Menu

Kryesore

Biden: 100 dollarë për këdo që vaksinohet

Presidenti i Shteteve të Bashkuara ka kërkuar nga shtetet federale që të ofrojnë 100 dollarë për çdo të vaksinuar të ri, si një përpjekje për ti bindur ata që të injektojnë vaksinën, ndërkohë që varianti Delta po përhapet me shpejtësi.

Gjithashtu, presidenti ka vënë kritere strikte për vaksinim të punonjësve federalë amerikanë, që përbëjnë rreth 2 milionë njerëz.

Urdhri i presidentit iu kërkon punonjësve që të tregojnë prova që janë vaksinuar, apo ti nënshtrohen testeve të vazhdueshme, si dhe të mbajnë me detyrim maskën.

Sipas të dhënave zyrtare, vetëm gjysma e popullsisë amerikane është vaksinuar.

Duke folur nga Shtëpia e Bardhë, presidenti Biden u shpreh që masat e reja janë rezultat i faktit që varianti Delta është shumë herë më ngjitës si dhe pandemia mund të përkeqësohet nëse ka akoma njerëz të pavaksinuar.

‘Njerëzit po vdesin dhe do të vdesin dhe ata që nuk duhet të vdesin’, tha presidenti.

Presidenti Biden shtoi po ashtu që incentiva monetare mund të duket e pandershme për amerikanët e vaksinuar tashmë, por është vetëm në përfitimin tonë që të kemi sa më shumë njerëz të vaksinuar.

Shtetet fedarale do të përdorin paratë e Planit Amerikan të Rekuperimit në mënyrë që të financojnë incentivat për vaksinat.

Gjithashtu, presidenti tha, që qeveria federale do të rimbursonte plotërisht bizneset e vogla dhe të mesme do ti paguanin punonjësit e tyre gjatë kohës që ata do të  vaksinoheshin. Ndërkohë që punonjësit që refuzojnë të vaksinohen, nuk do të pushohen nga puna.

Burimi: BBC

alert.al

Në shërbim të natyrës, AZHBR mbështetje edhe për mjedisin

Nga bujqësia dhe kujdesi për tokën e natyrën. Në këtë trinom të rëndësishëm të lidhur së bashku, përfshihet një kontribut i çmuar për zhvillimin rural. Në programet e saj të mbëshjtetjes AZHBR ka edhe shërbimet mjedisore, të cilat si asnjëherë më parë kanë marrë një vëmendje të shtuar, duke rikujtuar përmes këtij fokusi se sa rëndësi ka natyra. Në ditën botërore të ruajtjes të natyrës, Drejtoresha e AZHBR, Frida Krifca në një postim në rrjetet sociale nënvizoi projektet që i kanë dhënë jetë zonave malore, duke përmirësuar pyjet, lerat, kullotat dhe shtuar pyllëzimin.

“Nuk mund ta mbyll këtë ditë pa përmendur kontributin konkret dhe të qenësishëm që AZHBR ka kryer për mjedisin. Në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit, Bankën Botërore @dritadade, Qeverinë Suedeze përfunduam me sukses zbatimin e 157 investimeve nga Shoqatat e Përdoruesve të Pyjeve dhe Kullotave si edhe fermerë përdorues të sipërfaqeve pyjore kullotë. Objektiv kryesor kishim kontributin në ruajtjen dhe përmirësimin e ekosistemeve malore, përmirësimin e bujqësisë dhe pylltarisë, si dhe mbështetjen në zgjerimin dhe përmirësimin e burimeve pyjore”.

Krifca shton, se pikërisht këto financime kanë sjellë një pamje tjetër në zona shumë të thella e të larta malore në 30 plane të menaxhimit të mikrobazeneve që i përkasin Njësive Administrative: Zall Bastar, Kala e Dodës, Melan, Sllove, Arras, Gjoricë, Shupenzë, Zerqan, Trebisht, F.Bulqize, Kurdari/Suc, Lis, Xibër, Derjan, Kthellë, Blinisht, Kolsh, Kallmet, Zejmen, Krume, Shishtavec, Terthore, Bushtricë, Fierzë Tropojë, Tropojë-fshat, Stravaj, Qendër, Hotolisht, Trebinjë, Udenisht, Velçan, Proptisht, Aranitas.

“Investimet mundesuan: Përmiresim Pyjesh me një sipërfaqe 4,938.26 Ha, përmiresim Kullote me nje sipërfaqe 1,228.73 Ha. Pyllëzim i ri i shtuar me një sipërfaqe 443.29 Ha, 97 Lera të reja, 18 Prita Malore të shtuara. Të gjitha investime që krijojnë punësim dhe kontribut të vlefshëm në ekosistemin mjedisor dhe bujqësor dhe ku vlera e mbështetjes multiplikohet ndjeshëm për efektin ekonomik që krijon në komunitetet e angazhuara që jetojnë me malin dhe pyllin”, shkruan Krifca.

Me urimin për 28 korrikun, Krifca thotë se kjo ditë duhet të shërbejë si një reflektim për kontributin e secilit për ta ruajtur dhe mbrojtur mjedisin që na jep jetë.

alert.al

EKSKLUZIVE, Raporti i KLSH 2018-2020: Misër me aflatoksinë dhe hime nga Serbia pa etiketë, AKU u fali gjobat, nuk i asgjësoi ushqimet

Aflatoksina është një substancë e rrezikshme për shëndetin e njeriut, që mund të merret nga drithrat ose nga qumështi. Inspektorët e DRAKU Tiranë kanë zbuluar dhjetëra ton ushqim për blegtorinë, që rezulton ta kishte mbi normë këtë substancë, por nuk i kanë asgjësuar. KLSH* në raportin e auditimit, të cilin Qendra Alert e diponon,  konstaton se, jo vetëm që nuk janë ndjekur procedurat për këto ushqime të rrezikshme, por kompanive u janë falur edhe gjobat nga eprorët.

Zhduket misri që doli me aflatoksinë

Rasti më i çuditshëm që konstatohet nga inspektorët e DRAKU Tiranë është zhdukja e një sasie misri që analizat e nxjerrin me aflatoksinë.

Nga inspektimi datë 22 janar 2018 te subjekti X me aktivitet “Import ushqim për kafshët”, në Tiranë, rezulton se janë bllokuar 12,5 ton misër për blegtorinë me nga 50 kg/secili thes, pa etiketa, pa dokumentacion shoqërues dhe në mungesë të kushteve higjeno-sanitare të ambienteve ruajtjes.

