Menu

Mjedis

Efektet anësore të mbajtjes së maskave në shkollë

Guvernatori i Floridës, Ron deSantis, është një nga të paktën qeveritarë sot në botë që është kundër vendosjes së maskave në shkollë. Ai i ka bazuar argumentat e tij në besimin që prindërit janë ata që vendosin se çfarë është më e mirë për fëmijën. Gjithashtu deSantis ka shumë dyshime në lidhje me uljen e kurbës së Covid nga përdorimi i maskave. Po ashtu ai ka cituar dhe efektet negative të mbajtjes së maskave në shkollë: ‘ka efekte anësore shumë negative nga mbajtja e masked gjatë tetë orëve në ditë nga fëmijët, duke u bazuar në argumenta që kanë të bëjnë me zhvillimin e fëmijës, anës emocionale të tij, anës akademike si dhe nga pikëpamja mjekësore. Por shumë pak studime janë bërë për këtë gjë.

Sipas një studimi të bërë nga Universiteti Johns Hopkins ‘përdorimi i maskave mund të rrisë nivelet e dioksidit të karbonit në gjak’ dhe ‘mund të zhvillohen një sërë bakteresh patogjene nëse ka lagështirë dhe nëse maskat përdoren për një kohë të gjatë’. Studiues të tjerë kanë paralajmëruar për efektet negative përsa i përket komunikimit verbal dhe jo verbal. Madje ka edhe psikologë që pretendojnë që ‘vënia e maskës së fëmijëve përbën një abuzim psikologjik me to’.

Për studiuesit shkencorë është e provuar tashmë që vendosja e maskës te fëmijët mund të përbëjë një rrezik më të madh sesa vetë Covid-i. Por disa efekte anësore në lidhje me frymëmarrjen apo pengimin e frymëmarrjes nuk kanë baza shkencore dhe nuk mbështeten nga studiuesit. Ndërkohë që mbështeten argumentat që maska mund të shërbejë si një pengesë për socializimin në klasë.

Burimi: Yahoo Life

Qendra Alert

alert.al

Ruajini fëmijët nga ftalatet, të cilat gjenden në shumë pajisje shkollore

Muaji shtator njihet edhe si muaji i fillimit të shkollës, dhe pjesa më e bukur e fillimit të saj janë parapërgatitjet dhe blerjet e materialeve mësimore. Një nga pjesët më të rëndësishme, si për djemtë ashtu dhe për vajzat, është blerja e kuletës e cila mban lapsat apo stilolapsat që do të përdoren gjatë mësimit.

Autoritetet europiane kanë publikuar së fundmi informacione për rrezikun që paraqesin kuletat apo portofolat plastikë të prodhuar në Kinë për shëndetin e fëmijëve. Këto lloj produktesh janë gjerësisht të përhapur dhe në Shqipëri.

Bëhet fjalë për një këllëf shkolle me zinxhir, pa ndarës brenda dhe me ngjyrë të rozë më shkëlqim, por autoritetet njoftojnë që mund të ketë ngjyra të ndryshme. Zakonisht përdoret nga nxënësit e shkollës fillore si dhe adoleshentët.

Vetëm kjo pajisje e shkollës përmban disa elementë kimikë të tillë si di (2-etilheksil) ftalete (DEHP), vlera e matur e të cilit është deri në 7.8% të peshës. Ftalatet mund të dëmtojnë rëndë shëndetin e fëmijëve tuaj, duke ju shkaktuar dëmtim të organeve të riprodhimit.

Ftalatet janë kimikate të zakonshme, të cilat përdoren për ti bërë objektet plastike më të buta dhe më elastike. Ata gjenden në shumë produkte si ato kozmetike, të kujdesit për fëmijët e vegjël, materialet e ndërtimit, makina, materiale pastrimi dhe ato shkollore. Ftalatet përthithen nga lëkura dhe hyjnë në organizëm përmes frymëmarrjes. Ato njihen si lëndë që çrregullojnë veprimin e hormoneve të trupit.

