Menu

COP27, arrihet marrëveshje për kostot e ndryshimeve klimatike

Në samitin COP27 të OKB-së u arrit marrëveshja për ndryshimet klimatike, sipas së cilës vendet e pasura do të paguajnë vendet më të varfra për dëmet dhe humbjet ekonomike.

Kjo marrëveshje i jep fund gati 30 viteve pritje nga vendet që përballen me ndikimet më të mëdha të ndryshimeve klimatike.

Por, vendet e zhvilluara u larguan të pakënaqura lidhur me progresin në fushën e reduktimit të karburanteve fosile.

“Një angazhim i qartë për të eliminuar gradualisht përdorimin e të gjitha lëndëve djegëse fosile? Kjo nuk është pjesë e tekstit të marrëveshjes,”-tha Alok Sharma, presidenti britanik i samitit të mëparshëm të COP që u mbajt në Glasgow.

Diskutimet e këtij viti në Sharm el-Sheikh të Egjiptit ishin pranë një kolapsi total dhe u mbyllën për dy ditë.

Disa duartrokitje të ngrohta e shpresëdhënëse u vunë re në momentin historik të miratimit të “fondit të humbjeve dhe dëmeve” në orët e para të ditës së dielë, pasi diskutimet konfuze dhe shpeshherë kaotike për rreth 48 orë i kishin lënë delegatët të rraskapitur.

Megjithatë, kjo është një deklaratë e madhe simbolike dhe politike nga vendet e zhvilluara, të cilat kishin bërë rezistencë prej kohësh ndaj një fondi që mbulon ndikimet e ndryshimeve klimatike, të tilla si përmbytjet dhe thatësirat.

Samiti filloi dy javë më parë me deklarata të forta nga vendet më vulnerabël. “Ne nuk do të dorëzohemi, alternativa është që të shkojmë në një varr prej uji-” tha kryeministri i Bahamas, Philip Davis.

Të dielën, ministrja e klimës e Pakistanit, Sherry Rehman, e cila negocioi në emër të bllokut të vendeve në zhvillim plus Kinën, tha për gazetarët se ishte shumë e lumtur për arritjen e marrëveshjes.

“Jam e bindur se kemi bërë një ndryshim të madh në mënyrën se si punojmë së bashku për të arritur qëllimet klimatike,” tha ajo.

Përmbytjet shkatërruese në Pakistan gjatë kësaj vere, të cilat u morën jetën rreth 1,700 njerëzve dhe shkaktuan dëme që janë vlerësuar të jenë rreth 40 miliardë dollarë, ishin një sfond i fuqishëm për këtë samit.

Të dielën, ministri i mjedisit i Antigua dhe Barbuda, Molwyn Joseph, dhe kryetari i Aleancës së Shteteve të Vogla Ishullore, thanë se marrëveshja ishte një “fitore për të gjithë botën” dhe “riktheu besimin global në këtë proces kritik për t’u siguruar se askush nuk do të mbetet prapa.”

Por, disa vende dhe grupet, duke përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, BE-në dhe Zelandën e Re, u larguan nga Egjipti të pakënaqura me kompromiset për lëndët djegëse fosile dhe frenimin e ndryshimeve klimatike.

“Jam tepër i zhgënjyer që nuk ishim në gjendje të bënim më shumë,” tha për gazetarët kryenegociatori i Mbretërisë së Bashkuar, Alok Sharma, pas përfundimit të bisedimeve.

Vendet që luftuan për të ulur ambicien e reduktimit me shpejtësi të emetimeve të gazeve serë – gaze që ngrohin planetin – duhet t’i shikojnë vendet më vulnerabël “në sy”, tha ai.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak, përshëndeti përparimin e bërë në COP27, por tha se “duhet bërë më shumë” për të trajtuar çështjen e ndryshimeve klimatike.

Marrëveshja përfundimtare gjithëpërfshirëse nuk përfshinte angazhime për të “eliminuar gradualisht” ose për të reduktuar përdorimin e karburanteve fosile.

Ajo gjithashtu përfshin një gjuhë të re e të paqartë për “energjinë me emetime të ulëta”, e cila, sipas ekspertëve, mund të hapë rrugën që disa lëndë djegëse fosile të konsiderohen pjesë e një të ardhmeje të energjisë së gjelbër.

Shumë vende, duke përfshirë grupin G20, kërkojnë që bota të reduktojë urgjentisht përdorimin e karburanteve fosile.

Por, vendet në zhvillim të tilla si India ose ato që varen nga nafta dhe gazi rezistojnë në këtë pikë, sepse duan të shfrytëzojnë rezervat e tyre, ashtu siç kanë bërë historikisht vendet perëndimore.

Ndërkohë, përgjatë samitit të COP27, një marrëveshje që premton t’i paguajë 20 miliardë dollarë Indonezisë për të reduktuar varësinë e saj nga qymyri u konsiderua një nga sukseset konkrete të këtij samiti. (BBC)

Qendra Alert/Alert.al

Related Posts