Menu

Dokumentet – Kërkesa e Qendrës ALERT, Autoriteti i Konkurencës nis hetimin për tregun e naftës dhe benzinës, lë dëtyra për gazin. Ja situata në porte dhe pozitat dominuese të koncensionarëve

Autoriteti i Konkurencës ka nisur hetimin e thelluar në tregun e hidrokarbureve, për ngarkim-shkarkimin, importin, depozitimin dhe shitjen me shimicë të naftës e benzinës. Shkak për këtë është bërë pozita dominuese në tregje. Ndërsa për gazin e lëngshëm GLN, hetimi është mbyllur, me disa detyrime për ndërmarrjet koncencionare PIA SHA, Romano Port SHA dhe Portit MBM.

Në përgjigje të kërkesë së dërguar nga Qendra Alert në muajin gusht, “për nisje të menjëhershme të hetimit të thelluar për kompanitë e hidrokarbureve, pasi rritja e çmimit të tyre nuk justifikohet me lëvizjet në bursat ndëkombëtare”, Autoriteti i Konkurencës i është përgjigjur Qendrës Alert, më 1 tetor 2021, me anë të shkresës me numër protokolli 376/1.

Shkresa njofton për nisjen e hetimeve për një periudhë 3-vjeçare për karburantet naftë dhe benzinë, si dhe mbylljen e hetimeve me disa detyrime për gazin e lëngshëm LPG, pasi edhe aty, kompanitë paraqesin disa probleme e parregullsi.

Bashkëngjitur shkresës, Autoriteti i Konkurencës ka vendosur në dispozicion të Qendrës Alert dhe të gjitha verifikimet e kryera, ku vihen re probleme me dominimin në tredhe të disa kompanive, si në Porto Romano, ashtu dhe në Portin e Vlorës ku operon e vetme një kompani.

Sipas Autoritetit të Konkurencës, në vendimin Nr.804, datë 4.6.2021 “Për hapjen e procedurës së hetimit të thelluar në tregun e ngarkim-shkarkimit, importit, depozitimit, shitjes me shumicë të karburanteve”.

Në lidhje me Vlerësimin e sjelljes së ndërmarrjeve në treg:

Ndërmarrjes PIA SHA, i është dhënë me koncesion ndërtimi dhe shfrytëzimi i terminalit bregdetar në gjirin e Vlorës, për depozitimin e naftës dhe të nënprodukteve të saj, në portin Vlora-1, si dhe ndërtimin dhe shfrytëzimin e infrastrukturës portuale të nevojshme në shërbim të terminalit bregdetar. Në bazë të kontratës Koncesionare, Koncesionari PIA është i vetmi entitet, në të gjithë zonën e Gjirit të Vlorës (përfshirë zonën detare dhe platformat detare, nëse ka, të Gjirit të Vlorës), që do të lejohet të ndërtojë dhe të shfrytëzojë një terminal bregdetar dhe infrastrukturën e tij portuale, përfshirë këtu edhe platformat në det, si dhe i vetmi entitet i pajisur me të drejtën për të depozituar e trajtuar (ngarkim-shkarkim)(nga brenda dhe nga jashtë, nga toka dhe nga deti) naftë, produkte të naftës, produkte të gazit të lëngshëm dhe produkte të tjera të lëngshme. Në bazë të këtij koncesioni ndërmarrja PIA SHA zotëron pozitë dominuese në tregun e ngarkim-shkarkimit dhe depozitimit të karburanteve në portin Vlora-1.

Për ofrimin e shërbimit të trajtimit (ngarkim-shkarkimit) dhe depozitimit të naftës dhe të nënprodukteve të saj, në portin Vlora-1, ku operon koncesionari PIA SHA, ndodhen 13 depozita për karburantet me kapacitet total përdorimi XXX m3. PIA SHA ka hyr në marrëdhënie kontraktore me operatorët e kualifikuar të interesuar për të operuar në këtë terminal lidhur me këto depozita. Gjatë periudhës hetimore PIA ka depozituar 7 (shtatë) kontrata të lidhura ndër vite: 3 (tre) me shoqëri shqiptare dhe 4 (katër) me shoqëri të huaja.

PIA SHA lidh kontrata në terma afate gjatë, si dhe kërkon garanci financiare ose kontribut për investimet nga këta operatorë, duke i dhënë asaj mundësinë si ndërmarrje me pozitë dominuese, për të vendosur kushte kontraktore, të cilat mund të pengojnë, kufizojnë, ose shtrembërojnë konkurrencën në tregun përkatës.

Me vendimin e OSHA nr. 4, datë 01.04.2010 janë miratuar tarifat e shërbimeve portuale të aplikuara nga PIA në Portin Vlora 1. Në lidhje me tarifat për shërbimet ndihmëse të depozitimit si trajtimi (ngarkim/shkarkimi) i anijeve ose për shërbime të tjera tregtare që ajo kryen për klientët që kanë kontraktuar kapacitete në terminalin PIA, ato vendosen me marrëveshje midis palëve kontraktuale, pasi nuk janë të miratuara paraprakisht nga OSHA. PIA SHA nuk është e detyruar të shpallë dhe/ose të paraqesë për miratim pranë OSHA-së tarifat për shërbimet ndihmëse të depozitimit si trajtimi (ngarkim/shkarkimi) i anijeve ose për shërbime të tjera tregtare që ajo kryen për klientët që kanë kontraktuar kapacitete në terminalin PIA.