Në mënyrë që të shmangni rrezikun e ftaleteve, të cilat gjenden kryesisht tek pajisjet plastike, zgjidhni kuleta të përbëra nga materiale të tjera të tilla si copë apo poliestër.

Burimi: Safety Gate

Qendra Alert

Alert.al

Punonjësit e pavaksinuar të IKEA detyrohen të drekojnë jashtë

Një foto e punonjësve të IKEA në Piacenza të Italisë është bërë virale në median sociale për shkak të ndarjes së punonjësve, në punonjës që kanë pasaportën e gjelbër dhe të cilët janë të vaksinuar, dhe atyre që nuk janë të vaksinuar apo të cilët  nuk kanë një pasaportë të gjelbër.

Punonjësit që nuk zotëronin pasaportën e gjelbër, e cila tani është bërë e detyrueshme në shumë vende anëtare të BE, i ka detyruar ata që gjatë pushimit të drekës të drekojnë jashtë ambienteve të kompanisë IKEA dhe me tabakatë e ushqimit të vendosura përtokë.

Në fakt, në magazinën e gjigantit suedez, është vendosur që të ndalohet pushimi dhe konsumimi i ushqimit në hapësirat e kompanisë, përfshirë zonat e pushimit, për ata që nuk kanë një certifikatë vaksinimi.

Brenda ambienteve mund të konsumohet kafe, por nuk mund të ndaleni që ta pini aty. As për disa sekonda, as për një ngrënie super të shpejtë. Për më tepër, prej disa muajsh tashmë, çdo punonjës në mensë ka qenë i zënë me higjienizimin e vendit të tij të ushqimit.

Autoritetet italiane kanë imponuar pasaportën e gjelbër në vendet në të cilat ekziston një administratë, dhe kompania IKEA e ka zgjeruar këtë interpretim edhe për punonjësit e saj. Gjithashtu kompania ka zvogëluar kohën e aksesimit të mensës për punonjësit. Nëse më parë punonjësit mund të zgjidhnin kohën e pushimit të drekës nga ora 11:00 deri në 14:00, tani ata mund ta aksesojnë mensën vetëm në orarin 12:00 – 13:00. Sidoqoftë, menaxherët e logjistikës pranë kësaj kompanie kanë bërë të ditur se po organizojnë diçka më elastike dhe dinjitoze për punonjësit e saj. Po ashtu ata duan që të vendosin edhe qendra vaksinimi brenda pikave të tyre të shitjes.

Ditët e fundit, çështja e Pasaportave të Gjelbra dhe qasja në mensa ka shkaktuar debate jo vetëm me autoritetet që merren me kontrollin ndaj tyre, por edhe brenda vetë kompanive. Hanon, një kompani automobilistike koreane me qendër në Torino, u përfshi nga grevat e punonjësve pasi njoftoi që do të vendoste paraqitjen e Pasaportave të Gjelbra për të aksesuar mensën. Greva pushoi vetëm pasi kompania u tërhoq nga ky vendim. Ndërkohë që punonjësit e Electrolux në zonën e Trevisos janë shprehur që vendosja e mensës në ambientet e jashtme është një “shkelje serioze e rregullave të shëndetit dhe higjienës”.

Sindikatat kanë bëre thirrje për rregulla të qarta nga kompanitë dhe autoritetet duke kërcënuar me greva në rast të mosplotësimit të kushteve minimale në punë.

alert.al

Akulloret: çfarë duhet të dimë përpara se ti konsumojmë

Autoriteti irlandez për kontrollin e ushqimeve (FSA) ka publikuar së fundmi një udhëzues mbi rrezikshmërinë që paraqesin akulloret duke e vënë përgjegjësinë në radhë të parë tek ato që i tregtojnë ato. Sipas këtij udhëzuesi, praktikat e dobëta të mbajtjes dhe ruajtjes së  ushqimit mund të sjellin që akullorja të bëhet e pasigurt për t’u ngrënë dhe kjo mund të çojë në helmim nga ushqimi.

