Menu

Kryesore

Pija e kuqe që ul nivelet e sheqerit në gjak

Menaxhimi i tipit 2 të diabetit përfshin mbajtjen në kontroll të nivelit të gjakut. Sipas një hulumtimi, një pije e kuqe mund ta ulë sheqerin në gjak 15 minuta pasi që e konsumoni atë – cila është ajo?

Tipi 2 i diabetit shkaktohet nga prodhimi i dobët i insulinës në pankreas. Insulina është një hormon që rregullon sheqerin në gjak – elementi kryesor i sheqerit që gjendet në gjak. Brenda këtij mekanizmi rregullues, nivelet e sheqerit në gjak rritën, një gjë e cila shkakton një mori problemesh.

Fatmirësisht, ju mund ta rrisni furnizimin e juaj me insulinë, kështu ta rregulloni sheqerin në gjak,  duke marrë vendime që të bëni një jetë të shëndetshme.

Një ndërhyrje premtuese është që të pini lëng shege apo të hani të tilla.

Një studim i publikuar në revistën e “Current Developments in Nutrition” shqyrtoi ndikimin e një gote lëngu shege dhe ndikimin e saj në sheqerin në gjak.

Për këtë u rekrutuan 21 vullnetarë me peshë normale.

Vullnetarët fillimisht e kanë pirë një gotë ujë dhe pastaj një gotë lëngë shege . Gota e ujit kishte 18.6 gramë glukozë dhe 18.3 gramë fruktozë me përmbajtjen e lëngut të shegës.

Sasia e sheqerit në gjak ishte matur më parë, dhe reagimi do të shihej pas 15, 30, 60, 90, 120, 150 dhe 180 minutave pas pijes, transmeton GazetaExpress.

Testi i sheqerit në gjak matet gjatë natës, kur nuk jeni duke ngrenë.

Në të gjitha analizat, marrja e ujit nuk e ndryshoi nivelin e sheqerit në gjak.

Për më tepër, nivele të konsiderueshme të insulinës u panë tek personat pas 15 dhe 30 minutash të ata që kishin pirë lëngë shege, krahasuar me ata me ujë dhe sheqer.

Kërkime të tjera kanë treguar po ashtu benefitët që mund të keni nga pirja e lëngut të shegës.

Një studim i kryer në Izrael tregoj që lëngu i shegës mund të sigurojë përfitime shtesë për diabetiket.

Lëngu i shegës u testuat të një grup i vogël njerëzisht në institutin për Hulumtime Rappaport Family in the Medical Sciences, në bashkëpunim me Qendrën Mjekësore Ramban në Haifa të Izraelit.

Gjetja kryesor ishte se sheqernat e gjendur në lëngun e shegës, edhe pse të ngjashme me sheqernat në lëngjet e tjera të frutave, nuk ndikojnë negativisht në parametra të diabetikëve.

Lëngu i shegës ulë rrezikun e arteriosklerozës – një gjendje potencialisht serioze ku arteriet bllokohen nga substanca yndyrore të quajtura pllaka yndyrore apo ateroma. /GazetaExpress/

Qendra Alert/Alert.al

Ecolog International dhuron 10 ambulanca për spitalet në Maqedoninë e Veriut. Filantropi Lazim Destani: Nevoja për reagime të shpejta është më e madhe se kurrë

Dhjetë autoambulanca, të kompletuara me pajisje dhe aparaturë mjekësore, i dhurohen Shtëpive të Shëndetit në Maqedoninë e Veriut. Ky donacion synon fuqizimin e kapaciteteve spitalore si dhe ngritjen e cilësisë së shërbimeve të sektorit të emergjencës, sidomos tani që ndodhemi në periudhë pandemie, kur nevojat e popullatës për ndihmën e shpejtë mjekësore janë shtuar ndjeshëm.

TETOVË, 24.09.2021 – Kompania Ecolog International vazhdon të mos ndalet duke suportuar popullatën në Maqedoninë e Veriut, si dhe të jetë donatori më i madh në formë ndihme dhe për trojet shqiptare, qëkur ka nisur pandemia COVID-19.

Kësaj radhe Ecolog International dhuroi për spitalet e Maqedonisë së Veriut dhjetë autoambulanca të kompletuara me pajisjet dhe aparaturën e nevojshme mjekësore. Ky donacion synon fuqizimin e kapaciteteve spitalore, si dhe ngritjen e cilësisë së shërbimeve të sektorit të emergjencës, sidomos tani në periudhën e pandemisë, kur nevojat e qytetarëve për ndihmën e shpejtë mjekësore janë shtuar ndjeshëm.

Filantropi Lazim Destani, si iniciator i këtij donacioni dhe njëherësh Kryetar i Bordit Këshillues, tha se, “ishte i lumtur, që këtë donacion po e realizonin në këtë periudhë kohore, kur kërkesa për të reaguar shpejt është shumë domethënëse, sidomos tani, kur akoma ndodhemi në luftë me virusin Covid-19”.

“Shpresoj që me këto dhjetë autoambulanca t’u vijmë në ndihmë spitaleve në mënyrë që shërbimet e emergjencës të jenë sa më efektive ndaj kërkesave të popullatës e të pacientëve që ndihmën e shpejtë e kanë aq të nevojshme, ndihma e shpejtë shpëton jetë njerëzish”, theksoi Destani.

