Menu

Kryesore

Parashikimi i motit për ditën e mërkurë, 2 qershor 2021

Ditën e mërkurë në vend do të hyjnë në qarkullim masat ajrore të qendrueshme. Orët më diell do të mbizotërojnë në pjesën më të madhe të vendit por nuk do të mungojnë vranësirat kalimtare në orët e mesditës.

Era do të fryjë me drejtim juglindje-veriperëndim e lehtë e mesatare përgjatë bregdetit. Valëzimi në dete i forcës 2 dhe 3 ballë.

Temperaturat parashikohen në:

zonat malore 6°C deri në 24°C

zonat e ulëta 10°C deri në 27°C

zonat bregdetare 13°C deri në 27°C

Ju urojmë një ditë të mbarë në vijim!

Horoskopi i të mërkurës/ Kujdes me shëndetin, shenjat që duhet të shmangin zënkat e panevojshme

Dashi

Të lindurit e kësaj shenje duhet t’i shtyjnë projektet e reja. Është e rëndësishme të fokusoheni në çështje më të rëndësishme, të cilat kërkojnë shumë punë. Rekomandohet të bëni udhëtime të shkurtra, ose të vizitoni vende në të cilat nuk keni qenë më parë.

Demi

Është e rëndësishme të keni parasysh këshillat e personave të afërt, në mënyrë që të shmangni zhbërjen e punës në cilën jeni përfshirë prej disa vitesh. Edhe pse këshillat e tyre mund të duken të vështira për t’u realizuar, ata thjesht po përpiqen t’ju ndihmojnë. Hartoni plane strategjike dhe më pas përpiquni t’i realizoni me përkushtim.

Binjakët

Të lindurit e kësaj shenje duhet të tregohen mjaft të kujdesshëm nesër, pasi rrezikojnë të përfshihen në një “humnerë” problemesh të të gjitha llojeve. Biznesi mund edhe do të presë. Është e rëndësishme t’i kushtoni kohë vetes dhe të bisedoni me persona që ju falin kënaqësi dhe ndajnë me ju eksperiencë nga jeta e tyre.

Gaforrja

Do të përjetoni situata të ndryshme gjatë kësaj dite. Shpërthimet e pasionit, momentet e xhelozisë ose konfliktet e pabaza janë të gjitha të mundshme. Është thelbësore që të mbani veten nën kontroll dhe të bëni kujdes me fjalët. Beqarët e kësaj shenje do të kenë fat këtë të martë dhe ka gjasa të gjejnë njeriun e zemrës.

Luani

Do të ishte mirë që nesër të gjeni kohë për t’u relaksuar. Nuk rekomandohet të udhëtoni, pasi do të ndiheni mjaft të lodhur. Megjithatë, të relaksohesh nuk do të thotë të qëndrosh në shtëpi. Mund të shëtisni ose të shkoni në piknik. Rekomandohet që të ndiqni intuitën për çështje të ndryshme.

Virgjëresha

Tregohuni mjaft të kujdesshëm ndaj shëndetit. Rekomandohet të merrni pjesë nëpër aktivitete të qeta. Kushtojini më shumë vëmendje familjarëve, që të shmangni zënkat e mundshme. Mos eksperimentoni me veshjen në mbrëmje. Ka gjasa që partneri/partnerja t’iu thotë diçka me shumë rëndësi për marrëdhënien tuaj.

Peshorja

Mos u shqetësoni nga fjalët e dikujt, për të cilin nuk keni konsideratën e duhur. Do të ishte më mirë t’i kaloni situata të tilla me buzëqeshje dhe të reagoni sikur nuk i keni marrë për bazë fjalët e tyre. Peshoret që janë në një lidhje do të kalojnë momente mjaft romantike, ndërsa për beqarët e kësaj shenje, fati do të jetë në anën e tyre.

Akrepi

Rrezikoni që të zbuloni rastësisht një informacion mjaft të rëndësishëm. Për ta parandaluar këtë, qetësohuni dhe shmangni thashethemet. Në mbrëmje mund t’ju telefonojë dikush me influencë, i cili mund t’ju japë lajme të mira.

Shigjetari

Mos u përfshini nesër në grupe të mëdha me njerëz. Ruani individualitetin dhe mendimin tuaj personal. Mos u frikësoni nga skandalet e vogla, pasi nuk do të ndikojnë aspak tek ju. Nëse dëshironi të qetësoheni, duhet të dilni jashtë qytetit.

Bricjapi

Nesër duhet të harroni biznesin në favor të mirëqenies emocionale dhe shpirtërore. Sigurohuni të jeni një shembull moral për fëmijët tuaj. Nëse jeni ende vetëm, mos hiqni dorë nga personi që dashuroni.

