Menu

Teknologji

BE: Të gjitha shishet, edhe ato plastike, duhet kthehen tek shitësit

Vendet e BE-së po miratojnë njëra pas tjetrës direktivën e Komisionit Europian për kufizimin e ambalazheve plastike dhe për riciklimin e tyre. Institucionet e BE-së dhe vendeve anëtare kanë vendosur që të ndalojnë praktikën e deritanishme me shishe të lëna kudo, kanaçe të hedhura në rrugë, si dhe një mjedis ujor dhe tokësor të ndotur plot me mbetje plastike, si dhe do të ndalojë edhe 9 artikuj plastik njëpërdorishëm, të tilla si pjatat, gotat apo lugët plastike.

Bëhet fjalë për një rikthim tek praktikat e vjetra të dikurshme, të kohës kur blerësit detyroheshin të kthenin shishet e qelqit të birrës, të qumështit apo të kosit. Drejt një praktike të tillë po shkojnë edhe vendet europiane, praktikë e cila pritet të hyjë në fuqi duke filluar që nga 1 janar 2022.

Direktiva merret kryesisht me paketimin dhe sidomos paketimin plastik. Nuk do të ketë një ndalim të shisheve plastike, por do të ketë një kontroll dhe grumbullim të rreptë të tyre. Ligje të caktuara të vendeve anëtare flasin edhe për stimuj dhe shpërblime ekonomike për shitësit me pakicë që do të përdorin këto metoda.

Deri tani është i njohur riciklimi i shisheve të qelqit, dhe madje në disa vende të zhvilluara riciklohet rreth 50% e shisheve plastike. Por direktiva e re europiane kërkon që të mbledhë të gjitha shishet plastike në mënyrë që ato të mos përhapen në mjedis. E njëjta gjë vlen dhe për paketimet dhe ambalazhet e tjera plastike, të tilla si qeset, përdorimi i të cilave do të jetë shumë i kufizuar. Sipas parashikimeve të Komisionit Europian, deri në vitin 2024 pritet që të riciklohen rreth 90 përqind e shisheve plastike në vendet e BE-së.

Burimi: EU Single-Use Plastics Directive

Qendra Alert

alert.al

‘Nuk jeni ‘lopë’ apo ‘kuaj’ që të përdorni këtë medikament kundër Covid-19’, rekomandon Agjencia Amerikane për Ushqimin dhe Barnat

Agjencia Amerikane për Ushqimin dhe Barnat (FDA), me anë të një twitter-i ironik, ka paralajmëruar pacientët që të mos përdorin trajtime të pa autorizuara apo të pa miratuara nga autoritetet shëndetësore. Megjithëse kjo agjenci është e ndërgjegjshme dhe mirëkuptuese që qytetarët janë të frikësuar nga Covid – 19, për shkak të numrit të lartë të vdekjeve që ky virus ka shkaktuar, sërish FDA ka paralajmëruar që përdorimi i medikamenteve të paautorizuara mund të rrezikojë rëndë jetën e tyre.

Në veçanti, Agjencia Amerikane për Ushqimin dhe Barnat i referohet medikamentit Ivermectin, i cili nuk është aprovuar si një mjekim që mund të përdoret për trajtimin apo parandalimin e Covid -19 tek njerëzit.

Deri tani tabletat Ivermectin janë miratuar në doza shumë specifike për disa krimba parazitë, dhe për parazitë të tjerë që qëndrojnë në lëkurë të tilla si rosacea. Sipas FDA, Ivermectin nuk është një anti-viral (një ilaç për trajtimin e viruseve). Marrja e dozave të mëdha të këtij ilaçi është e rrezikshme dhe mund të shkaktojë dëm serioz.

‘Asnjëherë mos përdorni për veten tuaj ilaçe të cilat janë të destinuara për kafshët. Përgatitjet e Ivermectin për kafshët janë shumë të ndryshme nga ato të miratuara për njerëzit’, shprehet Agjencia Amerikane për Ushqimin dhe Barnat në njoftimin e saj.

