Menu

Libra Pecuniaria Apo Balanca Financiare!

Nga Ardian LEKAJ*

Edhe kapitalizmi, sot në kohën e COVID-19, është në krizë. E megjithatë kapitalizmi është një formulë e suksesshme. Eksperimentet me sisteme të tjera i kemi jetuar, por nuk kanë rezultuar efektive.

Sot e gjithë bota është në krizë. Kurrë nuk ka ndodhur që kontinentet të përballeshin me një krizë të këtij niveli njëkohësisht. Amerika është parë gjithmonë si një vend me dyer të hapura për të gjithë. Pionieret e parë në atë kontinent ishin europiano-perëndimorët, anglezët, gjermanët, holandezët, francezët dhe skandinavët. Këta të gjithë u përpoqën të mbyllin dyert për irlandezët, çifutët, italianët, polakët, rusët dhe grekët.

Duket sikur e njëjta histori po përsëritet me aziatët dhe amerikano-jugorët.

Amerika ndërkohë, nuk ka reshtur të guxojë të synojë diçka tjetër. Për herë të parë u vu president një afro-amerikan. A do të ndodhë vallë që në Gjermani të vijë një turk, në Francë një algjerian, në Holandë një maroken, në Angli një indian?! Por me sa duket, sot jemi “në fundin e ëndrrës Amerikane”. Situata e sotme në periudhën e virusit po vërteton se sistemi ekzistues kapitalist, nuk mund të mbahet më me metodat e vjetra. Arsyeja kryesore, është se mënyra e pjesëtimit të fitimit është e pabarabartë. Me siguri që po mendohet për një “Kapitalizëm të Ri”, Kapitalizmi pos COVID-19.

Periudhë më interesante se sot, nuk besoj se vjen për ekonomistët dhe politikanët. Me sa duket po jetojmë në një univers, ku kaosi dhe rastësia zënë një vend të veçantë. Në këtë krizë, ku fajin nuk e ka askush, i jepet shansi qeverisë të analizojë dhe ristrukturojë ekonominë me anë të politikave, strategjive apo mekanizmave të rinj. Është pikërisht ky momenti, që kërkon një model të ri makroekonomik, i cili do t’ju shërbejë gjeneratave të ardhshme.

Jam përpjekur disa herë të shpjegoj e të theksoj, se kjo krizë është ndryshe nga të gjitha krizat që kemi përjetuar deri më sot. Në këtë situatë, është prekur njëkohësisht; nga njëra anë “oferta” dhe nga ana tjetër “kërkesa” e tregut. Siç po tregohet edhe nga statistikat kombëtare e ndërkombëtare, përditë konsumatori i ka ulur shpenzimet për arsye nga më të ndryshmet, siç janë: izolimi; mbyllja e disa aktiviteteve tregtare, dyqanet, restorantet, baret, kinematë, aktivitetet argëtuese etj. Kjo sjellje, për një periudhë të papërcaktuar, e favorizuar nga pasiguria, do të krijojë një lidhje të ngushtë me kujdesin për të shpenzuar kryesisht të orientuar në minimumin e jetik, që ndoshta përbën rreth një të tretën e asaj që njerëzit shpenzojnë normalisht.

Asnjë iniciativë e qeverisë nuk do të jetë në gjendje të zgjojë konsumatorin, përveçse nëpërmjet aksioneve të luftës ndaj koronavirusit. Nga ana tjetër, mendime dhe opinione të shumta përpiqen të mbështesin shpresën e tyre me zgjidhje nga qeveria. Por mbështetja qeveritare, në kushtet edhe vendet në zhvillim, patjetër që gjendet përballë limiteve selektive. Pikërisht aspekti selektiv, duhet të ketë mision të ndihmojë familjet në nevojë dhe të krijojë mundësitë e minimumit jetik, por në asnjë mënyrë tjetër, nuk i japin hov ekonomisë pa u rregulluar tregjet.

Në rast se bankat do të jepnin para me interes shumë të ulët do të krijonin një flluskë të re ekonomike. Asgjë nuk mund të zgjidhet me hua dhe kredi si për individin, ashtu edhe për sipërmarrjen. Këto dy të fundit nuk janë veçse inxheksione. Në një periudhë të tillë kaotike këto zgjidhje përdoren si propagandë nga elemente që kanë qëllime të tjera. Çdo ndërhyrje nga shteti në sistemin financiar ka pasoja dhe nuk është aq e lehtë sa mendohet nga disa.

