Menu

Dhoma Amerikane kundër paketës fiskale: Unifikimi i akcizës së birrës dëmton prodhuesit vendas

Dhoma amerikane e Tregtisë në komentet e anëtarëve të saj që i ka dërguar Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe ministres së Financave Delina Ibrahimaj vlerëson se paketë e re fiskale sjell një ashpërsim të gjobave, ndërkohë që në këtë kohë krize qeveria duhet të propozonte politika më lehtësuese për tatimpaguesit.

Ndryshimet në ligjin për procedurat tatimore që propozojnë dhjetëfishimin e gjobës për mos lëshimin e faturave nga Dhoma Amerikane e Tregtisë vlerësohen antikushtetuese. Anëtarët e Dhomës Amerikane të Tregtisë ngrenë shqetësimin se gjobat e propozuara për mos lëshimin e faturës janë përtej normave që parashikon aktualisht legjislacionin tatimor në fuqi, si dhe nuk është marrë në konsideratë parimi i proporcionalitetit të Gjykatës Kushtetuese. Projektligji sipas AmCham shkel lirinë e veprimtarisë ekonomike dhe të drejtën e pronës njësoj si ligji 99/2015 i shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese dhe duhet të rishikohet nga ana e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Nga anëtarët e Dhomës Amerikane kundërshtohen edhe propozimet për unifikimin e akcizës te prodhuesit e birrës. Anëtarët e Dhomës ngrenë shqetësimin se unifikimi do të dëmtojë prodhuesit vendas në raport me birrat e importit. Dhoma amerikane e Tregtisë shprehet se regjimi aktual i akcizës ka qenë në të njëjtën linjë me lejimet e BE-së dhe nuk ka qenë në kundërshtim me direktivën.

Komente të anëtarëve të Dhomës Amerikane të Tregtisë në lidhje me Paketën

Rritja e gjobave për shkeljet administrative

Vendosja e gjobës në masën 10% të vlerës së parapagimit, në rast vonese të pagesës së parapagimeve të tatim fitimit, të cilat për nga natyra nuk janë një tatim i maturuar, ka elementë të theksuar të mungesës së proporcionalitetit dhe duhet të shqyrtohet edhe në këndvështrimin e kritereve të vendosura nga Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr. 33/2016.

Në vijim, projektligji propozon rritjen e penaliteteve për shkeljet administrative të kryera nga tatimpaguesit si më poshtë:

Gjoba për mallrat e pashoqëruara me faturë bëhet 750,000 lekë nga 75,000 lekë që ishte më herët, por kallëzimi penal bëhet në rast se subjekti është përsëritës dhe jo në shkeljen e parë: Dhjetëfishimi i gjobës për moslëshim të faturave për furnizim, pagese, apo pranim të mallrave nga 150,000 bëhët 1,500,000 lekë.

Gjoba për mos deklarimin e punonjësve apo pagave reale behet 200% e detyrimit për entitetet juridike dhe 100 % e detyrimit për tatimpaguesit e tjerë.

Me miratimin e ligjit për Fiskalizimin u propozua dhe u miratuan ndryshimet dhe të sanksioneve (dënimeve administrative) për ligjin e ri të fiskalizimit dhe zbatimi i këtyre sanksioneve i filloi efektet nga data 1 janar 2022. Pas 10 muaj nga zbatimi i këtyre sanksioneve, propozohet dhjetëfishim i këtyre gjobave për kategorinë e biznesit të regjistruar me TVSH dhe tatim fitim. Nuk e kuptojmë analizën e kryer nga Ministria që është konkluduar në dhjetëfishimin e gjobave për vetëm një kategori të biznesit. Ne gjykojmë se propozimi për rritjen e gjobave është i pabazuar në ligj dhe antikushtetues.

Së pari, ligji i procedurave përcakton që gjobat e vendosura si shkelje administrative, që lidhen me një detyrim tatimor, nuk mund të kalojnë 100% të detyrimit tatimor, kufirin e përgjithshëm të gjobës të caktuar në nenin 111 “Dënimet administrative”, pika 5 e këtij Ligji. Propozimi për dyfishim të gjobave për mos deklarimin e punonjësve apo pagës reale sjell konflikt të nenit të ligjit të procedurave tatimore që nuk lejon që gjobat e vendosura të tejkalojnë 100% të detyrimit.

Qendra Alert/Alert.al

Related Posts