Menu

Teknologji

Teknologjia që thith dioksidin e karbonit për ta materializuar në beton

Një kompani nga Kalifornia përdor gurë gëlqeror për të thithur nga ajri dioksidin e karbonit. Heirloom Carbon Technologies po bashkëpunon me një kompani kanadeze për të mineralizuar gazin e thithur, në beton. Kompania thotë se kjo teknologji mund të ofrojë një model për të luftuar ndryshimet klimatike në nivel global.

Një kompani nga Kalifornia që përdor gurë për të thithur dioksidin e karbonit nga ajri është bashkuar me një kompani kanadeze për ta magazinuar gazin që shkakton efektin-serrë në beton.

“Guri gëlqeror ka aftësinë natyrore për të thithur karbonin nga atmosfera. Problemi është se ky proces është thjesht i ngadalshëm. Pra, ajo që ne bëjmë këtu është thjesht i japim atij më shumë superfuqi për ta bërë të aftë të tërheqë karbonin shumë, shumë më shpejt sesa do të ishte natyralisht,” thotë drejtuesi ekzekutiv i kompanisë Shashank Samala.

Heirloom Carbon Technologies ngroh gurin gëlqeror të thërmuar për të çliruar dioksidin e karbonit të thithur natyrshëm. Më pas gurët e uritur për dioksid karboni vendosenn ë kolona, ku ata veprojnë si sfungjer, duke thithur afërsisht gjysmën e peshës së tyre në gaz për tre ditë. Gurët më pas nxehet për të çliruar dioksidin e karbonit të mbledhur nga ajri dhe cikli përsëritet.

Kompania kanadeze e teknologjisë së betonit, CarbonCure, përzien dioksidin e karbonit me përbërësit e tjerë, duke e bërë betonin më të forte dhe, duke shkurtuar nevojën për çimento.

“Ajo që është me të vërtetë e rëndësishme është se dioksidi i karbonit ofron gjithashtu një përforcim të beton. Kjo i lejon prodhuesit të jenë në gjendje të krijojnë më shumë beton me më pak çimento,” thotë drejtuesi ekzekutiv kompanisë CarbonCure, Rob Niven.

Përpjekja e përbashkët e këtyre dy kompanive është e para që përdor një teknologji të tillë për magazinimin e dioksidit të karbonit të thithur nga atmosfera drejtpërdrejt në beton, ku ai mund të qëndrojë për shekuj, thonë shkencëtarët. Për më tepër, aktualisht ka pak vende për ta mbajtur të sigurt dioksidin e karbonit.

“Njëra është magazinimi nëntokësor ku mund të ruajmë në mënyrë të sigurtë dhe të përhershme dioksidin e karbonit. Tjetra janë materialet e ndërtimit si betoni. Betoni është një mënyrë e shkëlqyer për të ruajtur dioksidin e karbonit sepse e mineralizon atë, në një shkëmb,” thotë zoti Samala.

Kapja dhe mbajtja e dioksidit të karbonit në shkallë globale nuk do të jetë e lehtë megjithatë: kompanitë si Heirloom do të duhet të ndërtojnë impiante të shtrenjta, masive të afta për të thithur miliona ose miliarda tonë në vit. Zoti Samala thotë se heqja e një miliardë tonë dioksidi karboni nga ajri do të kërkonte qindra miliarda dollarë investime, duke shtuar se ai pret që financuesit e energjisë diellore, ndërtesave, kullave të transmetimit dhe infrastrukturës të financojnë gjithashtu edhe për infrastrukturën e karbonit. (Reuters)

Qendra Alert/Alert.al

Personat që punojnë para kompjuteri, vitaminat që duhet të marrin

Kur fokusohemi në ekranin e kompjuterit, sytë gjithmonë reagojnë ndaj pikave të ndritshme dhe të errëta. Ndaj ata që punojnë në kompjuter kanë nevojë për vitaminë A.

Sytë harxhojnë shumë rodopsinë, pigment fotosensitiv, që është i nevojshëm për të parë sa më mirë. Vitamina A luan rol të rëndësishëm në prodhimin e rodopsinës.

