndërhyrjes, përfshirë edhe aksesin në financë. Pas përfundimit të cikleve këshilluese, këto biznese janë aktualisht në fazën e vlerësimit të aplikimit të tyre për grante, e hapur vetëm për bizneset dhe fermerët që ndoqën ciklin këshillimor të kësaj thirrje të parë.

Ndërsa periudha e aplikimit për thirrjen e dytë është e hapur deri më 10 Janar 2022. Treqind aplikues do të përzgjidhen për përkrahje të menjëhershme në raundin e dytë duke respektuar parimin kush aplikon i pari, shërbehet i pari.

Për më shumë informacione rreth Cosolve-19 dhe procedurave të aplikimit, klikoni në CoSolve-19 – Këshillim. Përshtatje. Grante. (cosolve19.al).

Përshirja e acideve yndyrore në ushqimin e foshnjave

Thirrje për të dhëna teknike dhe toksikologjike për esteret e acidit citrik të acideve yndyrore (E 472c) për përdorim si një aditiv ushqimor për të gjitha grupet e popullsisë, përfshirë edhe foshnjat.

Në bazë të nenit 32(1) të Rregullores (KE), aditivët ushqimorë që ishin lejuar për përdorim në Bashkimin Evropian përpara datës 20 janar 2009 duhet të rivlerësohen nga Autoriteti Evropian i Sigurisë Ushqimore (EFSA). Programi për këtë rivlerësim është krijuar me Rregulloren e Komisionit (BE) Nr. 257/2010[2].

Në përputhje me kuadrin ligjor të mësipërm, Paneli i EFSA për aditivët dhe aromatizuesit e ushqimit (FAF) lëshoi ​​një opinion shkencor mbi sigurinë e acidit acetik, acidit laktik, acidit citrik, acidit tartarik dhe acideve yndyrore nga përdorimet e tyre si aditivë ushqimorë në kategoritë e ushqimeve të specifikuara.

Në opinionin e tij, Paneli FAF vuri në dukje se janë përfshirë nivelet e acideve yndyrore në ushqimin për foshnjat nën moshën 12 javë, në kategorinë 13.1.1 dhe 13.1.5.1. Paneli konsideroi se këto përdorime për foshnjat nën moshën 12 javë do të kërkonin një vlerësim specifik të rrezikut. Arsyeja ishte se qasja e vlerësimit të rrezikut e ndjekur në atë kohë nga Panelet Shkencore të EFSA në rivlerësimin e aditivëve ushqimorë nuk zbatohej për këtë grupmoshë.

Komisioni Evropian i kërkoi EFSA-së të adresojë mungesën e të dhënave (boshllëqet e të dhënave) gjatë vlerësimit të rrezikut të aditivëve ushqimorë për përdorime në ushqimin për foshnja. Prandaj, kërkesat specifike të të dhënave për të gjitha përdorimet e estereve të acidit citrik të mono dhe diglicerideve të acideve yndyrore (E 472c) përfshihen në këtë thirrje.

EFSA do të marrë në konsideratë rëndësinë e informacionit të dhënë për vlerësimin e rrezikut të estereve të acidit citrik të mono- dhe diglicerideve të acideve yndyrore (E 472c).

Kur informacioni i kërkuar nuk është dorëzuar në EFSA brenda afateve të përcaktuara, aditivi i ushqimit mund të hiqet nga lista e Bashkimit Europian në përputhje me procedurën e përcaktuar në nenin 10.3 i Rregullores (KE) Nr. 1333/2008. (EFSA)

Qendra Alert/Alert.al