Menu

Të Ndryshme

Veterinerët e Shqipërisë dhe Kosovës thellojnë bashkëpunimin

DMV. Ervin Resuli, i cili së fundmi mori detyrën e të parit të veterinerëve shqiptarë e i shoqëruar nga zëvendës presidenti Shemso Lamaj, nuk kishte se si ta niste ndryshe vizitën e parë jashtë vendi, veç takimit njohës dhe koordinues me vëllezërit nga Kosova, gjegjësisht homologun kosovar Xhevdet Krasniqi dhe nënkryetarin Hasan Limani.

Nikoqiri i takimit, teksa i dëshiroi mirëseardhjen dhe e uroi për zgjedhjen e të parit të veterinerëve shqiptarë, e informoi për bashkëpunimin e deritanishëm, duke shprehur gatishmërinë e thellimit të bashkëpunimit edhe ma.

E “mysafiri” nga Shqipëria, i cili ndihej si në shtëpinë e vet, e vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm duke u zotuar për thellimin e bashkëpunimit.

“Ndjehem i lumtur që vizitën e parë jashtë vendi, po e realizoj me vëllezërit e gjakut nga Kosova”, tha ai.

Të dy delegacionet u pajtuan për vazhdimin e komunikimit dhe organizmin e aktiviteteve të përbashkëta.

BE harton projekt-ligjin për spiunimin e gazetarëve, eksperët dhe organizatat kundër vendosjes së “spyware” në telefonat e tyre

Lëvizja për të lejuar vendosjen e spyware në telefonat e gazetarëve do të kishte një ‘efekt ftohës’, thonë ekspertët e medias

Projektligji i publikuar nga liderët e BE-së, që do të lejonte agjencitë e sigurisë kombëtare të spiunojnë gazetarët është dënuar nga mediat dhe grupet e shoqërisë civile si i rrezikshëm dhe është përshkruar nga një deputet i rëndësishëm si “i pakuptueshëm”.

Të mërkurën, Këshilli Evropian, i cili përfaqëson qeveritë e shteteve anëtare të BE-së, publikoi një draft të Aktit Evropian për Lirinë e Medias, që do të lejonte vendosjen e ‘spyware’ në telefonat e gazetarëve, nëse një qeveri kombëtare mendon se është e nevojshme.

Në mënyrë të pazakontë, Këshilli nuk ndërmori hapin e mbajtjes së një takimi personal të ministrave përgjegjës për median përpara se të publikohej drafti. Eurodeputetja holandeze Sophie in’t Veld, e cila ka mbikëqyrur hetimin e Parlamentit Evropian për përdorimin e spyware ‘Pegasus’ ndaj gazetarëve dhe figurave publike, tha se pretendimi që leja për të spiunuar shtypin ishte e nevojshme në interes të sigurisë kombëtare ishte “një gënjeshtër“.

“Mendoj se ajo që po bën Këshilli është e papranueshme. Është gjithashtu e pakuptueshme. Epo, është e pakuptueshme nëse ata janë seriozë për demokracinë,” tha In ‘t Veld.

Drafti i parë i aktit, i paraqitur fillimisht nga Komisioni Evropian për të forcuar mbrojtjen për pavarësinë e gazetarisë në vendet ku ajo është nën kërcënim si Polonia dhe Hungaria, kishte përfshirë masa mbrojtëse të forta kundër përdorimit të ‘spyware’.

Drafti duhet të miratohet nga Parlamenti Evropian përpara se të bëhet ligj.

Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ), e cila përfaqëson më shumë se 300.000 anëtarë të shtypit në 45 vende, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, akuzoi liderët e BE-së se i mbajnë parimet e lirisë së medias në “mospërfillje të rrezikshme”.

EFJ tha, se masa ishte një “goditje për lirinë e medias”, që do t’i “vendoste gazetarët edhe më në rrezik” sesa janë tashmë. Dhënia e pushtetit qeverive për të vendosur ‘spyware’ në telefonat e gazetarëve për shkak të “sigurisë kombëtare” do të kishte një “efekt ftohës për sinjalizuesit” dhe burime të tjera, paralajmëroi ai.

“Ne e dimë shumë mirë se si mbrojtja e sigurisë kombëtare keqpërdoret për të justifikuar shkeljet e lirisë së medias”, shtoi ajo në një deklaratë duke i bërë thirrje Parlamentit Evropian që të “shpëtojë” projektligjin nga ky kërcënim.

Siç qëndron tani, shtetet anëtare do të jenë në gjendje të hakerojnë telefonat e gazetarëve nëse dyshojnë se burimet e tyre mund të flasin me kriminelë të përfshirë në çdo gjë që shteti e percepton si kërcënim.

Ndryshimi u krye nga Franca, e cila fitoi mbështetjen për një amendament për të mbrojtur gazetarët, por jo “pa paragjykuar përgjegjësinë e shteteve anëtare për ruajtjen e sigurisë kombëtare”.

