Menu

Mjedis

Detyrimi i etiketimit mjedisor në ambalazh

Dekreti Legjislativ 3 shtator 2020 Nr. 116, i cili transpozon Direktivën e BE-së 2018/851 për mbetjet dhe Direktivën (BE) 2018/852 për paketimin dhe mbetjet e paketimit. Dekreti ka bërë ndryshime të rëndësishme, duke futur detyrimin e etiketimit mjedisor për të gjitha ambalazhet e lëshuara për konsum në Itali.
Sipas dispozitave, në çdo paketë duhet të ketë një sërë informacionesh për të lehtësuar mbledhjen, ripërdorimin, rikuperimin dhe riciklimin e paketimeve, si dhe për t’u dhënë informacion të saktë konsumatorëve për destinacionin e tyre përfundimtar. Zbatimi i Dekretit do të jetë territori në të cilin do të shitet ambalazhi dhe jo vendi i prodhimit të ushqimit apo produktit, qoftë në BE apo jashtë BE-së.

Teknologjia u ofron mundësi kompanive që duan të vënë në dispozicion të konsumatorëve në mënyrë dixhitale informacion në lidhje me karakteristikat e produkteve të tyre, zinxhirët e furnizimit nga ata vijnë, profilet e tyre ushqyese dhe gjithashtu ndikimin e tyre mjedisor dhe iniciativat e ndërmarra për të vazhduar përmirësimin e tij. Duke u nisur nga zgjedhjet në lidhje me paketimin e miratuar. Për shembull, përmes një kodi QR që u referohet faqeve të internetit ose aplikacioneve të veçanta.
Sidoqoftë, është një praktikë që ende nuk është e përhapur në botën e ushqimeve. Me prezencën më të madhe të produkteve, etiketat e të cilave tregojnë metodat e sakta të grumbullimit të veçantë janë makaronat, me mbi 68% të referencave. Pasojnë ushqimet për fëmijë me 67,9%, ushqimet e ngrira me 65,6%, buka dhe zëvendësuesit me 65,5% dhe gastronomia me perime zëvendësuese me 64,9%. Tendencat më të mëdha të rritjes, nga ana tjetër.janë shënuar në pijet e freskëta, në sektorin e mishit të viçit etj. (IlFattoAlimentare)

Qendra Alert/Alert.al

Ndotje rekord nga çlirimi i dioksidit të karbonit gjatë 2022

Komunitetet në mbarë botën çliruan më shumë dioksid karboni gjatë vitit 2022 se çdo vit tjetër, sipas të dhënave që datojnë që nga viti 1900, thuhet në një raport të publikuar të enjten nga Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë.

Ndotja u shkaktua kryesisht nga shtimi i udhëtimeve ajrore pas bllokimeve nga pandemia, ndërsa shumë qytete po përdorin qymyrin si burim energjie me kosto më të ulët.

Çlirimi i gazeve që shkaktojnë ngrohjen globale, të shkaktuara nga prodhimi i energjisë u rritën me 0.9% duke arritur shkallën 36.8 gigaton në vitin 2022, njoftoi Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë. (Një gigaton është baras me rreth 10,000 aeroplanmbajtëse të ngarkuara plotësisht, sipas NASA-s.)

Dioksidi i karbonit çlirohet nga djegia e lëndëve fosile si nafta, qymyri apo gazi natyral për të vënë në funksionim centralet, automjetet dhe nevojat shtëpiake apo të industrisë. Kur gazet e çliruara futen në atmosferë, ato bllokojnë nxehtësinë duke kontribuar në ngrohjen e klimës.

Moti ekstrem ndikoi tek shtimi i çlirimit të dioksidit të karbonit. Thatësirat ndikuan tek ulja e prodhimit të energjisë elektrike nëpër hidrocentrale, çka rriti nevojën për përdorimin e lëndëve fosile. Valët e të nxehtit shtuan kërkesat për përdorim të energjisë elektrike.