Ujori

Nesër nuk do të keni mundësi të mira në fushën profesionale. Tejkaloni frikën, ngurtësinë dhe konfuzionin për të pasur sukses në biznes. Në aspektin emocional do të jeni të ngarkuar. Përpiquni ta kuptoni veten dhe të bëni gjëra që ju sjellin gëzim. Ndoshta për këtë do t’ju nevojitet ndihmë nga njerëzit e dashur. Mos nguroni të kërkoni ndihmë.

Peshqit

Nesër mund të jetë e vështirë për ju që të përqendroheni në planifikimin financiar. Bëni mirë të kërkoni ndihmën e familjes tuaj. Gjysma e dytë e ditës do të jetë një kohë e mirë për të nisur zakone të reja dhe më të shëndetshme. Mbrëmja do të shpenzohej më bukur nën praninë e partnerit/partneres suaj.

 

Si e njoh unë prokurorin Anton Martini

Nga Elton QYNO

Prej më shumë se 1 viti e gjysëm, Anton Martini, prokurori energjik dhe i vendosur për të hetuar dhe çuar në burg anëtarët e bandave kriminale, i është nënshtruar shtrëngimit nga një “darë” e çuditshme që quhet “Vetting”. Them të çuditshme se në shumë raste vepron në mënyrë të çuditshme, ku shpesh herë kur nuk ka çfarë të kapë, fillon të bën hesapin e kafshatave dhe thërimeve të bukës që ka konsumuar familja. Lemeritëse kur e mendon, por tashmë kjo është fakt. Ashtu sikundër është fakt që procesi i vettingut në Shqipëri, drejtohet nga disa kunjuktura politike, interesa të huaja, të ndërthurura me oligarkë e krim të organizuar brenda. Pra është një lloj çorbe, që po hyre aty duhet ta japësh llogari tek disa njerës edhe për çmimin e çorapeve dhe brekëve që ke blerë. Në një kohë që paradoksi është se këta njerëz që qëndrojnë në atë podium gjykimi janë të krimbur në pasuri në Tiranë dhe bregdet. Ashtu sikundër lemeritëse është fakti që anëtarët e KPA dhe KPK-së, na marin mjaft para nga buxheti jonë, për mburojën që i krijon, Garda e Republikës, me masa ekstreme sigurie. Ndërsa, prokurorë e gjyqtarë nuk mbrohen nga aksush. Pyetja shtrohet se kush i kërcënon anëtarët e Vettingut, prokurorët e gjyqtarët që ata i quajnë subjekte të rivlerësimit apo krimi, mafia dhe organizatat terroriste që “Vettingasit” as nuk kanë shans ti hetojnë dhe dënojnë? Përkundër kësaj, sot në 1 qnershor ishte seanca e rradhës në Komisionin e Pavarur të Apelimit, për prokurorin Anton Martini. Një komisioner Publik, që nuk e di se sa po i shërben publikut apo ndonjë interesi okult tjetër, më ka habitur nga vendosmëria për të shkarkuar këtë prokuror. Vërtitej e vërtitej, dhe sërisht dilte në një pikë,tek shtëpia e prokurorit. Si gazetar që mbuloj prej vitesh sistemin e drejtësisë, dua ti bëj një pyetje komisionerit Publik. Pas dhënies së konkluzjoneve, ku kërkuat shkarkimin nga detyra të prokurorit Anton Martini, ju ku shkuat, në shtëpi apo poshtë urrës së Lanës? Nuk besoj se komisioneri që mbron interesin publik në procesin kundër Anton Martinit, te këtë shkuar dhe kaluar natën poshtë urrës së Lanës. Edhe ai e ka një shtëpi në Tiranë, madje mund të ketë dy dhe tre apo dhe ndonjë lokal, por nuk dua ti hyj kësaj pjese fare. Mua më shqetëson më shumë gjykimi i pisët dhe jo profesional që po bëhet me rastin e Anton Martinit. Ashtu sikundër ndodhi me prokurorin Bledar Maksuti që e shkarkuan për 1 shtëpi të trashëguar nga babai, ashtu sikundër ndodhi me prokurorin Adnand Kosova, ashtu sikundër ndodhi me prokurorin Arben Dollapi. Shpresoj që të mos ndodhë i njëjti skenar edhe me Anton Martinin, që prej 1 viti e gjysëm, i vërtiten ti gjenë cene në biografi, lidhje me bandat kriminale, të meta me hetimin e zagarit nga Zvicra dhe në fund kanë ngecur në një shtëpi. Si mundet të konceptohet që një prokuror karriere, që ka shërbyer për më shumë se 23 vite në sistemin e Drejtësisë, ku nga këto 17 vite puna janë, tek Prokuroria Kombëtare e Krimeve të Rënda, të mos ketë të drejtën të ketë një shtëpi. Një shtëpi, ku të fusë kokën dhe ku të strehojë familjen, për shkak të shantazheve dhe kërcënimeve që i vijnë nga të pandehur dhe familjarët e shokët e tyre të ndryshëm. A është e moralshme që një komision Vettingu apo një komisioner publik të gjykojë, për një shtëpi një prokuror karriere. Në bazë të ankimimit të Komisionerit Publik, Martini duhet të justifikojë para Kolegjit të Apelit , siç ka bërë në Komisonin e Vetingut, pagesën e apartmentit 97 metra katror që ka me të shoqen dhe dy fëmijët nga viti 2017. Në seancën dëgjimore kanë dalë informacione se Martini ishte martuar