Sipas këtij njoftimi, FDA nuk ka rishikuar të dhëna për të mbështetur përdorimin e ivermectin në pacientët me COVID-19 apo për të trajtuar dhe parandaluar COVID-19; megjithatë, disa kërkime fillestare për përdorimin e tij janë duke u zhvilluar. Marrja e një ilaçi për përdorim pa u miratuar nga kjo agjenci  mund të jetë shumë e rrezikshme dhe kjo gjë është e vërtetë edhe për medikamentin ivermectin.

Agjencia gjithashtu shton që ka shumë informacione të pavërteta rreth këtij medikamenti, dhe ju mund të keni dëgjuar se është në rregull të merrni doza të mëdha të ivermektinës, por kjo gjë është e gabuar.

Edhe nivelet e ivermektinës për përdorime të miratuara mund të ndërveprojnë me ilaçe të tjera, si për shembull holluesit e gjakut. Ju gjithashtu mund të merrni një dozë më të madhe sesa nevojitet të ivermectin, i cili mund të shkaktojë të vjella, diarre, hipotension (presion të ulët të gjakut), reaksione alergjike (kruajtje dhe urtikarie), marramendje, ataksi (probleme me ekuilibrin), asfiksi, koma dhe madje edhe humbje të jetës.

Produktet Ivermectin për kafshët janë të ndryshme nga produktet Ivermectin për njerëzit

Së pari, medikamentet për kafshë shpesh janë shumë të koncentruara sepse përdoren për kafshë të mëdha si kuajt dhe lopët, të cilat mund të peshojnë shumë më tepër se ne – një ton ose më shumë. Doza të tilla të larta mund të jenë shumë toksike për njerëzit.

Për më tepër, FDA rishikon ilaçet, jo vetëm për sigurinë dhe efektivitetin e përbërësve aktivë, por edhe për përbërësit joaktivë. Shumë përbërës joaktivë që gjenden në produktet për kafshë nuk vlerësohen për përdorim te njerëzit. Ose ato përfshihen në një sasi shumë më të madhe sesa ato që përdoren tek njerëzit. Në disa raste, nuk dihet se si ata përbërës joaktivë do të ndikojnë në mënyrën se si ivermektina përthithet në trupin e njeriut.

Ndërkohë, FDA sugjeron që mënyrat më efektive për të parandaluar dhe kufizuar përhapjen e COVID-19 vazhdojnë të jenë: maska, të qëndroni të paktën 6 metra nga të tjerët që nuk jetojnë me ju, të lani duart shpesh dhe të shmangni turmat.

Burimi: Food & drug Administration

Qendra Alert

alert.al

BE ndalon karikuesit e telefonave të prodhuar në Kinë të markës JOYROOM

Hungaria ka ndaluar përdorimin e karikuesve të telefonit të markës JOYROOM të prodhuara në Kinë për shkak të rreziqeve që ata paraqesin për jetën e përdoruesve të tyre. Sipas përshkrimit të bërë për këtë produkt nga autoritetet hungareze ‘dimensionet e prizës elektrike janë shumë më të vogla se sa kërkohet. Izolimi i produktit është i papërshtatshëm. Përdoruesi mund të marrë një goditje elektrike nga pjesët e arritshme të drejtpërdrejta’.

Produkti është tërhequr edhe nga tregu europian për shkak se nuk është në përputhje me Direktivën Europiane të Voltazhit të Ulët si dhe rregulloreve të tjera shtesë të Komisionit Europian.

Modeli kinez, barkodi i të cilit është L-M226, nuk mendohet se është një produkt i falsifikuar, por thjesht ai nuk përmbush kriteret e sigurisë për konsumatorin.

Marka JOYROOM është një markë e përhapur edhe në Shqipëri dhe që shitet gjerësisht në tregje të hapura apo në pika të tjera shitjeje.

Jo të paktë kanë qenë aksidentet e ndryshme me mjetet e karikimit të telefonave të cilat shpeshherë kanë shkaktuar zjarre apo kanë marrë edhe jetën e njerëzve.

Përdorimi i kabllove ose karikuesve të dëmtuar ose karikimi aty ku ka lagështirë mund të shkaktojë zjarr, goditje elektrike, lëndime, ose dëmtim të telefonit apo sendeve të tjera.

