Menu

Siguria ushqimore

Produktet e skaduara nga halli apo nga joshja e ofertave? Sa vlerë kanë për konsumatorët dhe sa të rrezikshme janë?

Nga Vilma KËRÇIKU

Nuk janë të pakta rastet kur konsumatori është përballur me produkte të skaduara në markete të ndryshme dhe në fakt nuk kanë munguar as rastet kur vetë insitucionet përkatëse i kanë denoncuar subjektet tregtare që shesin produkte që i ka kaluar afati skadencës apo i mbajnë ato në kushte të papërshtatshme higjene. Vetëm gjatë muajve të parë të këtij viti sipas Autoritetit Kombëtar të Ushqimit për periudhën Janar-Tetor 2023 janë 237 raste bllokimi me sasi: 312.45 ton, 7075.6 litra, 7968 kokrra vezë dhe 72600 copë.
Cilat janë produketet e bllokuara dhe që kryesojnë listën?
AKU: “Më shumë janë bllokuar produkte ushqimore si: Çokollata, biskota, çokokrem, makarona, pije të ndryshme, mish dhe nënprodukte mishi, vezë, gjalpë, si dhe produkte pastiçerie.
Cilat janë arsyet kryesore të bllokimit dhe sa nga këto janë produkte ushqimore?
AKU: “Arsyet kryesore te bllokimeve janë: marrje mostre, etiketim, mungesë gjurmueshmërie, analiza mbi normë (ushqim i pasigurtë), si dhe për arsye skadence. Produkte ushqimore janë 227 raste bllokimi me sasi 311.3 ton, 7014.5 litra, 7968 kokrra vezë dhe 600 copë. Janë 38 raste bllokimi për arsye të skadencës me sasi: 3.77 ton, 579 litra, si dhe 2982 kokrra vezë.

Ersida Teliti, Drejtore Ekzekutive e Qendrës “Konsumatori shqiptar”:
“Denoncimet kryesore të konsumatorëve gjatë kësaj periudhe kanë qenë për produktet ushqimore, të cilat në fakt janë dhe ankesat më të shpeshta. Ato vijonë të kryesojnë listën e ankesave të konsumatorëve. Erisda Teliti nga thotë se ushqimet e skaduara ato nuk kanë vlera ushqyese, por vazhdojnë të jenë dhe mund të përdoren nga konsumatori. “Ka rrjete të ndryshme supermarketesh, ka linja të ndryshme tregtarësh të cilët tregtojnë produkte jashtë datës së skadencës apo jetëgjatësisë së tyre. Duhet theksuar se, nëse nuk tregohesh i kujdesshëm këto produkte nuk i gjen vetëm në rrjete supermarketesh të cilat zakonisht janë më të rregullta për shkak të kontrolleve më të mëdha nga AKU dhe Drejtoritë Rajonale. Në markete apo tregtarë të vegjël, propabiliteti për të gjetur produkte të skaduara është dhe më i madh”, shprehet Teliti. Këto janë foto që janë shkrepur në disa supermarkete në Tiranë:
Por a e zbatojnë të gjitha bizneset rregullin e asgjesimit të produkteve të skaduara?
Sipas Telitit, “si rregull të gjitha produktet e skaduara nëpërmjet një procedure që është pikërisht procedura e asgjesimit e parashikuar me ligj në aktet ligjore dhe nën ligjore në fuqi duhet të grumbullohen të gjitha bashkë dhe të asgjesohen. Asgjesimi i këtyre ushqimeve duhet të jetë në përputhje me standardet e tjera sikurse lidhet me mjedisin dhe mbrojtjen e tij. Institucionet apo tregtarët që e bëjnë asgjesimin duhet të ndjekin dhe të respektojnë prodecedurat qoftë ato administrative apo ato që lidhen me mbrojten e mjedisit, ndotjen e ajrit dhe sigurinë e jetës. Nuk duhet të ndotet toka, pasi një tokë e ndotur do të ndikojë drejtëpërdrejtë tek bimët dhe te fitosaniteti.
Sa vlerë kanë produktet që janë në ofertë dhe shumë pranë skadencës apo ato që e kanë kaluar prej ditësh afatin e prodhimit?
Nutricionistja Diola Dosti tregon se data e skadencës flet më shumë për cilësinë ushqimore sesa për sigurinë ushiqmore. “Ajo përfaqëson një lloj ‘vërtetimi’ të prodhuesit që produkti është i freskët. Pra, data e skadencës është më shumë një lloj udhëzuesi ndaj ushqimit sesa një rregull i fortë për t’u mbajtur. Normalisht një ushqim ka më pak vlera ushqyese sa më gjatë ai qëndron në raft. Prandaj dhe Departamenti i Agrikulturës US vendosi datë skadence tek qumështi formulë pasi nuk është e garantuar që pas datës së skadencës, produkti ruan vlerat ushqyese”.