në shtëpi me qera dhe kishte lindur e rritur fëmijët po në shtëpi me qera. Madje edhe teksa qëndronte në shtëpinë me qëra afër komisariatit Nr.2 në Tiranë, ka mbajtur peshën dhe presionin e dosjeve më të bujshme të Krimeve të Rënda. Si Bandën e Durrësit, Bandën e Lushnjës, Bandën e Cërrikut së bashku me Adnand Xholin, Bandën e Niklës, grupin e heroinës të Endrit Dokles, grupin e Gëzim Çelës së Fushë-Kuqes, Grupin e kokainës së Sokol Krasniqit, atë dosjen e famshme me Nr.339, grupin e Lazaratit. Aq shumë ditë qëndroi në Lazarat dhe sa orë punoi për të mbështetur procedurialisht hetimet dhe vënë para drejtësisë Gatet me shokë, sa teksa po shkruaj këtë shkrim mu kujtua ish-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit,Artan Didi, që doli në media dhe tha “…ne këtu po luftojmë me një fshat të tërë me automatik dhe me letra. Por një prokuror i vetëm nuk ka çfarë të bëjë, nuk i përgjigjet dot shpejt dhe me dinamizëm, fluksit të punës tonë në terren…”. Ishte kjo deklaratë e Didit, që detyroi Prokurorin e Krimeve të Rënda të kohës, që të dërgonte një grup prej 5 prokurorësh në mënyrë që të përballonin fluksin e madh të veprimeve hetimore gjatë operacionit policor në fshatin Lazarat. Ndërsa ky prokuror i vetëm që përmendi Artan Didi,ishte Anton Martini, i cili para ngritjes së grupit të prokurorëve, qëndroi i vetëm skërkave, oborreve të shtëpive dhe përrenjëve të Lazaratit, për të bërë detyrën. Ashtu sikundër ka pasur presionin dhe kërcënimet në sallën e gjyqit me të pandehur Arben Frrokun. Kam qënë i pranishëm në sallën e gjyqit, kur një person i afërt i Arben Frrokut, pas leximit të pretencës së Martinit që kërkoi burgim të përjetshëm ndaj Frrokut, për vrasjen e Dritan Lamaj, u ngrit në këmbë dhe ju drejtua “…ke dy djem tek shtëpia, po futesh në gjak me ne…”. Po për çfarë interesi e bëri detyrën, Anton Martini, dhe për cilin interes e mori këtë kërcënim, për jetën në atë kohë? Kush e mbron më shumë interesin publik në këtë rast, Anton Martini, që kërkon dënim maksimal për një vrasës, apo Komisioneri Publik, që kërkon dënimin me “pushkatim” të Anton Martinin. Dhe më e çuditshmja është se dënimi me “pushkatim” kërkohet ndaj këtij prokurori, se ka një shtëpi 97 metra katror të përfituar nga dy kredi të ndryshme. Dhe kjo është lehtësisht e verifikueshme dhe është pranuar dhe nga anëtarët e kolegjit, që kanë në shqyrtim çështjen. Por sërisht e habitshme është fakti se Komisioneri Publik nuk pajtohet me këtë fakt. Ai këmbëngul që Anton Martini, nuk meriton të ketë asnjë shtëpi, se dhe atë që ka nuk e justifikon dot, ndaj duhet të shkarkohet. Nuk e di se kush po e shtyn këtë Komisioner dhe ky i fundit po e çon yzmetin e punës deri në fund. Dikush po kërkon me çdo kusht qimen në pjatën e gjellës, për një prej prokurorëve më korrektë e më të ndershëm të vendit, me rekorde të njohura në përballjen me bandat dhe krimin, me mbrojtje policore të vazhduar për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme, me zero konktakte me kriminelët, pa kontakte me asnjë krah të politikës. Si mund të ketë një Shqipëri dhe në çdo vend të botës, një prokuror me mbi 23 vite punë dhe me gruan mësuese, që s’ka të drejtën të ketë qoftë dhe një apartament 97 metra katror për vetë dhe familjen. Edhe këtë apartament ta ketë sigurua me 85 për qind të të ardhurave nga dy kredi bankare të ndryshme. Nëse kjo për shoqërinë dhe interesin publik është diçka e paligjshme dhe që ne si shoqëri duhet ta shohim prokurorin dhe gjyqtarin me pantallona doku apo teritali dhe me një banesë, tek kategoria e personave të pastrehë, atëherë turp për shtetin, turp për ekonominë, turp për demokracinë e Shqipërisë, turp për këdo që e heton dhe gjykon me psikologjinë e numërimit të thërimeve të bukës. A është në gjëndje ndonjë nga këta anëtarët e KPK apo KPA-së të përcaktojë nivelin e besimit të publikut për shërbimet që Martini, i ka bërë shtetit dhe publikut në tërësi? A kanë ata një ekspertizë, ku e bazojnë nivelin e cënimit të besimit nga prokurori Martini. Jam i sigurt se nësë do ishte gjallë i ndjeri Xhevat Hana, që gjithë jetën shërbeu me devotshmëri në prokurori dhe që në banesën e tij të fundit, shkoi me lekët e kontribuara nga shokët e tij prokurorë e gjyqtarë, ky vetting do e shkarkonte jo për pasuri e katandi Xhevatin e shkretë, por për “cënimin e besimit të publikut”.

