Menu

Kryesore

Eskpertët ngrenë alarmin për ushqimet e shpejta, shkaktojnë humbjen e fillit të të menduarit

Një studim i kohëve të fundit thotë se më shumë se 400-500 kalori në ditë të marra përmes ushqimeve fast food, si për shembull hamburger, një gjysmë pice të ngrirë, apo ushqimeve të konservuara si patatinat apo ëmbëlsirat e ndryshme, mjaftojnë për të shtuar rrezikun e dëmtimit të aftësive konjitive duke çuar në harresë, mungesë orientimi, paaftësi për të përfunduar fjalitë apo një mendim apo humbje të fillit logjik.

Studimi, në të cilin gjatë një periudhe 8-vjeçare u përfshinë 10.775 burra dhe gra në Brazil, arriti në përfundimin se njerëzit që konsumojnë më shumë ushqime të gatshme apo të ngrira, preken 28% më shumë nga humbja e aftësive konjitive, krahasuar me njerëzit që i konsumojnë shumë rrallë këto ushqime.

Studimi i publikuar në revistën shkencore “JAMA Neurology” evidentoi se dy vendet më të prekura janë Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe, ku njerëzit konsumojnë më shumë se 50% ushqime të përpunuara në ditë.

Gjithsesi ekspertët theksojnë se të dhënat nuk janë “të prera me thikë”. “Ky studim thjesht provon se ka një lidhje mes konsumit të ushqimeve fast food dhe humbjes së aftësive konjitive” – thotë Duane Mellor, dietolog në universitetin Aston në Mbretërinë e Bashkuar, i cili nuk ka marrë pjesë në këtë studim.

“Problemi është se janë të dhëna vëzhguese, pra nuk ka prova shkakësore”. Mellor thekson se studiuesit dinë mjaftueshëm për ndikimin negativ që kanë ushqimet fast food dhe ato të konservuara në shëndetin e njerëzve. Sidoqoftë, thotë ai, është e vështirë të thuhet nëse këto ushqime janë më të dëmshme se ato me shumë yndyrë, kripë dhe sheqer.

Ekspertët thonë se ky studim ka dështuar në gjetjen e faktorëve të tjerë që kontribuojnë në humbjen e aftësive konjitive. “Mund të jetë më e mundshme që këta njerëz që kanë ngrënë shumë ushqime të tilla, të kenë ngrënë më pak ushqime të shëndetshme si perime, fruta, arra, farëra dhe bishtaja” – tha Mellor.

Shëndeti konjitiv është çështje shumë e ndërlikuar dhe humbja e aftësive mund të shkaktohet si pasojë e shumë faktorëve të tjerë veç ushqimit, siç është mungesa e aktivitetit fizik, pirja e duhanit, alkooli, si dhe sëmundjet kardiovaskulare dhe metabolike. Ky studim nuk i përfshin këta faktorë në analizën e tij. “Kjo e bën të pamundur daljen në përfundime të tilla” – thotë Gunter Kuhnle, profesor për ushqimin dhe shkencat ushqimore në universitetin Reading në Mbretërinë e Bashkuar.

Probleme shëndetësore madhore në mbarë botën

Ushqimet e pashëndetshme po shkaktojnë probleme shëndetësore madhore në mbarë botën. Pavarësisht kundërshtive rreth studimit të fundit, ekspertët mjekësorë dhe nutricionistët si Mellor, dakordësohen se dieta dhe ushqyerja janë dy nga faktorët madhorë të rrezikut për shëndetin e njerëzve në mbarë botën. Faktet tregojnë se obeziteti është sot një problem më shqetësues se uria.

Restoranti më i mirë i perimeve në botë

Ushqimet me shumë yndyrë, sheqer dhe kripë, të përpunuara ose jo, janë shkaktare për obezitetin, sëmundjet kardiovaskulare, kancerin dhe rritjen e vdekshmërisë në shkallë botërore.

Një tjetër raport i kohëve të fundit nga “Global Panel on Agriculture and Food Systems Nutrition”, grup i pavarur ekspertësh shëndeti dhe nutricionistë, thotë se vendet në zhvillim, ku shitja e ushqimit të përpunuar po rritet me ritme të shpejta, janë veçanërisht të rrezikuar në vitet e ardhshme.

