Menu

Teknologji

Kompania kineze e pranon, përdor të dhënat e TikTok-ut

Punonjësit e kompanisë kineze të teknologjisë, ByteDance siguruan qasje në të dhënat nga platforma e mediave sociale, TikTok, për t’i gjurmuar gazetarët në një përpjekje për të identifikuar burimin e rrjedhjeve të informacioneve në media, pranoi kompania.

TikTok-u ka bërë përpjekje të mëdha për t’i bindur klientët dhe qeveritë e tregjeve kryesore si Shtetet e Bashkuara se privatësia e të dhënave të përdoruesve mbrohet dhe se nuk përbën kërcënim për sigurinë kombëtare.

Por, kompania amë, ByteDance, i tha AFP-së të premten se disa punonjës patën qasje në të dhënat e dy gazetarëve si pjesë e një hetimi të brendshëm për rrjedhjet e informacionit të kompanisë në media.

Ata kishin shpresuar të identifikonin lidhjet midis stafit dhe një gazetari të Financial Times dhe një ish-gazetari të BuzzFeed, u tha në një email nga këshilltari i përgjithshëm i ByteDance, Erik Andersen, i parë nga AFP-ja.

Të dy gazetarët raportuan më parë për përmbajtjen e materialeve që kanë rrjedhë nga kompania.

Secili prej punonjësve që u zbulua se ishte përfshirë, u pushua nga puna nga ByteDance, tha Andersen, megjithëse ai nuk bëri të ditur se sa ishte numri i tyre.

Në një deklaratë për AFP-në, ByteDance, tha se e dënon “iniciativën e gabuar që shkeli rëndë Kodin e sjelljes të kompanisë”

Punonjësit kishin marrë adresat IP të gazetarëve në një përpjekje për të përcaktuar nëse ata ishin në të njëjtin vend me kolegët e ByteDance të dyshuar për zbulimin e informacionit konfidencial.

Megjithatë, plani dështoi pjesërisht sepse adresat IP zbuluan vetëm të dhëna të përafërta të vendndodhjes.

TikTok është sërish në qendër të vëmendjes në Shtetet e Bashkuara, ku Kongresi është gati të miratojë një ndalim mbarëkombëtar për përdorimin e aplikacionit jashtëzakonisht të popullarizuar të videove të shkurtra në pajisjet qeveritare për shkak të rreziqeve të perceptuara të sigurisë.

Dhoma e Përfaqësuesve mund të miratojë këtë javë një ligj që ndalon përdorimin e TikTok-ut në telefonat profesionistë të nëpunësve civilë, një veprim që do të pasonte ndalimet në rreth 20 shtete të SHBA-së.

TikTok-u ka kërkuar t’i bindë autoritetet amerikane se të dhënat e SHBA-së mbrohen dhe ruhen në serverët e vendosur atje. Por, pas raportimeve të mediave, ajo ka pranuar gjithashtu se punonjësit me bazë në Kinë kishin qasje në të dhënat e përdoruesve amerikanë, megjithëse kompania këmbënguli se ishte në rrethana strikte dhe shumë të kufizuara. (REL)

Qendra Alert/Alert.al

Përdorimi i celularëve dhe pasojat tek njeriu

Sipas një studimi, celularët kanë 10 herë më shumë baktere se një ulëse tualeti. Epidemiologët theksojnë se për shkak se ne i mbajmë celularët kudo, edhe në situata ku mund të mos i lajmë duart, ato janë të mbushura me baktere. Kështu, sipërfaqet e tyre mund të mbajnë viruse të ndryshme.

Studiuesit vërejnë se ne i prekim telefonat tanë rreth 2000 herë në ditë. Mund ta prekim celularin në fytyrë për të folur, ose ta prekim fytyrën me duart që e mbajnë. Ky hulumtim na tregon se celularët kanë rreth 11,000 mikroorganizma, duke përfshirë të paktën 5,000 baktere, 220 viruse dhe organizma të tjerë të lidhur.

Përveç kësaj, ato mund të strehojnë organizma alergjikë. Këto janë të lidhura me astmën dhe alergjitë e tjera. Megjithatë, të gjithë këta organizma mund të krijojnë një problem për lëkurën tonë. E gjithë kjo papastërti, kur bëhet fjalë për fytyrën tonë, mund të krijojë nga alergjitë, siç thamë, edhe puçrra.