Investigimi i BIRN: 218 reklama politike që sulmonin Bashën dhe opozitën para zgjedhjeve

Reklamat politike të paguara nga “para të errëta” anonime u panë më shumë se 50 milionë herë përpara zgjedhjeve parlamentare të 25 Prillit, sipas të dhënave të analizuara nga BIRN.

Tri javë përpara zgjedhjeve të kontestuara parlamentare të 25 prillit, një faqe në Facebook e titulluar ‘Untold Stories of Albania’, publikoi ekstraktin e një interviste televizive të liderit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ku gazetari thotë me humor se gjumi i Bashës ishte kthyer në një çështje elektorale.

“Është rutina ime e përditshme. Fle gjumë,” duket se përgjigjet Basha. “Qytetarët e kanë parë se si unë, edhe Partia Demokratike kemi qenë nga mëngjesi deri në darkë në gjumë”! Videoja, e cila përmban edhe pamjet e një burri që fle në një kolltuk lëkure, shfaqet e trukuar. Në thelb ishte e tillë, e megjithatë mori 203,844 shikime në Facebook –një rezultat mbresëlënës për pak më shumë se 300 USD të shpenzuara për promovimin në Facebook, përmes një llogarie me vetëm 1833 ndjekës.

Videoja është një shembulli i vrazhdë i “deep fake”-një video që portretizon dikë të thotë diçka, që në të vërtetë nuk e ka thënë. Ajo nuk ishte reklama e vetme politike e transmetuar në “Untold Stories of Albania” që sulmonte Bashën apo drejtues të tjerë të opozitës përpara zgjedhjeve të 25 prillit, të cilat u fituan nga Partia Socialiste në pushtet e kryeministrit Edi Rama.

Në fakt, kjo faqe publikoi 218 reklama politike nga dhjetori deri në prag të votimeve, duke regjistruar miliona shikime. Pas sigurimit të fitores nga socialistët, ajo ndaloi së postuari. Reklamat u publikuan me shënimin se u paguan nga “Untold Stories of Albania”, por një entitet i tillë nuk ekziston, ndërsa në librarinë e reklamave të publikuara nga Facebook nuk jepet asnjë e dhënë se kush e zotëron faqen apo kush e financon atë.

Duke përdorur të dhënat e mbledhura përmes Crowdtangle, një aplikacion në pronësinë e gjigandit të medias sociale, BIRN mundi të identifikonte pesë faqe të ngjashme në Facebook, të cilat regjistruan dhjetëra milionë shikime të videove përpara zgjedhjeve në Shqipëri, ndonëse ndajnë së bashku vetëm pak mijëra ndjekës.

Ndërsa burimi i financimit të këtyre reklamave është i panjohur, kjo formë e shpenzimeve politike referohet shpesh si “para e zezë”. Një anonimitet i tillë i inkurajon aktorët politikë që të shkelin kufijtë e normave demokratike –thotë Anthony Nadler, profesor i asociuar i Studimeve të Medias dhe Komunikimit në kolegjin Ursinus në Pensilvani.

“Kur burimi i financimit mbrapa një fushate reklamash nuk është i identifikuar, askush nuk frikësohet se mund të mbahet përgjegjës nëse reklamat janë manipulative, nxisin urrejtje apo shpërndajnë keqinformim,” tha Nadler.

“Për më tepër, paratë e errëta i lejojnë reklamuesit që përfshihen në përpjekjet për t’u shtirur si grupe të tjera interesi, ndoshta me qëllimin e nxitjes së ndasive ose keqdrejtimit të rivalëve të tyre,” shtoi ai.

BIRN u përpoq pa sukses që të kontaktonte me administratorët e “Untold Stories of Albania” përmes Facebook-ut dhe emailit. Edhe Facebook nuk iu përgjigj një kërkese për koment.

Problemi global i “parave të errëta”

Partia Socialiste e kryeministrit Edi Rama fitoi mandatin e tretë radhazi të paprecedentë në zgjedhjet e prillit, duke marrë 74 nga 140 deputetët e Kuvendit. Për shkak të masave kufizuese të COVID-19, shumica e fushatës elektorale u zhvillua në mediat sociale.

