Menu

Kryesore

Pastronte vullnetarisht mjedisin, shqiptari merr çmimin e veçantë

Saimir Dashi, i cili jeton prej vitesh në Livorno është vlerësuar me çmimin “Oscar” në Itali për kontributin që ka dhënë në mjedis. Ideja për të pastruar qytetin e Livornos lindi në një kohë kur kishte mbetur pa punë. Kështu, ai ndërrmerr nismën e bukur sociale dhe ekologjike duke pastruar vullnetarisht detin.

Në pak javë, ai largon shumë mbetje që kanë përfunduar në det. Në pak javë, Saimiri, i njohur dhe si “Pastruesi vullnetar i detit” tërhoqi vëmendjen e autoriteteve vendase, të cilët e vlerësuan me çmimin “Oscar” për vullnetarizëm. Ai madje ka shpikur dhe një pajisje për të mbledhur bishtat e cigareve.

Në një intervistë, ai tha se për të nuk kanë vlerë çmimet por mesazhi që iu përcjell njerëzve për të mbrojtur mjedisin. “Kjo ka ndodhur kur qëndrova pa punë për një kohë dhe lindi ambicia për ambientin dhe fillova dhe jam këtu ku jam sot, merrem me pastrimet. Unë do të mundohem në pjesën time, për sa kam mundësi, që të jap një lloj mësimi, të transmetoj se për çfarë bëhet kjo”-deklaroi Dashi. (ABC)

Qendrq Alert/Alert.al

Si ta parandaloni nxehjen e tepërt të iPhone-it tuaj

Kur iPhone-i i juaj nxehet shumë, do të shihni një sërë shenjash paralajmëruese. Do të jetë i nxehtë për t’u prekur, por mund të vëreni gjithashtu se po funksionon më ngadalë, ekrani është zbehur, telefoni nuk mbushet ose kamera refuzon të bëjë fotografi. Ju mund të merrni edhe një paralajmërim në ekran për temperaturën nëse nxehtësia është shumë e tepërt. Kur shfaqet ky paralajmërim, mund të bëni vetëm telefonata urgjente derisa telefoni juaj të ftohet.

Nxehtësia nuk është e mirë për iPhone-in tuaj dhe mund të dëmtojë komponentët e brendshëm, veçanërisht baterinë dhe procesorin, nëse e lini të nxehtë për një kohë të gjatë. Por si mund të parandaloni nxehjen e tepërt të iPhone-it tuaj.

Pse nxehet iPhone-i?

Nëse jashtë është nxehtë dhe e lini iPhone-in tuaj në rrezet direkte të diellit ose në makinë, ka shumë mundësi që të nxehet.

Kjo mund të ndodhë gjithashtu nëse iPhone-i juaj po ekzekuton shumë aplikacione ose funksione të tjera me procesor intensiv – të tilla si lojëra, transmetim video HD ose duke përdorur navigimin GPS.

Si të ndaloni nxehjen e tepërt të iPhone-it tuaj

Kur vëreni se iPhone-i juaj është nxehur shumë, të veproni shpejt është mënyra më e mirë për të shmangur dëmtimin e komponentëve të tij të brendshëm.

Mbyllni të gjitha aplikacionet

Zbutja e ngarkesës së procesorit mund të parandalojë gjenerimin e nxehtësisë së tepërt dhe shterjen shumë të shpejtë të baterisë. Pra, mbyllja e të gjitha aplikacioneve duhet të jetë gjëja e parë që bëni.

Ri-startoni iPhone-in tuaj

Nëse nuk keni kohë ose durim për të mbyllur aplikacionet tuaja, thjesht mund të ri-startoni iPhone-in – kjo do të mbyllë automatikisht të gjitha aplikacionet e hapura. Procesi i ri-startimit të iPhone-it tuaj ndryshon.

Kaloni te një karikues zyrtar i Apple

Disa karikues jashtë markës janë më të lirë se ata zyrtarë të Apple. Por kjo për shkak se karikuesi nuk është bërë saktësisht për të ushqyer sasinë e kërkuar të energjisë. Kështu që mund të jetë duke e mbingarkuar pajisjen tuaj. Ndërrimi i tij me një karikues nga Apple mund të ndihmojë këtu.

