Menu

Dita Botërore e të Drejtave të Konsumatorëve, Qendra ALERT në bashkëpunim me KKIE organizoi Konferencën “Sfidat e konsumatorëve në të ardhmen e afërt dhe të largët” – Foto/Video

Dita Botërore e të Drejtave të Konsumatorëve, Qendra ALERT në bashkëpunim me KKIE organizoi Konferencën “Sfidat e konsumatorëve në të ardhmen e afërt dhe të largët” – Foto/Video

Qendra ALERT, në bashkëpunim me Këshillin Kombëtar për Integrimin Europian (KKIE), me rastin e 15 Marsit, Ditës Botërore të të Drejtave të Konsumatorit, organizoi konferencën me temë “Sfidat e konsumatorëve në të ardhmen e afërt dhe të largët”.
Në këtë aktivitet, të ftuar nga Qendra ALERT, merrnin pjesë Ministrtja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Znj.Anila Denaj; Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Z. Blendi Gonxhja, Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Entela Ramosaçaj; Zëvendësministrja e Mjedisit dhe Turizmit, Almira Xhembulla; Zëvendësministri i Ekonomisë, Endrit Yzeiraj; Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda; Përfaqësuesja e Delegacioionit të BE në Shqipëri, njëherësh dhe Menaxhere e Projektit Siguria Ushqimore, Veterinaria dhe Peshkimi, Znj. Elisa Teneqexhi; Drejtori i Risi Albania, Stephan Joss; perfaqesues te Ambasadres se Suedisë në Tiranë, konkretisht Znj. Ermielinda Xhaja, Program Officer dhe Znj. Lisa Fyrenius, përfaqësuesja e Projektit Saneca/GIZ, Znj.Laureta Spahiu, përfaqësues të Shoqatës së Bankave, të Shoqatës së Mikrofinancave, Industrisë së Qumështit, ekspertë të shoqërisë civile dhe mbrojtjes së konsumatorit, Këshillit të Agrobiznesit, përfaqësuesja e Komisionerit për Mbrojtjen e Konsumatorit në Ministrinë e Ekpnomisë, Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit, Bashkia Tiranë; Pika e Kontaktit e EFSA në Shqipëri, gazetarë etj.