Në Porto Romano, Durrës, operojnë dy ndërmarrje koncesionare: (1) ndërmarrja Romano Port SHA, dhe (2) ndërmarrja Porti MBM.

Ndërmarrjes Romano Port SHA i është dhënë me koncesion ndërtimi dhe shfrytëzimi i pontilit të naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre në zonën bregdetare të Porto-Romanos, Durrës. Në bazë të këtij koncesioni ndërmarrja Romano Port SHA zotëron pozitë dominuese për kapacitetin deri në 20.000 ton në tregun e ngarkim-shkarkimit të anijeve që transportojnë karburante në zonën bregdetare Porto Romano, Durrës.

Tarifat e aplikuara për shërbimet portuale për Romano Port SHA, Porto Romano, Durrës, janë miratuar me vendimin e OSHA nr. 3, datë 04.03.2009, Vendimin nr. 6, datë 10.09.2009 dhe Vendimin nr. 1, datë 09.06.2014. Tarifat e ngarkim-shkarkimit të anijeve në Romano Port SHA përshihen në këto vendime të OSHA-së, ndryshe nga koncesionari PIA SHA i cili i vendos këto tarifa me marrëveshje midis palëve.

Për ofrimin e shërbimeve të përpunimit të anijeve me karburante ndërmarrja koncesionare Romano-Port SHA ka hyrë në marëdhënie kontraktore me Agjencitë Detare/Spedicionere ose pritësin e mallit, pronarin e mallit (Operatorët Ekonomikë). Konkretisht gjatë periudhës hetimore Romano-Port SHA ka lidhur 18 kontrata tip, nga të cilat 8 kontrata me Operatorëte tregut dhe 10 kontrata me Agjencitë Detare/Spedicionere. Këto janë kontrata Tip, me afat 1 vjecar, me të drejtë rinovimi, me të njëjtat kushte të përgjithshme për nga objekti, qëllimi, mënyra e pagesës, të drejtat dhe detyrimet e palëve lidhur me realizimin e shërbimit të ngarkim/shkarkimit të anijeve, si dhe kushtet e tjera të kontratës me të cilën operon ndërmarrja Romano-Port në Porto Romano, Durrës.

Në kontratë përcaktohet se Koncesionari Romano Port SHA për ofrimin e shërbimeve të përpunimit (ngrakim-shkarkimit) të anijeve me karburante, aplikon tarifat e miratuara nga OSHA me vendimiin nr. 3, datë 04.03.2009, vendimin nr. 6, datë 10.09.2009 dhe Vendimin nr. 1, datë 09.06.2014. Tarifat e papërcaktuara nga OSHA, negocohen me mirëkuptim mes palëve.

Ndërmarrja Porti MBM në bazë të kontratës koncesionare (ligji nr. 104/2015, datë 23.9.2015) ka fituar të drejtën ekskluzive për ofrimin e shërbimit të ngarkim-shkarkimit të mjeteve lundruese që transportojnë hidrokarbure të madhësive mbi 20.000 ton dhe me zhytje mbi 8 (tetë) metra, në Porto Romano Durrës, për një periudhe prej 35 vjetësh. Në bazë të këtij koncesioni ndërmarrja Porti MBM zotëron pozitë dominuese për kapacitetin mbi 20.000 ton dhe me zhytje mbi 8 (tetë) metra në tregun e ngarkim-shkarkimit të anijeve që transportojnë karburanteve në zonën bregdetare Porto Romano, Durrës.

Për ofrimin e shërbimeve të përpunimit të anijeve me karburante, ndërmarrja koncesionare Porti MBM ka hyrë në marëdhënie kontraktore me Agjencitë Detare/Spedicionere ose pritësin e mallit, pronarin e mallit (Operatorët Ekonomikë). Konkretisht gjatë periudhës hetimore Porti MBM ka lidhur 11 kontrata tip, nga të cilat 5 kontrata me Operatorët e tregut dhe 6 kontrata me Agjencitë Detare/Spedicionere. Këto janë kontrata Tip, me afat 1 vjecar, me të drejtë rinovimi, me të njëjtat kushte të përgjithshme për nga objekti, qëllimi, mënyra e pagesës, të drejtat dhe detyrimet e palëve lidhur me realizimin e shërbimit të ngarkim/shkarkimit të anijeve, si dhe kushtet e tjera të kontratës me të cilën operon ndërmarrja Porti MBM në Porto Romano, Durrës.

Për ofrimin e këtyre shërbimeve Koncesionari aplikon tarifat e miratuara me Udhëzimin e përbashkët të MIE dhe MFE nr. 5749/5, datë 10.09.2019 “Për përcaktimin e tarifave të shërbimeve portuale të portit të llojit MBM në Porto Romano, Durrës”, të cilat ofrohen në mënyrë të barabartë për të gjithë përdoruesit e terminalit të Portit MBM. Tarifat e papërcaktuara në këtë udhëzim, negocohen me mirëkuptim mes palëve.