Njerëzit të cilët duhet ta zvogëlojnë marrjen e yndyrave dhe kolesterolit, mund të hanë ushqim në të cilin ka më shumë beta-karotene.

Ato janë të pranishme në shumicën e perimeve, pastaj në pemët siç janë kumbullat e thata, pjepri, pjeshka dhe mango.

Këshilla për ata që punojnë në kompjuter:

1. Ruani pjerrësinë e tastierës, kur lexoni dhe shkruani.

2. Për të pasur një qëndrim të mirë, krijoni pjerrësinë në lexim ose shkrim, të ngjashme me bankat e shkollës. Pjerrësia duhet të jetë 20 gradë.

3. Sfondi përtej ekranit të mos jetë asnjëherë krejt i errët. Të mos ketë reflekse në ekran kontrasti dhe drita e ekranit të rregullohen në vlera mesatare.

4. Ekrani duhet të jetë rreth 50–60 cm larg syve.

5. Mundësisht të përdoret filtër për ekranin kundër reflekseve.

6. Të rrotullohen sytë në ambientin përreth ose të paktën çdo një orë të bëhet një pushim prej 15 minutash.

7.  Punoni me dritë natyrale sa më shumë.

Qendra Alert/Alert.al

Përmirësimi i shijes së domates përmes teknologjisë dixhitale

Një fermë në Kinë ka arritur të përmirësojë shijen dhe prodhimin e domateve me anë të teknologjisë dixhitale, me sensorë dhe kontrollues.

Në Shandong të Kinës, më shumë se 300,000 bimë domate me shije të personalizuara rriten në një serë me xhama . Inxhinierja e kësaj ferme ‘smart’, Fu Venki thotë se ata mund të rrisin domate të çfarëdo shije që duan. Por si ndodh kjo? Çelësi për kontrollin e shijes së domateve është raporti sheqer-acid. Në veçanti faktorët më të rëndësishëm që ndikojnë në përmbajtjen e sheqerit janë uji, plehrat dhe rrezet e diellit.

Për të kontrolluar prodhimin, sensorët e rrezatimit gjurmojnë dritën e diellit që kur lind në mëngjes. Kur drita e akumuluar arrin energjinë e përcaktuar për centimetër katror, sistemi i ujitjes do të aktivizohet automatikisht dhe të gjitha bimët do të ujiten me 100 mililitra tretësirë ushqyese brenda tre minutave.

Nëpërmjet përdorimit të gjerë të teknologjive digjitale, ferma jo vetëm që ka arritur të personalizojë shijen e domateve, por gjithashtu ka rritur shumë rendimentin e njësisë.

Ndryshimi i temperaturës, i cili përcakton procesin e zhvillimit të prodhimeve bimore, gjithashtu monitorohet dhe rregullohet nga afër. Kur temperatura rritet dhe lagështia bie afër mesditës, sensorët e kutisë së motit do të marrin sinjale. Çatia do të mbyllej më pas dhe spërkatësit me presion të lartë do të fillonin të spërkatnin ujë për të rritur lagështinë.

Ndërsa bie nata, sistemi i ujitjes dhe plehërimit fillon të funksionojë rregullisht me sasi fikse të paracaktuar të ujit dhe plehrave dhe gjithashtu do të aktivizohet sistemi i ventilimit gjeotermik për të mbrojtur bimët nga temperaturat e ulëta gjatë natës.

Qendra Alert/Alert.al

Rreziqet e Inteligjencës Artificiale (AI) dhe ndikimi i kësaj teknologjie në të ardhmen e njerëzimit

ChatGPT është një teknologji relovucionare që u lejon kompjuterëve të kuptojnë dhe t’i përgjigjen gjuhës së folur.

Ky model gjuhe kompjuterike është në gjendje të krijojë biseda “njerëzore” me një robot, t’u përgjigjet pyetjeve, të ndihmojë në shkrimin e një teksti, email-i apo edhe të kodojë.

