Menu

Kryesore

U arrestua nga operacioni "Shpirti", prokurori Maksim Sota sot në KLP, pritet pezullimi nga detyra

Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të vendosë sot për prokurorin e Vlorës, Maksim Sota, i cili ndodhet në masën “arrest shtëpie”, pas operacionit të koduar “Shpirti”. KLP është njohur me vendimin e Prokurorisë së Posaçme dhe sot pritet që të pezullojë Sotën, deri në përfundim të hetimeve, ashtu siç e parashikon ligji. Ka qenë vetë Sota, ai i cili ka paraqitur kërkesë në KLP për pezullimin e tij nga ushtrimi i detyrës, pasi konstatoi se është subjekt i një procedimi penal dhe këtë herë jo si prokuror, por si person nën hetim.

Dosja

Prokurori Maksim Sota u vu në pranga në kuadër të operacionit “Shpirti”. Ai akuzohet për shpërdorim detyre dhe sipas dosjes së prokurorisë, Sota kishte jetuar dhe në një shtëpi me një nga trafikantët e prangosur si dhe ka ndihmuar kreun e grupit, Ilirjan Ducellarin (Zaimi), që të eliminonte problemet me drejtësinë. Vetë prokurori ka ka mohuar përfshirjen e tij në grupin e strukturuar kriminal në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.

Sipas dosjes, roli i supozuar i prokurorit Maksim Sota rezulton nga deklarimet e bashkëpunëtorëve të drejtësisë Donial Droli dhe Maringlen Shusha, sipas të cilëve drejtuesi i grupit kriminal shqiptar Ilirjan Duçellari (Zaimi), arrestuar në Shqipëri në korrik 2020, kishte lidhje me prokurorin, madje i kishte siguruar një shtëpi me qira të cilën e paguante trafikanti, kur Maksim Sota jetonte bashkë me Maringlen Shushaj. Megjitjatë, ai i ka mohuar këto akuza duke thënë se ka jetuar te shtëpia e vëllait të tij në Vlorë. Mbi bazën e këtyre dëshmive, u krijua dyshimi për “infiltrimin e grupit kriminal në radhët e përfaqësuesve që ushtrojnë ndjekjen penale në emër të Shtetit me pasojë të drejtpërdrejtë vështirësi dhe pengesa shtesë në drejtim të parandalimit dhe luftimit të këtyre veprimtarive kriminale”. Gjykata mbi këto elemente ka bazuar akuzat ndaj prokurorit Maksim Sota për shpërdorim detyre.

I njëjti grup i ka paguar edhe shtëpinë ku ka qëndruar me familjen në Romë të Italisë ku kanë kuruar fëmijën e tyre të sëmurë. Sota ka qenë kandidat për t’u bërë pjesëtar i SPAK, por nuk arriti ta realizonte ëndrrën e tij, përkundrazi është prangosur nga ky institucion.

Ai vu në krye të të Prokurorisë së Vlorës në vitin 2010 dhe ka qëndruar aty deri në vitin 2019. Prokuroi Sota ende nuk e ka kaluar vettingun. Ai po hetohej prej viti, por ende nuk ka dalë në seancë dëgjimore, pasi në 2019 u shkëput me leje të KPK-së për t’u kthyer sërish në 2020-ën.

alert.al/

Të penduarit/ Kush janë dy skafistët Ferhat Ajdini dhe Fiqiret Seferi që fundosën nënkomisarin e Policisë

Në 21 dhjetor 2016, DIA në Bari në bashkëpunim me ushtarakët e Repartit Detar të Guardia di Finanza në Bari, sekuestronte 1.016,40 kg marijuana dhe arrestonte në flagrance, Ferhat Ajdini e Fiqiret Seferi të kapur në bordin e një mjeti lundrues që vinte nga Shqipëria.

Pikërisht këta dy persona më vonë do të ktheheshin në bashkëpunëtorët e drejtësisë, që momentalisht thuhet se janë 4 të tillë, por në fakt janë më shumë se kaq, pasi në listën e personave që kanë pranuar të tregojnë episodet e trafikimit të drogës, janë Aurel Lazaj, Mariglen Shusha, Elton Hamzai dhe Donial Drolli.

Bisedat e shumta të përgjuara, ndarja e roleve, figurat kryesore të individualizuara në personin e Mariglen Shusha e Fiqiret Seferi e Ferhat Ajdini, bëjnë të qartë ekzistencën e dy organizatave me lidhje të qëndrueshme në territorin shqiptar, vend i origjinës të shumë personave anëtarë të saj, ku krerët organizues shkojnë me rregullsi.

Nga bisedat telefonike të përgjuara nga DIA në Bari është e qartë që të hetuarit, edhe nga territori shqiptar, koordinojnë edhe japin urdhra operative anëtarëve të saj, të cilët shpesh kërkojnë edhe prezencën e tyre fizike për zgjidhjen e problemeve operative, zakonisht në lidhje me rikuperimin e shumave të lekëve me prejardhje dhënien e sasive të lëndës në detaj në zona të ndryshme të jugut të Italisë, ashtu si është treguar në çdo aktakuzë.

Vazhdimësia, për një gjatësi kohore të rëndësishme për gjithë vitin 2016, të kontakteve organizuese të qëndrueshme ndërmjet anëtarëve, sasitë shumë të mëdha të lëndës narkotike herë pas here të konfiskuar dy organizatave, kapaciteti për të ndikuar edhe në dhunë ndaj atyre që nuk plotësonin detyrimet personale ekonomike ndaj furnizuesve, bën këtë të thuhet që ekziston një prezencë kriminale tashmë e qëndrueshme në territorin italian, me baza logjistike në Bari e në provincë (Bari, Gravina e Rutigliano) të njohura dhe të besueshme për anëtarët e grupit të organizuar, ku perceptohet në mënyrë të qartë edhe ndërgjegjshmëria që veprohet brenda një grupi stabël dhe të organizuar, me subjekte që kanë role kryesore organizuese dhe subjekte të dedikuara magazinimit dhe transportimit të sasive që do të shpërndahen në gjithë jugun e Italisë.

