Nëse s’do kishte dëshmorë, liria nuk do të vinte. E tillë është edhe familja e Jasharajve në Prekaz, të cilët dhanë gjithçka për lirinë e Kosovës. E në kuadër të aktiviteteve të 15-Vjetorit të Pavarësisë, varrezat e Jasharëve dhe dëshmorëve të UÇK-së kanë pritur për homazhe, filantropin shqiptar Lazim Destani, i cili prej 3 ditësh gjendet në Kosovë.
Në faqet e tij zyrtare në rrjetet sociale, Destani ka njoftuar homazhet e bëra në varrezat e Jasharajve. Gjithashtu, Z.Destani ka zhvilluar një vizitë edhe në shtëpinë e Haxhi Thaçit, babait të ish-kryeministrit të Kosovës, i cili sot ndodhet i burgosur në Hagë.
“Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Pavarësisë së Kosovës, homazhet te varrezat e Jasharajve në Prekaz zënë vend të veçantë. Këtu nderuam dhe respektuam në mënyrën më dinjitoze e më të lartë luftën dhe sakrificën e komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari, si dhe gjithë dëshmorëve e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, shkruan Z.Destani në profilin e tij. Më te, ai shton se, “udhëtimi im i radhës ishte rruga drejt fshatit Brojë të Drenicës, ku vizitova të nderuarin Haxhi Thaçi, babain e ish-Presidentit Hashim Thaçi. Këtu gjeta mikpritjen e ngrohtë e vëllazërore të kësaj familje bujare. Gjatë bisedës theksova se Pavarësia e Kosovës do të ishte e pamundur pa luftën heroike e të drejtë të UÇK-së e pa largpamësinë e lidershipit shqiptar. Gjithashtu shpreha bindjen e plotë se krerët e UÇK-së tash po përballen me betejën e tyre të fundit për mbrojtjen e Kosovës nga tendencat për shtrembërimin e ngjarjeve e të historisë!”.
Destani ka kujtuar gjithashtu edhe vizitat në Mitrovicë e Skënderaj, ku është takuar me kryetarët ë komunave, dy prj zonave me problemet më të mëdha të shkaktuara nga përmbytjet e 19 janarit. “Pas Brojës, vizitova Mitrovicën dhe Skënderajn ku pata kënaqësinë të takoj Kryetarët e këtyre dy komunave, z. Bedri Hamza dhe z. Fadil Nura. Gjatë bisedave në këto dy takime, pas urimeve të ndërsjella për festën e Pavarësisë, Kryetarët e këtyre dy komunave nënvizuan përpjekjet e tyre për menaxhimin dhe tejkalimin e pasojave nga përmbytjet e muajit të kaluar. Në fund të këtyre takimeve, në shenjë falënderimi për mbështetjen që u dhamë familjeve të prekura nga vërshimet, pata nderin të pranoj mirënjohje nga këto dy komuna”, thotë Destani.
@Alert.al
LINI NJË KOMENT