Filantropi Lazim Destani

Ndërsa në faqen e tij zyrtare në Facebook, Destani shkruan: Më vjen mirë që përmes biznesit tonë familjar po e bëjmë donacionin e radhës. Pandemia vazhdon të kërcënojë e të marrë jetë, andaj është sfera e shëndetësisë ajo që kërkon vëmendje. Për ta sjellë ndihmën mjekësore sa më shpejt te ata që e kanë këtë nevojë, apo për transportimin e pacientëve drejt qendrave më të specializuara, kësaj radhe zgjodhëm të dhurojmë autoambulanca të kompletuara me pajisjet spitalore të teknologjisë më të re, përfshirë edhe ato për Covid-19. Shpresoj ky donacion të jetë një ndihmë për spitalet e Maqedonisë së Veriut në mënyrë që shërbimet e emergjencës të jenë sa më efektive ndaj kërkesave të popullatës e të pacientëve që ndihmën e shpejtë e kanë aq të nevojshme. Uroj gjithashtu sa më i vogël të jetë numri i atyre që do kenë nevojë për këtë ndihmë”.

Në ceremoninë e dorëzimit të autoambulancave, organizuar në hapësirat e kompanisë Ecolog në Tetovë, për pranimin e donacionit prezent ishin, Sekretarja Shtetërore në Ministrinë e Shëndetësisë, Ivanka Stojanovski dhe drejtuesit e Shtëpive të Shëndetit nga Tetova, Gostivari, Kërçova, Dibra, Struga, Kumanova, Shtipi, Velesi dhe Manastiri. Spitalet përfituese nga ky donacion u përcaktuan sipas konsultave paraprake me autoritetet e Ministrisë së Shëndetësisë.

Përfaqësuesi i kompanisë Ecolog, Seid Jusufi, në fjalën e tij para mediave tha se, “aktivitetet nga sfera e përgjegjësisë shoqërore për dekada me radhë kanë qenë pjesë e pandashme e kompanisë Ecolog. Ato përfshijnë fusha të ndryshme, si shkenca, arsimi, arti, kultura, deri te solidarizimi me familjet sociale apo të prekurit nga fatkeqësi të ndryshme natyrore. Në këtë periudhë dy-vjeçare, është shëndetësia ajo që ka marrë më shumë vëmendje. Së këndejmi, nga Kryetari i Bordit Këshillues, Z.Lazim Destani, erdhi dhe iniciativa për dhurimin e këtyre dhjetë autoambulancave. Besojmë se, ky donacion do të jetë një kontribut për fuqizimin e kapaciteteve spitalore si dhe ndihmë për punonjësit e shëndetësisë në betejën e tyre kundër Covid-19. Autoambulancat janë të kompletuara me pajisjet dhe aparaturën e nevojshme mjekësore për t’u vënë në funksion që nga dita e sotme”.

Ndërsa Sekretarja Shtetërore në Ministrinë e Shëndetësisë, Ivanka Stojanovski, e falënderoi kompaninë Ecolog për dhurimin e 10 autoambulancave, që do të shpërndahen, dy në Tetovë,dhe nga një për spitalet në Kumanovë, Gostivar, Kërçovë, Dibër, Strugë, Manastir, Veles dhe Shtip. “Donacioni juaj do të jetë me përfitim të madh për Institucionet Shëndetësore dhe personelin mjekësor dhe më e rëndësishmja, do të ndihmojë drejtpërdrejt në shpëtimin e jetëve njerëzore. Faleminderit paraprakisht për çdo ndërhyrje në kohë dhe çdo jetë të shpëtuar! Kompania Ecolog është një shembull se si një organizatë duhet dhe mund të punojë për të mirën e të gjithëve, për të qenë me përgjegjësi shoqërore”, theksoi Stojanovski.

Drejtori i Spitalit të Gostivarit, Jakup Jakupi e falenderoi kompaninë Ecolog International dhe në veçanti Z.Destani për këtë ndihmë, të cilën ai e cilësoi me peshë të madhe, që vjen në një moment kur më së shumti ka nevojë. “Falënderimet ndaj familjes Destani, janë më e pakta që mund të bëjmë për të shprehur mirënjohjen e thellë jo vetëm për donacionin e sotëm, por për mbështetjen e vazhdueshme në sfera të ndryshme që kjo familje i jep shoqërisë”.

Ndërsa Drejtoresha e Spitali të Shtipit, Snezana Trajkovska falenderoi publikishte, “në emër dhe të të punësuarve në Shtëpinë e Shëndetit si dhe qytetarëve, deri tek Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, kompaninë Ecolog dhe posaçërisht deri tek Filantropi Lazim Destani, për këtë aktivitet humanitar dhe donacion që e marrim ne dhe që vjen në kohë të duhur ngaqë jemi në kohë pandemie kur kërkesat dhe telefonatat nga pacientët tanë janë të rritura, ne si personel mjekësor posaçërisht si ndihmë e shpejtë mjekësore do të jemi të qasshëm në çdo kohë për të ofruar ndihmë”.

Ecolog International është pronë dhe drejtohet nga Familja Destani nga Tetova e Maqedonisë së Veriut. përveç filantropisë dhe ndihmave të vazhdueshme edhe më herët, për vitë të tëra, vetëm që nga fillimi i pandemisë COVID-19, Ecolog International, ka qenë lokomotiva e ndihmave për trojet shqiptare dhe Maqedoninë e Veriut. Qindra mijëra familje në Maqedoni u janë shpërndarë në dy vite rresht, kupona me vlerë financiare, me të cilët, ato mund të blinin gjerat më të domosdoshme, të higjienës për familjet e tyre, si dhe ushqime.

Mijëra tableta u dhuruan për nxënësit që vinin nga familje në nevojë, në vitin 2020 nga Ecolog International dhe filantropi Lazim Destani në Maqedoninë e Veriut, Kosovë, Luginën e Preshevës dhe Shqipëri.

Gjithashtu, nga Ecolog dhe filantropi Destani, u dhuruan dhe mijëra teste Covid për Shqipërinë, Kosoven, Maqedoninë dhe shqiptarët e Preshevës.