Përdorni modalitetin e aeroplanit (Airplane mode)

Lidhja e vazhdueshme me internetin mund të jetë burimi i problemit të nxehjes të tepërt që po përjetoni. Nëse është kështu, aktivizimi i modalitetit të aeroplanit mund t’ju ndihmojë ta kapërceni atë.

Bëjini iPhone-it ‘update’

Sigurohuni që të përdorni gjithmonë versionin më të fundit të iOS, pasi ai vjen me përmirësime të performancës që mund të parandalojnë nxehjen e tepërt të telefonit tuaj. Ju gjithashtu duhet të përditësoni aplikacionet tuaja për të njëjtën arsye, për të hequr arnimet për defektet që mund të shkaktojnë probleme të performancës që mbingarkojnë procesorin.

Qendra Alert/Alert.al

Shqiptarët me pasaporta false drejt Britanisë, bashkë me patentën 2600 paund

Emigrantët shqiptarë po përdorin pasaporta false të shtetasve nga vendet e Bashkimit Europian për t’u futur në Britaninë e Madhe. Në këtë konkluzion arriti investigimi i realizuar nga media britanike “The Sun”, e cila tregon se sa të sofistikuar janë bandat shqiptare të cilat mundësojnë transportimin e emigrantëve drejt Mbretërisë së Bahskuar.  Sipas medias britanike, bandat shqiptare po kopjojnë çipat biometrike të pasaportave reale të shtetasve nga vende të ndryshme të Bashkimit Europian. Madje cmimi i pasaportës së rreme bashkë me lejen e drejtimit kushton 2600 paund. Shqiptarëve u ndalohet hyrja në Britani pa viza, por mund të hyjnë si turistë ose për biznes duke përdorur pasaporta nga një vend i BE-së.

“The Sun” publikon foto të një pasaporte greke me të dhëna biometrike të prodhuara nga trafikantët. Një e re shqiptare i reklamon këto dokumente të falsifikuara edhe në TikTok, ndërsa tregon jetën e saj të begatë në Britaninë e Madhe. Shtetësja në Tik Tok I.D. e përdorur nga bandat për të reklamuar mashtrimin, u thotë 239,700 ndjekësve të saj se si të “hapin llogari bankare false, të sigurojnë pasaporta, ID dhe leje drejtimi false”.

Një zhvillim i tillë vjen në një moment kur kryeministri britanik Rishi Sunak dhe presidenti francez Emmanuel Macron po rregullojnë marrëveshjen e tyre për të goditur kalimet në kanalin e La Manshit. Një shqiptar tha për median britanike se “bandat janë gjithmonë një hap përpara.

“Biznesi i pasaportave të rreme po lulëzon sepse ato janë kopje të sakta të pasaportave reale dhe  i lejon emigrantët të shmangin rrezikun e kalimit dhe mjerimit të kampeve në Mbretërinë e Bashkuar.”

Emigrantët e paligjshëm shmangin aeroportet e Londrës ku kontrollet kufitare janë më të rrepta, duke zgjedhur qendra më të vogla si Birmingham dhe Mançester.

The Sun kontaktoi me trafikantët të cilët thanë në ËhatsApp se Pasaporta bashkë me ID dhe patentët shkon në 3000 Euro. Të pyetur nëse falsifikimet ishin përdorur me sukses për të hyrë në Britani, ata u përgjigjën: “Po, kryesisht me pasaportë bullgare”.

Qendra Alert/Alert.al

Miliona euro të paguara në çmimin e naftës, por koncesioni i markimit nuk funksionoi

Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, paralajmëroi ngritjen e një sistemi të ri gjurmimi për karburantet, pasi sistemi aktual nuk ka funksionuar. Aktualisht, markimi dhe gjurmimi te nafta e hedhur në treg kryhet prej 9 vjetësh nga kompania koncesionare GFI Albania. Për këtë shërbim që rezultoi i paefektshëm në luftën kundër evazionit dhe kontrabandës së naftës, në total janë paguar nga konsumatorët në çmimin e naftës rreth 30 mln euro. Shoqata e Hidrokarbureve, që paralajmëroi mosfunksionimin e gjurmimit edhe 8 vite më parë, pohon se çmimi i naftës nga kjo taksë absurde është rënduar 1 lekë për litër. Koncesioni për markimin dhe gjurmimin e karburanteve u ka kushtuar konsumatorëve rreth 30 milionë euro, që ata kanë paguar në çmimin e naftës (shifra bazohet në të ardhurat nga tarifat të koncesionarit për periudhën 2013-2021, sipas bilancit zyrtar).