Inspektorët vendosën 450,000 lekë për 3 gjoba sipas faturës datë 22.01.2018. Po ashtu, u mos masa “bllokim i pjesshëm i aktivitetit” deri në krijimin e kushteve higjeno-sanitare të ambienteve dhe 12,5 ton misër pa etiketim dhe dokumentacion.

Tre muaj më pas, kryhet një ri-impektim, më datë 16 prill 2018, lidhur me zbalimin e detyrave të lëna, ku është vendosur përsëri gjobë 50,000 lekë. Këtë radhë, gjoba është për prishje të shenjave dalluese të bllokimit, pasi nga subjekti misri është zhvendosur në ambiente me “kushte të përshtatshme higjeno-sanitare”, por nuk ka etiketim dhe dokumentacion.

Ndërkaq, në datën 24 janar 2018 është marrë mostër ushqim për kafshë, në stabilimentin, magazinë, pikë tregtimi te subjektit. Rezultoi: Mostra është marrë nga sasia 12,5 ton misër, disponohet analiza laboratorike dhe misri është brenda standardeve.

Por, ky subjekt ka marrë një mostër misri në Lushnjë për analiza me qëllim blerje, sipas deklaratës së subjektit më 17 prill 2018 dhe procesverbalit “ala marrje mostre” nr. 0001672,  datë 24 janar 2018.

Ndërkaq, analiza laboratorike datë 30 prill 2018 ka rezultuar mbi normë e Aflatoksinës B1, për rrjedhojë subjekti nuk ka lidhur kontratë me prodhuesin në Lushnjë.

DRAKU Tiranë ka verifikuar në vend subjektin në Lushnjë, datë 2 maj 2018, ku çuditërisht nuk ka rezultuar asnjë sasi e këtij misri. Sipas dokumenteve është njoftuar drejtorin përgjithshëm i AKU, i cili me shkresën 381, datë 30 prill 2018 ka njoftuar Ministrinë e Bujqësisë.

Komisioni i AKU u fal gjobat

Siç del nga raporti i KLSH, roli i drejtuesve të AKU është negativ dhe dekurajues ndaj inspektorëve duke shfuqizuasr gjobat që ata u vendosin subjekteve të gjetura me shkelje të rënda.

Mësohet se me vendimin nr. 899/1, datë 14 shtator 2020, ky komision ka fshirë të tria gjobat për këtë subjekt. Ky vendim, argumenton KLSH, është jashtë afatit ligjor dhe nuk qëndron, pra është i paligjshëm.

Sipas raportit të auditimit të KLSH, edhe DRAKU Tiranë ka përgjegjësinë e tij pasi nuk ka ekzekutuar 3 gjobat për vlerën 450,000 lekë, pavarësisht se komisioni AKU i ka shfuqizuar 3 gjobat e vendosura.

U gjet me ushqime me aflatoksinë, gjobat nuk i pagoi

Një praktikë tjetër për ushqimin për blegtorinë është kryer në një fabrikë prodhim, përpunim, shpërndarje të ushqimit për kafshë në Tiranë, në janar 2018. Ky është rasti kur gjobat nuk paguhen, edhe pse mbanin në magazina ushqime me aflatoksinë.

Nga kontrolli rezultojnë probleme, konkretisht: kushte higjeno-sanitare të papërshtatshme, dokumentacion i pjesshëm, mungon raport analiza e produkteve etj. Për këto u vendosën 5 gjoba në vlerën 900,000 lekë.

Nga verifikimi gjoba rezulton e paarkëtuar nga subjekti.

Inspektorët kanë marrë mostra të ushqimeve të ndryshme për kafshë, ku qumështi i lopëve ka rezultuar me mbi normë të Alfatoksinës B1, sipas raport analizës 31 janar 2018. Për pasojë ushqimi në magazinë është bllokuar, ndërsa për atë të tregut është tërhequr nga subjekti dhe aktiviteti është ndërprerë. Nuk ka dokumentacion për asgjësimin e produktit.

Himet nga Serbia pa etiketë

Inspektorët e kanë bërë rrugë që marrin masën e bllokimit, por nuk ndjekin më se çfarë bëhet me produktin. Dosja e inspektimit e DRAKU Tiranë, datë 18 janar 2018 të një subjekt me aktivitet  “Magazina importi për ushqimin e kafshëve”, pasqyron se janë bllokuar 4 ton hime të ardhura nga Serbia pa etiketë.

Për këtë është vendosur gjobë 400,000 lekë, nga kjo: 300,000 lekë për mungesë të kushteve të higjienës dhe 100,000 lekë për etiketimin.

Sipas auditimit të KLSH, grupi i inspektimit në fund të procedurës i ka lënë detyra subjektit për korrigjimin e shkeljeve, por nuk ka përcaktuar afatin kohor.

Dosja e inspektimit ka mangësi, pasi nuk disponohet njoftimi  i subjektit për korrigjimin e mangesive dhe po ashtu nuk ka ri-inspektim për bllokimin e 4 ton himeve.

Çfarë është aflatoksina?

Aflaktoksina, që nga vetë përbërja e emrit është një toksinë e përbërë nga myku që rritet tek drithrat: misri, gruri; tek arroret: arrat, pistaku, qiqrat..

Aflatoksina prezente në qumësht, në nënproduktet e qumshtit apo edhe në drithrat që janë për konsum njerëzor dhe për arroret, kur bëhet akumulative është përgjegjëse për kancerët në mëlçi, prish funksionin e veshkave, domethënë ka dëme njerëzore.

Aflaktoksina shkakton:

  1. helmime akute ose kronike
  2. kancer të mëlçisë
  3. çrregullime metabolike
  4. çregullime kronike të imunitetit
  5. efekte helmuese
  6. dhimbje barku
  7. të vjella
  8. hemoragji të brendshme
  9. vështirësi në frymëmarrje
  10. dëmtime të sistemit nervor
  11. gjendje komatoze ose vdekje të sëmurit

KLSH ka kryer një  konktroll në Drejtorinë Rajonale të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit Tiranë (DRAKU) për periudhën nga data 1 janar 2018 deri 30 dhjetor 2020. Nga kontrolli rezultojnë shkelje të rënda financiare, të Ligjit për ushqimin dhe vendimeve të qeverisë për kontrollin e cilësisë së produkteve ushqimore, duke mos mbrojtur interesin e konsumatorit.