Mira Murati diskuton për rreziqet e Inteligjencës Artificiale (AI) dhe njëkohësisht ofron siguri për ndikimin e kësaj teknologjie në të ardhmen e njerëzimit.

Murati udhëheq ekipet e DALL-E, i cili përdor AI për të krijuar vepra arti bazuar në kërkesë, dhe ChatGPT, chatboti jashtëzakonisht i popullarizuar i AI, që mund t’u përgjigjet pyetjeve më të ndërlikuara me aftësi të frikshme njerëzore.

ChatGPT pushtoi imagjinatën e publikut pas publikimit të tij në fund të nëntorit. Ndërsa disa shkolla po e ndalojnë atë, Microsoft njoftoi për një investim prej 10 miliardë dollarësh në kompani, ndërsa Google ka shprehur shqetësimin se teknologjia mund të prishë biznesin e tij të kërkimit.

“Ashtu si me revolucionet e tjera nëpër të cilat kemi kaluar, do të ketë vende të reja pune si dhe shkurtime.” i tha Murati Trevor Noah vjeshtën e kaluar për ndikimin e AI, “por unë jam optimiste”.

Sipas Google Trends, ChatGPT e tejkaloi Bitcoin-in midis termave më të njohur të kërkimit në janar. Gjithë kjo vëmendje ka bërë që startup-i privat me bazë në San Francisko me 375 punonjës dhe të ardhura të pakta, të vlerësohet tani më rreth 30 miliardë dollarë. Murati foli për TIME rreth dobësisë më të madhe të ChatGPT, potencialin e pashfrytëzuar të softuerit dhe pse është koha për të bërë rregullime në AI.

ChatGPT mori një notë kaluese në një provim të liçensimit mjekësor në SHBA, një provim Shkollës së Biznesit Wharton dhe katër provime të rëndësishme universitare në shkollën juridike.

E pyetur për këto rezultate, Murati shprehet e emocionuar, por rrëfen se ka pasur edhe njëfarë frike. Ajo thekson se është kureshtare të shohë fushat ku ChatGPT do të bëhet i dobishëm për njerëzit, jo vetëm risi dhe kuriozitet.

Intervistuesi i ishte drejtuar ChatGPT për të formuluar një pyetje të mirë për krijuesen e tij. Ja cila ishte pyetja e gjeneruar nga roboti i chat-it: “Cilat janë disa nga kufizimet ose sfidat që keni hasur gjatë punës me ChatGPT dhe si i keni kapërcyer ato?”

Përgjigja e Muratit ishte e qartë. ChatGPT është në thelb një model i madh bisedimi – një rrjet i madh nervor që është trajnuar për të parashikuar fjalën tjetër – dhe sfidat me të janë sfida të ngjashme që shihen në modelet bazë të gjuhëve: mund të trillojë fakte të cilat mund të duken shumë bindëse. Kjo është një sfidë e madhe.

E pyetur se çfarë problemi zgjidh ChatGPT, duke patur parasysh se teknologjitë e reja krijohën pikërisht për këtë, Murati është shprehur se është ende herët për të folur me siguri. Megjithatë, programi ka potencialin për të revolucionarizuar me të vërtetë mënyrën e të mësuarit.

Në shkolla, klasat kanë rreth 30 studentë, secili prej tyre me prejardhje të ndryshme, mënyrë të ndryshme të të mësuarit, por programi mësimor dhe mënyra e mësimdhënies është e njëjtë. Me mjete si ChatGPT, mund të bisedohet pafund me një model për të kuptuar një koncept në mënyrë të përshtatshme menivelin e të kuptuarit të gjithësecilit.

Modeli ka potencial të jashtëzakonshëm për të ndihmuar me edukimin e personalizuar.

Ndërkohë, disa shkolla po e ndalojnë përfdorimin e ChatGPT. Kjo vjen si pasojë e një shqetësimi rreth mundësisë së keqpërdorimit të teknologjisë nga persona të ndryshëm.