Por, kontrata e nënshkruar me afat 10-vjeçar, ku i është dhënë e drejta ekskluzive koncesionarit GFI Albania për kryerjen e shërbimit me qëllim luftimin e evazionit, rezulton se ka qenë e paefektshme, sipas pohimeve të vetë zyrtarëve të qeverisë. Barra e kësaj kontrate rrezikon të vijojë të rëndojë mbi shtetin dhe konsumatorin. Shteti shqiptar kërkon të ngrejë një sistem të ri për gjurmimin e naftës, ndërsa kompania koncesionare ka hapur procesin gjyqësor me qeverinë për markimin e naftës bruto. Ashtu siç paralajmëroi edhe 8 vite më parë Shoqata e Hidrokarbureve, sistemi i gjurmimit të karburanteve në Shqipëri, nëpërmjet kontratës koncesionare të miratuar në vitin 2011 ka dështuar.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, paralajmëroi deputetët në Komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave për ngritjen nga e para të një sistemi të ri gjurmimi për naftën, ndërsa tha se shteti shqiptar është në gjyq për këtë proces, pasi ai ka mbetur i pazbatuar.

“Komponenti i gjurmimit te karburantet mbetet i pazbatuar. Për këtë komponent jemi në proces gjyqësor më X kompani. Në planet e qeverisë shqiptare ishte edhe kryerja e gjurmimit të karburanteve, proces i cili nuk ka filluar. Kjo lidhet me gjyqin e shtetit shqiptar me një kompani edhe me ngritjen e një sistemi gjurmimi nga e para”.

Kompania koncesionare e markimit të karburanteve Global Fluid International Albania (GFI Albania) ka hedhur në gjyq vendimin e Këshillit të Ministrave për gjurmimin e karburanteve. Administratori i GFI Albania z. Ergys Sela  tha se nuk është në dijeni të deklaratave të ministres së MFE Delina Ibrahimaj për mosfunksionimin e sistemit të gjurmimit të naftës. Ndërsa i pyetur për arsyet e nisjes së procesit gjyqësor ndaj shtetit shqiptar, z. Sela nuk pranoi të komentonte.

Për këtë kontratë koncesionare, që kishte si qëllim markimin dhe gjurmimin e karburanteve, i cili rezulton i paefektshëm, të ardhurat e kompanisë për periudhën 2013-2021 ishin 3.4 miliardë lekë (rreth 30 mln euro). Tarifa e koncesionit është paguar nga konsumatori, pasi ka rritur çdo vit çmimin e naftës 1 lekë për litër.

Kontrata u miratua nga qeveria e mëparshme në vitin 2011, me një ofertë të pakërkuar nga kompania ndërkombëtare Global Fluid International, me justifikimin se GFI ishte e specializuar në prodhimin e kimikateve dhe ka filluar të zbatohet në vitin 2013. Qëllimi i koncesionit ishte të garantonte cilësinë e produktit (mospërzierjen e tij) dhe mosndërrimin e destinacionit të karburantit (p.sh., që nafta e cila përdoret për peshkimin të mos hidhej në treg). Kontrata koncesionare për markimin e karburanteve me kompaninë GFI Albania do të mbyllet në gusht të vitit 2023. Sipas përcaktimeve të afatit në kontratë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ngriti një grup pune me ekspertë të saj dhe Doganave të Përgjithshme për zbatimin e procedurave të mbylljes së koncesionit.

Por kompania koncesionare GFI Albania ka bllokuar procesin e grupit të punës për mbylljen e koncesionit, me pretendimin se ende nuk është realizuar një element i kontratës, ai i markimit të naftës bruto. Ky është rasti i dytë në Shqipëri, pas atij të koncesionit të pullave fiskale që pretendimet e kompanive koncesionare, po nxisin debate për afatet e përfundimit të kontratave, ndërsa tarifat e larta apo absurde të këtyre shërbimeve i paguan konsumatori. Burime nga grupi i punës pohuan për “Monitor” se nuk janë lejuar të zhvillohen procedurat e mbylljes së koncesionit, pasi janë ndeshur me pretendimet e kompanisë për moszbatimin e një komponenti të saj, atë të markimit të naftës bruto.