Një nga bashkëpunëtorët e drejtësisë që ka treguar veprimet kriminale të një episodi të trafikut të drogës është, Aurel Lazaj.

Ai ka pohuar në gjykatë se për një sasi të madhe droge, por që në fakt, droga kishte kaluar me sukses nga porti i Durrësit, por u bllokua në Ancona nga Italianët.

Dëshmitari i mbrojtur ka dëshmuar në Tiranë, për trafikimin e 2.5 tonë hashash që u bllokua në Ancona fillim vitin e 2017-ës.

“…ngarkesën e fshehëm në kamionin e ngarkuar me peletë dhe e nisëm nga Porti i Durrësit. Unë nuk i njoh doganierët që bashkëpunuan, por di të them që drogën do ta priste në Gjermani Ermir Hoti”-ka treguar dëshmitari.

Ai shpjegoi se plani nuk shkoi si duhet dhe për pasojë lindën problem, për grupin.

“…kamioni u bllokua në Ankona. Nuk po arrinim ta zhbllokonim, për mungesë dokumentacioni.

Ndaj u vendos që të nisnim një kamion të dytë. Drejt Italisë u nis Demo Progonati. Me të mbërritur atje, Progonati i dorëzoi dokumentet Dhimo Korajt, i cili arriti të ndërronte targat e kamionëve për t’ju shmangur kontrollit dhe arriti ta merrte ngarkesën”-ka treguar dëshmitari.

Ai tha se pavarësisht përpjekjeve të tyre, policia italiane sërisht ka mundur ta bllokojë drogën.

“…Unë u ktheva në Shqipëri dhe anëtarët e grupit dyshuan, se i kisha tradhtuar. Më morën peng tri ditë. Më mbajtën të lidhur këmbë e duar në një fshat në Fushë Krujë…”-ka treguar Lazaj.

Pasi mundi të shpëtonte ai tentoi të zhdukej pa gjurmë, por telefonoi e tradhtoi dhe përfundoi në prangat e policisë.

Mes shumë dilemash, ai vendosi të bashkëpunonte me drejtësinë.

E për herë të parë në sallën e gjyqit, rrëfeu se që prej viti 2011, vepronte për llogari të ish oficerit të policisë Festim Lelaj, duke trafikuar drogë. “…për çdo ngarkesë që nisej nga Porti i Vlorës…, tregoi Lazaj “…paguhesha nga 400 apo 500 euro…”.

 

(VIDEO) Aksidenti në Lezhë, informacioni i policisë: Katër të plagosur, mes tyre një fëmijë

Detaje të reja për aksidentin në Lezhë. 4 makina janë përplasur me njëra-tjetrën, duke lënë 4 të plagosur, mes tyre edhe fëmijë. Kjo ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e kësaj të shtunë në autostradën Lezhë-Milot, pranë fshatit Mabë.

Këto janë pamje nga vendi i ngjarjes ku shihet që përplasja ka qenë shumë e fortë, por nuk dihen ende gjendja të plagosurve. Ato janë dërguar me urgjencë në spital. Nuk dihen shkaqet e këtij aksidenti, por kjo ngjarje ka shkaktuar trafik të rënduar në këtë aks.

Njoftimi paraprak i Policisë

“Rreth orës 17:25, në aksin rrugor Shkodër-Lezhë, në fshatin Mabë, ka ndodhur një përplasje automjetesh ,ku për pasojë kanë marrë dëmtime 4 shtetas, të cilët janë transportuar në spitalin Rajonal Shkodër dhe Lezhë. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të shkakut dhe rrethanave të ngjarjes”, njofton policia.

 

(VIDEO) "Piloti" me 161 km/orë në Fier-Vlorë, arrestohet shoferi me patentë angleze false

Vijon aksioni i policisë së Shtetit nëpër rrugët e vendit për të bërë të mundur parandalimin e aksidenteve të mundshme rrugore. Janë vendosur mijëra gjoba dhe janë hequr dhjetëra patenta. Të rinj që lëvizin me shpejtësi “skëterrë” dhe në efektin e alkoolit.

Njoftimi i policisë

STOP drejtimit të mjetit nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe shpejtësisë vrastare të jetës në rrugë, respektoni rregullat e qarkullimit, për të mbrojtur jetën tuaj dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës.

Policia Rrugore në të gjithë vendin, vijon kontrollet e pandërprera në të gjitha akset rrugore, nacionale dhe në qendrat urbane, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.

Si rezultat i rritjes së besimit të qytetarëve te Policia dhe falë reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Policisë Rrugore të Tiranës, u bë e mundur konstatimi dhe parandalimi i ndonje ngjarjeje të mundshme rrugore me pasoja për jetën, ku pas disa telefonatave të qyetarëve të ardhura në sallën operative të DVP Tiranë, se një mjet luksoz në rrugën interurbane Durrës-Tiranë, qarkullonte me shpejtësi të madhe dhe kryente manovra të rrezikshme në rrugë, shërbimet e Policisë Rrugore të Tiranës, kanë bërë të mundur bllokimin e automjetit dhe pas testimit të alkoolit rezultoi se drejtuesi i mjetit, shtetasi  J.V., 27 vjeç, drejtonte mjetin në gjëndje të dehur në masën 0.81/mg/l, i cili u arrestua në flagrancë dhe u ndëshkua edhe me masë administrative me 30.000 lekë te reja si dhe ju pezullua leja e drejtimit për një periudhë 20 mujore.