Por si ta dallojmë një produkt kur ka skaduar dhe të mos biem pre e tij?
Ka raste që konsumatorët gënjehen nga etiketat që mbivendosen njëra pas tjetrës dhe shpesh nuk arrijnë të gjejën datën e skadencës dhe vrapojnë për ta blerë. Nutricionistja jep detajet se si mund ta zbuloni një produkt të skaduar nga disa element: “Myku, ngjyra dhe aroma janë veçoritë kryesore, por kujdes Escherichia coli është bakteri nga i cili duhet të ruhemi në këto raste. Nëse keni një dyshim mbi një produkt të caktuar si në aromë, ngjyrë, etj më mirë hidheni”
Produktet me origjinë shtazore janë më të rrezikshme dhe ndaj tyre duhet të ruhemi më shumë, përmendim këtu:vezën, mishin, kosin dhe veçanërisht me qumshtin duhet të kemi kujdes më të theksuar. Kur ne konsumojmë një produkt të skaduar do të thotë se nuk marrim të njëjtat vlera nutricionale. Frutat dhe perimet që nga momenti i shkëputjes së tyre nga toka, bima apo rrënja humbasin një vlerë shumë e lartë të vitaminave apo dhe mineraleve të tjera”- shpjegon nutricionistja.
E thënë shqip ofertat dhe çmimet jo të kripura na vënë të gjithëve në dilemë, si ata që nuk kanë me se ta mbushin tryezën, por edhe ata që joshen për ta pasur sa më plot. Por kujdes se sasia e madhe ju kushton shëndetin dhe ky i fundit ka sërish një kosto edhe më të lartë për xhepat tuaj.

*Autorja e këtij materiali është gazetare me eksperiencë 13-vjeçare në media të shkruara dhe elektronike, e fokusuar kryesisht te çeshtjet sociale. Aktualisht punon në televizionin kombëtar Top Channel.

 

 

 

** Ky publikim është prodhuar në kuadër të projektit “ALERT pë mbrojtjen e konsumatorit”, me mbështetjen e Programit #SustainMedia, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Qendrës ALERT dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së ose të qeverisë gjermane.

Nëna që vdiq nga medikamentet, do dobësohej për fustanin që do vishte në dasmën e së bijës. Rreziku nga ilaçet e diabetit që premtojnë mrekullinë e humbjes në peshë

Nga Edlira SULEJMANI*

Trendi më popullor gjatë viteve të fundit për konsumatorët në mbarë botën është ai i marrjes së suplementeve, medikamenteve, çajrave etj, për të rënë nga pesha në një kohë shumë të shkurtër. Por, janë disa medikamente kohët e fundit që në fakt me marketingun e tyre po bëjnë “namin” dhe pavarësisht se kanë efekte anësore, konsumatorët kanë filluar t’i injorojnë. Ozempic, Saxenda, Wegovy janë medikamentet që sot po përdoren nga njerëz të njohur publik në mbarë botën për rënien nga pesha e që reklamohen si ilaçi magjik që do të hiqni kilogramët e tëpërta. Nga Elon Musk, Robbie Williams e Kim Kardashian e kanë pranuar se i kanë përdorur. Por, studimet më të fundit në fakt të botuara në revista prestigjioze po flasin gjithnjë e më shumë për efekte anësore në shëndet.


Sa po i përdorin shqiptarët këto medikamente?
Në fakt, farmacistët nën zë thonë se ka shumë individë që pyesin a gjenden, si mund t’i disponojnë medikamentet që premtojnë rënie në peshë të menjëhershme, madje edhe pse mund të jenë në kosto të konsiderueshme.
Në Shqipëri Ozempic, sipas Agjencisë së Kontrrollit të Barnave, është i regjistruar, por sipas këtij institucioni nuk është importuar në vendin tonë, çka do të thotë se nuk mund të jetë i pranishëm nga momenti në moment dhe rreziku mund të jetë shumë pranë nëse marketingu ka arritur të bëj lavazhin e duhur pa shpjeguar efektet anësore apo kush duhet ta përdorë.


Por kjo se përjashton faktin se mund të gjendet në tregun e zi ashtu si një pjesë e medikamenteve që shpesh herë janë kapur edhe kontrabandë. Ndërkohë që online në rrjetet sociale ka edhe njoftime të tipit, blini stilolaps Ozempic.
Përtej kufijve, Ozempic-un mund ta porosisësh edhe online. Në Amazon krahas stilolapsave Ozempic, me recetë nga mjeku të ofrohen edhe guidat se si mund t’i përdorni, të cilat kushtojnë vetëm 7 dollarë. Marketingu që i bëhet këtij medikamenti po bëhet gjithnjë e më i fuqishëm, ndërkohë që njerëzit gjithnjë e më shumë po e kërkojnë dhe nëse navigon në rrjet do të shohësh që ai gjendet në sasi shumë të pakta.

Por çfarë thonë mjekët për këto medikamente? A duhet të përdoren nga njerëzit e shëndetshëm? Pse po bëhen kaq popullore?