Shkencëtarët e klimës e cilësuan raportin si tejet shqetësues, ndërsa vazhdojnë të paralajmërojnë për shkurtimin e emetimeve në mënyrë dramatike për të ngadalësuar pasojat e tmerrshme të ngrohjes globale.

“Çdo rritje e emetimeve, qoftë edhe 1%, është dështim”, tha profesori i shkencave për sistemin tokësor në Universitetin e Stanford-it Rob Jackson, njëkohësisht dhe kryetar i grupit ndërkombëtar Projekti Global për Karbonin. “Njerëzimi nuk mund ta përballojë rritjen (e emetimeve) apo ngecjen në vend. Ose duhet shkurtuar (ndotja) ose planeti do të përfshihet nga kaosi. Çdo vit që shoqërohet me emetime më të larta nga qymyri është një vit i keq për shëndetin tonë dhe për Tokën”.

Vitin e kaluar emetimi i dioksidit të karbonit nga qymyri u rrit 1.6%. Shumë komunitete, kryesisht në Azi, kaluan nga përdorimi i gazit natyror tek qymyri për të shmangur çmimet e larta të gazit natyror që u përkeqësuan nga agresioni rus në Ukrainë, tha Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë, shkurtimit IEA.

Ndërsa u rrit trafiku ajror në shkallë botërore, po ashtu u shtua edhe çlirimi i dioksidit të karbonit nga djegia e karburanteve në masën 2.5%, me rreth gjysmën e rritjes së shkaktuar nga industria e aviacionit.

Të dhënat nga IEA tregojnë se ndotja është përshpejtuar, me përjashtim të vitit 2020, kur u ndaluan udhëtimet.

Masa e ndotjes gjatë vitit të kaluar, ndonëse një nivel rekord, ishte më e ulët nga sa ishte parashikuar nga ekspertët.

Zhvillimi i energjisë së ripërtëritshme dhe përhapja e makinave elektrike ndihmuan në parandalimin e çlirimit të rreth 550 megatonëve dioksid karboni, sipas IEA.

Masat e rrepta për pandeminë dhe rritja e dobët ekonomike në Kinë po ashtu reduktuan prodhimin, duke ndihmuar në kufizimin e emetimeve në shkallë botërore. Sipas raportit, prodhimi i energjisë elektrike nga dielli dhe era në Evropë e tejkaloi për herë të parë prodhimin e energjisë nga centralet bërthamore apo ato me gaz.

Drejtori ekzekutiv i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë, Fatih Birol tha përmes një deklerate se, “Pa energji të pastër, rritja e ndotjes nga dioksidi i karbonit do të kishte qënë gati tre herë më e lartë”.  Associated Press

Qendra Alert/Alert.al

Publikohet metodologjia e zbatimit të prokurimeve të gjelbra në Shqipëri

Agjencia e Prokurimit Publik publikoi udhërrëfyesin dhe metodologjinë e zbatimit të prokurimeve të gjelbra në Shqipëri, e cila do të ndihmojë autoritetet kontraktore gjatë procesit.

Këto dokumente përcaktojnë se përkufizimi prokurim i gjelbër(PPGJ) është “procesi me anë të të cilit autoritetet/entet kontraktore kërkojnë të prokurojnë mallra, shërbime dhe punime me ndikim më të ulët mjedisor gjatë të gjithë ciklit të tyre të jetës, krahasuar me mallrat, shërbimet dhe punimet me të njëjtat funksione parësore që do të prokuroheshin me kërkesa të tjera”.

Për autoritetet kontraktojë futja e kësaj praktikë do të thotë studim të detajuar paraprak të tregut përpara nisjes, në mënyrë që të bëhet përcaktimi i disponueshmërisë, kostove, ndërlikimeve praktike të alternativave me ndikim më të ulët në mjedis, si dhe identifikimi i furnizuesve të mundshëm, veçanërisht për prokurimet e mallrave apo shërbimeve novatore.