Tarifat e miratuara nga OSHA për ngarkim-shkarkimin e karburantevet si për Romano Port SHA dhe Portin MBM, në Porto Romano Durrës janë njësoj. Përsa i përket tarifave të tjera portuale tarifat maksimale janë të njëjta dhe për Romano Port SHA ka dhe tarifa miminale, por Porti MBM ka disa zëra shtesë për shkak të pozicionit të tij gjeografik.

Referuar lidhjes aksionare në Porto Romano Durrës, rezulton se ekziston një lidhje integrimi vertikal e shoqërive koncesionare dhe shoqërive që kanë depozitat në këto koncesione, si dhe me importuesit/tregtarët me shumicë në tregun e karburanteve, duke i dhënë ndërmarrjeve koncesionare një fuqi tregu, e cila duke patur parasysh pozitën e koncesionarëve në treg, mund të çojë në lidhjen e marrëveshjeve të ndaluara gjë që bie në kundërshtim me nenin 4 të ligjit nr. 9121/2003 si dhe në kundërshtim me nenin 9 të ligjit nr. 9121/2003 nëpërmjet vendosjes së kushteve të padrejta të tregtimit dhe për pasojë në abuzim me pozitën e tyre në treg.

Në lidhje me tregun e importit dhe shitjes me shumicë, vihet re se pjesa më e madhe e karburanteve që importohen në vendin tonë është mbi XX% naftë dhe më pak se XX% benzinë. Pjesa më e madhe e importit të benzinës dhe naftës, për periudhën nën hetim, kryhet nëpërmjet Portit të Durrësit (rreth XX% e importit) dhe një pjesë e vogël e importit realizohet nëpërmjet portit të Vlorës.

Sjellja e koncensionarit PIA SHA si ndërmarrje me pozitë dominuese në tregun përkatës, në lidhje me vetpërcaktimin e tarifave për shërbimet ndihmesë të depozitimit si trajtimi (ngarkim/shkarkimi) i anijeve ose për shërbime të tjera tregtare që ajo kryen për klientët që kanë kontraktuar kapacitete në terminalin PIA, si dhe lidhja e këtyre kontratave në terma afat gjatë me nënkontraktorët mund të përbëjë sjellje e cila bie në kundërshtim me nenin 4 apo 9 të ligjit nr. 9121/2003.

Referuar strukturës së tregut të ngarkim-shkarkimit, importit, depozitimit, shitjes me shumicë të karburanteve, nga dy ndërmarrje koncesionare: (1) ndërmarrja Romano Port SHA, dhe (2) ndërmarrja Porti MBM, që operojnë në Porto Romano, Durrës, rezulton se ekziston një lidhje integrimi vertikal e shoqërive koncesionare dhe shoqërive që kanë depozitat në këto koncesione, si dhe me importuesit/tregtarët me shumicë në tregun e karburanteve, duke i dhënë ndërmarrjeve koncesionare një fuqi tregu, e cila duke patur parasysh pozitën e koncesionarëve në treg, mund të çojë në lidhjen e marrëveshjeve të ndaluara gjë që bie në kundërshtim me nenin 4 të ligjit nr. 9121/2003 si dhe në kundërshtim me nenin 9 të ligjit nr. 9121/2003, nëpërmjet vendosjes së kushteve të padrejta të tregtimit dhe për pasojë në abuzim me pozitën e tyre në treg.

Sipas dokumenteve të vëna në dispozivion, Komisioni i Konkurrencës, bazuar në nenet 4 dhe 9, nenin 24 shkronja d, nenin 26 dhe nenin 43, pika 1, e ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”, i ndryshuar, vendosi:

Hapjen e procedurës së hetimit të thelluar në tregun e ngarkim-shkarkimit, importit, depozitimit, shitjes me shumicë të karburanteve ndaj ndërmarrjeve.

Koncensionarit PIA SHA dhe ndërmarrjeve që kanë kontrata depozitimi afatgjatë me të.

Koncensionarit Romano Porto SHA dhe ndërmarrjen e integruar vertikalisht me të.

Koncensionarit Porti MBM dhe ndërmarrjet e integruar vertikalisht me të.

Ndërmarrjet të cilat kanë depozita në zonën e Porto Romanos dhe kanë kontrata me

Romano Port SHA dhe Portin MBM.II. Hetimi i Thelluar do të përfshijë periudhën kohore 1 Janar 2017 deri në 30 Tetor 2020.

Raporti i hetimit të thelluar duhet të paraqitet në Komisionin e Konkurrencës jo më vonë se gjashtë (6) muaj nga marrja e këtij vendimi.

Ndërkohë, në vendimin me numër 812, datë 02.09.2021, Autoriteti i Konkurencës ka vendosur “mbylljen e procedurës së hetimit të thelluar në tregun e ngarkim-shkarkimit, importit, depozitimit, shitjes me shumicë të GLN-së me detyrime për ndërmarrjet koncesionare PIA SHA, Romano Port SHA dhe Portit MBM”. Kjo pasi, edhe ka disa parregullsi që krijojnë dyshime.

