Zhvillimi ekonomik i Tetovës në Maqedoninë e Veriut dhe bashkëpunimi me Kompaninë “Ecolod International”, duket se ka qenë thelbi i takimit të Kryetarit të kësaj komune, Bilal Kasami, me biznesmenin e njohur shqiptar dhe filantropin Lazim Destani.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë Kryetari i Komunës së Tetovës në rrjetet e tij sociale. Ai shkruan se, gjatë vizitës së tij në Gjermani, është takuar dhe me Z.Destani, ku diskutuan për thellimin e bashkëpunimit me kompaninë “Ecolog”, për zhvillimin dhe perspektivën e Tetovës.
“Gjatë vizitës në Gjermani, kisha nderin të realizoj takim miqësor me Z.Lazim Destanin, pronarin e kompanisë më prestigjioze shqiptare “Ecolog”, por edhe më gjërë. Në takim diskutuam për të thelluar bashkëpunimin tonë në mes Komunës së Tetovës dhe “Ecologut”. Me Z.Destanin ndajmë të njëjtin vizion për qytetin e Tetovës, i cili është puna, zhvillimi dhe transformimi i plotë i qytetit në një qytet Evropian. Tetovën e shohim si vend me perspektivë, si vend që i duhet zhvillim, andaj ne mirëpresim të gjithë ata që duan të investojnë në qytetin tonë dhe të realizojnë projekte të ndryshme që janë në të mirën e qytetarëve”, shkruan Kasami në faqet e tij zyrtare.
Familja Destani dhe Ecolog International kane bërë një sërë investimesh në qytetin e Tetovës, por edhe në Shkup e gjithandej në Maqedoninë e Veriut. Filantropi i njohur është dhe Presidenti i Klubit të Futbollit të Tetovës “Shkëndija”. Ecolog dhe familja Destani kanë bërë me dhjetra herë donacione për institucionet publike në Maqedoni, ku rasti më i fundit publik është ai i dhurimit të 10 ambulancave për spitalet maqedonase në shtatorin e vitit 2021. Pa harruar rikonstruksionin e Klinikës Kirurgjikale në Shkup e shumë e shumë të tjera.
Qendra Alert / Alert.al
LINI NJË KOMENT