Po kështu në fazën e përcaktimit të objektit të kontratës udhëzuesi përcakton se  autoritetet/entet kontraktore që zbatojnë PPGJ-në duhet të përcaktojnë objektin e kontratës duke iu referuar përshkrimit të mallit, shërbimit apo punimeve, përfshirë edhe kriteret më të rëndësishme të gjelbra, ose duke përfshirë një përkufizim që lidhet me funksionin ose performancën e kontratës së gjelbër përkatëse. Metodologjia udhëzuese shoqëruese e cila është bërë publike, për PPGJ-të ofron shembuj ilustrues për përcaktimin e objektit të kontratës nga ana e autoriteteve/enteve kontraktore.

Edhe lidhur me specifikimet teknike, institucionet gjatë hartimit me qëllim zbatimin e PPGJ-ve, përcaktojnë dhe zbatojnë specifikime teknike që përshkruajnë tiparet dhe kriteret e gjelbra duke iu referuar sistemeve, standardeve dhe karakteristikave teknike që janë të përshkruara.

Qendra Alert/Alert.al

Sfidat për reduktimin e mbetjeve elektronike

Njerëzit prodhojnë më shumë se 50 milionë tonë mbetje elektronike çdo vit, përfshirë fotokopjet, televizorët dhe kompjuterat. Pjesë e problemit janë edhe laptopët, kompjuterat e lëvizshëm, por inxhinerët e kompanisë së teknologjisë Dell po punojnë për një qasje të re që mund të shmangë hedhjen e tyre në landfille.
çmonton një laptop.

Dikur për procesin e çmontimit të një laptopi nevojitej një orë, tani duhen vetëm disa minuta.

Trevor Morrison është inxhinier në zyrat qendrore të kompanisë së teknologjisë Dell, në Raund Rok të Tekasit dhe kompjuteri që ai e çmonton me shpejtësi është një prototip i emërtuar ‘Concept Luna’. Modeli është një përpjekje për zgjidhur problemin botëror të mbetjeve elektronike.

Vetëm gjatë vitit 2019 u prodhuan 53 milionë tonë mbetje të tilla.

Një kompjuter i lëvizshëm tradicional përmban një sërë vidash, kabllosh dhe ngjitësish, duke e bërë të vështirë ndarjen e tyre.

“Nëse pajisja elektronike përmban elementë shumë të vështirë për t’u çmontuar, atëherë nevojitet kohë dhe gjasat janë që për shkak të kësaj vështirësie pajisja të mos riciklohet”, thotë zoti Morrison.

‘Concept Luna’ nuk ka asnjë problem të tillë. Ka pjesë të ndërlidhura, të ndërrueshme që e bëjnë më të lehtë riparimin dhe riciklimin. Pjesët e thyera mund të ndërrohen pa zëvendësuar të gjithë kompjuterin e lëvizshëm.

“Edhe nëse butonat nxihen, bëhen pis, ose zbardhen pjesa elektronike është në gjendje shumë të mirë dhe mund të ripërdoret. Pra ky është një rast se si mund të ndryshohet vetëm pjesa e jashtme e tij. Këto pjesë mund të ndryshohen dhe kompjuteri i lëvizshëm të përdoret më gjatë”.

Kompania Dell thotë se falë skicimit të prototipit ‘Concept Luna’ mund të ulet 50% e sasisë së dioksidit të karbonit që laptopët lëshojnë në atmosferë, një gjë e mirë për mjedisin dhe konsumatorët.

“Në vend që të shpenzoni 2 mijë dollarë të tjera për një kompjuter të lëvizshëm të ri, ekziston mudësia që ta riparoni vetë atë, ose t’ia kërkoni këtë dikujt tjetër”.