Për të mos folur më pas për tërmetin e 26 nëntorit 2019 në Shqipëri, kur karvani i kamionëte kamionët me ndihma nga Ecolog ishin në Durrës që mëngjesin e datës 27, apo dhe filantropitë e ndihmat lokale, si rasti i përmbytjeve në fshtrat e Maqedonisë, ku dhjetra familjen humbën shtëpitë e bazën materiale nga rrëshqitja e dheut.

 

Alert.al

EFSA: Kërkim mbi arsenikun organik në ushqim

Arseniku gjendet natyrshëm në tokë, ujëra nëntokësorë dhe bimë. Arseniku inorganik mund të shkaktojë kancer të lëkurës, fshikëzës urinare dhe mushkërive. Arsenobetaine, një specie organike arseniku që gjendet në peshk dhe ushqim deti nuk metabolizohet tek njerëzit dhe supozohet se nuk është shqetësim toksikologjik. Tani ka dëshmi se dimetilmonothioarsenate (DMMTA) është formuar nga arsenati metil për shkak të aplikimit të plehrave sulfatike. Ekzistojnë dëshmi se kjo substancë mund të jetë më toksike sesa methylarsonate.

EFSA do të merret me vlerësimin në mënyrë gjithëpërfshirëse të rrezikut nga ekspozimi ndaj llojeve të vogla të arsenikut të metiluar dhe specieve organike të arsenikut, përveç specieve të vogla të arsenikut të metiluar.

 

Objektivat e kontratës që rezultojnë nga kjo procedurë prokurimi janë si më poshtë:

Objektivi 1: Zhvillimi i strategjive të kërkimit të përshtatura për të tërhequr studimet (përfshirë rishikimet dhe literaturën) në lidhje me vlerësimin e rrezikut dhe karakterizimin e specieve organike të arsenikut të botuara që nga 01/01/2010.

Informacion mbi teknikat analitike për specie organike në ushqim, ujë të pijshëm

Informacion mbi të dhënat e biomonitorimit njerëzor (gjak, serum, urinë)

Informacion mbi shfaqjen/përqendrimet dhe formimin e specieve organike të arsenikut në ushqim dhe ujë të pijshëm

Informacion i rëndësishëm në lidhje me ekspozimin e njerëzve ndaj specieve organike të arsenikut përmes dietës dhe ujit të pijshëm. (EFSA)

Qendra Alert/Alert.al

Glyphosate, EFSA dhe ECHA nisin konsultimet

Glyphosate është një kimikat që përdoret gjerësisht në produktet për mbrojtjen e bimëve (PPP). PPP me bazë glyphosate, domethënë formulimet që përmbajnë glyphosate, bashkë-formula dhe kimikate të tjera përdoren kryesisht në bujqësi dhe hortikulturë për të kontrolluar barërat e këqija që konkurrojnë me kulturat e kultivuara.

EFSA dhe Agjencia Evropiane e Kimikateve (ECHA) kanë filluar konsultimet paralele mbi vlerësimet fillestare shkencore të glyphosate. Konsultimet do të zgjasin 60 ditë dhe të gjitha palët e interesuara inkurajohen të kontribuojnë.

Vlerësimet fillestare shkencore të paraqitura për konsultim u përgatitën nga Grupi i Vlerësimit të Glyphosate (AGG), i cili përfshin autoritetet kompetente kombëtare në Francë, Hungari, Holandë dhe Suedi. EFSA dhe ECHA përpiqen për transparencë dhe për të sjellë qytetarët e palët e interesuara sa më pranë punës së Agjencive. Të gjitha palët e interesuara inkurajohen të kontribuojnë në konsultime duke paraqitur komente përkatëse ose informacione dhe të dhëna shkencore. Konsultimet do të qëndrojnë të hapura për 60 ditë dhe të gjitha komentet do të publikohen pas mbylljes së tyre në faqet e internetit të dy Agjencive.

Klasifikimi i kimikateve bazohet vetëm në vetitë e rrezikshme të një substance. Ekspozimi konsiderohet si pjesë e vlerësimit të rrezikut të substancave aktive të pesticideve, një proces i udhëhequr nga EFSA.

Glyphosate aktualisht ka një klasifikim të harmonizuar si shkaktues të dëmtimit serioz të syve dhe si toksik për jetën ujore me efekte afatgjata. Klasifikimi për kancerogjenitetin ose toksicitetin riprodhues të qelizave nuk u konsiderua i garantuar.

EFSA do të marrë rezultatin e opinionit të EACA të RAC mbi klasifikimin e glyphosate dhe pritet të përfundojë punën në gjysmën e dytë të vitit 2022. Komisioni Evropian, së bashku me menaxherët e rrezikut nga 27 shtetet anëtare të BE do të vendosë nëse do të rinovojë miratimin e glyphosate për përdorim në BE. (EFSA)

Qendra Alert/Alert.al

Alarmi i BE për produktet e rrezikshme joushqimore

Sistemi Rapex i Bashkimit Europian ka shpërndarë raportin për produktet e rrezikshme joushqimore.

Karikuesi Hoco

Ndër produkte me rrezikshmëri është karikuesi Hoco, ku alarmi është ngritur nga Hungaria, pasi izolimi i produktit është i papërshtatshëm. Përdoruesi mund të marrë një goditje elektrike dhe ky product nuk është në përputhe me kërkesat e Direktivës së Tensionit të Ulët dhe standardit Evropian EN 62368.

Lodrat për fëmijë

Lidhësat në lodra përmbajnë plumb (vlerë e matur deri në 0.28% ndaj peshës) dhe kadmium (vlerë e matur deri në 0.0016 %% ndaj peshës) në përqendrime mbi vlerat kufitare. Plumbi dhe kadmiumi paraqesin rrezik për mjedisin. Ndaj produkti nuk përputhet me Direktivën e Komisionit për kufizimin e përdorimit të disa substancave të rrezikshme në pajisjet elektrike dhe elektronike (Direktiva RoHS 2).