Ndërkohë në rrugën interurbane Tiranë -Elbasan, janë evidentuar nga radari  shpejtësi qe varionin nga 158 km/orë deri në 175 km/orë.

Ndërsa në rrugën intreurbane Fier – Vlorë, nga  njësia Operacionale e Policisë Rrugore është konstatuar një drejtues mjeti që drejtonte mjetin me shpejtësi 136 km/orë dhe drejtonte mjetin me patentë të pezulluar për pije alkoolike dhe përdorte një patentë angleze të falsifikuar. Drejtuesit të mjetit tip “Ford Focus”,  shtetasit K. S., 25 vjeç, banues në Tiranë, iu hoq patenta përfundimisht si dhe u procedua penalisht për falsifikim të dokumentave.

Gjithashtu, gjatë 24 orëve të fundit, janë arrestuar në flagrancë 14 drejtues mjetesh, nga të cilët 8 për drejtim mjeti në gjëndje të dehur dhe 6 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Janë pezulluar 66 leje drejtimi, nga të cilat 48 për drejtim mjeti me shpejtësi tej normave të lejuara dhe 18 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjëndje të dehur.

Gjithashtu, janë ndëshkuar me masë administrative 2356 drejtues mjetesh, për shkelje të Kodit Rrugor që përbëjnë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore, konkretisht për parakalime të gabuara, shpejtësi mbi normat e lejuara, përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, mosrespektim të semaforit, mospërdorim të kaskës mbrojtëse dhe mosvendosje të rripit të sigurimit, si dhe për mosrregullim shpejtësie dhe manovra të rrezikshme në rrugë.

Policia Rrugore, apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës në tërësi, veçanërisht drejtuesit e mjeteve, motomjeteve dhe çiklistët, që të tregojnë kujdes dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, si dhe fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin e emergjencave 112, çdo paligjshmëri.

Përgjimet e prokurorit Kariqi/ “Mos e rr** k*** tha, nesër shkojnë ato, ditën e mërkurë e ke bobin ke shpaja”

Hetimi ka nisur që në vitin 2019, më 21 nëntor kur policia e Kukësit çoi në pranga 5 persona, që u kapën me një sasi droge në makinë. Nëpërmjet hetimeve, përgjimeve u zbulua se prokurori Edmond Kariqi, drejtues i komanduar i Prokurorisë së Kukësit mori një sasi prej 2 mijë eurosh ryshfet për të pushuar çështjen për një prej të arrestuarve, duke e nxjerrë nga burgu.

shin përgjimet ndaj familjarëve të Ramadan Dedjas, i arrestuar për drogë që çuan në zbulimin e korrupsionit.

Në dosje jepen detaje nga hetimi dhe një pjesë të bisedave të përgjuara, ku flitet për ryshfetin.

Pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e organizuar, në datë 29.06.2021, ora 10:00 është paraqitur për gjykim kërkesa e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsioni dhe Krimit të Organizuar, me objekt caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në burg” për shtetasit nën hetim Edmond Kariqi, Isuf Gega, Emirjan Beu dhe Dritan Dedja, pasi i hetuari Edmond Kariqi dyshohet se ka kryer veprën penale “Korrupsion pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, ndërsa të hetuarit Isuf Gega, Emirjan Beu dhe Dritan Dedja, dyshohen se në bashkëpunim midis tyre kanë kryer veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, të kryer në bashkëpunim.

Nga hetimet e kryera lidhur me këtë procedim penal, kanë rezultuar rrethanat si më poshtë vijon:

Në datën 21.11.2019 në qytetin e Kukësit janë kapur dhe arrestuar në flagrancë shtetasit Ramadan Dedja, Eraldo Braka, Elidon Koka, Hergest Xherri dhe Leandro Pasha, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Kapja dhe arrestimi i shtetasve të mësipërm është kryer pasi nga kontrolli i ushtruar në automjetin e markës Land Rover, në përdorim të shtetasit Ramadan Dedja me të cilin kanë qenë duke udhëtuar shtetasit e mësipërm është gjetur një sasi lënde prej 4.05, e cila ka rezultuar lëndë narkotike cannabis sativa.

Në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës është regjistruar procedimi penal viti 2019, për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Në datën 22.11. 2019 është paraqitur kërkesë në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kukës me objekt vleftësimin e ligjshëm të arrestit në flagrancë dhe caktimi i masës së sigurimit “arrest në burg” për një afat 20 ditor për personat e mësipërm.

Me vendimin e datës 23.11.2019 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës është vendosur vleftësimi i ligjshëm i arrestit në flagrancë për personat e arrestuar si dhe caktimi ndaj tyre i masës së sigurimit “arrest në burg” për një afat 15 ditor.

Në funksion të këtij procedimi penal, prokurori ka autorizuar kryerjen e veprimeve të regjistrimit të fshehtë fotografik, filmik ose me video i personave në vende publike.

Është përdorur nga prokuroria dhe “përgjimi” si mjet i kërkimit të provës, duke u proceduar konform parashikimit ligjor, menjëherë sapo është regjistruar procedimi penal, të cilët janë vleftësuar nga Gjykata me vendimet përkatëse.

Në datën 23.11.2019, shtetasi Emirjan Beu, ka komunikuar me telefon me shtetasin Isuf Gega të cilin e pyet nëse ka njohje me prokurorin Edmond Kariqi, pasi në Kukës është arrestuar vëllai i shtetasit Dritan dedja. Shtetasi Isuf Gega i është përgjigjur se ka lidhje shoqërore me shtetasin e mësipërm dhe se është drejtues i prokurorisë, jo prokuror.