Tjetri, mund të jetë edhe një robot. Mund të vijë koha që sistemet të tilla të automatizuara mund të riparojnë në shkallë të gjerë kompjuterat e lëvizshëm të veçantë, të krijuar enkas për t’u përmirësuar me programe dhe pajisje të reja, duke ulur edhe më shumë hedhjen e tyre në landfille.

Për bizneset, ndikimi në qëndrueshmëri dhe uljen e kostove mund të jenë thelbësor.

“Veçanërisht nëse përdorimi i prototipit Concept Luna kthehet në realitet. Të dhënat e përftuara nga pjesët individuale të kompjuterave mund të tregojnë edhe sa afat përdorimi ka.

“Fjala është për të dhëna që mund t’i përfitojmë me kalimin e kohës, numrin e herëve të përdorimit të tastierës apo lëvizjes së kursorit. Dhe tregon dhe sa kohë përdorimi ka tastiera apo bateria”.
Bizneset që vendosin të zëvendësojnë kompjuetrat mund t’i mbajnë ende modelet e vjetra.

“Modelet e vjetra mund të skicohen nga e para dhe mund të dërgohen në një organizatë tjetër”.

Këto modele mund të përdoren nga shkollat e shihet si një proces përmes të cilit mund të reduktohen mbetjet elektronike dhe të ulen kostot për konsumatorët. (VOA)

Qendra Alert/Alert.al

Vështirësitë energjetike nxisin zhvillimin e biokarburanteve të reja

Lufta në Ukrainë po nxjerr në pah varësinë energjetike të Evropës nga Rusia dhe po nxit zhvillimin e biokarburanteve të reja, me djegie më të pastër. Spanja po bëhet një udhëheqëse në këtë përpjekje pasi vitin e kaluar ajo filloi të përdorte për avionët karburant të prodhuar nga bërthamat e ullirit.

Në Forumin Ekonomik Botëror të këtij viti në Davos Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se nuk duhet humbur kohë në përpjekjet për kalimin në një ekonomi me energji të pastër.

“Në më pak se tre dekada ne duam të arrijmë në nivelin zero të çlirimit të gazeve që shkaktojnë efektin serrë”, tha ajo.

Industria e aviacionit konsiderohet si një nga armiqtë më të mëdhenj në luftën kundër ndryshimeve klimatike. Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil thotë se nga mesi i viteve 2030 pritet të ketë jo më pak se 200 mijë fluturime në ditë në të gjithë botën.

Përdorimi i karburanteve më të pastra është mënyra e vetme për linjat ajrore për të realizuar objektivat globale të emetimit të karbonit.

Një nismë në Spanjë po përdor mbetjet organike nga bërthamat e ullirit për të prodhuar karburant të qëndrueshëm dhe të pastër për avionët.

“Në rajonin spanjoll të Andalucias, ne kemi 25 për qind të ullishteve në botë, që do të thotë se kemi një nivel të lartë prodhimi. Pra, këtu, logjikisht, ka shumë interes për të shfrytëzuar dhe transformuar mbetjet bimore në biokarburant dhe në produkte të tjera”, thotë Juan Miguel Romero Garcia nga Universiteti i Haenit.

Në një projekt pilot me prodhuesin e biokarburanteve, “Cepsa”, 200 fluturime nga gjashtë kompani të ndryshme ajrore, duke përdorur 4.5 për qind të biokarburantit të prodhuar nga bërthamat e ullirit dhe mbetje të tjera bimore, bënë fluturime komerciale nga aeroporti i Sevijes në fund të nëntorit.

Tani po bëhen hulumtime për prodhimin e një karburanti të ngjashëm për makinat, pa patur nevojë për ndryshime të mëdha në teknologjinë e prodhimit të tyre, në mënyrë që të funksionojë për makinat që janë në përdorim sot.

“Do të përpiqemi të prodhojmë biokarburant shumë të ngjashëm me atë që kemi tani në një mënyrë që do të kërkonte ndryshime të vogla dhe që mund të përdoret sa më shpejt që të jetë e mundur drejtpërdrejt në transport ose në makina”, thotë Juan Miguel Romero Garcia nga Universiteti i Haenit.

