Menu

E drejta për ujë të pijshëm dhe pa orar të kufizuar

Nga Ina Allkanjari*

Konsumatorët në Shqipëri kanë përballuar një situatë të vështirë në furnizimin me ujë për shumë vite. Ata paguajnë faturat pa siguruar respektimin e të drejtave për ujë të pastër, pa orare ndërprerje dhe të faturuara në bazë të konsumit real. Vetëm 11 qytete në Shqipëri furnizohen me ujë të pijshëm për 24 orë. Rritja e çmimit dhe blerja e ujit të pijshëm janë kosto që i ngarkohen konsumatorëve.

Kohëzgjatja e furnizimit me ujë mbetet një sfidë, me shumë shoqëri që ende nuk arrijnë të plotësojnë objektivin e furnizimit me ujë për 24 orë në ditë. Ka disa raste suksesi, por në raportin e Entit Rregullator të Ujit (ERRU), vërehet se ende ka një numër të madh shoqërish që nuk arrijnë të ofrojnë furnizim me ujë pa ndërprerje, duke lënë në nevojë konsumatorët.

Në raport evidentohet se disa prej shoqërive ujësjellësve arrijnë të furnizojnë me ujë konsumatorët me maksimumi 10 orë në ditë. Me furnizim më të pakët me ujë për vitin 2022 paraqitet Kurbini me vetëm 2 orë ujë në ditë, e ndjekur nga Kamza me 4 orë ujë në ditë, Roskoveci me 5 orë ujë në ditë, Dropulli dhe Selenica me 7 orë ujë furnizim në ditë.

Në një shoqëri ku uji është jetik për shëndetin e popullsisë dhe zhvillimin e ekonomisë, krizat e ujit kanë ndikime të thella në sektorë të ndryshëm ekonomikë. Në Shqipëri, një vend me burime ujore të pasur, por me sfida të mëdha në furnizimin dhe kualitetin e ujit, pasojat ekonomike mund të jenë thelbësore dhe të ndjeshme. Eksperti ekonomis Elvin Meka ndalet te ndikimi që mund të ketë furnizimi me ujë me orar të kufizuar në bujqësinë vendase.

“Shqipëria përjeton një paradoks që nuk haset në vende të tjera; kemi bollëk burimesh ujore, por njëkohësisht nuk kemi 24 orë në ditë ujë, madje dhe ai që vjen nuk është plotësisht dhe kudo i pijshëm, e kjo tërësisht për faj të politikave të gabuara ndër vite. Sigurisht, një sektor uji problematik do jetë me ndikim të madh jo vetëm në cilësinë e jetës së qytetarit, por dhe në ekonomi, e cila do vuante drejtpërdrejt pasojat jo vetëm në bujqësi por kudo!”, tregon eksperti i ekonomisë.

Kohëzgjatja e furnizimit me ujë në disa qytete të Shqipërisë, ERRU

Mungesa e furnizimit të vazhdueshëm me ujë ndikon në cilësinë e ujit të pijshëm dhe rrezikon shëndetin e popullatës. Ka ende nevojë për përmirësime në këtë drejtim, sidomos në kryeqytet, ku koha e furnizimit me ujë nuk ka përmirësim nga viti 2021 në vitin 2022.

Kohëzgjatja e furnizimit me ujë mbetet një tregues kyç në vlerësimin e performancës së shoqërive ujësjellëse. Në raportin e ERRU, vërehet se ende ka një numër të madh shoqërish që nuk arrijnë të ofrojnë furnizim me ujë pa ndërprerje, duke lënë në nevojë konsumatorët për orare të kufizuara të furnizimit.

Cilësia e ujit të pijshëm

Cilësia e ujit është një tjetër shqetësim i rëndësishëm, ku ekspertët bëjnë thirrje për kontroll të rregullt dhe të hollësishëm për të siguruar pastërtinë dhe sigurinë e konsumimit. Ata shprehin shqetësimin se uji i pijshëm mund të jetë i papastër dhe me nivele të larta të klorit.

Një aspekt i rëndësishëm i kësaj problematike është rritja e çmimeve të ujit të pijshëm, e cila shton barrën e shpenzimeve për konsumatorët.

Eksperti Elvin Meka tregon se rritja e çmimit të ujit përgjatë viteve të fundit, në raste të caktuara është shoqëruar me rritjen e sasisë së furnizimit, por jo domosdoshmërisht dhe kudo me rritjen e cilësisë së ujit të pijshëm.

“Mjaft qytetarë shqiptare vijojnë ende të blejnë ujë për të pirë, në një kohë që uji duhej të shkonte në çdo familje me cilësinë i pijshëm,” thotë eksperti i ekonomisë.

