Menu

SHENDET

Suplementet e vitaminës D nën lupën e testimeve, mangësi në dozë dhe informacion

Një testim i revistës franceze për mbrojtjen e konsumatorëve, “Que Choisir” ka ngritur pikëpyetje mbi cilësinë dhe informacionin që shoqëron suplementet e vitaminës D. Nga 26 produkte të analizuara në laborator, 21 prej tyre rezultuan me problematika, kryesisht në lidhje me dozën e rekomanduar, udhëzimet e përdorimit dhe paralajmërimet që mungojnë në paketim.

Analizat synonin të verifikonin nëse sasia e vitaminës D në produkte përputhej me deklarimet në etiketë dhe nëse informacioni i dhënë ishte i mjaftueshëm për një të rritur që dëshiron të marrë këtë vitaminë.

Sipas revistës, problematikat e konstatuara nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht se produktet janë të pasigurta. Shqetësimi kryesor lidhet me dozat e larta dhe mungesën e informacionit të rëndësishëm për konsumatorët. Disa prej suplementeve rekomandojnë marrjen e 2,000 IU (50 mikrogramë) në ditë, sasi që konsiderohen të larta për një suplementim parandalues pa rekomandim mjekësor. Ndërsa katër produkte nuk përcaktojnë as moshën minimale për përdorim.

Një prej produkteve përmbante 5,000 IU (125 mikrogramë) vitaminë D, duke tejkaluar kufirin maksimal ditor të tolerueshëm prej 4,000 IU për të rriturit. Megjithatë, revista thekson se nuk ka konstatuar rrezik të drejtpërdrejtë nga produktet e testuara.

Në përfundimet e saj, “Que Choisir” vë në dukje se medikamentet me bazë vitaminën D ofrojnë informacion më të plotë për përdorimin dhe paralajmërimet, ndërsa në përgjithësi kushtojnë më pak se suplementet ushqimore. Për këtë arsye, revista rekomandon që personat që kanë realisht nevojë për plotësimin e vitaminës D të konsultohen me mjekun dhe të preferojnë preparate me udhëzime të qarta.

Italia, ndër vendet me konsumin më të lartë të vitaminës D

Një situatë e veçantë paraqitet në Itali, ku konsumi i vitaminës D ka qenë historikisht shumë i lartë. Sipas të dhënave të Agjencisë Italiane të Barnave (AIFA), në vitin 2019 vitamina D3, renditej i pari për nga shpenzimet në territor, në krahasimin me vendet e tjera.

Shpenzimet për këtë produkt u rritën ndjeshëm, nga 73 milionë euro në vitin 2013 në 281 milionë euro në vitin 2019, ndërsa konsumi u trefishua brenda gjashtë vitesh. Vetëm gjatë vitit 2019 u përshkruan rreth 35 milionë paketime.

AIFA kufizoi rimbursimin e vitaminës D

Në vitin 2017, rreth 6.4 milionë italianë përfituan nga rimbursimi i vitaminës D përmes Shërbimit Kombëtar Shëndetësor, ose afërsisht 10% e popullsisë.

Situata ndryshoi në vitin 2019, kur AIFA miratoi Shënimin 96, duke kufizuar rastet në të cilat vitamina D mund të rimbursohej nga sistemi shëndetësor publik.

Efekti i këtij vendimi reflektohet edhe në të dhënat e monitorimit. Gjatë periudhës nëntor 2019-janar 2023, u rimbursuan 103.6 milionë paketime të barnave të përfshira në këtë skemë, kundrejt 126.1 milionëve në 39 muajt paraardhës. Kjo përfaqëson një rënie prej rreth 18%.

Të dhënat tregojnë se përdorimi i vitaminës D dhe kostot e lidhura me të kanë qenë një çështje e rëndësishme për sistemin shëndetësor italian, duke nxitur edhe ndërhyrjen e autoriteteve për të kufizuar rimbursimin e përdorimit të saj. (IlFattoAlimentare)

Qendra Alert/Alert.al

FDA paralajmëron për rrezikun e humbjes së shikimit nga Ozempic, Wegovy dhe Mounjaro

Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka kërkuar përfshirjen e një paralajmërimi të ri në fletëudhëzuesit e të gjitha medikamenteve të grupit GLP-1, të përdorura për trajtimin e diabetit të tipit 2 dhe rënien në peshë, për shkak të një rreziku të mundshëm për humbjen e shikimit.
Paralajmërimi përfshin medikamente të njohura si Ozempic, Wegovy, Mounjaro dhe Zepbound. Bëhet fjalë për një gjendje të rrallë të quajtur NAION, e cila shkaktohet nga pakësimi i qarkullimit të gjakut drejt nervit optik dhe mund të sjellë humbje të papritur, pa dhimbje, të shikimit në njërin sy. Në disa raste, dëmtimi mund të jetë i përhershëm.
Vendimi i FDA-së vjen pas shqyrtimit të 126 provave klinike, ku morën pjesë mbi 134 mijë persona. Gjatë analizës u identifikuan 15 raste të mundshme të kësaj sëmundjeje: 10 te pacientët që merrnin medikamente GLP-1 dhe 5 te ata që merrnin placebo.
Sipas të dhënave të agjencisë, rastet e raportuara ishin 6.4 për çdo 100 mijë vite-pacient te përdoruesit e GLP-1, krahasuar me 3.8 raste te grupi krahasues. Megjithatë, FDA thekson se bëhet fjalë për një rrezik të mundshëm dhe se të dhënat nuk provojnë përfundimisht se këto medikamente shkaktojnë drejtpërdrejt sëmundjen.
Simptomat përfshijnë humbje të papritur dhe pa dhimbje të shikimit në njërin sy, shfaqjen e njollave të errëta, turbullimin e shikimit apo vështirësi në dallimin e ngjyrave. FDA këshillon pacientët që të kontaktojnë menjëherë mjekun nëse përjetojnë këto shqetësime.