Mjekja Aurora Dollenberg, Kryetare e Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Evropë tërheq vëmendjen e konsumatorëve për përdorimin e Ozempic. “Medikamemte si Ozempic apo alternativa të tjera që janë të licensuara për sëmundje të ndryshme po bëhen gjithnjë e më të përdorura për rënien në peshë. Janë bërë shumë popullore sepse kanë një efikasitet shumë të shpejtë në kohë. Për katër javë pacienti humbet gati 20% të peshës trupore që kishte. Ozempic është e lincesuar ng EMA dhe FDA dhe është një medikament që jepet me recetë për pacientët që kanë diabet. Pra, duhet diagnoza dhe receta dhe në Evropë është e ndaluar që ta marrin pacientët e shëndoshë. Ka shitje ilegale të Ozempic, ashtu siç ndodh dhe me shumë medikamente të tjera, por ajo që është më shqetësuese edhe nëse shitet në tregun e zi, blerësit zakonisht mashtrohen me gjilpëra që janë false. Janë bërë analiza këtu në Gjermani dhe kanë rezultuar se në vend të Ozempic njerëzit kanë paguar për gjilpëra të mbushura thjesht me NaCl, ujë me kripë”, shprehet mjekja, duke shtuar se, “trendi viral po shkakton një mungesë të theksuar të Ozempic në farmaci për pacientët që vuajnë nga diabeti i tipit 2”.
“Ka shumë efekte anësore të rrezikshme tek personat e shëndetshëm që nuk janë me diabet. Efekti më i madh anësor është fatal për jetën dhe lidhet me hypogliceminë, ulja e nivelit të sheqerit në gjak nën normat e lejuara. Nëse kjo i ndodh pacientit, ai mund të humbasë vetëdijen dhe të kalojë në një shok hyglicemik (gjendje kome). Nëse gjendja zgjat për 30 minuta dhe nuk i jepet ndihmë atëherë kjo mund të jetë fatale për pacientit, sepse truri nuk furnizohet normalisht me sheqer”, thekson mjekja Dollenberg.
Saxenda, Wegovy, Zepbound më i fundit i miratuar nga FDA ditët e para të nëntorit janë të tjera medikamente ashtu si Ozempic, shumë popullore që po përdoren për uljen e peshës trupore. E keqja më e madhe, thotë mjekja Aurora Dollenberg është se, ka bluza të bardha që korruptohen dhe ju përshkruajnë pacientëve të shendëtshëm në recetë Ozempic. Kjo ka ndodhur në Gjermani disa herë dhe mjekët tashmë janë mbrapa hekurave ndërkohë që hetimet vazhdojnë. Por, pavarësisht këtyre marketingu vazhdon të kryhet pa vënë në pah efektet negative, duke vënë në rrezik ata që i konsumojnë. Reklamimi pa një filtër në rrjetet sociale po shtyn gjithnjë e më shumë breza të ndryshëm të bëhen pjesë e trendeve që nisin nga njerëzit e famshëm pa ditur se deri ku do të mbërrijnë. Jo më larg se në fillim të këtij nëntori, një nënë në Australi humbi jeten nga përdorimi i medikamenteve për uljen e peshës përfshirë edhe Ozempic, madje edhe me përshrkimin e mjekëve sipas familjarëve. Arsyeja e përdorimit të këtyre medikamenteve nga kjo nënë që nuk jeton më: “Të dobësohej për fustanin që do të vishte në dasmën e së bijës”.
Sot disa prej këtyre medikamenteve po testohen edhe tek fëmijët që janë mbipeshë.

Ndërkohë që testimet po përfshijnë çdo gupmoshë, firmat farmaceutike kanë nisur nga puna që të prodhojnë sa më shumë medikamente që ndihmojnë në uljen në peshë, por shumë pak reklamohet dhe flitet për efektet anësore. A ka mbërritur në Shqipëri? Një gjë është e sigurt njerëzit janë të interesuar dhe kuriozë për të mësuar sa më shumë për medikamentet që bëjnë mrekulli, dhe shpesh neglizhojnë informacionin që duhet të marrin për efektet anësore madje dhe fatale për jetën.

*Autorja e shkrimit është gazetare me eksperiencë mbi 20-vjeçare në çeshtje sociale, shendetëse dhe arsimi. Pre disa vitesh punon në Top Channel.

 

 

** Ky publikim është prodhuar në kuadër të projektit “ALERT pë mbrojtjen e konsumatorit”, me mbështetjen e Programit #SustainMedia, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Qendrës ALERT dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së ose të qeverisë gjermane.

Ekskluzive / Futrunë në AKU, Drejtori i Përgjithshëm shkarkon pa asnjë motivacion 6 inspektorë të Tiranës dhe i "internon" në qarqe tjera - Shkresa

Në AKU ka nisur furtuna. Pak javë pas emërimit të Drejtorit të ri të Përgjithshëm, Edmond Rrushi, ka nisur dhe vala e largimeve dhe riemërimeve. Drejtori i Përgjithashëm i AKU ka liruar nga detyra ditën e djeshme, pa asnjë motivacion, 6 inspektorë dhe i ka emëruar ata ne drejtoritë rajonale në rrethe tjera. Alert.al ka mësuar se, inspektorët e AKU Tiranë janë liruar nga detyra që mbanin në kryeqytet dhe janë “degdisur” në qarqe të tjera, megjithëse kanë thuajse 10 vjet apo edhe më shumë që punojnë në këtë drejtori dhe që vendbanimin e kanë në Tiranë. Pas lirimit ata janë emëruar në Dibër, Gjirokastrës, Vlorë, Berat, Fier etj, pa asnjë motivacion për lëvizjen e tyre.
Drejtoria Rajonale e AKU Tiranë inspekton bizneset më të mëdha në vend e për pasojë, ka të ngjarë që drejtorit i duhen njerëz të besuar. Ndaj ka ardhur edhe kjo lëvizje e menjëhershme. Të gjithë drejtorët e AKU, që fatkeqësisht kanë qenë të shumtë në këto 13 vjet, që kur është krijuar ky institucion, i kanë nisur ndryshimet për interesa personale dhe partiake në Drejtorinë e Përgjithshme apo edhe me krerët e drejtorive rajonale. Ndërsa drejtori i fundit duket se, do të kompletojë fillimisht “ushtrinë” e tij, më pas do të vendosë dhe “gjeneralët”.


