Menu

Kryesore

VIDEO- Mbanin tabela të Policisë në makinë që të mos i ndalonin, e pësojnë nga aksioni i fundit

Kallëzohen penalisht disa drejtues mjetesh që mbanin tabela të Ministrisë së Brendshme pa autorizim nga policia ose simbole të Rrugoreve.

Kështu, Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë ka kontrolluar 45 automjete të ndryshme. Si rezultat janë konstatuar e proceduar administrativisht disa drejtues automjetesh, të cilët kishin vendosur sisteme pamore shtesë (shenja te Ministrisë së Brendshme).

Njoftimi i plotë i Policisë

Efektivët e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, në zbatim të detyrimeve të parashikuara në Kodin Rrugor shqiptar, në raport me mënyrën e sjelljes së drejtuesve të mjeteve të institucioneve të ndryshme të administratës shtetërore, por jo vetëm, kanë nisur kontrollin dhe verifikimin e të gjithë drejtuesve të mjeteve që përdorin simbole apo shenja dalluese të ndryshme të institucioneve shtetërore, për qëllime abuzive, si dhe sisteme pamore apo zanore në mjetet që nuk bëjnë pjesë në kategorinë e caktuar me ligj.

Në funksion të kontrolleve të dedikuara për këtë fenomen shqetësues, efektivët e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë kanë angazhuar shërbime mbi kohën normale të punës dhe kanë kontrolluar 45 automjete të ndryshme në pronësi ose jo të institucioneve të administratës shtetërore. Si rezultat janë konstatuar e proceduar administrativisht disa drejtues automjetesh, të cilët kishin vendosur sisteme pamore shtesë, në kundërshtim me dispozitat e parashikuara në nenin 175 të Kodit Rrugor “Qarkullimi i automjeteve dhe motorëve në shërbim të policisë, zjarrfikëseve dhe autoambulancave”. Drejtuesve të mjeteve që janë konstatuar në këtë shkelje, iu janë pezulluar lejet e drejtimit, sipas afateve të parashikuara në ligj.

Gjithashtu janë proceduar penalisht disa drejtues mjetesh dhe janë shoqëruar në Komisariatet përkatëse disa të tjerë, për veprime hetimore, për veprën penale “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”.

Ndërkohë, kontrollet do vijojnë edhe ditët në vazhdim, për evidentimin dhe ndëshkimin e çdo automjeti dhe drejtuesi që abuzon duke përdorur sisteme shtesë, simbole ose shenja dalluese që tregojnë cilësinë e një punonjësi që kryen një detyrë shtetërore apo një shërbim publik.

alert.al/

Ambasadorja Kim: Biden e zgjeroi urdhrin dhe për Shqipërinë, ka identifikuar sjellje të dënueshme

Ambasadorja e SHBA-ve, Yuri Kim ka dhënë mesazhe të forta pas urdhrit ekzekutiv të presidentit Joe Biden që përfshin Ballkanin Perëndimor, i cili parashikon bllokimin e pronave dhe ndalim të hyrjes në SHBA të personave që kontribuojnë në destabilizimin e Ballkanit Perëndimor.

E pranishme në konferencën ‘Forcimi i Drejtësisë Penale’, Yuri Kim tha se aksionet e ditëve të fundit të bëra nga SPAK por edhe gjatë këtij viti, janë rezultat i një pune të gjatë.

“Kënaqësi që jam këtu, duke ju përgëzuar juve dhe të gjithë prokurorëve që janë duke punuar për popullin shqiptar. Ky është moment i rëndësishëm dhe të gjithë i kanë parë lajmet. Ajo që jemi duke parë është rezultat i një pune të gjatë, të vështirë. Orë të tëra duke kaluar dhe duke parë faktet sipas rastit. Faleminderit që më keni ftuar për të parë përpjekjet tona të përbashkëta në luftën kundër krimit. Ju e dini më mirë se unë, unë jam e huaj. Të gjitha institucionet duhet të punojnë së bashku për të ndërtuar besimin e publikut në drejtësinë penale. Veprimet që kemi dëshmuar në javët e fundit, madje në vitin e fundit, që kur janë ngritur institucionet e reja, kanë ngritur besimin e qytetarëve. Ngritja e këtyre institucioneve, është me rëndësi. Ky është çast i rëndësishëm. Sistemi është funksional. Por nuk është ende në majë të performancës, për shkak të mungesës së personelit dhe të mungesës së besimit.