“Fushata elektorale u zhvillua në kushtet e kufizimeve të COVID-19, pjesa më e madhe e grupeve shoqërore ishin gjithashtu të kufizuar,” thotë Afrim Krasniqi, drejtori ekzekutiv i Institutit Shqiptar të Studimeve Politike.

“Për këtë arsye ishte e pritshme që lajmet online dhe reklamat online do të kishin audiencë shumë më të madhe sesa mjetet tradicionale të komunikimit direkt,” shtoi ai.

Në fillim të marsit, Facebook-u, rrjeti social më popullor në Shqipëri me rreth 1.6 milionë përdorues, i detyroi llogaritë që reklamonin çështje politike dhe sociale që të regjistroheshin në mjetin e vet të Transparencës së Reklamave.

Sipas të dhënave nga libraria e reklamave të Facebook, partitë politike dhe kandidatët për deputetë shpenzuan rreth 300 mijë USD në reklama politike nga 11 marsi deri në prag të ditës së zgjedhjeve.

Në këtë llogari përfshihen edhe shpenzimet nga faqe të ngjashme me “Untold Stories of Albania”, e cila shpenzoi 16,003 dollarë për reklama në Facebook dhe Instagram gjatë kësaj periudhe.

Por se kush apo çfarë i siguroi në të vërtetë këto para mbetet një mister.

Reklamat e financuara nga “paratë e errëta” nuk janë një problem që haset vetëm në zgjedhjet shqiptare. Sipas Nadler, financime të tilla vazhdojnë të mbeten problem edhe në Shtetet e Bashkuara, pavarësisht hapave të ndërmarrë nga kompanitë e mëdha të teknologjisë.

“Facebook dhe Google kanë ndërmarrë disa hapa për verifikimin e identitetit të entiteteve ligjore që sponsorizojnë reklama, në mënyrë që të godasin aktorët e huaj të financimit të reklamave politike,” tha Nadler.

“Por nuk ka pasur asnjë përpjekje në dijeninë time për të ndaluar reklamën e targetuar nga grupet e “parave të errëta”, të cilat janë entitete amerikane pa asnjë detyrim ligjor për të bërë transparencë mbi financuesit e tyre të mëdhenj,” shtoi ai.

Lidhja izraelite

“Untold Stories of Albania” filloi të rriste shikueshmërinë e videove të saj në dhjetor 2020.

Sipas të dhënave të siguruara përmes Crowdtangle, nga dhjetori 2020 deri në prill 2021, “Untold Stories of Albania” publikoi 44 video, të cilat u panë 3.75 milionë herë.

Duke përdorur Crowdtangle, BIRN arriti të identifikonte edhe pesë faqe të tjera Facebook-u që publikuan reklama politike dhe regjistruan një normë shikueshmërie jashtëzakonisht të lartë në periudhën parazgjedhore, pavarësisht se ato kanë së bashku vetëm disa mijëra ndjekës.

Këtu përfshihet “Çorapja”- një faqe e satirës politike, që ndonëse ka vetëm 6,839 ndjekës, ishte megjithatë e aftë që të siguronte 11.7 milionë shikime të videove të postuara prej saj nga shtatori 2020 deri në shkurt 2021.

Një tjetër faqe e quajtur ‘Pakez Drite’, e cila promovon projektet qeveritare të turizmit rural publikoi gjithashtu reklama negative kundër opozitës dhe regjistroi 18.25 milionë shikime, ndonëse ka vetëm 5,326 ndjekës.

Faqja ‘Pune Pune’ ka 1,364 ndjekës, por reklamat e saj politike u panë 7.9 milionë herë.

Të tre këto faqe u krijuan në të njëjtën ditë –më 3 shtator 2020.

Dy faqe të tjera, të cilat u krijuan më 11 dhe 13 nëntor 2020 – ‘Ligj dhe Rend’ dhe ‘Te Jesh Grua’ – patën sukses të ngjashëm.

“Ligj dhe Rend” regjistroi 3.39 milionë shikime me vetëm 896 ndjekës, ndërsa “Te jesh Grua” mori gati dyfishin e shikimeve, ndërsa ka të regjistruar vetëm 1,785 ndjekës.

Një analizë e fjalëve të përdorura në rreth 800 reklamat e publikuara në këto faqe tregon se ato përmbajnë shpesh mesazhe politike të përdorura në fushatë nga Partia Socialiste; përfshirë termat “mandati i tretë”, “punë jo gjumë”, “s’ka kohë për pushim”, “Voto PS” ose “Voto 12”.

Sipas të dhënave të Crowdtangle, gjashtë faqet e identifikuara të Facebook-ut për përdorimin e parave të errëta regjistruan në total 51.44 milionë shikime të videove nga shtatori 2020 deri në ditën e zgjedhjeve, një shifër kjo 18 herë më e lartë sesa popullsia prej 2.8 milionë e Shqipërisë.