Qendra Alert/Alert.al

Alarm për spatulën e kuzhinës, përmban substancë të rrezikshme në ushqim

Një produkt që përdoret çdo ditë në kuzhinë rezulton të mos përmbushë standardet e sigurisë për kontaktin me ushqimin. Bëhet fjalë për spatulën të tregtuar nga operatori ekonomik ARTEG GROUP, për të cilën është publikuar një alarm ndërkombëtar në sistemin RASFF, me numër reference 8811559.

Sipas njoftimit të Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut (ISHMT), kontrollet laboratorike të kryera nga autoritetet kompetente në Belgjikë kanë evidentuar tejkalim të kufirit të lejuar të migrimit të substancës kimike 4,4’diaminodiphenylmethane (MDA).

Kjo do të thotë se gjatë kontaktit me ushqimin, materiali mund të çlirojë këtë substancë në nivele mbi normat e lejuara. Produkti është klasifikuar në sistemin RASFF si risk jo serioz për shëndetin e njeriut, por konstatimi ka sjellë marrjen e masave për tërheqjen e tij nga tregu.

Produkti i identifikuar mban emërtimin në etiketë “Nylon Serving Spatula 33cm”, me numër produkti 1100010 dhe barkod EAN 5413821079684.

Pas njoftimit, ARTEG GROUP ka deklaruar tërheqjen e produktit nga tregu dhe nisjen e kthimit nga konsumatorët.

Personat që e kanë blerë këtë spatul duhet të ndërpresin përdorimin e saj në kontakt me ushqimin dhe ta kthejnë pranë dyqaneve ARTEG GROUP. Kompania ka bërë të ditur se do të kryejë rimbursimin e plotë të çmimit të blerjes.

Rasti rikthen vëmendjen te siguria e produkteve të përdorimit të përditshëm në kuzhinë dhe rëndësia e kontrolleve për materialet që bien në kontakt të drejtpërdrejtë me ushqimin.

Qendra Alert/Alert.al

Shëndetësia në Shqipëri, 48% e kostove përballohen nga xhepi i qytetarëve

Shqipëria vijon të përballet me mangësi të theksuara në mbrojtjen e konsumatorit dhe sistemin shëndetësor, ndërsa qytetarët mbajnë një barrë të lartë të kostove për marrjen e shërbimeve mjekësore. Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2026 evidenton financimin e pamjaftueshëm të shëndetësisë, mungesat e barnave dhe pajisjeve mjekësore, si dhe vonesat në përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian.

Një nga problematikat më shqetësuese lidhet me shpenzimet që pacientët përballojnë drejtpërdrejt nga xhepi. Sipas raportit, në vitin 2023 këto shpenzime arritën në 48,27% të kostove totale të kujdesit shëndetësor, një nivel shumë më i lartë se mesatarja e Bashkimit Evropian, e cila është rreth 15%. Kjo diferencë tregon barrën e konsiderueshme financiare që familjet shqiptare duhet të përballojnë për shërbimet shëndetësore.

Komisioni Evropian vëren se, megjithëse shpenzimet publike për shëndetësinë u rritën në vlerë absolute, pesha e tyre në buxhetin publik u ul. Në vitin 2025, ato përbënin rreth 2,7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe 9,6% të shpenzimeve publike. Shqetësim i veçantë mbetet financimi i kujdesit shëndetësor parësor, i cili vijon të jetë i pamjaftueshëm. Vetëm gjatë vitit 2025, shpenzimet për këtë sektor rezultuan afërsisht 28% më të ulëta se fondet e planifikuara.

Një tjetër problematikë e evidentuar është mungesa e barnave thelbësore në spitale dhe e pajisjeve mjekësore. Raporti thekson nevojën për zhvillimin e politikave të reja për përcaktimin e çmimeve, rimbursimin dhe mbulimin e kostove të barnave, në mënyrë që pacientët të kenë akses më të mirë në trajtim.

Pavarësisht ngritjes së një sistemi elektronik për mbledhjen dhe raportimin e të dhënave shëndetësore, Shqipëria ende nuk ka një kuadër të posaçëm ligjor për administrimin e kartelave elektronike shëndetësore. Edhe shërbimet e shëndetësisë elektronike vijojnë të jenë të fragmentuara, duke penguar krijimin e një sistemi të integruar të informacionit shëndetësor.

Edhe mbrojtja e konsumatorit mbetet larg standardeve të BE-së. Komisioni Evropian vlerëson se Shqipëria ka shënuar njëfarë progresi përmes paketës së re ligjore që synon përafrimin me legjislacionin evropian, por kërkon përfundimin dhe miratimin e saj. Paketa përfshin të drejtat e konsumatorëve, praktikat e padrejta tregtare, transparencën e çmimeve, shitjet online, kontratat në distancë dhe mbrojtjen e konsumatorëve në tranzicionin e gjelbër.