Muajin e kaluar, presidenti Biden e bëri të qartë se SHBA-të e konsiderojnë korrupsionin cënim të sigurisë kombëtare. Jo thjesht se kërcënon SHBA por sigurinë e miqve dhe aletëve tanë, përfshi Shqipërinë. Si pasqyrim i kësaj politike të re, presidenti Biden zgjeroi shtrirjen e urdhrit ekzekutiv për të sanksionuar personat e përfshirë në destabilizimin e Ballkanit, për të përfshirë edhe për Shqipërinë. Ai ka identifikuar sjellje të tjera të dënueshme dhe e ka bërë urdhrin ekzekutiv ndaj një game të madhe personash të përfshirë në aktivitete që çojnë në abuzime serioze, në Ballkanin perëndimor, ose që kanë të bëjnë me korrupsionin.

Ky urdhër duhet të nxisë zyrat të dyfishojnë përpjekjet në luftim kundër korrupsionit. Ju nxis të gjithëve që të punoni së bashku, për të gjetur mënyrat më të mira, SHBA do të vazhdojnë që t’iu mbështesin, për të ndërtuar një Shqipëri më të begatë, me institucione që shërbimin për publikun e bëjnë përparësinë e tyre.”, tha Kim.
alert.al/

(VIDEO) Skandal, pa filluar ora policore, shqyejnë derën e lokalit të mbyllur dhe vendosin gjobë sikur ishte i hapur

Policia shqyen derën e një lokali në Lushnjë dhe i vendos gjobë pranarit edhe pse ishte mbyllur. Qytetari nga Lushnja që denoncon rastin për alert.al, shpjegon se ai banon në godinën e lokalit sepse e ka edhe shtëpi. Megjithëse ua ka sqaruar patrullës së policisë, blutë nuk u tërhoqën nga vendimi i tyre për t’i vendosur gjobë.

Jo vetëm kaq! Por këta policë nuk e dikan se lokalet, sipas vendimit të Komitetit të Ekspertëve mbyllin muzikën në orën 22.00, por mund të jenë të hapura deri në orën 23.00.

“Unë kam një lokal në ndërtesën ku banoj me familjen time. Më datë 27 qershor 2021, ora 22 e 29 minuta, kur lokali ishte i mbyllur, na vjen Policia, shqyen portën dhe futen brenda. Unë isha me disa miqtë e mi, të cilët i kisha për darkë dhe po rrinim në lulishten e lokalit nga që ishte shumë vapë. Policët na bënë presion dhe na çuan në komisariat. Atje na gjobitën, djemtë me nga 10.000 lek te reja dhe mua 1.000.000 te reja”, tregon qyetari i cili tregon edhe fletëgjobat e vendosura nga Policia e Shtetit.

“Unë jam hallexhi, kam dy vajza në universitet dhe jam keq nga gjendja ekonomike. Mua ata më kanë sulmuar per çështje partiake, pasi jam simpatizant i opozitës”, pretendon qytetari.

“E ke vetë fajin se mban flamurin e PD-së”, tregon t’i kenë shpjeguar policët për gjobën.

Në krye të policëve ishte shefi i policisë, por me uniformë civile, siç duket edhe nga pamjet e kamerave.

Nga orari i shënuar në kamerat e sigurisë, duket qartë se policia ka vepruar në mënyrë arbitrare. Edhe sikur lokali të ishte i hapur, nuk po shkelte vendimin e qeverisë.

Sipas vendimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve për Covid-19, nga 1 Qershori:
• Hiqet detyrimi për mbajtjen e barrierës mbrojtëse në ambientet e jashtme. Do vijojë të mbetet detyrimi i mbajtjes së maskës në ambientet e mbyllura si dhe në mjetet e transportit publik. Rekomandohet mbajtja e maskës kudo ku nuk mund të ruhet distancimi social si edhe për ata që ende nuk kanë bërë dy dozat e vaksinës që konsiderohen persona në risk.
• Ora policore shtyhet në orën 23:00 – 06:00.
Klubet e natës, diskot, vijojnë të mbeten të mbyllura. Muzika do të lejohet deri në orën 22:00.
Nga 15 Qershori:
• Grumbullimet në ambientet e jashtme nga 10 persona bëhen 50 persona, duke respektuar rregullat e distancës sociale në zbatim të protokolleve të ISHP.
Nga 1 Korriku:
• Ora policore shtyhet në orën 24.00 – 06:00.
Orari për muzikën nuk ndryshon, pra do mbetet ora 22:00.
• Lejohen kampionatet sportive me prezence të tifozëve me kapacitete të reduktuara deri në 30% sipas protokollit të ISHP.

alert.al/

 

Sot seanca e fundit, Gramoz Rurçi mban fjalën e ikjes, pritet emërimi i kryetares së AMA-s

Sot është seanca e fundit e kësaj legjislature të Kuvendit. Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi pritet të mbajë fjalën e lamtumirës me deputetët, pas dorëheqjes nga të gjitha funksionet politike. Në rend dite është parashikuar raportimi i Avokatit të Popullit, Departamentit të Administratës dhe Institutit të Krimeve të Komunizmit për punën e tyre vjetore.