Vlerësimi i pozitës dominuese, sipas Autoritetit të Konkurencës
Ndërmarrjes PIA SHA, i është dhënë me koncesion ndërtimi dhe shfrytëzimi i terminalit bregdetar në gjirin e Vlorës, për depozitimin e naftës dhe te nënprodukteve te saj, në portin Vlora-1, si dhe ndërtimi dhe shfrytëzimi i infrastrukturës portuale të nevojshme në shërbim të terminalit bregdetar. Në bazë të kontratës Koncesionare, Koncesionari PIA SHA është i vetmi entitet, në të gjithë zonën e Gjirit të Vlorës (përfshirë zonën detare dhe platformat detare, nëse ka, të Gjirit të Vlorës), që do të lejohet të ndërtojë dhe të shfrytëzojë një terminal bregdetar dhe infrastrukturën e tij portuale, përfshirë këtu edhe platformat në det, si dhe i vetmi entitet i pajisur me të drejtën për të depozituar e trajtuar (ngarkim-shkarkim) (nga brenda dhe nga jashtë, nga toka dhe nga deti) naftë, produkte të naftës, produkte të gazit të lëngshëm dhe produkte të tjera të lëngshme.
Në bazë të këtij koncesioni ndërmarrja PIA SHA zotëron pozitë dominuese në tregun e ngarkim-shkarkimit dhe depozitimit të GLN-së në portin Vlora-1.
Ndërmarrjes Romano Port SHA i është dhënë me koncesion ndërtimi dhe shfrytëzimi i pontilit të naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre në zonën bregdetare të Porto Romanos, Durrës. Në bazë të këtij koncesioni ndërmarrja Romano Port SHA ka ekskluzivitetin e ofrimit të shërbimit të ngarkim-shkarkimit në zonën bregdetare të Porto-Romanos, Durrës, me kapacitet të kufizuar të përpunimit të anijeve që transportojnë hidrokarbure, deri në 20.000 ton. Referuar ligjit nr. 9578, datë 11.7.2006, “Për miratimin e disa shtesave dhe ndryshimeve në “Marrëveshjen e koncesionit, të formës “BOT”, për ndërtimin dhe shfrytëzimin e pontilit të naftës, gazit e nënprodukteve të tyre në zonën bregdetare të Porto-Romanos, Durrës”,
ratifikuar me ligjin nr. 9298, datë 28.10.2004”, Romano Port SHA operon me kapacitet 15.000 ton për gazin e lëngshëm të naftës (GLN) dhe 20.000 ton për naftën.
Në bazë të këtij koncesioni Romano Port SHA aktualisht zotëron pozitë dominuese për kapacitetin deri në 15.000 tonë në tregun e ngarkim-shkarkimit të GLN-së në zonën bregdetare Porto Romano, Durrës.
Ndërmarrjes Porti MBM i është dhënë me koncesion e drejta ekskluzive për ofrimin e shërbimit të ngarkim-shkarkimit të mjeteve lundruese që transportojnë hidrokarbure të madhësive mbi 20.000 ton dhe me zhytje mbi 8 (tetë) metra, në Porto Romano Durrës.
Në bazë të këtij koncesioni Porti MBM zotëron pozitë dominuese për kapacitin mbi 20.000 ton dhe me zhytje mbi 8 (tetë) metra në tregun e ngarkim-shkarkimit të anijeve që transportojnë GLN në zonën bregdetare Porto Romano, Durrës.