Shkencëtarët thonë se duhet të jemi të kujdesshëm dhe të pastrojmë sa më shpesh celularët. Nëse jeni jashtë, mund të përdorni peceta antiseptike dhe sigurisht, mos harroni të lani duart dhe mos prekni fytyrën.

Qendra Alert/Alert.al

Panairi i teknologjisë elektronike 2023 rikthehet në Las Vegas

Dhjetëra mijëra novatorë të teknologjisë dhe pjesëmarrës marrin pjesë këtë javë në Panairin e Elektronikës në Las Vegas. Pajisje që funksionojnë me inteligjencë artificiale dhe ato të realitetit virtual po tërheqin vëmendjen e ekspertëve dhe konsumatorëve.

Një qen robot që mund të komandohet me zë, një pajisje e motorizuar për të ecur më shpejt dhe një pajisje virtuale që ofron komoditet në metaverse janë disa nga risitë e panairit të elektronikës në Las Vegas këtë vit.

Ky qen i vogël robot po përdoret për të demonstruar aftësitë e teknologjisë së inteligjencës artificiale, të aktivizuar me zë.

“Ne kemi krijuar një program të inteligjencës artificiale zanore, përmes të cilit mund të komandosh me zë çdo lloj makinerie, robot, dron apo kompjuter në botë”, thotë Marc Bagur nga kompania “Airudit”.

Më shumë se 140 vende janë të përfaqësuara në panairin e këtij viti, i pari pas pandemisë me kapacitet të plotë dhe pa kufizime. Atë pritet ta vizitojnë 100 mijë njerëz. Gati gjysma e 3200 produkteve të shfaqura në panair janë prodhuar nga kompani të huaja, përfshirë disa nga Ukraina. Personeli i tyre udhëtoi në Shtetet e Bashkuara për të shfaqur produktet e tyre. Por organizatori i panairit nuk lejoi pjesëmarrjen e kompanive ruse.

“Ne nuk lejuam pjesëmarrjen e kompanive ruse në panair për shkak të situatës në Ukrainë”, tha Gary Shapiro nga Shoqata e Teknologjisë së Konsumit.

Ai thotë se hapja pa masa kufizuese e panairit është shumë e rëndësishme. Pavarësisht nga mbështetja tek teknologjia e botës, pandemia dëshmoi se njerëzit dëshirojnë ndërveprim personal. Tema e këtij viti në panairin e elektronikës është qëndrueshmëria.

“Shumë nga kompanitë e përfaqësuara në panair duan të plotësojnë nevojat e shoqërisë. Ato po japin kontributin e tyre për ta bërë shoqërinë më të mirë. Teknologjia mund të përmirësojë qasjen në ushqim, ujë dhe ajër të pastër”, tha zoti Shapiro për Zërin e Amerikës.

Claire Peng, nga kompania tajvaneze “Ible”, thotë se kufjet e kompanisë së saj për bllokimin e zhurmës përdorin jone negative për të luftuar viruset dhe ndotësit e ajrit si poleni.

“Kufiet mund të mbrojnë përdoruesit si nga ndotësit e ajrit ashtu edhe nga zhurmat e ambientit”, thotë ajo.

Panairi ofron pajisje të reja edhe për hapësirën virtuale tredimensionale, metaverse. Pavarësisht valës së pushimeve nga puna në këtë sektor të teknologjisë vitin e kaluar, pajisjet e realitetit virtual po tërheqin vëmendjen e ekspertëve dhe pjesëmarrësve.

Kompania me seli në Tokio, “Shiftall” synon ta bëjë realitetin virtual më komod me një kufje të lehtë.

Mikrofoni i saj pa tel, “Mutalk”, bllokon zërin e përdoruesit, për të mos shqetësuar njerëzit e tjerë kur flet me zë të lartë gjatë aktiviteteve në botën virtuale.