Numrat e telefonit të listuara në këto faqe të Facebook-ut ishin jashtë shëbimit, ndërsa përpjekjet për t’i kontaktuar përmes mesenxherit dhe emailit mbetën pa përgjigje.

Sipas librarisë së reklamave të Facebook, këto gjashtë faqe shpenzuan në total 36,810 dollarë në reklama politike nga 11 marsi deri ditën e zgjedhjeve.

Numri jashtëzakonisht i lartë i shikueshmërisë së videove dhe mesazhi politik në favour të Partisë Socialiste nuk janë lidhja e vetme mes gjashtë faqeve.

Sipas raporteve të tyre të transparencës, secila prej këtyre faqeve e ka llogarinë e administratorit të listuar me adresë primare në Izrael. Sipas një shkrimi të publikuar më 7 maj në Times of Israel, të paktën tetë këshilltarë politikë nga Izraeli ishin përfshirë në fushatën elektorale të Shqipërisë, të punësuar si nga socialistët, ashtu edhe nga demokratët./BIRN

Agron Shehaj takohet me Yuri Kim: PD dhe SHBA do të forcojnë lidhjet në të ardhmen

Agron Shehaj thotë se sot paradite është ftuar për një bisedë nga ambasadorja amerikane Yuri Kim. Shehaj nënvizon se SHBA ka qenë në krah të PD-së që në ditët para të lindjes së saj dhe mbështetën fuqimisht ardhjen e saj në pushtet në 1992.

Që nga ajo kohë, shton Shehaj, në çdo arritje të PD-së në politikë dhe qeverisje, ka qenë edhe ndihma e SHBA-ve.

‘Sot paradite, me ftese te saj, bisedova me Ambasadoren Amerikane Yuri Kim. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë në krah të PD-së që në ditët e para të lindjes së saj dhe mbështetën fuqimisht ardhjen e saj në pushtet në vitin 1992. Që atëherë, në çdo arritje të PD-së në politikë dhe qeverisje, ka qenë edhe ndihma e SHBA-ve. Kjo lidhje, mbështetur në vlerat e lirisë dhe demokracisë, do të forcohet edhe më shumë në ta ardhmen.’- shkruan Shehaj.

Shqipëria e 20-ta në Evropë për ujërat e plazheve, ja cilat vende janë të ndotura

Shqipëria renditet e 20-ta ndër 30 shtete të monituruara nga BE për cilësinë e ujit të plazheve. Kryeson Qipro e ndjekur nga Austria, Greqia, Malta dhe Kroacia. Ujërat e plazheve klasifikohen cilësisht sipas dy parametrave mikrobiologjikë (Escherichia coli dhe enterokoket e zorrëve) të përcaktuara në Direktivën e Ujërave të Plazheve nga BE.

Duke marrë në konsideratë të gjithë ujërat e raportuara të plazheve (përfshirë ato që nuk mund të klasifikohen me cilësi), 95.8% e  e tyre janë në përputhje me standardet minimale të cilësisë të sipas Direktivës, të klasifikuara “mjaftueshëm”, “mirë” ose “shkëlqyeshëm”.

Ndërkohë 4.2% klasifikohen si zona të ndotura.

Raporti i Bashkimit Europian për cilësinë e ujërave përmbledh vijën bregdetare, por edhe liqenet.

Janë 119 plazhe dhe zona të tjera ujore që janë monitoruar në vendin tonë, prej të cilave janë marrë 1071 mostra që janë analizuar sipas dy parametrave mikrobiologjikë.

Zonat e ndotura janë 5, në liqenin e Pogradecit, në pjesën e qytetit, 1 liqen në zonën e Skraparit pranë fshatit Faqekuq, 2 zona në Durrës, në Plazh dhe në fund të shëtitores Vollga si dhe 1 zonë në plazhin e Vlorës në qytet.

alert.al

“The Washington Times”: Ish-lideri shqiptar zotohet të padisë Blinken, kërkon provat e korrupsionit

Ish-kryeministri shqiptar Sali Berisha këmbëngul se ka “zero prova” prapa akuzave për korrupsion që Sekretari i Shtetit Antony Blinken ngriti kundër tij kohët e fundit. Në një intervistë për gazetën  amerikane “Washington Times”, Berisha ka pohuar se vendimi për ta ndaluar hyrjen e tij në SHBA bazohej në “keqinformim” nga organziatat e financuara nga filantropi miliarder George Soros.

Ish-kreu i PD premtoi gjatë intervistës se do t’i luftonte akuzat e pabaza në rrugë ligjore. Ai tha se avokatët e tij po përgatisin një padi për fyerje dhe shpifje kundër zotit Blinken në një gjykatë evropiane.