Qendra Alert

alert.al/

Zgjerohet skandali i stikave me aflatoksinë me origjinë nga Irani

Pas Greqisë, edhe dy vende të tjera europiane, Italia dhe Gjermania, kanë denoncuar raste të kontaminimit me aflatoksinë të produktit të stikave (fistikëve) me origjinë nga Irani. Ashtu si në Greqi, edhe në Itali dhe në Gjermani, këto produkte janë verifikuar dhe ndaluar në kufi, pa mundur që të futen në tregun ushqimor italian, gjerman apo grek. Duke qenë se Irani është një ndër eksportuesit më të mëdhenj të stikave sot në botë, dhe këto produkte janë ndaluar në dy vende të rëndësishme kufitare me Shqipërinë, autoritetet shqiptare duhet që të tregojnë kujdes që të mos lejojnë futjen e tyre në tregun shqiptar, apo kontrollin e tregut ekzistues nëse një gjë e tillë tashmë ka ndodhur.

Aflatoksinat janë mikotoksina natyrale që janë të prodhuara nga një lloj kërpudhe që i përket familjes Aspergillus. Ato janë toksike dhe ndër substancat më të njohura kancerogjene. Pas hyrjes në trup, aflatoksinat mund të metabolizohen nga mëlçia ose të kthehen në një formë më pak të dëmshme: aflatoksinë M1.

Burimi: RASFF

Qendra Alert

alert.al/

EKSKLUZIVE/ Raporti i KLSH 2018-2020: Restoranti në mes të Tiranës helmon qytetarët, gjykata e dënon, AKU i heq gjobat

Ushqimi i shërbimeve catering në Tiranë shpesh herë është bërë objekt i ankesave të qytetarëve për cilësinë e tij. Konsumatori nuk ka mundësi të ankohet edhe kur këto ushqime ndodh që ta helmojnë. Një restorant i huaj në Tiranë që bën edhe shërbime catering, është shembulli se si mund të shesësh kalbësira për ushqim dhe të mos marrësh asnjë ndëshkim ligjor.

Sipas një kontrolli të ushtruar nga KLSH* në DRAKU Tiranë, drejtuesit e Autoritetit kanë ndërhyrë me arrogancë dhe e kanë mbrojtur restorantin nga kontrollet e inspektorëve. Madje ia kanë anuluar të gjitha gjobat këtij subjekti që punon edhe pa licencë.

Ku gatuhet ushqimi i restorantit? 

Praktika e inspektimit në subjektin restorant në adresën Rruga Ismail Qemali, më 1 gusht 2019, pasqyrohet se: Kushtet higjeno-sanitare janë të papërshtatshme; Ambjenti ka nevojë për lyerje;                                                                              Pllakat në një pjesë të ambjentit janë të dëmtuara; Papastërti në siperfaqen e punës; Mishi shkrihej në sipërfaqen e ambjentit dhe të tjera shkelje të kushteve higjeniko-sanitare.

Gjithashtu inspektorët nga verifikimi i dokumentacionit dhe sistemit online të QKB-së, rezultoi se subjekti ushtron aktivitetin i palicencuar për kategorinë II.l.A.l. Pronarit i’u la detyrë që brenda datës 14 gusht 2019 të paraqesë dokumentet (planin HACCP, kontrata e subjektit për shërbimin catering).

Ndaj këtij subjekti u vendos gjobë: 500,000 lekë për mosrespektim të kushteve të higjienës; 2,000,000 lekë për ushtrim të aktivitetit pa licencën përkatëse; Vendim i ndërmjetëm për marrjen e masës urgjente të ndërprerjes së aktivitetit deri në plotësimin e kushteve-higjeno sanitare dhe pajisjes me licencë;

Kuzhina mbetet vendngjarje e papastërtisë

Reztoranit në fjalë është përsëritës dhe pandreqshëm ndaj vërejtjeve për higjeienën dhe kushtet e gaitmit. Një vit më vonë, në 2020, nga inspektimi në këtë subjekt pasqyrohet se: Ka prezencë papastërtish në kuzhinë, ka pajisje të ndryshkura, ka sistemuar keq produktet ushqimore. Ka njolla ndryshku dhe myku. Nuk zbatohen kërkesat specifike për ruajtjen dhe përpunimin e produktit; dyert duhen pastruar dhe lyer;

nuk largohen periodikisht mbetjet. Në momentin e inspektimit u gjetën shumë mbeturina;

-Ndaj këtij subjekti u vendos gjobë 300,000 lekë për mosrespektim të kushteve të higjienës; bllokim i aktivitetit deri në korrigjimin e mangësive, brenda datës 16 korrik 2020 dhe njoftimin zyrtar të DRAKU-së,

-Ditën që do të njoftohet DRAKU Tiranë, subjekti të sjellë dokumentet për procedurat ligjore për gjobën e vendosur nga DRAKU Tiranë më datë 1gusht 2019, pra para 1 viti.

Pronari i restorantit gëzon mbeshtetje nga drejtuesit e lartë

Kronologjia e reagimit të restorantit kundër masave të inspektorëve do të nxjerrë në dukje mbrojtjen që gëzon aktiviteti i tij i paligjshëm nga drejtues të lartë të AKU-së.

Më 10 gusht 2019 (brenda afatit 30-ditor), subjekti ka bërë ankim administrativ, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të AKU-së, për të cilin nuk ka dalë asnjë vendim (akt tjetër administrativ për shfuqizimin lënien në fuqi të aktit që është ankimuar) nga Komisioni i shqyrtimit të ankesave, pranë DPAKU, edhe pas kalimit të afatit 60-ditor.

Më datë 18 tetor 2018, nga pronari i restorantit është paraqitur kërkesë-padi, në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë, ku si palë e paditur është DPAKU dhe DRAKU Tiranë, me objekt shfuqizimin e gjobës (në vlerën 2,500,000 lekë) të vendosur nga inspektorët.             [

Më datën 11 dhjetor 2019 subjekti i është drejtuar përsëri Gjykatës së Shkallës së Parë, me objekt ndryshim padie, ku në rast të mosshfuqizimit të plotë të gjobës së vendosur, të shfuqizohet pjesërisht dhe të vendoset gjobë minimale.

Më datë 23.06.2020, Gjykata ka marrë vendimin të cilin subjekti privat e ka ankimuar në Gjykaten Administrative të Apelit, dhe në datën 21 korrik 2020 në Gjykatë Administrative e Apelit është bërë edhe ankimi i DRAKU Tiranë, me objekt ndryshimin e vendimit të GJSHP Tiranë dhe lënien në fuqi të gjobave të vendosura nga inspektorët.