“Pesha e lehtë e mikrofonit mund të jetë një faktor i rëndësishëm për përdoruesit që shpenzojnë shumë kohë në metaverse”, thotë Takuma Iwasa nga kompania “Shiftall”. Panairi i Elektronikës në Las Vegas ofron për konsumatorët teknologji të reja që mund t’ua ndryshojnë jetën. (VOA)

Një person pretendon se ka hakeruar të dhëna sekrete nga një program i FBI-së

Një person, i cili është paraqitur si drejtor ekzekutiv i një institucioni financiar pretendon se ka arritur të ketë qasje falë një sulmi kibernetik, tek të dhënat e 80 mijë anëtarëve të InfraGard, një program i drejtuar nga FBI-ja. Programi u mundëson zyrtarëve publik dhe individëve të sektorit privat të ndajnë të dhëna sekrete mbi sigurinë kombëtare dhe kërcënimet kibernetike.

Fundjavën e kaluar, hakeri postoi në një forum online të njohur mes hakerave, ato që ai pretendon se ishin dëshmi se ai i dispononte këto të dhëna. Ai tha se kërkonte 50 mijë dollarë në këmbim të të gjitha të dhënave që dyshohet se ka në posedim.

Hakeri i tha gazetarit të pavarur të kibernetikës Brajan Krebs, i cili publikoi lajmin, se kishte arritur t’i merrte të dhënat nga programi që drejtohet nga FBI-ja.

Byroja Federale e Hetimeve nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment nga “Associated Press”

Gazetari Krebs tha se zyrtarë të FBI-së i kishin thënë atij se ishte në dijeni të një llogarie të mundshme të rreme dhe se po shqyrtonin këtë çështje.

Anëtarët e InfraGard janë drejtues biznesi, profesionistë të teknologjisë së informacionit, ushtarakë, zyrtarë shtetërore dhe lokale të zbatimit të ligjit si dhe zyrtarë qeveritarë , të gjithë të angazhuar në mbikëqyrjen e sigurisë në sektorë që lidhen me energjinë, transporti, kujdesi shëndetësor, tubacionet, reaktorët bërthamorë, industria e mbrojtjes, digat, dhe shërbimet financiare.

E themeluar në vitin 1996, InfraGard përfaqëson partneritetin më të madh publik-privat të FBI-së, ndërsa ka bashkëpunëtorë lokalë në të gjitha zyrat e saj në terren.

Në bazën e të dhënave ndodhen emrat dhe informacionet e kontaktit të dhjetëra mijëra përdoruesve të InfraGard.

Hakeri, tha se 47 mijë anëtarë të programit, ose diçka më shumë se gjysma e të gjithë atyre që përdorin këtë program, kishin adresa unike elektronike. Ai tha se marrja e të dhënave nga programi kishte qenë shumë e lehtë.

Qendra Alert/Alert.al

Mos i lejoni fëmijët të qëndrojnë shumë kohë para televizorit, ja çfarë rrezikojnë

Fëmijët që kalojnë më shumë se 2 orë para televizorit kanë më shumë gjasa që të jenë të varur nga bixhozi, duhani, kanabisi dhe alkooli kur ata të rriten, tregojnë të dhënat e një studimi të ri. Studiuesit në Zelandën e Re shikuan të dhënat e 1.000 njerëzve nga fëmijëria deri në moshën 45 vjeçare. U bënë hulumtime çdo dy deri në gjashtë vjet për përdorimin e televizorit, nëse ata i ishin futur bixhozit apo çfarë droga përdornin.

Rezultatet treguan se ata që shikonin më shumë se dy orë TV gjatë netëve të javës, nga mosha pesë deri në 15 vjeç, kishin 29 për qind më shumë gjasa të kishin një problem bixhozi kur të rriteshin sesa ata që kalonin më pak kohë të ngjitur pas ekraneve.

Ata kishin gjithashtu 20 për qind më shumë gjasa të ishin të varur nga produktet e duhanit dhe kishin pasur një rrezik më të lartë të çrregullimit të përdorimit të alkoolit ose kanabisit në krahasim me ata që kalonin më pak kohë para ekraneve.

Gjetjet mund të shkaktojnë shqetësim, duke pasur parasysh një studim të veçantë të publikuar në fillim të këtij muaji që tregoi se fëmijët amerikanë tani po shpenzojnë rreth katër orë në ditë duke ngulur sytë para ekraneve. Studiuesit sugjeruan se shikimi i pafund i televizorit mund të çojë në problem të varësisë te fëmijët dhe ta bëjë më të lehtë kalimin në një lloj tjetër varësie.