Nëse akti do të bëhej ligj në gjendjen e tij aktuale, gazetarët britanikë që punojnë në BE do të rrezikoheshin gjithashtu nga mbikëqyrja e telefonave dhe kompjuterëve të tyre.

Vitin e kaluar hetuesit francezë të inteligjencës konfirmuan se programi spyware Pegasus ishte gjetur në telefonat e tre gazetarëve, duke përfshirë një anëtar të lartë të stafit në stacionin televiziv të lajmeve France 24.

Organizatat jofitimprurëse  “Bidden Stories” dhe “Amnesty International” thanë se, besonin që të paktën 180 gazetarë mund të ishin përzgjedhur si njerëz me interes para mbikëqyrjes së mundshme nga klientët e qeverisë të grupit izraelit NSO.

NSO ka këmbëngulur prej kohësh që qeveritë, të cilave u jep licencë Pegasus janë të detyruara kontraktualisht të përdorin vetëm mjetin e fuqishëm të spiunazhit për të luftuar “krimin e rëndë dhe terrorizmin”.

Javën e kaluar, të Drejtat Dixhitale Evropiane (EDRI), një rrjet OJF-sh dhe avokatësh të të drejtave dixhitale, i bënë thirrje Këshillit Evropian të rishqyrtojë përjashtimet e tij të sigurisë kombëtare për spiunimin e shtypit.

“Këshilli po ndërmerr hapa të rrezikshëm drejt legalizimit të formave të papranueshme të përgjimit ndaj gazetarëve dhe burimeve të tyre”, tha Chloé Berthélémy , këshilltare e lartë për politikat në EDRi.

Burimi: https://amp.theguardian.com/world/2023/jun/22/draft-eu-plans-to-allow-spying-on-journalists-are-dangerous-warn-critics

Ecolog International: Logjistika e krizës dhe bërja e të pamundurës e mundshme

Gjigandi botëror “Ecolog International” ofron shërbime dhe zgjidhje të integruara në një gamë të gjerë mjedisesh, duke përfshirë disa nga vendet më të largëta dhe sfiduese në botë.

Në kohë krize, të tilla si fatkeqësitë natyrore ose pandemitë, logjistika mund të bëhet një sfidë e madhe. Dorëzimi në kohë i mallrave thelbësore, furnizimeve mjekësore dhe burimeve të tjera mund të nënkuptojë ndryshimin midis jetës dhe vdekjes për të prekurit. Me më shumë se dy dekada përvojë, Ecolog ofron shërbime dhe zgjidhje të integruara në një gamë të gjerë mjedisesh, duke përfshirë disa nga vendet më të largëta dhe sfiduese në botë.

Siç shpjegon Seid Jusufi, Kryeshefi i Zinxhirit të Furnizimit të Ecolog, ky parim për të bërë të pamundurën të mundshme është në ADN-në e organizatës. “Mbi 20 vjet ne kemi treguar se jemi specialistët e kërkuar kur bëhet fjalë për ofrimin e zgjidhjeve urgjente të reagimit dhe menaxhimin e logjistikës së krizës”, thotë ai.

Në qendër të kësaj është ajo që Jusufi e përshkruan si një shërbim B2E, ose ‘biznes në urgjencë’. “Është diçka që është e re dhe ne jemi krenarë për të”, komenton ai. “Me krenari po themi se jemi gati kudo dhe në çdo kohë. Ne vazhdojmë të punojmë me qeveritë dhe me organizatat ndërkombëtare humanitare, por edhe me kompanitë komerciale të njohura botërore të naftës dhe gazit, ku i mbështesim që të mund të kryejnë operacionet e tyre”.

Përvojë në menaxhimin e logjistikës së krizave

Përvoja, planifikimi dhe proaktiviteti i Ecolog në këto vende të vështira e bëjnë atë një specialist të vërtetë në menaxhimin e logjistikës së krizave. Në një kohë trazirash në rritje, kjo përvojë e madhe është jetike. “Fatkeqësisht kemi parë shumë kriza kohët e fundit, me pandeminë, me tërmetet, me luftërat”, komenton Jusufi. Një shembull i tillë është tërmeti shkatërrues në Turqi në shkurt 2023. “Me ekipin tim ishim në terren ditën e dytë që ndodhi tërmeti”, thotë Jusufi. “Ne kemi punuar më parë në Turqi dhe kemi një rrjet partnerësh të besuar atje. E kuptuam që situata ishte kritike dhe kërkonin ndihmën tonë, kështu që u futëm menjëherë”. Ecolog ishte në terren shpejt pas lajmeve për tërmetin në Turqi këtë vit. Duke parë shkatërrimin e shkaktuar nga tërmeti dhe problemet që kishin banorët vendas, Ecolog iu drejtua Programit Botëror të Ushqimit, së bashku me qeveritë dhe OJQ-të për të përshkruar se si mund të mbështeste krizën.