“Përpiquni të shijoni një dietë të thjeshtë dhe të larmishme, të bazuar tek perimet, arrat, bishtajoret, farërat dhe drithërat dhe hani në sasi të moderuara prodhime bulmeti dhe mishi të freskët” – thotë Mellor. (DW)

Qendra Alert/Alert.al

 

Nuk ka të ndalur emigrimi, shifra të larta shqiptarësh azilkërkues në Britani

Rritje të larta të shqifrave të shqiptarëve që aplikojnë si azilkërkues në Britaninë e Madhe. Sipas të dhënave zyrtare mbi emigracionin nga Qeveria Britanike, në periudhën janar-shtator 2022 kanë kërkuar azil në Britani 13,272 shtetas shqiptarë.

Në tremujorin e tretë të këtij viti, numri i azilkërkuesve nga Shqipëria pothuajse u dyfishua në raport me 6-mujorin e parë ku kishin kërkuar azil rreth 7 mijë shtetas shqiptarë.

Në të gjithë 9-mujorin e këtij viti, Britania e Madhe ka regjistruar 52,525 azilkërkues nga e gjithë bota, 25% e të cilëve ishin nga Shqipëria.

Disa zona të Veriut të Shqipërisë po boshatisen me shpejtësi kryesisht Qarku i Kukësit i cili ka lidhje të forta me emigracionin në Britani.

Më shumë se gjysma e azilkërkuesve nga Shqipëria hynë në territorin britanik me gomone nga Franca në udhëtime mbi 8 orë shpesh, duke rrezikuar jetën. Vala e emigrimit në këtë mënyrë u nxit nga çmimi më i lirë me gomone (3000 paund) në raport me mbi 20,000 mijë paund që arriti vlera e transportit me kamion.

Autoritet britanike konsiderojnë se kalimet me varka të vogla janë të rrezikshme dhe të panevojshme për shqiptarët. Shqipëria sipas tyre konsiderohet një vend i sigurt.

“Në përgjithësi në Shqipëri apo pjesë të tij nuk ka asnjë rrezik serioz persekutimi të personave që jetojnë atje”, cilëson informacioni i qeverisë Britanike që shoqëron statistikat e emigracionit.

Të dhënat tregojnë se numri i azilkërkueseve nga Shqipëria është rritur më shumë se katër herë në raport me vitin 2021 ku kërkuan azil vetëm 3,578 shqiptare.

Çdo kërkesë për azil shqyrtohet në bazë të rrethanave individuale të personave dhe mundësia për t’iu dhënë mbrojtje do të ndryshojë sipas nivelit të rrezikut.

Të dhënat britanike tregojnë se, shqiptarët në përgjithësi kishin më pak gjasa për të përfituar azil sesa kombësitë e tjera. Shqiptarët përfitojnë 53% të normës së grantit, krahasuar me 76% të kombësive të tjera.

Shumica e shqiptarëve që kalojnë kanalin me varka të vogla janë meshkuj. Nga viti 2018 deri në qershor 2022, 95% e shqiptarëve që arritën në Britani me gomone ishin meshkuj.

Në BE dhe Britani kanë kërkuar azil gjithsej 21.3 mijë persona për 9-mujorin

Nga ana tjetër të dhënat e Eurostat që i referohen 9-mujorit 2022 tregojnë se në vendet e BE -së janë regjistruar gjithsej 8,115 aplikime për azil në BE nga shtetasit shqiptarë, me një rritje prej 68% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Shtetet me aplikimet më të larta mbeten Franca, me 46% të aplikimeve totale për 8-mujorin dhe Gjermania, me 12%. Dëshira e shqiptarëve është më e larta në Europë edhe në krahasim me Ukrainën që është në luftë.

Vetëm nëpërmjet azilit kanë ikur nga vendi rreth 21.4 mijë vetë në 9-mujor, pa llogaritur personat që ikin me studime, me kontrata pune, me bashkim familjar etj.

Kjo shifër është gati sa aplikimet për azil në BE në 2019-n (ku përfshihej dhe raportimi i Britannisë), përpara se të fillonte pandemia. Vendi po zbrazet me shpejtësi sa çdo vit shuhet një qytet. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Filantropi Lazim Destani vlerësohet me titullin “Gjeneral i Paqes”

Filantropi dhe biznesmeni Lazim Destani është vlerësuar me titullin “Gjeneral i Paqes” nga Misioni Diplomatik për Paqe dhe Prosperitet.