Lëndët djegëse fosile të përdorura në Spanjë janë pothuajse tërësisht me origjinë të huaj, kështu që ka një nxitje të madhe për të zhvilluar teknologji të prodhimit të biokarburanteve nga bërthamat e ullirit ose mbetje të tjera bimore në vend.

Perspektiva e shndërrimit të mbetjeve të ullirit në lëndë djegëse dhe produkte të tjera, si materiale ndërtimi, mund të nxisin ekonominë dhe mund të krijojnë vende të reja pune në një rajon të BE-së me një nga nivelet më të larta të papunësisë. (VOA)

Qendra Alert/Alert.al

Studimi: Si ndikon ndotja e ajrit tek kockat, sidomos tek gratë pas menopauzës

Sipas një studimi të ri të shkencëtarëve në Shkollën Mailman të Shëndetit Publik të Universitetit të Kolumbisë, nivelet e larta të ndotësve të ajrit janë të lidhura me dëmtimin e kockave tek gratë pas menopauzës. Efektet ishin më të theksuara në shtyllën lumbare, ku oksidet e azotit ishin dy herë më të dëmshme për zonën sesa në plakjen normale.

Studimet e mëparshme të ndotësve individualë kanë sugjeruar efekte të padëshiruara në densitetin e kockave, rrezikun e osteoporozës dhe frakturën tek të rriturit e moshuar.

Studimi i ri është i pari që hulumton lidhjen midis ndotjes së ajrit dhe densitetit të kockave veçanërisht tek gratë pas menopauzës dhe i pari që heton efektet e përzierjeve të ndotjes së ajrit në rezultatet e kockave.

Studiuesit analizuan të dhënat e mbledhura përmes studimit të Iniciativës për Shëndetin e Grave, një grup etnikisht i ndryshëm prej 161,808 grave në postmenopauzë. Ata vlerësuan ekspozimet ndaj ndotjes së ajrit (PM10, NO, NO2 dhe SO2) bazuar në adresat e banimit të pjesëmarrësve.

Ata përdorën përthithjen me rreze X me energji të dyfishtë për të matur densitetin mineral të kockave (trupin total, kofshën totale, qafën e femurit dhe shtyllën kurrizore lumbare) gjatë regjistrimit dhe në ndjekjet e vitit të parë, të tretë dhe të gjashtë.

Madhësia e efekteve të oksideve nitrik në densitetin mineral kockor të shtyllës kurrizore lumbare arriti në 1.22% ulje vjetore – gati dyfishi i efekteve vjetore të moshës në cilindo nga zonat anatomike të vlerësuara. Këto efekte mendohet se ndodhin përmes vdekjes së qelizave të kockave përmes dëmtimit oksidativ dhe mekanizmave të tjerë.

“Gjetjet tona konfirmojnë se cilësia e dobët e ajrit mund të jetë një faktor rreziku për humbjen e kockave, pavarësisht nga faktorët socio-ekonomikë ose demografikë.

Për herë të parë, ne kemi prova që oksidet nitrik, në veçanti, janë një kontribuues kryesor në dëmtimin e kockave dhe se shtylla kurrizore e mesit është një nga vendet më të ndjeshme për këtë dëm,” tha Diddier Prada, një studiues në Departamenti i Shkencës së Shëndetit Mjedisor në Shkollën e Shëndetit Publik në Columbia Mailman.