“Pas dy javësh filluam dërgesat”, shton Jusufi, duke theksuar se, “së bashku me mbështetjen e NATO-s, ndërtuam një kamp për të zhvendosurit nga tërmeti dhe siguruam se ishte gati për t’i pritur. Si rezultat, ata kishin akses në gjërat thelbësore si ushqim dhe ujë, lavanderi, tualete dhe dushe për të plotësuar nevojat e tyre themelore.”

Mbështetja e banorëve të Ukrainës

Shpërthimi i pushtimit rus të Ukrainës krijoi një krizë humanitare që kërkonte një përgjigje të shpejtë dhe efektive nga organizatat e ndihmës dhe qeveritë në mbarë botën. Siç përshkruan Jusufi, Ecolog ishte gati për të ofruar ndihmë në fazat e hershme të konfliktit. “Në momentin që dëgjuam për të, ne mobilizuam zinxhirin tonë të furnizimit dhe ekipet e operacionit të prokurimit në Poloni për të punuar së bashku me disa OJQ.”

Ecolog operon me dy depo në Kiev, Ukrainë dhe Katowice, Poloni, duke dërguar 600 kamionë me produkte ushqimore dhe joushqimore në Ukrainë çdo muaj. Në javën e dytë të luftës, Ecolog kishte 150 dërgesa javore ushqimore në Lviv nga Polonia, së bashku me një magazinë moderne në Poloni për të qenë në gjendje të shpërndante dhe paketonte furnizimet. Sot, Ecolog ka një depo në Kiev dhe vazhdon të paketojë dhe dërgojë pako ushqimore për ata që janë në terren.

Dështimi nuk është një opsion

Siç shpjegon Jusufi, kur bëhet fjalë për menaxhimin e krizës dështimi nuk është opsion. “Ne kemi kryer me sukses më shumë se 1200 projekte pa dështim”, thotë ai. “Dështimi nuk është një opsion, ky është mentaliteti që kanë të gjithë në Ecolog. Kur diçka duhet të bëhet, të gjithë marrin një qasje praktike”. Kjo qasje ndaj logjistikës së krizës lidhet me parimet thelbësore të Ecolog.

“Nuk ka të bëjë vetëm me anën e biznesit”, shton Jusufi. “Është mentaliteti popull për njerëzit – ne duam t’i ndihmojmë njerëzit dhe qeveritë të dalin nga këto situata dhe të paktën t’ua lehtësojmë dhimbjen, vuajtjet dhe gjendjen e tyre. Nuk është se ne mund të bëjmë shumë, por të paktën mund të sigurohemi që ata të kenë gjërat thelbësore, që të kenë motivimin për të shkuar në ditën tjetër”.

Burimi: https://supplychaindigital.com/articles/ecolog-crisis-logistics-and-making-the-impossible-possible

Ekipi gjerman i futbollit Cosmos me aksionerë shqiptar shkruan historinë, fillon ngjitjen drejt ligave elitë

Në ndeshjen, e cila u zhvillua para tre ditësh në qytetin e Mainz-it, klubi i futbollit FC Cosmos shënoi suksesin më të madh që nga themelimi i tij në vitin 2007. Pas një pune dhe angazhimi të palodhur, kozmonautët fituan 1:0 në lojën shumë të rëndësishme para mbi një mijë spektatorë në TuS Marienborn. Kjo fitore do të thotë gjithashtu ngritje më lartë në Oberliga (Liga e pestë).

Klubi i futbollit FC Cosmos u themelua në vitin 2007. Ndërsa, nga viti 2019 klubi menaxhohet nga biznesmeni i njohur shqiptar, afaristi nga Kosova i pasionuar pas lojës magjike të futbollit, i cili jeton dhe vepron ne Koblenz, z. Remo Rashica, dhe nën kryesinë e përbërë nga z. Skender Xhakaliu (president), z. Anil Büru (zevendespresident), z. Thomas Wunderlich (kryesia e sportit).

Njëherazi, ky ishte triumfi i parë i ndonjë skuadre gjermane i udhëhequr nga një biznesmen vizionar nga Kosova në grupet e një kompeticioni të tillë. „Jemi të gjithë jashtëzakonisht të lumtur për këtë sukses“, ka deklaruar presidenti i skuadrës z. Skender Xhakaliu. Gjadhtëmbëdhjetë vjet ndërmjet 2007 dhe 2023, FC Cosmos përparoi nga liga amatore në Oberliga (divizioni i pestë), me synim të ngritjes në Bundesliga 2 (divizioni apo liga e dytë). Z. Rashica është deklaruar tejet i emocionuar dhe i lumtur me këtë ngritje në Oberliga. Pas një pune dhe angazhimi maksimal, z. Rashica u shpreh i bindur se skuadra e tij do t’ia dal mbanë dhe pas disa vitesh të luaj në Bundesligë. Z. Rashica poashtu përfitoi nga rasti që të shpreh mirënjohjen dhe falenderimin e tij të përzemërt për sponzorët dhe afaristët e shumtë gjerman për përkrahjen dhe mbështetjen e tyre.