Vlerësimi i sjelljes së ndërmarrjeve në treg
Importi, depozitimi dhe ngarkim-shkarkimi i GLN-së në territorin e Republikës së Shqipërisë realizohet nëpërmjet 3 Konçensioneve në dy porte në zonën gjeografike të ish Uzinës së Sodës PVC në Gjirin e Vlorës dhe në zonën gjeografike të Porto Romanos, Durrës, porte të cilat janë ndërtuar dhe funksionojnë mbi bazën e marrëveshjeve të koncesionit: PIA SHA, Romano Port SHA dhe Porti MBM, i cili operon në det, si dhe ndërmarrje që kanë depozita me qera të cilat operojnë në tregun e shitjes me shumicë dhe pakicë të GLN.
Ndërmarrjes PIA SHA, në bazë të kontratës Koncesionare, ndërmarrja PIA SHA zotëron pozitë dominuese në tregun e ngarkim-shkarkimit dhe depozitimit të GLN-së në portin Vlora-1.
Tarifat e shërbimeve portuale të aplikuara nga PIA SHA në Portin Vlora 1, janë miratuar me vendimin e OSHA nr. 4, datë 01.04.2010. Tarifat për ofrimin e shërbimit të depozitimit dhe trajtimit (ngarkim-shkarkimit) të anijeve me GLN, si dhe për shërbime të tjera tregtare që PIA SHA kryen për klientët që kanë kontraktuar kapacitete në terminalin PIA, vendosen me marrëveshje midis palëve kontraktuale, pasi nuk janë të miratuara paraprakisht nga OSHA në vendimin nr. 4/2010.
Ndërmarrja PIA zotërohet 100% nga LA PETROLIFERA ITALO RUMENA, e cila me koncesion Portin dhe infrastrukturën e ngarkim shkarkimit dhe depozitimit të GLN-së. Për ofrimin e shërbimit të depozitimit dhe trajtimit (ngarkim-shkarkimit) të GLN-së në terminalin e PIA-s në Vlorë, Koncesionari PIA ka hyrë në marrdhënie kontraktore me operatorin Fam Gas L.L.C. Kontrata e lidhur midis PIA-s dhe Fam Gas L.L.C është një kontratë afatgjatë, e cila ka të përcaktuar kapacitetin depozitues të dy sferave prej 4,800 m3, tarifat e ofrimit të shërbimit në varësi të sasisë së GLN-së së depozituar, si dhe një garanci (bankare ose cash) në një shumë prej 120,000 ose 200,000 euro (sipas kërkesës së PIA-s).
FAM GAS LLC operon në magazinë të lirë doganore dhe realizon zhdoganime të GLN nëpërmjet Kevin Gaz SHA, i cili ka si aksioner z. Gjergj Lekaj. Kevin Gaz SHA zotëron 100 % të aksioneve në ndërmarrjen Emanuel Gas SHPK, i cili operon në tregun e shitjes me shumicë dhe pakicë. Përsa më sipër rezulton se PIA SHA realizon depozitimin dhe ngarkim-shkarkimin e GLN në përputhje me kontratën koncesionare duke mos qenë e integruar vertikalisht në asnjë hallkë të tregtimit të GLN.
Xhiro e PIA SHA për vitin financiar 2019 është 620,248,147 lekë, me një fitim prej 117,020,895 lekë dhe normë fitimi prej 18.87 %. Fitimi i ndërmarrjes PIA SHA ka një rritje prej 16.2 % nga viti 2017 në vitin 2018, ndërsa nga viti 2018 në vitin 2019 fitimi është ulur me 28%. PIA SHA rezulton me një normë fitimi rreth 20% për periudhën nën hetim duke patur parasysh dhe pozitën e saj si ndërmarrja e vetme koncesionare në portin e Vlorës.
Kontrata e lidhur midis PIA-s dhe Fam Gas L.L.C është një kontratë afatgjatë, e cila ka të përcaktuar kapacitetin depozitues të dy sferave prej 4,800 m3, tarifat e ofrimit të shërbimit në varësi të sasisë së GLN-së së depozituar, si dhe një garanci (bankare ose cash) në një shumë prej 120,000 ose 200,000 euto (sipas kërkesës së PIA-s). Duke qenë se tarifat për ofrimin e shërbimit të depozitimit dhe trajtimit (ngarkimshkarkimit) të anijeve me GLN, si dhe për shërbime të tjera tregtare që PIA SHA kryen për klientët që kanë kontrata depozitimi në PIA SHA, nuk janë të miratuara paraprakisht nga OSHA, ato janë vendosur me marrëveshje midis palëve kontraktuale.
Referuar VKM-së nr. 110/2011, pikës 1/ii), midis Palëve (OSHA dhe PIA SHA) është rënë dakord se standardi tip për ofrimin e këtyre shërbimeve është kontrata me afat për kapacitete të dedikuara, edhe me afat të gjatë, si dhe duke siguruar nga klienti edhe garanci financiare ose një kontribut për investimet që do të kryhen nga PIA SHA.

PIA SHA dhe klientët e saj janë gjithashtu, të lirë të negociojnë forma të tjera kontrate. OSHA-ja është dakord se kontratat me afat janë thelbësore për të siguruar efikasitetin e investimit dhe furnizimin e rregullt të tregut. Operatorët do të kontaktojnë PIA SHA drejtpërdrejt dhe kohë më parë në mënyrë të mjaftueshme për shërbimet e saj.