Disa minuta më pas Isuf Gega telefonon shtetasin Emirjan Beu dhe në bisedë shpjegon se ka folur me prokurorin, se personi i arrestuar quhet Ramadan Dedja dhe se është lënë me afat 15 ditë, në pritje të analizave të ekspertimit, si dhe i ka thënë që është vëllai i një shokut të tij të ngushtë, se për 3 orë ai vinte në Kavajë dhe mundet që të shkonin ta takonin së bashku.

Në datën 24.11.2019 Isuf Gega është takuar në Kavajë me Emirjan Beun dhe Dritan Dedjan.

Në datën 25.11.2019 Dritan Dedja, ka shkuar në Kukës dhe sipas bisedave telefonike, me ndërmjetësimin e Isuf Gegës, ka takuar prokurorin e çështjes në zyrën e tij dhe në këtë ditë i është kthyer automjeti i sekuestruar. Dritan Dedja ka komunikuar edhe vetë me shtetasin Isuf Gega të cilit i ka shpjeguar se ndodhej në Kukës dhe se e ka marrë automjetin dhe se do të nisej për në Tiranë.

Nga aktet e dosjes penale ndodhet urdhri i prokurori datë 25.11. 2019 për kthimin e automjetit të sekuestruar, shtetasit Dritan Dedja, i cili është ekzekutuar po në datën 25.11.2019, duke u mbajtur edhe proces verbali përkatës.

Në datën 26.11.2019, Dritan Dedja ka komunikuar me babain e tij, me emrin Rrahim Dedja, të cilit Dritani i shpjegon se kishte qenë në zyrën e prokurorit, se prokurori i kishte shpjeguar që nëse do i kishte thënë më përpara do e kishte vëllain jashtë, se i kishte thënë që do dilte i pafajshëm.

Në 27 nëntor 2019, Dritan Dedja, së bashku me Emirjan Beun kanë shkuar përsëri në Kavajë dhe janë takuar me Isuf Gegën. në të njëjtën ditë, Isuf Gega është takuar edhe me prokurorin e çështjes, Edmond Kariqi.

Po në datë 27 nëntor 2019, prokurori i çështjes ka komunikuar me oficerin e policisë gjyqësore që ka kryer veprimet hetimore, ku ky i fundit i shpjegon se është te mjekësia ligjore dhe se nuk i kanë përfunduar aktet e ekspertimit dhe se ka mundësi që të përfundonin ditën e hënë.

Nga ana e tij Edmond Kariqi i ka shpjeguar oficerit të policisë gjyqësore që t’iu thoshte se duhen urgjent të hënën, se të hënën duhet që të rrinte atje derisa t’i merrte aktet e ekspertimit.

Në datën 29.11.2019 Dritan Dedja bisedon në telefon me shtetasin Rrahim Dedja të cilit i thotë se “të hënën do ia çojmë, përderisa i ka kërkuar të hënën, të martën mund t’i qisi ata”…, “thashë të hënën, do i çojmë, me i çu lekët”… “t’i mbledhim ata të tjerët”.

Shtetasi Rrahim Dedja i komunikon se lekët janë gati dhe se lekët nuk janë duke i mbajtur. Sipas kalendarit, dita e hënë përkon me datën 02.12.2019.

Në datën 02.12.2019, Dritan Dedja ka shkuar në Kavajë dhe është takuar me Isuf Gegën.

Në kohën që ka qenë duke shkuar në Kavajë ka komunikuar me Emirjan Beun, duke i thënë se po shkon në Kavajë, të takojë Isufin. Në bisedën telefonike të zhvilluar, Dritan Dedja thotë se “jam tu shku ke Cufja jam këtu…t’i jap ato që më tha”.

Në datën 02.12.2019, rreth orës 11:00 pasi Dritan Dedja ka biseduar me Gani Brakën, i cili është babai i shtetasit Eraldo Braka, i arrestuar në Kukës, ka shkuar në pikën e këmbimit valutor të tij,

Nga këqyrja e pamjeve filmike ka rezultuar se në këtë pikë këmbimi valutor, në orën 10:55-10:57 shtetasi Dritan Dedja ka nxjerrë nga xhepi dhe ka numëruar 22 kartëmonedha të prerjes 100 USD si dhe tre kartëmonedha të prerjes 500 lekë, të cilat ia ka dhënë punonjëses së pikës dhe ka marrë nga punonjësja e pikës së këmbimit valutor shumën prej 2000 euro, kartëmonedha të prerjes 50 euro, të cilat i ka numëruar pranë sportelit para se të largohej.

Punonjësja i ka lëshuar shtetasit Dritan Dedja edhe faturën përkatëse. Janë administruar nga pika e këmbimit valutor të dhënat e faturave përkatëse dhe rezulton se në datën 02.12.2019, në orën 11:03, është regjistruar këmbimi i shumës.  prej 2200 USD.

Sipas aktit proces-verbal “Mbi veprimet e vëzhgimit të fshehtë të personave”, të Drejtorisë Hetimore Qendrore, Sektori i Forcës së Posaçme Operacionale, dokumentohet se në datën 02.12.2019, ora 11:50 Dritan Dedja është takuar në Kavajë dhe është ulur në të njëjtën tavolinë me Isuf Gegën. më pas Isuf Gega ka dalë nga lokali dhe ka shkuar në orën 12:10 në një tjetër lokal dhe është ulur në të njëjtën tavolinë me prokurorin Edmond Kariqi. Pas rreth 10 minutash në lokalin e mësipërm ka shkuar edhe vetë Dritan Dedja, i cili është ulur në të njëjtën tavolinë me Isuf Gegën dhe Edmond Kariqin, të cilët qëndrojnë së bashku rreth 20 minuta.