Qëllimi i grupit të punës ishte përgatitja e inventarit për pajisjet e instaluara nga subjekti dhe përcaktimi se cila prej tyre do të kalonin në pronësi të shtetit. Burime nga grupi i punës shtuan se nga MFE nuk u janë komunikuar ndryshime në afatin e përfundimit të kontratës. E gjitha kjo, sipas ekspertëve, tingëllon absurde, kur nafta bruto e destinuar për rafinim, ose për eksport ku depozitohet në zona të lira doganore, nuk markohet në asnjë vend të botës, ndërsa për cilësinë e naftës bruto të prodhuar në Shqipëri, koncesionari ka tentuar ta zbatojë, por teknikisht, procesi ka rezultuar i pasuksesshëm.

Mosmarkimi i naftës bruto ndezi debate edhe në fillimet e zbatimit të kontratës koncesionare, ku grupet e interesit paralajmëruan që teknikisht procesi është i pamundur të realizohet.

Markimi nuk funksionoi, nafta nuk gjurmohet

Nafta që hidhet në treg nuk markohet në asnjë shtet të Europës, me përjashtim të disa shteteve në Afrikë. Në Shqipëri, është përcaktuar me kontratë koncesionare të kryhet ky shërbim, por që teknikisht edhe pas 10 viteve në fuqi, shërbimi rezulton i parealizueshëm. Moskryerja e këtij procesi nuk e garanton gjurmimin e naftës dhe asnjë efekt në luftën kundër evazionit, kontrabandës apo kontrollin e cilësisë së naftës.

Kryetari i Shoqatës së Hidrokarbureve, Luigj Aliaj, tha se tarifa e koncesionit është një taksë shtesë absurde që i ngarkohet produktit të naftës, për një proces teknikisht të parealizueshëm nga koncesionari, pasi hedhja manualisht e markuesit në autobote, nuk garanton homogjenitetin.

Për këto arsye, Shoqata e Hidrokarbureve kërkon përfundimin e kontratës dhe mospenalizimin më tej të importuesve me këtë taksë absurde. Mosfunksionimi i skemës së markimit të naftës u paralajmërua edhe 8 vite më parë nga Shoqata e Hidrokarbureve. Luigj Aliaj thekson se problematika edhe aktualisht vijon të jetë njësoj e pranishme, ndërsa sipas tij importuesit paguajnë për markimin 6 deri në 7 milionë euro në vit.

Në një letër të posaçme për këtë çështje, Shoqata e Hidrokarbureve në vitin 2015 lajmëroi Ministrinë e Financave si palë kontraktore me koncesionarin, se po lejon GFI Albania të shkelë të gjitha të drejtat dhe të abuzojë, në mënyrë të paligjshme, mbi subjektet detyruese, pa asnjë lloj alternative kontrolli, ankimi dhe as kërkese për zbatimin e investimeve që ai detyrohet me ligj.

“Produkti që ky koncesionar përdor si markues, nuk e di askush se çfarë përmbajtje ka, nëse paraqet rrezik për njerëzit dhe automjetet. Së dyti, nga verifikimi në vend rezulton se, në mënyrën që ky koncesionar e kryen injektimin, nuk arrin që markuesi të shpërndahet në mënyrë uniforme. Pra nuk e realizon dot procesin e markimit dhe për pasojë, në çdo rast, ka dështuar me monitorimin. Pra nuk kryen monitorim, por vetëm merr tarifën nëpërmjet dhunës që i garantojnë VKM-të.

Në kontratë përcaktohet qartë specifikimi teknik për makineri dhe pajisje, se koncesionari duhet të ndërtojë për injektimin e markuesit në karburant një sistem injektimi manual, ose automatik, dhe sistemi i pompave të procesionit duhet të jetë i kompjuterizuar dhe të transmetojë në kohë reale të dhënat. Por sot e kësaj dite, investimi është zero. Nuk është ndërtuar asnjë impiant. Injektimi bëhet duke hedhur markuesin nga disa epruveta me dorë në autobot. Ndërsa përqendrimi i markuesit, sipas marrëveshjes, duhet të jetë 4 gramë për 1000 litër, hedhja me dorë e ngjyrës në autobot e bën totalisht të pamonitorueshme këtë normë.

