PRISHTINË – Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, ishte i mbushur sot me biznesmenë shqiptarë, pra nga Kosova e trevat tjera shqipfolëse, nga diaspora e investitorë të huaj, në aktivitetin e quajtur “Forumi i Bizneseve të Diasporës”. Mbi 360 biznese dhe biznesmenë nga Kosova, trojet shqiptare, diaspora por edhe të huaj, morën pjesë në aktivitetin e rëndësishëm të mbajtur në Prishtinë, njofton gazeta Zëri.
Në hapjen e këtij forumit, morrin pjesë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Drejtoresha e Misionit USAID-it në Kosovë, Zeinah Salahi, Kryetari i Nderit i Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, Lazim Destani, Kryetari i Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Austri, Ylli Blakaj e shumë afaristë e personalitete të tjera nga fusha e biznesit.
Po ashtu, gjatë Forumit është mbajtur edhe një takim B2B, ku bizneset e diasporës dhe të huaja u takuan me ato vendase, duke u njohur më shumë për veprimtarinë e tyre dhe mundësinë që produktet vendase të eksportojnë jashtë vendit.
Në një intervistë për “Zërin”, Kryetari i Nderit i Rrjetit të Bizneseve të Diaporës Shqiptare, Lazim Destani, i cili njihet edhe për kontributin e madh të rrjetëzimit të bizneseve të diasporës me ato që kryejnë aktivitet në trojet shqiptare, Kosovë, Shqipëri e Maqedoni, tha se udhëheqës të kompanive joshqiptare që kanë ardhur sot në Prishtinë, janë ndarë të habitur me mundësitë që ofrojnë kompanitë dhe prodhimet vendore.
“Ky nuk është Forumi i parë, diaspora ka pas edhe më herët forume të ndryshme por sot më të vërtet ka qenë një forum në nivel të lartë, ku kanë ardhur mbi 30 kompania të huaja, që do të thotë se pronarët nuk janë shqiptarë, por që bashkëpunojnë me kompanitë tona që veprojnë në diasporë dhe janë ndarë të kënaqur me kompanitë vendore që veprojnë në Kosovë”, tha Destani. Sipas tij, “më herët vizituam takimet e kompanive dhe bisedat që bëjnë njëri me tjetrin dhe ky është një sukses tjetër i madh dhe kompani të diasporës shqiptare që veprojnë në perëndim e që me sa kuptova unë janë 100 kompani që kanë ardhur në këtë Forum. Ishte nder që në këtë forum sot ishte kryeministri Albin Kurti, kryetarët e disa komunave, ku me të vërtet ishte takim shumë i frytshëm”, vijoi Destani për “Zërin”.
Ai lavdëroi gjithashtu edhe kompanitë vendase, të cilat i krahasoi me ato ndërkombëtare, ndërsa ftoi për më shumë unitet mes bizneseve të diasporës dhe vendore, por edhe shqiptarëve në përgjithësi.
“Kompanitë tona kanë nivel europian dhe ndonjëherë ne nuk i dimë vlerat tona. Këto Forume janë mundësi e mirë bashkë me ju mediat që i shpalosni këto veprimtari dhe vlerat tona, të cilat janë shumë të vlefshme”, shtoi Destani.
Forumi që ka nisur sot do të vazhdojë edhe të shtunën, ku pjesëmarrësit nga Diaspora dhe të përfaqësues të bisneseve të huaja, do të vizitojnë disa kompani vendore nëpër disa qytete të Kosovës.
Burimi: Zëri.info
LINI NJË KOMENT