Zakonisht kompanitë e mëdha telefonike bëjnë thirrje për të shmangur kontaktin e zgjatur të kabllos së karikimit dhe bashkuesit me lëkurën kur kablloja e karikimit është e lidhur me një burim rryme, sepse mund të shkaktojë shqetësime ose lëndime. Duhet shmangur fjetja ose ulja mbi kabllon e karikimit ose bashkuesin.

Gjatë procesit të karikimit, smartphoni dhe karikuesi mund të gjenerojnë nxehtësi. Megjithëse kjo gjë është normale, nëse telefoni nxehet tej normales gjatë karikimit, shkëputeni nga karikuesi dhe prisni që të ftohet. Më vonë mund të vazhdoni përsëri me karikimin. Por, nëse përsëri shihni që po krijohet nxehtësi e madhe atëherë duhet të mendoni për një karikues të ri, i cili të plotësojë kriteret për sigurinë e konsumatorëve.

Burimi: Safety Gate

Qendra Alert

alert.al

Cilat janë zonat më të rrezikuara nga zjarri në Shqipëri dhe në rajon gjatë ditëve në vazhdim?

Programi i Komisionit Europian, Copernicus EMS, ka publikuar gjatë ditës së sotme, zonat më të rrezikuara nga zjarret në Europën Jugore, midis të cilave është dhe Shqipëria. Harta është prodhuar në bazë të llogaritjeve kompjuterike të cilat bëjnë një kalkulim të kushteve të ndryshme klimaterike në Europë, si dhe duke krahasuar rezultatet historike të tyre së paku gjatë 30 viteve të fundit.

Parashikimet për zjarret mund të bëhen nga 1 ditë deri në 9 ditë dhe ky indeks është i ndarë në gjashtë kategori kryesore: si rrezik shumë i ulët, rrezikshmëri e ulët, mesatare, e lartë, shumë e lartë dhe rrezikshmëri ekstreme. Vlen të theksohet që Shqipëria në hartën e publikuar më 23 gusht përmban dy zona në jug dhe një zonë të veri, përkatësisht në Shkodër, të cilat janë të kategorizuara si një rrezikshmëri ekstreme e zjarreve gjatë ditëve në vazhdim.

Kushte të tjera për rrezik ekstrem të zjarrit përbëjnë ishulli i Korsikës në Francë, disa zona në Itali si Sardanja, Toskana, Bazilikata, Kampania, Pulia si dhe Siçilia. Në rajonin e Ballkanit, përveç Shqipërisë, me rrezik ekstrem nga zjarret janë dhe disa zona në Kroaci, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut si dhe Greqia.

Kategoritë e rrezikut nga zjarri janë të njëjta për të gjitha vendet dhe hartat tregojnë një pamje të harmonizuar të shpërndarjes hapësinore të nivelit të rrezikut nga zjarri në të gjithë Evropën, Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.

Duhet theksuar që kategoria ‘shumë ekstreme e rrezikut nga zjarri’ u prezantua për herë të parë gjatë qershorit të këtij viti, duke iu referuar rajonit të Mesdheut kryesisht gjatë muajve të verës.

Hartat e nivelit të parashikuar të rrezikut nga zjarri mund të konsultohen përmes ndërfaqes së hartës në internet të EFFIS dhe gjithashtu u dërgohen email çdo ditë përdoruesve.

Burimi: Copernicus EMS

alert.al

Vjedhjet e makinave në rritje: Fiat Panda modeli më i vjedhur në Itali

Pandemia nuk e ka ndaluar biznesin kriminal të vjedhjeve të makinave, përkundrazi mesa duket e ka nxitur më shumë atë. Autoritet e ministrisë së Transporteve në Itali kanë publikuar të dhënat më të fundit në lidhje me vjedhjet e makinave në këtë vend, të cilat tregojnë për shifra në rritje. Sipas statistikave kryesore, vjedhjet e makinave janë rritur me 25% gjatë vitit 2020, në krahasim me vitin 2019.