Aktiviteti u përshëndet nga Znj. Jorida Tabaku, deputetet e Parlamentit të Shqipërisë dhe Kryetare e Këshillit Kombëtar për Integrimin Europian, e cila theksoi rëndësinë që çështjet e mbrojtjes së konsumatorëve të jenë në qendër të debatit publik, kjo për shkak se procesi i integrimit dhe mbrojtja e konsumatorit duhet të kenë në fokus qytetarin, por dhe se është një fushë që ka ndikimin të drejtpërdrejt mbi marrëdhëniet që krijojnë ofruesit e shërbimeve me konsumatorët. Duke u ndalur në tre elementë kryesorë, Znj.Tabaku parashtroi se, legjislacioni dhe politikat ekzistuese të sektorit nuk janë të organizuara mirë dhe duke iu referuar edhe Raporti të Progresit, theksoi se vendi ka nevojë për një ligj të thjeshtë. “Ashtu sikurse thotë edhe Raporti i Progresit, ne kemi nevojë për një ligj të thjeshtë kemi nevojë për disa parime, të cilat të mbrojnë konsumatorin dhe të mos merremi me hartimin e strategjive 3 apo 4-vjeçare, të cilat që zëvendësojnë njëra-tjetrën, por me praktika që sjellin ndryshime reale. Këto strategji duhet të përkthehen në detyrime konkrete për të dyja palët, por me një strukturë dhe ligj të thjeshtë”, u shpreh Znj. Tabaku.
Së dyti, Znj. Tabaku ngriti shqetësimin e moszbatimit të mirë të legjislacionit në këtë fushë, edhe pse është punuar për përafrimin sipas kritereve apo standardeve më të mira të BE-së, si dhe theksoi nevojën për të pasur një koordinim më të mirë ndërinstitucional për mbrojtjen e konsumatorëve, por dhe hartimin e legjislacionit dytësor në përputhje me atë të BE.
Së treti znj.Tabaku u ndal tek siguria e produkteve edhe inspektimi i tregjeve dhe duke iu referuar ligjit për produkte jo ushqimore renditi disa elemente si: mbrojtja nga çmimet, mbrojtja për sa i përket cilësisë, siguria ushqimore, të cilat sot mungojnë dhe mund të punohet për të përmirësuar legjislacionin dhe zbatuar në praktikë standardet më të larta të BE-së.
Së fundi znj.Tabaku u ndal tek disa sfida legjislative, të cilat janë pjesë e diskutimeve në procesin “screening” por dhe në hartimin e udhërrëfyesve që do të hartohet në vijim për çështjet që lidhen me mbrojtjen e konsumatori, ku pëmendi: zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, edukimin e konsumatorit, sigurinë e produkteve me cilësinë më të lartë të BE, dëmshpërblimet e konsumatorit, etj.
Drejtori Ekzekutiv i Qendrës ALERT, Z. Granit Sokolaj, në fjalën e tij theksoi rëndësinë e sensibilizimit për çështjet e të drejtave të konsumatorëve, jo vetëm në ditë të veçanta dhe theksoi nevojën që vëmendja e institucioneve të jetë edhe më e shtuar drejt çështjeve dhe masave për mbrojtjen e konsumatorëve, tashmë kur zhvillimet në teknologji dhe inteligjenca artificiale i përball vendet me sfida të reja. Duke iu referuar raportit të Komisionit Europian për 3 kapituj që lidhen me mbrojtjen e konsumatorëve, Z.Sokolaj renditi disa nga problematikat me të cilat hasen konsumatorët shqiptarë në fushën e mbrojtjes së konsumatorëve dhe shëndetit dhe nënvizoi se ka ende shumë për tu bërë në drejtim të miratimit të kornizës së re të politikave në këtë drejtim, plotësimit dhe përafrimit të legjislacionit me “acquis” të BE, fuqizimit të kapaciteteve zbatuese të Inspektoratit të Mbikëqyrjes së Tregut, etj. Në fund të fjalës, z.Sokolaj nënvizoi se idetë dhe ekspertiza e shoqërisë civile duhet të shërbejë për të krijuar ndërveprim mes institucioneve publike vendore dhe lokale, por dhe të shndërrohen në objektiva strategjikë të ministrive dhe institucioneve, që kanë për detyrë mbrojtjen e konsumatorëve.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Z.Anila Denaj, në fjalën e saj, u ndal tek sfidat dhe politikat e MBZHR për mbrojtjen e konsumatorit dhe në përafrimin e kapitujve 11, 12 dhe 13. Duke e cilësuar mbrojtjen e konsumatorit si një prioritet absolut, znj.Denaj theksoi se rezultatet e mira të arritura në procesin “screening” për 3 kapitujt është një bazë shumë e mirë, por nevojitet edhe komunikimi efektiv me biznesin, për të bashkërenduar punën në përafrimin e cilësisë dhe sigurinë ushqimore tek konsumatori.
Znj.Denaj informoi se MBZHR është duke punuar në ligje konkrete, të cilat lidhen me sigurinë ushqimore, shëndetin e konsumatorit, të kafshëve dhe të bimëve apo dhe peshkimin, të cilët parashikohen të dërgohen për shqyrtim në Kuvend në fund të këtij viti. Znj.Denaj theksoi se veç procesit legjislativ me rëndësi janë edhe investimet, konkretisht në sistemin laboratorik dhe ISUV, si dhe informoi se po punohet për krijimin e sistemit të identifikimit të parcelave të tokës dhe të sistemit të plotë të administrimit dhe kontrollit që mundojnë rritjen e efektivitetit të mbështetjes direkte në bujqësi.
Më tej ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Z.Blendi Gonxhja, në fjalën e tij u fokusua në punën dhe sfidat e Ministrisë së Ekonomisë në hartimin dhe zbatimin e politikave të qëndrueshme për konsumatorët.
Ndër të tjera ministri nënvizoi se kujdesi ndaj investimeve dhe ekonomisë në vetvete, duhet të lidhet me standardet dhe parimet e BE-së, certifikimet, me kontrollin, inspektimet e të gjitha aspektet, çka do të shërbente edhe për tërheqjen e investitorëve seriozë në vend.