Megjithatë, zbatimi i legjislacionit mbetet një pikë e dobët. Organi përgjegjës për mbrojtjen e konsumatorit ka marrë ankesa, por raporti evidenton se nuk ka informacion të disponueshëm për mënyrën se si ato janë trajtuar. Po ashtu, nuk janë shënuar zhvillime të mëtejshme në mekanizmat e kompensimit dhe zgjidhjes së ankesave të konsumatorëve.

Mbikëqyrja e tregut vijon të jetë joaktive në dy sektorë të rëndësishëm: Tregtinë elektronike dhe turizmin me paketa turistike. Sipas Komisionit, këto fusha vazhdojnë të funksionojnë kryesisht pa një kuadër të përshtatshëm rregullator, duke krijuar boshllëqe në mbrojtjen e qytetarëve që blejnë produkte dhe shërbime online apo udhëtojnë përmes paketave turistike.

Në fushën e sigurisë së produkteve, Shqipëria ende nuk e ka përafruar legjislacionin me aktin e ri të BE-së për sigurinë e përgjithshme të produkteve, ndërsa për përgjegjësinë ndaj produkteve me defekte është vetëm pjesërisht e përafruar.

Mangësi evidentohen edhe në parandalimin dhe trajtimin e sëmundjeve. Shqipëria ka në fuqi Planin Kombëtar për Kontrollin e Kancerit dhe zbaton tri programe depistimi për kancerin kolorektal, të gjirit dhe të qafës së mitrës. Megjithatë, Regjistri Kombëtar i Kancerit ende nuk është krijuar, duke mbetur një nga boshllëqet në monitorimin e kësaj sëmundjeje.

Ndërkohë, në shëndetin mendor vijon zbatimi i Planit të Veprimit 2023-2026 dhe procesi gradual i kalimit nga kujdesi i përqendruar në institucione drejt shërbimeve komunitare, të orientuara te individi dhe respektimi i të drejtave të njeriut.

Një tjetër shqetësim lidhet me aksesin në shërbimet shëndetësore për personat me aftësi të kufizuara. Edhe pse legjislacioni e njeh këtë të drejtë, zbatimi mbetet i paplotë. Mungon një buxhet i posaçëm për vizitat mjekësore në banesë, ndërsa institucionet shëndetësore vijojnë të kenë mangësi infrastrukturore. Kriteret e aksesueshmërisë nuk përfshihen as në procedurat e prokurimit të pajisjeve mjekësore dhe as në informacionin shëndetësor.

Komisioni kërkon gjithashtu forcimin e burimeve financiare dhe njerëzore në sistemin shëndetësor, veçanërisht në kujdesin parësor dhe përgatitjen ndaj emergjencave shëndetësore. Vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet garantimit të aksesit të barabartë në shërbime cilësore për grupet vulnerabël, gratë, vajzat dhe personat me aftësi të kufizuara.

Në përfundim, Komisioni Evropian vlerëson se Shqipëria ndodhet ende ndërmjet një faze të hershme dhe një niveli të caktuar përgatitjeje në këtë kapitull. Pavarësisht disa hapave përpara në legjislacionin për mbrojtjen e konsumatorit, rekomandimet e vitit të kaluar nuk janë zbatuar plotësisht. Për vitin e ardhshëm, vendi duhet të përshpejtojë përafrimin me acquis të BE-së për barnat, pajisjet mjekësore dhe kontrollin e duhanit, si dhe të rrisë financimin e shëndetësisë për të garantuar shërbime më cilësore dhe të aksesueshme për qytetarët.

Qendra Alert/Alert.al

Alarm për prindërit! Kafeina që konsumojnë fëmijët dëmton zhvillimin e trurit dhe gjumin

Konsumi i kafeinës përmes pijeve energjike nga fëmijët mund të lidhet me ndryshime në zhvillimin e trurit, cilësinë e gjumit dhe sjelljen e tyre. Një studim i fundit ka ngritur shqetësimin për pasojat e konsumit të këtij stimuluesi, duke treguar se edhe fëmijët që konsumojnë pije me kafeinë një herë në javë mund të shfaqin ndryshime në disa zona të trurit.

Ndërkohë që konsumi i pijeve me kafeinë, veçanërisht i pijeve energjike, po rritet edhe te fëmijët e moshës 9-10 vjeç, studiuesit kërkojnë më shumë vëmendje dhe masa mbrojtëse për këtë .

Çfarë zbuloi studimi?

Studiuesit nga King’s College London analizuan skanimet e trurit me rezonancë magnetike (MRI) të më shumë se 9,600 fëmijëve të moshës 9-11 vjeç, të përfshirë në studimin ABCD (Adolescent Brain Cognitive Development).

Ata shqyrtuan trashësinë e disa zonave të korteksit cerebral, pjesës së jashtme të trurit që luan rol të rëndësishëm në të mësuar, kujtesë, vendimmarrje, sjellje dhe rregullimin e emocioneve.

Përveç skanimeve, studiuesit analizuan edhe performancën akademike, sjelljen dhe cilësinë e kohëzgjatjen e gjumit. Fëmijët raportuan gjithashtu zakonet e tyre të konsumit të produkteve që përmbajnë kafeinë, përfshirë pijet energjike, kafenë dhe çajin. Edhe prindërit dhanë informacion mbi modelet e gjumit të fëmijëve.

