Menu

“Dita Botërore e Bletëve”, ambasadori slloven: Rëndësia e bletëve për ekzistencën e njerëzimit

Në një intervistë për emisionin “Alert”, ambasadori slloven Peter Japelj ka folu për Ditën Botërore të Bletëve, rëndësinë e bletëve në zinxhirin ushqimor por edhe në ekzistencën, lidhjet e shqiptarëve me bletët dhe aktivitetet që do organizohen në Tiranë në kuadër të kësaj dite.

  1. 20 Maji Dita Botërore e Bletëve, si u mor ky vendim dhe sa e rëndësishme është për traditen Sllovene?

Vendimi për shpalljen e 20 Majit si Dita Botërore e Bletëve u mor me iniciativë të Shoqatës së Bletarëve të Sllovenisë. U deshën 3 vite për të lobuar këtë ide. Ishte dhjetor i vitit 2017, kur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi në mënyrë unanime këtë vendim, për Ditën Botërore të Bletëve. Ky ishte një aksion shumë i suksesshëm për diçka të rëndësishme sepse bëhet fjalë për bletarët, por në fakt jo vetëm për to. Po flasim edhe për polinizuesit, të cilët janë përgjegjës dhe falë tyre ne kemi një shumëllojshmëri ushqimi. Ishim shumë të lumtur dhe krenarë për punën tonë. Në 2018 ishte festimi i parë i Ditës Botërore të Bletëve dhe këtë vit ne po e festojmë për herë të 4. Është e rëndësishme për Slloveninë por edhe për të gjithë botën. Tashmë të kujdesësh për bletët, do të thotë të kujdesesh për njerëzimin.

  1. Kjo datë simbolike përkon edhe me emrin e ish bletarit Anton Janscha apo jo?

Anton Janscha është një bletar slloven, u lind në shekullin 17 dhe 20 maji është ditëlindja e tij. Ishte një prej bletarët më të rëndësishëm në histori dhe është personi që prezantoi modelin e mbajtjes së bletëve. Atij iu dha e drejta nga një gjykatë në Vjenë për të dhënë mësim sesi të mbahen bletët. Janscha publikoi edhe libër që përdoret në shkolla.

  1. Sa i lidhur jeni me bletët dhe prej sa vitesh iu përkushtoheni atyre?

Që kur kam lindur kam qenë shumë i lidhur me bletët. Më pëlqen shumë mjalti, më pëlqen natyra në përgjithësi dhe prandaj jam i interesuar edhe për bletët. Une nuk është se merrem drejtpërdrejtë me mbajtjen e bletëve. Njoh shumë njerëz dhe shumë prej miqve të mi mbajnë bletë. Ashtu siç e përmenda edhe më parë është pjesë e kulturës sonë. Është diçka me të cilën ne jetojmë.

  1. Keni vizituar në Shqipëri ferma bletësh?

Po kam vizituar ferma bletësh në Shqipëri dhe jam i impresionuar nga eksperienca e këtyre njerëzve që merren me to. Kam testuar shumë lloje mjalti dhe e kam shijuar prejardhjen e tij.

  1. Ndërkohë ndryshe nga Shqipëria, në Slloveni kemi dhe një numer të lartë të bletarëve apo jo?

Është e vertetë, ka shumë bletarë në Slloveni. Aktualisht në Slloveni, 1 në 200 banorë mban bletë. Edhe të rinjtë janë të interesuar për mbajtjen e bletëve. Por edhe kur shëtis në Tiranë kam vënë re se edhe këtu ka shumë bletarë.

  1. Në më shumë se 1 vit pandemi, Sllovenia a pati ndonjë plan të veçantë për të ndihmuar bletarët, pasi edhe kolonitë e bletëve nuk u levizen dot në zona të ndryshme?

Nuk mund të flas në mënyrë specifike, por mund të them se gjatë pandemisë së covid-19, bletarët u përfshinë në masat ekonomike dhe agrare. Ata u lejuan edhe për të shitur produktin e tyre në ferma dhe për të shkuar në bashkitë e tjera të Sllovenisë dhe për t’u kujdesur për foletë e bletëve sepse ne kemi një qendër regjistrimi për foletë. Këtë në fakt as unë nuk e dija.  Kjo mund të duket si burokraci, por është me shumë rëndësi që të realizohet. Nga ana tjetër këtë vit Sllovenia ka ofruar më shumë se 200 mijë euro ndihmë financiare për modernizimin e procesit të bletërritjes dhe për modernizimin e transportit të bletëve.

  1. Sa të rëndësishme janë bletët për njeriun, duke qenë se ato kanë edhe veti kuruese, por mbi të gjitha për ushqimin, ekzistencën?

Bletët janë shumë shumë të rëndësishme. Një fakt shumë interesant është se 1/3 e çdo luge ushqimi varet nga bletët. Nuk do të kishe mundësi të pije kafe pa praninë e bletëve. I gjithë zinxhiri ushqimor botëror është i varur nga bletët.