Nga përmbajtja e regjistrimeve të përgjimeve telefonike, të transkriptuara në procesverbalet përkatës, pjesë e fashikullit të gjykimit, Gjykata çmon me interes të pasqyrojë bisedën si vijon:

Pasi është kryer takimi i mësipërm Dritan Dedja ka telefonuar babain e tij Rrahim Dedja, ku midis tyre është kryer kjo bisedë:

D.Dedja: mos e rr…k… tha, nesër shkojnë ato, ditën e mërkurë e ke bobin e ke aty, ke shpaja.

Rr.Dedja: Sigurtë?

D.Dedja: Po, nesër e sigurtë mo, për çar i kërkun ato

Rr.Dedja: Hajt mirë, ia çove krejt ti?

D.Dedja: Krejt, krejt.

Rr. Dedja: Hajt bukur, çao.

D.Dedja: T’gjitha, hajt.

Në këtë ditë, shtetasi Dritan Dedja ka pasur edhe biseda të tjera të mëvonshme, me të cilin komunikon se ka mbaruar punë, se nesër shkojnë dhe ngelet për pasnesër, me vetë personin e arrestuar të cilit i komunikon se “pata ca punë takova ca njerëz…mirë mirë fare”. Po kështu, ka komunikuar me avokatin e personave të arrestuar të cilit i ka komunikuar që të mos bënte apel, se i kanë thënë që të durojë ca ditë dhe se do të rregullohen bashkë.

Më 3 dhjetor 2019, Isuf Gega ka komunikuar me Emirjan Beun, të cilin e ka vënë në dijeni për takimin e ditës së kaluar, se janë ulur së bashku me robin e huaj, duke nënkuptuar prokurorin e çështjes, i cili i ka thënë se ta mbaronte, por duhet që të vinte përgjigjja nga mjekësia ligjore për të pestë personat. Isuf Gega është shprehur se po bënte më të mirën, se po e ulte vetë, po e ulte prezent, duke nënkuptuar përsëri prokurorin e çështjes.

Më 5 dhjetor 2019, Dritan Dedja ka komunikuar me babain e tij të cilit i ka thënë se që të mos mërzitej se është ashtu është procedura, nga ana e tij shtetasi Rrahim Dedja është shprehur i shqetësuar duke i thënë Dritanit se kujt ia ka dhënë lekët dhe nëse ia ka dhënë vetë, se mos i ka marrë ndonjë bixhozxhi, ndërsa Dritani i ka shpjeguar që të rrinte pa merak.

Nga hetimet rezulton se më 6 dhjetor 2019, nga prokurori i çështjes është paraqitur në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kukës kërkesa për caktimin e masës së sigurimit “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për shtetasit Ramadan Dedja dhe për personat e tjerë që kanë qenë të arrestuar. Me vendim të datës 6 dhjetor 2019 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës është vendosur pranimi i kërkesës së prokurorisë, caktimi i masës së sigurimit “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, si dhe lirimi i menjëhershëm i personave nën hetim.

Ngaa verifikimi i akteve të dosjes rezulton se në Institutin e Mjekësisë Ligjore janë kryer aktet e ekspertimit toksikologjik ligjor për shtetasin Ramadan Dedja më 3 dhjetor 2019.

Rezulton se këto akte janë nisur me shkresën e IML, dt. 03.12.2019 dhe se janë administruar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës me nr. 1612 prot dt.10.12.2019. Në dosjen e seancës gjyqësore të zhvilluar në datën 06.12.2009 nuk janë përdorur aktet e ekspertimit që janë dërguar me shkresë përcjellëse nga IML, por kopje e këtyre akteve të njësuara me vulën e IML-së, që duken se janë marrë dorazi dhe nuk janë administruar në të njëjtën kohë me shkresën përcjellëse.

Me vendimin e datës 15.10.2020 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës është vendosur, pushimi i çështjes viti 2019 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, regjistruar për veprën penale në ngarkim të shtetasve Ramadan Dedja, Eraldo Braka, Elidon Koka, Hergest Xherri dhe Leandro Pasha.

Mbi këto rrethana, prokurori ka parashtruar në kërkesën objekt gjykimi se nisur nga rrethanat dhe provat deri në këtë fazë të hetimit, ekzistojnë dyshime të arsyeshme të bazuara në prova konkrete se shtetasi Dritan Dedja në bashkëpunim me shtetasit Emirjan Beu dhe Isuf Gega kanë kryer veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, të kryer në bashkëpunim, ndërsa shtetasi Edmond Kariqi dyshohet se ka kryer veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”. Në rastin konkret ekzistojnë kushtet dhe kriteret e përgjithshme dhe të posaçme për caktimin e një mase sigurimi personale.

Së pari, nga aktet shkresore krijohet dyshimi i arsyeshëm, i bazuar në prova të cilat duke u vlerësuar në tërësinë e tyre krijojnë bindjen se vepra penale ka ndodhur. Gjithashtu krijohet dyshimi i arsyeshëm dhe i bazuar në provat e sipërpërmendura, ekzistojnë elementët e mjaftueshme juridike dhe ato rrethana të faktit që krijojnë bindjen se personat nën hetim kanë kryer veprat penale të mësipërme dhe se në rastin konkret nuk rezulton se ka ndonjë shkak padënueshmërie.

Në fazën aktuale të procedimit penal ekzsiton një shkallë tepër e arsyeshme e mundësisë së fajësisë së kryerjes së veprës penale nga personat nën hetim.

Së dyti, në rastin konkret ekziston rreziku real që personat nën hetim të kryejnë përsëri të njëjtën vepër penale si ato që dyshohen apo një vepër penale edhe më të rëndë se ajo që dyshohen. Po kështu, ekziston rreziku që personat nën hetim të largohen duke iu shmangur drejtësisë.