Duke e cilësuar sfidë mungesën e kapaciteteve dhe stafeve të kualifikuara në administratë, z.Gonxhja theksoi nevojën e ndryshimit të qasjes dhe të kushteve të punës.
Më tej ministri theksoi nevojën e ndërveprimit mes të gjithë aktorëve, për të pasur një ballafaqim më real dhe krijuar një mjedis dialogu dhe bashkëpunimi mes palëve, çka do të sillte rezultate më të mira.
Më tej z. Robert Gajda, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, në fjalën e tij solli disa problematika të hasura në ofrimin e shërbimeve, si dhe nevojën për të pasur një përkujdesje më të shtuar ndaj grupeve vulnerabël për krijimin e kushteve të barabarta në marrjen e shërbimeve. Ndër të tjera z.Gajda përmendi si problem mungesën e miratimit të një akti nënligjor për konsumatorin e energjisë elektrike nga shtresat në nevojë, diskriminimin në dhënien e shërbimeve për personat me aftësi të kufizuar; mungesën e një autoriteti kontrollues për cilësinë e shërbimeve të ofruara nga pushteti lokal, etj.
Më tej, znj. Entela Ramosaçaj, zëvendësministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në fjalën e saj u ndal në masat e mara në kuadër të arritjes së Objektivave të Qëndrueshëm të Agjendës 2030, sfidave dhe masave të marra në drejtim të ofrimit të sigurisë ushqimore, parë përmes përqasjes “Një shëndet”, ngritjen e mekanizmi kombëtar koordinues lidhur me, etj.
Më tej znj. Almira Xhembulla, zëvendësministre e Turizmit dhe Mjedisit, në fjalën e saj u ndal në masat në parafrimin e legjislacionit në fushën e mjedisit me Direktivat e BE-së dhe mbrojtjen e konsumatorëve, hapat drejt ekonomisë qarkulluese, masat e marra për eto-etiketën, hapat në të cilat ndodhet projektligji i ri “Për përgjegjësinë e zgjeruar të prodhuesit,”etj.
Më pas në takim mori fjalën znj. Elisa Teneqexhi, menaxher projekti pranë Delegacionit të BE-së në Shqipëri, e cila u ndal tek rëndësia e mbrojtjes së konsumatorit në Shqipëri drejt integrimit në BE.
Më tej z. Stephan Joss, Drejtor i RisiAlbania, Country Coordinator HELVETAS në Shqipëri, në fjalën e tij u ndal në rolin e Standardeve të cilësisë për shëndetin dhe mirëqenien e konsumatorëve.
Takimi vijoi diskutime të hapura të pjesëmarrësve. Aktivitetit u transmetua live në faqen zyrtare Ëeb dhe “Facebook” të Kuvendit të Shqipërisë.

Më poshtë, fjala e plotë e Drejtorit të Qendrës ALERT, Z.Granit Sokolaj.

E nderuar Kryetare e KKIE, Znj. Tabaku,
Të nderuar Ministra Denaj dhe Goxhja
Zv.Ministra të Shëndetësisë, Mjedisit dhe Ekonomisë, respektivisht Znj.Ramosaçaj, Znj.Xhembulla dhe Z.Yzeiraj.
Të nderuar përfaqësues të Delegacionit të BE në Tiranë, Projektit SANECA, RisiAlbania, Ambasadës së Suedisë dhe Komisionit për Mbrojtjen e Konsumatorëve.
Të nderuar përfaqësues të Shoqërisë Civile dhe Gazetarë.
Jam vërtet i lumtur që iu bashkuat këtij aktiviteti të iniciuar nga Qendra ALERT, i cili bëri që në këtë sallë, ndryshe nga mbledhjet tjera të KKIE, të flitet për konsumatorin dhe të drejtat e tij.
15 Marsi shënon Ditën Botërore të të Drejtave të Konsumatorit, e frymëzuar nga Presidenti Kennedy, i cili i dërgoi një mesazh të veçantë Kongresit të SHBA më 15 mars 1962, në të cilin ai trajtoi zyrtarisht çështjen e të drejtave të konsumatorëve. Lëvizja konsumatore e shënoi për herë të parë atë datë në 1983 dhe tani e përdor këtë ditë çdo vit, për të mobilizuar veprime për çështje dhe fushata të rëndësishme.
Dita Botërore e të Drejtave të Konsumatorit është një ngjarje ndërkombëtare vjetore që nënkupton solidaritetin në lëvizjen ndërkombëtare të konsumatorëve, duke kërkuar që të drejtat e tyre të respektohen dhe mbrohen, duke u dhënë një shans konsumatorëve për të protestuar kundër abuzimeve në treg dhe padrejtësive sociale që cenojnë të drejtat e tyre. Çdo vit, Dita Botërore e të Drejtave të Konsumatorit miraton një temë për t’a vënë theksin mbi të. Këtë vit tema e promovuar është “Inteligjenca artificiale e drejtë dhe e përgjegjshme për konsumatorët”.