Që në muajin shkurt të vitit 2020, Qendra ALERT i ka kërkuar Komisionit Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese që të mos miratojë nxjerrjen e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit nga Shërbimi Civil, në kohën kur po bëheshin ndryshime në Ligjin “Për Ushqimin”. Madje, paralajmeroi deputetët dhe Ministrin e Bujqësisë të asaj kohe, Niko Peleshi, se AKU do të kthehej në një “fushë shahu” me një lojtar, i cili do t’a kthente këtë në një institucion të pavlerë, me njerëz që do të ishin gjithmonë nën trysninë e drejtuesve, të cilët mund t’i largonin nga detyra qoftë dhe pa asnjë arsye. Kjo do të bënte cënim të rëndë të cilësisë së inspektimeve dhe shkatërrim të sigurisë ushqimore, siç dhe ka ndodhur.
Qendra ALERT

Domate nga Shqipëria me persitice, bllokohen në marketet e Kroacisë

Sistemi i Njoftimit të Shpejtë për Produktet Ushqimore i Bashkimit Evropian, njofoi se në Kroaci janë zbuluar domate nga Shqipëria me përmbajtje të pesticideve. Apo konkretisht, të isekticidit Fenamiphos.
Njoftimi në faqen ë RASFF është publikuar me datën 17 nëntor dhe vendi njoftues është Kroacia. Autoritetet e kësaj të fundit i kanë konstatuar domatet shqiptare me mbetje nga Fenamiphos, pas analizave të kontrolleve zyrtare në markete. Dhe nga analizat ka rezultuar se, normat e gjetura në mostrat e analizuara janë 0,012; 0,072; 0,027 mg/kg – ppm, ndërkohë që nuk ka limite, por nuk duhet të ketë fare prezencë. Autoritetet kroate e kanë konsideruar rrezikun si mjaft serioz.
Fenamiphos është një përbërës sintetik ester fosforamidat dhe frenues organofosfat acetilkolinesterazë dhe neurotoksik që përdoret si pesticid. Karakterizohet si një lëndë e ngurtë dylli pa ngjyrë ose kafe shumë toksike dhe ekspozimi ndodh me thithje, gëlltitje ose kontakt. Fenamiphos përdoret në një larmi bimësh, duke përfshirë duhanin, kakaon, bananet, ananasin, agrumet, hardhitë e fruta të tjera, si dhe në disa perime e drithëra. Përbërja absorbohet nga rrënjët dhe më pas transportohet në të gjithë bimën.


Megjithëse janë vënë në dijeni zyrtarisht për rastin nëpërmjet RASFF, nuk ka asnjë informacion nga autoritetet shqiptare për masat e ndërmarra ndaj eksportuesit. Patjetër që aty nuk mund të gjenden më pjesë të eksporteve të dërguara në Kroaci apo gjetkë, por nuk ka asnjë onformacion për perimet e frutat që analizohen nga autoritetet tona dhe rezultatet e tyre.
Qendra ALERT

Siguria ushqimore? Raporti i Komisioni Evropian lë në klasë Shqipërinë. "Progres i kufizuar, s'u zbatuan rekomandimet" e dhjetra probleme të konsnatuara

Me një diplomatike dhe të “ëmbël” Raporti i Komisionit për Shqipërinë 2023 vazhdon t’a konsiderojë shqëtësuesë çeshtjen e sigurisë ushqimore, veterinarisë dhe mbrojtjes së bimëve.
Për sa i përket Kapitullit 12, Siguria ushqimore, politika veterinare dhe fitosanitare, raporti vëren se progresi është shumë i vogël, ose siç e quan KE, “Progres i kufizuar”. Shqetësime për Brukselin ka në të gjithë sektorët që përfshin ky kapitull, ndërsa rekomandimet e vitit të kaluar nuk janë zbatuar plotësisht.
“Është arritur progres i kufizuar veçanërisht gjatë periudhës raportuese për harmonizimin me acquis për kontrollet zyrtare, shëndetin e kafshëve dhe bimëve. Puna ka filluar, por nevojiten përpjekje të mëtejshme të rëndësishme…”, thotë ndër të tjera raporti.
Në lidhje me rekomandimet që nuk janë zbatuar, KE kërkon që Shqipëria “të punojë për për përafrimin e legjislacionit kombëtar me acquis në kuadër të politikave sektoriale kombëtare, veçanërisht për ligjet përkatëse për kontrollet zyrtare, shëndetin e kafshëve dhe shëndeti i bimëve; për finalizimin e personelit të shërbimit veterinar në mënyrë që të sigurohet që ai të jetë plotësisht funksional, si dhe ëë forcojë kapacitetin për të zbatuar programe efektive të mbikëqyrjes dhe vaksinimit mbi sëmundjet kryesore infektive të kafshëve, duke përfshirë tërbimin; të vazhdojnë në mënyrë efikase të zbatojë programin e vaksinimit të tërbimit në vitin 2024”.
KE vëren gjithashtu se ka ende mangësi në planifikimet e inspektimeve me bazë risku, ndërsa “zeron” punën e Paneleve Shkencore. “Duhet ende punë e rëndësishme për të të zvogëluar barrën administrative për planifikimin dhe raportimin mbi kontrollet zyrtare të bazuara në risk dhe për të siguruar që të dhënat kombëtare të jenë transparente. Pavarësisht krijimit të Panelit Shkencor në Qershor 2022 dhe shkurt 2023, rezultatet e punës së tij nuk janë ende publike”, thekson raporti.