Berisha ka sfiduar hapur administratën Biden të tregojë prova për pretendimet kundër tij dhe deklaroi se zyrtarët amerikanë do të bënin mirë të fokusoheshin në rivalët e tij politikë, përfshirë kryeministrin aktual Edi Rama, i cili është kryetar i Partisë Socialiste.

“Kam bindjen e thellë se kjo deklaratë kundër meje është bazuar tërësisht në informacion të gabuar që zoti Sekretar i Shtetit Antony Blinken ka marrë nga një proces lobimi i korruptuar që përfshin Edi Ramën dhe George Soros, të cilët janë miq të afërt”, tha Berisha. “Ata nuk kanë fakte. Asnjë fare. Sikur të bënin të ditur ndonjë, do t’u isha mirënjohës. Por ata nuk kanë prova konkrete të bazuara në fakte, jo në manipulime e shpifje”, shtoi ai.

Zoti Berisha, i cili deklaroi pafajësinë në një letër drejtuar zotit Blinken, foli me “The Washington Times” rreth një javë pasi Sekretari i Shtetit e deklaroi atë “persona non grata”.

Berisha pretendon se është viktimë e një fushate përbaltjeje të orkestruar nga një rrjet organizatash joqeveritare që operojnë në Shqipëri dhe vende të tjera ballkanike me mbështetjen e Fondacionit për Shoqëri të Hapur të Sorosit.

‘Unë kam qenë kritik i hapur i George Soros dhe mikut të tij të afërt Edi Rama, dhe për këtë shkak Departamenti i Shtetit ngriti akuzat kundër meje’, tha Berisha për The Times. ‘Nuk ka arsye tjetër. Nuk mund të ketë arsye tjetër’. Deklaratat e zotit Berisha kundër Sorosit janë edhe më komplekse, të lidhura me gjeopolitikën rajonale.

Ai tha në intervistën me The Times se Soros dhe OJQ-të e financuara prej tij në rajon e kanë luftuar që më 2017, kur ai denoncoi publikisht propozimet për ndryshim kufijsh midis Kosovës e Serbisë. Fondacioni për Shoqëri të Hapur nuk iu përgjigj kërkesës për koment, po ashtu as një zëdhënës i zotit Soros i listuar në sitin e organizatës në internet.

Siti thotë se Fondacioni ka punuar në Shqipëri që më 1992 me ‘mision të ngjashëm me fondacionet motra kudo në botën ish-komuniste, për t’i ndihmuar ato të bëhen shoqëri të hapura, demokratike’. Në letrën që zoti Berisha i shkroi zotit Blinken, një kopje të së cilës e ka The Times, ish kryeministri përmend historinë e denoncimeve publike të Sorosit, por nuk e akuzon Sekretarin e Shtetit se është bazuar në vendimin e tij mbi ndonjë gjë të lidhur me Sorosin apo me OJQ-të e financuara nga Soros.

Departamenti i Shtetit nuk ofroi detaje për të mbështetur akuzat për korrupsion kundër zotit Berisha. Ai refuzoi edhe të bënte komente për deklaratën e zotit Berisha se vendimi për ndalimin e tij të hynte në SHBA ishte bazuar mbi informacion të rremë të dalë nga organet e medias të financuara nga Soros.

Një zëdhënës i Departamentit që dëshiroi të mbetej anonim tha për The Times se ‘kur Sekretari i Shtetit siguron informacion të besueshëm se një zyrtar është përfshirë direkt ose indirekt në korrupsion sinjifikativ apo në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, atëherë Sekretari është i detyruar (nga ligjet e SHBA) ta përcaktojë apo identifikojë atë zyrtar dhe anëtarët e afërt të familjes’.

Zoti Berisha është zyrtari i katërt shqiptar që ndalohet të hyjë në SHBA për shkak të dyshimeve për korrupsion, raportoi Associated Press. Ai është dukshëm më i larti në rang.

Aktualisht anëtar i opozitës në parlamentin shqiptar, si përfaqësues i Partisë Demokratike, ish-kryeministri mbajti një konferencë shtypi më 20 maj për të hedhur poshtë aludimet. Edhe pasardhësi i tij në krye të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, bëri thirrje për prova dhe e përshkroi zotin Berisha si liderin shqiptar që ka dhënë ‘kontributin më të shquar për zhvillimin e vendit dhe fuqizimin e demokracisë’.

Berisha e pranoi gjatë intervistës me The Times se korrupsioni ekziston në Shqipëri, por deklaroi se e ka luftuar si Kryeministër. Ai hodhi poshtë me vendosmëri të ketë përfituar sadopak nga posti. Pas një karriere 30-vjeçare në nivelet e lartë të politikës, ai tha se bashkë me gruan jeton në një apartament modest në Tiranë me vetëm 100 mijë euro kursime pensioni.

‘Ne nuk kemi asgjë tjetër në botë. Kjo është e vërteta’, tha.