Pas përfundimit të reformës në sektorin e furnizimit me ujë, nisi rishikimi i tarifave që abonentët paguajnë për ujin. Ujësjellësi i Vlorës rriti tarifat e ujit të pijshëm në muajin shkurt të këtij viti duke shtuar 15 lekë për metër kub ujë.

Në kuadër të këtij vendimi eksperti Meka tregon se ishte i pritshëm, por sipas tij këto vendime zbulojnë keqadministrimin ekonomik të këtyre ndërmarrjeve dhe nivelin e lartë të abuzimit.

“Vendime të tilla janë tipike që zbulojnë jo vetëm praktikat e keqadministrimit ekonomik të këtyre ndërmarrjeve, por dhe nivelin e lartë të abuzivizimit dhe korrupsionit, të cilat në fund të ditës prodhojnë kosto që duhen përballuar, ose nga buxheti i këtyre ndërmarrjeve ose nga qytetari. Rruga më e thjeshtë është si përherë t’i ngarkohen konsumatorit final, pra qytetarit, i cili detyrohet të mbajë në kurriz jo vetëm koston reale të ujit dhe shëbimit, por dhe keqadministrmitn, abuzivizmin dhe korrupsionin respektiv”, thekson Elvin Meka.

Përveç Vlorës, pritet të rriten tarifat e ujit të pijshëm edhe për qytete të tjera të vendit. Në kryeqytet, tarifat për furnizimin me ujë janë më të larta, duke arritur në 65 lekë për metër kubë për konsumatorët familjarë.

Sigurisht kostot përbërëse të faktorëve ekonomikë janë rritur dhe do të rriten në mënyrë objektive, si në çdo sektor tjetër, por kjo rritje nuk justifikon rritjet e forta që ka pësuar çmimi i ujit ndër vite”, tregon eksperti i ekonomisë.

Enti Rregullator i Ujit ka ndjekur vazhdimisht analizimin e numrit të punonjësve dhe pozicioneve në organogramet e shoqërive të Ujësjellës Kanalizimeve për të siguruar efikasitet në sektor. Megjithatë, është vërejtur se sektori ka numër më të madh nënpunësish se sa nevojitet.

Në raportin e performancës për vitin 2022, është theksuar nevoja për të hequr stafin e pajustifikuar dhe për të optimizuar numrin dhe pozicionet e punës.

“Efikasiteti i stafit nënkupton që shoqëritë të mos kenë njerëz në organikën e tyre që nuk justifikojnë pozicionin e punës që presupozohet të kryejnë. Edhe pse për vitin 2021 sektori ka operuar me 101 punonjës më pak, përsëri sektori paraqitet i mbingarkuar me staf të pajustifikuar që në mjaft raste janë të punësuar pa arsimin dhe kualifikimet përkatëse dhe bazuar në kritere partiake”, thuhet në raport.

Në kuadër të të dhënave të publikuara nga ERRU për numrin e punonjësve dhe pozicioneve në organogramet e shoqërive të Ujësjellës Kanalizimeve, eksperti i ekonomisë Elvin Meka thotë se është thelbësore mbajtja nën kontroll e shpenzimeve të personelit, duke larguar personat e papërshtatshme dhe të pakualifikuar.

Këtu duhet kuptuar që këto janë ndërmarrje ekonomike dhe duhet të funksionojnë mbi parime dhe logjike të pastër të eficiencës ekonomike e financiare. Në afatgjatë një personel i tejfryrë dhe jashtë kapaciteteve teknike kushton si në aspektin financiar dhe atë profesional, pasi shërbimi i ofruar është i dobët dhe abuzivizmi e korrupsioni do të rriten”, tregon eksperti.

Sfidat dhe problemet në sektorin e furnizimit me ujë në Shqipëri nuk janë të pakta. Ky problem prek thellësisht cilësinë e jetës së qytetarëve dhe zhvillimin e ekonomisë. Përpjekjet për rritjen e efikasitetit në menaxhimin e burimeve ujore dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimit janë hapa të domosdoshëm. Vetëm në këtë mënyrë mund të sigurohet që të gjithë qytetarët të kenë akses të barabartë në ujë të pastër dhe të cilësisë së garantuar.

*Autorja është gazetare me eksperiencë 10 vjeçare në televizone dhe media të shkruar në Shqipëri e fokusuar kryesisht te çështjet sociale. Aktualisht ajo punon si gazetare investiguese e Qendrës Shqiptare për Gazetari Cilësore.

 

** Ky publikim është prodhuar në kuadër të projektit “ALERT pë mbrojtjen e konsumatorit”, me mbështetjen e Programit #SustainMedia, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Qendrës ALERT dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së ose të qeverisë gjermane.

Related Posts