Së treti, në kërkesën lidhur me llojin e masës së sigurimit që kërkohet të caktohet mbahet parasysh proporcionaliteti dhe përshtatshmëria specifike e nevojave të sigurimit në rastin konkret me llojin e masës së sigurimit. Duke vlerësuar rëndësinë e faktit, sanksioni që parashikon vepra penale, duke vlerësuar edhe shkallën e nevojave të sigurimit në rastin konkret, duke pasur parasysh rrezikshmërinë shoqërore të veprave penale, të cilat dënohen në maksimum deri në katër vjet dhe dhjetë vjet burgim, ndaj personit nën hetim Edmond Kariqi, Isuf Gega, Emirjan Beu dhe Dritan Dedja, duhet që të vendoset masa e sigurimit personal “arrest në burg”.

Të gjitha bisedat e realizuara nga këta persona me prokurorin janë transmetuar tek familjarët e personit të arrestuar, Ramadan Dedja i ati i tij, Rrahim Dedja duke i dhënë atij garancinë për kërkesën që do të bëhej nga prokurori për lirimin e tij.

Nga ana tjetër, shtetasi nën hetim Edmond Kariqi në cilësinë e prokurorit të çështjes ka vënë në dijeni paraprakisht shtetasit Isuf Gega dhe Dritan Dedja për ecurinë e veprimeve hetimore që para se këto të kryheshin, ku me interes është biseda me oficerin e policisë gjyqësore të datës 27 nëntor 2019, lidhur me aktet e ekspertimit, ku i pohon se aktet e ekspertimit do të merren të hënën (datë 02.12.2019), si dhe bisedën e datës 2 dhjetor 2019 pa minuta para se të takohej me shtetasin Dritan Dedja, ku i komunikon oficerit të policisë gjyqësore se duhet t’i merrte atë ditë aktet e ekspertimit.

Fakti se aktet të ekspertimit toksikologjik ligjor nuk janë përpiluar dhe nuk janë marrë në datën 02.12.2019, ditën e hënë, siç ishte planifikuar më parë, ka krijuar shqetësim te shtetasi Dritan Dedja dhe familjarët e tij, si dhe të shtetasit Isuf Gega dhe Emirjan Beu të cilët bisedojnë me njeri-tjetrin në mënyrë që Dritani të interesohet te mjekësia ligjore për përpilimin e akteve të ekspertimit.

Të dhënat e përgjimeve telefonike më sipër të shtetasve të mësipërm krijojnë dyshime se personi nën hetim Dritan Dedja me ndërmjetësimin e shtetasve Emirjan Beu dhe Isuf Gega, ka realizuar takime e biseda të drejtpërdrejta me të hetuarin Edmond Kariqi, me detyrë prokuror pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës dhe dyshohet se i ka dhënë atij, vlerën e ryshfetit prej 2000 euro me qëllim për të ndikuar në paraqitjen e kërkesës për caktimin e masës së sigurimit në Gjykatë ndaj personit të arrestuar Ramadan Dedja (vëllai të hetuarit Dritan Dedja), atë të ‘detyrimit për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.

Sipas SPAK, prokurori Edmond Kariqi në nivelin e provave të paraqitura, dyshohet se kërkoi dhe mori nga të afërmit e të hetuarit prej tij Ramadan Dedja, nëpërmjet shtetasve nën hetim Dritan Dedja, Isuf Gega dhe Emirjan Beu në bashkëpunim me njeri-tjetrin, përfitimin e padrejtë, shumën prej 2000 euro, duke premtuar dhe dhënë një masë sigurimi personal në favor të tij.

“Të hënën do t’i dërgojmë paratë”, Gjykata e la në burg, hetimet për prokurorin Kariqi prej 2019

Gjykata e Posaçme i ka komunikuar masën e sigurisë arrest me burg drejtuesit të prokurorisë së Kukësit Edmond Kariqi i cili dyshohet sipas SPAK për korrupsion. E njëjta masë sigurie iu komunikua dhe Isuf Gegës i cili dyshohet të ketë luajtur rolin e sekserit. Nga të dhënat e lexuara nga prokurori Altin Dumani rezulton se më datë 21 nëntor 2019, në Kukës janë arrestuar shtetasit Ramadan Dedja, Eraldo Braka, Elidon Koka, Erges Xherri dhe Leandro Pasha, të cilët dyshoheshin për akuzën e mbajtjes dhe të prodhimit të lëndëve narkotike.

Ndaj tyre gjykata e Kukësit ka caktuar aso kohe arrest me burg me afat 15-ditor në pritje të aktit të ekspertimit. Fillimisht kjo çështje është hetuar nga një prokuror tjetër, por më pas për shkak të lëvizjeve nga procesi i vettingut kjo dosje i ka kaluar prokurorit dhe njëherazi drejtuesit të komanduar të prokurorisë së Kukësit Edmond Kariqi. Sipas të dhënave të relatuara në seancë gjyqësore nga prokurori Dumani rezulton se shtetasit Emirjan Beu ka telefonuar Gegën dhe e ka pyetur nëse kishte njohje me prokurorin Edmond Kariqi. Gega ka pretenduar se ka njohje dhe ka udhëtuar me të nga Tirana në drejtim të Kukësit, ku sipas dyshimeve të prokurorisë ka zhvilluar në zyrën e prokurorit një takim. Më pas Dritan Dedja, vëllai i Ramazan Dedjas i cili ka komunikuar në mënyrë të vazhdueshme me Isuf Gegën duke tentuar dhe duke ndërhyrë për lirimin nga burgu të vëllait të tij Ramadan Dedja.