Dr. Helena McAnally, një eksperte e mjekësisë parandaluese në Universitetin e Otagos, e cila udhëhoqi punimin, ka thënë: “Ky hulumtim tregon se, për disa njerëz, shikimi i televizorit mund të jetë një shprehi e hershme e një problemi të varësisë ose mund të çojë më vonë në varësi me substancat dhe çrregullime të tjera”.

Megjithatë, rezultatet janë vetëm vëzhguese, që do të thotë se shkencëtarët nuk mund të vërtetojnë se televizioni nxit rrezikun e sjelljeve problematike më vonë në jetë. Ata nuk mund t’i përjashtojnë edhe faktorët tjerë, si gjenetika, ndikimi prindëror ose mungesa e mbështetjes sociale.

Akademia Amerikane e Pediatrisë rekomandon që fëmijët të mos shikojnë më shumë se dy orë televizor çdo natë të javës – transmeton Daily Mail.

Rritja e kohës para ekranit është gjithashtu e lidhur me një probabilitet më të lartë të mbipeshës në një moshë të re, duke rritur rrezikun e një sërë kushtesh shëndetësore më vonë në jetë. Studimi u botua në Revistën Ndërkombëtare të Shëndetit Mendor dhe Varësisë (International Journal of Mental Health and Addiction). Është nxjerrë nga Studimi Multidisiplinar i Shëndetit dhe Zhvillimit të Dunedin, i njohur gjithashtu si Studimi Dunedin.

Qendra Alert/Alert.al

Thirrjet nga rrjetet celulare në rënie, trendi drejt internetit në rritje

Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), në tremujorin e tretë të vitit trafiku i thirrjeve celulare pësoi rënie me 12.8% krahasuar të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Trafiku pësoi tkurrje në të gjitha segmentet kryesore, përfshirë thirrjet brenda rrjetit, ato jashtë rrjetit dhe drejt rrjeteve kombëtare fikse. Rritje pësuan vetëm thirrjet ndërkombëtare, të nxitura ndoshta nga një prani më e madhe e jorezidentëve në territorin shqiptar. Rënie pësoi edhe numri i mesazheve të shkruara, me 4.2% më pak krahasuar me një vit më parë.

Mesatarisht, një përdorues i telefonisë celulare konsumoi 148 minuta në muaj, shifër kjo 20% më e ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe 16 mesazhe të shkruara në muaj, 12% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.

Megjithëse në fakt shqiptarët nuk po e përdorin më pak telefonin celular, të dhënat e mësipërme janë dëshmi e tërthortë e faktit se komunikimi tashmë po zhvendoset me shpejtësi drejt internetit dhe aplikacioneve të bazuara mbi të. Statistikat e AKEP tregojnë se në tremujorin e tretë trafiku i internetit nga rrjetet celulare shënoi një rekord të ri prej 52 milionë GB (Gigabyte), në rritje me 14% krahasuar tremujorin e tretë të vitit të kaluar. Një përdorues konsumoi mesatarisht 7.4 GB në muaj, në rritje vjetore me 6.5%.

Treguesit e përdorimit mesatar gjatë tremujorit të tretë janë ndikuar ndjeshëm edhe nga rritja e numrit të përdoruesve aktivë gjatë tremujorit të tretë, me 8.8% më shumë krahasuar me me një vit më parë. Kjo mund të shpjegohet me aktivizimin e numrave të rinj nga përdorues të përkohshëm, si turistë apo emigrantë të kthyer për pushime. Megjithatë, shifrat tregojnë një lloj anomalie në tendencën e numrit të përdoruesve sipas operatorëve. Rritja e numrit të përdoruesve të rinj ka ardhur në masën dërrmuese nga një operator i vetëm, Vodafone Albania, që ka raportuar rritje vjetore të përdoruesve aktivë me 21.6%. ONE raportoi një rritje të lehtë me 3%, ndërsa Albtelecom rënie me 10.8%.

Përdorimi i shërbimeve celulare nga shqiptarët po orientohet gjithnjë e më shumë drejt internetit, në përputhje me tendencat globale. Kjo tendencë e bën cilësinë e ofrimit e shërbimit një element gjithnjë e më të rëndësishëm mes operatorëve. Krahasuar me shërbimet bazike të thirrjeve zanore dhe mesazheve të shkruara sms, ofrimi i shërbimit cilësor të transmetimit të të dhënave është më i kushtueshëm, sepse kërkon më shumë frekuenca dhe më shumë investime në infrastrukturë rrjetesh dhe në teknologji.