Edhe Politikat Veterinare mbeten te “Përparimi i Kufizuar”, dhe sipas raportit, reforma të mëtejshme strukturore janë ende e nevojshme për të pasur një zinxhir të qartë komandimi dhe linjë komunikimi/raportimi, në linjë me acquis të BE-së. “Burimet e duhura njerëzore duhet të sigurohen duke plotësuar vendet e lira në Drejtorinë e Përgjithshme që merret me sigurinë ushqimore, veterinare dhe mbrojtjen e bimëve”, vijin raporti.
“Për më tepër, ndërkohë që Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve e rriti atë, stafi veterinar, reforma e sektorit veterinar mbetet e paplotë. Punë e rëndësishme mbetet ende për t’u bërë dhe nevojiten hapa për të ngritur kapacitetin e nevojshëm për mbikëqyrjen pasive dhe aktive, duke përfshirë vlerësime të besueshme të prevalencës së sëmundjeve. Kërkohet gjithashtu punë thelbësore për të dhënat, analiza dhe mbi projektimin, planifikimin dhe zbatimin e sistemeve efektive për sëmundjet, parandalimin dhe/ose çrrënjosjen. Shqipëria vazhdoi punën e saj për sëmundjet e kafshëve përmes dy fushatave të vaksinimit kundër tërbimit dhe zbatimin e programeve të kontrollit dhe çrrënjosjes për monitorim e brucelozës dhe tuberkulozit në tufat e bagëtive. Kërkohet punë thelbësore për të përmirësuar regjistrin e kafshëve me informacion shtesë mbi kafshë të tjera, të tilla si derrat, kuajt dhe shpendët, siç referohen në acquis të BE-së, për të siguruar që të krijohen sisteme të qëndrueshme gjurmueshmërie për ushqimet me origjinë shtazore”, thekson raporti.
Por, për Komisioni Evropian, shqetësim serioz duket se mbetet Plani Kombëtar i Monitorimit të Mbetjeve. “Në veçanti për sa i përket mjekësisë veterinare, produkteve, mbetjeve të pesticideve, metaleve të rënda dhe mykotoksinat në kafshët e gjalla dhe produktet me origjinë shtazore. Nuk ka ende metoda të vertetuara të verifikimit për të garantuar besueshmërinë e rezultatet për llojet dhe mallrat përkatëse”, thekson raporti, sipas të cilit, “është bërë përparim i kufizuar në zhvillimin e kapaciteteve dhe metodave të akreditimit dhe validimit për rrjetin laboratorik të Shqipërisë”.
Edhe Testimi i qumështit të papërpunuar, në optikën e Komisionit Evropian përbën ende shqetësim për konsumatorët dhe sigurinë ushqimore.
“Testimi i qumështit të papërpunuar është përfshrë në planin zyrtar të kontrollit të vitit 2023, por nevojitet më shumë progres në zhvillimin e udhërrëfyesve për përmirësimin e cilësisë së tij”, thuhet në raport, ndërsa “progresi në politikën fitosanitare mbetet i kufizuar. Shqipëria miratoi një plan veprimi për përdorimi i qëndrueshëm i produkteve për mbrojtjen e bimëve, por ligji për shëndetin e bimëve mbetet për t’u miratuar”.
Ndërsa pa asnjë përparim vazhdon të mbetet çështja e OMGJ-ve. “Asnjë përparim nuk është bërë në lidhje me ushqimin apo organizmat e modifikuar gjenetikisht dhe legjislacioni është ende për t’u adoptuar”, thekson raporti i Komisionit Evropian.

Qendra ALERT

ALERT!!! Djath bebe EKA me vaj palme të padeklaruar, AKU fsheh të dhënat dhe mjaftohet me 100 mijë lekë gjobë. Produkti kthehet për rietiketim e së shpejti në treg

