Menu

Sport

Fitorja e anglezëve pas 55 vjetësh/ Low largohet nga Gjermania, ndërsa Lineker heq shprehjen epike

Nuk mundi dot të largohej me nder, mbase jo me trofe, por të gjithë tifozët Gjermanë shpresonin që të shkonin pak më larg se faza e 1/8. Joachim Low humbi shumë nga shkëlqimi i një strategu perfekt në çdo detaj, por do të kujtohet përjetësisht si trajneri që i dhurojë Gjermanisë për herë të katërt në histori titullin kampion botë, një trofe i artë jo normal, por të paharrueshëm duke triumfuar në Brazil, do të kujtohet gjatë edhe për atë fitore madhështore 7-1 përballe seleços, por do të kujtohet edhe si trajneri që për herë të parë në histori ishte në bankinë kur Gjermania nuk arriti të kalonte fazën e grupeve në Botëror. Do të kujtohet gjatë edhe nga tifozët anglez, të cilët për herë të parë pas 55 vitesh festuan përballë Gjermanisë në një ndeshje me eliminim direkt.

Më në fund edhe Gary Lineker nuk do të kujtohet më për shprehjen e tij të famshme: “Futbolli është një lojë e thjeshtë, 22 burra vrapojnë pas topit për 90 minuta dhe në fund, Gjermania fiton gjithmonë”. “Mendoj se fraza “Gjermanët fitojnë gjithmonë” ka kohë që ka marrë fund. U prehtë në paqe”, shkroi Lineker në Twitter. Pas 15 vitesh, Low largohet me trishtim por duke lëshuar një mesazh të qartë, ky grup ka potencialin për të arritur gjëra të mëdha. Low i lë stafetën Fansi Flick, dikur ish ndihmësi i tij i famshëm, sot pasi fitojë gjithçka me Bayern Munich, merr drejtimin e katër herë kampionëve të botës dhe tre herë kampionëve të Evropës, me një mision të qartë: ti rikthejë Gjermanisë lavdinë e dikurshme.

EURO 2020/ Ukraina në çerekfinale, mposht Suedinë në frymën e fundit

Në “Hampden Park” të Glasgow, Suedia dhe Ukraina u përplasën për vendin e fundit në fazën tjetër dhe në 90 minuta nuk ia dolën të kishte fitues pasi barazuan 1-1 dhe vetëm pas kohës shtesë skuadra e Shevchenkos arriti të bënte mrekullinë me një gol në sekondat e fundit dhe të shkojë në çerekfinale

Nordikët që vinin si favoritët e nisën më mire takimin duke kontrolluar lojën por të parët në avantazh kaluan pikërisht ukrainasit që zunë në befasi kundërshtarët. Në 29’, Yarmolenko me mjeshtëri jep një asist në zone për Zinchenkon i cili me një gjuajtje thyen portierin Olsen.

Suedezët përgjigjen menjëherë, fillimisht me një rast të pastër me Larsson ndërsa në 44’ është Forsberg që shënon ku gjuajtja e tij nga jashtë zone devijohet dhe shkon në rrjetë.

Pjesa e dytë është më e mire për Ukrainën në qarkullimin e topit ndërsa të dyja skuadrat mund të shënojnë dhe të dyja ekipet gjejnë shtyllat. Në 55’ ishte Sydorchuk e të djathtën që godet shtyllën ndërsa një minutë më vonë iu përgjigj po Forsberg me të majtën që përfundoi në shtyllë.

Suedezët janë të pafatë kur sërish me Forsberg gjejnë traversën në 69’ dhe këtu duket se u vulos edhe barazimi 1-1 në 90’ minuta teksa ekipet luajnë 30 minuta shtesë.

Episodi që ndryshon ndeshjen është ai i 99’ kur Danielson merr të kuq për një ndëryrje të rëndë ndaj Besedin. Ekipi nordik detyrohet tashmë të mbrohet për minutat e mbetura dhe Ukraina që hidhet në sulm në mënyrë dramatike në sekondat e fundit të shtesës mbi shtesë gjejnë golin me Dovbyk ne 121′ duke i çuar ata në çerekfinale.