Dhoma e Biznesit të Diasporës Shqiptare dhe Unioni i Sipërmarrësve të Rinj të Shqipërisë, në bashkëpunim me Fondacionin Konrad Adenauer Stiftung, Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme, partnerë të tjerë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, në kuadër të Ditës së Diasporës, zhvilluan në Tiranë një event gala, të titulluar “Bright Minds Albanian Worldwide Awards 2022”. Mbrëmja gala, nisi me himnin kombëtar, e më pas, fjalën e mori kryetari i Dhomës së Tregtare të Diasporës, Ardian Lekaj, i cili tregoi se sa e rëndësishme është kur bizneset shqiptare bëhen bashkë.

Ndërsa, nënkryetarja e Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, Elizabeta Katiaj, nënvizoi rëndësinë që kanë këto takime për të gjithë shqiptarët në të gjithë botën.

Guvernatori i Misionit Diplomatik Paqe dhe Prosperitet Dr. Shefki Hysa, foli mbi gjurmët që kanë lënë shqiptarët kudo në Botë, dhe ftoi kryegjyshin Botëror Baba Mondi, për t’i dhënë medaljen e artë “Gjeneral i Paqes” Lazim Destani, për gjithë kontributin e tij.

 

“Nën organizimin e Dhomës së Biznesit të Diasporës dhe Agjencisë Kombëtare të Diasporës në Tiranë, në një mënyrë tejet surprizë për mua, nga Misioni Diplomatik për Paqe dhe Prosperitet pranova vlerësimin Gjeneral i Paqes. Takime dhe aktivitete të tilla i shërbejnë afrimit dhe bashkimit të mëtejshëm të diasporës sonë me trojet tona. Në fjalën time me këtë rast theksova se e kam ditur kurdoherë, që t’i shërbesh atdheut dhe kombit është nder dhe lavdi. Të ndihmosh njerëzit, është mirësi. Por, t’i shërbesh paqes për vendin tënd, për kombin tënd dhe për mbarë njerëzimin është hyjnore”-shprehet Z.Destani.

 

Qendra Alert/Alert.al

Dita e Diasporës, filantropi Lazim Destani: U diskutua për forcimin e urave lidhëse mes diasporës me institucioneve shqiptare

Filantropi dhe biznesmeni Lazim Destani mori pjesë në takimet 2-ditore të zhvilluara në Tiranë, në kuadër të Ditës së Diasporës.

“Në kuadër të Ditës së Diasporës filloi axhenda e Këshillit Koordinues të Diasporës ku patëm kënaqësinë që me drejtuesit dhe anëtarët e tjerë të KKD-së të zhvillojmë takime mjaft të rëndësishme në Tiranë.

Me Bashkëkryetarin e Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore, Z. Damian Gjiknuri, diskutuam për rëndësinë e diasporës shqiptare në proceset integruese të vendit, për reformat e rëndësishme dhe në veçanti për votën e diasporës, që mbetet njëra ndër temat kryesore të KKD-së. Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Znj. Olta Xhaçka, shtroi darkë pune duke u dëshiruar mirëseardhje Anëtarëve të Këshillit Koordinues të Diasporës. Në ditën e dytë të këtij aktiviteti axhenda vazhdoi me hapjen e Konferencës së Diasporës ku të pranishëm ishin Kryeministri dhe disa ministra të Kabinetit Qeveritar. Me këtë rast KKD-ja prezantoi punën e saj 3-vjeçare rreth aktiviteteve të zhvilluara deri më tani. Nga diskutuesit në konferencë u theksua rëndësia e vazhdimit të punës për forcimin e urave lidhëse mes diasporës dhe institucioneve shqiptare”-shkroi në Facebook filantropi Lazim Destani.

Qendra Alert/Alert.al

Biznesmeni Lazim Destani me anëtarët e Këshillit Koordinues të Diasporës në Tiranë, diskutim për zhvillimin e vendit dhe votën e emigrantëve

Filantropi Lazim Destani me anëtarët e Këshillit Koordinues të Diasporës që kanë ardhur në Tiranë diskutuam për mbrojtjen dhe forcimin e marrëdhënieve ndërmjet vendit të tyre të origjinës dhe shqiptarëve kudo ku ata ndodhen. Në takim ishte edhe Damian Gjiknuri, bashkëkryetar i Komisionit Parlamentar për Reformen Zgjedhore. Diaspora është e interesuar për votën e emigrantëve dhe u diskutuan përpjekjet që po bëhen për vënien në jetë të së drejtës së ushtrimit të votës nga shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. Ata deklaruan se për t’ia arritur këtë, natyrshëm, duhet punë edhe për sensibilizimin e qytetarëve, që jetojnë jashtë Shqipërisë për t’u regjistruar, duke deklaruar adresat e tyre për të bërë të mundur më pas ushtrimin e votës.