Më 23 qershor 2020, Komisioni i shqyrtimit të ankimeve pranë DPAKU-së, ka nxjerrë një vendim që është përcjellë në Muajin Gusht të vitit 2020, konkretisht më 3 gusht 2020 (ose 42 ditë kalendarike me vonesë). Pra duhen 42 ditë që Institucioni epror të njoftojë varësinë, për një vendim të marrë, ku veç dërgimit me postë, është edhe komunikimi me email-in zyrtar.

Në këto kushte, më 10 gusht 2020, DRAKU Tiranë ka tërhequr ankimin e bërë në Gjykaten Administrative, me arsyetimin se ankimi është pa objekt.

KLSH: Anulimi i gjobave i paligjshëm

Referuar vendimit të Komisionit të shqyrtimit të ankesave, KLSH konstaton se: Ky vendim është marrë në shkelje të hapur të kuadrit ligjor, pasi është në kundërshtim me percaktimin ligjor.

Konkretisht VKM për funksionimin dhe organizimin e Komisionit për Shqyrtimin e Masave Administrative i datë 27 maj 2020 me nr.417 dhe është botuar në Fletoren Zyrtare më datë 1 qershor 2020, pra 22 ditë më përpara se vendimi nr.5511/l,  datë 23 qershor 2020, i Komisionit të shqyrtimit të ankesave në DPAKU, i cili ka shfuqizuar tërësisht gjobën.

Sipas këtij vendimi përcaktohet se: “lnstitucioni përgjegjës për kontrollin zyrtar të ushqimit dhe ushqimit për kafshë, kalon në Komisionin e Ministrisë së Bujqësise, të gjitha ankesat dhe dosjet përkatëse brenda 2 ditëve nga hyrja në fuqi e VKM-së. Veç referencave ligjore të përmendura më sipër, me të cilat bie në kundërshtim ky anulim i gjobave, është edhe “Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë”, sipas të cilit nuk duhet të kishte një vendimmarrje pa mbarur gjyqi.

“Është absolutisht i pavlefshëm”, konkludon KLSH mbi anulimin e gjobave nga komsioni i AKU-së.

Si pasojë e këtij vendimi DRAKU Tiranë ka tërhequr ankimin e bërë në Gjykatën Administrative të Apelit, për kundërshtimin e vendimit të datës 23 qershor 2020, të marrë nga GJSHP Tiranë, ku është lënë reduktimi i masës së gjobës nga 2,500,000 lekë në 1,300,000 lekë, duke e kthyer vendimin e GJSHP Tiranë, të formës së prerë, si dhe duke hequr dorë edhe nga detyrimi ligjor, për të provuar ligjshmërinë e aktit administrativ (Vendimi i gjobës nga inspektoret e DRAKU-së).

Por, kjo nuk ndodhi papritur. Janë një sërë veprimesh të drejtuesve të AKU-së që çuan në “fitoren” e pronarit të restorantit ndaj ligjit.

Nga shqyrtimi i dokumentacionit në vijim të praktikës së inspektimit  (ankimi në DP të AKU-së për  gjoben e vendosur, ankimi në GJSHP  Tiranë i subjektit, vendimi i GJSHP Tiranë, vendimi i komisionit të shqyrtimit të ankimeve pranë Drejtorisë së Përgjithshme të

AKU-së, kërkesë për tërheqjen nga ankimi në Gjykatën Administrative të Apelit), konstatohet se: Ankimi administrativ i bërë nga restoranti në Drejtorinë e Përgjithshme të AKU-së, për kundërshtimin e gjobës së vendosur nga inspektorët në vendimin e inspektimit, nuk është shqyrtuar brenda afatit ligjor. Pra, ishte ky komsion që i hapi rrugën subjektit të shkonte në gjykatë.

Restoranti vazhdon të helmojë qytetarët

Në inspektimin e datës 8 korrik 2020 është konstatuar se subjekti nuk respekton kushtet higjienike dhe për pasojë ndaj këtij është vendosur gjoba në vlerën 300,000 lekë për mosrespektimin e kushteve të higjenës, bllokim pjesor të aktivitetit (pjesën e kuzhinës) si dhe korrigjimin e shkeljeve brenda datës 16 korrik 2020.

Me sa duket të lodhur nga ndërhyrjet e drejtuesve të AKU, inspektorët duket se janë të dekurajuar.

Konstatohet se në këtë datë që është kryer inspektimi, restoranti ushtronte aktivitet pa licencen përkatese II.1.A.1, dhe nga inspektorët nuk është marrë asnjë masë administrative (gjobe) ndaj subjektit i cili ushtron aktivitet pa licence që në vitin 2013, megjithese është e dyta herë që subjekti konstatohet se ushtron aktivitet pa licencë;

“Inspektorët nuk e kanë kryer  inspektimin në përputhje me kërkesat ligjore, që kanë si qëllim  garantimin e një ushqimi të sigurt dhe cilësor, për konsumatorin”, konkludon KLSH.

Megjithatë, inspektorët nuk mund të bëjnë më shumë, kur peshku është qelbur nga koka.

Pronari i restorantit paraqiti ankim administrativ në DPAKU me shkresën nr.3056, datë 17 korrik 2020, ndaj gjobës së vendosur. Më datë 30 korrik 2020, Komisioni i Ankimeve ka shfuqizuar vendimin përfundimtar të inspektimit;

“Kushtet higjienike nuk janë fikse, por ndryshojnë përgjatë një periudhe kohore të caktuar. Një fakt i tillë nënkupton se një subjekt i cili në një moment të caktuar mund të konstatohet se nuk përmbush njërën nga kërkesat e higjenës, nuk do të thotë se ai është kurdoherë në paligjshmëri”, me qëllim shfuqizimin e vendimit të inspektimit, nuk qëndron, për arsye se nuk ka bazë ligjore dhe se inspektimi si funksion, ka si qëllim respektimin e kërkesave ligjore nga subjektet private/publike, si dhe inspektorët e kryejnë inspektimin në vend duke pasqyruar shkeljet të cilat janë konstatuar, dhe nuk mund të hamendësojnë që nëse ky subjekt një ditë më përpara i ka respektuar kërkesat e higjenës. ‘ -Sa më sipër grupi i auditimit konstaton se vendimi i Komisionit, është i paligjshëm, dhe për pasojë ndaj buxhetit të shtetit është krijuar dëm ekonomik në vleren 300,000 lekë.