Ndër pesë market më të vjedhura janë:

1) Fiat Panda;

2) Fiat 500;

3) Fiat Punto;

4) Lancia Ypsilon; dhe

5) Volkswagen Golf.

Sipas ekspertëve, këto makina janë edhe ato që shiten më shumë, për këtë arsye rezultojnë edhe si më të vjedhurat. Ka një rritje të kërkesës për makina që i përkasin kategorisë ‘Sport Utility’, dhe vjedhësit e makinave mesa duket janë të informuar mirë dhe po i vënë gjithnjë e më shumë në shenjestër këto makina.

Burimi: Corriere della Sera

Qendra Alert

alert.al

Raporti i OKB-së: të reduktojmë emetimet e gazit metan

Gjatë katër dekadave të zhvillimit të negociatave për klimën nga liderët botërorë, diskutimet e tyre kanë qenë të përqendruara kryesisht në paralajmërimet për vetëm një gaz: dioksidin e karbonit.

Por, këtë vit, shkencëtarët po bëjnë thirrje për tu fokusuar në një gaz tjetër me efekte shumë të dëmshme në atmosferë – metani.

Shkencëtarët paralajmërojnë që vendet duhet që të bëjnë reduktime të mëdha dhe të shpejta të emetimeve të gazit të metanit, përveç atyre të dioksidit të karbonit, thuhet në raportin e Panelit Ndërkombëtar të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimin e Klimës.

Sipas studiuesve të klimës, ndërkohë që të dyja gazet, metani dhe dioksidi i karbonit e ngrohin atmosferën, ato nuk janë të ngjashme. Një molekulë gazi dioksid karboni shkakton më pak dëmë se një molekulë e gazit metan, por e para qarkullon për qindra vite në atmosferë ndërkohë që gazi metan zhduket për dy dekada.

Sipas raportit ‘shkurtimi i emetimit të gazit metan është strategjia më e mirë dhe më e shpejtë për të ngadalësuar ngrohjen globale’.

Mendohet se gazi metan përbën rreth 30% të gazrave të lëshuara në atmosferë si dhe ai prodhohet kryesisht nga shfrytëzimi i industrisë së naftës dhe gazit natyror.

Burimi: Reuters

Qendra Alert

alert.al

NASA po kërkon vullnetarë që të pretendojnë se po jetojnë në planetin Mars

Agjencia Hapësinore Amerikane (NASA) po kërkon vullnetarë që do të paguhen për të kaluar një vit duke jetuar në një habitat marsian Dune Alpha, i bazuar në Johnson Space Center në Houston, Texas. Aplikantët e suksesshëm do të punojnë në një mision simulimi për të eksploruar planetin marsian, përfshirë edhe shëtitjet në hapësirë.

Agjencia hapësinore dëshiron që njerëzit të aplikojnë në mënyrë që të përgatitet në të ardhmen  për dërgimin më në fund të astronautëve në planetin e kuq.

Aplikimet janë hapur tashmë dhe personat e përzgjedhur do të jetojnë në një habitat marsian 1700 metra katrorë.

Ambienti nuk do të ketë dritare dhe aplikantët do të konsumojnë vetëm ushqim të gatshëm, i njëjtë me atë që konsumojnë astronautët në hapësirë.

Misioni do të përfshijë ecje në hapësirë, komunikime të kufizuara me të afërmit, ushqim të kufizuar si dhe raste emergjence, në të cilat pajisjet nuk do të punojnë.

Aplikantët duhet të kenë mbaruar studimet për inxhinieri ose matematikë, të paktën master shkencor, ose të kenë përvoja të mëparshme pilotimi.

Gjithashtu, agjencia njofton se vetëm qytetarët amerikanë ose banorët e përhershëm amerikanë kanë të drejtë të aplikojnë për eksperimentin, i cili ngjan me filmin e vitit 2015 të Matt Damon ‘Marsiani’.

Ata duhet të jenë të moshës midis 30 dhe 55 vjeç dhe me shëndet të mirë fizik, pa probleme dietike dhe të mos kenë prirje ndaj sëmundjeve që kanë të bëjnë me lëvizjen.