Paradoksi tjetër është se importuesve, kompania koncesionare nuk u jep asnjë certifikatë cilësie për markuesin që hidhet në karburant dhe për më tepër, asnjë autoritet shqiptar nuk e certifikon. Për më tepër, koncesionari nuk e garanton homogjenitetin e përqendrimit të markuesit në momentin e markimit (për arsye se nuk ka ndërtuar impiantet përkatëse), por pretendon se kjo ndodh, pasi autoboti të këtë udhëtuar të paktën 10 deri 20 km. Sipas këtij kriteri absurd që aplikon koncesionari, meqenëse shumica e konsumit është e përqendruar në Tiranë-Durrës, i bie që shumica e autoboteve të mos e përshkojnë këtë distancë, çka do të thotë se monitorimi që kërkohet të bëhet në treg është vetëm një tallje dhe dhunim i subjekteve detyruese. Ligji i detyron grosistët që pas markimit në magazina duhet të mbahet një mostër nga karburanti, në mënyrë që ajo të krahasohet me pikat e pakicës. Por në kushtet në të cilat kryhet markimi, kjo nuk mund të ndodhë”, theksohej në shqetësimin e ngritur më herët nga kjo shoqatë. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Nutricioniste Hyrida Basha: Roli i ushqimit kur trajtohemi me antibiotikë

E ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Hyrida Basha nutricioniste foli për problemet që shkakton antibiotiku në zorrë dhe rëndësia edhe e ushqimit kur ne trajtohemi më këtë medikament.

“Ushqimi ka rëndësinë e vet, pasi nëse i referohemi veprimit të antibiotikut, zorra dëmtohet. Antibiotiku rezistencë, kemi të bëjmë me ato baktere të cilat nuk vriten nga antibiotiku për të cilat është krijuar, lejon kontaminimin e baktereve të tjera përreth dhe ndodh të prekë edhe baktere të tjera, ndaj është mirë që gjatë trajtimit me antibiotikë të përdorim edhe probiotikët. Sa i takon ushqimit, në studimet e fundit është treguar që individët që kanë një dietë të pasur me fibra dhe të varfër me proteina shtazore kanë një përgjigje më të mirë ndaj antibiotikëve dhe një faktor i rëndësishëm është edhe higjena personale, si për fëmijët e vegjël, por edhe për të rriturit. Kemi të bëjmë edhe me prekjen që mund të kontaminojmë ushqimin, sipërfaqet edhe uji i kontaminuar mund të jenë një nga rreziqet e shumimit të baktereve në organizëm. Antibiotiko-rezistenca ka lindur pasi bakteret krijojnë një vetëpërshtatje, mbrojtje, ndaj puna bëhet më e vështirë për mjekët, ndërsa për nutricionistët bëhet më e vështirë kur problemi lidhet me zorrët për shkak të dëmtimeve që vijnë nga antibiotikët. Probiotikët janë ato elementë që ndihmojnë florën intestinale të përmirësohet. Ne bashkëjetojmë me trilion mikroorganizma në zorrë, lëkurë, mushkëri dhe organet gjenetale. Kanë nevojë për pro dhe posbiotikë, që janë ushqyesit e tyre. Merren edhe përmes ushqimeve, por edhe me kapsula apo bustina. Kur trajtohet me antibiotikë ka tendencë të dëmtohet flora intestinale ndaj rekomandohet të bashkëshoqërohet me vitaminën c dhe probiotikun”-tha Hyrida Basha.

Qendra Alert/Alert.al

Mjekja infektologe Migena Qato: Rezistenca ndaj antibiotikëve, problem kërcënues për jetën

E ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Dr. Migena Qato mjeke infektologe, shërbimi Infektiv në QSUT foli për rezistencën ndaj antibiotikëve dhe rastet kur kthehet në kërcënues për jetën.