OSHA konfimon të drejtat e plota të PIA SHA kundrejt operatorëve të kualifikuar, të interesuar për të operuar në terminal, duke e lejuar atë që të lidhë kontrata me afate të gjata, si dhe të kërkojë garanci financiare ose kontribut për investimet nga këta operatorë.
Gjithashtu, referuar pikës 1/iii) të VKM nr. 110/2011, jepet si shembull që PIA-ja nuk duhet t’u shërbejë operatorëve që nuk vendosin garanci financiare të kënaqshme për PIA-n, që i kryejnë pagesat me vonesë ose që nuk i kryejnë fare ato, ose që kanë refuzuar të përmbushin kontratat e tyre në të kaluarën.
Përsa më sipër, sjellja e ndërmarrjes PIA SHA gjatë përiudhës hetimore është bazuar në VKM nr. 110/2011.
Ndërmarrja Romano Port SHA, në bazë të Marrëveshjes së Koncesionit, ka ekskluzivitetin e ofrimit të shërbimit të ngarkim-shkarkimit në zonën bregdetare të Porto-Romanos, Durrës, me kapacitet të kufizuar të përpunimit të anijeve që transportojnë hidrokarbure, deri në 20.000 ton për naftën dhe 15.000 ton për gazin e lëngshëm të naftës (GLN). Në bazë të këtij koncesioni Romano Port SHA aktualisht zotëron pozitë dominuese për kapacitetin deri në 15.000 tonë në tregun e ngarkimshkarkimit të GLN-së në zonën bregdetare Porto Romano, Durrës.
Referuar ekstrakteve të regjistrit tregtar, ndërmarrja ROMANO PORT SHA zotërohet nga Z. Piro Bare me 99.84% të aksioneve. Ndërmarrja INTER GAZ SHA që ka ndërtuar depozita gazi pranë këtij Porti, zotërohet gjithashtu 50% nga Z.Piro Bare dhe 50% nga Z.Artan Dulaku. Ky aksionar (Z. Piro Bare) zotëron 100% të aksioneve në ndërmarrjen A&V GAZ SHA, e cila kryen veprimtari importi dhe tregtimi me shumicë dhe pakicë të GLN. Ndërmarrja A&V GAZ SHA zotëron 100% të aksioneve në ndërmarrjen AV Distribution SHA, e cila ushtron veprimtarinë në tregun e shitjes me shumicë të GLN-së. Për sa më sipër konstatohet se Romano Port SHA, kryen veprimtari në import, depozitim, tregtim me shumicë të GLN.
Tarifat e aplikuara për shërbimet portuale ku përfshihen edhe tarifat për ngarkim-shkarkim të GLN, në portin të Romano Port SHA, Porto Romano, Durrës, janë miratuar me vendimin e OSHA nr. 3, datë 04.03.2009, Vendimin nr. 6, datë 10.09.2009 dhe Vendimin nr. 1, datë 09.06.2014.
Romano Port SHA funksionon në bazë të “Rregullores së funksionimit të portit të përpunimit të lëndëve djegëse për shoqërinë Pomano Port”, miratuar me vendimin nr. 4, datë 27.04.2009 nga Organi Shtetëror i Autorizuar (MIE, MFE, MTM). Në nenin 5 të kësaj rregulloreje përcaktohen standardet teknike për akostimin e anijeve në platformë sipas madhësisë së anijes, të cilat variojnë nga 1.000 ton me zhytje 3.5 m deri në 40.000 ton me zhytje 11.5 m.
Referuar Kontratës Koncensionare, rezulton se Regullorja e Funksionimit, ka tejkalur të drejtën ekskluzive që i është dhënë Koncesionarit Romano Port SHA për ofrimin e shërbimit të ngarkim-shkarkimit të anijeve që transportojnë hidrokarbure të madhësive deri në 20.000 ton, në Porto Romano Durrës, duke i lejuar atij, që të kryejë përpunimin e anijeve të madhësive edhe më të mëdha se 20.000 ton.
Për ofrimin e shërbimeve të përpunimit të anijeve me GLN, ndërmarrja koncesionare Romano-Port SHA ka hyrë në marrëdhënie juridike detyrimi me Agjencitë Detare/Spedicionere ose pritësin e mallit, pronarin e mallit (Operatorët Ekonomikë), nëpërmjet kontratës Tip, me afat 1 vjeçar, me të drejtë rinovimi, me të njëjtat kushte të përgjithshme për nga objekti, qëllimi, mënyra e pagesës, të drejtat dhe detyrimet e palëve lidhur me realizimin e shërbimit të ngarkim/shkarkimit të anijeve, si dhe kushtet e tjera të kontratës me të cilën operon ndërmarrja Romano-Port në Porto Romano, Durrës.
Në kontratë përcaktohet se Koncesionari Romano Port SHA për ofrimin e shërbimeve të përpunimit (ngrakim-shkarkimit) të anijeve me GLN, aplikon tarifat e miratuara nga OSHA me vendimin nr. 3, datë 04.03.2009, vendimin nr. 6, datë 10.09.2009 dhe vendimin nr. 1, datë 09.06.2014. Tarifat e papërcaktuara nga OSHA, negociohen me mirëkuptim mes palëve.
Sa më sipër, kontratat e lidhura nga ndërmarrja Romano-Port me Operatorët Ekonomikë dhe Agjencitë Detare/Spedicionere nuk përcaktojnë çmime apo pagesa të tjera të ndryshme nga ato të miratuara nga OSHA në ngarkim të palëve, dhe të gjitha palët janë vendosur përballë kushteve të barabarta të ofrimit të shërbimeve portuale nga ana e Koncesionarit Romano-Port SHA.
Ndërmarrjes Porti MBM në bazë të kontratës koncesionare (ligji nr. 104/2015, datë 23.9.2015) ka fituar të drejtën ekskluzive për përdorimin e portit dhe zotërimin e lirë të zonës (neni 32, pika 1/a), për ofrimin e shërbimit të ngarkim-shkarkimit të mjeteve lundruese që transportojnë hidrokarbure të madhësive mbi 20.000 ton dhe me zhytje mbi 8 (tetë) metra, në Porto Romano Durrës, për një periudhe prej 35 vjetësh. Në bazë të këtij koncesioni Porti MBM zotëron pozitë dominuese për kapacitin mbi 20.000 ton dhe me zhytje mbi 8 (tetë) metra në tregun e ngarkim-shkarkimit të anijeve që transportojnë GLN në zonën bregdetare Porto Romano, Durrës.
Tarifat për shërbimet portuale të Portit MBM, ku përfshihen edhe tarifat për ngarkimshkarkim të GLN, janë të miratuara me Udhëzimin e Përbashkët të Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës (sot MIE) në bashkëpunim me Ministrinë e Financave nr. 5749/5 datë 10.9.2019 “Për përcaktimin e tarifave të shërbimeve portuale të portit të llojit MBM në Porto Romano, Durrës”. Vërehet se ndërmarrjet Romano Port SHA dhe Porti MBM, të cilat operojnë në tregun e ngarkim-shkarkimit në porto RomanoDurrës, aplikojnë pothuajse tarifa të njëjta lidhur me përpunimin dhe administrimin e produktit të GLN-së të miratuara me vendimet përkatëse nga OSHA.