Tregu celular ndodhet gjithashtu në prag të një ndryshimi të rëndësishëm strukturor. Bashkimi mes ONE dhe Albteelcom në fillim të vitit 2023 do të ulë numrin e operatorëve, por do të sjellë edhe një rishëprndarje të frekuencave në dispozicion të tyre. Në fillim të këtij muaji, tre operatorët dorëzuan në AKEP një marrëveshje, në bazë të të cilës Albtelecom do të transferojë te Vodafone Albania tre blloqe të spektrit të frekuencave, ndërsa ONE dy të tilla. Në përfundim, marrëveshja parashikon një përpjesëtim të ri të spektrit në masën 51% për One dhe 49% për Vodafone, nga 59% (pjesa e përbashkët ONE-ALbtelecom) me 41% që është aktualisht.

Vitin e ardhshëm pritet që AKEP të tenderojë edhe frekuencat e para për zhvillimin e teknologjisë 5G, që pritet të rrisë shpejtësinë e ofrimit të shërbimit të internetit nga rrjetet celulare. Por, nga ana tjetër, përqendrimi i tregut, nevoja për investime të reja dhe përfitueshmëria e dobët e operatorëve në vitet e fundit janë sinjale që paralajmërojnë rritje të çmimeve për përdoruesit e shërbimeve celulare. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Sulmi kibernetik në Shqipëri, nën akuzë 5 ekspertë të Administratës Publike

5 ekspertë të Teknologjisë së Informacionit në Administratën Publike në Shqipëri janë vënë nën akuzë për “Shpërdorim detyre”, lidhur me sulmin kibernetik të muajit korrik, i cili goditi sistemet qeveritare të informacionit. Ndaj të 5 ekspertëve, dy prej të cilëve përgjegjës sektori në Ministrinë e Brendshme dhe Drejtorinë e Burgjeve, Prokuroria kërkoi “arrest shtëpie”, por gjykata e Tiranës vendosi një masë edhe më të lehtë, atë të “detyrim për paraqitje”.

Një raport i kompanisë Microsoft, ka vlerësuar se sulmi kibernetik është mundësuar përmes platformës “administrata.al”. Prokuroria thotë se gjatë sulmit janë shfrytëzuar dobësitë e sistemeve të instaluara nga kompani private, të cilat nga njëra anë nuk kanë bërë përditësimin e tyre, dhe nga ana tjetër kanë keqkonfiguruar pjesë të sistemeve. Nga hetimi i brendshëm i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, ka rezultuar se ekspertët e administratës publike, nuk kanë respektuar rregulloret e brendshme. “Stafi i Teknologjisë së informacionit, pranë Departamentit të Administratës publike (DAP) mund dhe duhej të kërkonte raportim nga ana e operatorit ekonomik të kontraktuar për implementimin dhe mirëmbajtjen e sistemit në kohë lidhur me gjendjen në të cilën ndodhej ky sistem. Në rast se këta punonjës, do të kishin vepruar në përputhje me urdhërimet e Rregullores së Sigurisë së Informacionit, dhe Rregullores së Brendshme të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, (AKSHI) duke kërkuar informacion dhe duke u përditësuar me antiviruset më të fundit të sistemit, atëherë do ishte zbuluar në sistemet e tyre virusi i cili ka hyrë fillimisht tek administrata.al në mënyrë që të bëhej e mundur neutralizimi i tij pa prekur sistemin e AKSHI-t”-shpjegon Prokuroria e Tiranës në njoftimin zyrtar për rastin. Autoritetet shqiptare bën përgjegjëse Qeverinë e Iranit si organizatore të sulmit duke u kundërpërgjigjur me ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me këtë shtet.