Letrat e lagura

Produkti përmban kimikate, përkatësisht një përzierje methylchloroisothiazolinone (MCI) dhe methylisothiazolinone (MI). Vlerat e matura: MCI 0,00007% dhe MI 0,00004%, janë të ndaluara në kozmetikë. Kontakti i lëkurës me produktet që përmbajnë MCI dhe MI mund të shkaktojë alergji. Produkti nuk përputhet me Rregulloren e Produkteve Kozmetike.

Rrezelazeri

Rrezja lazer është shumë e fuqishme. Shikimi i drejtpërdrejtë i rrezes lazer mund të shkaktojë dëmtim të shikimit. Produkti nuk përputhet me standardin përkatës Evropian EN 60825.

Safety Gate for dangerous non-food products (europa.eu)

Qendra Alert / Alert.al

Aktivisti Aulon Kalaja dhuron çanta e mjete mësimore për fëmijët e familjeve të prekura nga tërmeti

Në vigjiljen e nisjes së vitit të ri shkollor, grupi i vullnetarëve në krysimin e aktivistit Aulon Kalaja, organizuan një fushatë për të ndihmuar fëmijët e familjeve të prekura nga tërmeti, në shkollën e Shpërdhetit, Mamurras, në Fushë-Krujë, Bubq dhe Kodër Mallkuç.

Vullnetarët përgatitën çante dhe të gjitha sendet shkollore që iu duhen fëmijëve, që të hënën nisin shkollën.

Për këtë kauzë kontribuan qytetarë të ndryshëm. Kjo nuk është hera e parë që aktivistët ndihmojnë baborët e prekur nga tërmeti. Dy vite më parë ata çelën një qendër vullnetare në Bubq, ku hapën mensë, shpërndanë veshmbathje dhe konteinerë banimi dhe ku shërbyen për 90 ditë me radhë. Ata premtuan se do shkonin sërish për të parë fëmijët.

Alert.al

Konfiskohen domate me pesticide, kamionët u refuzuan nga një vend i BE

Fermat e Beratit që kultivojnë domate përdorin pesticide të ndaluara. Disa ditë më parë një kamion më domate të vogla u kap në një nga doganat e vendeve të Bashkimit Evropian, për pasojë ngarkesa u kthye mbrapsht në Shqipëri pasi sipas rezultatit të analizave domatet rezultuan të kishin ngarkesë të madhe të insekticidit të rrezikshëm Buprofezin.

Insekticid që përdoret për të vrarë fluturën e bardhë dhe morrin tek të domatja, në vendin tonë futet në mënyrë ilegale. Fermerët shqiptarë për të luftuar morrin dhe fluturën e bardhë prej vitesh në serat e tyre prodhimin bujqësore e spërkasin me helmet e ndaluara, si methomyl 90, sunfire dhe tani Buprofezin.

Autoritet përgjegjëse që duhet të garantojnë sigurinë ushqimore, duket se përballë kontrabandistëve dhe fermerëve të papërgjegjshëm ndjehem të pafuqishëm.

”Përse fermerët i përdorin pesticidet e ndaluara? Fermerët përdorin pesticidet e ndaluara pasi mendojnë se ato janë më cilësore. Ky mentalitet përse përqafohet edhe nga farmacitë bujqësorë? Sepse atë kërkon fermeri dhe mendojnë për fitimin”, tha Bilbil Beqiraj, Kreu i Shoqatës se Farmacistëve Bujqësore.

-Ku gjendet këto pesticide si vijnë ato në Shqipëri?

“Vijnë nga Serbia dhe Kosova”, tha ai.

Fermerët vendas nuk tregojmë kujdes për prodhimin që kultivojnë,para se të mendojnë për cilësinë ata kërkojnë tregun. Për këtë arsye fermerët e pandërgjegjshëm përdorin insekticide të ndaluara që vënë në rrezik jeton tonë,por edhe në rastet kur insekticidet janë të miratuar ata nuk respektojnë kararemcën e tyre.

“Karenca është koha e shpërnjeh së elementëve kimikatë të preparatit. Koha e shpërbërjes varion nga 1 ditë deri në 2 muaj. Respektimi i karencës është i domosdoshëm pasi kështu mbrojmë konsumatorin. Përse nuk e respektojnë karencën fermerët tanë? Sepse e kanë mendjen tek tregu dhe çmimi i lartë”./tch.

Qendra Alert/Alert.al

Rritja e çmimeve, kafeja është produkti i radhës që pritet të shtrenjtohet

Vijon rritja e çmimeve në vendin tonë, ku së shpejti ndikim do të ketë edhe tek kafeja. Përfaqësues nga baret dhe restorantet thonë se shtrenjtimi vjen si pasojë e rënies së konsumit si dhe rritjes së çmimit të lëndës së parë që vjen nga importi. Kafeja, ndër produktet më popullore e njëherazi më të konsumuara nga shqiptarët pritet të pësojë rritje të çmimit me 10 deri në 15 lekë. Enri Jahaj, Kryetari i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve tregon se shtrenjtimi me 10 deri në 20 për qind do vijë për tre arsye:

“Kemi një ofertë të lartë kundrejt një kërkese të ulët dhe tregu duhet të normalizohet. Lëndët  e para po rriten dita-ditës dhe automatikisht sjell rritjen e çmimeve. E treta është që xhiro e munguar sjell rritje të çmimeve se fitimi i munguar duhet rikuperuar”. Por, nga kur do duhet të paguajmë më shumë për produktin me të cilin për shumëkënd nis dita?