Përdorimi i vajit të palmës në produktet me origjinë shtazore është thuajse masiv. Por, në shumë raste, ai fshihet dhe nuk deklarohet në etiketë. Në këto raste është shkelje ligji, por në rastet kur u frohet fëmijëve në produktet e tyre, pa e ditur prindrit se çfarë po iu blejnë, është kriminale.
I tillë është dhe rasti i fundit, të cilin AKU e fshehu si rast, pra emrin e subjektit dhe të dhënat tjera të produktit të zbuluar me vaj palme, të padeklaruar në etiketë.
“AKU bllokon 112 kg “djathë bebe të shkrirë” për mosdeklarim të të gjithë përbërësve ushqimorë në etiketë. Në kuadër të Programit të Punës mbi nisjen e hetimeve në stabilimentet prodhuese, përpunuese dhe ambalazhuese të qumështit dhe nënprodukteve të tij, janë kryer marrje mostre dhe kontrolle zyrtare, në këto subjekte. Nga analizimi i produktit “djathë bebe i shkrirë” i mostruar në stabilimentin e përpunimit “E”, ka rezultuar me përmbajtje të yndyrnave bimore” njofton AKU.
Por, Qendra ALERT ka mundur të mësojë emrin e kompanisë, analizat që i janë bërë kampionëve dhe rezultatet.
bëhet fjalë për Djath Bebe EKA, prodhim i kompanisë EKA – 2001, me Nipt K213070011 dhe adresë Rruga e Kavajës, 600 metër nga Lapidari i Pezës.
Inspektorët e AKU kanë marrë mostra për t’i analizuar për përbërësit, si dhe ngarkesat mikrobiologjike. Këto të fundit janë analizuar në laboratorin e Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë Tiranë dhe kanë rezultuar konform. Ndërsa për përbërësit e produktit, mostrat janë dërguar në laboratorin e Mjekësisë Veterinare në Shkup (Maqedonia e Veriut). Ky laborator ka ncjerrë si rezultat se, në djathin e shkrisë (djath bebe) EKA, ka prani të vajit të palmës, i padeklaruar në etiketë.
Certifikata e analizës mban numrin Nr. 2023/9/65, datë përfundimi testimi 13.09.2023 për numrin e kërkesës 7884, si dhe njoftimit te subjektit Eka -2001. Ky dokument është protokolluar në AKU e Tiranës me nr. 10419, datë 03.11.2023.
Djathi që ka rezultuar me prani të vajit të palmës me emërtimin “Djath i shkrirë Eka Bebe” mban datën e prodhimit 22.08.2023 dhe afat përdorimi deri më 22.02.2024.
Megjithëse thuhet se subjekti ka bërë njoftimin për tërheqjen nga tregu të kësaj sasie, dhe sipas raportit të AKU u tërhoqën nga tregu 103 copë x 140 gramë dhe u bllokuan në ambientet e subjektit.
Megjithatë, AKU është ndalur në analizimin e një loti me datë prodhimi e afat përdorimi të lartpërmendur, por askush nuk garanton që sasitë e mëparshme të hedhura në treg dhe që lehtësisht mund të gjenden sot në markete, janë tërhequr plotësisht.
AKU është mjaftuar vetëm me një gjobë ndaj subjektit në vlerën e 100 mije lekëve, produkti nuk është asgjësuar, por vetëm do të rietiketohet nga subjekti e do të rihidhet në treg, ndoshta edhe me data tjera prodhimi e skadence…
MOskomunikimi i riskut për konsumatorët, edhe pse është detyrë ligjore e AKU dhe e vetë subjektit, të dyja vazhdojnë të shkelin ligjin. Njoftimi në rrjete sociale pa asnjë të dhënë specifike është i padenjë për një institucion të rëndësisë së veçantë, i cili, kur nuk ka asnjë fuqi dhe Operatorët e Biznesit i bëjnë sfidë, si rasti në fjalë, të paten rrjetet e krijuara nga Mark Zuckerberg mund t’i përdori falas për të mirën e konsumatorit.
Qendra ALERT

Mungesat e etiketave dhe çmimeve që mashtrojnë konsumatorët. Asnjë informacion për produktet e pulës dhe të mishit. VKM për etiketimin, e pazbatueshme

Nga Alketa ÇEKU*

‘Ne jemi çfare hamë’. Kjo shprehje citohet shpesh nga mjekë dhe dietologë. Por, në Shqipëri shpesh qytararët nuk e dinë çfarë konsumojnë, kjo pasi produktet ushqimore tregtohen pa informacionin e nevojshem dhe herë herë duke mashtruar dhe shkelur hapur Ligjin “Për Ushqimin”, si dhe Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr.434, datë 11.7.2018 “Për Etiketimin e Ushqimeve dhe Informimin e Konsumatorit”.
Rastet që do të paraqesim janë fotografuar në disa supermarkete, ku shihet qarte se filetot, krahet, cungu i pulës dhe pulat tregetohen pa asnje informacion mbi origjinën e produktit.

Blerësi tentohet të manipulohet me etiketën pule e freskët, por mungon origjina për të kuptuar nëse eshte pulë importi ose e vendit, vendi i origjinës, prodhuesi, importuesi, tregtari dhe afatet e përdorimit.
Konsumatorët janë në ‘terr informativ’ ne lidhje me produktet që konsumojnë, sepse subjektet i tregëtojnë duke anashkaluar bazën ligjore, ku saktëshet se, duhet të deklarohet vendi i origjinës ose i prejardhjes për produktet ushqimore të importit.
Në marketet dhe supermarketet e kryeqytetit, siç tregojnë edhe fotot, informacioni i vetëm që ka blerësi është çmimi i shitjes.
Mungesa e etiketimit i hap rrugën manipulimit dhe mashtrimit që mund t’i bëhet konsumatorit. Por, kjo është vetëm maja e ajsbergut, pasi ne Tiranë, kryesisht dyqanet që tregetojnë mish nuk informojnë blerësin jovetëm për origjinën e mishit, thertoren etj, por edhe për çmimin.
Këto foto janë shkrepur në disa dyqane mishi në kryeqytet. Mungon jo vetem informacioni për origjinën e produktit, por edhe çmimi.
Tregëtimi i mishit dhe i nënprodukteve të tij pa deklaruar çmimin i hap rrugë abuzimit, duke ndikuar drejtperdrejt te xhepi i qytatarëve.