Qendra Alert/Alert.al

Përdorimi i rrjeteve sociale nga fëmijë, risk për autizmin

Përdorimi i mjeteve teknologjike nga fëmijët po bëhet faktor shtytës dhe risku për autizmin, teksa shifrat po rriten frikshem në të gjithë botën. Drejtoresha e Klubit të prindërve të Fëmijëve me Spektrin e Autizmit, Eglantina Bajrami deklaron se në vendin tonë përllogariten deri në 5000 fëmijë me autizëm, ndërsa shifrat janë më të larta, pasi ¾ e prindërve nuk e pranon që fëmija ka probleme, duke ndikuar kështu në mosintegrimin e tij në shoqëri. Ajo që mbetet problem është mbështetja e pamjaftueshme financiare nga shteti, duke përllogaritur kostot e larta të trajtimeve terapeutike. Bajrami shprehet se trajtimi mund të shkojë deri në 40 euro në ditë, ndërsa kempi që marrin fëmijët varion nga 6700 lekë deri në 12 mijë leke në muaj, shifër e pandryshuar që në vitin 1994.

Megjithë kostot të larta që përballen prindërit, ata së fundmi janë prekur edhe nga rritja e çmimeve. Paketa e rezistencës iu dha vetëm për 3 muaj fëmijëve me autizem, por nuk përfituan kujdestarët e tyre. Prindërit e fëmijëve me autizëm tregojnë kalvarin e sfidave që kanë kaluar që në momentin kur kanë kuptuar që fëmija i tyre kishte probleme. Për ta fillimi ishte i vështirë, pasi vite më parë nuk kishte shkolla speciale apo mësues mbështetes. Prindërit shtrojnë kërkesën e një mbështetje më të madhe nga shteti, duke përllogaritur kostot dhe pamundësitë e integrimit të fëmijëve me autizëm, sidomos në ato familje që janë në vështirësi ekonomike.

Një pjesë e fëmijeve me autizëm stërviten në sporte 2 herë në javë në Special Olympic Albania, i cili ndihmon integrimin e tyre në botën e sporteve.

Drejtoresha e qëndrës “Special Olympics Albania” Sara Bala shprehet se stërvitja zhvillohet me mbështetjen e dy mësueseve të trajnuara dhe specializuara per disiplinen e basketbollit, për 2 grupe, me programe specifike në bazë të aftësive si dhe nga 3 djem vullnetare studentë të universitetit të Sporteve. Bala tha se janë spikatur talene në të gjitha shkollat speciale në të gjithë Shqipërinë dhe vitin e ardhshëm në  Berlin, ku organizohen lojerat olimpike te kategorise speciale, do marrë pjesë një grup prej 10 personash që do të na përfaqësojnë në disipilinën e notit, peshëngritjes, sprint, pra atletikë dhe vrapim në 100 dhe 200 metra, si dhe një grup i veçantë basketbolli me vajza.

Qendra Alert/Alert.al

Shenjat që tregojnë se po kaloni shumë kohë me pajisjet elektronike

Pajisjet elektronike janë bërë shtyllat kryesore në jetën tonë të përditshme, veçanërisht në punë, lodhja e syve është diçka me të cilën po përballen gjithnjë e më shumë njerëz. Sipas ekspertëve të shëndetit, të qëndrosh për më shumë se një orë para ekranit, konsiderohet si një kohë shumë e gjatë. Nëse e teproni, trupi juaj do t’ju japë disa sinjale që tregojnë që duhet të ndaloni dhe të bëni një pushim.

Simptomat mund të ndryshojnë nga personi në person, por zakonisht shfaqen si:

Djegie e syve

Arsyeja se përse sytë fillojë të djegin pas një kohe të gjatë në ekran, është se ju nuk i mbyllni sytë aq shpesh sa duhet. Prandaj këshillohet që të merrni pushime të shkurtra gjatë punës në ekran dhe të mabni sytë mbyllur për disa sekonda.

Lotim i syve

Kur shikoni ekranet e pajisjeve tuaja për periudha të gjata kohore, sytë lodhen dhe si rezultat të fillojnë të lotojnë. Ngjashëm me ndjesinë e djegies, lotimi i syve mund të ndodhë edhe kur nuk i mbyllni sytë mjaftueshëm.

Dhimbje koke dhe trupi

Shumë njerëz raportojnë një dhimbje të lehtë mbi vetullat e tyre ose dhimbje koke. Nëse punoni para një kompjuteri, mund të ndjeni siklet në qafë dhe në shpinë, e kjo nga qëndrimi juaj i gabuar.

Probleme me fokusimin

Në secilin prej syve, ne kemi gjashtë muskuj që punojnë së bashku për të kontrolluar lëvizjet e syve, që përfshin shikimin për afër dhe larg.