Qendra Alert/Alert.al

Pasojat shkatërruese të tërmetit në Turqi dhe Siri

Një kanion 300 metra u krijua në një ullishte në rajonin e Hatajit pas tërmetit vdekjeprurës që goditi Turqinë. Hendeku i thepisur, me rërë që u formua i ngjan një kanioni dhe gropa arrin një thellësi prej 40 metrash. Krijimi i tij është një tjetër demonstrim i fuqisë shkatërruese të tërmetit 7.8 ballë që vrau dhjetëra mijëra njerëz në Siri dhe Turqi dhe shkatërroi blloqe të tëra qytetesh. Disa qytetarë thanë se dëgjuan një shpërthim të madh gjatë tërmetit dhe panë një dritë jeshile në zonë. Irfan Aksu, i cili jeton në zonë, tha se kur filloi tërmeti, ai krijoi “një tingull të pabesueshëm”. “Ishte si një fushë beteje kur u zgjuam,” tha ai.

Qendra Alert/Alert.al

Mbjellja e më shumë pemëve ul vdekjet nga vala e të nxehtit

Më shumë pemë shpëtojnë jetë! Në këtë përfundim ka arritur një studim evropian, sipas të cilit 1/3 e vdekjeve të shkaktuara nga vala e të nxehtit në vitin 2015 mund të ishte shmangur, nëse sipërfaqet e mbjella me pemë në qytete do të ishin rritur me 30%.

Prej kohësh cilësohen si « mushkëritë e planetit », por sipas një studimi të fundit, mbjellja e më shumë pemëve mund të ulë 1/3 e numrit të vdekjeve, të shkaktuara nga vala e të nxehtit.

Studimi i bazuar në statistikat e 93 qyteteve evropiane u publikua së fundmi në gazetën prestigjoze shkencore “The Lancet”.

Ai arrin në përfundimin se 1/3 e vdekjeve të parakohshme për shkak të valës së të nxehtit në qytetet europiane në vitin 2015 mund të ishte shmangur, nëse sipërfaqet e mbjella me pemë do të ishin rritur me 30%.

Sipas këtij studimi, aktualisht mesatarja e sipërfaqeve të mbjella me pemë në qytetet evropiane është nën 15 për qind, ndërkohë që mesatarisht, nga qershori deri në gusht 2015, midis zonave urbane dhe rurale kishte një diferencë temperature prej 1,5 gradë Celcius.

Kjo ka ndodhur për shkak të përkeqësimit të shkaktuar nga ndryshimet klimatike, të dukurisë së njohur si “ishujt e nxehtësisë urbane”, ku ndryshimi i temperaturës vjen si pasojë e ndryshimeve të relievit nga njeriu, për shkak se asfalti dhe betoni thithin rrezet e diellit.

“Reagimet e deritanishme kanë qenë shumë pozitive. E shohim se shumë qytete po bëhen më të gjelbërta. Objektivi ynë prej 30% po realizohet nga shumë qytete. Mendoj se e veçanta në këtë studim është se ai përfshin qytete të ndryshme. Po ashtu, ai është një ndërthurje mes krizës klimatike, gjelbërimit urban, menaxhimit të hapësirave të gjelbërta, shëndetit dhe planifikimit urban. Pra bën bashkë një sërë elementësh”.

Sipas këtij studimi, 3/4 e popullsisë urbane evropiane jeton në zona ku temperatura në qytete është një gradë më e nxehtë se në zonat rurale. Ndërsa 1/5 e popullsisë banon në zona ku temperatura mesatare gjatë verës është dy gradë më e lartë.

Studimi tregon se jetesa në qytete me më shumë gjelbërim sjell mirëqenie shëndetësore, si ulje të sëmundjeve kardiovaskulare, demencias dhe forcim të aftësive mendore tek fëmijët dhe të moshuarit.

“Në një qytet kompakt si Barcelona është e vështirë të gjendet hapësirë për mbjelljen e pemëve. Ndaj aty kërkohet të bëhet diçka më dramatike, bie fjala të hiqet asfalti. Deri tani 60% e hapësirës publike, si për shembull rrugët janë destinuar për automjetet. Në fakt, ne na duhen më pak makina, më pak asfalt dhe më shumë pemë!”.