Klubi i futbollit FC Cosmos ka arritur që t’i kaloj dy liga në afat rekord që në futbollin gjerman është një ”sensacion“ i pa arritur deri më tani. Me këtë ngritje në ligën e pestë gjermane tani hapen edhe shumë mundësi dhe perspektiva të reja edhe për lojtarë të talentuar nga Kosova dhe rajoni.

FC Cosmos tani e tutje do të zhvillojë ndeshjet në stadiumin e qytetit Oberwerth me një kapacitet rreth dhjetë mijë spektatorë. Stadiumi ka edhe hapësirën e VIP-së dhe për media.

Ndërsa, mbrëmë Klubi organizoi evenimentin e tretë me radhë
“Cosmos Connected Club“ në të cilën morën pjesë shumë afaristë, sponzorë, përfaqësues të federatës së futbollit, përfaqësues të federatës së golfit, sportistë dhe miq të shumtë. Me këtë rast, kryesia e klubit falenderoi përzemërsisht të gjithë të pranishmit për përkrahjen e tyre të vazhdueshme dhe bashkëpunimin përgjatë viteve.

Udhëtimi ynë vazhdon, Projekti “Zhvillim i Qëndrueshëm Rural” nis fazën e dytë

Në datën 8 qershor 2023, në ambientet e zyrës së GIZ Shqipëri u zhvillua aktiviteti prezantues i fazës së dytë të projektit “Zhvillim i Qëndrueshëm Rural”, financuar nga Qeveria Gjermane dhe Zvicerane dhe zbatuar nga GIZ Shqipëri, në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit.

Projekti synon të nxisë rritjen e konkurrueshmërisë dhe të ardhurave në zonat rurale përgjatë zbatimit të tij në katër vitet e ardhshme (2023-2026), duke kontribuar më gjerë në zhvillimin e qëndrueshëm në vend. Duke punuar ngushtësisht me bizneset dhe qeverinë shqiptare, projekti do të mbështesë hartimin e politikave zhvillimore dhe praktikat inovatore në bujqësi dhe në turizmin rural, duke promovuar rritjen e gjelbër, dixhitalizimin dhe diversitetin, në përputhje me procesin e pranimit të vendit në BE.

Prodhimi bujqësor është në fokus të projektit, me theks të veçantë tek perimet në sera, frutat dhe produktet e bulmetit. Nëpërmjet iniciativave të tilla si adoptimi i metodave biologjike të kontrollit të dëmtuesve, synohet përmirësimi i cilësisë dhe sasisë së prodhimit të tyre.

Në fjalën e saj, Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Znj. Frida Krifca tha se faza e dytë e projektit “Zhvillim i Qëndrueshëm Rural” vendos në dispozicion të fermerëve një mjet shtesë për të rritur produktivitetin në ferma.

Paralelisht me mbështetjen në sektorin bujqësor, projekti synon promovimin e turizmit rural me fokus agroturizmin, turizmin e aventurës dhe menaxhimin e destinacioneve turistike.

“Kemi filluar komunikimet me ITB BERLIN, panairin më të madh në botë të turizmit, që Shqipëria të jetë vendi i nderit në vitin 2025, ç’ka përkthehet në një sërë aktivitetesh nga viti 2024 deri në vitin 2025 dhe ftoj partnerët që të na mbështesin në këtë projekt të ri.”: tha Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Znj. Mirela Kumbaro.

Projekti do të mbështesë krijimin e modeleve të suksesshme pilote në të dy sektorët, me qëllim replikimin e tyre të mëtejshëm në të gjithë tregun.

Ambasadori i Republikës Federale Gjermane, SH.T. Peter Zingraf përmendi disa nga këto modele si kontrolli biologjik në sera apo platforma inovative e turizmit, me qëllim përmirësimin e produkteve turistike kudo në Shqipëri.

Ndërsa Zëvendës Shefi i Misionit Zviceran në Shqipëri, Dr. Patrik Meier theksoi rëndësinë që luan bashkëpunimi mes donatorëve dhe qeverisë shqiptare për zhvillimin e qëndrueshëm rural në Shqipëri.

Në përfundim të aktivitetit, të ftuarit u prezantuan me disa prej produkteve lokale te certifikuara, produkteve të fruta-perimeve dhe bulmetit të mbështetura nga GIZ gjatë katër viteve të fundit.

Qendra ALERT