Siguria ushqimore është vazhdimisht e cënuar përsa kohë në markete kemi produkte pa etiketa. Gjithandej shitet mish i paketura me qese kuzhine ose i hedhur dorazi në raftet frigoriferike. Me sy të lirë shihet të jenë kofsha pule, gjoks pule si dhe bërxolla gici. Por përse këto produkte nuk janë të paketuara higjenikisht dhe me informacionin përkatës mbi origjinën e mishit dhe cilësisë së tij?
Qendra Alert gjeti sërish mish pa etiketë në markete, ndonëse disa ditë më parë emisioni ALERT i dedikoi një puntatë pikërisht importit të mishit në Shqipëri. Kryesisht ky produkt vjen nga vendet e Amerikës së Jugut, si Brazili apo Argjentina. Mishi blihet dhe rihidhet në treg nga grosistët shqiptarë. Asnjë çertifikim, asnjë etiketë dhe asnjë masë sigurie. Padyshim një rrezik i cili ruhet në frigorifer për t’iu shitur kosumatorit fundor.
Në këtë rast autoritetet përgjegjëse nuk e shohin të udhës ndalimin e shitjes së produkteve pa etiketa dhe amballazh të sigurtë. AKU ndërkohë po kursen edhe kontrollet nga ana e inspektorëve. Në terren po dalin gjithmonë e më pak inspektorë. Këta të fundit janë urdhëruar të kontrollojnë vetëm biznesin e madh dhe rastet e denoncuara në media.
Qendra Alert / Alert.al
LEAVE A COMMENT