“Sëmundje apo jo, rezistenca ndaj antibiotikëve ka impakt si për sa i përket sëmundshmërisë ashu edhe mortalitetit që po merr nga një përshkallëzim i lartë global. Infeksionistët e prekin më shumë këtë problem dhe përpiqen t’i japin zgjidhje me regjime terapeutike. Përshkrimi i antibiotikëve është problematikë e madhe që nis që nga mjeku kur e përshkruan pa kriter, pra përshkrimi i tepërt i antibiotikëve dhe përdorimi jo adekuat i antibiotikëve. Shpeshherë është një mjekim i dhënë në mënyrë simptomatike, duke qënë se ndonjeherë na mungojnë resurset laboratorike për të dhënë një diagnozë të qartë. Mes tyre mosndërgjegjësimi i popullatës për rrezikun që sjell antibiotiko- rezistenca. Ndeshim raste të tilla, përbën një problem sepse arrin të jetë kërcënues për jetën. Shpesh na ndodh edhe pse jemi në dijeni të rezistencës ndaj antibiotikëve, kalohet në një antibiotik të një gjenerate të fortë për sëmundjen dhe ky antibiotik mund të jetë jo i targetuar, mund të mos jetë me natyrë bakteriale, por natyrë virale dhe mjeku i orintuar keq me diagnozë mund ta trajtojë dhe ta thellojë problemin. Kemi edhe një pjesë të popullatës që kërkon me ngul përdorimin e antibiotikut, prerenton se ka njohuri për antibiotikët”-deklaroi Dr.Migena Qato.

Qendra Alert/Alert.al

Mjeku Besnik Jakaj: Keqtrajtimi i mjekëve me antibiotikë dhe papërgjegjshmëria e farmacive po rrit sëmundshmërinë

I ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Besnik Jakaj mjek nefrolog foli për rrezikun nga rezistenca ndaj antibiotikëve, keqtrajtimin me antibiotikë dhe efektet në infeksionet urinare, veshka, mëlçi etj.

“Efektet e rrezikshme që jep rezistenca ndaj antibiotikëve?
Është një problem që nuk e zgjidh nje ministër, drejtor, por është problem ndërgjegjësues. Është një problem global, pastaj nga mungesa e aftësive të institucioneve, nga papërgjeshmëria e mjekëve, pastaj farmacistëve duke shkelur zbatimin e ligjin dhe papërgjegjshmëria e qytetarëve shkaktojnë këto dëme. Në 17 vitet e fundit, po t’i referohemi statistikave të rezistencës ndaj antibiotikëve që pastaj japin efekte në veshka, mëlçi dhe infeksione urinare është shumëfishuar. Edhe për shkak të ndryshimit të gjeneratës së antibiotikëve të daljes së gjeneratave të reja, të lehtësimit të antibiotikëve, të lehtësisë së marrjes së informacionit për përdorimin e antibiotikut dhe pastaj keqmjekimi. Problem në veshka dhe në infeksione urinare për shkak të infeksioneve të përsëritura dhe të mjekimit me antibiotikë. Infeksionet, mbi 70% të femrave në botë vuajnë nga infeksione urinare, kryesisht nga mosha adoleshente deri në 55 vjeç. Kjo grupmoshë vuan në mënyrë dramatike në nivel botëror, një element i rëndësishëm është trajtimi me antibiotikë. Për trajtimin e infeksioneve urinare, mjekët marrin një skemë shabllon pa u thelluar, iu duket lehtë dhe në faj të pacientit, fillon trajtimin me antibiotik. E ndërpret dhe e rifillon sërish pa bërë analizë, për të parë infeksionet bakteriale të mbivendosura, për të përzgjedhur mjekimin dhe dëmet që shkaktohen nga antibiotikët në infeksionet urinare dhe pastaj kalojmë në veshka, japin dhe në organe të tjera. Në mëlçi, përdorimi i disa klasave të antibiotikëve është problem madhor global, infeksionet urinare të keqtrajtuara me antibiotikë dhe mbrapa nuk gjen trajtim sepse ka mbivendosje të baktereve. Duhet zgjedh ilaçi i duhur, skema e mjekimit e duhur e bazuar në analiza përkatëse dhe kohëzgjatjen e përcakton mjeku. Në rastin e pandemisë është bërë baterdi në përdorimin e barnave, informacioneve online apo konsulta me mjekë joprofesionistë, janë përdorur masivisht antibiotikët dhe papërgjegjshmëria e farmacive japin pasoja të gjatë në shëndetin e popullatës dhe rrit sëmundshmërinë”-u shpreh mjeku Besnik Jakaj.