Helmimi nga ushqimi, ndonëse diçka e zakonshme, mund të kthehet në diçka serioze dhe ndonjëherë edhe fatale, sidomos për fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna, të moshuarit dhe të sëmurët kronikë. Simptomat tipike të helmimit nga ushqimi përfshijnë: të vjella, diarre, dhimbje të stomakut, dhimbje koke.

Të gjitha bizneset që tregtojnë akullore kanë detyrime ligjore:

  • Për të prodhuar ushqime në një mënyrë sa më higjienike:
  • Zbatimin e masave të sigurisë ushqimore;
  • Të zbatojnë masat e gjetjes së burimit të ushqimeve si dhe ndalimin dhe tërheqjen e tyre nga tregu në rast rrezikshmërie;
  • Të sigurohet që stafi të jetë i supervizuar nga kamerat dhe të jetë i trajnuar për çështjet e higjienës ushqimore.

Çfarë rreziku paraqesin akulloret?

Rreziqet mund të ndodhin në rastin e prodhimit, të ruajtjes si dhe të servirjes së akulloreve duke rrezikuar shëndetin e klientëve. Risqet janë të shumta dhe përfshijnë rreziqet mikrobiologjike, kimike, fizike, si dhe alergjenët e ndryshëm. Shkaku kryesor i helmimit nga ushqimi është rreziku mikrobiologjik.

  • Cilat janë rreziqet mikrobiologjike?

Bakteret janë lloji më i zakonshëm i rrezikut mikrobiologjik. Bakteret janë krijesa mikroskopike që nuk mund të shihen me sy të lirë. Shumë baktere janë të padëmshme, por disa prej tyre shkaktojnë helmim nga ushqimi. Baktere të tilla quhet baktere patogjene dhe gjenden kudo: në ushqime, në ujë, te njerëzit, në veshje, në mjedis si dhe te kafshët (kafshë shtëpiake, insektet, zogjtë etj.).

  • Si mund të kontaminohen akulloret me baktere?

Tregtuesit e akulloreve të cilët nuk kanë kushte higjienike të mira mund të përhapin bakteret tek akulloret, për shembull nëse nuk mbajnë doreza, përdorin makineri të cilat nuk plotësojnë kushtet higjienike, përdorin lugë për shpërndarje të cilat nuk janë pastruar mirë përpara përdorimit etj.

Zakonisht bakteret rriten atje ku ka ushqim, ngrohtësi, lagështi dhe iu nevojitet gjtihashtu kohë për tu rritur dhe dyfishuar. Ato rriten veçanërisht shumë në ushqime të cilat kanë nivel të lartë proteinash dhe lagështie, si për shembull akulloret. Gjithashtu, shumica e baktereve ka nevojë për ngrohtësi që të rriten. Patogjenët rriten më shumë atëherë kur është temperatura rreth 37 gradë celsius, sa temperature e trupit, por mund të rriten duke filluar nga 5 gradë Celsius deri në 63 gradë. Nëse kushtet janë të favorshme, duke përfshirë ushqimin, lagështirën dhe ngrohtësinë, bakteret mund të rriten dhe të dyfishohen brenda 20 minutave.

  • Si duhet të veprojë tregtuesi i akulloreve?

Higjiena personale është shumë e rëndësishme për të shmangur përhapjen e baktereve. Ata duhet të jenë të pastër, të kenë veshje mbrojtëse dhe këto veshje duhet të jenë ato të duhurat, kjo veçanërisht për prodhuesit dhe shpërndarësit e mëdhenj të akulloreve. Ata gjtihashtu duhet ti kenë flokët e mbledhura në një kapuç, ose të mbajnë kapele, të kenë thonj të shkurtër dhe të pastër, të kënë maska dhe veshje kundër ujit. Gjtihashtu ata nuk duhet të jenë konsumator të duhanit, të ushqehen gjatë orarit të punës, të kenë të ekspozuara plagë në lëkurë etj.