Rezultatet treguan se fëmijët që konsumonin kafeinë të paktën një herë në javë kishin një trashësi më të vogël të korteksit në 22 zona të trurit, krahasuar me ata që nuk konsumonin kafeinë ose e përdornin atë shumë rrallë.

Këto ndryshime u vunë re edhe në matjet e kryera gjashtë dhe 18 muaj pas vlerësimit fillestar.

Megjithatë, studiuesit theksojnë se studimi evidenton një lidhje mes konsumit të kafeinës dhe ndryshimeve të trurit, por nuk provon se kafeina është shkaku i drejtpërdrejtë i tyre.

Kafeina ndikon edhe te gjumi dhe sjellja

Lidhja mes konsumit të kafeinës dhe ndryshimeve në tru mbeti e dukshme edhe pasi studiuesit morën në konsideratë faktorë të tjerë, si stili i jetesës familjare, niveli ekonomik dhe arsimimi.

Konsumi i kafeinës u shoqërua gjithashtu me më pak orë gjumë dhe me një rrezik më të lartë për probleme të humorit dhe sjellje të rrezikshme.

Shqetësimi bëhet edhe më i madh për shkak të përhapjes së pijeve energjike mes të miturve. Sipas të dhënave të përmendura nga studiuesit, rreth 2/3 e adoleshentëve konsumojnë pije me kafeinë të paktën një herë në javë. Pijet energjike janë ndër produktet më të preferuara edhe në moshat para adoleshencës.

Pavarësisht shqetësimeve për shëndetin e fëmijëve, rregullat për shitjen e pijeve energjike ndryshojnë nga një vend në tjetrin.

Mbretëria e Bashkuar ka miratuar kufizime për shitjen e këtyre pijeve te personat nën 16 vjeç, ndërsa Spanja dhe Norvegjia kanë vendosur gjithashtu kufizime për këtë grupmoshë.

Në vende të tjera, si Polonia, Lituania, Letonia, Rumania, Bullgaria, Hungaria dhe Kroacia, shitja e pijeve energjike është e ndaluar për personat nën 18 vjeç. Në Poloni, kufizimet përfshijnë edhe makinat shitëse dhe institucionet arsimore.

Ndërsa në shumë vende të tjera nuk ka kufizime të posaçme për moshën e blerësve.

Në nivel etiketimi, pijet që përmbajnë më shumë se 150 miligramë kafeinë për litër duhet të shoqërohen me paralajmërimin: “Përmbajtje e lartë kafeine. Nuk rekomandohet për fëmijët ose gjatë shtatzënisë dhe ushqyerjes me gji.”

Gjetjet e studimit rikthejnë në vëmendje nevojën për të kufizuar ekspozimin e fëmijëve ndaj kafeinës, veçanërisht përmes pijeve energjike, në një periudhë kur truri është ende në zhvillim. (IlFattoAlimentare)

Qendra Alert/Alert.al

Pulat arrijnë 3 kilogramë brenda 6 javësh, anomalitë në filetot që tregtohen

Mishi i pulës, i konsideruar si një nga burimet më të shëndetshme të proteinave shtazore, po përballet me një problem që lidhet me mënyrën e rritjes së shpendëve. Përzgjedhja gjenetike për rritje të shpejtë dhe zhvillim të gjoksit të pulave ka favorizuar shfaqjen e anomalive muskulore, të njohura si “vijat e bardha” dhe “gjoksi i ngurtë”. Sipas studimeve në një analizë të revistës franceze 60 Millions de consommateurs, këto anomali janë të përhapura në industrinë e shpendëve dhe ndikojnë në cilësinë e mishit, përbërjen ushqyese dhe mirëqenien e kafshëve.

Pulat arrijnë 3 kilogramë brenda 6 javësh

Gjysma e filetove në treg kanë vija të bardha, 3 nga pesë të rritura në fermë kanë një “gjoks të fortë” dhe humbasin deri në 30% të peshës së tyre gjatë gatimit.

Për të përmbushur kërkesën në rritje për mish pule, industria ka favorizuar raca që shtojnë peshë në një kohë shumë të shkurtër. Sipas të dhënave të kompanisë Aviagen, një pulë e rritur për mish mund të arrijë rreth 3 kilogramë pas 42 ditësh, duke konsumuar afërsisht 4.6 kilogramë ushqim. Mishi i pulës përmbush kërkesat e një stili jetese të ngjeshur: Gatuhet shpejt dhe lehtë dhe gëzon imazhin e “mishit të bardhë”, i konsideruar i shëndetshëm dhe i lehtë. Por, mbi të gjitha, është i përballueshëm ekonomikisht. Pula së bashku me vezët është një burim i proteinave shtazore, gjë që është edhe arsyeja pse zinxhirët e ushqimit të shpejtë të specializuar në pulë të skuqur, si KFC dhe Popeyes, po përhapen.

Përzgjedhja e këtyre racave ka ndryshuar edhe përmasat e trupit të pulës. Gjoksi, pjesa më e kërkuar nga konsumatorët evropianë, përbën sot një pjesë shumë më të madhe të peshës së shpendit sesa në mesin e shekullit të kaluar. Zhvillimi i tepruar i muskujve mund të vështirësojë lëvizjen dhe të favorizojë shfaqjen e çrregullimeve muskulore.