Granit Sokolaj

E mbase do të ishte e duhura, që në këtë aktivitet, të ishin pjesë dhe institucionet përgjegjëse për Inteligjencën Artificiale, çështje kjo mjaft serioze për mbrojtjen e konsumatorëve. Si mund t’i fuqizojmë konsumatorët që të dallojnë midis përmbajtjes origjinale dhe asaj të krijuar nga IA? Çfarë vijash të kuqe duhet të vendosin mbrojtësit e konsumatorëve për të mbrojtur publikun nga dizajni mashtrues dhe falsifikimet? A mund të përdoret IA për të kundërshtuar dezinformimin dhe për të përmirësuar shkrim-leximin dixhital, janë disa prej pikëpyetjeve që na shqetësojnë dhe përgjigjet e tyre në formë zgjidhjeje, duhet t’i japin institucionet shtetërore, me anë të nismave ligjore.
Parlamenti Evropian, vitin e kaluar ka miratuar masat përforcuese për mbrojtjen e konsumatorëve në atë që do të jetë grupi i parë i detyrueshëm në botë i rregullave gjithëpërfshirëse për sistemet e Inteligjencës Artificiale (IA). Ky është një zhvillim i mirëpritur. Negociatat midis Parlamentit dhe qeverive kombëtare, anëtare të BE kanë filluar, me synimin që të bihet dakord për një tekst përfundimtar në gjysmën e dytë të vitit dhe Akti i Inteligjencës Artificiale të bëhet ligj i BE-së.
Si një vend paraanëtarësimit në BE, Shqipëria ka detyra të mëdha e të rëndësishme për të bërë në këtë drejtim. Hartim e miratim ligjesh e aktesh apo edhe transpuzim të Acquis të BE-së në këtë fushë, apo edhe në financat dixhitale. E mbi të gjitha zbatimin e tyre.
Teksa BE miraton AKTE për inteligjencën artificiale, vendi ynë ka edhe sfida të tjera e më të shumta në numër në lidhje me mbrojtjen e konsumatorëve, siç janë siguria ushqimore, siguria e produkteve joushqimore, kontratat konsumatore, tregëtia online etj, që të gjitha këto lidhen me një zinxhir përgjegjësish e detyrash. Por, më të menaxhueshme sesa IA.
Vetëm po t’i referohemi Raportit të Komisionit Evropian të vitit të shkuar për Shqipërinë, në gjetjet për 3 prej kapitujve që kanë lidhje direkte me mbrojtjen e kosomatorëve, konkretisht 28, 12 dhe 1, konstatohen një sërë problematikash dhe rreziqesh. Por, pa lënë menjanë dhe kapitujt 15 dhe 27, respektivisht Energjia dhe Mjedisi e ndryshimet klimatike; e gjithashtu kapitullin 9, Shërbimet Financiare, ku lihet detyrë, ndër të tjera, edukimi financiar. E ky edukim bëhet më i rëndësishem, por dhe më i vështirë për konsumatorët, në epokën e financave dixhilate.
Meqë, fatkeqësisht, për arsyet që dihen, nuk patëm mundësinë të diskutonim rreth këtij raporti në fundit e vitit të kaluar po në këtë sallë, do doja të ndalesha shkurtimisht e të theksoja problematikat me të cilat hasen sot konsumatorët shqiptarë, ato që publikon në gjuhë të moderuar dhe diplomatike Raporti i KE.
Për kapitillin 28, Mbrojtja e Konsumatorëve dhe Shëndeti Publik, Raporti i KE thotë se, përgatitjet janë në një fazë të hershme në fushën e mbrojtjes së konsumatorëve dhe shëndetit. Progresi ishte i kufizuar për rekomandimet e një viti më parë në lidhje me miratimin e kornizës së re të politikave.