Nga ana tjetër, sot pritet edhe që të zgjidhjet kryetarja e re e AMA-s, ku në garë janë Alketa Dibra dhe Armela Krasniqi, mes akuzave të opozitës se qeveria Rama po favorizon kandidaturën e kësaj të fundit. alert.al/

Tërhiqet Kuvendi/ Rikthehen gazetarët dhe kamerat në komisione, vendimi i Ruçit

Kuvendi i Shqipërisë është tërhequr nga vendimi i marrë një muaj më parë për të mbyllur dyert e tij për gazetarët, vendim që solli dhe protestën e raportuesve të politikës.

Në një vendim të firmosur nga kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, theksohet ndër të tjera se lejohen gazetarët në komsione dhe përdorimi i celularëve nga ana e tyre.

“Lidhur me kërkesën për lejimin e prezencës fizike të gazetarëve në komisionet parlamentare si dhe lejimin e përdorimit të aparateve celularë në ambiententet e komisioneve nga ana e tyre, kjo kërkesë merret në konsideratë, duke u mundësuar atyre aksesin e plotë të çdo informacioni, përtej asaj që mundëson sistemi,”– shkruhet ndër të tjera në vendim.

Më 4 qershor, Kuvendi i Shqipërisë publikoi vendimin që përjashton gazetarët nga transmetimi i pavarur i punimeve të Kuvendit dhe Komisioneve Parlamentare. Ky vendim synonte që ti “akomodonte” gazetarët në një zyrë, ku do të ndjekin përmes ekraneve dixhitale punimet e Komisioneve. Vendimi bie ndesh me të drejtën e raportimit dhe transparencën që zyrtarët e lartë kanë për detyrim t’ju japin qytetarëve dhe për rrjedhojë gazetarët dolën në protestë.

alert.al/

“Shkrihet” Bashkia e Lushnjës, ja kush u arrestua bashkë me kryetarin Tushe. Në pranga dhe pronarë kompanish

SPAK ka marrë nën hetim 11 zyrtarë dhe pronarë kompanish të implikuar në korrupsion në tendera në bashkinë e Lushnjës.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar ka kryer hetime në kuadër të një kallëzimi të bërë nga Policia Gjyqësore për “korrupsion pasiv”, “shkelje të barazisë në tendera”, “falsifikim të dokumenteve” dhe “shpërdorim të detyrës”.

Në bazë të të dhënave është marrë masa e arrestit me burg nga gjykata e Posaçme për:

  • Fatos Tushe, kryetar i bashkisë
  • Flamur peqini, drejtor i Ndërmarrjes së Pasurisë Publike
  • Ibrahim Lami, administrator i kompanisë Loti Sh.p.k.
  • Bujar Murati, admnistrator i Euroalb shpk
  • Gazmend Çela, zyrtar i ndërmarrjes së pasurisë Publike
  • Bektash Nexha zyrtar i ndërmarrjes së pasurisë
  • Blerta Turku, zyrtare e ndërmarrjes së pasurisë Publike

Në arrest shtëpie janë zyrtarët e mëposhtëm:

  • Xhemal Hasko, zyrtar i Ndërmarrjes së Pasurisë Publike
  • Margarita Gjermëni, zyrtare e ndërmarrjes së pasurisë Publike
  • Andri Musho, zyrtar i Ndërmmarrjes së pasurisë Publike
  • Ani Simoni zyrtare e Ndërmarrjes së Pasurisë Publike.

alert.al

Ambasadorja Kim thirrje zyrtarëve të korruptuar: Koha të reflektoni, a ia vlen të shkosh në burg?

Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim ka reaguar pas arrestimit të kryetarit të Bashkisë Lushnjë, Fatos Tushe. Ajo i fton zyrtarët të reflektojnë dhe shqyrtojnë veprimet e tyre. Sipas saj, askush nuk është mbi ligjin.