Tashmë ekipi i drejtuar nga Shevchenko do të përballen me Anglinë duke plotësuar kështu çiftet e plota çerekfinaliste.

Mbrojtje e hekurt dhe Sterling, Anglia mposht Gjermaninë dhe kalon në çerekfinale

Anglia “djeg” Gjermaninë dhe kalon në çerekfinale. Skuadra e drejtuar nga Gary Southgate triumfoi me rezultatin 2-0 ndaj një rivali historik si “panzer”-at, duke i dërguar këta të fundit në shtëpi që në fazën e 1/8-ave, teksa mbrojtja, që vijon të ruajë të paprekur portën e Pickford dhe Raheem Sterling konfirmohen pikat më të forta të “tre luanëve” në këtë edicion të Kampionatit Europian.

Në “Wembley” nuk u zhvillua një 90-minutësh nga ata që të mbeten në mendje, pasi duke parë rëndësinë e sfidës, të dy skuadrat u treguan shumë të kujdesshme të mbyllin hapësirat dhe të mos kalojnë asnjëherë në aventurë.

Shkëndijën e parë të rrezikshme e dha Raheem Sterling në minutën e 16’, por goditja e tij u ndal nga portieri Manuel Neuer, ndërsa në të 34-ën Timo Werner pati një mundësi mjaft të mirë për gjermanët, por finalizimi ishte i dobët dhe u topi u prit nga Pickford.

Ndonëse në hije për minuta të tëra, kapiteni Harry Kane pa t’i dilte një top mjaft i mirë në zonë dhe dribloi bukur portierin Neuer, por lëshoi topin më shumë nga këmbët dhe aty ndërhyri menjëherë Hummels, duke i hequr mundësinë e shënimit.

Pjesa e dytë nisi më mirë për Gjermaninë, që kërcënoi menjëherë me një goditje të bukur nga distanca, të fantazistit të Chelsea-t Kai Havertz, por po kaq i bukur ishte edhe reagimi i portierit Pickford, që grushtoi topin dhe e dërgoi në këndore.

Megjithatë kur sfida dukej se kishte rënë në qetësi dhe zëvendësimet e trajnerëve nuk po jepnin efekt, Anglia zbriti me një sulm të shpejtë e të saktë, ku Luke Shaw shërbeu saktë në zonë, aty ku Raheem Sterling shtyu topin në rrjetë, duke u dhënë avantazhin “tre luanëve”.

Ka festë në “Wembley” me anglezët që thërrasin në kor emrin e Raheem Sterling, por sulmuesi i Manchester City-t emocionohet më shumë se duhet dhe gabon një top në mënyrë flagrante, duke i dhënë mundësi Muller-it të shënojë golin e barazimit, por gjuajtja e veteranit gjerman përfundoi vetëm pak centimetra jashtë portës së Pickford.

Llogaritë e ndeshjes i mbylli Harry Kane 4 minuta para fundit, teksa pas një kundërsulmi të shpejtë, mori një kros të saktë nga Jack Grealish dhe shtyu topin në rrjetë për herë të dytë, duke gjetur golin e tij të parë personal në Euro 2020 dhe njëkohësisht duke vulosur kalimin e Anglisë ën çerekfinale, ku do të përballet me fituesen e çiftit Suedi-Ukrainë.

Merr fund në fazën e 1/8-ave Kampionati Europian për Gjermaninë, një skuadër që u kualifikua me vuajtje dhe realisht bindi vetëm në ndeshjen e dytë në grup ndaj Portugalisë, ndërsa Anglia mban gjallë ëndrrën për të festuar në finalen e madhe të “Wembley”-t më 11 korrik.

Southgate përballë Low, ndeshja e dy trajnerëve, ja çfarë thanë para sfidës

Dy trajnerët e kombëtareve, angleze dhe gjermane, japin mendimet e tyre para nisjes së ndeshjes historike.