Qendra Alert/Alert.al

Dr.Lindita Molla nga ISHP: Lufta ndaj rezistencës anti-mikrobike, ndërgjegjësimi i popullatës

E ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Dr. Lindita Molla, shefe e Departamentit të vlersimit dhe trajtimit të risqeve në ISHP ka folur për rezistencën anti-mikrobike dhe qëllimin e strategjisë për AMR.

“Rezistenca anti-mikrobike (AMR) ndodh kur kemi zhvillim te rezistences se mikro-organizmave (bakteriet, viruset, kerpudhat) ndaj barnave si antibiotiket, antimykotike dhe antivirale.
Qellimi i strategjise per AMR
• Reduktimi i semundshmerise dhe vdekshmerise ne njerez si pasoje e infeksioneve me mikroorganizma qe jane rezistente ndaj antibiotikeve dhe agjenteve te tjere anti-mikrobike.
• Reduktimi kostove te kujdesit shendetesor qe rezultojne nga mungesa e diagnostifikimit te duhur, duke perfshire testet mikrobiologjike si dhe perdorimin e antibiotikeve dhe trajtimet joefektive
• Te mundesoje trajtimin efektiv te infeksioneve ne njerez dhe kafshe duke reduktuar shfaqjen dhe perhapjen e AMR
• Hartimi I protokolleve, udhezuesve dhe metodave standard per parandalimin dhe kontrollin e infekeksioneve.
Kjo Strategji bazohet ne tre elemente kryesor si
(1) Rritja e ndergjegjesimit te popullates dhe profesionisteve ne lidhje me AMR nepermjet nje komunikimi efektiv;
(2) Monitorim i perhapjes se AMR nepermjet nje sistemi survejance te qendrueshem, bazuar ne mbledhjen e te dhenave laboratorike nga niveli lokal (laboratoret rajonal), niveli terciar (laboratoret e QSUT) dhe mbledhja e informacionit ne ISHP (Institut Refrence Kombetr per AMR) ;
(3) Parandalimin dhe kontrollin e infeksioneve
(4) Racionalizimi i perdorimit te Antibiotikeveve.
(5) Zhvillimi I kerkimit shkencor mbi profiling e AMR ne drejtim te qasjes “Nje Shendet”

Gjithashtu informacioni mbi AMR per popullaten duhet te jete i thjeshte dhe i kuptueshem dhe te konsistoje ne kuptimin dhe zbatimin e tij.

  • Antibiotiket duhet te perdoren vetem me keshillimin dhe pershkrimin e mjekut.
  • Antibiotiket nuk veprojne ne gjendjet virale
  • Antibiotiket nuk ndahen me pjestarret e tjetre te familjes
  • Farmacisti duhet ti jap Antibiotiket vetem me pershkrimin nga mjeku

Gjate ketij viti slogani ne Javen Boterore te Njohurive mbi Antibiotiket është ” Ta parandalojme se bashku”. Kështu deklaroi Dr. Lindita Molla.

Qendra Alert/Alert.al

Aksesi i konsumatorëve në barna në BE, problemet me të cilat hasen

Aspirina ose acidi acetilsalicilik është një ilaç i mirënjohur, i zhvilluar në fund të shekullit të 19-të, i përdorur për të lehtësuar dhimbjet e lehta si dhimbje koke ose shpine. Përdoret gjithashtu për parandalimin dhe trajtimin e sëmundjeve kardiovaskulare. Megjithatë, sot është e zakonshme të blesh një kuti aspirinë me kosto të ulët, gjë që nuk ishte gjithmonë kështu.

Kjo shpjegon pse anëtarët e BEUC bënë testin e parë të përbashkët (‘’Euro-Tests’’) një vit pasi organizata lindi në 1962 me çmimet e aspirinës. Rezultatet e publikuara në vitin 1964 treguan se çmimet e paguara nga konsumatorët ndryshonin në vende të ndryshme. Ky studim krahasues mori shumë tërheqje, duke inkurajuar BEUC të krijojë një fond specifik për të mbështetur teste të ngjashme për mallrat e tjera të konsumit.