Duhet patur parasysh që duart janë një nga mjetet kryesore të transportimit të baktereve, dhe ato duhet që të jenë të pastra gjatë gjithë kohës. Për këtë është e rëndësishme që pranë shpërndarjes së akulloreve të ndodhet edhe një lavaman për larjen e duarve, dhe i cili të jetë i pajisur me sapun si dhe me produkte të tjera për tharjen e tyre.

Praktikat më të mira për higjienën e akulloreve

Higjiena e mirë fillon që në vendosjen korrekte të makinerive që prodhojnë akullore apo konservuesve të tyre. Këto pajisje duhet që të jenë të vendosura gjithmonë brenda, larg dritës së diellit, nxehtësisë apo lagështisë, larg dyerve dhe dritareve të hapura, larg kondicionerëve. Këto masa duhet të zbatohen që nga koha e prodhimit të akullores dhe deri tek servirja e saj.

Burimi: Food Safety Authority of Ireland (FSA)

Qendra Alert

Alert.al

BE: Të gjitha shishet, edhe ato plastike, duhet kthehen tek shitësit

Vendet e BE-së po miratojnë njëra pas tjetrës direktivën e Komisionit Europian për kufizimin e ambalazheve plastike dhe për riciklimin e tyre. Institucionet e BE-së dhe vendeve anëtare kanë vendosur që të ndalojnë praktikën e deritanishme me shishe të lëna kudo, kanaçe të hedhura në rrugë, si dhe një mjedis ujor dhe tokësor të ndotur plot me mbetje plastike, si dhe do të ndalojë edhe 9 artikuj plastik njëpërdorishëm, të tilla si pjatat, gotat apo lugët plastike.

Bëhet fjalë për një rikthim tek praktikat e vjetra të dikurshme, të kohës kur blerësit detyroheshin të kthenin shishet e qelqit të birrës, të qumështit apo të kosit. Drejt një praktike të tillë po shkojnë edhe vendet europiane, praktikë e cila pritet të hyjë në fuqi duke filluar që nga 1 janar 2022.

Direktiva merret kryesisht me paketimin dhe sidomos paketimin plastik. Nuk do të ketë një ndalim të shisheve plastike, por do të ketë një kontroll dhe grumbullim të rreptë të tyre. Ligje të caktuara të vendeve anëtare flasin edhe për stimuj dhe shpërblime ekonomike për shitësit me pakicë që do të përdorin këto metoda.

Deri tani është i njohur riciklimi i shisheve të qelqit, dhe madje në disa vende të zhvilluara riciklohet rreth 50% e shisheve plastike. Por direktiva e re europiane kërkon që të mbledhë të gjitha shishet plastike në mënyrë që ato të mos përhapen në mjedis. E njëjta gjë vlen dhe për paketimet dhe ambalazhet e tjera plastike, të tilla si qeset, përdorimi i të cilave do të jetë shumë i kufizuar. Sipas parashikimeve të Komisionit Europian, deri në vitin 2024 pritet që të riciklohen rreth 90 përqind e shisheve plastike në vendet e BE-së.

Burimi: EU Single-Use Plastics Directive

Qendra Alert

alert.al

Lajthitë e Nutellës po shkatërrojnë ekosistemin italian

Fermerët italianë kanë nisur protestat kundër markës së famshme të çokokremit Nutella për shkak të mbjelljes së shumtë të pemëve të lajthive në kodrat që më parë mbilleshin me bimësi të ndryshme duke përfshirë ullinj dhe vreshta.

Por kohët e fundit, kompania Ferrero, prodhuesi Italian i Nutellës ka vendosur që shumë kodra në Itali të prodhojnë vetëm lajthi, duke krijuar plantacione me vetëm këtë pemë, duke mos pasur më fermerë të vegjël, kullota apo edhe vreshta me rrush.

Kultivimi i lajthive është bërë kaq masiv duke ndryshuar në mënyrë të shpejtë ekosistemin në të cilin banojnë fermerët italianë, dhe sipas tyre nuk ka më një mjedis të qëndrueshëm.

Ata deklarojnë që pemët me lajthi tashmë po kultivohen kudo, dhe kjo gjë po dëmton tokën e tyre.