“Është një ndeshje që erdhi më herët se sa parashikohej, është një ndeshje që vlen më shumë se sa një sfidë për 1/8, por e njëjta gjë ndodhi edhe me Belgjikë-Portugali. Për ekipin tim është një mundësi e shkëlqyer për të bërë historinë”, fjalë këto të thëna nga Gareth Southgate, një nga protagonistët që kujtohet gjatë sa herë luhet një sfidë kundër Gjermanisë, ajo penallti e humbur i ndjek nga pas gjithnjë, por Southgate kërkon ti jap tifozëve një histori të re: “Është një mundësi për ti dhënë tifozëve një tjetër kujtim, që shpresojë të jetë ndryshe”. Në lidhje me rivalët e tyre, Southgate shton: “Mbi Gjermaninë thuhen shumë gjëra, por unë them se ata janë të fortë. Kanë fituar 4 herë Kupën e Botës ndërsa në radhët e tyre janë 6 lojtarë që kanë fituar Champions League. Ata nuk do të kenë frikë nga Wembley, ata janë mësuar me turne të tillë, për tu përballur me ta duhet të jesh shumë i përgatitur taktikisht. Penalltitë? Stërvitemi gjithnjë për të goditur pas çdo seance stërvitore”, u shpreh trajneri i Anglisë në konferencë për shtyp.

I qartë se çfarë e pret në këtë përballje është edhe trajneri Joachim Low: “Ndeshje të tilla në këto nivele vendosen gjithnjë nga detajet. Gabimet që bëhen, rastet që të krijohen, janë detaje shumë të rëndësishme. Është shumë e rëndësishme edhe se si lojtarët administrojnë nervat. Anglezët janë rritur shumë në tre vitet e fundit. Në Botërorin e fundit treguan se janë ndër tre përfaqësueset më të mira në botë. Kanë shumë lojtarë që luajnë në Premier League që janë të mësuar me ritmin e lartë, janë më të vërtetë të fortë”, u shpreh Low në konferencë për shtyp.

alert.al/

Deschamps mbron Mbappe, trajneri drejt dorëheqjes pas eliminimit të mbrëmshëm

Pas eliminimit në fazën 1/8, trajneri francez Dechamps duket se do të japë dorëheqjen. Ai ka marrë përgjegjësitë dhe ka mbrojtur Mbappe-n për humbjen e asaj penalltie.

“Kjo humbje të bën të ndihesh keq, por ky është futbolli dhe duhet ta pranojmë. Kemi përjetuar edhe momente fantastike me këtë grup. Mbappe? Është jashtëzakonisht shumë i trishtuar, ashtu si të gjithë lojtarët, por askush nuk është i mërzitur me të pasi mori përsipër përgjegjësi për të goditur penalltinë e fundit. E ardhmja?

Jam i qetë pasi futbolli i tillë është, kur fiton është meritë e lojtarëve ku humbet është faji i trajnerit. Marr përsipër të gjitha përgjegjësitë e kësaj humbje”, u shpreh Deschamps në konferencë për shtyp.

Në fund të ndeshjes, lojtari më i mirë nuk u shpall as Benzema e as Seferovic, autor të dy golave, por kapiteni Granit Xhaka:

 

 

“Ishte fantastike, mund ta dërgonim ndeshjen në 2-0 dhe ta mbyllnim por humbja e penalltisë na çorganizoi. U futem në ndeshje në fund dhe treguam një forcë të madhe mentale, nuk di ta shpjegoj, barazuam në 10 minutat e fundit dhe më pas përjetuam emocione të mëdha nga goditja e penalltive.

Arritëm të shkruanim historinë ndërsa tani na pret një tjetër sfidë e madhe kundër Spanjës”, u shpreh Granit Xhaka.

alert.al/

Zvicra e shqiptarëve eliminon Francën nga Kampionati Europian

Zvicra ka bërë befasinë duke eliminuar Francën nga Kampionati Evropian.

Kampioni i Botës ishte në avantazh prej 3 – 1, por Zvicra ia doli ta barazoi rezultatin në 3 – 3, duke dërguar ndeshjen në kohën shtesë dhe më pas fituan duke u treguar më të saktë nga pika e bardhë e

Zvicra kaloi fillimisht në avantazh përmes Seferovic, që shënoi me kokë pas asistimit të Zuber (15′), rezultat me të cilin edhe u mbyll pjesa e parë.