Porti MBM funksionon në bazë të “Rregullores së funksionimit të portit të përpunimit të lëndëve djegëse për shoqërinë koncesionare MBM”, miratuar me vendimin nr. 1, datë 03.05.2019 të MIE si Organi Shtetëror i Autorizuar. Në nenin 8 të kësaj rregulloreje përcaktohen standadet teknike për akostimin e anijeve në platformë sipas madhësisë së anijes, të cilat variojnë nga 1.000 ton me zhytje 3.5 m deri në 40.000 ton me zhytje 11.5 m.
Nëpërmjet Rregullores së Funksionimit, MIE ka lejuar Portin MBM të kryejë ofrimin e shërbimit të ngarkim-shkarkimit të anijeve hidrokarbure të madhësive nën 20.000 ton duke i lejuar atij, siç rezulton edhe nga të dhënat e depozituara nga Porti MBM se gjatë periudhës hetimore ky koncensionar ka realizuar ngarkim –shkarkim të anijeve me GLN me kapacitet nën 20 000 ton.
Porti MBM zotërohet 99% nga ndërmarrja ADRIATIC BAY INVESTMENT GROUP SHPK, e cila zotërohet 65% nga KASTRATI GROUP. TENET SHA, e cila operon në tregun e depozitimit të GLN dhe shitjes me shumicë zotërohet 50% nga KASTRATI GROUP. TENET SHA shet në tregun e pakicës nëpërmejt ndërmarrjes Albania Gas Tech SHA, e cila është pjesë e KASTRATI GROUP.

Për ofrimin e shërbimeve të përpunimit të anijeve me hidrokarbure, ndërmarrja koncesionare Porti MBM ka hyrë në marëdhënie kontraktore me Agjencitë Detare/Spedicionere ose pritësin e mallit, pronarin e mallit (Operatorët Ekonomikë). Konkretisht gjatë periudhës hetimore Porti MBM ka lidhur 11 kontrata tip, nga të cilat 5 kontrata me Operatorët e tregut dhe 6 kontrata me Agjencitë Detare/Spedicionere. Këto janë kontrata Tip, me afat 1 vjeçar, me të drejtë rinovimi, me të njëjtat kushte të përgjithshme për nga objekti, qëllimi, mënyra e pagesës, të drejtat dhe detyrimet e palëve lidhur me realizimin e shërbimit të ngarkim/shkarkimit të anijeve, si dhe kushtet e tjera të kontratës me të cilën operon ndërmarrja Porti MBM në Porto Romano, Durrës.
Sipas kontratave për ofrimin e shërbimeve nga Koncesionari aplikohen tarifat e miratuara me Udhëzimin e përbashkët të MIE dhe MFE nr. 5749/5, datë 10.09.2019 “Për përcaktimin e tarifave të shërbimeve portuale të portit të llojit MBM në Porto Romano, Durrës”, të cilat ofrohen në mënyrë të barabartë për të gjithë përdoruesit e terminalit të Portit MBM. Tarifat e papërcaktuara në këtë udhëzim, negociohen me mirëkuptim mes palëve.
Kontratat tip të lidhura nga Porti MBM me operatorët dhe Agjencitë Detare/Spedicionere nuk përcaktojnë çmime apo pagesa të tjera të ndryshme nga ato të miratuara me udhëzimin e përbashkët të MIE dhe MFE në ngarkim të palëve, dhe të gjitha palët janë vendosur përballë kushteve të barabarta të ofrimit të shërbimeve portuale nga ana e Koncesionarit Porti MBM.
Në lidhje me strukturën dhe përqendrimin e tregut të importit të GLN vërehet se:
– Për vitin 2017 ndërmarrja me pjesën më të lartë të tregut prej 32.98% është ndërmarrja Kevin-Gaz SHA, ndërmarrja A&V GAS SHA zotëron pjesën prej 28.12% të tregut, ndërsa TENET SHA zotëron pjesën prej 20.58% të tregut.
– Për vitin 2018 ndërmarrja me pjesën më të lartë të tregut prej 35.02% është ndërmarrja AV INTERNATIONAL GROUP SHA, ndërmarrja TENET SHA zotëron pjesën prej 33.74% të tregut, ndërsa Kevin-Gaz SHA zotëron pjesën prej 21.47% të tregut.
– Për vitin 2019 vihet re se ndërmarrja me pjesën më të lartë të tregut prej 34.63% është ndërmarrja TENET SHA, ndërmarrja AV INTERNATIONAL GROUP SHA zotëron pjesën prej 31.94% të tregut, ndërsa KEVIN-GAZ zotëron pjesën prej 25.3% të tregut.
– Për periudhën janar-shtator 2020 ndërmarrja me pjesën më të lartë të tregut prej 35.2% është ndërmarrja AV INTERNATIONAL GROUP SHA, ndërmarrja Kevin-Gaz SHA zotëron pjesën prej 22.32% të tregut, ndërsa TENET SHA zotëron pjesën prej 20.48% të tregut.
37. Ndërmarrjet e integruara vertikalisht me koncensionarët përkatësisht Tenet SHA dhe
AV International Group SHA realizojnë pjesën më të madhe të importit gati 50 %.
Tregu i importit të GLN gjatë periudhës hetimore paraqitet me tregues shumë të lartë
përqendrimi HHI.
Nga analiza e çmimeve të shitjes me shumicë të ndërmarrjeve nën hetim, nuk konstatohen çmime të përafërta apo të njëjta si rrjedhojë nuk jemi përpara rastit të një sjellje të bashkërenduar në kuptim të nenit 4 të ligjit nr.9121/2003.