Vendimi i kompanisë Ferrero për të mos u furnizuar më me lajthi nga Turqia, e cila është dhe prodhuesi kryesor i tyre në botë, erdhi si pasojë e dëshirës për të rritur prodhimin vendas në Itali, për të mos u varur nga furnizuesit e jashtëm si dhe për të pasur të drejta më të mëdha për punonjësit e përfshirë në këtë sektor. Kjo sepse konsumatorët po ndërgjegjësohen gjithnjë e më shumë për mënyrën sesi ushqimi i tyre është prodhuar dhe në lidhje me origjinën e tij.

Por, këto politika të kompanisë Ferrero, për ta përqendruar prodhimin e lajthive në Itali, kanë ngritur probleme të tjera mjedisore, duke e ndarë komunitetin në qëndrime të ndryshme: ata që kërkojnë që të rrisin fitimet e tyre duke prodhuar vetëm lajthi dhe ata që besojnë që rezultantja e kultivimit të vetëm kësaj bime do të thotë shkatërrim i mjedisit.

Që nga mesi i viteve 1960-të, lajthitë në Itali janë kultivuar vetëm në zonën e Vignanello-s, por ndërkohë projekti Nocciola Italia, thënë ndryshe projekti italian për lajthitë, kërkon që të rrisë prodhimin me 30% të tyre duke shtuar edhe 90 000 hektarë të tjerë deri në vitin 2025.

Ndaj kompanisë Ferrero u shtuan presionet nga politikanët që kërkonin që ata të mos ishin të varur nga furnizuesit turq. Po ashtu ndikoi dhe konkurenca me kompaninë vendase Barrilla, e cila lançoi një fushatë të produkteve të bëra nga “100 për qind lajthi italiane”.

Kompania Ferrero është shprehur që ajo është fokusuar vetëm në rajone ku ekzistonte rreziku që toka bujqësore mund të braktisej ose që nuk kultivohej. Por ekspertët e mjedisit paralajmërojnë që kjo politikë e kompanisë ka sjellë që fermerët të mbjellin pemët e lajthive edhe në zona që ato nuk mund të rriten, të tilla si afër bregdetit. Bujqësia intensive gjithashtu mund të pakësojë akuiferët nëntokësorë dhe të zhdukë habitatet e tyre nga speciet autoktone. Ambjentalistët gjithashtu thonë se monokulturat ndihmojnë në përhapjen e sëmundjeve dhe insekteve të bimëve, duke rezultuar në përdorimin më të madh të pesticideve dhe herbicideve. Megjithatë, plani kombëtar i rimëkëmbjes i qeverisë italiane ka një komponent bujqësor prej 6.8 miliardë euro, një pjesë e të cilit kërkon të nxisë bujqësinë organike, të përmirësojë biodiversitetin dhe të zvogëlojë përdorimin e kimikateve.

Ferrero ka kundërshtuar në mënyrë të prerë pretendimet se veprimet e saj dëmtojnë mjedisin.

“Kultivimi i lajthisë nuk po shkatërron fshatrat italiane; në fakt, vendi ka një histori të gjatë të kultivimit të lajthisë dhe është një nga vendet kryesore prodhuese, me lajthi italiane që përdoren nga kompanitë në industri të shumta”, është shprehur kompania në një deklaratë për Financial Times.

Kompania tha se ka mbledhur ekspertë bujqësorë dhe shkencorë për të adresuar sfidat e qëndrueshmërisë dhe se promovoi praktikat më të mira përmes programit të saj të qëndrueshmërisë. Shumë fermerë italianë kanë mirëpritur gjithashtu të ardhurat që siguron kultivimi i lajthive.

‘Ky debat është surreal’, shprehet Lorenzo Bazzana nga Coldiretti, sindikata e fermerëve italianë. “Monokultura, qoftë e grurit, misrit apo hardhisë, nuk është asgjë e re. I takon secilit sipërmarrës të bëjë zgjedhjet e veta dhe të ketë përgjegjësinë për të ndjekur teknikat e sakta agronomike’.