Kur përqendroheni në një distancë të afërt dhe fikse për një kohë të gjatë, muskujt e syve tuaj do të fillojnë të punojnë më shumë.

Më pas kur shkëputeni nga ekrani, ju mund të ndiheni sikur ju duhet më shumë kohë për t’u fokusuar.

Objektet e largëta mund të duken të paqarta për një kohë të shkurtër.

Privim i gjumit

Sipas ekspertëve, drita blu e emetuar nga telefoni dhe laptopi juaj mund ta bëjë më të vështirë të bini në gjumë. Për këtë arsye këshillohet që të paktën një orë para gjumit të shkëputeni prej tyre.

Qendra Alert/Alert.al

Si ta parandaloni nxehjen e tepërt të iPhone-it tuaj

Kur iPhone-i i juaj nxehet shumë, do të shihni një sërë shenjash paralajmëruese. Do të jetë i nxehtë për t’u prekur, por mund të vëreni gjithashtu se po funksionon më ngadalë, ekrani është zbehur, telefoni nuk mbushet ose kamera refuzon të bëjë fotografi. Ju mund të merrni edhe një paralajmërim në ekran për temperaturën nëse nxehtësia është shumë e tepërt. Kur shfaqet ky paralajmërim, mund të bëni vetëm telefonata urgjente derisa telefoni juaj të ftohet.

Nxehtësia nuk është e mirë për iPhone-in tuaj dhe mund të dëmtojë komponentët e brendshëm, veçanërisht baterinë dhe procesorin, nëse e lini të nxehtë për një kohë të gjatë. Por si mund të parandaloni nxehjen e tepërt të iPhone-it tuaj.

Pse nxehet iPhone-i?

Nëse jashtë është nxehtë dhe e lini iPhone-in tuaj në rrezet direkte të diellit ose në makinë, ka shumë mundësi që të nxehet.

Kjo mund të ndodhë gjithashtu nëse iPhone-i juaj po ekzekuton shumë aplikacione ose funksione të tjera me procesor intensiv – të tilla si lojëra, transmetim video HD ose duke përdorur navigimin GPS.

Si të ndaloni nxehjen e tepërt të iPhone-it tuaj

Kur vëreni se iPhone-i juaj është nxehur shumë, të veproni shpejt është mënyra më e mirë për të shmangur dëmtimin e komponentëve të tij të brendshëm.

Mbyllni të gjitha aplikacionet

Zbutja e ngarkesës së procesorit mund të parandalojë gjenerimin e nxehtësisë së tepërt dhe shterjen shumë të shpejtë të baterisë. Pra, mbyllja e të gjitha aplikacioneve duhet të jetë gjëja e parë që bëni.

Ri-startoni iPhone-in tuaj

Nëse nuk keni kohë ose durim për të mbyllur aplikacionet tuaja, thjesht mund të ri-startoni iPhone-in – kjo do të mbyllë automatikisht të gjitha aplikacionet e hapura. Procesi i ri-startimit të iPhone-it tuaj ndryshon.

Kaloni te një karikues zyrtar i Apple

Disa karikues jashtë markës janë më të lirë se ata zyrtarë të Apple. Por kjo për shkak se karikuesi nuk është bërë saktësisht për të ushqyer sasinë e kërkuar të energjisë. Kështu që mund të jetë duke e mbingarkuar pajisjen tuaj. Ndërrimi i tij me një karikues nga Apple mund të ndihmojë këtu.

Përdorni modalitetin e aeroplanit (Airplane mode)

Lidhja e vazhdueshme me internetin mund të jetë burimi i problemit të nxehjes të tepërt që po përjetoni. Nëse është kështu, aktivizimi i modalitetit të aeroplanit mund t’ju ndihmojë ta kapërceni atë.

Bëjini iPhone-it ‘update’

Sigurohuni që të përdorni gjithmonë versionin më të fundit të iOS, pasi ai vjen me përmirësime të performancës që mund të parandalojnë nxehjen e tepërt të telefonit tuaj. Ju gjithashtu duhet të përditësoni aplikacionet tuaja për të njëjtën arsye, për të hequr arnimet për defektet që mund të shkaktojnë probleme të performancës që mbingarkojnë procesorin.

Qendra Alert/Alert.al