Dëshmia e inspektorëve

Ka një korrespondencë mes inspektorëve që kontrolluan restorantin dhe grupit të suditimit të KLSH, që të lë pa fjalë.

“Ju bëjmë me dije se në këtë subjekt kemi shkuar nisur nga indicio e një qytetari për shqetësime shëndetësore të shkaktuara nga konsumi i ushqimit prej këtij subjekti. Nga verifikimi në subjekt konstatuam se në ambjentin e kuzhinës kishte kushte te papërshtatshme higjieno-sanitare të permendura në procesverbal. Për ambjentin e papërshtashem në praktiken e inspektimit në sistem kemi bashkëngjitur fotografi për situatën deri në vendosjen e shenjës dalluese “Bllokuar nga AKU”  në derën e kuzhinës. Ky subjekt ka një ambjent gatimi të ndarë nga ai i sherbimit ku funksionon edhe si bar-kafe. Duke patur parasysh kushtet e papërshtatshme higjieno-sanitare u mor masa urgjente e bllokimit të pjesshëm te aktivitetit” të kuzhinës.

Kemi bindjen se me 2 masat e marra nga ana jonë ndaj subjektit, kemi garantuar sigurinë ushqimore që është objekt i punës tonë, ndërsa për faljen e gjobës nuk e shohim të arsyeshme dhe nuk është detyra jonë ta gjykojmë”.

KLSH: Pronari i restoranit duhej kallëzuar penalisht

Në konkluzionet e auditimit nga KLSH për këtë praktikë vihet re se qëdrimi i inspektorëve mund të ishte më i ashpër ndaj pronarit të restorantit që nuk pyet mbi “Ligjin për ushqimin”.

Konstatohet se subjekti nuk i ka korrigjuar shkeljet (pajisjen me licencë dhe rregullimin e kushteve higjienike) dhe nuk ka respektuar detyrimin e DRAKU, por ka vazhduar të ushtrojë aktivitet, konfirmuar nga statusi i subjektit “aktiv”, në Qendrën Kombëtare të Biznesit, dhe për këtë nuk është marrë asnjë masë nga DRAKU Tiranë për njoftimin e DPAKU-së dhe më pas për të bërë ndalimin përfundimisht të ushtrimit të aktivitetit nga subjektit.

E si mund ta bënin këtë inspektorët kur mbi kokë anulojnë çdo veprim që ata kryejnë. Konstatohet se edhe pas këtyre veprimeve nga subjekti, ndaj tij nuk është bërë kallëzim penal.

Sipas Kodit Penal, “Prishja  e  shenjave  të  sigurisë  së  organeve  shtetërore në fushën e sigurisë ushqimore për qëllime mbikëqyrjeje, kontrolli ose pezullimi të veprimtarisë tregtare në mjediset ekonomike, mbi mjetet e transportit ose mbi mallra, me qëllim lëvizjen e mallrave ushqimore ose rifillimin e aktivitetil, denohet me burgim deri në tre vjet”.

Subjekti, megjithëse ka patur një proces gjyqësor në Gjykatën e Shkallës së Parë, Tiranë, për gjobat e vendosura, përsëri masat urgjente nuk pezullohen.Në gjykimin e grupit të auditimit ky subjekt duhej të ndalohej përfundimisht për ushtrimin e aktivitetit, për arsye të përsëritjes së shkeljeve nga ana e tij.

Kronologjia e një abuzimi me pushtetin

-Më datë 18 tetor 2019 është bërë nga subjekti privat, kërkesë-padi në GJSHP Tiranë, për gjobën e vendosur nga inspektorët, dhe si palë e paditur ka qenë DPAKU dhe DRAKU Tiranë,

Me datë 23 qershor 2020, Gjykata e Shkallës së Parë, ka nxjerrë  vendimin nr.1220, protokolluar pranë DRAKU Tiranë me nr. 1220 prot., datë 10.07.2020, i cili ka vendosur:

Pranimin pjesërisht të kërkesë-padisë së palës paditëse;

Lënien në fuqi të aktit administrativ

Vendimi i gjykatës është titull ekzekutiv dhe duhet të ekzekutohet menjëherë;

Shpenzimet gjyqësore mbeten në ngarkim të palës paditëse;

Kundër këtij vendimi lejohet të bëhet ankim ne Gjykaten Administrative te Apelit Tiranë;

Vendimi shpallet më datë 23.06.2020.

-Po në këtë datë, ka dalë vendimi nr.551111, datë 23.06.2020, i Komisionit të shqyrtimit të ankimeve pranë DPAKU-së, i cili është protokolluar prane DRAKU Tiranë me datë 3 gusht 2020.

-Ky vendim ka shfuqizuar tërësisht gjobën prej 2,500,000 lekë, të vendosur nga inspektorët në 1 gusht 2019.

* KLSH ka kryer një  konktroll në Drejtorinë Rajonale të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit Tiranë (DRAKU) për periudhën nga data 1 janar 2018 deri 30 dhjetor 2020. Nga kontrolli rezultojnë shkelje të rënda financiare, të Ligjit për ushqimin dhe vendimeve të qeverisë për kontrollin e cilësisë së produkteve ushqimore, duke mos mbrojtur interesin e konsumatorit.

Qendra Alert

alert.al/

Studimi: Antitrupat e vaksinës kineze Sinovac zhduken pas 6 muajsh

Sipas një studimi të bërë nga vetë autoritetet kineze, vaksina kineze Sinovac, si dhe institucione të tjera kineze, antitrupat kundër Covid -19 bien në mënyrë të ndjeshme pas muajit të gjashtë të bërjes së dy dozave të vaksinës. Studimi në laborator tregoi që një dozë e tretë e vaksinës do të kishte një efekt më të fortë për imunitetin e personave që vaksinoheshin.

Studiuesit kineze i raportuan rezultatet e tyre pas analizave të gjakut të personave të rritur nga mosha 18 deri në 59 vjeç. Të dhënat u publikuan dy ditë më parë, por nuk janë konsultuar me komunitetin ndërkombëtar të shkencëtarëve.

Ndër pjesëmarrësit që kishin marrë dy doza të vaksinës, pas dy javësh nga doza e parë, vetëm 16.9% prej tyre kishin antitrupa neutralizues të Covid – 19.