Ekzistojnë gjithashtu një sërë pyetjesh rreth ndikimit shoqëror, dhe ka shumë pyetje etike dhe filozofike që duhet t’i shqyrtojmë. Dhe është e rëndësishme që të merret në konsideratë mendimi i zërave të ndryshëm, si filozofë, shkencëtarë, artistë dhe profesionstë nga shkencat shoqërore.

Arsyeja etike është pikërisht përdorimi i AI për qëllime të këqija. Kështu që vetvetiu lind pyetja se si mund të rregullohet përdorimi i AI në përputhje me vlerat njerëzore?

Këto pyetje dhe shqetësime duhet të zgjidhen dhe të rregullohen nga qeveritë në bashkëpunim me rregullatorët e tjerë, pasi vetë kontributi i inteligjencës artificiale shkon përtej teknologjisë.

Nga ana tjetër, ekziston frika se përfshirja e qeverisë mund të ngadalësojë inovacionin. Por, është shumë e rëndësishme që të gjithë të fillojnë të përfshihen, duke pasur parasysh ndikimin që do të kenë këto teknologji në të ardhmen e njerëzimit./monitor

Qendra Alert/Alert.al

Aplikacion i ri, ndihmon diagnostikimin e goditjeve në tru

Aplikacion më i ri për telefonat inteligjentë i quajtur FAST.AI mund t’i ndihmojë njerëzit të dinë në kohë reale nëse kanë një goditje në tru. Aplikacioni me anë të kamerës së pajisjes njeh simptomat e zakonshme të një goditjeje kur ndodh.

Aplikacioni videomon fytyrën dhe trupin, duke përdorur sensorë dhe algoritme për të zbuluar shenja të tilla si fytyra “e ënjtur” në njërën anë, mpirje e duarve ose të folurit të paqartë. Testet e para tregojnë se aplikacioni ka një saktësi diagnoze të ngjashme me atë të një neurologu. Diagnoza e hershme e një goditjeje mund të përshpejtojë trajtimin dhe kjo kohë e vlefshme e fituar ka të ngjarë të minimizojë efektet afatgjata të episodit, duke rritur shanset për një shërim të plotë.

Studiuesit, të udhëhequr nga profesori i neurologjisë i Universitetit të Kalifornisë, Los Anxhelos (UCLA) me origjinë bullgare, Radoslav Raiçev, njoftuan për aplikacionin në Konferencën Ndërkombëtare të Shoqatës Amerikane të Zemrës në Dallas, Teksas. Aplikacioni u testua në 270 pacientë me një moshë mesatare 71 vjeç, të cilët ishin diagnostikuar me goditje në katër spitale bullgare.

Neurologët bullgarë ekzaminuan pacientët dhe në të njëjtën kohë testuan aplikacionin, më pas krahasuan rezultatet. FAST.AI zbuloi asimetri të fytyrës (një simptomë klasike e goditjes në tru) në gati 100% të pacientëve dhe gjithashtu identifikoi dobësi të krahut në mbi dy të tretat e rasteve. Gjithashtu zbuloi ngadalsimin e të folurit për shkak të goditjes.

Goditjet ishemike përbëjnë rreth 85% të të gjitha goditjeve në tru (pjesa tjetër është hemorragjike). Ilaçet antitrombotike duhet të administrohen brenda pak orësh nga fillimi i simptomave. Sa më shpejt të ndodhë kjo, aq më e ulët është incidenca e goditjes ishemike. Sipas Shoqatës Amerikane të Goditjeve, mesatarisht 1.9 milionë qeliza të trurit vdesin çdo minutë. Pacientët që marrin mjekim brenda 90 minutave të para pas një goditjeje kanë gati tre herë më shumë gjasa të shërohen pa komplikime.

“Shumë pacientë me goditje në tru nuk arrijnë në spital në kohë për të marrë terapinë antitrombotike, që është një arsye pse është jetike të njihen simptomat e goditjes në tru dhe të thirrasi menjëherë një ambulancë”, tha Dr Raichev.