Sipas hetimeve të prokurorisë, rezulton që Dritan Dedja dëgjohet teksa telefonon një të afërm dhe i thotë se ‘të hënën do t’i dërgojmë paratë’. “Më pas thotë prokuroria Dritan Dedja dhe Emirjan Beu kanë shkuar në një pikë të këmbimit valutor në pronësi të babait të një tjetër të arrestuari nga ky grup dhe kanë këmbyer lekët nga dollarë në euro. Bëhet fjalë për 2 mijë euro të cilat dyshohet se i janë dhënë prokurorit Kariqi. Më pas sipas akuzës, është filmuar vetë prokurori, i ulur në të njëjtën tavolinë me Isuf Gegën dhe Dritan Dedjan.

Fillimisht është ulur drejtuesi i prokurorisë së Kukësit, bashkë me Gegën dhe pasi kanë biseduar për disa minuta, Gega është larguar për t’u kthyer më pas në një tjetër lokal bashkë me Dritan Dedjan. Në finale, pasi janë kryer të gjitha këto veprime dhe takime ndërmjetësuese mes palëve, Prokuroria e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar relatoi në seancë se është kryer një akt ekspertimi, i cili nuk është dorëzuar sipas ligjit, por është marrë dorazi dhe sipas këtij akti ekspertimi që kishte të bënte me lëndën narkotike, prokurori Kariqi ka vendosur dhe pushimin e çështjes për personat që ishin arrestuar në nëntor 2019. SPAK ka pritur deri sa prokurori të firmoste vendimin e pushimit të çështjes dhe më pas ka ndërhyrë duke bërë arrestimin e tij në shëtitoren kryesore në Kavajë bahskë me Isuf Gegën. Ndërkohë që dy personat e tjerë, Beu dhe Dedja nuk janë arrestuar ende.

Në seancën që u zhvillua me dyer të mbyllura, Ardjan Haxhi këmbënguli fortë sipas tij për një masë më të lehtë sigurie duke argumentuar dhe duke këmbëngulur se nuk ka asnjë fakt apo provë që kompromenton prokurorin apo e lidh atë me ndonjë veprimtari të mundshme kriminale. Megjithatë të gjitha argumentet u rrëzuan nga gjyqtarja e gatshme, njëherazi kryetarja e Gjykatës Irena Gjoka e cila vendosi ta lërë në fuqi të njëjtën masë që kishte marrë në mungesë për drejtuesin e prokurorisë së Kukësit Kariqi dhe Isuf Gegën.

alert.al/

Mbyllet konferenca 2-ditore në Ohër, çmim vlerësues ndaj filantropit Lazim Destani

Filantropi Lazim Destani mori pjesë në ditën e dytë të Konferencës Ndërkombëtare në kuadër të Forumit të Prespës për Dialog që u mbajt në Ohër të Maqedonisë së Veriut, organizuar nga qeveria vendase. Për Zotin Destani, kjo konferencë e mbajtur këto 2 ditë solli diskutime të frytshme dhe bashkëpunime që do të ndikojnë në rritjen e investimeve dhe zhvillimin ekonomik të trojeve shqiptare. Nga panelet e sotme, filantropi veçon atë të Kryetarëve të shteteve të rajonit, ku dominoi debati për rifillimin e sinergjisë midis ShBA-ve dhe BE-së mbi mbështetjen dhe përshpejtimin e procesit integrues të Ballkanit Perëndimor.

“Në këtë diskutim ishte shumë konstruktiv z. Borut Pahor, Kryetari i Sllovenisë, vendit që tashmë nga fillimi i korrikut e ka marrë kryesimin e Këshillit të Bashkimit Europian. Nga të gjithë folësit, porositë ishin shumë të fokusuara në adresë të Brukselit, të orientuara drejt tejkalimit të barierave dy-palëshe për sjelljen e vendimeve shumë-palëshe. Konferenca gjithashtu ofroi mundësi të mira edhe për takime personale me shumë figura publike të ketij rangu të lartë.

Seanca e dytë dhe e fundit e Forumit u zhvillua në panelin e Kryeministrave të Ballkanit Perëndimor ku takimet vëllazërore ishin edhe më të ngrohta, sidomos me Kryeministrin Kurti dhe Rama. Ishte kënaqësi dhe krenari ndjekja e këtij paneli ku shqiptarët, si kurrë më parë në rajon, paraqiten si faktor superior duke tërhequr vëmendjen e gjithë auditorit me diskutimet dhe idetë e tyre. Porositë për bashkim ekonomik rajonal, duke theksuar bashkimin ekonomik kombëtar, inkurajojnë rritjen e tregjeve dhe përçojnë arsyeshmëri më të madhe për investime, në të mirë të zhvillimit ekonomik, që si rrjedhojë sjell edhe rritjen e standardit jetësor të qytetarëve në trojet tona. Urojmë e shpresojmë të kemi bashkëpunime të frytshme në realizimin e projekteve tona ambicioze.”-nënvizon Lazim Destani.

 

Në fund të Konferencës, nuk mund të mungonte edhe një çmim vlerësues ndaj punës së palodhur dhe kontributit të filantropit Lazim Destani.

Qendra Alert/Alert.al

Shfuqizohet ligji special për Teatrin Kombëtar, Gjykata Kushtetuese pezullon punimet për godinën e re

Gjykata Kushtetuese ka marrë sot vendimin për Teatrin Kombëtar, duke shfuqizuar ligjin special për të, si dhe duke pezulluar ndërtimin e teatrit të ri. Gjithashtu, Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar vendimin e Këshillit të Ministrave për kalimin e Teatrit Kombëtar në pronësi të Bashkisë së Tiranës.