Ende duhet bërë progres i rëndësishëm për zbatimin e “One Health”. Pa anashkaluar, se një nga rekomandimet është garantimi i aksesit të barabartë në shërbime shëndetësore cilësore për popullsinë vulnerabël, përfshirë romët dhe pakicat egjiptiane, të moshuarit, personat me probleme paraekzistuese të shëndetit mendor, me aftësi të kufizuara, popullsi rurale ose të largëta.
Ndërsa për kapitullin 12, Siguria ushqimore, politika veterinare dhe fitosanitare, raporti thekson se, Shqipëria, në këtë fushë ka bërë përparim të kufizuar.
Shqipëria nuk ka bërë hapa të rëndësishëm për hartimin dhe miratimin e një politike koherente sektoriale. Ndërsa thuajse si për të gjitha kapitujt, Raporti vëren se rekomandimet e Komisionit nga një vit më parë nuk u zbatuan plotësisht.
Dhe nëse flasim për Kapitulli 1, Lëvizja e Lirë e Mallrave, Komisioni vëren se, ka pasur përparim të kufizuar në përgjithësi dhe në rekomandimet e vitit të kaluar, veçanërisht në përafrimin me acquis të BE-së për ate që quhet “qasjen e re dhe globale”.
Dhe, detyrat e ripërseritura janë plotësimi i përafrimit të legjislacionit me Acquis të BE dhe fuqizimi i mëtejshëm i kapaciteteve zbatuese të Inspektoratit të Mbikëqyrjes së Tregut.
Problematikat dhe rreziqet që iu kanosen sot konsumatorëve shqiptarë janë aq të shumta, saqë ky takim do të duhej të zgjaste 6 muaj për t’i renditur një për një e diskutuar. Por, mendoj që ka ardhur koha e një politikëbërje dhe zbatimit të tyre, në favor të konsumatorëve dhe asgjë ndryshe nga çfarë kërkon BE në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit. Duhet vullnet politik, fuqizim i institucioneve zbatuese dhe buxhete të dedikuara.
Shpresoj dhe uroj që ky takim i ditës së sotme, të mos mbetet vetëm si gjurmë në kanalet e transmetimit të tij ne media apo në rrjetet tona sociale, por një tryezë ku të mbahen shënim shqetësimet e sygjerimet e shoqërisë civile, apo gjithësesilit prej atyre që do të diskutojnë dhe të shndërrohen në objektiva strategjikë të ministrive dhe institucioneve, që kanë për detyrë mbrojtjen e konsumatorëve. E për të mos e lënë me kaq, kërkoj nga ana juaj, veçanërisht ministrave dhe zëvendësministrave, që të kemi dhe hapa pasardhës, me qëllim që idetë dhe ekspertiza e gjithësecilit të shndërrohen në një ndërveprim të institucioneve publike me organizatat e konsumatorëve; të ndërmerren iniciativa për dialog të strukturuar dhe veprime konkrete. Ky dialog dhe nismat ligjore duhet të shtrihen edhe drejt pushtetit vendor, i cili një rol të rëndësishem në mbrojtjen e konsumatorëve. Do t’ju kërkoja, që organizatat e shoqërisë civile t’i shikoni si partnerë dhe jo si armiq, edhe atëherë kur ato konstatojnë gjetje që institucioneve publike nuk iu pëlqejnë.