Me qëllim realizimin e analizës ekomike të ngjeshjes së çmimeve për secilën nga ndërmarrjet e integruara vertikalisht në nivele të ndryshme tregtimi, janë krahasuar çmimet mesatare vjetore të blerjes dhe shitjes së ndërmarrjeve të integruara dhe ndërmarrjeve jo të integruara, si dhe është bërë analiza financiare e fitimeve, nga ku rezulton se:
– Ndërmarrja AV International Group SHA, e integruar vertikalisht me Koncesionarin Romano Port SHA nuk aplikon ngjeshje të çmimeve me qëllim transferimin e fitimeve, duke mos qënë para kushteve të nënit 9 të ligjit nr 9121/2003 për abuzimin me pozitën dominuese.
– Ndërmarrja Kevin-Gaz SHA, e integruar vertikalisht me Emanuel Gas SHPK nuk aplikon ngjeshje të çmimeve me qëllim transferimin e fitimeve, duke mos qënë para kushteve të nenit 9 të ligjit nr 9121/2003 për abuzimin me pozitën dominuese.
– Ndërmarrja Tenet SHA, e integruar vertikalisht me Koncesionarin Porti MBM nuk aplikon ngjeshje të çmimeve me qëllim transferimin e fitimeve, duke mos qënë para kushteve të nenit 9 të ligjit nr 9121/2003 për abuzimin me pozitën dominuese.
Referuar sa më sipër, nuk konstatohen shënja të kufizimit të konkurrencës nga ana e ndërmarrjeve nën hetim në tregun e ngarkim-shkarkimit, importit, depozitimit, shitjes me shumicë të GLN-së, por ndërmarrjet koncesionare, PIA SHA, Romano Port SHA dhe Porti MBM, të cilat kanë pozitë dominuese, kanë detyrim të veçantë për të mos abuzuar me pozitën dominuese që zotërojnë dhe të mos kryejnë sjellje të ndaluara në treg, veçanërisht nga ato të përcaktuara në nenin 9, pika 2 të ligjit nr. 9121/2003. Në zbatim të nenit 70 të ligjit nr. 9121/2003 OSHA (MIE, MFE) ka detyrimin të zbatojë dispozitat e ligjit nr. 9121/2003 dhe të sigurojë një konkurrencë të ndershme dhe efektive.
Për këto arsye:

Komisioni i Konkurrencës, bazuar në nenin 9, nenin 24 shkronja d, nenin 26 dhe nenin
43, pika 5, të ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”, i
ndryshuar,
Vendosi:
Detyrimin e ndërmarrjeve koncesionare PIA SHA, Romano Port SHA, Portit MBM në respektim të nenit 9 të ligjit nr. 9121/2003, në veçanti të sillen:
a) duke mos vendosur, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmime të padrejta
të blerjes ose shitjes apo e kushte të tjera të padrejta të tregtimit;
b) duke mos zbatuar kushte të pabarabarta për veprime tregtare të njëjta me palët,
duke mos i vendosur ato në gjendje të pafavorshme konkurrence;
c) duke mos vendosur kushte për lidhjen e kontratave me palët e tjera, që këto të
fundit të pranojnë detyrime shtesë, të cilat, për vetë natyrën e tyre ose sipas
praktikave tregtare, nuk kanë lidhje me objektin e kontratave në fjalë.

Mbylljen e procedurës së hetimit të thelluar në tregun e ngarkim-shkarkimit, importit, depozitimit, shitjes me shumicë të GLN.

 

Qendra ALERT – Alert.al

Related Posts