Ndërkohë, roveri më i ri NASA -s në Mars,  i quajtur Perseverance, dështoi në përpjekjen e tij të parë për të marrë një mostër shkëmbi për t’u transportuar më pas në Tokë.

Edhe pse stërvitja dukej se funksiononte ashtu siç ishte menduar fillimisht, mesa duket asnjë shkëmb nuk përfundoi në tubin e mostrës.

Burimi: Sky News 

Qendra Alert

alert.al 

Kjo është loja më e famshme këtë verë

Loja ‘Pop It’ është një lodër ngacmuese dhe tërheqëse ku përdoruesit duhet që të shtypin në mënyrë të përsëritur topthat brenda dhe jashtë – e cila është shumë e ngjashme me mbështjellësin plastik me flluska që përdoret për të transportuar gjëra delikate.

Është një cikël që nuk mbaron, sepse pasi të keni mbaruar nga njëra anë, mund ta ktheni nga ana tjetër dhe të ri-filloni përsëri.

Pop It është shndërruar vërtet në një lojë shumë popullore sidomos edhe në TikTok me hashtagun #PopIt duke marrë më shumë se 2.5 miliardë shikime.

Dyqanet e lodrave në Mbretërinë e Bashkuar kanë marrë parasysh trendin në rritje duke blerë miliona Pop It për dyqanet e tyre.

Hayley Dolman, sipërmarrës në The Works, u shpreh për BBC se: ‘Kemi qenë protagonist të shitjeve fenomenale, duke shitur mijëra lojëra të këtij lloji çdo javë’.

 

Burimi: BBC

Qendra Alert

alert.al

Në trupin tonë jetojnë rreth 5 mijë lloje të ndryshme bakteresh

Një grup studiuesish italianë ka identifikuar rreth 5 mijë lloje të bakterieve që jetojnë në trupin e njeriut, kombinimet e të cilëve mund të krijojnë kushte të ndryshme përsa i përket alergjive, obezitetit, si dhe sëmundjeve autoimune.

Sipas asaj që kanë deklaruar shkencëtarët, rreth 77% e këtyre baktereve deri tani janë të panjohura për studiuesit.

Vëzhgimet shkencore deri tani kanë treguar që popullsitë që nuk i përkasin perëndimit, të tilla si ajo afrikane dhe Amerikës së Jugut, mbartnin një numër më të madh llojesh bakteriale sesa popullsitë perëndimore. Sipas studiuesve, një gjë e tillë vjen si pasojë e faktit që popullsitë jo perëndimore ishin më pak të studiuara më parë dhe sepse stili i tyre i jetesës promovon një diversitet më të madh të mikroorganizmave në sistemin tretës në krahasim me popullsitë e industrializuara.

Hipoteza e shkencëtarëve është që mikro-organizmat kanë bashkë-evoluar me njerëzimin për miliona vite, por stili i jetës i botës së modernizuar perëndimore, rritja e kushteve higjienike, dhe një akses më i madh ndaj antibiotikëve dhe medikamenteve të tjera, si dhe dieta me shumë yndyrë, mund të ketë pasur një ndikim në uljen e mikroorganizmave në sistemin tretës.

Burimi: Wired.it

Qendra Alert

alert.al

Kultivimi i insekteve si burim proteinash po rritet në të gjithë botën, por përse konsumimi i tyre është kaq i vështirë në Europë?

Ideja për të ngrënë një hamburger me insekte, apo krimba të skuqur në zgarë është një mendim i vështirë për shumë njerëz. Por, edhe nëse mendimi për të ngrënë insekte iu shkakton vështirosje në këto momente, disa  studiues thonë se ata duhet të jenë një pjesë e rëndësishme e dietës sonë ushqimore.

Ndërsa në Evropë dhe në vendet e tjera perëndimore, ngrënia e insekteve është një tabu, historikisht njerëzit i kanë ngrënë ato prej mijëra vitesh, dhe në shumë pjesë të botës praktika është mëse e zakonshme.