Një nga anomalitë më të dukshme janë vijat e bardha që shfaqen përgjatë filetove të pulës dhe mund të dallohen lehtësisht në produktet e ekspozuara në supermarkete. Ato lidhen me dëmtimin e fibrave muskulore dhe grumbullimin e yndyrës dhe indit lidhës.

Ekziston një problem tjetër. Muskujt janë shumë të mëdhenj dhe kanë një furnizim të reduktuar me gjak. Kjo nxit shfaqjen e sëmundjeve muskulore (miopatitë), të cilat ekspertët i klasifikojnë në tre mënyra. “Problemi nuk ka të bëjë me një fermë të vetme, por lidhet me karakteristikat gjenetike të pulave me rritje të shpejtë, të cilat janë në thelb të njëjtat që rriten në të gjithë botën” shpjegoi Massimiliano Petracci, profesor në Universitetin e Bolonjës, për revistën franceze 60 Millions de consommateurs. Petracci ka kryer kërkime mbi cilësinë e mishit të shpendëve, me një fokus të veçantë në anomalitë e muskujve të gjirit, që nga viti 2010.

Problemi i dytë është “gjoksi prej druri”, i cili e bën mishin të fortë dhe si gomë. Në raste më të rënda, muskujt e prekur mbulohen me një lëng xhelatinoz. Gjoksët e pulës me këtë defekt degradohen dhe destinohen për përdorime të tjera në kuzhinë dhe nuk gjenden në supermarkete.

Sipas studimeve të cituara në analizë, në Francë, Itali, Spanjë dhe Brazil, vijat e bardha janë konstatuar në të paktën gjysmën e filetove të ekzaminuara, ndërsa rreth 20-30% e rasteve klasifikohen si të rënda.

Një studim italian i zhvilluar gjatë viteve 2017–2018, ku u analizuan rreth 16 mijë pula, evidentoi gjithashtu përhapje të lartë të gjoksit “prej druri”. Sipas rezultateve të raportuara nga Baldi dhe bashkëpunëtorët e tij në vitin 2020, rreth 60% e filetove shfaqën këtë anomali, me forma të moderuara dhe të rënda të përfshira në vlerësim.

Më pak proteina dhe më shumë yndyrë

Këto ndryshime nuk konsiderohen, në vetvete, provë se mishi përbën rrezik për shëndetin e konsumatorëve. Megjithatë, ato ndikojnë në cilësinë e produktit dhe në vlerat e tij ushqyese. Sipas studiuesve, filetot me vija të bardha mund të kenë përmbajtje më të lartë yndyre, veçanërisht në rastet e rënda. Ndërsa te gjoksi i ngurtë, një pjesë e proteinave të fibrave muskulore zëvendësohet nga indi lidhës, përfshirë kolagjenin. Një studim i cituar në analizë ka evidentuar rreth 12% më pak proteina në gjoksin e pulës me këtë anomali, krahasuar me mishin pa ndryshime të tilla.

Filetot me format më të rënda të gjoksit shpesh nuk shiten si produkte të zakonshme të freskëta, por mund të përdoren në prodhimin e produkteve të përpunuara të pulës. Sipas ekspertëve, anomalitë nuk lidhen domosdoshmërisht me një fermë të caktuar, por me karakteristikat gjenetike të racave me rritje të shpejtë, të përdorura gjerësisht në industrinë e shpendëve.

Përhapja e këtyre racave e bën të vështirë zgjidhjen e problemit, ndërsa një nga alternativat është përdorimi i pulave me rritje më të ngadaltë, të cilat kanë më pak gjasa të zhvillojnë këto çrregullime.

Fenomeni ngre kështu pikëpyetje jo vetëm për cilësinë e mishit që përfundon në tryezat e konsumatorëve, por edhe për pasojat që modeli intensiv i prodhimit mund të ketë mbi shëndetin dhe mirëqenien e shpendëve. (IlFattoAlimentare)

Qendra Alert/Alert.al

Mëlçia e dhjamosur te fëmijët, rreziku që lidhet me konsumin e sheqerit

Rreth 1 në 3 fëmijë me mbipeshë ose obezitet mund të preket nga mëlçia e dhjamosur. Sëmundja shpesh zhvillohet pa simptoma, ndërsa konsumimi i tepërt i sheqernave dhe mungesa e aktivitetit fizik mund të rrisin rrezikun. Ekspertët theksojnë rëndësinë e diagnostikimit të hershëm dhe ndryshimit të zakoneve të të ushqyerit.

Në fazat e para, sëmundja mund të mos shfaqë simptoma të dukshme, duke e bërë të vështirë identifikimin e saj në kohë. Megjithatë, nëse nuk menaxhohet siç duhet, ajo mund të përparojë dhe të shkaktojë dëmtime më serioze të mëlçisë.

Një nga faktorët që lidhet me zhvillimin e kësaj sëmundjeje është konsumimi i tepërt i sheqernave, veçanërisht i atyre që gjenden në pijet e ëmbëlsuara dhe produktet me sheqer të shtuar. Kur organizmi merr më shumë sheqer sesa mund të përpunojë në mënyrë të përshtatshme, një pjesë e tij mund të shndërrohet në yndyrë dhe të grumbullohet në mëlçi.