 

“Unë besoj që shumë shpejt, duke pasi bursa për kafen tregon që nuk e kemi pasur vit të mirë për kafen tregon që do të rritet. E para do rritet lënda e parë, ose oksigjeni i konsumatorit tonë që është kafja dhe pastaj të gjitha në rritje”, shprehet Jahaj.

 

Rritja e çmimit të kafesë si dhe produkteve të tjera të bareve dhe restoranteve vjen si reaksion zinxhir i shtrenjtimit të bukës si dhe produkteve të tjera të shportës.(A2)

Qendra Alert/Alert.al

OBSH: Tashmë Delta është varianti dominues në mbarë globin

Varianti delta i koronavirusit ia ka kaluar të gjitha varianteve të tjera të COVID-it, tha të martën Organizata Botërore e Shëndetësisë.

 

“Më pak se 1% ka mbetur aktualisht në qarkullim nga variantet alfa, beta dhe gama. Është vërtet delta që dominon në të gjithë botën”, tha Maria Van Kerkhove, drejtuese teknike për COVID-19ën në Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

 

Sipas zonjës Van Kerkhove, varianti delta është aq i transmetueshëm sa që ka zëvendësuar variantet e tjera që qarkullojnë në të gjithë botën.

 

Qindra njerëz demonstruan të martën në qytetin e dytë më të madh të Australisë kundër kufizimeve të koronavirusit që qeveria vendosi për industrinë e ndërtimit.

 

Zyrtarët njoftuan se kantieret e ndërtimit në Melburn do të mbyllen për dy javë mes shqetësimeve se lëvizja e punëtorëve po kontribuonte në përhapjen e COVID-19.

Infektimet e reja ditore dhe numri i njerëzve të shtruar në shtetin Uashington kanë arritur ose janë afër niveleve të tyre më të larta gjatë pandemisë.

 

Zyrtarët e shëndetësisë të shtetit Uashington raportojnë se 69% e njerëzve të moshës 12 vjeç e lart në këtë shtet janë plotësisht të vaksinuar.

 

Kjo është më e lartë se shifra kombëtare, me Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve që raportojnë se 64% e popullsisë të moshës 12 vjeç e lart janë vaksinuar plotësisht.

 

Numri i vdekjeve të reja nga virusi në Shtetet e Bashkuara ishte 2.302 të hënën – më i larti i regjistruar që nga marsi, sipas të dhënave nga Qendra e Burimeve të Koronavirusit të Universitetit Johns Hopkins. (VOA)

Qendra Alert/Alert.al

Dritëhijet e programit IPARD, iu shërben fermerëve apo bizneseve? Procedurat e vështira për aplikuesit dhe pamundësitë për të plotësuar dosjet

Nga Rudina MUÇA*

Instrumenti për Ndihmën Para-Anëtarësuese për Zhvillimin Rural (IPARD) ka si objektiv afatgjatë përgatitjen e sektorit të agrobiznesit shqiptar në përmbushjen e kërkesave të ‘acquis communitaire’ dhe për të siguruar zbatimin efikas të programit dhe përdorimin e fondeve të Bashkimit Evropian.

Sektori bujqësor dhe rural në Shqipëri, në të gjithë historinë e tij është përballur me sfida të mëdha dhe një prej tyre është konkurenca e fortë rajonale dhe ndërkombëtare. Respektimi i standardeve mjedisore, sigurisë ushqimore dhe mirëqenies së kafshëve në sektorin e bujqësisë është ende i ulët. Një pjesë e madhe e fermave bujqësore nuk respektojnë standardet për shkak të burimeve të  kufizuara financiare për të përmirësuar teknologjinë dhe mungesën e vetëdijes dhe njohurive mbi standardet.

Investimet në bujqësi janë shumë të ulëta për shkak të bujqësisë në shkallë të vogël, burimeve të kufizuara të brendshme të fermerëve dhe qasje e vështirë në kredi.

Sistemi bankar është ndërmjetësi kryesor financiar në Shqipëri. Dhënia e kredive ndaj sektorit bujqësor është shumë e ulët, si pasojë e problemeve strukturore të sektorit, përfshirë përmasat e vogla të fermave, plakja e popullsisë, mungesa e aseteve që do të ofrohen si kolateral, tregu i pazhvilluar i tokës, mungesa e informacionit në lidhje me gjendjen financiare të aplikantëve, etj.

Për ta çuar përpara është e nevojshme që të mobilizohen të gjithë aktorët përkatës, që ndikojnë drejtpërdrejt ose tërthorazi në  zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë.

Çfarë është instrumenti IPA dhe si lidhet kjo me grantet e bujqësisë?

Me mbështetjen e IPA I, Shqipëria bëri një përparim të rëndësishëm në përgatitjen për zbatimi i IPARD -it. Projekti IPA 2011 për Mbështetjen e Bujqësisë dhe Zhvillimi Rural (SARD) përfshiu një skemë granti që pilotonte masa të ngjashme me IPARD-in për investimet në bujqësi dhe në përpunimin dhe tregtimin që synonte modernizimin dhe përafrimin gradual me standardet e BE -së. Në vitin 2013 u hapën tre thirrje për propozime, për të cilat u paraqitën 255 aplikime, investime që arrinin në 46 milionë euro. Një mësim i rëndësishëm i skemës së granteve të ngjashme me IPARD është se ka një kërkesë të konsiderueshme për mbështetje që konfirmon nevojat e identifikuara siç tregohet nga fakti se granti i kërkuar i aplikimeve të paraqitura tejkaluan trefishin e buxhetit në dispozicion të të gjitha thirrjeve të kryera për propozimet. Për shkak të informalitetit të lartë në sektorin e agro-përpunimit, kapaciteti i aplikantët për të respektuar procedurat e përcaktuara bazuar në legjislacionin kombëtar ishte i kufizuar, i cili ndikoi negativisht në thithjen e fondeve.