Raporti thekson që tani për tani, prioriteti është që të gjithë njerëzit të marrin dy dozat e vaksinës, ndërsa marrja e dozës së tretë mbetet akoma e paqartë.

Indonezia dhe Tajlanda kanë filluar që për pacientët e vaksinuar me Sinovac tu injektojnë dhe një dozë tjetër nga Moderna ose Pfizer. Ndërsa Turqia, po e ofron një dozë të tretë Sinonac ose Pfizer për njerëzit që kanë bërë tashmë dy doza me vaksinën kineze.

Studiuesit kinezë e bënë të qartë që ata nuk i kishin testuar antitrupat ndaj varianteve të reja më të transmetueshme të virusit, dhe kërkime të mëtejshme nevojiteshin në këtë fushë për të vlerësuar kohëzgjatjen e antitrupave pas injektimit të dozës së tretë.

Burimi: Reuters

alert.al

Autoritetet kosovare iu bëjnë thirrje qytetarëve që të mos konsumojnë vezë, mish, peshk e suxhuk

Përmes një shkrimi në median sociale, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës iu ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë një kujdes të shtuar gjatë këtyre ditëve me temperatura të larta. Sipas këtij institucioni ka pasur një rritje të numrit të helmimeve me anë të ushqimit, ku qytetarë të pafajshëm për shkak të konsumimit të ushqimit të kontaminuar kanë përfunduar në spital.

Gjithashtu ata kanë shtuar që të shmanget konsumimi i mishit dhe peshkut, suxhukut dhe produkteve të ngjashme të papërpunuara termikisht. “Shmangia e konsumimit të ushqimit që përmban vezë të freskëta, majonezë, salcat e ndryshme, etj. Shmangia e konsumimit të djathit të freskët nga qumështi jo i pasterizuar ose zier! Shmangia e konsumimit të frutave dhe perimeve të palara. Nuk preferohet konsumimi i ushqimit që ka qëndruar jashtë frigoriferit për më shumë se 2 orë. Konsumoni qumësht të pasterizuar ose të zier. Frutat dhe perimet të lahen me ujë të bollshëm. Ushqimi i mbetur të ruhet në frigorifer. Ushqimi i ngrirë i cili është shkrirë duhet të konsumohet sa më shpejt ose të hidhet dhe nuk duhet të ringrihet”, thonë nga Instituti.

alert.al

Shqipëria ndër vendet me më pak të vaksinuar në raport me numrin e popullsisë dhe vendet e zhvilluara

Një hartë në lidhje me vaksinimet deri më datë 23 korrik 2021 po qarkullon në median sociale të burimeve të ndryshme ndërkombëtare. Sipas kësaj harte, Shqipëria, sëbashku me disa vende të rajonit hyn në 21 vendet që kanë vaksinuar më pak se 30 përqind të popullsisë. Këto të dhëna janë në kontradiktë me të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Republikës së Shqipërisë që deklarojnë që kanë vaksinuar  diku rreth 1,138,771 persona  që prej fillimit të këtij procesi, gjë e cila do të thotë që e shprehur në përqindje është vaksinuar rreth 39% e popullsisë shqiptare.

Vendet që kanë më shumë të vaksinuar në raport me numrin e popullsisë janë Anglia, Spanja dhe Finlanda, ndërkohë që edhe vende të zhvilluara të tilla si Italia, Gjermania, Suedia, Norvegjia dhe Irlanda kanë vaksinuar rreth 60 -65% të popullsisë.

Burimi: DataIsBeautiful

alert.al

EKSKLUZIVE/ Raporti i KLSH: 5240 litra vaj ulliri "i virgjër" jashtë standardit, DRAKU nuk e asgjëson, porosit të shitet si vaj sallate!

Vaji i ulliri është një nga produktet më të pabesueshme për konsumatorin shqiptar. Të shqetësuar nga mashtrimet, qytetarët arrijnë deri aty, sa shpesh shkojnë të marrin pjesë vetë në procesin e nxjerrjes së tij nëpër punishte, duke e blerë në moment.

Kontribut në krijimin e tregut të mbushur me produkte mashtruese të vajit të ullirit, jep edhe DRAKU me veprimet antiligjore. Një raport i KLSH* mbi auditimin e këtij institucioni zbulon se në tre vitet e fundit,  tolerohet shitja e vajit të ullirit me tregues jashtë standardit si pasojë e përzierjeve, ruajtjes së papërshtatshme dhe rafinimit jo të duhur. Qendra Alert dhe Alert.al disponojnë emrat e kompanive dhe të inspektorëve.

Vaj i ullirit “ekstrai virgjër” del nga analizat jashtë standardit

Konsumatori e paguan për vaj të virgjër ulliri, por ky prudukt, i gjetur tek një kompani që e ambalazhon dhe e tregton, del i pakonsumueshëm. I habitshëm është qëndrimi i inspektorëve të DRAKU me vendimet që do të marrin.

“Nga inspektimi më 23 gusht 2018, në subjekt u morën 3 mostra vaj ulliri extra i virgjër dhe vaj ulliri i virgjër, në paketime 0,5 litra dhe 1 litër. Në subjekt u bllokua sasia 171 litër vaji, e cila do të qëndrojë e bllokuar deri në daljen e përgjigjes së analizes. Subjekti duhet të tërheqë sasinë e shitur të vajit të ullirit të virgjër”, shkruhet në raportin e auditimit.

Referuar raport-provës së analizës laboratorike nr.4573/2018 datë 17 gusht 2018 për produktin vaj ulliri i virgjër, parametrat e të cilit kanë dalë jashte standardit, u ndoq gjurmueshmëria dhe rezultoi se subjekti, ku u mor mostra e vajit të virgjër, është furnizuar më datë 24 korrik 2018. Lënda e parë është blerë tek fermëri… në datën 04.07.2017 në sasine 4570 litra, e cila është përdorur për vaj sallate në sasinë 3176 litra dhe për vaj ulliri të virgjër “Perla” në porcione 0,5 dhe 1 litër në sasine 854 litra. Subjekti ka shitur nga ky produkt, por nuk bën dot identifikimin e produktit sipas numrit të lotit, pasi në etiketë është stampuar vetëm data e skadencës, pra gjurmueshmëria fuksionon pjesërisht.

Sipas dokumenteve, në subjekt u bllokua sasia prej 171 litra vaj ulliri extra i virgjër, nga të cilat 4 litra u morën mostër për analiza fiziko-kimike pranë DRAKU Tiranë. Kështu, ky produkt do të qëndrojë i bllokuar deri në daljen e pergjigjes së analizës.