Aplikacioni plotësisht i automatizuar, i zhvilluar nga kompania Neuronics Medical (ku Raichev është bashkëthemelues), në bashkëpunim me Shoqatën Bullgare të Neurologjisë dhe në veçanti presidentin e saj Ivan Milanov, është ende në fazën e zhvillimit dhe të testimit kështu që ende nuk është i disponueshëm për publikun.

Qendra Alert/Alert.al

 

Gjërat që duhet të dini kur karikoni telefonin

Ne shpenzojmë shumë kohë në telefonat tanë, ndaj duam të sigurohemi që po u japim kujdesin më të mirë të mundshëm.

Një nga gjërat më të mira që mund të bëni për të zgjatur jetën e telefonit tuaj është të siguroheni që ai të jetë duke u karikuar siç duhet dhe ka disa sekrete për ta bërë këtë që mund të mos i dini. Këtu janë të gjitha gjërat që duhet dhe nuk duhet për të karikuar smartfonin tuaj, pavarësisht nëse keni një iPhone ose Android.

Mos blini karikues të lirë

Karikuesit e dobët të prodhuar mund të krijojnë më shumë probleme sesa ia vlen dhe shpesh pa asnjë mbrojtje. Edhe pse mund të jeni në gjendje të gjeni një karikues në Amazon ose diku tjetër me një çmim më të ulët, ata karikues më të lirë në fakt mund të dëmtojnë telefonin tuaj. Karikuesit me cilësi të lartë kanë qarqe të dizajnuara posaçërisht brenda tyre që do ta mbajnë telefonin tuaj nga mbingarkesa, thyerja ose mbinxehja, kështu që cilësia është një gjë e rëndësishme që duhet mbajtur parasysh.

Karikuesit që prodhohen nga prodhuesi i telefonit tuaj janë më të mirët së bashku me karikuesit e çertifikuar që certifikon prodhuesi i telefonit tuaj. Apple ka procesin e vet të certifikimit të quajtur MFi, shkurt për Made For iPhone, iPad, iPod. Kërkoni simbolin MFi në karikuesit dhe aksesorët që nuk janë të Apple, të certifikuar nga Apple. Telefonat Android kanë nevojë për karikues që përputhen me certifikatat USB-IF për specifikimet USB-C.

Nxirre telefonin nga kasa e tij

Po, kasa juaj e smartfonit mund të ndikojë në mënyrën e karikimit të pajisjes tuaj. Shumica prej nesh përdorin kasa për të dalluar pajisjet tona nga të tjerët dhe gjithashtu për t’u dhënë atyre mbrojtje shtesë në rast se bien në tokë aksidentalisht. Megjithatë, mbajtja e kasës ndezur ndërsa jeni duke e ngarkuar mund të shkaktojë probleme me temperaturën për pajisjen tuaj. Nëse telefoni juaj nxehet shumë, kjo ndikon në performancën e tij më vonë. Kushtojini vëmendje dhe shikoni nëse telefoni juaj nxehet shumë ndërsa është në prizë dhe nëse nxehet, hiqeni kutinë derisa të përfundojë karikimi.

Mos e përdorni telefonin ndërsa është duke u karikuar

Përdorimi i telefonit gjatë karikimit është një nga gjërat më të këqija që mund të bëni. Rrit ndjeshëm temperaturën e telefonit tuaj, gjë që mund të dëmtojë shumë baterinë, ekranin dhe procesorin tuaj. Duhet ta lidhni telefonin dhe ta lini të qetë derisa të përfundojë karikimi.

Kini kujdes me karikuesit portativë me bateri

Karikuesit portativë janë shumë të përshtatshëm, por mund të shkaktojnë dëme në telefonin tuaj nëse nuk përdorni një cilësi të mirë. Qëndroni të fokusuar në markat e njohura dhe vetëm produktet që janë të certifikuara për siguri dhe pajtueshmëri.