Ai deklaroi edhe se fëmijët e tij nuk kanë përfituar kurrë nga aktivitete korruptive. ‘Pavarësisht akuzave të rëndë, ata kurrë nuk kanë përfituar, ose nuk është provuar kurrë se ata kanë përfituar, qoftë edhe një qindarkë nga sektori publik dhe ata nuk kanë punuar kurrë me kompani private që punonin me sektorin publik’.

alert.al/

COVID19/ Asnjë humbje jete dhe 22 raste të reja në 24 orët e fundit

Ministria e Shëndetësisë ka publikuar raportin e 24-orëve të fundit sa i përket Covid-19. Sipas ministrisë nuk ka pasur asnjë humbje jete, teksa janë zbuluar 22 raste të reja.

Njoftimi i MSh:

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju bën apel qytetarëve të vijojnë të zbatojnë me përpikmëri rregullat për parandalimin e COVID19: Vendosni maskën mbrojtëse në çdo ambient të mbyllur dhe kudo ku nuk mund të ruhet distancimi fizik, kujdesuni për higjenën vetjake dhe vetëizolohuni kur dyshoni se jeni të prekur nga COVID19.

Situata e COVID19 në 24 orët e fundit është si vijon:

Janë kryer 3,661 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë 22 qytetarë. Rastet pozitive të konfirmuara janë identifikuar në këto bashki: 7 raste në Tiranë, 5 në Berat, 3 në Lezhë, 2 në Devoll, nga 1 rast në Shkodër, Durrës, Elbasan, Vlorë, Gjirokastër.

Aktualisht në spitalet COVID po trajtohen 37 pacientë, nga të cilët 7 pacientë janë në terapi intensive.

Në 24 orët e fundit nuk ka asnjë humbje jete me Sars-Cov2 pozitiv.

Në 24 orët e fundit janë shëruar 42 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 129,473 që nga fillimi i epidemisë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u drejtohet qytetarëve të mos neglizhojnë asnjë shenjë të sëmundjes dhe të kontaktojnë për çdo dyshim me mjekun e familjes, për të kryer testimin si dhe për ndjekjen dhe trajtimin ambulator në banesë. Telefononi në numri 127 të Urgjencës Kombëtare për çdo emergjencë apo referim në spital.

Statistika (1 Qershor 2021)

Raste të reja ditore        22

Të shëruar në 24 orë      42

Të shtruar në spitale      37

Humbje jete në 24 orë   0

Testime ditore                3,661

Testime totale             723,682

Raste pozitive             132,337

Raste të shëruara        129,473

Raste Aktive                  413

Humbje jete                  2,451

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:

Tiranë         143

Korçë            66

Shkodër       61

Berat             37

Lezhë           27

Elbasan        27

Vlorë             17

Gjirokastër   14

Durrës          7

Kukës           6

Fier                4

Dibër          4

Nisin arrestimet për aferën e inceneratorëve, SPAK bën gati urdhër arrestet e disa biznesmenëve

SPAK nis arrestimet për aferën e super folur të inceneratorëve, Zoom.al ka mësuar se në zyrën e prokurorëve të Prokurorisë së Posaccme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit janë firmosur urdhër arrestet për disa biznesmenë që dyshohet që janë përfshirë në këtë aferë për të cilën ka pasur akuza për korrupsion galopant.

Emrat e përfolur nga media dhe opozita kanë qenë Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, po ashtu eksponentë të opozitës dhe disa media kanë përfolur edhe emrin e Ben Blushit sit ë përfshirë në këtë aferë.

Nuk dihet se për kë janë firmosur urdhër arrestet, por pritet që shumë shpejt policia t’u vërë prangat dissave prej tyre./Zoom.al /

I rrëzon era nga çatia, plagosen dy punëtorët në Sarandë, njëri dërgohet me helikopter në Tiranë

Dy persona të cilët po punonin në një çati shtëpie në një fshat të Sarandës janë rrëzuar nga era e fortë. Ata kanë rënë në tokë, duke marrë dëmtime të rënda fizike.

Dy punëtorët Mehmet Metali, 35 vjeç dhe Sokol Cukari, 31 vjeç menjëherë u transportuan në urgjencën “Stefan Mekshi” në Sarandë.

Njeri prej tyre, Sokol Cukari i është nënshtruar operacionit në këmbë ndërkohë që 35-vjeçari Metali, për shkak të dëmtimeve në shtyllën kurrizore u transportua me helikopter drejt spitalit të Traumës në Tiranë.

Informacion paraprak

Në orën 14:30, në spitalin e Sarandës janë paraqitur për të marrë ndihmë mjekësore, jashtë rrezikut për jetën, shtetasit S. Ç., 31 vjeç dhe M. M., 35 vjeç, të cilët dyshohen se janë rrëzuar aksidentalisht nga një objekt ku po kryenin riparime në fshatin Shelegar, Sarandë.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

alert.al/