Filantropi dhe biznesmeni i njohur Lazim Destani, vazhdon të mbështesë bashkimin e faktorit shqiptar në mbarë botën dhe diasporën. Në kuadër të aktiviteteve dhe iniciativave të tij për fuqizimin e të gjithë aktorëve shqipfolës në mbarë botën, Destani bashkoi në zyrat e dij në Dyseldorf, Gjermani, përfaqësues nga Unionii i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane, nga Dhoma e Biznesit të Diasporës Shqiptare dhe Organizatës GERMIN të Kosovës.
Të ftuar në ambjentet e biznesit të Z. Lazim Destani, i cili njëherësh është dhe President Nderi i Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare, ishin Nazmi Viqa, Kryetar i Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane, pronar i Abbruch GmbH, Anëtari i Kryesisë, Vllaznim Kelmendi, pronar i Kelmendi GmbH, Shkëndije Berisha, anëtare e Kryesisë dhe Fadil Abdullahu, Drejtor Ekzekutiv i Unionit të bizneseve, Ardian Lekaj, Kryetar i Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqitpare, Lirim Krasniqi dhe Sihana Bejtullahu Bashkëdrejtor të GERMIN në Kosovë.
Ky takim kishte për qëllim fillimin e përpjekjeve dhe bashkimit të gjithë entiteteve të përfaqësimit të diasporës shqiptare për misione të përbashkëta.
Destani shprehu gatishmërinë e tij edhe këtë herë për mbështetje të çdo iniciative që zhvillon trojet shqiptare kundrejt edhe thirrjes për bashkim, të cilës i bashkohet edhe Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane. “Nëse do të jemi bashkë e nëse do të bashkëpunojmë ngushtë me të gjithë faktorin shqiptar, me të gjithë diasporën dhe organizmat që e përfaqësojnë atë nëpër botë, ne do të jemi më të fortë. Forca dhe bashkimi jonë, do të ngjallin besim te të gjithë mërkigmtarët, por dhe ne do të mund të ndihmojmë më fuqishëm në qeveritë e vendeve tona, për krijimin e kushteve më të favorshme. Ne mund të investojmë aty, të zhvillojmë ekonomikisht shtetet tona, por dhe të ngjallim shpresë për rininë, që të mos e shohë emigrimin si zgjidhjen më të mirë dhe zgjedhjen më të parë”, theksoi Destani, sipas të cilit, “fuqia ekonomike e shumë eksponentëve të diasporës, kompanive shqiptare në mbarë botën është e madhe dhe investimet e tyre në shtetet shqiptare, sjellin një zhvillim ekonomik shumë të madh, si dhe mijëra vende pune”.
Kryetari i Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare, solli në vëmendje, iniciativën dhe përpjekjen me të gjitha mundësitë për të bërë të mundur ndalimin e fenomenit “Brain Drain”, një fenomen aktual që po haset në mbarë botën, por që zbeh interesin e investitorëve për investime në atdhe, duke qënë një çështje që po bëhet gjithmonë e më e ndjeshme në vendet tona të origjinës. Diaspora është një mekanizëm bindës për të bashkëvepruar në ndalim të këtij fenomeni më kontribute të shumllojshme, theksoi ai.
Gjithashtu si ideatori i projekt-idesë së Instrumentit Financiar të Diasporës Shqiptare, Z. Lekaj, vijon të lobojë deri në realizim për këtë iniciativë, e cila do të lehtësojë shumë më tepër qellimin e përbashkët, por edhe do të na lidhë akoma më fort kundrejt mundësisë reale të shtuar për biznes.
Lirimi dhe Sihana, Bashkëdrejtuesit e GERMIN, i dhanë vëmendje në këtë takim kërkesës për mbeshtetje të Projektit ORIGIN.AL me synim kthimin e të rinjve nga diaspora.
Ky rrugëtim do të vijojë më tej dhe është një thirrje për të gjitha entitetet simotra për të shtuar forcat në shërbim të zhvillimit të trojeve shqiptare.
Lazim Destani, i njohur në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Kosovë e Luginën e Preshvës, por edhe në të gjitha vendet ku ka shqiptar, për filantropinë dhe bamirësinë e tij, është Kryetar i Bordit Mbikqyrës të kompanisë ndërkombëtare, Ecolog International, pronë e familjes së tij dhe shtylla kryesore financiare e ND Group.
Destani, njëherësh njihet edhe si një prej mbështetësve të çështjeve shqiptare. Ai është dhe Kryetar Nderi i Rrjetit të Bizneseve të Diaporës Shqiptare, si dhe President Nderi i Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare.
Aktivitetet e Z.Destani për çështjet shqiptare nuk shtrihen vetëm në rrafshin e takimeve për përfaqësues të diasporës, por edhe me faktorë e organizma ndërkombëtarë që kanë ndikim në politikat globale për fatet e trojeve shqiptare dhe të ardhmen e tyre.
LINI NJË KOMENT