Qendra Alert/Alert.al

Interneti në shtëpi, arsyeja se pse disa mobilie duhet t’i mbani larg

Kur jeni në shtëpi dhe përdorni celularë, tabletë, laptopë, televizorin etj, ndoshta e keni vënë re se shpejtësia e internetit ngadalësohet. Natyrisht që ngadalësohet interneti me gjithë këtë ngarkesë. Por, fajin s’e kanë vetëm përdoruesit e shumtë. Duhen fajësuar edhe:

Mobiliet dhe sipërfaqet metalike

Teksa modemi juaj shpërndan valë elektromagnetike, metali, i cili e përthith energjinë elektrike do të ndikojë në ngadalësimin e WiFi- së suaj. Për këtë arsye, mbajeni pajisjen larg metaleve.

Muret

Disa lloje muresh ia dalin fare mirë të bllokojnë valët e WiFi- së. Përgjithësisht materialet e përdorura në ndërtimin e tyre janë mermeri, çimentoja, betoni dhe tullat. Për këtë arsye, mbajeni modemin në një zonë të hapur, larg mureve.

Pasqyrat

Objektet në fjalë shërbejnë si një mburojë e fortë, e cila e bën tepër të vështirë përcjelljen dhe shpërndarjen e valëve. Njësoj siç reflekton pamjen tonë, pasqyra  kthen mbrapsht edhe vetë valët. Sa më pranë pajisjes së internetit të jetë pasqyra, aq më i ngadaltë është interneti. Gjithashtu ia vlen të përdorni lidhje ethernet, pra një kavo që lidh kompjuterin tuaj me modemin, nëse keni mundësi dhe nëse ju duhet internet i shpejtë. Televizorët, kompjuterat dhe PlayStation ose Xbox duhen lidhur gjithmonë me kavo, jo me Wi-Fi.

Kini parasysh se disa kontrata kanë limit përdorimi, edhe nëse ju nuk jeni në dijeni. Nëse tejkaloni limitin e gigabyte-ve, shpejtësia e internetit do të ngadalësohet. Kontaktoni me kompaninë që ju sjell internetin dhe interesohuni. Për t’i paraprirë ngadalësimeve në të ardhmen, fikni dhe ndizni modemin çdo ditë për ta rifreskuar.

Qendra Alert/Alert.al

Cirogu nga Qendra Konsumatori Shqiptar: Qytetarët, të pasigurt nga teknologjia

E ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Eldisa Cirogu nga Qendra Konsumatori Shqiptar foli për rreziqet që i kanosen konsumatorit nga teknologjia dhe për legjislacionin e BE, që i unifikon shtetet sa i takon kërkesave dhe përgjegjësive kundrejt qytetarit të vet.

“Jemi totalisht të pasigurt në përdorimin e teknologjisë sot dhe në mënyrën se si kjo teknologji po ndërvepron në përdorimin e të dhënave tona. Jo në të gjitha shtetet e Bashkimi Europian është në nivele të njëjta. Në Shqipëri ekziton një përgjegjshmëri shumë e ulët sa i përket rëndësisë së të dhënave personale. Kjo ka të bëjë edhe me konsolidimin e disa insitucioneve që në Shqipëri mungojnë dhe në fakt Bashkimi Europian ka patur një kronologji ndryshimesh në legjislacionin e vet. Nga 2002 kishim një direktivë të BE ku i linte të lira shtetet të arrinin rezultatin. Nga 2002-2018 pati disa ndryshime, pasi teknologjia hyri në mënyrë të shpejtë dhe patjetër se kishte nevojë për ndryshim në legjislacion. Dhe në 2018, një rregullore e BE i unifikon shtetet të jenë në një tutelë sa i takon kërkesave dhe përgjegjësive kundrejt qytetarit të vet. Ne sot me epokën e re të teknologjisë, Inteligjencës Artificiale jemi akoma më shumë të rrezikuar dhe konfuz se si do përdoren këto të dhëna. Të dhënat tona sot janë totalisht të pasigurta dhe vitin që kaluam kuptuam se sa të pambrojtur jemi në Shqipëri në të dhënat tona. Por, edhe qytetari nuk është shumë i vetëdijshëm, që në momentin që ne japim të dhënat tona, që në marketin e lagjes. Është një lloj kulture që nuk e kemi përvetësuar se këto të dhëna janë të rëndësishme. Edhe në SHBA nuk është se krijuan këtë vetëdije direkt, pati një sërë situatash, siguria e ndëshkimit ndaj atyre që përdorën të dhënat në mënyrë të padrejtë”-deklaroi Eldisa Cirogu.