Në praktikën e mësipërme të inspektimit, KLSH konstaton se: Në vendimin për marrjen e masës urgjente nuk pasqyrohet si masë administrative bllokimi i produktit. Vendimi i inspektimit është marrë në të njëjtën ditë që janë marrë dhe mostrat për analizën laboratorike, pra pa pritur përgjigjen e tyre.

Problem është edhe sasisa e papërcaktuar e vajit të ullirit në këtë kompani. Sasia e furnizuar nga subjekti nuk është pasqyruar plotësisht. “Nga praktika rezulton se subjekti është fumizuar 2 herë, pra në 2 data, 04.07.2017 dhe 09.01.2017 me produktin vaj ushqimor ulliri, në sasinë totale 5240 litra, pra subjekti ka patur 5240 litra dhe jo 4570 litra sipas pasqyrimit të grupit të inspektimit; Në procesverbalin e inspektimit nuk pasqyruhet se sa litra vaj janë gjendje nga këto dy fumizime dhe sa janë shitur prej tyre, por pasqyrohet vetem shitja e vajit të ullirit “X” në sasinë 854 litra, por jo edhe sasia e cila është përdorur për vaj sallate, pra këtë sasi subjekti e ka shitur apo e ka patur gjendje, për arsye se është një sasi e kunsiderueshme”, raportohet nga KLSH. Nga ana tjetër ekziston shqetësimi se kjo masë nuk ka garantuar plotësisht shitjen nga subjekti të kësaj sasie vaji.

Sipas raportit të KLSH, inspektorët nuk kane marrë mostër për analizë laboratorike edhe nga produkti tjetër, i tregtuar si vaj sallate, pasi ky është pjesë e sasisë së fumizuar (4570 litra, të cilën kompania e ka shitur si vaj sallate dhe si vaj ulliri të virgjër X). Kjo e fundit  doli me rezultate jashtë standardit, sipas analizes laboratorike të kryer në ISUV, me raport-provën nr.4573/2018. Pra, sasia e furnizuar me vaj është e njëjtë, pavarësisht se subjekti e ka përdorur në dy mënyra atë.

“Sa më sipër arrihet në konkluzionin se inspektorët nuk kanë  nuk kanë garantuar mbrojtjen e interesave të konsumatorit, për ushqim cilësor dhe të sigurt”, konkludon auditimi.

Ç’do të bëhet me vajin e ullirit jashtë standardit?

Pas daljes së analizave është kryer një inspektim i ri tek kjo kompani.

Inspektimi u krye me autorizimin nr.AKU-TR-2019-002974-1, datë 29.08.2018. Në procesverbal pasqyrohet se rezultati i analizave ka dalë jashte standardit dhe për këtë ndaj subjektit u vendos gjobë 200,000 lekë.

Në subjekt rezulton se është e bllokuar sasia 171 litra vaj ulliri, sipas bllokimit  të bërë në inspektimin e mëparshëm. Gjithashtu subjektit i lihet detyrë që të tërheqë të gjithë sasinë e vajit të shitur. Në lidhje me produktin e bllokuar dhe atë që do të kthehet nga tregu, subjekti duhet të njoftojë DRAKU Tiranë për parametrat fiziko­ kimike dhe organo shqisore referuar një analize të kryer në lidhje me karakteristikat e cilësisë dhe kriteret e natyrshmërisë.

Sipas detyrës së lënë nga DRAKU, ky produkt duhet të rietiketohet sipas kategorisë së vajit të ullirit referuar raport analizave përkatese.

Në praktikën e mësipërme konstatohet nga KLSH se: “Nuk është përcaktuar afati konkret për tërheqjen e vajit të ullirit nga tregu. Masa e lënë për kryerjen e analizës laboratorike është e pa mbështetur ligjërisht dhe në kundërshtim me rezultatet e raport-provave, pasi ky produkt është analizuar, dhe parametrat e tij fiziko-kimik doën jashtë nonnave, dhe nuk ka arsye të rianalizohet me qëllim që të tregtohet përsëri. Pra, kjo masë e lënë nga inspektorët është në kundërshtim të hapur me ligjin, pasi ky produkt rezultoi i pasigurt”.

Më tej nga KLSH argumentohet se “Masa e lënë për rietiketimin është e pambështetur ligjërisht, pra në asnjë përcaktim në Ligjin nr.87/2013 “për kategorizimin e prodhimit, emërtimin dhe tregtimin e vajit të ullirit dhe vajit të bërsisë së ullirit”, Ligjin e ushqimit si dhe ne VKM nr.1344, date 10.10.2008 32, nuk përcaktohet rietiketimi i ushqimit. Pra, nuk thuhet se në rastet kur etiketa përmban informacion të gabuar, ajo duhet të rietiketohet”.

Por ka edhe një arsye tjetër përse ky produkt nuk mund të rietiketohet.

“Për më tepër që në këtë rast nuk është vetëm problemi i etiketës, por edhe

parametrat fiziko-kimik të produktit të cilat kanë dalë jashte nonnave (koeficentët e përthithjes të cilët janë tregues të oksidimit të vajit dhe pastërtisë së tij si dhe të kushteve të ruajtjes së tij, ku në rast se këto dalin jashtë normave, tregon se vaji nuk është mbajtur siç duhet, pra në enë çeliku inoksi ose shishe qelqi të errët, dhe për më tepër kur oksidimi është në vlera më të larta se norma, rritet mundësia që të rritet numri i peroksideve, të cilat ndikojnë negativisht në vlerat ushqyese të vajit. Gjithashtu, vlera e Delta k, e cila ka dalë mbi normë, tregon praninë e dekolomesve në përmbajtjen e vajit, dhe në këtë rast nuk duhet të lihet për rietiketim, por asgjësimin e tij”.

Dhe më tej raporti vazhdon me konstatimin standard: “Inspektoret nuk kanë vepruar në përputhje me ligjin dhe nuk kanë garantuar mbrojtjen e interesave të konsumatorit, për ushqim cilësor dhe të sigurt”. Në fakt veprime të tilla të ndërgjegjshme ndaj shëndetit të konsumatorit duhen çuar për hetim si krim kundër personit.

Detyra e DRAKU-së: Të shitet për vaj sallate!

Këta inspektorë kanë zgjidhje origjinale në këtë situatë, kur kompania ka shitur “sapunin për djathë”.