“Nëse jeni të përfshirë në korrupsion, pa marrë parasysh sa të fuqishëm mendoni se jeni, tani është koha për të shqyrtuar ndikimin që veprimet tuaja do të kenë në familjen dhe vendin tuaj. Tani është koha për të shqyrtuar nëse ia vlen të shkosh në burg. Tani është koha për të ndaluar. Askush nuk është mbi ligjin”, shkruan Kim në një postim në Twitter

alert.al/

 

Arrestohet kryetari i Bashkisë Lushnje, Fatos Tushe, SPAK dhe RENEA vënë në pranga disa persona

Fatos Tushe, kryetari i Bashkisë Lushnje është ndaluar nga Policia. Mësohet se Tushe është ndaluar në kuadër të një operacioni të organizuar nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Operacioni anti-korrupsion ka nisur mëngjesin e sotëm. Operacioni është urdhëruar nga SPAK dhe është realizuar policia dhe FNSH, që kanë ‘zbarkuar’ në Ndërmarrjen e Pasurive Publike të këtij qyteti. Mësohet se Tushe akuzohet për veprën penale ‘korrupsion’.

Deri më tani mësohet se janë arrestuar disa persona, mes tyre edhe Tushe. Emrat e të arrestuarve të tjerë nuk dihen ende, por paraprakisht mësohet se bëhet fjalë për zyrtarë të lartë. NJoftohet se prokurorët  po verifikojnë dokumentet në zyrë e kryrbashkiakut, ndërkohë që Tushe po merret në pyetje në komisariat. Po ashtu bëhet e ditur se Tushe ka zhvilluar mëngjesin e sotëm një mbledhje me vartësit e tij dhe sapo ka përfunduar ky takim, policia i vuri prangat.

Kujtojmë se Fatos Tushe drejton këtë bashki prej 3 mandatesh, ndërsa përfaqëson Partinë Socialiste. Më herët ai bashkë me sekretaren e tij mbetën të plagosur më 31 dhjetor të 2020-ës, pasi në zyrë iu hodh lëndë plasëse.

alert.al/

Krimi në Bubq/ Burri dyshonte për tradhti, kishin tre muaj që ziheshin

Artan Ismalaja, 51-vjeçari që masakroi me thikë gruan e tij, zihej shumë shpesh me viktimën, Klarita, për arsye xhelozie. Mësohet se në tre muajt e fundit, çifti Ismalaja ziheshin pas Artani mendonte se gruaja e tij, 45-vjeçare e tradhëtonte.

Përveç tradhëtisë, dyshja debatonin dhe për blerjen e një shtëpie. Konkretisht mësohet se Klarita Ismalaja i kishte kërkuar para të shoqit për të blerë një shtëpi të re për prindërit e saj në Bubq, në mënyrë që t’i largonte nga periferia e Fushë Krujës, ku dhe jetonin për momentin.

Dhe pikërisht dje, ditën kur ndodhi krimi, dyshja ishin nisur për të parë një shtëpi për prindërit e 45-vjeçares. Rrugës ata kanë debatuar për dyshimet për tradhëti që kishte autori dhe çështja ka agravuar. Artan Ismalaja futi makinën në oborrin e një stalle lopësh dhe e masakroi të shoqen. Më pas ai tentoi të vriste dhe veten.

Ishte roja i stallës së lopës ai që lajmëroi policinë pas skenës që pa në makinë dhe 51-vjeçari u dërgua në spital, ku u vu sot në pranga. Klarita Ismalaja la pas dy fëmijë, të dy djem.

alert.al/

 

Merkel: Shpejtësi e ngadalshme në Ballkanin Perëndimor, rezervat e BE-së për zgjerimin janë të drejta

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, mendon se Procesi i Berlinit solli një mundësi bashkëpunimi të nivelit të ri në rajon dhe shumë përparime praktike për qytetarët e Ballkanit Perëndimor.

Në një konferencë për mediat në përfundim të samitit të Ballkanit Perëndimor në Berlin, ajo vlerësoi disa përparime që janë bërë në dobi të njerëzve, si për shembull, heqjen e tarifave roaming prej datës 1 korrik, çka u mundëson njerëzve telefonimin pa pagesa shtesë nga vendet e tjera të rajonit, por edhe korridoret e gjelbra të transportit, shkëmbimin mes nxënësve në kuadër të Zyrës së Bashkëpunimit Rinor, por edhe përfshirjen më të fortë të shoqërisë civile që u arrit nëpërmjet Procesit të Berlinit.

