Menu

E vranë dhe e hodhën në liqen, i riu qëndroi 3 ditë në një hotel në Korçë me autorët e vrasjes së tij

Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me vrasjen e 25 vjeçarit Fridman Xhaferraj, i cili u gjet i vrarë në rezervuarin e Gjançit. Burime pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, bëjnë me dije se viktima se bashku me dy të dyshuarit për vrasjen e tij kanë qëndruar në një hotel për 3 net. Mësohet se viktima ka qenë i shoqëruar nga Lulëzim Spahia, i cili tashmë është shpallur në kërkim dhe një person tjetër i moshuar i paidentifikuar nga ana e policisë.

Të tre janë strehuar në një prej hoteleve në periferi të qytetit të Korçës, në datat 25-26 dhe 27 maj. Policia ka mbërritur në hotel, pasi në xhepin e pantallonave të viktimës janë gjetur kartëvizitat e hotelit në fjalë.

Sakaq mësohet se Lulëzim Spahia në datë 21.5.2021 është shpallur në kërkim nga gjykata e Durrësit si i dyshuar për veprën penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim. Po të njëjtat burime thonë se në datën 24 maj, viktima Fridman Xhaferraj dhe i shpalluri në kërkim Lulëzim Spahia, janë takuar fillimisht në Elbasan e më pas kanë udhëtuar drejt qytetit të Korçës, ku kanë qëndruar së bashku për katër ditë.

Së bashku me Xhaferrajn dhe Spahian, në hotel me ta, ka qëndruar edhe shtetasi me iniciale K.B, i dyshuar edhe ky nga policia për veprën penale të vrasjes me dashje. Pas datës 27 policia për momentin nuk ka asnjë të dhënë për vendndodhjet apo lëvizjet e viktimës dhe dy të njohurve të tij, tashmë në pozicionin e të dyshuarve.

Related Posts