Njoftimi i plotë:

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë mori në shqyrtim në seancat plenare publike të datave 03.06.2021, 15.06.2021 dhe 16.06.2021 çështjen me kërkues Presidentin e Republikës së Shqipërisë, me objekt:
– Shfuqizimi i ligjit nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”” (ligji nr. 37/2018), si i papajtueshëm me Kushtetutën dhe me marrëveshjet ndërkombëtare.
– Shfuqizimi i vendimit nr. 377, datë 08.05.2020 të Këshillit të Ministrave “Për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të pasurisë nr.1/241, me emërtimin “Teatri Kombëtar”, në zonën kadastrale 8150, Tiranë”(VKM nr. 377/2020), si i papajtueshëm me Kushtetutën dhe me marrëveshjet ndërkombëtare.
– Shfuqizimi i vendimit nr. 50, datë 14.05.2020 të Këshillit Bashkiak Tiranë, Bashkia Tiranë, “Për miratimin e shembjes së godinës të “Teatrit Kombëtar”, në pronësi të Bashkisë Tiranë, bazuar në Akt – Ekspertizën e hartuar nga Instituti i Ndërtimit “Mbi vlerësimin e godinës së Teatrit Kombëtar” (VKB nr. 50/2020), si i papajtueshëm me Kushtetutën.
– Pezullimin e zbatimit të këtyre akteve deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.

Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se:
– Ligji nr. 37/2018 cenon:
Lirinë e veprimtarisë ekonomike të sanksionuar nga neni 11 i Kushtetutës në raport me nenin 17 të saj;

Parimin e shtetit të së drejtës të sanksionuar në nenin 4 të Kushtetutës në raport me nenin 3 të saj, në drejtim të procesit të vlerësimit të identitetit dhe të trashëgimisë kombëtare nga institucionet përkatëse;
Parimin e decentralizimit dhe të autonomisë vendore të sanksionuar në nenin 13 të Kushtetutës.
– VKM-ja nr. 377/2020 cenon:
Parimin e shtetit të së drejtës të sanksionuar në nenin 4 të Kushtetutës.
Ndërsa për sa i përket VKB-së nr. 50/2020 nuk u formua shumica prej 5 votash e parashikuar nga neni 73, pika 4, i ligjit nr. 8577/2000, në lidhje me juridiksionin e kësaj Gjykate për shqyrtimin e saj.

Për këto arsye Gjykata Kushtetuese,

VENDOSI:

1. Pranimin pjesërisht të kërkesës;
2. Shfuqizimin e ligjit nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar””, si i papajtueshëm me Kushtetutën.
3. Shfuqizimin e vendimit nr. 377, datë 08.05.2020 të Këshillit të Ministrave “Për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të pasurisë nr.1/241, me emërtimin “Teatri Kombëtar”, në zonën kadastrale 8150, Tiranë”, si i papajtueshëm me Kushtetutën.
4. Rrëzimin e kërkesës për shfuqizimin e vendimit nr. 50, datë 14.05.2020 të Këshillit Bashkiak Tiranë, Bashkia Tiranë, “Për miratimin e shembjes së godinës të “Teatrit Kombëtar”, në pronësi të Bashkisë Tiranë, bazuar në Akt – Ekspertizën e hartuar nga Instituti i Ndërtimit “Mbi vlerësimin e godinës së Teatrit Kombëtar”, si i papajtueshëm me Kushtetutën.
5. Pezullimin e zbatimit të ligjit nr. 37/2018 dhe VKM-së nr. 377/2020 deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.

alert.al/

(VIDEO) Pamjet e arrestimeve, disa me rroba gjumi, armët nën kolltuk, 200 policë me skafandra

Këto janë pamjet nga operacioni ndërkombëtar i koduar “SHPIRTI”, për goditjen e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, korrupsionit dhe pastrimit të parave.Disa nga të dyshuarit me rroba gjumi apo rroba shtëpie të befasuar ndërsa forca të shumta policie ia kanë mësyrë mëngjesin e sotëm në banesat e tyre, pas 28 urdhër-arresteve të lëshuara nga SPAK.

Për ekzekutimin e masave të sigurisë të dhëna nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në kuadër të operacionit “SHPIRTI”, janë angazhuar 200 forca policore nga reparti special Renea, FNSH Tiranë e Fier, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtoria Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale, si dhe Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë, Vlorë, Gjirokastër e Durrës. alert.al/

Ambasadorja Kim takon hetuesit: Këmbëngulni në punën tuaj, për luftën kundër korrupsionit dhe krimit

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim vizitoi ditën e djeshme SPAK-un, ku qeveria amerikane dhuroi mbi 100,000 dollarë në pajisje hetimore për BKH-në.

Pas takimit të diplomates, në faqen zyrtare të Ambasadës Amerikane thuhet se Kim përgëzoi grupin e hetuesve, aktualisht në trajnim, të cilët u përzgjodhën nga qindra aplikantë pasi përfunduan me sukses një proces shumë selektiv dhe rigoroz, që përfshinte testime me shkrim, verbale, dhe të aftësisë fizike; verifikime të pasurisë, si dhe kontrolle të së kaluarës dhe integritetit të tyre.

Diplomatja përsëriti mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe i nxiti ata të këmbëngulin në punën e tyre të vështirë, e cila është thelbësore për luftën e Shqipërisë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Postimi i plotë i Ambasades

Ambasadorja Yuri Kim vizitoi SPAK, ku qeveria amerikane dhuroi dje mbi 100,000 dollarë në pajisje hetimore për BKH-në. Ambasadorja përgëzoi grupin e hetuesve, aktualisht në trajnim, të cilët u përzgjodhën nga qindra aplikantë pasi përfunduan me sukses një proces shumë selektiv dhe rigoroz, që përfshinte testime me shkrim, verbale, dhe të aftësisë fizike; verifikime të pasurisë, si dhe kontrolle të së kaluarës dhe integritetit të tyre. Ajo përsëriti mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe i nxiti ata të këmbëngulin në punën e tyre të vështirë, e cila është thelbësore për luftën e Shqipërisë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

alert.al/