Ajo megjithatë tha se shumë gjëra ende nuk janë arritur, duke veçuar sidomos “njohjen reciproke të diplomave dhe lëvizjen e lirë me karta identiteti në rajon”, dy nga pikat kryesore të Planveprimit për Krijimin e një Tregu të Përbashkët Rajonal të miratuar në nëntor të vitit të kaluar në Sofje.

Angela Merkel, e cila ishte mikpritësja e samitit të tetë të Procesit të Berlinit shprehu shpresën që këto përparime të arrihen së paku më 6 tetor të këtij viti, kur është caktuar të mbahet samiti i BE-së me liderët e Ballkanit Perëndimor në kuadër të Presidencës Sllovene.

Takimi i fundit i në kuadër të Procesit të Berlinit

Ky ishte takimi i fundit i kancelares gjermane me krerët e Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit. Ai u bë në formë virtuale për shkak të pandemisë.  Procesi i Berlinit ishte nismë e kancelares, e krijuar në vitin 2014, për të mbajtur Ballkanin Perëndimor afër BE-së, përsa kohë që BE-ja nuk ishte ende e gatshme për të pranuar vende të reja në gjirin e saj.

E pyetur për afrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në Merkel tha se ka pasur edhe dritë edhe hije:

“Ne kemi hapur një numër të madh kapitujsh, kemi rindërtuar procesin e zgjerimit. Për shumë vende të Ballkanit Perëndimor shpejtësia është shumë e ngadalshme, por edhe Bashkimi Evropian ka pasur shumë rezerva”, tha kancelarja gjermane.

“Këto rezerva kanë qenë të drejta, edhe pse nganjëherë palët e prekura nuk i kanë parë si të drejta,” shtoi ajo. “Është bërë shumë, por ka edhe shumë për t’u bërë në drejtim të korrupsionit”, shtoi ajo duke veçuar Merkel, Shqipërinë, si shembull pozitiv.

“Kur shoh se si po emërohen gjyqtarët e rinj, për shembull, me procesin e Vettingut në Shqipëri, atëherë shoh se po bëhen përparime pararendëse të qendruehme”,  tha Merkel.

“Procesi i Berlinit ishte i drejtë”

Merkel tha më tej se nisur nga fakti që shpejtësia e zgjerimit është më e ngadaltë se sa mund ta kishte shpresuar shumëkush, hapja e Procesit të Berlinit, në vitin 2014, ishte diçka e drejtë.

Por ajo vuri në dukje se vështirësitë e reja e të papritura, si për shembull bllokimi i Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut, pasi u zgjidh bllokada shumëvjeçare e Greqisë, tregojnë se BE-ja ka nevojë për një ndryshim.

Ajo tha se këtë e kishte biseduar edhe më parë me Presidentin Macron, në takimin e fundit të tyre në Berlin. “Ne duhet ta bëjmë Bashkimin Evropian të aftë për të pranuar anëtarë të rinj”, tha kancelarja gjermane.

“Pra, në tërësi ka pasur dritë dhe hije në vitet e fundit”, tha kancelarja. “Disa gjëra janë bërë, por ka edhe shumë për të bërë,” shtoi ajo.

Forumi i shoqërisë civile

Paralelisht me samitin e drejtuar nga kancelarja Merkel, u zhvillua edhe Forumi i Shoqërisë Civile, organizuar nga Insitituti Apsen dhe Shoqata e Evropës Juglindore. Forumi digjital u prezantoi përfaqësuesve të qeverive të vendeve pjesëmarrëse në Procesin e Berlinit një numër të madh propozimesh për përmirësmin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme.

Një nga kërkesat e shoqërisë civile është bashkëpjesëmarrja e saj në kontrollin e përdorimit të mjeteve financiare. Komisioni Evropian i ka ndarë Ballkanit Perëndimor vitin e kaluar deri në 9 miliardë euro dhurata dhe deri në 20 miliradë euro garanci për kredi, të cilat vendet e rajonit do t’i përdorin për zhvillimin e tyre ekonomik.

Sipas shoqërisë civile, mekanizmat e kontrollit të Bashkimit Evropian, nuk janë të mjaftueshme për të parandaluar keqpërdorimin e mjeteve. “Ato vihen në përdorim, pasi është bërë e keqja,” thotë Ardian Hackaj, nga Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillimin, me qendër në Tiranë, në një bisedë me DW.  Hackaj mendon se përfshirja e shoqërisë civile në të gjitha fazat e procesit të vendimmarrjes do të ishte një mundësi e mirë për të kontrolluar dhe parandaluar  keqpërdorimin e mjeteve për qëllime korruptive./DW