Zvicra kishte rastin e artë të dyfishonte avantazhin, por Ricardo Rodriguez dështoi nga pika e bardhë (55′). Me këtë humbje të penalltisë, Franca ndryshoi duke sulmuar me të gjitha forcat.

Karim Benzema barazoi rezultatin duke marrë me klas topin nga Kylian Mbappe (57′). Pas vetëm dy minutave, Benzema shënoi prapë pas asistimit të Griezmann (59′).

Franca nuk u ndal me kaq dhe gjeti golin e tretë përmes Paul Pogbas, që realizoi eurogol nga distanca (75′). Shpresat e Zvicrës pavarësisht këtyre golave nuk u shuan dhe ngushtuan me anë të Seferovic (81′).

Në fundin e ndeshjes, mesfushori shqiptar Granit Xhaka asistoi për mrekulli te Gavarnovic (90’), që realizoi gol të bukur, dhe për pasojë ndeshja shkoi në shtesë.

Në 11-metërsh më të mirë u treguan më të mirët zviceranët duke shënuar të gjitha penalltitë, kurse tek Franca dështoi Kylian Mbappe. Zvicra në çerekfinale do të përballet me Spanjën.

Francezi që zgjodhi të përfaqësojë Spanjën, çfarë sulmi ndaj Deschamps

Mbrojtësi qendror i Manchester City, Aymerick Laporte, po luan në “Euro 2020” me fanellën e Spanjës. Ai lindi më 27 maj 1994 në Agen, Francë. E tija ishte një nga çështjet më të përfolura në prag të Europianit, duke pasur parasysh pasaportën e dyfishtë që e bëri atë të kualifikueshëm për dy kombëtare: Francën dhe “Furitë e Kuqe”.

Megjiëse lindi në vendin transalpin, qysh 16 vjeç u rekrutua nga Athletic Bilbao, ku kaloi përmes sektorit të të rinjve deri në ekipin e parë. Te baskët qëndroi deri në verën e vitit 2018, para se të transferohet te Manchester City.

Militantizmi i gjatë në tokën Iberike i dha atij, logjikisht, shtetësinë spanjolle, pavarësisht se paralelisht ka përfunduar të gjithë procesin e ekipeve kombëtare të të rinjve francezë. Edhe telefonatat e para për ekipin kombëtar të të rriturve transalpinë nuk munguan, por debutimi i shumëpritur nuk do të ndodhte kurrë.

Për të monitoruar situatën dhe, mbi të gjitha, duke e nuhatur rastin, mendon trajneri Luis Enrique, i cili nis kontaktet me të nga afër: “Unë kam qenë në kontakt me ekipin kombëtar spanjoll për shumë vite. Luis Enrique më shpjegoi se ekzistonte një afinitet midis stilit tim të lojës dhe idesë së tij të futbollit. Meqë kisha shtetësi spanjolle, ai do të më thirrte.

Nuk ishte një vendim i lehtë. Familja ime jeton ende në Francë dhe unë kam luajtur atje që kur isha shumë i re. Kam qenë në Spanjë për tetë vite. Ata mund të thonë çfarë të duan, jam këtu dhe i lumtur”.

Futbollisti i lindur në vitin 1994 gjithashtu u përpoq të kontaktojë trajnerin francez, Didier Deschamps, për të komunikuar drejtpërdrejt mundësinë e përfaqësimit të një vendi tjetër, pa marrë asnjë lloj përgjigjeje: “Unë i dërgova një mesazh Deschamps dhe nuk mora përgjigje… Ndoshta ndryshoi numrin, mori një celular të ri. Ndoshta, por unë i shkrova në të njëjtin numër, prej nga më telefonoi më parë”.

 

FSHF pëcakton datat e sezonit të ri futbollistik, më 28 gusht luhet Superkupa e Shqipërisë

Komiteti Ekzekutiv i FSHF, i mbledhur këtë të hënë ka përcaktuar datat për sezonin e ri futbollistik 2021-2022 dhe sigurisht që vëmendjen e ka Kategoria Superiore.