Në dhjetor të 2018, Shqipëria fitoi të drejtën për të përftuar 17 milion euro në vit, përfshi këtu edhe kontributin e qeverisë shqiptare, para të cilat do të shkonin në zhvillimin e bujqësisë, blegtorisë dhe agro-turizmit.

Kjo mbështetje financiare e grantit për çdo thirrje publike përbëhet nga 75% financim i siguruar nga instrumenti për ndihmën rurale të para-anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe 25% financim i siguruar nga buxheti i Republikës së Shqipërisë, si pjesë e marrëveshjes së MSA-së.

Por, pengesa e parë dhe më pothuajse më e pakapërcyeshmja në mbështetjen e sektorit të  bujqësisë me grante ka të bëjë me mungesë e fondeve rezervë nga ana e fermerëve. IPARD nuk jep mbështetje financiare paraprake për të realizuar planin e investimeve. Kjo i detyron fermerët që t’i drejtohen për  mbështetje sistemi bankar ose institucioneve mikrofinanciare, por këto dy institucione janë skeptike në lëvrimin  kredive dhe ka shumë praktika burokratike. Kjo barrierë i lë jashtë skemave të mbështetjes financiare fermerët e vegjël.  E gjithë kjo skemë bën që përfituesit e vetëm të jenë bizneset e mëdha agro-përpunuese dhe fermeri i vogël mbetet jashtë skemës së përfitimit nga fondet IPARD.

Që të përfitosh fonde nga Bashkimi Europian, që vijnë nëpërmjet programit IPARD, projekti teknik i fermerit duhet të kapë shifrën e plus 10.000 Eurove dhe jo më pak. E përkthyer ndryshe, një fermer duhet të bëjë të paktën10 mijë euro investime që të përfitojë nga IPARD. Ky instrument mbështetës iu garanton në fillim vetëm 10% të shumës që pritet të investohet në planin e biznesit. Pjesën tjetër të parave fermeri që shet domate dhe që kërkon të bëjë një serë, duhet ta sigurojë paraprakisht borxh nga të afërmit, ose mund t’i ketë kursime të jetës së tij dhe në rastin më të keq, mund të rriskojë të marrë kredi.

Nëse fermeri me ngastër të vogël nuk përthith fondet e Bashkimit Evropian, atëherë ku shkojnë këto para?

Në regjistrat e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, gjithësej kemi 354 mijë fermerë të regjistruar. Fermerët shqiptarë ndahen në tri kategori:

– kategoria e fermerëve që prodhon për konsum vetjak dhe të blegtorisë që mbarështon;

– kategoria e fermerëve që prodhon për konsum vetjak, për blegtorinë e vet dhe një tepricë prodhimesh për tregun vendas;

– kategoria e tretë janë fermerët dhe subjektet tregtare që prodhojnë për tregun e vendit dhe për eksport.

Sipas ekspertëve, grupimi i parë dhe i dytë nuk kanë mundësi të përfitojnë drejtpërdrejtë nga programi IPARD. Këto dy grupime përbëjnë rreth 82% të fermerëve të regjistruar në Shqipëri, pra pjesë e IPARD mund të bëhen vetëm grupimi i fermerëve që zënë 18% të totalit.

Bujqësia kontribuon rreth 20% të prodhimit bruto dhe merr nga buxheti i shtetit afërisht 2.2% të vlerës. Paratë e akorduara nga buxheti i shtetit janë të pamjaftueshme për ngritjen e një bujqësie moderne që kërkon të konkurojë tregjet evropiane. Nga ana tjetër, paratë e Bashkimit Evropian shkojnë për ata operatorë ekonomike që kërkojnë ngritjen e subjekteve fizike ose linjave të përpunimit, fermeri që punon tokën duhet të mjaftohet me buxhetin e miratuar nga qeveria shqiptare.

Të punosh tokën, të mbarështosh gjë të gjallë pa ndihmë e subvencioneve kërkon mund. Bujqësia vendase është në tkurrje, mungesa e politikave mbështetëse, si dhe mungesa e tregut bën që të rinjtë shqiptarë të mos e shohin bujqësinë si të ardhmen e tyre.

Nevruz Halili nga fshati Dragot i Belshit thotë se tre fëmijët e tij e kanë lënë Shqipërinë 15 vite më parë. Deri në momentin që kishte fuqi, Nevruzi së bashku  me bashkëshorten e tij Burbuqen të gjitha shërbimet e tokës ia bënin vetë, ndërsa sot janë në kërkim të punëtoreve, të cilëve iu jep2 mijë lekë të reja në ditë.

Unë jam 80 vjeç dhe sot po vjel rrushin. Kisha më shumë se një javë që kërkoja punëtorë, por askush nuk më vinte. U jam lutur punëtorëve për të ardhur sot këtu. Nëse nuk do t’i gjeja, rrushi rrezikohej të kalbej në pemë. Në fshat të gjithë janë si unë, të moshuar. Ne nuk kemi fuqi të punojmë”, tha fermeri.

Nevruzi, të gjithë jetën e tij ia ka përkushtuar tokës, dikur ka qenë një fermer i madh që kultivonte rrush, ullinj, misër, grurë si dhe mbante 100 kokë dhi. Ndërsa sot, çifti i të moshuarve punon vetëm tokën që ka pranë shtëpisë, pjesa tjetër është e lënë djerrë.

Ka ikur rinia. Unë kurrë nuk kam përfituar nga shteti diçka si fermer. Çfarë kam marrë, e kam nga krahët e mi. Shpenzimet i kam të mëdha, që nga ilaçet e deri tek plugimi dhe vjelja e prodhimit. Të gjithë merren me qytetin dhe rrugët, fshati nuk ka qenë kurrë në fokus. Për këtë arsye ikën dhe fëmijët e mi”,  shtoi Nevruzi.