Fruktoza, një lloj sheqeri që gjendet në shumë pije dhe produkte të ëmbëlsuara, përpunohet kryesisht nga mëlçia. Konsumimi i sasive të mëdha të saj mund të nxisë prodhimin e yndyrnave të reja dhe grumbullimin e tyre në këtë organ. Edhe marrja e tepërt e glukozës mund të kontribuojë në të njëjtin proces, veçanërisht kur shoqërohet me konsum të lartë kalorik.

Mëlçia e dhjamosur nuk është vetëm një problem i këtij organi. Ajo lidhet edhe me çrregullime të metabolizmit, rezistencën ndaj insulinës dhe faktorë që mund të ndikojnë në shëndetin kardiovaskular.

Sipas hepatologes pediatrike Antonella Mosca, nga Spitali i Fëmijëve Bambino Gesù në Romë, vlerësimi i kësaj sëmundjeje duhet të përfshijë shëndetin e fëmijës në tërësi, duke marrë parasysh ushqyerjen, aktivitetin fizik dhe gjendjen metabolike.

Prej vitit 2023, për këtë sëmundje përdoret gjithnjë e më shumë termi MASLD, që nënkupton sëmundjen steatotike të mëlçisë të lidhur me disfunksionin metabolik. Kur grumbullimit të yndyrës i shtohen inflamacioni dhe dëmtimi i qelizave të mëlçisë, sëmundja klasifikohet si MASH. Në format më të avancuara, ajo mund të përparojë drejt fibrozës dhe, në raste të rënda, cirrozës.

Një nga mekanizmat që ndikon në këtë proces është rezistenca ndaj insulinës. Kur qelizat e organizmit nuk i përgjigjen siç duhet insulinës, trupi e ka më të vështirë të rregullojë nivelin e glukozës dhe metabolizmin e yndyrnave. Kjo mund të favorizojë grumbullimin e yndyrës në mëlçi dhe, me kalimin e kohës, të shkaktojë inflamacion e dëmtime të mëtejshme. Ndryshimi i stilit të jetesës mbetet trajtimi kryesor te fëmijët. Ndërhyrja duhet të përshtatet sipas nevojave të secilit fëmijë dhe të përfshijë të gjithë familjen. Përmirësimi i ushqyerjes, shtimi i aktivitetit fizik dhe trajtimi i çrregullimeve metabolike janë pjesë thelbësore e këtij procesi. Ekspertët këshillojnë që ushqyerja të mbështetet te parimet e dietës mesdhetare, duke kufizuar pijet me sheqer dhe produktet me sheqerna të shtuara. (IlFattoAlimentare)

Qendra Alert/Alert.al

Boronicat dhe depresioni, çfarë zbuloi studimi?

Një studim pilot sugjeron se konsumimi i përditshëm i boronicave mund të ndikojë në funksionimin e mikrobiomës së zorrëve dhe të lidhet me një prirje për përmirësimin e humorit te të moshuarit. Megjithatë, studiuesit nuk gjetën prova të mjaftueshme që ky efekt të jetë më i madh se ai i placebos, duke e konsideruar këtë një sinjal paraprak që kërkon studime më të gjera.
“Fibrat dhe antocianinat që gjenden te boronicat kanë potencialin të modifikojnë mikrobiomën e zorrëve dhe metabolitët që lidhen me depresionin te të moshuarit”, tha autorja kryesore e studimit, Courtney L. Millar, shkencëtare në Institutin Hinda dhe Arthur Marcus për Kërkimet mbi Plakjen, pjesë e Hebrew SeniorLife, si dhe profesoreshë asistente në Shkollën Mjekësore të Harvardit. “Objektivi ynë ishte të përcaktonim paraprakisht efektin e konsumit të boronicave në mikrobiomën e zorrëve, metabolitët dhe simptomat depresive.”

Studimi i efekteve të konsumit të përditshëm të boronicave
Për të hetuar këtë lidhje të mundshme, studiuesit rekrutuan të rritur të moshës 65 vjeç e lart, të cilët ishin fizikisht joaktivë dhe përjetonin simptoma të lehta depresive. Studimi pilot u zhvillua me një model të randomizuar, të dyfishtë të verbër, me grupe paralele dhe të kontrolluar me placebo.
Gjatë tre muajve, pjesëmarrësit konsumuan çdo ditë ose 48 gramë pluhur boronicash, sasi e përafërt me dy filxhanë boronica të freskëta, ose një pluhur placebo me pamje të ngjashme.
Studiuesit analizuan mikrobiomën e zorrëve përmes sekuencimit metagjenomik, duke matur bollëkun e specieve mikrobike dhe të gjeneve të tyre. Ata përdorën gjithashtu kromatografinë e lëngshme të kombinuar me spektrometrinë e masës për të analizuar acidet yndyrore me zinxhir të shkurtër në feçe, ndërsa simptomat depresive u vlerësuan me pyetësorë të standardizuar para dhe pas ndërhyrjes.

Ndryshime të lehta në aktivitetin mikrobik
Në studim morën pjesë gjithsej 18 persona që e përfunduan ndërhyrjen. Shumica ishin gra dhe pjesëmarrësit ishin kryesisht të bardhë. Në grupin placebo ishin tetë persona me moshë mesatare 75 vjeç, ndërsa në grupin që konsumoi boronica ishin dhjetë persona me moshë mesatare 71 vjeç.
Edhe pse pjesëmarrësit që konsumuan boronica shfaqën një prirje drejt uljes më të madhe dhe më të qëndrueshme të simptomave depresive, ndryshimi nuk rezultoi statistikisht domethënës krahasuar me grupin placebo.
Analizat e mikrobiomës treguan se përbërja e përgjithshme e baktereve të zorrëve, rrugët metabolike MetaCyc dhe nivelet e acideve yndyrore me zinxhir të shkurtër mbetën të pandryshuara.