Qendra Alert/Alert.al

Eksperti Said Duleviç: Sa të rrezikuar janë konsumatorët nga teknologjia

I ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Said Duleviç ekspert teknologjie programues ka folur për teknologjinë AI (Inteligjenca Artificiale), qëllimin e përdorimit dhe se sa janë të rrezikuar konsumatorët nga dëmet që mund të shkaktojë teknologjia.

“Teknologjia AI ose Inteligjenca Artificiale është një programim, Kod që shkruhet e trajnohet dhe personi që e perdor këtë teknologji, herë pas here e përdor për qëllimi përfitimi nëse është biznes. Kjo pasi nëse biznesi kërkon të bëjë punë më shpejt, të kursejë kohë, të bëjë punë më produktive, të nxjerrë të dhëna më shpejt kur e bën në një “makineri” që t’i sjell në mënyrë të automatizuar është benefit shumë i madh nga ana e përfitimeve, por nuk dihet ende se cilat janë pasojat në një kohë të pacaktuar.  Të gjitha informacionet që po ia japim kësaj teknologjie, të dhënat, po ia japim inteligjencës që nuk e dimë se ku po ruhet, se kush i kontrollon dhe nëse mund të përdoren këto të dhëna nesër. Ndaj edhe Bashkimi Europian ka ngritur pikëpyetje të mëdhaja sepse kanë dalë aq shumë teknologji të tilla, saqë është shumë e vështirë t’i kontrollojë se nga kush përdoren dhe me çfarë qëllimi”-deklaroi eksperti i teknologjisë Said Duleviç.

Qendra Alert/Alert.al

Microsoft investon miliarda dollarë në programin ChatGPT

Microsoft deklaron se po bën një “investim shumëvjeçar e miliarda dollarësh” në programin e ri të Inteligjencës Artificiale, ChatGPT.

Ata e përshkruan marrëveshjen e re si fazën e tretë të një partneriteti në rritje me OpenAI, por nuk e treguan shumën e saktë të investimeve.

ChatGPT-ja është lëshuar për përdorim më 30 nëntor 2022, por është pjesë e një grupi më të gjerë teknologjish, të zhvilluara nga kompania me qendër në San Francisko, Open AI, e cili ka një marrëdhënie të ngushtë me Microsoft-in.

Mjeti është pjesë e një gjenerate të re të sistemeve të Inteligjencës Artificiale (IA-s), që mund të komunikojnë, të prodhojnë tekste të lexueshme sipas kërkesës, e madje edhe të prodhojnë imazhe dhe video të reja, bazuar në një qendër të madhe të të dhënave, ku përfshihen libra digjitalë, shkrime në internet dhe media të tjera.

Për dallim nga modelet e tjera, si GPT-3 nga Open AI, që u lëshua më 2020, për ChatGPT-në mjafton të kesh lidhje interneti dhe atë mund ta përdorësh falas. Ai është i lehtë për t’u përdorur, teksa funksionon si dialog i shkruar mes sistemit të IA-së dhe personit që i bën pyetje atij.

Që nga lëshimi i tij, miliona njerëz e kanë përdorur dhe e kanë testuar këtë program, duke u munduar ta shtyjnë atë të gabojë, apo e kanë përdorur për qëllime më praktike, siç është shkrimi i mesazheve elektronike. Mirëpo, të gjitha këto vetëm sa po e ndihmojnë ChatGPT të përmirësohet.

Microsoft tha të hënën se forcimi i partneritetit mund të ndihmojë “në përshpejtimin e përparimit të AI-së për të siguruar që këto përfitime të ndahen gjerësisht me botën”.

Qendra Alert/Alert.al