 

Më poshtë mund të lexoni dhe fjalën e plotë të Ministres së Bujqesise dhe Zhvillimit Rural, Znj. Anila Denaj në Këshillin Kombëtar Evropian.

Anila Denaj

Faleminderit për ftesën dhe besoj që çështja për të cilën ne flasim nuk duhet të limitohet as në ditë pushimi as në ditë festash, sepse është një cështje prioritet absolut.
Besoj që pjesëmarrja e të gjithëve këtu e tregon këtë më së miri dhe unë falenderoj të gjithë pjesëmarrësit, sepse mendoj që është një tryezë për të cilën ne duhet të vijojmë jo vetëm të flasim, por edhe të adresojmë prioritete të cilat i kemi vendosur tashmë në tryezat tona, secili sipas objektiave që ka.
Në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural sigurisht përafrimi i legjislacionit me atë të Integrimit Evropian si një rrugëtim i padiskutueshëm i politikës së Shqipërisë dhe qeverisjes së Kryministrit Rama është absolut. E besoj që në Screening Process, i cili në fund të vitit të kaluar ka qënë një sukses për të 3 Kapitujt, ndoshta kapitujt më të vështirë në përafrim dhe konkretisht Kapitulli 11, 12 dh 13. Mendoj që është një hap shumë i mirë, një bazë shumë e mirë cilësore për të projektuar suksesin e këtij rrugëtimi, i cili absolutisht do të kërkojë mbështetje dhe do të këkojë një komunikim efektiv me biznesin, sepse absolutisht do të ketë nevojë për të implementuar në faza të caktuara dhe të bashkërenduara ato që do të jenë edhe kosto si rezultat i këtij procesi për të përafruar cilësinë dhe sigurinë ushqimore finalisht tek konsumatori. Për këtë unë besoj se në krye të të fjalimit tim dua të falenderoj të gjithë mbështetësit e këtij procesi, të gjithë përfaqësuesit e donatorëve të cilët brenda Bashkimit Evropian dhe dua të falenderoj edhe për një tryezë efektive të komunikimit me ta përpara 2 javësh, por edhe të partnerëve tanë strategjik përfshirë edhe USAID-in, të cilë janë përfshirë në mënyrë konkrete me project,e të cilat do të na mbështesin në këtë process legjislativ në vitet e ardhshme. Nga ana tjetër procesi legjislativ nuk është i vetmi që do duhet të ndjekim. Investime të cilat duhet të rrisin mbështetjen me fakte, me prova sidomos ajo laboratorike është një mbështejte financiare që është dhe vjen e padiskutueshme.
Unë jam shumë e kënaqëur që sot jam e shoqëruar nga dy drejtorë, Drejtori i ISUV-it, Ilir Ajdini dhe Drejtori i AKVMB-së, Roland Mece, të cilët edhe në vijim në kontekstin teknik do të japin përgjigje të disa pyetjeve që mund të kenë secili nga përfaqësuesit e organizatave, por edhe të legjislativit. Cfarë ne sot kemi në tryezën tonë në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural janë ligjet konkrete, të cilët lidhen me sigurinë ushqimore. Ai që lidhet me shëndetin e konsumatorit, të kafshëve dhe të bimëve dhe në atë që është gjuha jonë e përditshme teknike, konstaton në ndryshime dhe hartime të ligjeve për kontrolle zyrtare, shëndetin e kafshëve dhe shëndetin e bimëve, të cilët parashikohen të dërgohen për miratim në parlament apo në diskutime në komisionet respektive në fund të këtij viti.
Kapitulli 12 i Sigurisë Ushqimore, nuk është i vetmi, i cili paraqet sfidat. Kapitulli 11, ai i bujqësisë dhe zhvillimit rural ka po ashtu sfidat e veta, të cilat janë dhe ndërlidhen ngushtësisht me të gjithë elementët e sistemit tonë agroushqimor. Dua të përmend këtu disa shtylla kryesore të këtij kapitulli për të të cilat ne jemi duke punuar dhe sigurisht periudha dhe përafrimi i plotë do të ndodhi përgjatë 2025 për ti vendosur të gjithë gjërat në prespektivë dhe kohë.
Së pari, krijimi i sistemit të identifikimit të parcelave të tokës, apo ajo që në gjuhën teknik është LPIS dhe një sistem i plotë i administrimit dhe kontrollit IACS, të cilët do të mundësojnë rritjen e efektivitetit të mbështetjes tonë direkte dhe jo vetëm i skemave në mënyrë efektive apo lancimit të skemave për të realizuar efektivitetin e plotë të tyre, por për të realizuar një shkallë. Ju e dini shumë mirë që Shqipëria prej shumë vitesh tashmë ballafaqohet me problemin e fragmentarizimit dhe problemin e parcelizimit si dhe regjistrimin e të tyre dhe krijimi i kushteve të cilat tejkalojnë këto ngërce do të ishin parakushti kryeror për të rritur edhe cilësinë dhe ekonminë e shkallës.