Rritja më shumë e prodhimit të lajthive në Itali e ndihmon kompaninë Ferrero të shkurtojë disa zinxhirë furnizimi dhe të rrisë aftësinë e saj të monitorimit. Aktualisht furnizohet me një të tretën e të korrave vjetore të lajthive të Turqisë, e cila përbën 65-70 përqind të prodhimit botëror të lajthisë, dhe gjithashtu ka furnizime nga Kili dhe Gjeorgjia.

Por ndërsa industria e lajthisë në Itali po rritet, ka një presion të shtuar mbi kultivuesit për të ruajtur furnizimet me cilësi të lartë.

“Tregu duhet të ushqehet vazhdimisht. Ai dëshiron lajthi të përsosur dhe e dëshiron shpejt atë, shprehet Marcello Lagrimanti, i cili filloi të rrisë lajthitë në Vignanello në 2017.

Duke vëzhguar fermat përreth tij, Andreocci pohon se i kuptonte argumentat e fqinjëve të tij, por ka frikë të shprehet.

“Nga pikëpamja ekonomike, tani [kjo] është gjëja më e mirë që ekziston. Kur mbërrin një kompani e madhe, komuniteti lokal përqendrohet në një produkt që paguan. Krjohet punë dhe fitim’, thotë ai.

‘Por, çfarë u lëmë brezave të ardhshëm? Nëse vazhdojmë të plaçkisim tokën, siç po bëjmë, nuk do të mbetet asgjë tjetër veç shkretëtirës’.

Burimi: Financial Times

Qendra Alert

alert.al

Cilat janë zonat më të rrezikuara nga zjarri në Shqipëri dhe në rajon gjatë ditëve në vazhdim?

Programi i Komisionit Europian, Copernicus EMS, ka publikuar gjatë ditës së sotme, zonat më të rrezikuara nga zjarret në Europën Jugore, midis të cilave është dhe Shqipëria. Harta është prodhuar në bazë të llogaritjeve kompjuterike të cilat bëjnë një kalkulim të kushteve të ndryshme klimaterike në Europë, si dhe duke krahasuar rezultatet historike të tyre së paku gjatë 30 viteve të fundit.

Parashikimet për zjarret mund të bëhen nga 1 ditë deri në 9 ditë dhe ky indeks është i ndarë në gjashtë kategori kryesore: si rrezik shumë i ulët, rrezikshmëri e ulët, mesatare, e lartë, shumë e lartë dhe rrezikshmëri ekstreme. Vlen të theksohet që Shqipëria në hartën e publikuar më 23 gusht përmban dy zona në jug dhe një zonë të veri, përkatësisht në Shkodër, të cilat janë të kategorizuara si një rrezikshmëri ekstreme e zjarreve gjatë ditëve në vazhdim.

Kushte të tjera për rrezik ekstrem të zjarrit përbëjnë ishulli i Korsikës në Francë, disa zona në Itali si Sardanja, Toskana, Bazilikata, Kampania, Pulia si dhe Siçilia. Në rajonin e Ballkanit, përveç Shqipërisë, me rrezik ekstrem nga zjarret janë dhe disa zona në Kroaci, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut si dhe Greqia.

Kategoritë e rrezikut nga zjarri janë të njëjta për të gjitha vendet dhe hartat tregojnë një pamje të harmonizuar të shpërndarjes hapësinore të nivelit të rrezikut nga zjarri në të gjithë Evropën, Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.

Duhet theksuar që kategoria ‘shumë ekstreme e rrezikut nga zjarri’ u prezantua për herë të parë gjatë qershorit të këtij viti, duke iu referuar rajonit të Mesdheut kryesisht gjatë muajve të verës.

Hartat e nivelit të parashikuar të rrezikut nga zjarri mund të konsultohen përmes ndërfaqes së hartës në internet të EFFIS dhe gjithashtu u dërgohen email çdo ditë përdoruesve.

Burimi: Copernicus EMS

alert.al