Jam shumë kurioz sot dhe do të doja që kur të hapen shkollat përsëri, të merrja pjesë në një nga leksionet e Fakultetit Ekonomik, ku profesori do të shpjegonte interesin bankar dhe prognozat e tij, pasi librat nga të cilat mësuam ne, nuk diskutohet që nuk kanë vlerë absolute për të përgatitur gjeneratën e re për sistemin e të sotmes. Po librat mësimorë që flasin për rolin e Bankës Qendrore, apo për monedhat e reja, si Bitcoin apo Libra çfarë thonë vallë?! Sistemi Financiar sot, vërtet po pëson një metamorfozë. Në Europë flitet për interesa bankare negative. Kush mund ta imagjinonte një gjë të tillë?! Si do ju shkojë puna investimeve apo kontratave afatgjata, siguracioneve apo pensioneve?! Nga eksperienca ime kam nxjerrë konkluzionin që mësues të mirë janë ata që marrin në studim dhe transmetojnë eksperienca e tyre në kohë të ndryshme, por që sot është vështirë të përcaktohet zgjidhja me qëllim të vlerësosh metodat dhe cilën rrugë duhet të ndjekësh. Këtë rrugëtim çdo individ duhet ta zhvillojë vetë.

Natyrisht që gjëja e parë që më shqetëson në këto momente të COVID-19, është shëndeti i njerëzve, por kuptohet që direkt pas kësaj, dua të di se çfarë do të ndodhë me ekonominë nesër. Sa kompani do të arrijnë ta përballojnë këtë krizë të paprecedent dhe kur do vijë ai moment, që të mendojmë për mundësitë e reja që na kanë dalë gjatë kësaj periudhe? Duke qenë një hallkë e logjistikës, pyetja kryesore që më drejtojnë sot nga të gjitha kontinentet është se si mendoj se do të jetë “supply chain” i nesërm dhe çfarë roli do të ketë Globalizimi?! Tregjet kanë vështirësi për të planifikuar konsumin e afërt dhe atë të largët. Trendi akoma është i paqartë. Në këtë mënyrë si konsumi edhe investimet do t’i pasohen një kohe pos Covid-19. Një kohe ku edhe konkurrenca fiskale ndërkombëtare do të fitojë terren të ndjeshëm. Vendet do të nisin planin e thithjes së investimeve të huaja, duke qenë se vështirësia e të vegjëlve dhe të shoqërive të mesme drejt mbylljes do të krijojë një vakum të ardhurash për buxhetin e shtetit, një mungesë në vende pune duke prodhuar papunësi më të lartë. Të gjithë janë në pritje të së nesërmes.

Kuptohet që kjo periudhë karantine edhe mua më ka dhënë mundësinë të mendoj më gjatë dhe më qetë, po ashtu siç me siguri po bëjnë edhe qeveritë apo kompanitë. Për një gjë te gjithë të jenë të sigurt se sado e keqe që është kjo sëmundje ka një anë shumë pozitive. Në këtë situatë, të gjithë janë të detyruar të sakrifikojnë në një mënyrë apo në një tjetër, dikush më pak e dikush më shumë. Pas kësaj situate, ekonomia do të marrë impulse të reja duke eliminuar bizneset e dobëta, ato biznese primitive që prodhojnë kosto të lartë për njësi, dhe do të mbijetojnë ato biznese që do arrijnë ta përballojnë këtë situatë, kryesisht nëpërmjet financimit të vet dhe më pak me natyrën e përshtatjes me sistemin.

Kompani të reja me inventive do të lindin. Historikisht ne shqiptarët kemi treguar se jemi pak të zotët të ndërtojmë struktura ekonomike edhe pse shumë të zotët të ndërtojmë koncepte. Gjenerata e sotme dhe ajo e ardhme, po presin pikërisht nga ne, që t’i ndërtojmë këto struktura të reja të qëndrueshme të ekonomisë. Ajo çfarë sot pritet, është vetëm bashkëpunim për të zgjedhur skenarin e duhur ekonomik, për të ardhmen e Shqipërisë. Vlerësimin me siguri do ta japin gjeneratat e ardhshme.
*Aurori është Kryetar i Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare

Postime të ngjashme

LINI NJË KOMENT

Make sure you enter the(*) required information where indicated. HTML code is not allowed