Kalvari i mbledhjes së dokumenteve dhe burokracitë e pafundme

Fondi i miratuar për programin IPARD II kap vlerën 94 milion euro. Nga viti 2018 e deri në vitin 2020 janë disbursuar si dhe janë në proces disbursimi e gjithë sasia e fondeve të programuara. Por, sipas Ekspertit të Bujqësisë, Ndoc Fasllia, IPARD nuk mund të sjellë zhvillim të bujqësisë. “Braktisja e tokës tregon që kjo skemë nuk po e tërheq fermerin vendas. Nëse do t’i referohemi të dhënave të INSTAT rezulton se, humbjen më të madhe të fuqisë punëtore e ka pikërisht bujqësia”, tha Fasllia.

Bujqësia, ndonëse ishte sektori me ecurinë më të mirë gjatë pandemisë, me një rritje minimale pozitive, (në raport me rënien -3.3% të gjithë ekonomisë) ka shënuan rritjen më të lartë të papunësisë. Vetëm në tremujorin e parë të këtij viti, në bujqësi humbën 35 mijë vende pune, në krahasim me fundin e 2020-s, duke dhënë ndikimin kryesor në përkeqësimin e treguesit të papunësisë.

INSTAT e mat punësimin në bujqësi përmes anketës së Forcës së Punës, ndryshe nga të dhënat e mësipërme që maten si mesatare tremujore e llogaritur me të dhënat e listë-pagesave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
Në total, bujqësia kishte 37.4% të totalit të vendeve të punës, sektori privat jo bujqësor 46% dhe ai shtetëror 16.6%.

Programi IPARD, është fond I financuar nga BE për të gjitha ato vende të cilat kanë statusin e vendit kandidat për BE, siç është  Shqipëria. Kështu BE jep para për të zhvilluar sektorin bujqëore. Duke filluar nga viti 2013 Shqipëria ka përfituar çdo vit 10-12 milion euro grante për zhvillimin bujqësore dhe rural. Shqipëria tani po përfiton fondet e Programit IPARD II që shkojnë mbi 14 milion Euro në vit. Fondet të cilat jepen në formë granti nga BE, janë pothuajse sa fondi që përafron buxheti I shtetit. Kush është problemi  me fondet e IPARDIT? Ato janë fonde që e ndihmojnë prodhimin bujqësore, por numri I përfituesve ka qenë tepër I vogël pasi kushtet janë të ekzagjeruar. Ndërkohë që Skema Kombëtare i jep mundësi të përfitoje çdo fermer. Duket se programi IPARD është bërë vetëm për grumbulluesit dhe përpunuesit“ , përfundon Ndoc Fasllia

Për të marrë pjesë në thirrjen e IPARD fermerit i duhet të dorëzojë një dosje që përmban 36 dokumente, ndërkohë që në Gjermani shteti ka besim tek fermeri dhe ia ka lehtësuar procedurat duke i kërkuar vetëm 4 dokumente. Subvencionet janë të pamjaftueshme për modernizmin e bujqësisë, nga ana tjetër edhe ata fermerë apo përpunues që kanë potencial ekonomik dhe vizion bujqësore në shumë raste tërhiqen pasi parcelizimi i tokës bujqësore dhe mungesa e aktit të pronësisë e mban atë larg skemave që financojnë shumë të mëdha parash.

Konsulenti bujqësor Ilir Pilku tha se, të rritet prodhimi vendas duhet të zhbëhen ligje e parlamentit shqiptar. Kjo reformë sipas tij do të ndikojë pozitivisht në zhvillimin bujqësor.

Të jesh konsulent bujqësor dhe të përgatisësh një dosje për të marrë pjesë në programin IPARD kërkon durimin e fermerit. Dokumentet janë të shumta dhe të tepërta. Shteti shqiptar duhet të ndryshojë ligjet. Për të verifikuar një person fizik që kërkon të investojë në bujqësi është e lehtësisht e verifikueshme. Nga ana tjetër koeficienti i shfrytëzimit të tokës është vetëm 20%, që do të thotë nëse fermeri ka një parcelë toke 1000 metra katrorë, ai sipas rregullave të IPARD ka të drejtë të përdorë vetëm 200 metra katrorë. Nga ana tjetër fermeri dhe ndërtuesi taksën e ndërtimit e kanë të njëjtë. Pasi për të marrë lejen e ndërtimit fermeri në bashki do të paguaj 6% të investimit si taksë infrastrukturë. Që të rritet prodhimi vendas duhet të zhbëhen ligje e parlamentit shqiptar”, tha konsulenti bujqësor, Ilir Pilku.

Dritëhijet e dyshimit për skemat e IPARD-it

Skema IPARD II është në shqyrtim të dosjeve që janë bërë në thirrjen e tretë. Sipas ekspertit të bujqësisë Ervin Resuli, Agjencia e Zhvillimit Rural dhe Bujqësor është institucioni përgjegjës që merret me shpërndarjen e fondeve të BE. Sipas tij, fermerët i qëndrojnë larg parave të Bashkimit Evropian, pasi ata dyshojnë në transparencën e shpërndarjes së fondeve.