Megjithatë, studiuesit identifikuan ndryshime statistikisht domethënëse brenda grupit që konsumoi boronica në bollëkun e gjeneve të lidhura me disa enzima mikrobike të zorrëve. Njëra prej tyre ishte enzima EC 3.6.3.31, ATP-aza transportuese e poliaminave, e cila lidhet me prodhimin e acidit gama-aminobutirik (GABA), një neurotransmetues që luan rol në transmetimin e sinjaleve në tru.
Këto rezultate sugjerojnë se boronicat mund të ndikojnë në aspekte të caktuara të funksionimit të mikroorganizmave të zorrëve, edhe pa ndryshuar përbërjen e përgjithshme të mikrobiomës. Sipas studiuesve, do të nevojiten studime më të mëdha për të përcaktuar nëse këto ndryshime mund të përkthehen në përmirësime domethënëse të humorit dhe të simptomave depresive. /ScienceDaily

Qendra Alert/Alert.al

Frutat dhe perimet po humbasin vlerat ushqyese, çfarë mund të bëni?

Më shumë fruta dhe perime në tryezë nuk do të thotë domosdoshmërisht më shumë lëndë ushqyese. Një raport i ri ngre shqetësime për rënien e përqendrimit të mineraleve në disa ushqime të përditshme, si gruri, mollët dhe karotat, krahasuar me dekada më parë. Ndryshimet në praktikat bujqësore dhe cilësinë e tokës po vënë në fokus jo vetëm sasinë e ushqimit që prodhohet, por edhe vlerat që ai i ofron organizmit.

Sipas një studimi të kompanisë kërkimore Deep Science Ventures (DSV), përmbajtja e disa mineraleve në kategori të caktuara ushqimesh mund të ketë rënë me 20 deri në 50% krahasuar me vitet 1960. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se të gjitha frutat dhe perimet kanë humbur të njëjtën përqindje të vlerave ushqyese. Ndryshimet varen nga produkti, minerali i matur dhe kushtet e kultivimit.

Për dekada, bujqësia është përqendruar kryesisht te rritja e prodhimit, ndërsa cilësia ushqyese nuk ka pasur gjithmonë të njëjtën vëmendje. Sipas ekspertëve, kjo e bën edhe më të rëndësishme zgjedhjen e një diete të larmishme dhe të ekuilibruar.

Disa mënyra për t’u ushqyer më shëndetshëm

Zgjidhni shumëllojshmërinë, jo vetëm sasinë

Konsumimi i vazhdueshëm i të njëjtave fruta dhe perime mund të kufizojë larminë e lëndëve ushqyese që merr organizmi. Ekspertët këshillojnë përfshirjen e produkteve me ngjyra të ndryshme, pasi ato ofrojnë kombinime të ndryshme vitaminash, mineralesh dhe përbërësish bimorë. Edhe perimet e ngrira dhe ato të konservuara mund të jenë alternativa të mira, pa qenë e nevojshme të shpenzoni gjithmonë për produkte të freskëta.

Will Summers, ekspert për çështjet klimatike në Deep Science Ventures, vë në dukje se industria ushqimore është përqendruar për dekada te rritja e prodhimit, jo domosdoshmërisht te vlera ushqyese e produkteve.

“Për 60 vjet e kemi matur sigurinë ushqimore përmes kalorive dhe tonëve të prodhimit për hektar. Në këta tregues kemi arritur rezultate të jashtëzakonshme. Por, ndërkohë, gradualisht kemi varfëruar atë që gjendet brenda ushqimit tonë” shpjegon Summers.

Sipas tij, kjo çështje bëhet edhe më e rëndësishme kur njerëzit konsumojnë më pak ushqim, pasi cilësia ushqyese e çdo vakti merr më shumë peshë.

“Kur njerëzit hanë më pak, cilësia ushqyese e çdo kafshate bëhet shumë më e rëndësishme” thekson ai.

Megjithatë, shqetësimet për rënien e mineraleve nuk janë arsye për të hequr dorë nga frutat dhe perimet. Nutricionisti i regjistruar Rob Hobson këshillon një dietë të larmishme, me ushqime të ndryshme që plotësojnë nevojat e organizmit.

“Duhet të kujtojmë se shumë ushqime të përditshme vazhdojnë të përmbajnë sasi të konsiderueshme vitaminash dhe mineralesh, edhe në porcione relativisht të vogla” shpjegon Hobson.

Sipas tij, konsumimi i të paktën pesë porcioneve frutash dhe perimesh në ditë, i kombinuar me një dietë të larmishme, mbetet një mënyrë e mirë për të siguruar shumë nga lëndët ushqyese të nevojshme.

Një nga këshillat kryesore të nutricionistit është të mos kufizohemi te të njëjtat produkte çdo ditë, por të zgjedhim fruta dhe perime me ngjyra të ndryshme, të cilat ofrojnë kombinime të ndryshme vitaminash, mineralesh dhe fibrash.

“Ka perime që ofrojnë një përqendrim veçanërisht të lartë të lëndëve ushqyese. Prandaj, do t’i inkurajoja njerëzit të mendonin më shumë për shumëllojshmërinë” thotë ai.