Edhe pse ligjet dhe udhezimet janë të qarta, mjafton një vëzhgim në dyqanet e kryeqytetit për të kuptuar se, ato janë të pazbatueshme.
Blerësi nuk ka asnje informacion të saktë nëse mishi është vendi ose i ardhur nga shtetet tjera. Në mungesë të çmimit dhe etiketës infomuese, që duhet të vendoset te një pjesë e dukshme e banakut dhe të tregojë origjinën e mishit, kohën kur është therur dhe mënyrën ruajtjes, konsumatorit i mbetet vetëm të besojë atë që thotë shitësi dhe jo atë që duhet të lexonte të deklaruar në etiketë.
Shpeshherë, në rrjetet e supermarketeve ka produkte të tilla me mbishkrimin “fileto pule (apo dhe produkte të tjera) X kompani”. Por këto kompani, jovetëm që nuk kanë stabilimente për mbarështimin e pula për mish, por nuk janë as importues. Me mijëra konsumatorë mashtrohen çdo ditë, ndërkohë që produktet mund dhe janë të importuara nga Brazili, Zelanda e Re, Hungaria etj, i importon X kompani, i blen një tjetër Y kompani, i shet te rrjeti i marketit dhe konsumatori nuk është në dijeni të këtyre detajeve. Për të mos diskutuar më tej se sa herë ngrihen e shkrihen, gjë kjo tërësisht e ndaluar.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është institucioni që ka për detyrë të inspektojë e kontrollojë çdo subjekt dhe operator biznesi ushqimor. Shkelje të tilla janë lehtësisht të verifikueshme nga inspektorët, mjafton që cilësia e inspektimit të jetë në nivelet e duhura.

*Autorja e shkrimit është gazetare në fushën investigative, me një eksperiencë 10-vjeçare. Ish-kryeredaktore e emisionit investigativ “Boom” dhe aktualisht gazetare ingestigative në Ora Neës.

 

 

** Ky publikim është prodhuar në kuadër të projektit “ALERT pë mbrojtjen e konsumatorit”, me mbështetjen e Programit #SustainMedia, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Qendrës ALERT dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së ose të qeverisë gjermane.

Per nje detyre te re? Drejtoresha e AKU jep doreheqjen pas auditit te KLSH

Raporti i Kontrollit te Larte te Shtetir, duket se ka bere “kurbanin” e pare ne AKU. Drejtoresha e Pergjithshme e ketij institucioni, Jeta Deda i ka paraqitur sot Ministres se Bujqesise dhe Zhvillimit Rural doreheqjen e saj, pas 2 vjetesh ne krye te ketij institucioni.

Megjithese zyrtarisht Deda ka lene drejtimin e AKU per faktin se do te marre nje detyre te re, ka te ngjare qe raporti qindra faqe i KLSH per nje periudhe 3-vjeçare, ka qene shkaku kryesor. Raporti me qindra faqe megjithese paraprak dhe finali pritet te publikohet nga KLSH me 23 nentor, ka detyruar Deden te jape doreheqjen.

Menaxhimi jo i mire i situates se gripit te shpendeve, kontrollitbte vezeve te mbetura nga pularite qe iu ngordhen shpendet, e mbi 20 milione kokrrave te importuara nga Serbia e Turqia nga keto 3 kompani, deri sallamet Wudy, falja e gjobave ndaj bizneseve dhe emeriket pa kriter.

Deda ne oren 16:00 ka mbledhur drejtoret rajonale te AKU, te cileve iu ka bere te ditur doreheqjen, si dhe stafin e Drejtorise se Pergjithshme.

vijon…

BE rregulla të reja për përdorimin e nitriteve dhe nitrateve si aditivë. Prodhuesit, 2 vjet kohë për t’u përshtatur me normat e limitet. Ja si kanë ndryshuar

Komisioni Evropian ka vendosur kufizime të reja për përdorimin e nitriteve dhe nitrateve si aditivë ushqimorë. Nivelet më të rrepta synojnë të mbrojnë produktet kundër baktereve patogjene si Listeria, Salmonella dhe Clostridium botulinum, ndërkohë që reduktojnë ekspozimin ndaj nitrozaminave, disa prej të cilave janë kancerogjene.

Bazuar në një vlerësim të mëparshëm shkencor nga Autoriteti Evropian i Sigurisë Ushqimore (EFSA), kufijtë u miratuan nga shtetet anëtare të BE-së. Kufijtë më të rreptë marrin parasysh diversitetin e produkteve dhe kushtet e prodhimit të tyre në të gjithë Evropën. Bizneset ushqimore tani kanë të paktën dy vjet për t’u përshtatur me to.