Rreth 2,000 lloje insektesh hahen në të gjithë botën në vendet në aziatike, Amerikën e Jugut dhe Afrikë. Në Tajlandë, pjatat me karkaleca të skuqura shiten në tregje dhe në Japoni larvat e grerëzave-të ngrëna drejtpërdrejt-janë një delikatesë.

Megjithatë, në Evropë, vetëm 10% e njerëzve do të ishin të gatshëm të zëvendësonin mishin me insekte, sipas një studimi të Organizatës Evropiane për Konsumatorin. Për disa nutricionistë, kjo mungësë gatishmërie për të ngrënë insekte është një mundësi e humbur.

‘Insektet janë një pjesë vërtet e rëndësishme që mungon në sistemin ushqimor’, thotë Virginia Emery, shefe ekzekutive e Beta Hatch, një kompani e re amerikane që krijon ushqim për bagëtitë nga krimbat.

Për shkak të kësaj, insektet e kultivuara mund të ndihmojnë në zgjidhjen e dy problemeve më të mëdha në botë menjëherë: pasigurisë ushqimore dhe krizës klimatike.

Bujqësia është nxitësi më i madh i humbjes së biodiversitetit global dhe një kontribues kryesor në emetimet e gazrave serrë. Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO), rritja e bagëtive përbën 14.5% të emetimeve globale të gazrave serë.

‘Jemi në mes të zhdukjes masive të biodiversitetit, jemi në mes të një krize klimatike, dhe megjithatë në njëfarë mënyre duhet të ushqejmë një popullsi në rritje në të njëjtën kohë’, thotë Sarah Beynon, e cila zhvillon insekte për ushqim në Fermën Bug në Pembrokeshire, Uells. ‘Ka ardhur momenti të bëjmë një ndryshim dhe duhet të bëjmë një ndryshim të madh’, shprehet ajo.

Kultivimi i insekteve përdor vetëm një pjesë të vogël tokës, energjisë dhe ujit të kërkuar për bujqësinë tradicionale, dhe ka një gjurmë karboni shumë të ulët. Duke parë rendimentin e proteinave për zonë, bujqësia e insekteve përdor rreth një të tetën e tokës në krahasim me ato të kultivimit të lopëve.

Insektet bujqësore në të gjithë botën do të çlironin sipërfaqe të mëdha toke që përdoren aktualisht për të rritur kafshë, si dhe për të prodhuar ushqim për bagëtinë.

Në shumë mënyra, kultivimi i insekteve është një shembull i efikasitetit të kthyer në një art të suksesshëm. Së pari ekziston shpejtësia me të cilën insektet rriten, duke arritur pjekurinë në ditë, në vend të muajve ose viteve që i duhen bagëtisë, dhe ato mund të prodhojnë mijëra pasardhës.Pastaj është fakti se insektet janë 12 deri në 25 herë më efikase në shndërrimin e ushqimit të tyre në proteina sesa kafshët. Bujqësia e insekteve gjithashtu prodhon shumë më pak mbeturina.

Dhe përveçse të prodhojnë më pak mbeturina, insektet gjithashtu mund të jetojnë nga ushqimi dhe biomasa, e cila në të kundërt do të hidhej, duke kontribuar në këtë mënyrë në ekonominë qarkulluese, ku burimet riciklohen dhe ripërdoren. Insektet mund të ushqehen me mbeturina bujqësore, të tilla si kërcelli ose dhe mbeturinat e ushqimit. Për të përfunduar zinxhirin e riciklimit, jashtëqitjet e tyre mund të përdoren si pleh për të mbjellat.

Megjithë kredencialet e qëndrueshmërisë së fortë dhe vlerën e tyre ushqyese që lidhen me ngrënien e insekteve, ka akoma një rrugë të gjatë përpara se ato të shfaqen në ndonjë mënyrë në dietat ushqimore perëndimore.

Por qëndrimet kanë filluar të ndryshojnë. Deri në vitin 2027, tregu i insekteve të ngrënshëm parashikohet të arrijë në 4.63 miliardë dollarë dhe kompanitë evropiane po investojnë në insekte të ngrënshme pas miratimit nga Autoriteti Evropian i Sigurisë Ushqimore.

Burimi: BBC World

Qendra Alert

alert.al