Qendra Alert/Alert.al

Ushqimet që ulin nivelin e energjisë

Nivelet e energjisë luhaten gjatë ditës dhe kjo mund të varet nga një sërë faktorësh. Stresi, gjumi dhe nivele të ushtrimeve fizike janë ndër to që përcaktojnë se sa orë do të jemi në gjendje të qëndrojmë produktivë dhe të fokusuar për orë të gjata.

Megjithatë, një rol shumë të rëndësishëm luan edhe ushqimi, pasi është “karburanti” kryesor i organizmit. Ka ushqime të ndryshme që na “vjedhin” energjinë dhe na ulin nivelet e energjisë.

Makaronat e bardha: Karbohidratet e rafinuara, të tilla si ato që gjenden te makaronat e bardha, buka e bardhë dhe orizi i bardhë, bëjnë që nivelet e sheqerit në gjak të rriten, gjë që përkthehet në rritjen e niveleve të energjisë.

Ushqimet e skuqura: Përmbajtja e lartë e yndyrës së ushqimeve të skuqura e kombinuar me mungesën e fibrave ngadalëson tretjen, ndaj i duhet një kohë e gjatë që trupi të përdorë lëndët ushqyese që i nevojiten për të prodhuar energji.

Drithërat që kanë sheqer: Sasia e madhe e sheqerit që kanë në kombinim me përmbajtjen e ulët të fibrave bimore çon në “sulme” të urisë dhe përgjumjes gjatë ditës. Një zgjedhje më e mirë janë drithërat, pasi fibrat bimore sigurojnë një rrjedhje të qëndrueshme të energjisë për orë më të gjata.

Qendra Alert/Alert.al

Shqipëria rrit shkëmbimet tregtare me vendet e rajonit

Tregtia e mallrave në rajon është përmirësuar. Në 10-mujorin e vitit 2022, Shqipëria realizoi 10% të tregtisë totale me 5 vendet e rajonit, nga 6.5% në vitin 2010. Që nga viti 2018 deri në tetor të vitit 2022, Shqipëria ka kaluar në suficit tregtar, përveç Serbisë. Eksportet shqiptare kanë përparësi më shumë se importet në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinë, por në Serbi që është partneri i dytë më i madh tregtar pas Kosovës, deficiti tregtar u zgjerua më tej gjatë këtij viti. Bizneset pohojnë se procedurat nuk janë lehtësuar shumë, por Shqipëria rrezikon konkurrueshmërinë në afat të gjatë, nëse nuk mbështet bujqësinë

Zarzavatet shqiptare janë produkte popullore në tregjet e Serbisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, ashtu siç është mielli serb, produkt i konsumit masiv në vendin tonë.

Gjatë viteve të fundit, volumet tregtare mes Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor (Kosovës, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Bosnjës dhe Malit të Zi) janë rritur ndjeshëm, jo më shumë nga lehtësimi i procedurave tregtare, se sa nga nisma private e bizneseve që kanë vlerësuar me leverdi tregtinë afër kufijve, për produkte që më parë i faturonin në vende më të largëta.

Të dhënat zyrtare mbi tregtinë e jashtme tregojnë se gjatë 10- mujorit 2022, Shqipëria realizoi 10% të tregtisë me vendet e rajonit nga 6.5% në vitin 2010.

Kosova është partneri kryesor tregtar i Shqipërisë në rajon, me të cilën u realizua 35% e volumit tregtar. Partneri i dytë tregtar më i rëndësishëm është Serbia, me të cilën kemi 31% të volumit tregtar rajonal, më tej Maqedonia e Veriut, me 21%, Mali i Zi, me 8% dhe Bosnjë-Hercegovina, me 4%.

Tregtia me rajonin, Shqipëria suficitare

Që nga viti 2018 e deri në vitin 2022, Shqipëria ka një suficit tregtar sistematik me rajonin. Kjo do të thotë se vlera e mallrave të eksportuara në rajon është më e lartë se vlera e importeve.