Për një dietë më të pasur, Hobson rekomandon perimet me gjethe jeshile, si spinaqi, brokoli dhe lakra, si dhe ushqime të pasura, si karotat dhe patatet e ëmbla. Domatet, të cilat përmbajnë likopen, mund të konsumohen të gatuara me pak vaj ulliri për të ndihmuar përthithjen e këtij përbërësi.

Spinaqi, brokoli dhe lakra janë burime të rëndësishme të vitaminave C dhe K, si dhe të folateve. Këto lëndë ushqyese kontribuojnë në funksionimin normal të organizmit, shëndetin e kockave dhe riparimin e indeve. Edhe speci i kuq është një zgjedhje e mirë për marrjen e vitaminës C.

Mos neglizhoni fibrat ushqimore

Fibrat ndihmojnë tretjen, shëndetin e zorrëve dhe kontrollin e kolesterolit. Për të rriturit, rekomandohen rreth 30 gramë fibra në ditë, sipas udhëzimeve britanike. Bizelet, fasulet, thjerrëzat janë ndër ushqimet që mund të ndihmojnë në plotësimin e kësaj sasie.

Mos merrni suplemente pa vlerësuar nevojat tuaja

Shqetësimet për vlerat ushqyese të ushqimeve nuk nënkuptojnë se zgjidhja është përdorimi i pakontrolluar i vitaminave. Suplementet duhet të merren në bazë të nevojave individuale dhe, kur është e nevojshme, me këshillën e një profesionisti shëndetësor. Vitamina D meriton vëmendje të veçantë në periudhat kur ekspozimi ndaj diellit është i kufizuar, por rekomandimet mund të ndryshojnë sipas vendit dhe gjendjes shëndetësore.

Kombinoni ushqimet dhe mbani një dietë të ekuilibruar

Asnjë produkt i vetëm nuk mund të sigurojë të gjitha lëndët ushqyese që i nevojiten organizmit. Një dietë e shëndetshme duhet të përfshijë fruta, perime, drithëra integrale, bishtajore, burime proteinash dhe yndyrna të shëndetshme.

Qendra Alert/Alert.al

Bukë e freskët apo e konservuar? Çfarë tregojnë etiketat dhe rregullat e prodhimit të bukës

Buka, dikur ushqimi bazë i familjeve, po humbet gjithnjë e më shumë vendin në tryezat tona. Frika nga gluteni, paragjykimet për karbohidratet dhe përhapja e produkteve me cilësi të dobët kanë shtuar mosbesimin ndaj një prej ushqimeve më të vjetra të njerëzimit.

Për shekuj me radhë, buka ka qenë simbol i jetës dhe traditës. Deri disa dekada më parë, ajo përbënte bazën e ushqyerjes në vendet mesdhetare. Por, që nga gjysma e dytë e shekullit XX, raporti i konsumatorëve me bukën ka ndryshuar ndjeshëm.

Sot, në tryezat e mëngjesit, buka po zëvendësohet shpesh nga drithërat e paketuara, ëmbëlsirat industriale dhe fetat e thekura.

Krahas ndryshimit të zakoneve ushqimore, një tjetër shqetësim lidhet me cilësinë e bukës që konsumatorët gjejnë në treg. Dallimi mes prodhimeve artizanale dhe atyre industriale mbetet një çështje e rëndësishme për këdo që kërkon të zgjedhë një produkt cilësor. Në këtë realitet, sfida nuk është vetëm rikthimi i bukës në tryezë, por edhe informimi i konsumatorëve për të dalluar produktet dhe për të bërë zgjedhje më të ndërgjegjshme.

Të dhënat tregojnë këtë transformim: konsumi i bukës për frymë në Itali ka rënë nga rreth 230 gramë në ditë në vitin 1980 në rreth 80 gramë në ditë në vitin 2023. Në pak më shumë se dyzet vjet, ai është ulur me më shumë se dy të tretat.

Këto shifra meritojnë reflektim. Ndërsa konsumi i bukës bie, obeziteti dhe çrregullimet metabolike përbëjnë një problem të rëndësishëm të shëndetit publik. Është e arsyeshme të shtrohet pyetja nëse dhe në çfarë mase kalimi nga buka te disa produkte industriale që përdoren si zëvendësues të saj mund të kontribuojë në këtë fenomen, duke marrë parasysh edhe faktin se shumë prej tyre klasifikohen si ushqime ultra të përpunuara.

Si të orientoheni në momentin e blerjes

Leximi i informacionit që i vihet në dispozicion konsumatorit mbetet mënyra më efektive për të bërë një zgjedhje të informuar. Vetëm lista e përbërësve nuk mjafton gjithmonë për të përcaktuar se si është prodhuar buka. Edhe një produkt i prodhuar me procese industriale mund të përgatitet me një recetë shumë të thjeshtë.

Prania e konservuesve përjashton mundësinë që produkti të konsiderohet “bukë e freskët”, sipas përkufizimit të parashikuar nga dekreti i vitit 2018. Po kështu, shënime të tilla si “i përftuar nga brumë i ngrirë” ose formulime të ngjashme bëjnë të mundur të kuptohet se gjatë procesit të prodhimit është përdorur një metodë konservimi. (IlFattoAlimentare)

Qendra Alert/Alert.al