Sezoni i ri quhet i hapur me Superkupën e Shqipërisë që do të luhet më 28 Gusht, sigurisht me tifozë dhe mbyllet përfundimisht me finalen e Kupës së Shqipërisë më 31 Maj të 2022. Skuadrat elitare të Shqipërisë do të nisin kampionatin më 11 Shtator dhe 26 Maji i 2022-it do të jetë edhe fundi i Kategorisë Superiore për këtë sezon të ri ndërkohë që Kategoria e Parë nis po njësoj me Superioren më datën 11 shtator 2021 dhe mbyllet më datën 7 maj 2022.

Ndërkohë më poshtë edhe datat e plota për të gjitha kampionatet, startin dhe përfundimin e tyre për sezonin e ri futbollistik.

• Superkupa e Shqipërisë të zhvillohet më datën 28.08.2021.

• Kampionati i Kategorisë “Superiore” të fillojë më 11.09.2021 dhe të mbarojë më datën 26.05.2022.

• Kampionati i Kategorisë së Parë të fillojë më datën 11.09.2021 dhe të mbarojë më datën 07.05.2022.

• Kampionati i Kategorisë së Dytë të fillojë më datën 19.09.2021 dhe të mbarojë më datën 01.05.2022.

• Kupa e Shqipërisë, Turi Paraeleminator të fillojë më datën 11.09.2021 dhe të mbarojë më datën 31.05.2022.

• Kampionati i Femrave të fillojë më datë 26.09.2021 dhe të mbarojë më datë 30.04.2022.

• Kampionati i moshave Superiore U-17/U-19 të fillojë më datën 19.09.2021 dhe të mbarojë më datën 08.05.2022.

• Kampionati i moshave Superiore U-13/U-15 të fillojë më datë 19.09.2021 dhe të mbarojë më datë 01.05.2022.

alert.al

Nis loja te Fushat e Tenisit, ja si mund të rezervoni hapësirat e reja sportive

Të apasionuarit pas sportit të tenisit tashmë mund të rezervojnë Fushat e Tenisit në Parkun e Madh! Hapësirat e reja sportive janë totalisht funksionale.
Fushat Sportive të Tenisit janë shndërruar tashmë në një hapësirë model prej rreth 3600 m², totalisht e rikualifikuar. Si një oaz brenda parkut, Fushat Sportive të Tenisit ofrojnë në afro 3600 m2: 2 fusha tenisi, dy tavolina ping-pongu, ballkonin panoramik ose objektin informues të fushave të tenisit (Info point) ku merret informacion për rregullat e shfrytëzimit të fushave, oraret e shfrytëzimit të tyre, prenotimi i orareve.

Mjediset kanë dhe hapësira rekreative pasive si tarraca e objektit në formë elipsi, e cila shërben si një pikë panoramike për frekuentuesit e parkut, një mol, ndriçim me disa lloje ndriçuesish.

 

Eneo Bitri prezantohet te Astana: Jam në një klub të madh, shpresoj të arrimë objektivat!

Eneo Bitri është prezantuar zyrtarisht te Astana. I larguar nga Partizani me parametër zero qëndërmbrojtësi i talentuar firmosi një kontratë të majme ekonomikisht në kampionat kazak me një nga skuadrat më të mira të këtij vendi pikërisht Astanan. Pas firmës, Bitri ka thënë edhe fjalët e para si futbollist i Astanas me të cilët do të kërkojë të arrijë të gjithë objektivat.

“Jam shumë i lumtur që jam këtu. Astana është një klub i madh dhe dua të fitoj çdo ndeshje së bashku me ekipin. Shpresoj të ndihmoj skuadrën të arrijë të gjitha objektivat këtë sezon dhe të jemi skuadra më e mirë në Kazakistan. Kam dëgjuar shumë për klubin dhe qytetin. Më pëlqen Nur-Sultan, një qytet me të vërtetë modern dhe i bukur. Shpresoj ta njoh qytetin sa më shpejt nga afër”, shprehet Bitri.