Në 10-mujorin 2022, Shqipëria eksportoi 60,6 miliardë lekë (513 mln euro) mallra në vendet e rajonit dhe importoi për të njëjtën periudhë 65 miliardë lekë (551 mln euro). Eksportet ishin 4,3 miliardë lekë (37 mln euro) më të larta se importet. Si rrjedhojë e rritjes së çmimeve të mallrave në tregjet ndërkombëtare, vlera e importeve nga rajoni në Shqipëri u rrit me 23% në 10-mujorin, ndërsa eksportet u rritën vetëm me 12.7%.

Ritmet më të ulëta të eksporteve u ndikuan nga rënia e eksportit të hekurit dhe materialeve të ndërtimit në Kosovë. Tani bizneset e Kosovës furnizohen drejtpërdrejt në Portin e Durrësit pas funksionimit të doganës së posaçme. Disa mallra si hekuri, çimento etj., importohen me kosto më të lirë se sa nga fabrikat shqiptare. Këtë vit, importet nga rajoni në vlerë janë rritur nga disa produkte ushqimore, si mishi, kafshët e gjalla, bulmeti dhe vezët etj.

Që kur vendi hapi tregtinë me jashtë në vitet 1990, shkëmbimet me vendet e Ballkanit Perëndimor ishin shumë të ulëta dhe mbeten peng i luftërave dhe konflikteve ndëretnike, ndonëse afërsia gjeografike ishte në favor. Deri në vitin 2017, Shqipëria ishte deficitare sistematikisht me rajonin.

Pas vitit 2018, situata ndryshoi pasi eksportet shqiptare në rajon ishin më të larta se importet. Kjo vjen për shkak të eksporteve më të larta në Kosovë, të nxitura nga ndërtimi i Rrugës së Kombit, e cila e rriti ndjeshëm tregtinë. Vlera më e lartë e suficitit tregtar ishte në 10-mujorin e vitit 2021, kur eksportet tona në rajon ishin 25%, ose 10 miliardë lekë më të larta se importet.

Me gjithë rritjen e eksporteve, deficiti tregtar me Serbinë zgjerohet në vitin 2022

Përmirësimi i marrëdhënieve Shqipëri – Serbi në rrafshin politik, së fundmi edhe me Nismën Bashkëpunimi Rajonal, ka rritur ndjeshëm tregtinë ndërmjet dy vendeve.

Sipas të dhënave të INSTAT, në janar – tetor 2022, tregtia në vlerë me Serbinë është rritur me 153% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2010.

Në 10-mujorin e vitit 2022, importet e mallrave në vlerë ishin 28 miliardë lekë, me rritje 25% nga viti i kaluar, ndërsa eksportet tona në Serbi shënuan 11,2 miliardë lekë, me zgjerim 23%. Deficiti tregtar rezultoi 16,5 miliardë lekë, me zgjerim 32% në raport me vitin e kaluar.

Tregtia në vlerë ka shënuar rritje, si rrjedhojë e çmimeve më të larta të mallrave, por shkëmbimet në volume kanë pësuar rënie.

Gjatë 10-mujorit 2022, shkëmbimi i mallrave në sasi shënoi rënie me 15%. Rënien më të madhe e patën eksportet shqiptare në Serbi me rreth 18.4%, ndërsa importet nga Serbia shënuan rënie 12.7%. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Këshilla, si ta ruajmë bukën e freskët për disa ditë

Një pjesë e njerëzve zgjedhin të mos shkojnë çdo ditë në furrën e bukës për të blerë bukë. Ndaj nevojiten disa mënyra për ta mbajtur bukën që kemi blerë për disa ditë, të freskët.

Bukën që nuk do ta konsumoni priteni në feta dhe vendoseni në ngrirje. Pas rreth 2 orësh, ndajini fetat dy nga dy ose tre nga tre dhe vendosini në qese të vogla. Më pas, sërish në ngrirje.

Nxirrni nga ngrirja disa orë më parë vetëm aq sa do të konsumoni. Buka, para se të konsumohet, duhet të marrë sërish temperaturën e dhomës.

Qendra Alert/Alert.al

Impiantet e gazit, Ndokaj: Pajisej çdo mjet me benzinë, sot situata është përmirësuar

I ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Msc. Ing.Eduard Ndokaj specialist i gazit, pedagog në UAMD foli për impiantet e gazit në automjete, si nisi në Shqipëri dhe me çfarë situate përballemi sot.

