Menu

Dëshmia e të plagosurit: “Shkuam për t’u sqaruar, por Gocajt qëlluan të parët”

Është zbardhur dëshmia e Hasan Ferracaku, një nga të plagosurit në masakarën e Velipojës, ku mbetën të vrarë katër persona dhe u plagosën 2 të tjerë.

Ai u shpreh se debati mes tyre dhe Gocajt fillimisht kishte nisur në vendin ku mbanin shezlonget. Hasan Ferracaku thotë se pasi nuk u sqaruan shkuan në darkë u ulën së bashku për t’u sqaruar, por që debati kishte agravuar në përdorimin e armëve.

Ai u shpreh se pronarët e hoteleve “Gocaj” i kishin vënë shezlonget në vendin e tyre, pasi sipas tij ata kishin të drejtë pasi kishin marr leje.

Ferracaku tha se ata kishin qëlluar drejt vëllait të tij, dhe më pas ky i fundit është vetëmbrojtur.

“Fillimisht kemi zhvilluar një debat tek shezllonet në plazh sepse ata i kanë vendosur në vendin ku këtë vit e kemi pasur të drejtën ne pas aplikimit që kemi bërë. Pas atij debati kemi shkuar në darkë tek hoteli Gocaj për t’u sqaruar me familjen Gocaj. Jemi ulur në tavolinë për të biseduar. Ne i kemi thënë që të gjejmë një marrëveshje, pasi ata i kishin vendosur më përpara shezllonet njëkohë që këtë vit kjo e drejtë ishte e jona në baze të aplikimeve.

Ata nuk kanë pranuar duke thënë se duhet të presin derisa të përcaktohet edhe vendi i tyre. Gjatë bisedës ka nisur debati dhe gjërat janë acaruar duke bërë që të përdoren edhe armët. Ne kemi shkuar për të folur dhe për të gjetur një zgjidhje për shezllonet, por situata u acarua dhe pas krismave të armëve nuk e di çfarë ka ndodhur më. Di që ata kanë qëlluar ndaj vëllait dhe ne të tjerëve dhe në atë moment vëllai është vetëmbrojtur. Unë nuk kam qëlluar dhe kemi shkuar vetëm për të biseduar sepse janë njerëz që ne i kemi njohur dhe kemi pasur marrëdhënie të mira, por situata doli nga kontrolli”, mësohet të ketë thënë 54-vjeçari.

Si ndodhi ngjarja

Ngjarja ka nisur pak pas mesnate mes Kujtim Ferracakut, pronar i restorant “Fantazia” dhe pronarëve të hotelit “Gocaj”, për shezlongët në plazhin e Velipojës.

Si fillim debati ka nisur me fjalë dhe më pas ka degjeneruar në përdorimin e armëve nga të dy palët. Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit kanë mbetur të vrarë Kujtim Ferracaku 59 vjeç, vëllezërit, Xhovani dhe Edmond Gocaj 25 dhe 38 vjeç dhe Myzerim Zeneli 20 vjeç, ky i fundit punonjës i shezlongeve. Ndërsa të plagosur kanë mbetur Hasan Ferracaku 54 vjeç dhe Elmedin Tyli 17 vjeç.

alert.al/

Related Posts