Ervin Resuli

“ Nuk ka meritokraci. IPARDI nuk është për fermerin që e do tokën, por për ‘luanët’ e bujqësisë që kërkojnë të ushqehen me copa të mëdha. Fermerët i qëndrojnë larg IPARD-it pasi ndjehen të pafuqishëm përballë kërkesave që ka dosja për t’u përgatitur. Kam rastin e një fermeri, i cili i është përgjigjur thirrjeve nga  IPARD II. Përgjigja që ka marrë nga AZHBR ka lënë hapësirë për hije dyshimi. Në të citohet se: ‘Dosja juaj është vlerësuar me 15 pikë nga 100 të mundshme. AZHBR në përputhje me procedurat e saj dhe me Udhëzuesin për aplikantët, është në proces shqyrtimi për aplikimet që janë brenda kufirit maksimal të buxhetit të thirrjes. Dosja juaj e aplikimit për momentin është jashtë kufirit maksimal të buxhetit të thirrjes, por mund të ndryshojë nga rezultatet e shqyrtimit të aplikimeve që aktualisht përfshihen brenda këtij buxheti’. Në këtë shkresë nuk kuptohet, nëse fermeri i ka plotësuar apo jo kriteret për ta përfituar grantin, por ka mungesë fondi”, përfundoi Resuli.

Programi IPARD është mbështetje financiare për bujqësinë dhe zhvillimin rural nga fondet e BE-së (75%) dhe qeverisë shqiptare (25%). Qëllimi i IPARD është të  rritet siguria ushqimore dhe aftësia e sektorit agro-ushqimor për të përballuar presionin e konkurrencës, si dhe për të përafruar progresivisht sektorin me standardet e BE, veçanërisht ato që lidhen me higjienën dhe mjedisin;

– Të sigurojë mbështetje për investime përmes sistemeve të menaxhimit dhe kontrollit që janë në përputhje me standardet e mirëqeverisjes të një administrate publike moderne ekuivalente me ato në organizata të ngjashme në Shtetet Anëtare të Bashkimit Evropian;

– Nxitja e punësimit përmes krijimit të vendeve të reja të punës dhe mbajtja e vendeve ekzistuese , përmes zhvillimit të aktiviteteve shtesë të biznesit, duke rritur kështu nivelin e aktivitetit ekonomik të zonave rurale dhe duke përmbysur shpopullimin rural.

– Të rritet efikasiteti, konkurrenca dhe prodhimi i qëndrueshëm bujqësor në sektorin agro-ushqimor, duke arritur në mënyrë progresive standardet e Bashkimit Evropian, rritur pozicionin e fermerëve në zinxhirin ushqimor dhe duke mbështetur fermerët e rinj.

– Për të përmirësuar përgjigjen e sektorit agro-ushqimor ndaj kërkesës së publikut për ushqim me cilësi të lartë, të sigurt, ushqyese dhe të qëndrueshme, si dhe mirëqenien e kafshëve.

– Të kontribuojë në zbutjen e ndryshimeve klimatike, si dhe energjinë e qëndrueshme dhe të nxisë menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore, të tilla si uji, toka dhe ajri.

– Objektivi i përgjithshëm është të mbështesë zhvillimin ekonomik, social dhe territorial, duke çuar në një rritje të, qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse përmes zhvillimit të infrastrukturës fizike.

Por sa janë arritur ato?

“Të investosh në bujqësi nuk do të thotë të krijosh godina të mëdha që shërbejnë si magazina të prodhimit bujqësor. Të investosh në linjat e përpunimit do të thotë që po rrit prodhimin vendas. Shembulli konkret janë linjat e përpunimit të qumështit. Ndërkohë mungesa e prodhimit vendas bën që në fabrikat e qumështit përpunimi të bëhet me qumësht pluhur ose me qumësht që si orgjinë ka Serbinë. Ne nuk provojmë pasi nuk mbështesim fermerin e vogël”, tha Ilir Pilku.

Të përgatisësh një dosje voluminoze me plan biznesi për të aplikuar tek skema IPARD, në zyrat e konsulencës kushton 3000-5000 euro dhe në rastin kur aplikuesi shpallet fitues, pagesa e zyrës së konsulencës përfshihet në grant. Por, nëse aplikuesi nuk është pjesë e listës fituese,  atëherë fermeri sapo mori një goditje që i kushtoi jo pak.

Eksperti i bujqësisë dhe Kryetar i Këshillit të Agronizbesit, Agim Rrapaj thotë se, masat që paraqiten në skemën IPARD duhet të jenë më qarta dhe asnjë sektor  nuk duhet lënë jashtë vëmendjes.

 Problemet kryesore janë:

“ Në Programin IPARD duhen bërë disa korrigjime me qëllim që shërbimi i marrë nga fermeri të jetë sa më cilësor.

1- Vonesa e tej zgjatur e procesit për periudhën e kualifikimit, si dhe për periudhën nga momenti përgjigjes që je shpallur fitues deri në momentin që fondet kalojnë në llogari.

  1. Probleme kemi me prioritetet e kufizuara te financimit dhe numrin e kufizuar të përfituesve.
  2. Nuk ka një program të qartë dhe konkret financimi, ku të koordinohet e përcaktohet mënyra e financimit, për të gjitha hallkat te zinxhirit, që përbëjnë atë që ne e quajmë “Ekonominë e Ushqimit”
  3. Asistenca ndaj përpiluesve të dosjeve për aplikim në programin IPARD dhe ndihma për kualifikimin e tyre ka qenë e pa mjaftueshme. Këto katër çështje mendoj se duhet të rishihen nga politik bërësit. Kjo ju vjen në ndihmë produkteve MADE IN ALBANIA të konkurrojnë në tregjet bujqësore të rajonit dhe ato evropiane, fokusi duhet të jetë tek fermeri që punon dhe kërkon të rritet. Makineria të garanton siguri ushqimore, por jo prodhim vendas”, tha eksperti Rrapaj.

*Autorja e shkrimit është gazetare me ekseriencë disavjeçare në media të shkruara dhe elektronike, si dhe ka qenë pjesë e emisioneve televizive investigative. Aktualisht, është pjesë e departamentit të informacionit në televizionin Top Channel.

 

Ky botim u prodhua me mbështetjen financiare të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe Partnereve. Permbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e autorit të shkrimit dhe e Qendrës Alert, si dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe Partnerëve.