Menu

Biznesmeni e filantropi Lazim Destani: Ka ardhur koha të ridimensionojmë remitancat, qeveritë duhet të gjëjnë mekanizmat

Në aktivitetin për Ditën Ndërkombëtare të Remitancave, i mbajtur në Tiranë, por edhe me pjesëmarrës të ftuar nëpërmjet platformave “online”, ishte i ftuar dhe Anëtari i Këshillit Koordinues të Diasporës, njëkohësisht dhe President Nderi i Dhomës së Biznesit të Diasporës, Z.Lazim Destani. Filantropi dhe biznesmeni i njohur nga Tetova tha gjatë fjalës së tij se, ky është një rast i mirë për të reflektuar mbi ndikimin e reimtancave në zhvillimin ekonomik. “Roli dhe kontributi i diasporës shqiptare, gjithmonë ka qenë dhe vazhdon të jetë i jashtëzakonshëm për zhvillimet e përgjithshme në vendet tona. Ndërsa, kur është fjala te zhvillimi ekonomik i vendeve tona, remitancat përbëjnë mbase burimin kryesor”, tha Destani gjatë fjalës së tij, duke shtuar se, “në gjirin e diasporës sonë ka shumë profesionistë të aftë që e kanë dëshmuar veten në menaxhimin e resurseve të tilla”.


Më poshtë, mund të gjeni fjalën e plotë të Z.Destani.
“Ndihem i nderuar të jem i pranishëm në ngjarjet si kjo, që lidhen me diasporën, pasi për një periudhë të gjatë edhe vet jam pjesë e saj.
Është një rast i mirë që sot,në Ditën Ndërkombëtare të Remitancave, të reflektojmë mbi ndikimin e remitancave në zhvillimin ekonomik e shoqëror.
Roli dhe kontributi i diasporës shqiptare gjithmonë ka qenë dhe vazhdon të jetë i jashtëzakonshëm për zhvillimet e përgjithshme në vendet tona. Ndërsa kur është fjala te zhvillimi ekonomik i vendeve tona, remitancat përbëjnë mbase burimin kryesor.
Në të kaluarën remitancat kanë qenë në nivele më të ulëta dhe janë përdorur kryesisht për konsum nga familjet, ndërsa sot ato janë në nivele shumë më të larta. Prandaj është shumë e rëndësishme që ky kapital të kanalizohet, duke i gjetur rrugët dhe mekanizmat për ta bërë atë sa më efektiv, si për familjet ashtu dhe për ekonominë e vendit dhe shoqërinë në përgjithësi.

Lazim Destani

Në takime të ndryshme me afaristë të suksesshëm në diasporë, kemi diskutuar rreth idesë për themelimin (nga ana e Diasporës) e një Fondi për Investime në vendet tona. Mendojmë se, kjo do të ishte një mundësi shumë e mirë për ridestinimin e remitancave në investime direkte kapitale.
Si një formë tjetër për ridestinimin e remitancave mund jenë dhe mekanizmat e garancioneve qeveritare. Përmes kësaj forme, qeveria mund të motivojë partneritet me bankat europiane për zhvillim, si BERZH (Londër) apo Banka e Investimeve Europiane (Luksemburg), si dhe me banka të tjera për zhvillim në vendet perëndimore. Ekspertët e fushës (bankier investiv në tregun e kapitalit) do t’i menaxhonin këto fonde që paraqesin bazë për garancione, për kredi të buta apo edhe investime për ngritje biznesesh.
Në gjirin e diasporës sonë ka shumë profesionistë të aftë që e kanë dëshmuar veten në menaxhimin e resurseve të këtilla. Investimet prioritare mund të jenë në degë të shumta, si teknologjia e informacionit, digjitalizimi, motivimi i eksportit, bujqësia, e të tjera.
Një mundësi shumë e mirë do të ishte edhe krijimi i kushteve nga Institucionet e shtetit për të ofruar politika të mirëfillta për zhvillimin e turizmit duke bashkëpunuar me kompani të mëdha turistike nga Gjermania si dhe nga vendet tjera europiane.
Për realizimin e këtij synimi, pra për ta kanalizuar dhe për ta shumëzuar këtë potencial kaq të vlefshëm të remitancave, roli i shtetit është gjithsesi i pazëvendësueshëm.Në këtë drejtim mendoj se institucionet shtetërore mund të bëjnë shumë, duke krijuar mekanizma e platforma të favorshme investuese e duke hartuar politika që nxisin ridestinimin e remitancave drejt investimeve.
Ekspertët e fushës së zhvillimit ekonomik, drejtues të dikastereve apo institucioneve financiare, me siguri që i njohin mirë këto mekanizma. Ndërsa jam i bindur se burime financimi gjenden plot kur të krijohen mekanizmat dhe instrumentet e duhura.

Sigurisht që ka edhe shumë mundësi dhe modele të tjera për t’i rritur sa më shumë prurjet nga diaspora dhe për t’i bërë ato sa më efektive.
Tani, ne kemi dhe Dhomën e Biznesit të Diasporës në Tiranë, e cila është një urë lidhëse për të ndihmuar të gjitha investimet.
Pa e zgjatur më shumë, uroj që diaspora të jetë sa më e përfshirë në zhvillimin ekonomik të vendeve tona, dhe të jemi sa më të organizuar e të bashkuar sepse kështu jemi më të fuqishëm”.
Alert.al

Postime të ngjashme

LINI NJË KOMENT

Make sure you enter the(*) required information where indicated. HTML code is not allowed