60 vjet më vonë, anëtarët tanë ende bëjnë teste të përbashkëta përmes Konsorciumit Ndërkombëtar të Kërkimit dhe Testimit të Konsumatorit (ICRT) dhe BEUC, ndaj parimit që konsumatorët të kenë akses të drejtë në barna. Ne vazhdojmë të punojmë në këtë temë sepse ndërkohë që ka pasur përparime të rëndësishme në politikën e konsumatorit dhe shëndetit të BE-së gjatë viteve, çmimet e barnave të reja po rriten dhe njerëzit përballen me pengesa për të marrë akses të përballueshëm. Dhe kriza e kostos së jetesës që po përjetojmë e bën edhe më të rëndësishme që ilaçet tona të qëndrojnë të përballueshme sepse njerëzit do të kërkojnë të shkurtojnë shpenzimet e tyre aty ku është e mundur.

Problemet me të cilat përballen konsumatorët

Për shembull, ilaçet e miratuara nga Agjencia Evropiane e Barnave për sëmundje të rënda si kanceri nuk tregtohen në të gjitha shtetet anëtare të BE-së dhe nëse e bëjnë, mund të ketë mungesa. Sondazhet e kryera nga pesë anëtarë të BEUC tregojnë se mungesat e barnave janë të zakonshme dhe pothuajse në të gjitha rastet ilaçi ishte i përshkruar, gjë që tregon se ai konsiderohej thelbësor. Një sfidë tjetër me të cilën përballet kujdesi shëndetësor është se ilaçet e reja nuk sjellin gjithmonë përfitime domethënëse për konsumatorët. (BEUC)

Qendra Alert/Alert.al

Eurobarometri 2022: Ka më shumë shqetësim për çmimet, sesa për sigurinë ushqimore

Shtetasit evropianë kanë besim në shkencë dhe janë të vetëdijshëm për shumë nga çështjet kryesore në sektorin ushqimor. Megjithëse, që nga sondazhi i fundit i vitit 2019 bota ka ndryshuar dhe ka kaluar nëpër një pandemi, një rritje e përgjithshme e kostos së ushqimit dhe tani një luftë, ku shqetësimi për çmimet është bërë faktori që ndikon më shumë në zgjedhjet, pasuar nga shija.

Këto janë prirjet më të dukshme që dalin nga sondazhi i Eurobarometer 2022 mbi sigurinë ushqimore, i zhvilluar në 27 mijë shtetas europianë dhe tani në edicionin e tij të katërt (i pari në 2005). Faktori i parë është kostoja për 54% të të anketuarve, ndjekur nga shija për 51%, siguria dhe origjina për 46% të pjesëmarrësve, ashtu edhe vlera ushqyese për 41%. Klima dhe mjedisi janë me shqetësim në vetëm 16%, por 75% thonë se janë të interesuar në çështjet e sigurisë.

Në përgjithësi, pothuajse një në dy evropianë e konsideron sigurinë ushqimore të rëndësishme dhe 41% e konsiderojnë atë si të mirëqenë se sigurohet nga organizma të tillë si EFSA dhe disa agjenci kombëtare, të cilat janë krijuar në vitin 2002. Falë tyre, 2/3 e qytetarëve e pranojnë se bashkëpunimi në nivel evropian është efektiv në sigurimin e mbështetjes shkencore për sigurinë ushqimore, e cila është gjithnjë e më e nevojshme, duke pasur parasysh shpejtësinë me të cilën risitë teknologjike në rritje po hyjnë në treg, duke ndikuar në mënyrat se si prodhohet, blihet dhe konsumohet ushqimi. Dhe kjo pasqyrohet në besimin në shkencë: 7 nga 10 evropianë e njohin kontributin e kërkuesve në garantimin e sigurisë ushqimore dhe 8 në 10 u besojnë atyre për informacion mbi sigurinë e tij. Në mënyrë të ngjashme, besimi në institucionet kombëtare dhe të BE është i lartë, në rreth 2/3.

Evropianët po bëhen gjithnjë e më të vetëdijshëm për ndikimin mjedisor të ushqimit, nga një perspektivë e One Health: Shumica e tyre e dinë se gjendja e përgjithshme e mjedisit, kafshët, bimët dhe klima kanë pasoja të drejtpërdrejta në shëndetin e njeriut. (FoodSafety)

Qendra Alert/Alert.al