Qyteti i Barcelonës historikisht ka patur mot të mirë, me dimër dhe verë të butë. Por për shkak të përkeqësimit të krizës klimatike, banorët e tij po preken nga efeket negative të temperaturave të larta në nivele rekord.

Në janar të vitit 2020 qyteti shpalli emergjencën klimatike me synimin që në vitin 2050 të realizojë neutralitetin karbonik, me fjalë të tjera të ekuilibrojë bilancin midis sasive të lëshimit dhe thithjes së gazit karbonik në atmosferë.

Sipas të dhënave statistikore, aktualisht dhe sipas regjistrimit të vitit 2020, sipërfaqja me pemë në Barcelonë është 25, 2%, me rreth 2500, 000 pemë të mbjella.

Coloma Rull, drejtuese e programit të biodiversitetit në Këshillin Bashkiak të Barcelonës ka besim se në një periudhë të shkurtër kohore qyteti do të realizojë objektivin e rekomanduar prej 30%.

“Ne mendojmë se 30% e sipërfaqes nuk duhet të mbulohet vetëm nga pemët, por në përgjithësi nga hapësirat e gjelbërta. Duam lloje të ndryshme pemësh. Jemi në rrugën e duhur. E rëndësishme është që arritja e këtij objektivi të sjellë përfitimet më të mëdha për ekosistemin”, thotë ajo.

Vitet e fundit, autoritetet lokale u kanë dhënë përparësi lagjeve të klasës punëtore larg qendrës së qytetit, shumë prej të cilave ishin lënë pas dore dhe kishin pak zona të gjelbra për qytetarët.

Brenda viti 2024 në Barcelonë pritet të ndërtohet parku më i qytetit, “Glories Park”.

Fernando Fernandez, koordinatori rajonal i Greenpeace në Katalunja thotë se mbjellja e pemëve duhet të kombinohet me ndërhyrje të tjera për të maksimizuar uljen e temperaturës urbane, si zëvendësimi i asfaltit për të ulur temperaturat gjatë natës, përmirësimi i transportit publik dhe pak makina në rrugë.

“Të gjithë e pranojnë se jemi në një emergjencë klimatike”, thotë ai.

Verën e kaluar, Barcelona pati 120 “netë tropikale”, me temperatura minimale që i kalonin 20 gradë Celsius.

Sipas shërbimit kombëtar të motit, viti 2022 ishte viti më i nxehtë në histori në Spanjë, për herë të parë që nga fillimi i regjistrimit të temperaturave në 1961,temperatura mesatare ditore shënoi mbi 15 gradë Celsius. Studimi u krye nga Instituti për Shëndetin Global, Qendra e Përbashkët Kërkimore, Shkolla e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër dhe Universiteti i Nju Jorkut.

Qendra Alert/Alert.al

Fierza mbulohet nga mbeturinat, pas reshjeve të shiut

Liqeni i Fierzës është mbuluar nga mbeturinat, një problem që shfaqet kryesisht pas reshjeve të dendura të shiut. Kryetari i këshillit të qarkut Kukës Abdulla Domi tha se me fondet e BE-së po ndërtohen rrjetat pritëse të lumenjve, që pritet të kenë një impakt pozitiv brenda këtij viti.

Ndotja është një problematike e vjetër, por rrebeshi i mesit të janarit dhe reshjet e fillim-shkurtit e nxorën më në sipërfaqe.

Projekti synon edhe zgjidhjen e problemit të ndotjes nga hedhja e mbeturinave përgjatë lumenjve, që më pas përfundojnë në Fierzë..Dy prita do të vendosen në Lumin Drini i Bardhë në hyrje të zonës së Kukësit dhe dy të tjera në zonën e Xërxës në Rahovec të Kosovës. Projekti është dy vjeçar dhe pritet të përfundojë brenda këtij viti. (Report)

Qendra Alert/Alert.al

OKB duan të rrisin ndërgjegjësimin për rolin e ligatinave

Rezervati natyror “Wicken Fen” në Angli, me një sipërfaqe prej mbi 250 hektarësh është një prej zonave të pakta moçalore të vendit. Shtresat e bimësisë së kalbur dhe lëndët organike në ujë krijojnë atë që quhet torfë. Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin thotë se, “tokat me torfë thithin dy herë më shumë karbon se të gjitha pyjet e botës”.