Substancat përdoren si aditivë ushqimorë për shkak të vetive të tyre antimikrobike, kryesisht në ushqime të shijshme dhe mish të përpunuar, por edhe në peshk e djathë. Ato funksionojnë si konservues dhe përdoren për të përmirësuar ngjyrën dhe për të zgjatur jetëgjatësinë e mishit të përpunuar.

Nitrati gjendet natyrshëm në perime, me përqendrimin më të lartë në perimet me gjethe si spinaqi dhe marulet. Ai gjithashtu mund të hyjë në zinxhirin ushqimor si një ndotës mjedisor në ujë.

Një studim i Komisionit Evropian i vitit 2014 zbuloi se, me disa përjashtime, sasia tipike e nitriteve të shtuara në produktet e mishit të pasterilizuara ishte më e ulët se niveli maksimal i vendosur i BE-së. Puna e mëtejshme në vitin 2016 duke përfshirë industrinë dhe produkte të ndryshme të mishit gjithashtu arriti në përfundimin se, ekzistonte një mundësi për të ulur nivelet maksimale të nitriteve.

Disa grupe, si Foodwatch France, kishin bërë thirrje për ndalimin e përdorimit të nitriteve dhe nitrateve të shtuara në ushqim. Një mocion u diskutua gjithashtu në fillim të këtij viti në Komitetin e Parlamentit Evropian për Mjedisin, Shëndetin Publik dhe Sigurinë Ushqimore (ENVI).

Komisionerja Stella Kyriakides, përgjegjëse për Shëndetin dhe Sigurinë Ushqimore, tha: “Duke vendosur kufizime të reja për aditivët e nitriteve dhe nitrateve në ushqim, ne po hedhim një hap tjetër në këtë drejtim dhe po bëjmë një veprim tjetër të rëndësishëm në kuadër të Planit të Evropës për të luftuar kancerin. Tani i bëj thirrje industrisë ushqimore që të zbatojë me shpejtësi këto rregulla të bazuara në shkencë dhe kudo që të jetë e mundur, t’i reduktojë ato më tej për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve.”

Detaje të mëtejshme mbi kufijtë (normat) për produkte të veçanta mund të gjenden në këtë dokument të Komisionit të BE-së.

Qendra ALERT – Dedikuar Konsumatori

Viagra në suplemente ushqimore: Dy raste tjera të raportuara nga Ministria e Shëndetësisë së Italisë. Produktet tregohen edhe në Shqipëri

Ministria e Shëndetësisë së Italisë ka publikuar një tjetër paralajmërim sigurie për praninë e një substance të ndaluar në dy suplemente ushqimore. Alarmi ka të bëjë me dy produkte teorikisht të bazuara në barishte dhe mjaltë, të prodhuara në Turqi, Epimedyumlu Macun Bitkisel Karisimli nën markën Themra dhe Wonderful Honey, në të cilat u zbulua prania e Sildenafilit, përbërësit aktiv të ilaçit të famshëm për mosfunksionimin erektil, Viagra. Të dy produktet shpërndahen në pako me shumë doza me 12 qese secila (144 gramë gjithsej) dhe nuk njoftohen në Itali, prandaj nuk mund të tregtohen përmes kanaleve zyrtare të shitjes. Megjithatë, dy suplementet mund të blihen online, siç mundi të verifikonte ministria.

Suplementet në fjalë u raportuan në sistemin e alarmit të shpejtë Rasff u raportua nga grupi Guardia di Finanza i Triestes dhe nga Seksioni Kundër Mashtrimit dhe Kontrollit Doganor, pas sekuestrimit të 10,848 qeskave në të cilat u zbulua prania e sildenafilit (kampionimi është kryer më 16.08.2023). Njoftimi Rasff 2023.6507 u krye më 26.09.2023 (40 ditë pas marrjes së mostrës) nga Posta e Kontrollit Kufitar (Pcf) e Triestes dhe iu transmetua Komisionit Evropian. Ministria e Shëndetësisë e publikoi alarmin vetëm dy javë më vonë, më 10.09.2023.

Në të kaluarën, dy suplementet janë raportuar nga vende të ndryshme evropiane, si dhe nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave të SHBA-së (në 2021 dhe 2022). Sildenafil duhet të merret vetëm nën mbikëqyrje të ngushtë mjekësore, pasi përbërësi aktiv mund të ndërhyjë me nitratet e pranishme në barna të tjera (siç është nitroglicerina) që përdoren për trajtimin e diabetit, hiperkolesterolemisë dhe sëmundjeve kardiovaskulare dhe të ulë presionin e gjakut në nivele të rrezikshme. Prandaj Ministria e Shëndetësisë rekomandon mos konsumimin e këtyre produkteve.

Kujdes!!!

Produktet në fjalë gjenden lehtësisht dhe në Shqipëri, Kosovë e Maqedoninë e Veriut. Dhjetra faqe online në rrjetet sociale i reklamojnë ato si produkte magjike e madje edhe bio. Siç i shikoni edhe në fotot e mëposhtme, janë një numër shumë i madh faqen në facebook që i reklamojnë. Ndaj kujdes!!!

Burimi: https://ilfattoalimentare.it