Më 25 shtator 2018, inspektorët janë kthyer në kompaninë e ambalazhimit dhe tregtimit, ku  janë të bllokuara 171 litra vaj ulliri dhe 157 litra të tjera të kthyera nga tregu sipas detyrës së lënë.

Sipas vendimit, subjekti mund të fillojë të përpunojë vajin e bllokuar (vaj ekstra i virgjër dhe vaj i virgjër) me qëllim përpunimin e tij si vaj sallate! Gjithashtu subjekti duhet të analizojë vajin e sallatës në laborator dhe të pajiset me raport analizën përkatëse sipas treguesve të vajit të sallatës. Kompania mbasi  të marrë raport provën e testimit të kryejë etiketimin e produktit si vaj sallate.

Sigurisht që nuk gjen mbështjet në ligj as në logjikë lejimi i subjektit  që të vazhdojë t’i përpunojë dy vajrat e mësipërm dhe t’i tregtojë ato si vaj sallate. Kjo sjell keqinfonnim të konsumatorit si rrjedhojë e etiketimit të produktit si vaj sallate, ndërkohë që nuk mund të cilësohet si vaj sallate, pasi që të konsiderohet i tillë, duhet të ketë në përbërje të tij vaj luledielli në masën 85% dhe vaj ulliri në masën 15%, referuar standardit shtetëror, dhe jo vaj ekstra të virgjer dhe vaj të virgjër.

KLSH: Analizat e vajit të ullirit, rezultate të pabesueshme

Janë disa analiza të kryera çdo muaj, me mostra të marra tek një prodhues i vajit të ullirit, të cilat tregojnë se laboratori i DRAKU-së Tiranë nxjerr rezultate të pabesueshme.

Kështu, praktika e parë mban datën 26 shtator 2018. “Produktet: Vaj i përzier. Treguesit e analizuar: Aciditeti, lagështia, peroksidet. Tarifa e analizës për këtë tregues: 1,680 lekë gjithsej. Rezultati: Brenda normës”. Në këtë praktikë konstatohet nga KLSH se:  Fletë-shoqërimi i mostrës nuk është plotësuar në përputhje me ligjin. Konkretisht nuk është plotësuar, vendi i marrjes së mostrës,  paketimi, sasia dhe lloji i paketimit të kampionit, temperatura e transportit të mostrës, data e skadencës; Raport-prova nuk është sipas formatit të përcaktuar si dhe nuk janë plotësuar në përputhje me përcaktimet ligjore. Konkretisht nuk është plotësuar siç duhet vendi i kampionimit të mostrës (loti, prodhimi), origjina e mostrës, kushtet e ruajtjes; Standardi shtetëror i referuar për përcaktimin e normave (1414-87) i përket vajit të sallatës, ndërkohë në fletë-shoqërimin e produktit nuk përcaktohet si vaj sallate, por vaj i përzier, dhe nuk përcaktohet që ky vaj është i përbërë nga 85% vaj luledielli dhe 15% vaj ulliri, që të analizohet si vaj sallate, referuar faktit të cituar edhe më sipër.

Produktet e këtij subjekti dalin të gjitha brenda normës, por ka diçka që nuk shkon. I tillë është rasti i mostrës së analizuar më 17.12.2018 për produktet vaj ulliri extra i virgjer dhe vaji i bersise, për treguesit: Aciditeti, lageshtia, peroksidet.

Në praktikën e mësiperme, nga auditimi zbulohet se “Në fletë-shoqërimin e mostrës pasqyrohet si sasi e sjellë vetëm 0.5 litra kampion, ndërkohë sipas 2 raport­ provave rezulton se janë sjellë 1 litër. Pra nuk përputhen të dhënat e fletë-shoqërimit me raport­ provën. Këta shembuj tregojnë se në Laboratorin e DRAKU-së e vërteta e analizave të produkteve ushqimore (në këtë rast vaji u llirit) është peng i “gabimeve” subjektive. (vijon)

*KLSH ka kryer një  konktroll në Drejtorinë Rajonale të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit Tiranë (DRAKU) për periudhën nga data 1 janar 2018 deri 30 dhjetor 2020. Nga kontrolli rezultojnë shkelje të rënda financiare, të Ligjit për ushqimin dhe vendimeve të qeverisë për kontrollin e cilësisë së produkteve ushqimore, duke mos mbrojtur interesin e konsumatorit.

Qendra Alert

alert.al/

Mbahet para-Samiti për sistemet e ushqimit të Kombeve të Bashkuara

Gjatë ditës së sotme ka nisur në Romë para-samiti për Sistemet e Ushqimit të Kombeve të Bashkuara, i cili do të shërbejë si një takim përgatitor për ngjarjet globale që priten të ndodhin në shtator të këtij viti në New York.Para-samiti do të bëjë një përmbledhje të përqasjeve shkencore në të gjithë botën, për të forcuar koalicionet e grupeve të interesit si dhe për të mobilizuar partnershipet dhe financime të reja në këtë fushë.

Me këtë para-samit, Kombet e Bashkuara shprehin angazhimin për të promovuar të drejtat e njeriut dhe për të siguruar që çdo njeri të ketë një mundësi për të marrë pjesë.

Eventi është i hapur për të gjithë, dhe mund të ndiqet virtualisht. Por ndërkohë grupe të ndryshme sociale dhe disa shkencëtarë e kanë bojkotuar këtë para -samit duke deklaruar që ai përfaqëson interesat e firmave të mëdha të agrobiznesit.

Sipas këtyre lëvizjeve, që shprehen se përfaqësojnë fermerët e vegjël kudo nëpër botë, ‘për të kuptuar shkakun e bojkotimit nga lëvizjet sociale të para-Samitit, duhet të kuptojmë sesi funksionojnë sot sistemet e ushqimit’. Sipas tyre, janë vetëm disa kompani të mëdha që mbizotërojnë tregun e tanishëm global të ushqimit dhe tregtinë e saj. Për shembull, vetëm dy firma – Dow Dupont dhe Monsanto-Bayer Crop Science – kanë rreth 53 përqind të tregut të farërave.

Por, ndërkohë organizatorët e para-samitit i kanë hedhur poshtë këto akuza, duke theksuar që qëllimi kryesor i tij dhe samitit të shtatorit në New York është një sistem më i mirë ushqimor dhe për të reduktuar varfërinë dhe urinë në shkallë botërore.

Burimet: UN Food Systems, AL JAAZERA
Qendra Alert
alert.al