Prej disa ditësh shqiptarë rezidentë në Greqi, mes tyre gra dhe fëmijë mbetën të bllokuar nga policia shqiptare në pikën doganore të Kapshticës. Ata nuk u lejuan të kalojnë në Shqipëri, kjo edhe në kuadër të masave ndaj coronavirusit dhe ndalimit të kalimit në kufij. Pa ushqime dhe në temperatura të ulëta, për një pjesë të tyre ka qenë situatë e papërballueshme duke përfunduar në spital për ndihmë mjekësore. Por këtë të marte, 35 shqiptarë të mbetur në zonën neutrale mes Greqisë dhe Shqipërisë do të transferohen për karantinim 14-ditor në një hotel në Korçë.
Qytetarët po plotësojnë procedurat, kontrollin mjekësor, dokumentacionet në polici dhe do transferohen drejt hotelit në Korçë. Kjo zgjidhje ka ardhur pas negociatave dhe marrjes përsipër të kostos, 14 ditë hotel dhe ushqim në 3 vaktet nga Këshilli Koordinues i Diaspores Shqiptare. KKD e mori këtë vendim pasi kryeministri i vendit Edi Rama deklaroi se emigrantët shqiptarë do futen në territorin tonë nëse karantinohen 2 javë në struktura hoteliere me kostot e veta.
Qendra Alert/Alert.al
LINI NJË KOMENT