  1. E gjithë Evropa por dhe organizma ndërkombëtare se EFSA apo FAO e shohin bletën të rrezikuar nga pesticidet, ndërsa nga Shqipëria thuajse s’janë marrë masa në këtë drejtim…

Me aq sa di, Shqipëria ka legjislacion, por problem është zbatimi dhe kontrolli i tij. Në Slloveni kontrolli është shuëm i rregullt dhe shumë i organizuar. Ka kontroll për kualitetin e mjaltit, sidomos ndaj pesticideve. P.sh kemi zbuluar raste kur mjalti ka qenë i një cilësie të ulët për shkak të ndikimit të pesticideve. Ajo që do doja për Shqipërinë është për të patur këtë lloj organizimi si në Slloveni. Sepse nëse shkoj në dyqan dhe shikoj në një kavanoz mjalti etiketën e shoqatës së bletarritësve atëherë e besoj më shumë. Kurse në Shqipëri është më shumë me të rekomanduar. Të sugjerojnë nëse duhet ta blesh atë lloj mjalti apo jo. Dhe kështu e blej mjaltin dhe atë që e kam provuar në Shqipëri ka qenë i përsosur.

  1. Për t’u kthyer në vendin tonë, si e shikoni lidhjen e shqiptarëve me bletët dhe sa e favorshme është si zonë Tirana p.sh, për përkujdesjen ndaj tyre? Ajo çfarë i mungon Shqipërisë, është qasja e bletëve në qytet. Sa do ta ndryshonte kjo pamjen e qyteteve, të jetës së gjelbër?

Mund ta kontrolloja tani, por mendoj se është shumë lagështirë dhe e pamundur. Në Slloveni ka shumë bletarë në zonat urbane. Ka shumë njerëz që i rrisnin bletët edhe në ambientet e tjera në qytete, si psh në tarraca. Edhe në vende të tjera si në SHBA e bëjnë këtë gjë. Mund të ishte e mundur edhe në Tiranë e në qytetet e tjera, pasi është shumë e gjelbër. Kjo është e vërtetë. Kam biseduar me shumë miq të mi këtu, në rrugën “Ibrahim Rugova” apo “Sami Frashëri”, pra në zona të ndryshme të Tiranës do kishim mjaltë të variacioneve të ndryshme. Në këto rrugë ka edhe pemë me gështenja, ku mund të vendosësh kosheren e bletëve në vendin e duhur edhe marrësh mjaltë.

  1. Ju jeni diplomuar për krimin ekologjik, si e sheh natyrën në Shqipëri, sa e prekur është ajo?

Si slloven, më pëlqen natyra dhe ndaj e konsideroj tejet të rëndësishme ta ruajmë natyrën, të kujdemi për lulet, pasi ato janë të rëndësishme për bletët, për nektarin e tyre, duke ndihmuar bletët dhe polinizuesit, të bëjnë atë që kanë për të bërë. Natyra në Shqipëri është fantastike, më kanë pëlqyer të gjitha vendet që kam vizituar. Jam shumë i interesuar për çështjen e investigimit të krimit ekologjik. Është shumë e dhimbshme kur në një vend kaq të bukur, sheh njerëz që hedhin sidomos gjëra plastike në rrugë. Ka një problem të madh me mbetjet dhe plastikën që ndodhet në rrugë, por ka të bëjë gjithçka me mentalitetin. Kur vizitova Syrin e Kaltër, është shumë i bukur por kur hyn në ujë gjen plastikë. Nuk duhet të ndodh kështu, është shumë i bukur për t’u trajtuar në këtë lloj forme. Dhe i bëj thirrje qytetarëve shqiptarë të kujdesen për mjedisin.

  1. Ju jeni diplomat në Shqipëri cfarë ju pëlqen në traditat tona apo ushqimet.

Traditën  shqiptare dhe ushqimin e vlersoj në Shqipëri. Shqiptarët duan të ushqehen mirë, me kualitet dhe me ushqime të freskëta. Në Shqipëri ke mundësi të vizitosh restorante të mira dhe jam impresionuar shumë nga ushqimet tradicionale, si lakrorin me hithra. Edhe kur kam shkuar për të blerë ushqime të freskëta, kanë një shije që unë e pëlqej shumë.

  1. Keni disa aktivitete nesër me datë 20 maj në Tiranë për Ditën Botërore të Bletëve. Cili është qëllimi?

Jam i lumtur  që organizoj këto aktivitete me Qendrën Alert, është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, për mbrojtjen e bletëve. Dhe për të rritur ndërgjegjësimin e aktorëve shtetërorë për rëndësinë e bletëve në ushqim. Pasdite do të kemi një fermë bletësh, ku njerëzit do të mund të shikojnë se si jetojnë dhe organizohen bletët. Dhe presim që të kemi bisedime dhe shkëmbime pikëpamjesh me bletarë të tjerë për të rritur ndërgjegjësimin e njerëzve në përgjithësi. Do të organizojmë një mëngjes me mjaltë 1 herë në vit nëpër shkolla, në administrata, ku njerëzit mblidhen dhe hanë një mëngjes me mjaltë. Këtë vit Sllovenia është rajoni gastronomik i Europës. Duhet të hani cdo mëngjes një lugë me mjaltë nga shtëpitë tuaja.

Qendra Alert/Alert.al

Related Posts