“Gazi dhe karburantet e tjera nafta dhe benzina janë karburante fosile. Gazi nuk është ndryshe nga karburantet e tjera, vetëm se në gjendje normale është nën  presion. Kjo është ajo fobia. Karburantët nuk marrin flakë, as nafta, as benzina dhe as gazi. Për të marrë flakë na duhet një shkëndijë elektrike. Praktika që ndiqet 3 vitet e fundit është se kemi një koncensionar të vetëm në Shqipëri që certifikon këto automjete. Ka marrë përsipër përgjegjësitë juridike, teknike etj, Certifikon montimin dhe materialet e vendosura të impiantit të gazit në tërësi. Impianti i gazit është tërësi komponentësh paketash elektronike dhe kaplazhesh. Nuk është produkt që merr flakë dhe shkakton flakë, na vjen makinë që është më e vjetër se impianti. Makinat me impiant gazi në Shqipëri kanë filluar në vitet ’93-94, kur emigratët e parë sollën makinat e para në fillim nga Italia, Gjermania e me radhë. Një pjesë e këtyre makinave me kalimin e kohës sollën difektet e para dhe elektroautët e parë me ato pak mjete që kanë patur në dispozicion, personel të patrajnuar, periudhë arkaike në nivel profesional, teknik me eksperiencë zero. Me kalimin e viteve u modernizuan makinat dhe u rrit dhe profesionalizmi i teknikëve. Në situatën ligjore jemi përfekt, por jemi në kushte laboratorike. Para 5 vitesh çdo qytetar shkonte me Leje Drejtimi që kishte makinë me benzinë dhe kërkonte impiant. Me kalimin e kohës u rregullua me kuadër ligj, servisit që merret me këtë punë ja ka thjeshtëzur punën. Nxjerrja e një koncensionari ia ka lehtësur anën juridike të punës. Kemi dhe filtrin e kolaudimit të mjeteve, nga ana vizuale kontrollohet impianti. Ka filtra që e kanë rregulluar këtë proces, s’jemi përfekt, por përmirësimet janë të dukshme”-deklaroi Ing.Eduard Ndokaj.

Qendra Alert/Alert.al

Aksidentet nga impiantet e gazit, Dr. Drakuli Lumi: Procedura që ndiqet për pajisjen e mjetit, kush janë përgjegjësit?

I ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Dr. Drakuli Lumi drejtor i Drejtorisë së Kontrollit Teknik në DPSHTRR foli për impiantet e gazit, procedura që ndiqet për pajisjen e mjetit dhe personat përgjegjës në rast të marrjes flakë të automjeteve.

“Impiantet e gazit të lëngshëm në automjete duhet ndjekur procedura standarde bazuar në ligjin shqiptar për Kodin Rrugor: Së pari, poseduesi i mjetit bën një kërkesë për të realizuar një ndryshim konstruktiv, në rastin konkret ndryshimin e motorrit nga benzina, në të përbashkët benzinë dhe gaz të lëngshëm.

Aplikimi nga poseduesi i mjetit bëhet online në DPSHTRR dhe ka komison të veçantë që shqyrton këtë kërkesë dhe po online kthen përgjigjen e miratimit ose jo të kërkesës. Përgjigjia i shkon qytetarit, Drejtorisë Rajone të Shërbimit Rrugor dhe subjektit të licencuar për të miratuar ndryshimet konstruktive. Në rast të një përgjigje pozitive, poseduesi i mjetit i drejtohet një servisi të licencuar për të bërë ndryshimin konstruktiv përkatës. Pasi servisi ka bërë ndryshimin, merr dokumentacionin dhe paraqitet te subjekti i licencuar për të bërë miratimin e ndryshimit konstruktiv. Subjekti i licencuar bën kontrollin e punimeve të kryera dhe gjithashtu testimin e këtij ndryshimi. Më pas ai lëshon dy certifikata, njëra e montimit të rregullt të impiantit të gazit të lëngshëm dhe certifikon me prova këtë testim me një dokument të veçantë. Me këto dy dokumenta poseduesi i mjetit shkon në drejtorinë rajonale përkatëse dhe pasqyron ndryshimet në Lejen e Qarkullimit. Vetëm pastaj ai është në gjendje ta përdorë mjetin në mënyrë të ligjshme. Në rast rrjedhje të gazit dhe marrjes së makinës flakë, përgjegjësia bie mbi atë që e ka montuar impiantin e gazit dhe mbi atë që e ka certifikuar”-deklaroi Dr. Drakuli Lumi.

Qendra Alert/Alert.al