Sigurisht, organizimi i tregut të përbashkët është një sfidë shumë e rëndësishme. Këtu nuk jemi vetëm, dhe sic edhe e thashë kemi edhe mbështetjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë stategjik, BE dhe më gjerë, por njëkohësisht dhe të një strukture SËJ, e cila është një strukturë e mbështetur nga BE për pjesën e vendeve të Ballkanit Perëndimor, por më gjerë edhe të Evropës Lindore, ku ne në mënyrë të vazhdueshme në bazë mujore dhe 3-mujore takohemi për të argumentuar disa nga problematikat që hasim. Kjo është edhe një bazë teknike, e cila na ndihmon gjithashtu në rrugëtimin tonë.
Ka absolutisht nevojë të ulemi dhe të flasim për Kapitullin 13, i cili lidhet në mënyrë të drejtëpërdrejtë me peshkimin. Ndër pikat më të rëndësishme të punës në këtë cështje jo vetëm ligji I peshkimit, të cilin ne shumë shpejt do ta sjellim për shqyrtim në të gjitha Komisionet Parlamentare, por objektivi është për të ndihmuar gjithë pjesën e përafrimit edhe në raport me menaxhimin e tregjeve, të organizatave prodhuese dhe planeve të prodhimit dhe tregtimit. Sepse ne mundet të realizojmë një efektivitet të masave dhe të bazës ligjore për të rregulluar gjithë pjesën e peshkimit, por aq e rëndësishme është edhe pjesa e tregtimit brenda standardeve për cështjen që po flasim sot që lidhet me standardet e Sigurisë Ushqimore. Në mënyrë që disa nga këto produkte të zhduken nga plastika, të zhduken nga bidonat, të zhduken nga tregtimi në mes të diellit, po marr parasysh midhjen në Sarandë dhe të shkojnë drejt standardeve më të mira për të realizuar atë objektiv për të cilën të gjithë në këtu jemi me një synim të vetëm për ta bërë Shqipërinë dhe produktin shqiptar, i cili e ka sot bazën për të qënë kampion të arrijë jo vëtëm tregje elitare, të cilat sot i ka fakt dhe ka rritur një vlerë të eksporteve në fund të 2023 me 570 milionë Euro me gati 64.5 milionë Euro rritjen nga një vit në tjetrin, por të sfidojë presionin e tregut të brendshëm. Dua të kujtojë këtu që 980 milionë $ ofertë ushqimore si rezultat i 10.5 milionë turistëve, ndoshta 14 milionë turistë të këtij viti do ta cojnë në 1.2miliardë $ presionin e ofertës ushqimore, të bëj që të mos lëmë pa vëmendje dhe kushtet dhe standardet e cilësisë për tregun e brendshëm. Duke filluar nga mënyra se si akreditohen të gjithë institucionet përgjegjëse për analizat dhe këtu dua të sjell në vëmendje punën e padiskutueshme që bën ISUV. Përtej faktit dhe objektivit që 4300 analiza nuk mund të jenë të akredituara në Shqipëri brenda një harku kohor shumë të shkurtër, po 1300 janë. Nga ana tjetër të krijojmë një mbështetje dhe një udhërrëfyes për të gjithë bizneset si të shkojnë drejt akreditimit të këtyre proceseve në mënyrë që të punojmë në dy drejtime, nga njëra anë pjesa e legjislaivit me ligjet, pjesa e ekzekutivit me infrastrukturë dhe biznesi me qasjen ndaj investimeve të duhura dhe protokolleve të duhura dhe kështu të përfitojë në fund konsumator dhe produkti Made in Albania.
Unë sigurisht nuk do të doja këtu të adresoja këtë cështje kaq të rëndësishme me elemente politike, po nuk mund të rezitoj dy komenteve të zonjës Tabaku, i cili lidhet drejtëpërdrejtë me thirrjen që bëri për të dy ministrat dhe dua që ti kujtoj që edhe në rastin e AK-së dhe në rastin e politikave fiskale roli i legjislativi është shumë i rëndësishëm. Së pari, Autoriteti i Konkurrencës është një autoritet i pavarur dhe jep llogari në Komisionet Parlamentare, kështu që kjo është një punë e përbashkët, e cila besoj që duhet të na vërë përpara gjithë detyrat për të kërkuar të gjithë ato masa që ju i vendosët në tavolinë. Në raport me politikat fiskale po ashtu besoj që cdo vit është një vit sfidues për cdo sektor për të luftuar dhe informalitetin, por për të bërë edhe politika fiskale sa më efektive në ndihmë të të gjithë bizneseve. E këtu të pakën ne të dyja rolin e kemi të përbashkët si deputete të Parlamentit të Shqipërisë dhe do të doja që këtë të mos e shikoni si një punë të legjislativit domosdoshmërisht.
Shumë faleminderit dhe shpresoj që këtu të jemi për të gjitha cështjet teknike në frymë të një dite shumë të rëndësishme që duhet të shkojë përtej një dite ndërkombëtare.

Me rastin e 15 Marsit, Ditës Botërore të të Drejtave të Konsumatorëve, Qendra ALERT zhvilloi dhe emisionin televiziv ALERT në të njëjtën e datë, një program televiziv ky i dedikuar po mbrojtjes së konsumatorëve dhe të drejtave të tyre.

Qendra ALERT – Dedikuar Konsumatorit

Related Posts