Këneta Wicken është një nga zonat moçalore më të rëndësishme në Evropë. Por ligatinat janë nën kërcënim. Kombet e Bashkuara po shtojnë ndërgjegjësimin për ekosistemin më të rrezikuar në botë.

Kjo është një nga ultërisat e pakta ligatinore, një ekosistem dikur mjaft i madh që u krijua me rritjen e nivelit të detit gjatë Epokës së Akullnajave, rreth 12 mijë vite më parë.

Duke filluar në shekullin e 17, pjesa më e madhe e asaj zone të gjerë moçalore në Anglinë Lindore u tha dhe u tjetërsua në tokë bujqësore. Toka e pasur është ideale për bujqësinë dhe kërkohet shumë. Për fat të mirë, banorët e fshatit Wicken e ruajtën zonën e tyre të vogël moçalore.

Botanistët nga Universiteti i Kembrixhit, aty pranë, filluan të studiojnë habitatin e larmishëm natyror dhe ndihmuan në përpjekjet për të ruajtur kënetën. Moçali Fen është në pronësi të Trustit Kombëtar që e ka menaxhuar atë që nga viti 1899.

Rojtari Ajay Tegala punon për Trustin Kombëtar në moçalin Fen. Detyra e tij është që të kujdeset për moçalin por edhe që të ndërtojë një trashëgimi të re për kënetën me krijimin e ligatinave përreth.

Rojtari Tegala thotë se kuaj polakë të llojit Konik janë sjellë këtu për të menaxhuar ripërtëritjen e bimëve.

“Moçalet janë shumë të rëndësishme për natyrën dhe janë strehë e shumë specieve. Ky park tërheq shumë vizitorë për natyrën që ofron. Përfitimet nga ligatinat janë të shumta”.

Gjatë 25 viteve të fundit këneta Fen është dyfishuar për nga përmasat. Ka plane ambicioze për të zgjeruar kufijtë aktualë deri në periferi të Kembrixhit.

Shtresat e bimësisë së kalbur dhe lëndët organike në ujë krijojnë atë që quhet torfë, e cila rritet në një masë prej 1 milimetër në vit.

1.4 milionë kilometra katrorë sipërfaqe moçalore me torfë në mbarë botën konsiderohen si thithësit më të rëndësishëm të karbonit në planet. Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin thotë se, “tokat me torfë thithin dy herë më shumë karbon se të gjitha pyjet e botës”.

Dr. Jenny Williamson është biogjeokimiste për ligatinat në Qendrën e Mbretërisë së Bashkuar për Ekologjinë dhe Hidrologjinë.

“Në të gjithë botën kemi toka me torfë që ruajnë tonelata të tëra karboni. Karboni i thithur nga kjo torfë mbetet i depozituar në tokë dhe nuk kontribuon në ngrohjen globale”.

Bonifikimi i tokës po shton rreziqet për ligatinat.

“Nëse thahen kënetat, toka mund të dekompozohet shumë shpejt. Por toka me torfë në gjendje të mirë mund të ruajë karbonin për mijëra vite. Nëse prishet toka me torfë atëherë çlirohet karboni i depozituar”, thotë Dr. Jenny Williamson.

Kombet e Bashkuara shpresojnë të rrisin ndërgjegjësimin për rolin e rëndësishëm që luajnë ligatinat. Pavarësisht se mbulojnë vetëm gjashtë për qind të sipërfaqes së tokës, 40% e të gjitha llojeve të bimëve dhe kafshëve jetojnë ose shumohen në ligatina. (AP)

Qendra Alert/Alert.al